Të drejta ekskluzive për shqiptarët indigjenë!

Taulant Salihi

 

Nuk relativizohet ekskluziviteti i të drejtave të shqiptarëve me ato të Boshnjakëve, Serbëve, Turqve apo Romëve, as bile me ato të nocionit maqedonas.

Shqiptarët në përgjithësi, padyshim janë populli më endogjen (autokton) në Maqedoni. Dyndjet brenda territorit të shqiptarëve në Maqedoni dhe ish-Jugosllavi janë me prapavijë përgjithësisht ekonomike dhe sociale, dhe asnjëherë rezultat i ndonjë politike të organizuar, apo shtetërore, sepse as që ka ekzistuar mundësia objektive për këtë gjë.

Në opsionin më ekstrem, ajo mund të ketë qenë ideologjike në numër të vogël, ndërsa numri i të gjithë llojeve të dyndjeve të pakoordinuara të vonshme, në përgjithësi të ardhur nga Kosova, është jo më shumë se disa mijëra, patjetër duke qenë brenda-shqiptarë dhe jo në territore me shumicë sllave.

Lëvizjet e popullatës sllavisht-folese, në përgjithësi janë produkt i politikave shtetërore kolonialiste për gjatë gjithë shekullit XX, por edhe më parë. Kështu një pjesë vijnë nga politikat kolonialiste të SKS-së, të tjerat nga mbetjet kolonialiste bullgare, dhe të fundit nga rilokimi i refugjatëve dhe të dëbuarve sllavë nga Greqia nëpër territoret e pjesëve shqiptare të Maqedonisë, duke i shtuar kësaj periudhën e Jugosllavisë dhe migrimit masiv të shqiptarëve përgjatë disa dekadave.

Për këtë arsye shqiptarët, jo vetëm që meritojnë të drejtat e natyrshme që iu takojnë (si kjo e gjuhës), por ato meritojnë të drejta ekskluzive si populli më autokton në këtë shtet, trajtim nderi dhe ekskluzivitet për tokën siç po bëhet me popullatën indigjene në SHBA.

 


Filozofia demaçiane e Amalgamës ideologjike shqiptare

Albulenë Halili &

Fatmir Arifi

 

Me qenë të bashkuar territorialisht;

Me pasë një treg të përbashkët ekonomik;

Me pasë një gjuhë të përbashkët letrare;

Me qenë të përshkum nga ndjenjat e dashurisë, përkatësisë dhe solidaritetit reciprok vëllazëror!

-Adem Demaçi

 

(Në ditëlindjen e Adem Demaçit)

Studimi i mendimit filozofik të Adem Demaçit, përbën një detyrë jo të lehtë për studiuesit e teorisë së mendimit filozofik. Filozofia e demaçiane paraqet një sistem logjik mendor të gjithanshëm, të thellë dhe konsekuent në vetvete. Gjithanshmëria sistematike dhe kjo koneskuencë mendore dëshmojnë se në historinë e filozofisë ai s’ka as paraardhës as trashëgimtar, e që e shndërrojnë atë në një mendimtar sui generis, dishepull i askujt.

Secili studim për Demaçin, duke përfshirë edhe këtë, është vetëm një këndvështrim krejtësisht i pjesshëm, apo pamje e një aspekti të vetëm të tërësisë së mendimit politik demaçian.

Njohësit dhe studiuesit e mendimit filozofik të Demaçit, me të drejtë mund të shtrojnë pyetjen se si ka mundësi që emri i Demaçit për gjatë gjithë pjesës së dytë të shekullit XX “ishte informata më e ndaluar në familjet shqiptare[1]”, në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe njëkohësisht kishte kaq shumë ndikim në profilizimin, shtresëzimin dhe ngritjen organizatave në shërbim të çlirimit të hapësirës shqiptare nën Jugosllavi.

Natyrisht, ka pasur personalitete të mëdha kombëtare edhe para epokës së Demaçit edhe gjatë epokës së tij, mirëpo asnjëri prej tyre nuk ka pasur ndikim deri në shkallën që ka pasur personaliteti i Demaçit. Arsyeja është se Demaçi nuk i trajton problemet në mënyrë përshkruese, por tek ai bashkohen zgjuarsia filozofike me aksionin politik - pra me atë të njeriut veprues.

Demaçi i jep shumë rëndësi sistematizimit të idesë, e cila konsiston në atë se filozofia pa sistem nuk mund të ketë në vete asgjë shkencore dhe objektive dhe për më tepër është ide e rastësishme e subjektive. Andaj, studimi mbi Demaçin duhet të orientohet në dy rrafshe: në rrafshin teorik, i cili është mendim tërësisht burimor i dalë nga tradita, kultura dhe historia e kombit të lashtë shqiptar; dhe së dyti, në rrafshin e pragmatizmit politik, i cili është i determinuar nga rrethanat e kohës.

Andaj, një studim i këtillë nuk mund të bëhet i shkëputur nga vorbulla e zhvillimeve politike dhe proceseve të shumta në dëm të hapësirës shqiptare dhe popullatës shqiptare që jeton në këto hapësira. Për ta trajtuar në mënyrë të mirëfilltë rrafshin ideor të Demaçit, është parakusht shkoqitja e rrethanave në të cilat ka zënë fill e ka vepruar ky mendim politik.

 

Rrethanat dhe zhvillimet politike në hapësirën shqiptare

Demaçi u lind në periudhën në mes dy Jugosllavive: të Versajës dhe atë të AVNOJ-it. Që të dy këto krijesa (e dyta trashëgoi të parën), ishin frutë i planifikimeve ekspansioniste dhe hegjemoniste serbe. Mirëpo, nga ana tjetër edhe në hapësirën shqiptare, që nga viti 1912, nga presioni i pandalshëm dhe intensiv i pushtuesve të tokave shqiptare, bëri që vetëdija kombëtare të fillonte të ngrihej në nivel organizimi të lëvizjeve të rezistencës, të cilat kishin efektin e vet politik të mospajtimit me pushtuesin. Falë rezistencës së disa organizatave politike kombëtare të herëpashershme, u bë e ditur edhe për vetë okupatorin, se këto toka nuk do të lëshohen dhe nënshtrohen aq lehtë siç mendohej dhe propagandohej nga qarqet jugosllave. Kështu që mbi bazën e parimeve ekspansioniste dhe hegjemoniste, në  byronë politike të Jugosllavisë së AVNOJ-it u hartuan dhe u profilizuan dy projekt-veprime politike shumë specifike në marrdhëniet me shqiptarët në përgjithësi.

Në projektin e parë u ravijëzua koncepti se “shqiptarët nuk mund të na bëhen kurrë partnerë besnikë. Përveç që duhet mbajtur në armiqësi mes vete, ata duhet të mbahen në distancë as larg, as afër, por mjaftueshëm, kurdo që kërkohet për t’i vënë në ankand”.[2]

Ndërsa në projektin e dytë u morën hapa për të copëtuar edhe më tej hapësirën shqiptare në tri shtete. Përcopëtimi i hapësirës shqiptare kishte një qëllim të vetëm: të eliminonte të drejtën e shqiptarëve që të quheshin komb, duke e transformuar nocionin popull në nocionin pakicë kombëtare.[3] Padyshim, pushteti jugosllav e dinte se nocioni popull sipas Kartës së Atlantikut, por edhe sipas Kartës së OKB-së do t’ua mundësonte shqiptarëve të drejtën e shprehjes së vullnetit për organizim shteror - të drejtën për vetëvendosje. Loja e ndryshimit të nocionit do të jepte efektin e vetë tragjik për shqiptarët. Kjo djallëzi politike sllave u dëshmua qartë në vitet ‘60, kur në OKB u aprovua rezoluta për dekolonizimin e tokave të okupuara, sipas së cilës “vetëm kombet kanë të drejtë për vetëvendosje”.[4]

Përmes kësaj politike, Jugosllavia, krahas tendencës së dobësimit, synonte edhe shthurjen e kombit shqiptar duke stimuluar përçarjen dhe armiqësitë brenda shqiptarëve, angazhime tepër të dyshimta, “integrime dhe riintegrime” që ishin në shërbim të copëtimit dhe ricopëtimit të hapësirës së shqiptarëve.

 

Filozofia demaçiane e harmonisë si filozofi e mbijetesës

Përballja me gjithë këto procese të dëmshme ndaj tërësisë shqiptare, me padrejtësi të mëdha, e nxitën Adem Demaçin të vendosë idenë e madhe të fjalës, të pajtimit dhe të zhdukjes së antagonizmave të përbrendshëm. Fillimisht në romanin e tij “Gjarpërinjtë e gjakut”,[5] e më vonë dhe në platformën e LRBSH[6], ai nxori në sipërfaqe idenë e harmonisë njerëzore dhe asaj kombëtare si faktor themelor i të gjitha forcave ekzistuese në luftën e të kundërtave.

Duke qenë se teoria e harmonisë është faktori themelor i të gjitha forcave ekzistuese në luftën e të kundërtave, atëherë, vetëm përpjekjet janë ato që përcaktojnë integritetin e një gjëje apo të një procesi. Harmonia njerëzore, sipas Demaçit, ishte kodi i aspiratës së pajtimit dhe bashkimit, e cila e sfidon esencialisht një kohë dhe një realitet përplot injorancë.

Si njohës i thellë i ligjeve të natyrës, ai e dinte se çdo qenie, dhe si pasojë e gjithë bota në tërësi është një shumëllojshmëri e të kundërshtuarit të forcave, andaj pikërisht duke luftuar tendencat e të kundërtave, arrihet uniteti. Harmonia demaçiane bazohet në një shumëllojshmëri kontekstesh, e cila arrihet duke mos harruar rrugën kryesore për t’i arritur qëllimet, duke njohur potencialet tona të brendshme shpirtërore dhe duke përvetësuar tërë përvojën jetësore, qoftë kjo edhe nëpër burgje, duke luftuar me vetveten, duke kaluar dhimbjet e mëdha individuale e familjare[7], sentimentet e ndryshme në favor të vlerave më të mëdha kolektive, duke e mbrojtur vetveten nga vetja, duke ndryshuar veten, shokët dhe shumicën[8], duke hequr stihinë[9] nga jeta kombëtare e duke pasur program për përparim, duke aktivizuar të gjitha vetitë dhe energjitë shpirtërore, si forca të domosdoshme organizuese kombëtare, në mënyrë që të mos mbetemi inferior i forcave që na rrethojnë.[10] Dhe jo pa qëllim ai thotë se “unë, megjithatë, përfundimisht e munda veten…”[11] Ky botëkuptim i tij vërteton thelbin e filozofisë së tij jetësore, se vizioni i harmonisë është i mundur dhe i zbatueshëm për aq sa ekziston uniteti i plotë i të kundërtave.

Sipas tij, “të gjitha objektet në mes të cilave ekziston një ndërveprim, janë në një vazhdimësi të vetme hapësinore. Në këtë kuptim, ato përveç që përfaqësojnë unitetin, secila ka interesa të veta në lidhje me diçka. Këto interesa mund të jenë të ndryshme, ashtu siç janë të ndryshme edhe objektet, të cilat janë të lidhur me njëra-tjetrën nëpërmjet kundërshtimit, me anë të luftës”.[12] Ashtu si Herakliti[13], Adem Demaçi e dinte se aty ku nuk ka përpjekje e angazhim aty nuk ka jetë. I mbështetur fort në këtë postulat, Demaçi, vizionin ideor e barti në rrafshin pragmatik, dhe arriti që konceptin e harmonisë, ta ngrisë në lëvizje historike, me bazë në të kundërtat.

