Muhamet Halili

 

Atë që s’e bëri ora që e kishte kurdisur me të rënë në shtrat, e bëri krrokama e një sorre, terr e zezë, që po qëndronte në pemë, pranë dritares së dhomës së tij të gjumit. Orës i ishin sosur bateritë dhe qe ndalur fiks në një e trembëdhjetë minuta. Por, ideja se atë po e zgjonte zëri i një zogu, në vend të cingërimës së orës, ia bëri qejfin dhe ia ndaloi neurozën që mund ta zbrazëte në orë, me ndonjë të përplasure për muri.

Kjo e bëri të ndihej i veçantë, ashtu siç do të donte të ishte edhe në profesionin e synuar dhe betimin që kishte dhënë para fotografisë së mareshalit.

Filloi hulumtimin nëpër hapësirën e dhomës, sikur të kërkohej diçka e rëndësishme, por pa e ditur se çka! Në fakt, ai po kërkonte çorapët, pantallonat, këmishën… Kur zhvishej, ato i hidhte ku mundte. Edhe çanta do të duhej të ishte diku te tavolina e telefonit.

Pasi u vesh, nxori nga çanta kartën e përkohshme që i kishin dhënë e me të cilën krenohej. This can be used mouse in order to get more detailed information approximately pokies online. Shikoi emrin e tij në të, i bënte përshtypje në veçanti shkronja e parë e emrit, pasi në vend të Xh-së ishte zëvendësuesja “DZ” dhe kjo atij i pëlqente shumë, sepse i dukej më në trend.

Po ashtu, e tërhiqte edhe logo-ja dhe shkronjat e mëdha me të cilat identifikohej institucioni. E lexoi edhe njëherë, ngadalë dhe me rrokje, fjalinë që në gjuhën e tij do të përkthehej “sigurimi shtetëror” dhe i ekzaltuar, e futi kartën në xhep.

Para se të dilte, shikoi edhe njëherë fytyrën në pasqyrë, dhe duke përmendur nofkën e tij: – Eh, “Crni!” – Do me u bë edhe ti i Madh!”,  – e përgëzoi veten e tij.

Sot po e ndiente një lumturi dehëse, pasi do të ngarkohej me detyrën e fundit, të fazës testuese, para se të dëshmonte veten se ishte i aftë për një punë të tillë dhe të shpërblehej pastaj nga shefat e tij, duke u bërë tamam profesionist, ëndrra më e madhe e tij. Tekefundit e meritonte të gradohej pas gjithë asaj pune me zell që e kishte bërë deri më tani.

Hapat e tij, ndonëse bërë nga këpucët me take, hidheshin lehtas pa lëshuar zhurmë mbi pllakat e kalldrëmit, pasi tani më ishte mësuar me ecjen që duhej bërë në këtë profesion. Ajo ecje tani po e dërgonte drejt vendit për të cilin kishte marrë urdhër, e ku kontakti i tij do ta ngarkonte me detyrën e radhës.

I pëlqenin shumë qoshet, andaj edhe pëlqeu vendin e takimit, kafenenë te qoshja e rrugës kryesore, por edhe tavolina në qoshe, afër dritares, ku u ul. Ishte i bindur se vështrimin më të mirë të tërë perimetrit, e jepte pikërisht pozita në qoshe. Porositi një kafe dhe ndezi një “Drava”, për ta shfletuar ngadalë “Rilindjen”, e për t’u ndalë aty ku i interesonte, te rubrika – politika.

Vëmendjen nga gazeta ia tërhoqi një hije që ia zuri dritën e që i vinte nga ajo pjesë e dritares pranë tavolinës. Ishte një njeri i veshur kat, e që në kokë mbante një kasketë kadifeje, streha e të cilës më tepër i shërbente për t’ia fshehur sytë, se sa për t’u mbrojtur nga dielli.