Duke u nisur nga njëri prej parimeve të platformës së LRBSH, në të cilin theksohet “me qenë të bashkuar territorialisht”, Demaçi konceptin e harmonisë e sheh si të pandashëm nga koncepti i hapësirës në vlerën e saj.  Mu këtu qëndron gjenialiteti, vlera e mendimit dhe qëndrueshmëria e filozofisë politike demaçiane, i cili duke iu kundërvënë një realiteti të hidhur dhe të zymtë të popullit shqiptar, shtroi idenë se shpëtimi ynë domosdoshmërisht duhet të kalojë nga bashkimi në një shtet të vetëm. Në këtë pikëpamje, Demaçi, lëvizjen historike e ngriti në lëvizje çlirimtare. Ky është shkaku që të gjitha lëvizjet historike në hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi, në gjysmën e dytë të shekullit XX e deri tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe së fundmi edhe pavarësia e Kosovës, janë të lidhura me frymëzimin, veprimtarinë dhe emrin e Adem Demaçit, sepse filozofia demaçiane para së gjithash është filozofi jetësore, po aq sa është politike. Këtë e shquajnë plot ngjyrime, në dukje të vogla e të ngjashme me ato të shumë mendimtarëve, e që megjithatë, kjo si e atillë mbetet e veçantë dhe po aq e dallueshme nga të tjerat. Prandaj, duke zënë fill te filozofia e urtisë kombëtare, ajo merr tenin unik që e bën edhe të jetë autentike e sui generis.

 

Amalgama ideologjike shqiptare – bërthama e filozofisë politike demaçiane

Njohja e thellë e marksizmit, do të bëjë shumë studiues që Demaçin ta radhisnin padiktueshëm dhe padrejtësisht në radhët e trashëgimtarëve më të mëdhenj revolucionarë botërorë. Në librin e tij, një nga njohësit më të mirë të Ballkanit, James Pettifer, pas takimit të tij të parë me Demaçin në vitin 1991, shkruan: “Në një vend e në një jetë tjetër ai do të kishte organizuar mbrojtjen e Parisit më 1870, a betejën e Dien Bien Fusë, ose do të ishte ngjitur deri te Komiteti Qendror i bolshevikëve, apo do të kishte marrë pjesë në Marshimin e Madh”, shkruan James Pettifer, pas një takimit të parë me të në vitin 1991.[14] Megjithëse në dukje i majtë me bindje politike, Demaçi që në fillim nuk përkrahte asnjërin nga modelet ekzistuese komuniste. Ai e dinte se nuk mund të bëhej aleat me askë në këtë ideologji, prandaj ai nuk përkrahte asnjërin nga modelet ekzistuese komuniste. Nga ana tjetër Demaçi kishte njohuri të thella mbi të djathtën politike, dhe shpesh herë e radhitën edhe si të djathtë.

Tendenca për reduktimin e pikëpamjeve filozofike të Demaçit në të majtë apo të djathtë, duke u bazuar vetëm mbi bazën e shprehjeve ideologjike, i ngjajnë një thjeshtimi të papërligjur që nuk përfaqëson ndonjë thellësi mendimi, por bazohet vetëm në idenë sipërfaqësore se këto dy koncepte i referohen dy botëkuptimeve të kundërta programore. Për më tepër, asnjëherë nuk ka ekzistuar një e majtë apo një e djathtë e vetme. Lidhur me këtë studiuesja Nadira Urbinati shkruan se “ka shumë të majta dhe shumë të djathta, që kanë dallueshmëri të theksuar në mes vete”[15]. Kjo pikëpamje është tërësisht e qëndrueshme sepse e majta e pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë një e majtë e përcaktuar në kohë, ashtu siç ka ekzistuar një e djathë e përcaktuar në kohë, e që kanë dallime thelbësore me të majtën apo të djathtën e sotme. Dallueshmëria në kohë nuk është i vetmi faktor ndarës. Hapësira po ashtu është një nga faktorët tejet relevantë që i bën ato të papërshtatshme e të pazbatueshme. Një nga shembujt historikë është dështimi i zbatimit të teorisë marksiste në hapësirën e Lindjes së Mesme.[16]

Si e majta, ashtu dhe e djathta (organizatat klandestine) në hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi, nuk kishin për bazë trashëgimin e të majtës apo të djathtës të pas Luftës së Dytë Botërore. Ato, që të dyja, në hapësirën shqiptare, më së shumti kishin trashëguar elemente nga tradita dhe udhërrëfyesja kryesore, që ishte Rilindja Kombëtare. Andaj shumë herë, me të drejtë, lëvizja politike klandestine shqiptare e viteve ‘60 e këndej, konsiderohet si Rilindja e Dytë Kombëtare.[17]

Demaçi, duke përfshirë këtu edhe shumë bashkëmendimtarë, bashkëveprimtarë e dishepuj të tij, u dënuan me burg të rëndë, për pikëpamjet dhe bindjet e tyre politike,  pikërisht nga e majta (marksiste-leniniste) jugosllave. Internacionalja komuniste nuk dha ndonjë përkrahje apo shqetësim për këtë. Nga ana tjetër, asnjë nga organizatë me orientim të djathtë, qoftë në Europë apo në Ballkan, nuk e morën në mbrojtje personalitetin e Demaçit, deri në përfundim të sistemit ndërkombëtar bipolar. Shikuar nga ky prizëm, Demaçin nuk mund ta profilizojmë si ekskluzivisht si të majtë, ashtu siç nuk mund ta radhisim as si të djathtë.

Demaçi ecte në shtegun e tij, të dallueshëm si nga e majta, ashtu dhe nga e djathta. Ai gjithnjë merrte përfundimet e veta, të cilat janë po ashtu aq të dallueshme e unike.

Për të ardhur deri te përkufizimi më i përafërt i filozofisë politike demaçiane, profilizimin e saj, në radhitet te filozofitë e majta apo të djathta, të menduarit me diada, do të ishte një udhërrëfyes që do i shërbente këtij studimi e përkufizimi.[18]

Në rrafshin politik ekzistojnë diada që janë antitetike dhe komplementare. Të parat, bazohen në një bashkësi diveregjente, të dytat në një botëkuptim konvergjent. Në raport me doktrinat, si të majtat ashtu dhe të djathtat të cilat kishin për bazë totalitarizmin, Adem Demaçi mbështetet në diadën antitetike. Në raport më marrëdhëniet përbrenda shqiptare, ai mbështetet në diadën komplemetare, e cila synonte afrimin e njëra-tjetrës, për të formuar një entitet të nivelit më të lartë nga dyja botëkuptimet. Kjo është rruga e tretë, për të cilën ai thoshte: “Dy forca veprojnë mbi njëra-tjetrën dhe si rezultantë lind rruga e tretë që na çon drejtë lirisë…”.[19]

E treta përfshirëse, priret të shkojë përtej dy të kundërtave, duke i përmbledhur ato në një sintezë të epërme, pra, në të vërtetë duke i anuluar si të tilla.[20] Kjo ishte e treta e demaçiane, e tretë që nuk ishte përjashtuese, por përfshirëse, e tretë që eliminonte divergjencat e skajeve dhe ofronte pjesët e pajtueshme nga dyja palët e kundërta.  Në praktikë, politika e rrugës së tretë paraqitet si një politikë e qendrës dhe shpesh herë nënkuptohet jo si një formë kompromisi, por si kapërcim i të dy skajeve dhe njëkohësisht si asgjësim i tyre. Tek e treta demaçiane në vend që të ndahen dy skajet nga njëra tjetra, përkundrazi, ato afrohen dhe suprimohen në një amalgamë ideologjike. Amalgama ideologjike që ai synoi të krijojë dhe që në fund ia arriti, duke bashkuar dy botëkuptimet ideologjike shqiptare: botëkuptimin e majtë dhe botëkuptimin e djathtë, është thelbi i filozofisë politike demaçiane.

E treta përfshirëse, për dallim nga e treta e përfshirë që është një praktikë në kërkim të një doktrine, është doktrinë në kërkim të një praktike.[21]  Filozofia e Demaçit është unike sepse i ka të dyja: doktrinën dhe praktikën. Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve e cila u themelua mbi këtë frymë dhe i frymëzoi të gjitha organizatat atdhetare klandestine të ecnin mbi këtë filozofi, ishte ndërtuar pikërisht mbi këtë filozofi. Prandaj, me të drejtë ajo mund të emërohet “Filozofia demaçiane e Amalgamës ideologjike shqiptare”.

 

---

Shënime:

[1] Hakif Bajrami, Adem Demaçi, lider i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Per me shume lexo: http://fondiademdemaci.org/adem-demaci-lider-i-levizjes-kombetare-shqiptare/

[2] Po aty: http://fondiademdemaci.org/adem-demaci-lider-i-levizjes-kombetare-shqiptare/

[3] Pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, territoret shqiptare i ndanë midis tri republikave jugosllave. Në kuvendin e Prizrenit, më 1945 u deklarua se Kosova “shpall me vullnetin e popullit të saj”, se ajo i bashkohet Serbisë në kuadër të Federatës jugosllave. Ky vendim ishte në kundërshtim me Rezolutën e Bujanit të 31 dhjetor 1943 - 2 janar 1944. Në këtë kuadër, në Kosovë më 8 shkurt 1945 u instalua regjimi ushtarak për ta mbrojtur vendimin e Kuvendit të Prizrenit. Regjimi ushtarak jugosllav, kishte detyrë të veçantë për të paralizuar dhe shuar shprehjen e pakënaqësisë për zgjidhjen e padrejtë të statusit të popullit shqiptar dhe hapësirave të tij. Ishte e kuptueshme se populli shqiptar nuk u pajtua dhe nuk do të pajtohet me vendimin e tij për të qenë nën robëri. Prandaj, njëri nga parimet e programit politik të Lëvizjes që drejtonte Adem Demaçi, qe kundërshtimi i këtij vendimi.

[4] Declaration on the Granting of Independence to Colonial Countries and Peoples, Adopted by General Assembly resolution 1514 (XV) of 14 December 1960. Marrë nga:  http://www.un.org/en/decolonization/declaration.shtml.

[5] Romani “Gjarpërinjtë e gjakut” lajtmotiv ka gjakmarrjen si një institucion të trashëguar që zbatohej si rrjedhojë e Kanunit, në mungesë të shtetit amë si organizim më i lartë i një kombi. Kjo masë juridike, në kohën kur Demaçi shkroi romanin e lartpërmendur kishte marrë përmasa të paparashikueshme tragjike, si akt i vetëflijimit i veshur me petkun e rrejshëm të aktit heroik. Kjo plagë e madhe, si çdo tjetër, shfrytëzohej nga regjimi jugosllav dhe përdorej si mjet efektiv i politikës së tij spastruese e shfaruese ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ky roman, qe ndër kumtet e këmbanat e para që binin për një zgjim të ri kombëtar. Porosia e madhe, e dyta pas asaj të Rilindasit të parë – Naimit, e sendërtuar në mënyrë fare të thjeshtë e të prekshme, pa ngarkesa letrare, në rreshtat e këtij romani, e shndërron Demaçin në një Rilindas të dytë kombëtar. Ky roman është arsyeja e burgosjes së tij të parë, gjë që e bën të palëkundur vendin e këtij romani jo vetë në historinë e letërisë shqiptare por edhe në historinë shqiptare në tërësi.

[6] Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, ishte organizata që u themelua nga Adem Demaçi, e cila më vonë u bë boshti kurrizor apo pikë reference e të gjitha organizatave që vepronin në hapësirën e robëruar shqiptare. Katër parimet esenciale të LRBSH janë: “Me qenë të bashkuar teritorialisht; Me pasë një treg të përbashkët ekonomik; Me pas një gjuhë të përbashkët letrare; Me qenë të përshkum nga ndjenjat e dashurisë, përkatësisë dhe solidaritetit reciprok vëllazërorë!” Përmes një analize të thjeshtë, këto katër parime ngërthejnë angazhimin për unitet të përbrendshëm si fazë e parë, për të kaluar në fazën e dytë të rezistencës aktive. Pra, filozofia e Demaçit, nga ky program politik del se nuk është statike, por evolutive, varësisht nga rrethanat e krijuara.

[7] Selatin Novosella , intervistë në TV Klan Kosova, “Adem Demaçi është një njeri që ka flijuar gjithçka në jetën e tij, duke përfshirë edhe fëmijët, gruan e nënën”. Për më tepër: http://klankosova.tv/zona-e-debatit-rrefimi-per-adem-demacin-njeriun-e-kombit/; Po ashtu, lexo: Adem Demaçi, “Dashuria kuantike e Filanit”, Prishtinë, 2007, f. 14.

[8] Adem Demaçi, “Dashuria kuantike e Filanit”, Prishtinë: Buzuku, 2007, f. 14.

[9] Po aty,f, 14.

[10] Po aty,f. 18

[11] Po aty, f.228

[12] Adem Demaçi, ligjeratë e autorizuar në Universitetin Vitrina”, Tiranë, 2011.

[13] Homeri “Iliada”, XVIII, f. 107.

[14] James Pettifer, “Ekpresi i Kosovës”, New York, 2006, f. 56

[15] Cfr. N. Urbinati, La sinistra vive se diventea un archipelago, “L’Unta”, 3 dhjetor 1993, përkthyer nga Ramize Ferati.

[16] Marksizmi qe i parëndësishëm për Lindjen e Mesme meqenëse përbënte një teori ekonomike për shoqëri revolucioni post industrial. Në kohën e përhapjes së idesë marksiste, Lindja e Mesme ishte një shoqëri rurale e cila mbështetej në punën me dorë dhe bujqësinë tradicionale. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, marksizmi kurrë nuk u vendos në Lindjen e Mesme, përjashto këtu Izraelin, ku u zbatua në masë të limituar. Pati lëvizje opozitare revolucionare që u vetëquajtën marksiste, por kurrë ndonjë qeveri, lëvizje politike apo edhe udhëheqës të promovojë marksizmin si sistem ekonomik.

[17] Albulena Halili “Viti i Ri serb dhe vetja ime kolektive”, PanAlbanica, http://panalbanica.net/2331/

[18] Diada është bashkimi i të kundërtave. Në të gjitha disiplinat shkencore merren për bazë analiza gjithëpërfshirëse: në sociologji diada vendoset në mes të shoqërisë dhe bashkësisë; në ekonomi: tregu dhe plani; në teorinë e së drejtës: privatja dhe publikja; në estetikë: klasikja dhe romantikja; në filozofi: trashendenca dhe imanenca; në politikë: e majta dhe e djathta, por jo edhe e vetmja, sepse në politikë shpeshherë nga diada kalohet në triadë, që nënkupton bashkimin e të ndryshmeve dhe tetrada, që nënkupton manifesimin e shqisave për elementet themelore si uji, zjarri, ajri, dhe dheu (pra të gjitha ato që perceptohen me shqisat tona).

[19] Adem Demaçi “Dashuria kuantike e Filanit”, op.cit, f.149.

[20] Norberto Bobbio, “E majta dhe e djathta: gjykime dhe kuptime të një dallese politike”, Insituti i Dialogut&Komunikimit, Tiranë, 1997, ff. 11-17

[21] Po aty.


Kohë për mendjen e brezit tonë të ri

Ramize Ferati

 

Përgjatë historisë së kombit shqiptar, rinia prore ka luajtur rol thelbësor në politikë, nëpërmjet saj në shtet-bërje dhe më pas edhe në zhvillimin e demokracisë. Të gjitha proceset më të rëndësishme të ndryshimeve pozitive kanë nisur me rininë. Idetë e saj janë përqafuar pa kusht nga shoqëria sa herë që ka qenë e nevojshme, sidomos në kohërat më të vështira të komb dhe shtet-formimit. Një përkrahje e njëjtë për fat të keq nuk iu ofrohet sot të rinjve nga përfaqësuesit e popullit në kohë të paqes.

Në Kosovë, por edhe në hapësirën shqiptare në Europën Juglindore, interesimi i të rinjve për zhvillimet politike është tejet më i madh, krahasuar me atë të bashkëmoshatarëve të tyre në vendet e Bashkimit Europian. Ky fakt ka arsye historike dhe do të mund të konsiderohej pozitiv, sikur të mos ekzistonte një trend imponues që vjen si pasojë e ballafaqimit të të rinjve me probleme elementare, thelbësore dhe përpjekjes së tyre të përditshme për t’i zgjidhur vetë çështjet e mbijetesës.

Ana tjetër e medaljes është dallimi ekstrem në angazhimin aktiv politik dhe shoqëror të të rinjve, në bashkëzhvillim  dhe vendimmarrje – fakt tjetër, aspak në favor të rinisë tonë.

Thënia, sipas së cilës rinia është e ardhmja e kombit është një fjalë udhëheqëse që jehon jo vetëm, por kryesisht gjatë fushatave zgjedhore dhe shfrytëzohet për të arritur qëllime politike. Mbështetje në zhvillimin e saj nga institiconet rinisë i jepet kryesisht në kuadër të projekteve kulturore dhe arsimore, për ironi, edhe kjo vetëm në mënyrë sipërfaqësore dhe deklarative. Madje edhe realizimi i kësaj përkrahjeje simbolike lihet në varësi të plotë të vullnetit të donatorëve ndërkombëtarë. Për nisma vullnetare, iniciativa të motivimit, nxitje të frymës konkurruese në të mirë të zhvillimit të vendit nuk u shkon mendja zyrtarëve institucionalë. Sipas tyre (shih vetëm sa për ilustrim përkushtimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për promovimin rinor) çdo gjë që mund të realizohet për të mbështetur rininë, ose duhet të kompensohet me vlerë monetare, ose është e parealizueshme.

Duke i përshkruar si tejet pasivë, të dhënë pas mediave sociale, të pamotivueshëm, apo si dembelë, kryesisht nga mësimdhënësit (!), si naivë dhe të paaftë për shkak të papërvojës –  nga politikanët, njeriu fiton përshtypjen se të rinjtë në shoqërinë tonë qëllimshëm janë duke u lënë pasdore.

Sot në Kosovë, ose është harruar, ose me injorancë është duke u mohuar fakti që është pikërisht ky grup i shoqërisë, ai nga cili kërkohet të marrë përgjegjësi për t’u ballafaquar me sfidat aspak të parashikueshme të shoqërisë në të ardhmen dhe nga ecila dalin liderët e së ardhmes.

Të rinjtë tanë nuk ftohen dhe nuk nxiten për të bashkë-krijuar të ardhmen, e cila u takon natyrshëm atyre dhe jo domosdoshmërisht neve. Mirëpo ata shfrytëzohen shumë mirë për të çuar përpara interesat aktuale të grupeve të caktuara, të cilat janë jokoherente dhe aspak vizionare. Programet e partive politike janë pasqyra më e qartë për të mbështetur këtë fakt. Megjithëse jo të gjitha partitë, gjegjësisht subjektet politike kanë brenda vetes organizim të posaçëm për rininë, roli nominativ i organizatave rinore brenda partive më të mëdha në Kosovë është “promovimi i ideve, vlerave dhe i vizionit”, gjegjësisht “afirmimi dhe realizimi i politikave” të partive përkatëse. Për sa i përket vendimmarrjes, ato organizata, sipas statuteve të partive politike, ose nuk janë të përfaqësuara fare në mbledhjet e këshillave të përgjithshëm, ose janë të përfaqësuar me vetëm një anëtar, por “pa të drejtë vote”.

Si pasojë e përballjes me plakjen e popullsisë dhe natalitetit të ulët, shumë shtete europiane i kanë hapur dyert për punëtorë të ndryshëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duke parapëlqyer dhe pranuar kryesisht të rinjtë. Ndërsa në hapësirën shqiptare, me popullsinë më të re në kontinent, potenciali i mendjeve të reja nuk shfrytëzohet në favor të ngritjes dhe zhvillimit ekonomik, shoqëror e shtetëror. Paradoksalisht në vend të kësaj, nënshkrimi i marrëveshjeve për punësim të të rinjve shqiptarë në shtete të tjera, qoftë edhe si fuqi e lirë punëtore, duke kontribuuar kështu në ikjen e të rinjve të arsimuar, deklarohet si sukses qeverisës.

Që e ardhmja i takon rinisë, është një fakt logjik. Kjo nuk nevojitet t’i proklamohet rinisë, në përpjekje për t’ia shpëlarë trurin. Pikërisht duke u nisur nga ky fakt, të ardhmen secila shoqëri duhet t’ia përshtatë rinisë dhe nevojave të saj. Gjatë ndërtimit të së ardhmes, në vend të përpjekjes për t’i ngazëllyer  të rinjtë për idetë dhe bindjet tona, është thelbësore që t’i shoqërojmë në zhvillimin e tyre individual, t’i përqafojmë idetë dhe interesat e tyre dhe mbi këtë bazë t’i ngrisim në nivel tjetër strategjitë e zhvillimit shoqëror.

Përgjatë kalimit të fëmijëve në faza të ndryshme të zhvillimit,  në rrugë për të qenë të suksesshëm kur të arrijnë moshën madhore, atyre iu nevojiten vlera kritike personale, por domosdoshmërisht edhe mbështetje për t’u ballafaquar me sfidat dhe mundësitë që i presin. Ndër këto vlera janë besimi që ndërlidhet me raportet pozitive emocionale me të rriturit që i rrethojnë, ndjenja e pavarësisë së plotë të veprimit, aftësia për të ndërmarrë dhe zbatuar iniciativa, besimi në aftësitë individuale, dëshira për të qenë produktiv dhe kontribues, etj. Ndërsa pikërisht këto vlera, motivimi dhe rritja e aftësisë së të rinjve për zhvillimin e tyre njerëzor varet në masë të madhe nga mbështetja që ata marrin nga njerëzit që i rrethojnë dhe institucionet të cilat i udhëheqin. Këtë gjë e kanë vërtetuar teoriticientët bashkëkohorë të psikologjisë që në shekullin e kaluar.

Për më tepër jo vetëm për shkak të revolucionit teknologjik dhe qasjes që të rinjtë sot kanë në informacion dhe në media, kërkesat e tyre ndaj prindërve, mësimdhënësve dhe vendimmarrësve në politikë janë të larta.

Po, të rinjtë mendojnë, mësojnë ndryshe dhe duke i parë gjërat nga një këndvështrim tjetër, imagjinojnë një botë tjetër. Ndryshimit nuk i duhet druajtur. Të rinjve u duhet ofruar mundësi dhe u duhet dhënë besimi. Duhet të flaket tutje qasja verbërisht inferiore ndaj të rinjve, sepse ata nuk kanë nevojë për personalitete autoritare, qofshin ata prindërit, mësimdhënësit, apo përfaqësuesit politikë që dinë gjithçka më mirë dhe ekskluzivisht gjithmonë kanë të drejtë, por për njerëz që i shoqërojnë e këshillojnë ata në zhvillimin e tyre. Njerëz që t’u rrëfejnë përvojat e veta për botën përpara tyre.  Kjo qasje e gabuar vetëm sa thekson paaftësinë tonë për të evoluar me kohën, për t’i pranuar idetë e panjohura për ne dhe për t’u përshtatur me ndryshimin e pandalshëm njerëzor.  Ndërkaq ndryshimi nuk do mend se kërkon braktisje të rehatisë, ballafaqim me frikën nga dështimi dhe përpjekje të palodhshme për ndërtimin e vlerave të qëndrueshme. Pasojat e mospërfshirjes së të rinjve në zhvillimin e politikave të përgjithshme dalin pashmangshëm në sipërfaqe dhe manifestohen kryesisht nëpërmjet shpërthimeve sociale, migrimit ilegal, shtimit të kriminalitetit, apo në rastin më të keq ekstremizmit fetar.