Ishte shefi i tij i terrenit. Pasi u përshëndetën me buzëqeshje përmes xhamit, gjestikuloi  me kokë, duke e ftuar atë, që të futej brenda.

– Mirëdita, – i erdhi e përshëndetura nga njeriu me kasketë, por me një theks të tillë të shqipes që la të kuptohej se po thuhej nga dikush që nuk e ka gjuhë amtare.

– Mirëdita, – ia ktheu ky, me një serbishte të rrjedhshme.

– Mirëdita shefe!  – ia tërhoqi tani vërejtjen, por duke e përcjellë këtë qortim të tij edhe me të sharën e zakonshme “pizda ti materina”.

– Mirëdita shefe,  – përmirësoi veten e tij, duke e shprehur dëgjueshmërinë edhe përmes gjesteve, për t’u sqaruar më pas.

– E bëra qëllimisht shefe. Ha, ha, ha! Më pëlqen, kur më shan. Disi, në atë sharje, “pizda ti materina” ka shumë rimë dhe sikur është e shëndetshme edhe për veshët e mi!

Qeshën që të dy.

Pasi u mor porosia edhe për një kafe, por tani shoqëruar edhe me dy gota raki ftoi, që erdhën porosi nga goja e shefit, nisi biseda e zakonshme…

– “Crni”, hajde të kalojmë tani në punë, ka kohë për llafe, – tha tani njeriu që as brenda nuk e kishte hequr kasketën nga koka.

Ai nuk foli, por veç pohoi me kokë, duke rrotulluar sytë në tërë sallën e lokalit, sikur të sigurohej  mos po i dëgjonte kush.

– Do të merresh sërish me një rast të njohur për ty,  – foli shefi, tani serioz.

– Jam i gatshëm, – ia ktheu ai, po me të njëjtën seriozitet.

– Bëhet fjalë për profesor Ukën, – i buzëqeshi fytyra teksa e shqiptoi këtë emër.

Sikur të kishte diçka personale me të, sepse menjëherë u çel në fytyrë. Po i vinte mirë që do të duhej të merreshin me këtë rast. Duke ia përmendur sërish emrin subjektit të dosjes, e lëshoi një ”auuu…” siç bëjnë ujqit,  për t’u zgërdhirë më pas, të cilën e ndali, veçse, kur e afroi filxhanin te goja.

– Kockë e fortë ky njeri, veç me e eliminuar krejt, mendoj unë! – e ofroi këtë zgjidhje, me grimasë të habisë në fytyrë, por edhe me drojën për reagimin e shefit.

Ia kishte bërë të qartë se ai nuk ishte për të menduar, por për të zbatuar urdhrat e eprorëve, pa parashtruar pyetje, andaj edhe ishte kjo drojë, pas propozimi të momentit që nuk e di si i erdhi dhe e bëri.

– Mos e luaj të mençurin, – reagoi shkurt shefi, për të vazhduar me sqarimin.

– Në të vërtetë, duhet të merresh me dikë tjetër, – i tha dhe ia lëshoi përpara skedën me dosje.

E mori në duar dhe si një i paduruar e hapi me nxitim. Fotografia që pa, qysh në fletën e parë, e hutoi pa masë, pasi që derisa po priste dosjen e profesorit  i cili u përmend, i doli një fotografi tjetër, për më tepër e një femre!

– Kush o kjo vajzë, sikur the se kemi të bëjmë me profesorin Ukë, – shtroi pyetjen akoma i habitur.

– Është vajza e tij, – i erdhi përgjigjja blic.

– Edhe kjo kudër, kundër shtetit a?! – shfryu mllefin që i erdhi në çast.

– Mos u lodh me gjëra që nuk të duhen, – foli shefi, por tani duke ofruar të dhëna më të plota për detyrën.