Prandaj jo vetëm për shkak të pasojave, por edhe për të çuar përpara frymën pozitive të përparimit, institucionet shtetërore duhet të kapin mundësinë e fundit dhe në vend të shfrytëzimit të potencialit të të rinjve për qëllime me të cilat ata vështirë se mund të identifikohen, të kanalizojnë potencialin e pamohueshëm të tyre në të mirë të zhvillimit kombëtar e shtetëror. Vetëm duke i përkrahur të rinjtë në ndërtimin e vlerave autentike kulturore, shoqërore dhe demokratike, ne mund të hedhim themelet e një shoqërie të shëndoshë, jo shoqërie pa probleme, por të përgatitur, të aftë dhe të ndërgjegjshme për t’iu bërë ballë sfidave të së nesërmes.


Kërkohet kohë e ndërmjetme për ta mbajtur stabile Maqedoninë e tërë Ballkanin

 

Intervistë me Albulena Halili-n

 

Radio Kosova: Pas dështimeve të bisedimeve për krijimin e qeverisë në IRJM kemi një situatë më delikate. Në këtë rast, si do të duhej të vepronte faktori politik shqiptar, meqë për shqiptarët që jetojnë në IRJM nuk kemi pasur një situatë të mirë për ta nga qeveria e kaluar?

Albulena Halili: Kriza në Maqedoni, ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm dhe mënyra se si ajo është paraqitur dhe trajtuar që nga fillimi i saj, nuk është krizë vetëm politike. Këndvështrimi i shqiptarëve sa i përket gjenezës dhe shkaqeve të krizës dhe mënyrave për zgjidhjen e saj, dallon shumë nga këndvështrimet e popujve të tjerë që jetojnë në këtë shtet.

Problemi i Maqedonisë është para së gjithash ontologjik, pra ka të bëjë me natyrën e qenies së saj dhe është i rrënjosur mbrapa në kohë, pra që nga pavarësimi i saj si shtet. Pavarësimi i Maqedonisë është krejtësisht jolegjitim, meqenëse referendumi për pavarësim është bojkotuar nga shqiptarët. Mendoj që kriza politike në radhë të parë është vetëm një fasadë e problemeve reale etnike. Pastaj për t’u bërë edhe më e ndërlikuar këtu janë të përfshira edhe problemet ekonomike, diferencat politike duke mos e nënvlerësuar edhe ndikimin e madh që kanë aktorë të ndryshëm të shteteve të tjera, për interesat e veta kombëtare gjithsesi.

Gjendja e shqiptarëve në Maqedoni nuk ka dalluar shumë, qoftë kur kanë udhëhequr socialdemokratët apo konservatorët. Qëndrimi ndaj shqiptarëve është shtetëror e jo partiak.

Në mesin e këtij udhëkryqi me shumë probleme, shqiptarët duhet ta ndjekin rrugën e tyre. Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, për herë të parë partitë politike në Maqedoni arritën të tejkalojnë çdo mospajtim dhe kundërshti politike dhe të merren vesh për një qëllim që tejkalon çdo interes personal e partiak. Ata nënshkruan Platformën e partive politike shqiptare në Maqedoni, ndërkaq u zotuan edhe për krijimin e një mekanizmi për mbikëqyrjen e përmbushjes së këtyre objektivave, që do të jetë Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare. Dua ta theksoj se më ka habitur fakti që në mesin e kërkesave në platformën e përbashkët, s’gjendet regjistrimi i popullsisë, meqenëse konsideroj se mu ajo është nyja gordiane prej nga duhet të nisë zgjidhja e krizës në Maqedoni.

Pra, shqiptarët kanë shtruar kushtet e tyre dhe duhet të jenë konsistentë dhe të paluhatshëm në këtë qëndrim të përbashkët. Për më tepër shqiptarët janë në vijë me çdo kërkesë të shtruar ndaj Maqedonisë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët kanë hedhur zarin, ndërkaq veprimi i ardhshëm varet nga pala maqedonase, e cila sipas kushtetutës dhe parimeve ndërkombëtare  do të jetë legjitime për të krijuar qeveri dhe e cila do të pajtohet me kërkesat shqiptare të parashtruara në platformë.

Radio Kosova: Gruevski ka hedhur poshtë dy kërkesat e BDI-së, për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në gjithë territorin e IRJM-së dhe për zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale. A do të thotë kjo se nëse në krye të qeverisë vije sërish Gruevski, do të kemi gjendje të njëjtë të shqiptarëve në IRJM?

Albulena Halili: Nuk mund të shoh në horizont asnjë gjasë për një qeveri me në krye Gruevskin. Në negociatat me BDI-në, Gruevski kundërshtoi hapur dy çështje thelbësore, jo vetëm për qeverisjen eventuale të partisë së tij, por edhe për ekzistencën e Maqedonisë si shtet. E para, mospranimi i kërkesës për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjithë territorin e Maqedonisë, apriori e bën të pamundshme qeverisjen jo vetëm nga ai por edhe nga partia e tij, meqenëse ky është një ndër parimet bazë të platformës së nënshkruar nga krerët e të gjitha partive politike shqiptare. E dyta, mospranimi i tij për zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale, e vë në pikëpyetje Marrëveshjen e Përzhinës të nënshkruar me ndërmjetësimin e SHBA-ve dhe BE-së, në të cilën është vetë ai nënshkrues, duke u vendosur në anë të kundërt me parimet dhe vlerat demokratike perëndimore. Kundërshtimi i të dyja këtyre pikave është një tregues i qartë se Maqedonia nuk ka qëllim parësor integrimin në strukturat euro-atlantike.

Radio Kosova: Sipas Kushtetutës, tani mandatin për krijimin e qeverisë e merr partia socialdemokrate. Por, Nikolla Gruevski ka kërkuar zgjedhje të reja, për të evituar një përplasje të re ndëretnike. Nëse krijohet një koalicion mes partive shqiptare dhe partisë së Zaevit, a mund të ketë tensione në IRJM meqë Gruevski është këmbëngulës për formimin e qeverisë?

Albulena Halili: Partia social-demokrate është e bindur që presidenti Ivanov do t’ia japë mandatin për krijimin e qeverisë, megjithëse Kushtetuta lë shumë vend për interpretime. Nga ana tjetër OBRM-PDUKM dëshiron me çdo kusht të parandalojë qeverisjen social-demokrate. Pas dështimit të negociatave me BDI-në, konservatorët maqedonas kanë paralajmëruar se presidenti Ivanov mund të japë dorëheqje apo edhe se mund të caktohet një mandatar tjetër nga po e njëjta parti. Të dyja këto mundësi, do ta thellonin dhe përkeqësonin edhe më shumë krizën dhe do ta çonin vendin në zgjedhje të reja. Nuk është e vërtetë që Gruevski kërkon zgjedhje të reja për të evituar një përplasje të re ndëretnike. Zgjedhjet e reja i kërkon për të mbrojtur interesat thjesht personale dhe ato të rrethit të tij të ngushtë. Politika viteve të fundit në Maqedoni ka qenë e lidhur në mënyrë të pandashme me nepotizmin, korrupsionin dhe krimin.

Tensionet për të cilat ju flisni, mund të shkaktohen qëllimshëm nga strukturat e OBRM-së, të cilat nuk do të pranojnë kurrsesi të dalin në opozitë. Gjasat për këto tensione shtohen edhe më shumë kur kemi parasysh se kjo parti ka qëndruar në pushtet që nga viti 2006 duke bërë që të kontrollojë pothuajse çdo pore të jetës.

Radio Kosova: Kërkesa e BE-së ndaj presidentit Ivanov kërkon gjetjen e një mundësie për një qeveri sa më gjithëpërfshirëse. Sa janë gjasat që në Maqedoni të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse?

Albulena Halili: Zëdhënësja për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE dje në një konferencë për shtyp përsëriti për të satën herë fjalinë e dëgjuar shpesh nga Brukseli se “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë s’ka kohë për të humbur.” Mendoj që me këtë ka dashur të thotë edhe se as Perëndimi s’ka kohë për të humbur me të.

Qëndrimet dhe kërkesat e BE-së dhe në përgjithësi të faktorit ndërkombëtar duhet shikuar në prizmin e zhvillimeve aktuale ndërkombëtare. Pas Brexit-it dhe fitores së Trampit, bota po ecën drejt konceptit realist në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe parimeve të sistemit vestfalian. Këto zhvillime s’do mend që pasqyrohen në mbarë botën, por sidomos në Ballkan, ku takohen sferat e influencës Perëndim-Rusi. Diplomacia multilaterale, jo vetëm e shteteve të botës por edhe atyre në Ballkan, çdo ditë e më shumë po i lëshon vendin diplomacisë bilaterale dhe përforcimit të aleancave tradicionale. Do të veçoja këtu vizitën e kryeministrit grek në Beograd që realizohet këto ditë. Rreshtimet dhe rirreshtimet gjeopolitike kanë ndikim të patjetërsueshëm në çdo ngjarje dhe agjendë politike aktuale. Për më tepër, përplasjet globale mes të djathtës dhe të majtës kanë marrë jehonë edhe në Maqedoni, duke polarizuar sidomos faktorin politik maqedonas në dy anë, me Trampin apo Sorosin. Shqiptarët në këtë drejtim mbeten kryesisht të paanshëm.

Kërkesa e BE-së për krijimin sa më të shpejtë të një qeverie në Maqedoni, duke këshilluar që ajo të jetë një qeveri e zgjeruar e të gjithë faktorëve relevantë etnikë e politikë, ndodh për shkakun se kërkohet një kohë e ndërmjetme për ta mbajtur stabile Maqedoninë e tërë Ballkanin deri sa zhvillimet dhe politikat ndërkombëtare të profilizohen dhe të marrin një trajtë konstante. Edhe ky skenar është vetëm zgjidhje afatshkurtër dhe kalimtare e krizës dhe problemeve të këtij shteti.

 

 

 


Gjumi letargjik në arsim dhe arroganca akademike

Ramize Ferati

 

“Funksioni i arsimit është të mësosh njeriun të mendojë në mënyrë intensive dhe kritike. Inteligjenca dhe karakteri së bashku përbëjnë qëllimin e arsimit të mirëfilltë.”

 – Martin Luther King, Jr.  

Pas publikimit rishtas të rezultateve të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve – PISA, të cilit test nxënësit nga Kosova iu nënshtruan për herë të parë, rezultatet u diskutuan deri pothuajse në shterim në nivele të ndryshme. Nga mediat, në nivel ekspertësh, në atë shoqëror dhe institucional. Sikurse në të gjitha rastet dhe në fusha të tjera pa përjashtim, objekt diskutimi edhe këtë herë ishin pasojat. Institucionet, por edhe shoqëria në përgjithësi për mëkat, ka krijuar një shprehi për të reaguar në vazhdimësi ndaj pasojave, në vend se të sillen në mënyrë proaktive kundrejt proceseve thelbësore, siç është përparimi në fushën e arsimit. Mirëpo të qenit proaktiv në radhë të parë kërkon ndryshimin e proceseve dhe kësaj teme do t’i kthehemi një herë tjetër.

Gjatë të gjitha diskutimeve dhe pothuajse në të gjitha shkrimet rreth kësaj teme, u paraqitën dhe u shtjelluan në mënyrë të përsëritur strategjitë, planet e dokumentet e zhvilluara, gjegjësisht të përpiluara nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që nga viti 2002 deri në vitin 2016. U konstatua sërish që të gjitha ato dokumente kanë pasur për qëllim të përgjithshëm përmirësimin e gjendjes në arsim, porse asnjëra nga këto nuk është zbatuar as për së afërmi.

Mirëpo, në vend se të kërkohen dhe gjenden shkaqet dhe nga aty të nisin të gjenden edhe zgjidhjet, në të gjitha debatet publike rreth testit të lartpërmendur u kërkua fajtori që çoi në dështimin e nxënësve për të arritur rezultate më të larta. Përderisa shoqëria civile fajin kryesor ia hodhi MASHT-it, kjo ministri atë e barti tek drejtoritë përgjegjëse komunale, ndërsa bashkë me prindërit gishtin e drejtuan kah arsimtarët. Pajtim unanim pati për një gjë: që fajtor më së paku janë nxënësit.

Nëse nisemi nga kjo, kujt atëherë i dedikohen rezultatet përgjithësisht të dobëta të nxënësve, krejtësisht përtej testit të PISA-s? Nëse fajtorë janë mësimdhënësit e tyre, sepse paskan performancë të dobët, apo nuk qenkan të përgatitur sipas standardeve të kërkuara, atëherë shikuar vetëm nga ky aspekt, edhe mësimdhënësit duhet konsideruar si nxënës. Me këtë shkaku duhet kërkuar më thellë: në vendin, ku shumica nga këta mësimdhënës janë përgatitur për t’i edukuar gjeneratat e reja –  Universitetin e Prishtinës.

Të menduarit logjik dhe kritik që janë dy kriteret kryesore, sipas të cilave janë vlerësuar nxënësit në lëndë të ndryshme, sipas standardeve ndërkombëtare dhe të cilat iu mungokan nxënësve, pa pardon: nuk shtjellohet e as aplikohet as në fakultete gjithandej në Kosovë! Si mundet atëherë një mësimdhënës t’ua bartë nxënësve të mësuarit në mënyrë logjike, kur ai këtë nuk e ka mësuar as vetë?

Për më tepër, problemi nuk qëndron vetëm tek aftësitë e bartjes së njohurive. Ai shumë më shumë konsiston në kualitetin e njohurive që barten dhe në mënyrën se si bëhet ajo. Një njeri (lexo: mësimdhënës) pikë së pari mund t’ia mësojë tjetrit (lexo: nxënësit) vetëm atë që ai mendon se e di dhe në mënyrën si ai e ka kuptuar. E njëjta gjë vlen edhe për analizimin, diskutimin, konkludimin  – me kusht që këto procese zhvillohen në klasat e shkollave në Kosovë – dhe vlerësimin e njohurive lidhur me një çështje të caktuar.

Indikatorët që dalin nga qindra diskutime me studentë të fakulteteve të ndryshme në Kosovë, por edhe nga vlerësimet e zbatimit të strategjive a planeve të ndryshme kombëtare të arsimit dhe ekspertët e fushës, e bëjnë të qartë për fat të keq në mënyrë të përsëritur se gjendja në ato nuk ka ndryshuar prej së paku dy dekadash.

Tragjedia e gjithë kësaj situate qëndron në atë se kur të gjenden “fajtorët”, apo ndodh që të identifikohen shkaqet, mungon vullneti për të dalë nga komoditeti dhe për eliminuar të gjykuarit vetëm nga një këndvështrim. Në institucionet tona dhe shoqërinë tonë nuk ka vullnet për të vepruar. Siç është bërë zakon, nuk do mend se edhe jehona e reagimit ndaj kësaj gjendjeje do të shuhet shpejt, sapo në sipërfaqe të dalë një “problem” tjetër me interes, në radhë të parë për mediat. Kjo çështje me rëndësi jetike për çdo shoqëri të përparuar te ne do të riaktualizohet mbase në vitin 2018, kur pritet të mbahet testi i ardhshëm. Kjo duket qartazi dhe e njëjta vlen edhe përtej fushës së arsimit.

Një gjë duhet kuptuar të gjithë: ka ardhur koha e ndryshimeve rrënjësore në të gjitha sferat e zhvillimit dhe ky ndryshim duhet të nisë me arsimin. Përderisa gjendja në këtë fushë mbetet siç është, as përfitimet nga programet e ndryshme për rritje të cilësisë, as ato për promovimin e Universitetit të Prishtinës, programet për rritjen e performancës së mësimdhënies dhe as zbatimi i Deklaratës së Bolonjës nuk mjaftojnë për të arritur rezultate të dëshirueshme, në qoftë se së pari,nuk ndryshon mendësia e kultivuar në universitetet tona dhe nëse nga aty nuk nis ndryshimi – mendësia njëdimensionale, sipas së cilës mësimdhënësi konsiderohet akoma burim i pakontestueshëm i dijes.

Në gishtërinj të dorës mund të numërohen profesorët e universiteteve në Kosovë, të cilët kanë dhe nxisin kulturën e debatit gjatë ligjëratave. Profesorë, të cilët përfillin mendimin e studentit lidhur me një problem të shtruar; të cilët përfillim dhe nxisin mendimin logjik, kritik e analitik. Profesorë të cilët kanë integritet intelektual, që i frymëzojnë studentët dhe nuk e mbjellin tek ata kompleksin e inferioritetit. Profesorë, të cilët studentët i respektojnë si pjesëtarë të shoqërisë, kureshtja jo vetëm për dije e të cilëve duhet ushqyer dhe edukimi i mirëfilltë i të cilëve duhet mbështetur pakusht, për faktin se ata e kanë marrë përsipër vullnetarisht këtë detyrë sublime.

Së dyti, koha, kur shkolla, e aq më pak universiteti është parë si institucion konvencional i bartjes, gjegjësisht pranimit të dijes – të tillë e konsideron veten universiteti i Prishtinës, sipas statutit –  apo si institucion i mësimit të fakteve, ka kaluar. Ky mendim është i tejkaluar prej pothuajse një shekulli në vendet e zhvilluara, jo vetëm për faktin se njohuritë dhe faktet sot mund të mblidhen nga qindra mijëra libra të botuara, gjegjësisht nga burime të panumërta e të llojllojshme në internet.

Nisur nga synimi për të arritur jo vetëm rezultate më të mira në arsim, por edhe nga ajo se ku duam ta çojmë shoqërinë tonë, në vend të drejtimit të gishtit nga fajtori, duhet shqyrtuar sistemin e arsimit nga një këndvështrim i ri, duke e ripërcaktuar se cili konsiderohet të jetë funksioni thelbësor i arsimit në Kosovë. Ky qëllim u duhet komunikuar të gjitha grupeve relevante, përfshirë familjet, sepse pa përfshirjen e prindërve ai është i paarritshëm. Kjo për faktin se edukimi i fëmijëve nis brenda familjes, zhvillohet në nivelin parashkollor, avancohet në nivelin parauniversitar, përsoset gjatë studimeve dhe vazhdon gjatë gjithë jetës. Fundja, të menduarit logjik e kritik mësohen që në fëmijërinë e hershme, duke i dhënë fëmijës hapësirën e duhur të veprimit për të zbuluar në mënyrë të pavarur botën që e rrethon dhe duke i monitoruar shkathtësitë e tij për zgjidhjen e problemeve të caktuara.

Funksioni i arsimit edhe te ne duhet të jetë nxitja e dëshirës së nxënësve për të mësuar, nxitja e nxënësve për t’i shfrytëzuar mendjet e tyre në mënyrë produktive dhe krijuese; mësimi i fëmijëve si t’i analizojnë faktet mbledhura kur të jetë zgjuar kureshtja. Edukimi dhe arsimimi nuk duhet të kufizohet në diplomimin me sukses, por në arritjen e të qenit të suksesshëm në jetë. Ky qëllim shkon padyshim përtej zhvillimit të aftësive në një lëndë të caktuar dhe duhet të zgjerohet në përgatitjen e nxënësve dhe studentëve për t’u bërë pjesëtarë të devotshëm të një shoqërie, si në aspektin social, fizik, emocional apo mental. Këtë gjë e kanë kuptuar që moti shoqëritë përparimtare.  Ndaj dhe nuk i kushtojnë rëndësi mësimit në mënyrë të përsëritur të datave apo fakteve të caktuara. Në vend të kësaj, në shkollat e vendeve të zhvilluara nxitet studimi rreth jetës, rreth ngritjes, apo rënies së kombeve, duke e gjurmuar zhvillimin e tyre intelektual, kulturor apo ekonomik përgjatë periudhave të ndryshme.

Nga ky prizëm duhet parë së treti edhe funksioni, apo detyra e mësimdhënësve të të gjitha niveleve, ngase ata janë jo vetëm zbatues të politikave arsimore, por edhe shërbyes të shoqërisë. Duke qenë të tillë, ata nëpërmjet rolit të tyre kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin njerëzor. Funksioni i mësimdhënësit duhet të jetë të përgatisin qytetarë aktivë, të cilët nga shkolla dalin me mendje të hapur dhe janë të frymëzuar. Qytetarë, të cilët përveç zhvillimit të aftësive intelektuale, reagojnë ndaj idealeve të larta dhe krijojnë vlera të përbashkëta shoqërore. Qytetarë që kanë vullnet dhe veprojnë në mënyrë serioze për të bërë ndryshime pozitive dhe për të udhëhequr shoqërinë drejt përparimit.


Vota shqiptare – për shqiptarët

PanAlbanica

 

Fushata parazgjedhore në Maqedoni ka dëshmuar se ambicia e sëmurë, interesi personal, klanor dhe interesa të tjera të ngushta e kanë përçarë dhe copëtuar trupin votues dhe alternativat politike të shqiptarëve në Maqedoni. Nëse nuk mëson nga historia, ajo të përsëritet. Zgjedhjet e vitit 2011 dëshmuan pikërisht këtë dhe rezultati qe në funksion të dobësimit të faktorizimit politik dhe etnik të shqiptarëve në këtë shtet pa emër. Kjo, mund të përsëritet edhe në zgjedhjet e 11 dhjetorit, nëse ne nuk nxjerrim mësime nga historia.

Është e natyrshme që shqiptarët, ashtu si të gjithë shtetasit e tjerë të presin ndryshime politike dhe jetë më të mirë. Është më se normale që të shpresojnë për shkolla më të mira, çerdhe, rrugë, mjedis të pastër, shërbime më të mira. Në qoftë se shqiptarët nuk kanë standard jetese normale, nuk kanë rrugë, nuk kanë shkolla të mira dhe shërbime të mira, fajin më të madh e kanë pikërisht të dyja partitë politike maqedonase sa herë ato kanë pasur pushtetin e që me çdo mjet dhe metodë shantazhojnë, dekonspirojnë dhe dekonsruktojnë agjendat shqiptare të partive politike shqiptare në Maqedoni. Pavarësisht se cili subjekt nga blloku maqedonas del mandatar, është dëshmuar se në agjendat e tyre fillimisht si synim, e me përfundimin e zgjedhjeve edhe si qëndrim kanë dobësimin dhe përfundimisht kthimin e palës shqiptare në një rol pasiv.