– Përmes saj, ata lart mbi ne, duan ta godasin profesorin. Na nevojitet i thyer, i shkatërruar moralisht e shpirtërisht dhe ku ka më mirë se ta godasim aty ku i dhemb më së shumti. Në vajzën e tij të vetme…

Operativët tanë kanë punuar me muaj, duke bërë një punë të mirë. Të gjitha të dhënat i ke aty. Shih sidomos pjesën e lëvizjes së saj. Janë të sakta oraret.

– Cila është detyra konkrete, – pyeti “Crni”, duke treguar kështu një përkushtim qysh tani për këtë detyrë.

– Krejt çfarë duhesh të bësh është një çnderim. Përcilli udhëzimet, i ke në faqen e fundit. Pra,  kur të jepet mundësia, ndale grushtoje, dhunoje, abuzo seksualisht me të dhe fotografoje, pa të parë kush. E kreve këtë, e nxore biletën për Beograd. E kemi edhe njeriun që do ta fajësojmë. Djali i një nacionalisti.

Tani “Crni” nxori nga skeda  një fotografi që u pa se donte ta analizonte pak më tepër dhe këtu shefi po i ndihmonte duke ia përsëritur disa të dhëna nga dosja.

– Është gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Eh, po mish taze djalosh. Edhe mua goja lëng më shkon veç kur flas me ty. Je me fat, që të është caktuar kjo detyrë. Sa do të doja të më ishte caktuar mua, por dikush ka më tepër fat, – e trimëronte shefi.

– Qenka pëllumbeshë…! Shihja gjoksin, si të ishte një grua që sapo ka lindur dhe tani i ka të fryra, të mbushura përplot qumësht,  – belbëzoi “Crni” duke i lëpirë buzët.

Duke e çuar “eks” pjesën e mbetur të rakisë në gotë, nga djegësira që i preku fytin, shefi shkundi buzët sikur hingëllin kali dhe duke ia bërë me kokë, kërkoi nga “Crni” ta fuste fotografinë në skedë dhe ta përfundonin këtu takimin. Sepse, për çfarëdo gjëje që do t’i interesonte, e kishte brenda në dosje.

– Paguaj dhe ikëm, – i tha shefi që veç ishte ngritur në këmbë.

E kishte zakon të dilte para tij përherë. Dhe, derisa ky e paguante faturën, ai veç tretej mes njerëzve diku rrugëve të qytetit. Nga kjo ngazëllehej “Crni”, i cili ëndërronte që një ditë edhe ky t’i kishte aftësitë e tija që do ta dallonin.

– Pagoi faturën dhe pasi futi dosjen mes gazetës, doli nga lokali për t’u përzier edhe ky me turmën, por me veshët si antenë, mos me pahir, do të mund të kapte ndonjë fjalë diku, që mund t’i hynte në punë profesionit të tij…

***

Kishte zgjedhur kohën pas akshamit. Terri ishte bashkëpunëtori më i mirë i tij. Në shtrat kishte shpërndarë, një për një, fletët e dosjes, të cilave ua lëshonte edhe njëherë sytë derisa vishej e bëhej gati. Me këmishën e bardhë vendosi ta vërë, të preferuarën, kravatën dy ngjyrëshe, që ndonëse ishin proporcionale megjithatë dukej sikur e kaltra po e mbizotëronte paksa, të kuqen.

Në pasqyrën që ishte në komodinën e paradhomës, ia lëshoi edhe njëherë vetes sytë dhe as kësaj here nuk doli jashtë pa e i bërë komplimente vetes së tij.

– Hajde dhëndër hajde. Je yll pesë-rremësh – tha zëshëm dhe si të kishte prirje homo, ia dërgoi njeriut në pasqyrë, një të puthur, duke i mbledhur e ndrydhur buzët e tija. Priti pakëz, derisa narcisisti brenda pasqyrës ta përjetonte kënaqësinë e të puthurës, dhe vetëm kur u bind për këtë, doli jashtë.