Të paturit premtime humb kuptimin, mbajtja e premtimeve bëhet e paqenë, ndërkaq veprimi politik shqiptar shndërrohet në veprim politik ad-hoc dhe sipas rrethanave dhe mundësive momentale. Kjo për dy arsye: e para, politikat e shtetit maqedonas, që përpiqet me çdo kusht ta ndajë, defaktorizojë, ta minimizojë votën, fuqinë shqiptare.

Arsyeja e dytë është sepse ligji për të drejtën e mandatarit i referohet vetëm palës maqedonase, por jo edhe asaj shqiptare. Pra, fituesi i shumicës së deputetëve nga pala maqedonase mund të zgjedhë të bëjë koalicion qeveritar me cilëndo parti shqiptare që atij i përshtatet, pa marrë parasysh vullnetin e shumicës së elektoratit shqiptar. Përmes kësaj formule, jo pa qëllim, blloku maqedonas pas zgjedhjeve, fut në veprim teorinë e lojës e sidomos formulën e njohur “dilema e të burgosurit”. Dilema e të burgosurit është një matricë në kuadër të teorisë së lojës, e cila konsiston në atë se përse dy individë, krejtësisht racionalë, mund të mos bashkëpunojnë edhe atëherë kur bashkëpunimi është në interesin e tyre më të mirë.

Makiaveli lidhur me politikën dhe aktorët politikë, thotë se “Politika nuk ka lidhje me moralin”, që sipas një interpretimi të lirë do të thotë se nëse merresh me politikë, atëherë s’ke pse flet për moral, qoftë ky edhe fetar. Nëse i referohemi kësaj pikëpamjeje, veprimet e bllokut maqedonas janë të parashikueshme, të pritshme dhe për më tej të organizuara si të tilla kundrejt shqiptarëve. Por, e paparashikueshme dhe e pa justifikueshme është e ashtuquajtura alternativa politike brenda korpusit shqiptar, të cilat me moto autentike shqiptare, realizojnë agjenda të huaja, që kanë për qëllim imponimin e një realiteti të ri në mjedisin politik shqiptar, rrjedhimisht edhe në traditën dhe mendësinë shqiptare. Kjo ideologji është kryekëput në dëm të interesave jetike dhe strategjike të shqiptarëve, është në dëm të unifikimit të potencialit tonë mbarëkombëtar dhe realizimit të synimeve tona për t’u bërë pjesë e pandashme e familjes së madhe evropiane. Kjo ideologji neo-otomane ka synim shtrirjen e ndikimit dhe kontrollit në hapësirat shqiptare dhe në interes të të gjitha palëve tjera që duan edhe më tej ta cungojnë trungun tonë kombëtar dhe t’i defaktorizojnë shqiptarët në Ballkan.

Prej kohësh shtete me fuqi të mëdha, përmes tentativave të ndryshme kanë bërë përpjekje që ta prishin aleancën shqiptare me Perëndimin dhe t’i fusin ata në rrugën pa krye, por kjo nuk ka arritur të jetë e realizueshme. Në këtë kuadër, këto shtete stërholluan strategjitë e tyre për të arritur deri te qëllimi dhe thellësisht analizuan faktorin që mund të çojë në prishjen e kësaj aleance në mes shqiptarëve dhe Perëndimit. Përmes koluareve të shërbimeve intelegjente dhe OJQ-ve të ndryshme si pararojë e po këtyre shërbimeve përkatëse, futën në veprim formimin e subjekteve politike me bazë islamin politik. Në agjencinë ruse të informimit “Sputnik”, në vitin 2014 u publikua pothuajse aksidentalisht një analizë në të cilën thuhej se faktori i vetëm i prishjes së aleancave në Ballkan është shtrirja e islamit politik. E njëjta u tërhoq nga botimi tri orë pas publikimit.

Përballë këtyre përpjekjeve të dyshimta, ne si popull kemi dhënë prova dhe fuqishëm kemi marrë rrugën e orientimit gjeostrategjik, i cili ka qenë dhe është pro perëndimit, pro SHBA-ve. Andaj është e palejueshme që për shkak të interesave të lartpëremendura të ndërrohet rrjedha e historisë dhe të prishen aleancat dobiprurëse për shqiptarët. “Mbrojtësit e interesave shqiptare në Maqedoni” nuk mund të llogariten struktura të paguara nga autoritarë neo-otomanë të cilët paraqiten si “shpëtimtarë” të Maqedonisë që do ta rrëzojnë “regjimin” e Gruevskit.

Kjo s’ka të bëjë aspak me interesin e shqiptarëve në Maqedoni. Ne nuk e kemi vendosur në pushtet Gruevskin. Ata e sollën, ata le ta heqin. Divergjencat e Gruevskit dhe Zaevit jane luftë për pushtet dhe kanë një emërues të përbashkët: “Shqiptarët nuk duhet të jenë lojtarë, por spektatorë në qeverisjen e Maqedonisë, inferiorë dhe në fund krejtësisht të papërfillshëm”. Ne e kemi interesin tonë. Jemi të bindur se shqiptarët në Maqedoni nuk do të vazhdojnë të jenë qiraxhinj në shtëpinë e vetë. Ka ardhur koha që të thuhet se askush nuk mund të imponojë vullnetin antikombëtar.

Agjenda shqiptare është zgjidhja e krejt kësaj mjegullnaje që ka kapluar veprimin politik të shqiptarëve në Maqedoni. Ajo, duhet shkruar, shtruar dhe në fund miratuar. Pastaj flasim për vende pune, për ekonomi, për shkolla dhe çerdhe, që nuk mund të na i ofrojë askush, nëse nuk i ndërtojmë vetë me paratë që ia japim këtij shteti.

Ne nuk kemi probleme të njëjta me maqedonasit. Problemet tona janë shumë më të thella, shumë më të rënda se të tyre. Këtu nuk kemi asnjë pikë takimi. Problemet tona lidhen me problemet që kanë shqiptarët në Ballkan dhe kjo zgjidhet vetëm më Agjendën shqiptare, me faktorizimin e shqiptarëve si tërësi në Ballkan dhe vendosjen e realitetit dhe vullnetit të mohuar shqiptar.

Vota shqiptare në Maqedoni duhet të jetë votë për faktorin politik shqiptar dhe asnjë votë, asnjë votë e vetme nuk duhet të shkojë për parti politike të etniteteve të tjera apo atyre që kanë në agjendë futjen e islamit politik brenda kombit shqiptar. Vota e tillë nuk mund të quhet ndryshe, veçse votë kundër interesit kombëtar shqiptar. Ne s’kemi nevojë për ideologji të huaja e as për kosmopolitizëm. Ne kemi nevojë për njohje të realitetit dhe rrethanave historike që sollën deri te ky realitet. Ne duhet dëshmuar se jemi këtu sepse e meritojmë, se jemi të pjekur, se dimë të zgjedhim dhe se dimë çfarë duam. Interesin tonë kombëtar, ekonomik dhe politik askush nuk mund ta mbrojë më mirë se vetë ne.


Shlivovica e Carit dhe bakllavaja e Sulltanit

Kushtrim Bekteshi

 

Periudha parazgjedhore në Maqedoni ka krijuar ambient tejet të volitshëm për popullarizimin e port-(h)aleve që, në mungesë të skajshme të etikës dhe profesionalizmit gazetaresk, dinë vetëm të “godasin” me shpifje e shantazhe.

Është sa paradoksale, po aq edhe e neveritshme lufta e këtyre port-(h)aleve që tërë kohën proklamohen si media që janë kundër kontrollit të mediumeve nga politika, e në anën tjetër vetë janë futur me kokë e këmbë në shërbim të një partie politike, duke përdorur shantazhin e shpifjen si armën e vetme për të luftuar jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe çdo individ që ua ‘shanë’ ndonjë të preferuar të tyrin ose e demaskon publikisht mercenarizmin e pronarëve të tyre, të cilëve u ka ngelur meraku te shlivovica e Carit e tani me të njëjtin lezet janë duke ngrënë edhe nga bakllavaja e Sulltanit.

Shantazhi, i njohur si armë e fuqishme psikologjike e udb-së jugosllave, nuk është e huaj për nënqiellin tonë dhe pasojat e kësaj lufte psikologjike i kemi përjetuar të gjithë. U deshën shumë vite e shumë sakrificë nga një gjeneratë e tërë që t’u bëjë ballë këtyre agjendave shkombëtarizuese dhe ta rikthejë në kahen e duhur të rrjedhave të historisë orientimin tonë mbarëkombëtar pro-evropian.

Fatkeqësisht, është e vërtetë se kjo fitore e madhe historike u manipulua dhe u degradua nga individë të ndryshëm të politikës, por kjo aspak nuk e vë në pikëpyetje gjithë atë sakrificë dhe atë luftë të drejtë kolektive, e aq më pak nuk e vë në pikëpyetje orientimin tonë të natyrshëm pro-evropian. Vetëm për faktin që disa “intelektualë” (që kurrë nuk kanë qenë të rreshtuar drejt në binaret e çështjes kombëtare) kritikojnë manipulantët e luftës, kjo nuk duhet të na bëjë që ne symbyllur t’u besojmë e t’i përjetojmë si analistë me vlerë, intelektualë me taban kombëtar e heronj të kohës.

E kaluara e tyre duhet të na rrijë gjithmonë parasysh e të na bëjë koshient që mos të manipulohemi nga fjalët e mëdha e nocionet autentike shqiptare që kujdestarojnë tërë kohën në fjalorin dhe shkrimet e tyre nëpër port-(h)ale. Këta megafonë të agjendave antishqiptare përmes port-haleve të tyre, duke marrë si adut kriminalizimin e një pjese të individëve të politikës shqiptare, duan ta kthejnë kokëposhtë rrjedhën e historisë dhe të na bindin se gjithë ajo luftë dhe sakrificë për kauzën kombëtare ka qenë e pavlerë dhe e dëmshme për mirëqenien tonë. Të na bindin në mënyrë shumë perfide se nuk duhet më ta kemi për zemre thënien e rilindësit Naim Frashëri se “dielli për shqiptarët lind nga perëndimi”, por duhet të fillojmë të besojmë në një “rilindje” tjetër: se dielli për shqiptarët lind nga lindja.

Nuk është për t’u befasuar që kjo luftë psikologjike e disa port-(h)aleve është bërë shumë aktuale pikërisht në këtë kohë kur misioni për degradimin e luftërave çlirimtare të shqiptarëve është aktivizuar me gjithë kapacitetet e saj nga ana e Serbisë dhe aleatëve të saj. Disa port-(h)ale të tjera, duke u nisur nga inatet personale, e kanë marrë në qafë veten dhe janë bërë pavetëdijshëm pjesë e këtij misioni, vetëm për faktin se e kanë marrë me shumë seriozitet thënien “për inat të resë, më vdektë djali”.

Prandaj, të jemi me mendje të zgjuar e mos të lejojmë që bakllavaja e sulltanit dhe shlivovica e carit të na imponohen si racion i përditshëm, sepse shumë shpejt do të na godasë në kokë, do të na e helmojë stomakun e shpirtin e, si pasojë, do ta marrim në qafë edhe një gjeneratë tjetër, duke e detyruar të luftojë e të sakrifikojë gjithçka vetëm për ta përmirësuar naivitetin tonë dhe paaftësinë tonë për të lexuar midis rreshtash, për të parë përtej lajmit, përtej shantazhit, përtej shpifjes, përtej interesave tona personale, përtej frikës sonë për ta thënë publikisht dhe zëshëm të vërtetën për gjithë ata “intelektualë” e “gazetarë” që na shiten si mendimtarë të mëdhenj për çështjen tonë kombëtare e që, nga ana tjetër, tërë jetën janë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqehen në kuzhinat e huaja.

 


Uratat e PanAlbanikasve për Kryekremten shqiptare

Në 104 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, sjellim uratat e PanAlbanicasve për Kryekremten shqiptare


Shemsedin Ibrahimi

Sakrifica, vetëmohimi, përpjekja e vazhdueshme dhe mos mbrapsja nga qëllimi i caktuar është virtyti kryesor i një individi dhe pjesë e vetëdijes kolektive. Dita e Pavarësisë Shqiptare (edhe pse gjysmake), na kujton pikërisht këtë virtyt dhe na bën të reflektojmë në përmbushjen e plotë të këtij qëllimi. Shqiptarët janë të vetëdijshëm për këtë, por u duhet vetëm një shtysë nga elita intelektuale dhe politike për të ecur së bashku drejt pavarësisë së plotë shqiptare. 28 Nëntori është “Independence Day” e shqiptarëve, prandaj ta ndiejmë, shijojmë dhe festojmë plotësisht të pavarur!

 

Vjollcë Berisha

T’i mësojmë fëmijët ta duan Atdheun, me ngulm e përnjëmend, jo vec me këngë e himne. Ta duam sic është dhe me ëndrrën sic duam ta bëjmë, se dhe vizionet e doktrinat e mëdha zyrtare janë pjellë e dashurisë dhe ëndrrave. Le ta shndrrojmë në aksiomë pjesën e testamentit kutelian tek përgjërohet që fëmijëve të vet të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj, sepse “Atdheu është Atdhe, bile edhe atëherë kur të vret”. Le të kremtojmë bujshëm dhe veprojmë qetazi, pa prá, se “Shqipëria bëhet dhe secili mund të japim një dorë”. GËZUAR 28 NËNTORIN! 

Blerina Demiri

Plot 104 vite pavarësi  po feston sot Shqipëria…
Koha kalon, pavarësisë  i shtohen vitet e neve përgjegjësia për ta mbajtur gjallë këtë ditë e cila kurorëzoi sakrificat e thelluara në shekuj të shqiptarëve, për liri…
Sot, në këtë nëntor të ftohtë le të ndezim një shkëndijë atdhedashurie e cila do rrijë ndezur në shërbim të kësaj Shqipërie.
Sot, dhe jo vetëm sot, por secilin mot të bekoftë ty Shqipëri i madhi Zot!

Bujar Sinani

Njëqind e katër nëntorë, një lule akoma pa kurorë.

Majlinda Hoxha

Se për atdhen’, do rilindja njëmijë herë. Veç ta shihja n’kamë siç ma do zemra.
Për Shqipninë e plotë, n’th’rrime me u ba, si plumba kundër tradhtisë.

Fatmir Arifi

Ishim gjenerata me shumë trishtime e vuajtje, por kishim edhe krenarinë e të qenurit shqiptarë. Ishim gjenerata, e cila në vend të ngritjes së dollisë për festën e Nëntorit, qelive të burgjeve ngrisnim grushtat për liri; patëm fatin të jemi gjenerata që në vend të dollive, për festat e Nëntorit, ngrisnim tytat e automatikut për realizimin e idealit të Rilindasëve… Thënë troç, ia arritëm pjesërisht. Tani kërkohet kalimi i stafetës tek brezi i ri, brez që po iluminohet me plot besim në rrugën e të parëve të tyre. Unë besoj, sepse besimi më bëri t’ia dal deri në gjysmë të rrugës sime. Gjysma tjetër po bëhet. 

 

Albulena Halili

Para njëqind e katër vjetësh Shqipërinë e shpallëm të tërë. Këtë kremtojnë shqiptarët për çdo mot. Kohët qenë të pamëshirshme me qenien tonë, por ne kemi fuqinë e pakrahasueshme të mbijetesës si asnjë komb tjetër. Një shekull mbijetuam pa Shqipërinë dhe e deshëm fort, panatyrshëm. Sot kemi dy Shqipëri të pavarura dhe ca copëza të tjera Shqipërie përreth. Në shekullin e ri shqiptar lypset që dashurinë e vuajtjen për Atdheun ta përkthejmë në lexim, punë, reflektim, sakrificë e vetëmohim, bashkërendim qëndrimesh e bashkëveprim drejt të njëjtit qëllim. Rruga e Shqipërisë për në Evropën politike kalon përmes vetes së saj. E bëfshim Shqipërinë siç na e lanë amanet të parët tanë, një e të pandashme! E paçim atë përjetë!

Ramize Ferati

Pas shumë shekujsh robërie, më shumë se 100 vjet më parë Shqipëria u bë “më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Sot, i kujtojmë të gjithë ata, që nga dashuria për ty, me penë e pushkë, ditën të të mbrojnë në betejat më të mëdha dhe në stuhitë më të furishme për të hequr qafe zgjedhën e huaj, për të rifituar lirinë e natyrshme. Nderojmë bijtë e tu më të mirë që luftuan deri në përkulje a vdekje, por të mbrojtën e të çliruan nga pushtues e tiranë. Shqipëri, në këtë 28 Nëntor, në këto kohëra të mjegullta e sfiduese, uroj të jemi syçelë dhe të mos na duhet të të mbrojmë nga vetvetja jonë!


Hallka e këputur e politikës shqiptare në Ballkan

 

PanAlbanica

Politika shqiptare në Maqedoni është hallka e këputur e çështjes shqiptare në Ballkan. Ajo duhet të orientohet nga pjesa tjetër e shqiptarëve në Tiranë dhe Prishtinë, për të qenë pjesë vitale e mozaikut të zgjidhjes së kësaj çështjeje. 

Kur më 11-12 janar të vitit 1992, shqiptarët në Maqedoni votuan për autonomi politike dhe territoriale në këtë shtet, nuk e kanë menduar se pas 24 vitesh kjo ide dhe pozita e tyre do të mbeten në vendnumëro. Në ato ditë të ftohta, me shumë sakrificë, shqiptarët votuan për idenë e tyre, votuan për veten e tyre, por në asnjë mënyrë nuk e kanë menduar se do të ketë parti shqiptare që do të promovojnë bashkëjetesën si opsion të zgjidhjes së problemit të tyre. Ata nuk e kanë menduar se do të ketë opsione politike shqiptare që favorizojnë koalicione parazgjedhore apo flirtojnë me parti maqedonase dhe individë, të cilët me mburrje e thonë se janë anëtarë të SDSM-së apo VMRO-së. Në atë kohë do të quheshin tradhtarë ose (me terminologjinë e atëhershme) shqiptarë të ndershëm.

Kanë kaluar 24 vjet nga referendumi i shqiptarëve dhe 25 vjet nga shpallja e Maqedonisë shtet i pavarur, kurse gjendja e përgjithshme e shqiptarëve në Maqedoni duket se ka mbetur në po atë gjendje që ka qenë, me pak ndryshime kozmetike, por pa ndryshime thelbësore. Janë krijuar shumë parti shqiptare (8 parti), të cilat në thelb e synojnë pushtetin, por asnjëra nuk ofron zgjidhje konkrete të çështjes shqiptare në Maqedoni, si pjesë integrale e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan.

Në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, që janë shpallur të mbahen më 11 dhjetor, partitë maqedonase, si duket, janë konsoliduar, duke krijuar dy blloqe kryesore politike: SDSM-ja me disa parti të vogla dhe gjithmonë me nga një parti turke, rome e me raste edhe boshnjake dhe VMRO-DPMNE-ja me disa parti të tjera të vogla maqedonase dhe me nga një parti turke, serbe, rome dhe boshnjake. Blloku politik maqedonas duket se është konsoliduar edhe sa i përket programit parazgjedhor, që me pak ndryshime nuk dallojnë shumë nga njëra-tjetra lidhur me atë se si e shohin pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Maqedonasit kanë një alternativë se si e për kë duhet të votojnë.

Dy partitë e mëdha shqiptare BDI dhe PDSH e kanë shpalosur me shumë drojë programin e tyre se si e shohin zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Maqedonisë. Derisa PDSH-ja thotë se platforma e tyre mbetet marrëveshja historike midis shqiptarëve dhe maqedonasve për ta udhëhequr këtë shtet, BDI-ja mendon se duhet një marrëveshje e re me maqedonasit për t’i shpjerë përpara proceset e filluara.

Hutinë më të madhe ndaj votuesit shqiptar në Maqedoni e kanë krijuar partitë e sapokrijuara, të cilat deri më tani kanë ofruar disa opsione politike, por pa treguar se si do t’i realizonin këto opsione dhe a kanë kapacitet për ta realizuar këtë. Këto parti janë vetëquajtur opozitare pa e matur akoma forcën e tyre në zgjedhje.

Lëvizja “Besa”, që në themelimin e saj u trondit nga informacionet se ajo është dorë e zgjatur e politikës turke të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan dhe se financohet po nga ai.

Ajo që shtron më shumë dilema para elektoratit shqiptar është Lëvizja për Reforma – PDSH e udhëhequr nga Zijadin Sela. Kjo parti del me deklarata të shumta se është për barazi të plotë të shqiptarëve në Maqedoni, por me veprimet e saj tregon se nuk do ose nuk ka kapacitet të realizojë asnjë agjendë e vetme. Zijadin Sela, në një intervistë thotë se nëse partisë së tij do t’i jepej rasti për të hyrë qeveri, ajo nuk do ta bëjë këtë pa u bërë ndryshimet kushtetuese dhe pa u miratuar ligjet sipas platformës e programit të përbashkët të Aleancës për Shqiptarët (LR-PDSH, Uniteti dhe RDK) për të drejtat e plota të shqiptarëve. Kërkesat për ndryshime të kushtetutës kanë ekzistuar në vazhdimësi, por ato u bënë vetëm pas luftës së vitit 2001, në Marrëveshjen e Ohrit, shtyllat kryesore të së cilës nuk u realizuan kurrë. Anëtarë të kryesisë së kësaj partie rreshtohen, me apo pa dije, në një anë me përfaqësues të politikës së opozitës maqedonase kundër “të keqes së përbashkët VMRO-BDI”.

Njëjtë kanë vepruar dhe përfaqësues të Lëvizjes “Besa” në fillim të veprimit të saj si parti, kur anëtarë të kryesisë së saj u panë duke marrë pjesë në mitingjet e organizuara nga opozita maqedonase.

Asnjë nga partitë e “vjetra” shqiptare nuk kanë shprehur interes e as që janë deklaruar për koalicione parazgjedhore me partitë maqedonase. Kjo gjithmonë është parë si veprim i dëmshëm ndaj faktorit shqiptar dhe dëmtim i interesit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni.

Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nuk ishte kërkesë e shqiptarëve, por ishte rezultat i krizës politike të krijuar nga SDSM-ja për të ardhur në pushtet.

Krijimi i shumë partive shqiptare në Maqedoni dëmton rëndë faktorizimin e shqiptarëve dhe realizimin e agjendës kombëtare. Ndarja e votës shqiptare me partitë e vogla i defaktorizon shqiptarët politikisht, ndërkaq dëmi i krijuar nuk do të mund të riparohet deri në zgjedhjet e ardhshme. Analizat thonë se pas këtyre zgjedhjeve numri i deputetëve shqiptar në kuvend do të jetë më i ulët se ai në përbërjen paraprake. Politika zyrtare maqedonase, si duket, i ka marrë të gjitha masat që shqiptarët të gjunjëzohen në këto zgjedhje, duke kërkuar përkrahje masive nga votuesit maqedonas. Lideri i VMRO-së kërkon të ketë 63 deputetë për të mos pasur nevojë për partitë shqiptare. SDSM-ja kërkon votën e shqiptarëve për të rrëzuar këtë diktaturë, siç e cilësojnë ata, duke tentuar t’i sfidojë partitë politike shqiptare në terrenin e tyre. Sipas informacioneve, lideri i SDSM-së Zoran Zaev, i cili është kryetar i komunës së Strumicës, do të jetë bartës i listës në njësinë e 6-të zgjedhore, ku është përqendrimi më i madh i votuesve shqiptarë. Po kjo njësi qe më “problematikja” gjatë sfidës së pastrimit të listave zgjedhore. Në procesin e pastrimit të listave zgjedhore, janë fshirë mbi 30 mijë votues shqiptarë.

Në njësinë e gjashtë zgjedhore gjithmonë zgjidhen nga 2-3 deputetë maqedonas, pa pasur nevojë për votën e shqiptarëve. Por, siç duket Zaevi dëshiron ta shndërrojë fitoren e tij në fitore me ndihmën e shqiptarëve, edhe pse, në fakt, në çfarëdo kombinimi të mundshëm, ai do të fitojë nga vota maqedonase. Të dyja partitë maqedonase kanë historitë e tyre të përpjekjeve të vazhdueshme për të nëpërkëmbur dhe zhbërë interesin e shqiptarëve në këtë shtet. Shumica e krerëve të SDSM-së janë pinjollë të politikave antishqiptare në ish-Jugosllavi dhe autorë të ngjarjeve të shumta kundër shqiptarëve (helmimet e nxënësve, aksioni kundër themelimit të Universitetit të Tetovës, ngjarjet e vitit 1997 kundër përdorimit të flamurit shqiptar etj.). Nga ana tjetër, krerët e VMRO-DPMNE-së janë ata që në vitet e tyre të studimeve, si pjesëtarë të Unionit të të Rinjve të kësaj partie kërkonin dhoma gazi për shqiptarët.

SDSM-ja si parti më e vjetër (pasardhëse e Partisë Komuniste të Maqedonisë) me politikat e veprimet e saj ka dëshmuar se është e interesuar thellësisht që shqiptarët në Maqedoni të shkrihen, të krijohen shqiptarë hibridë, të cilët dalëngadalë do të harrojnë gjuhën e më vonë edhe vetë identitetin. Këtë ajo e promovon përmes konceptit të kombit politik dhe deterritorializimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Orientimi i politikës së tyre për të adresuar çështje ekonomike, pa pastruar me të kaluarën ekonomike të shqiptarëve dhe pa e ndarë kulaçin ekonomik, dëshmon se ata po përgatisin mashtrimin e madh. Kjo i bën fajtorë kolektivë dhe ideatorë kryesorë të pozitës inferiore të shqiptarëve në Maqedoni, ku përveç të drejtave të tjera u mohohen edhe të drejtat ekonomike. Sipas tyre: “Shqiptarët janë të mirë vetëm kur mbushin buxhetin e shtetit, por ata nuk duhet të bëjnë ekonomi, sepse këtë e bëjnë maqedonasit, pra pronarët e shtetit”.

Kur është në pyetje interesi i shqiptarëve dhe rëndësia e tyre në këtë shtet, të gjitha partitë maqedonase janë në një mendje, duke pohuar se shqiptarët i kanë të gjitha të drejtat dhe se duhet të jenë më lojalë dhe ta duan këtë shtet të maqedonasve, sepse ata nuk kanë ndonjë shtet të tyre rezervë.

Politika shqiptare në Maqedoni është hallka e këputur e çështjes shqiptare në Ballkan. Ajo duhet të orientohet nga pjesa tjetër e shqiptarëve në Tiranë dhe Prishtinë, për të qenë pjesë vitale e mozaikut të zgjidhjes së kësaj çështjeje. Politika e shqiptarëve në Maqedoni duhet ta tregojë qartë synimin e saj dhe vullnetin e shqiptarëve në këtë shtet.

Vota shqiptare duhet të jetë një referendum për t’i treguar edhe faktorit të brendshëm edhe atij të jashtëm se ata nuk duan shumë parti, por duan parti të forta, që kanë kapacitet, ekspertizë dhe njerëz që ta realizojnë këtë synim.

Shqiptarëve të Maqedonisë u duhet dialogu i brendshëm para se të dialogojnë me të tjerët. Zgjedhjet duhet ta përçojnë porosinë se sado që dikush tenton t’i ndajë, ata bashkohen, fuqizohen dhe se ata e kanë të qartë se çfarë duan. Tregu është i madh dhe politika ende më e madhe, kurse shqiptarët në Ballkan janë një faktor i madh gjeostrategjik e demografik, që nuk mund të shpërfillet.

Shqiptarët në Maqedoni duhet të votojnë vetëm për këtë qëllim.


Donkishotët dhe mullinjtë e erës

Vjollcë Berisha

Për habinë e shumicës, njëra strofë e këngës kësaj radhe erdhi e re, pothuajse e ëmbël, trumbetonte shoqërinë qytetare, të drejtat që ne i merituakemi, shtetin që u dashka ta gëzojmë të gjithë së bashku e të tjera e të tjera. Po them për habinë e shumicës, pasi për disa që i zënë gjërat në eter, që i parandjejnë situatat, herët kishin rënë këmbanat.

Disa orë para fillimit të “heshtjes zgjedhore” më rivjen shiriti i fushatës me të tëra detajet, me slloganet shterpa që s’të bëjnë të mendosh e as t’i kujtosh më kurrë, me qindra kandidatë për deputetë, të shpërndarë në sa e sa lista partish, me mizëri tubimesh të vogla e të mëdha, me “bilborde” e fotografi kandidatësh, me programe të paguara politike, me biseda kryeneçe kafenesh, me tituj të mprehtë artikujsh gazete e portalesh e me gjithfarë xhingla-minglash të tjera që e bëjnë një fushatë parazgjedhore, nëpër të cilën kalon pastaj fati i akëcilit prej nesh.

Ai fat ndaj të cilit jemi mësuar të shfryejmë me dekada, sa herë dhe jo rrallë, ia ka ndërruar kahen historisë kombëtare apo zhvillimit të procesit që quhet çështje e shqiptarëve të Maqedonisë, e cila çështje mbijeton në një terren të vështirë, për të mos thënë në më të vështirin në Europë, midis një urrejtjeje patologjike, viktimë e së cilës ka qenë përherë, midis vazhdimësisë së doktrinave e programeve sllave që synojnë zhbërjen e saj. Mu kjo shfryerje e vonshme ndaj fatit, që vjen ekskluzivisht nga një numër i rrethuar dhe i hedhur (pa)diktueshëm në kutinë e votimit, është gënjeshtra më e madhe që mund t’ia bëjmë vetes kur jemi të prirur të votojmë symbyllur, pa u shkuar gjërave deri në fund apo, edhe më keq, për inate të vogla personale a për forcë zakoni.

Është kënga e njëjtë që luhet sot e gjithë ditën në të ashtuquajturën “oazë  e paqes” e që në të vërtetë është “varka e Noes” që shpëton të gjitha llojet e albanofobisë  serbe për t’i riatdhesuar e për t’i vazhduar edhe më tej midis Evropës.

Është mu ajo kënga që përsëritet në çdo cikël zgjedhor e që ka në barkun e saj gjuhën e vrazhdë politike, urrejtjen e hapur ndaj shqiptarëve, arkëtimin e votave në llogari të sofistikimit të mekanizmave për shtypjen e shqiptarëve, madje edhe, në rastet më të mira, për zhdukjen e plotë të tyre.

Për habinë e shumicës, njëra strofë e këngës kësaj radhe erdhi e re, pothuajse e ëmbël, trumbetonte shoqërinë qytetare, të drejtat që ne i merituakemi, shtetin që u dashka ta gëzojmë të gjithë së bashku e të tjera e të tjera. Po them për habinë e shumicës, pasi për disa që i zënë gjërat në eter, që i parandjejnë situatat, herët kishin rënë këmbanat. Ata e kanë ndjekur zhvillimin e kësaj ideje që para disa vitesh nga baballarët e opozitës maqedonase dhe pastaj kishin parë se si po jetësohej ideja përmes lëvizjeve qytetare, përmes organizatave joqeveritare e përmes krijimit të kauzave të vogla “të përbashkëta” që çonin ujë në të njëjtin mulli, në mullirin e vjetër komunist, ku qe bluar imët doktrina për përvetësimin e shtetit dhe margjinalizimin e plotë të shqiptarëve. Tanimë, sa më shumë që rritej numri i atyre që, kush të paguar e kush në mënyrë vullnetare, e kanalizonin ujin në këtë mulli të vjetër, aq më donkishotë na shfaqnin ne të tjerëve që u dilnim ballë.

Dita e diel është momenti për ta thënë JO-në e madhe kundër mashtrimit të përsëritur. Sa herë që jemi gënjyer e u jemi përgjigjur ftesave për barazi, për bashkim forcash në luftë kundër armikut të përbashkët; sa herë që jemi gënjyer e kemi hipur në trena të gabuar, nuk kemi zbritur veçse në stacione të largëta, armiqësore, nga s’jemi kthyer më, apo kemi paguar tagre të rënda rrugës në kthim. Ata që sot ftojnë t’i mbështesim për të nesërme të përbashkët janë shefat e vjetër të shtetit që jo vetëm na zhvatën, por edhe na vranë e na fyen pa mëshirë. Tani kur u duhemi për ta mbajtur frymën, po bëjnë pjesën e vet të lojës: “Pakt edhe me djallin deri në arritje të qëllimit më të madh që kanë”.

Ata që dje na quajtën me bishta, ata që këkuan dhoma gazi për ne, ata që na i helmuan fëmijët, na i përdhosën simbolet e na i mbyllën shkollat, ata që e ndërtuan shtetin monoetnik më jotolerant të Ballkanit, ata që të gjitha institucionet e larta të shtetit i quajtën me emrin e vet dhe me përcaktorët decidë të pronarëve të vetëm (kujto: Makedonski Teatar – Teatri Maqedonas, Televizioni Maqedonas dhe jo i Maqedonisë, Biblioteka Maqedonase, Opera Maqedonase, shteti maqedonas etj), sot po shfaqen me ngjyra laramane, me të gjitha nuancat e mashtrimit.

Po dhe në qofshim të gabuar,  dhe në e pastë ndërruar hujin bashkë me qimen ujku, s’kemi pse votojmë për subjekt të njëjtë. Secili le t’i masë forcat vetë, le t’i caktojë prioritetet e e së nesërmes dhe le të zhvillojmë debate konstruktive postzgjedhore për jetë më të mirë, për jetë të barabartë. S’ka pse e huqim qoftë edhe një votë.  Në një shtet ku përdoren të gjitha mekanizmat për defaktorizim të fuqisë politike shqiptare, për përçarje sa më të madhe të trupit votues shqiptar, duke krijuar terrene të përshtatshme për mbirjen si kërpudha të partive politike (disa të aktivizuara me një buton të vetëm nga qarqe tejet armiqësore) sa herë që ndjehet nevoja e përçarjes më të madhe, në një shtet ku votohet në gjashtë njësi zgjedhore konform programit të humbjes së numrit të deputetëve shqiptarë, s’kemi pse i vëmë pikat mbi “i” me dorën tonë, me votat tona. S’ka vend për ëndrra laramane, përderisa s’ka pasur kurrë hapësirë për zgjidhjen e problemeve tona që janë të një natyre krejt tjetër nga ato maqedonase e që nuk zgjidhen përmes platformave të përbashkëta, përpos se përmes dialogut konstruktiv midis koalicionesh postzgjedhore nga subjekte me kërkesa e prioritete të qarta politike.

Kjo që po ndodh me trumbeta deri të dielën është zhurma. Druaj që heshtja vjen më pas.