U nis drejt vendit ku do ta gjente subjektin. Do ta përcillte deri te rruga e përshtatshme për shumëçka dhe aty do të hidhej në aksion. Në këtë do t’i ndihmonte terri, mungesa e dukshme e ndriçimit publik në atë pjesë, por edhe fakti që ishte lagje më pak e banuar, kryesisht me romë dhe shumë pak apo fare e qarkulluese nga veturat, pasi rruga kryesore ishte larg dhe rrugicat në këtë pjesë ishin ca të ngushta.

Sytë i xixëlluan kur pa teksa vajza e profesorit po i zbriste shkallët, me një ritëm të tillë që për sfond kishte kulturën. Vajza e profesorit Ukë ishte një fëmijë, me trupin fidan. Fytyra e saj përplot rreze, i shtonte edhe disa gradë motit të ditës së sotme. Në dorë mbante një çantë të vogël, që për shkak të formës por edhe për kursin për ku ishte nisur, mund të supozohej lehtë se brenda saj ndodhej instrumenti i flautit.

Hapat e saj të lehtë i ngjasonin fluturimit të një fluture nga një lule në tjetrën. Pas i vinin hapat e rëndë, të etur për karrierë, famë e para. Secili kalimtar ndiqte trajektoren e tij. Vetëm një trajektore ndiqej nga dy palë këmbë, nga hapat e lehtë që hapëronin të virgjëra dhe nga hapat e rëndë që ndiheshin të eksituar.

Në njërën mendje, mbi të bardhën vizatohej pentagrami dhe luheshin notat e flautit, në tjetrën mendje, atë të zezën, inskenohej krimi dhe klithmat.

Me daljen nga rruga kryesore edhe kalimtarët zunë të pakësoheshin e edhe terri pushtonte ngadalë hapësirën duke dominuar mbi ndriçimin që sa vinte e zbehej.

Vajza me trupin fidan, për një moment, trupoi rrugën nga e majta në të djathtë, duke paralajmëruar se po shkonte drejt një kthese. Lëvizja e tillë nuk ishte paraparë të ndodhte sipas të dhënave në dosje, që e posedonte “Crni”. Kjo për të qe e papritur, sa që u hutua ca, sa edhe e ngadalësoi hapin. Nga habia e kafshoi deri në thyerje rrëmojësen që po e thithte deri në ato momente, duke e rrotulluar nga njëra anë, në tjetrën anë të gojës. Pasi e pështyu atë copë të imtë druri, fërkoi duart duke e shpërfaqur një gëzim që i shpërtheu në moment e që ia pushtoi fytyrën.

– Po lopa që qenka, – i doli fjala me ton të ultë.

– Kësaj i  thonë “si cjapi, te kasapi”, – vazhdoi fjalët mes dhëmbëve, duke e shoqëruar edhe me një sharje të pistë.

Këto fjalë i erdhën për faktin se kishte njohuri se pikërisht kthesa kah ia kishte mësyrë tani vajza e profesorit, ishte një rrugë qorre, që edhe po ta kërkonte ndonjë regjisor, enkas për një skenë që planifikohej të luhej pas pak, nuk do të mund të gjente vend më të përshtatshëm.

Dhe, kur vajza mori kthesën, “Crni” filloi ta shpejtojë hapin, gati në vrapim. Ishte koha t’i afrohej aq sa mundte ta kapte befasisht.

Dhe, befasia nuk mungoi kur edhe këmbët e tija që tani më kishin ritmin e vrapit, u futën në rrugën qorre. Por, ato dalëngadalë filluan ta humbin shpejtësinë deri në ndalje të plotë.

Vajza e profesorit  po qëndronte me tre djelmosha të rinj, që ndonëse kishin gjatësi mesatare për moshën që kishin, “Crni-t” iu duken si lisa të gjatë. Njëri nga ta mori vajzën dhe u futën në hyrje të një ndërtese, derisa dy të tjerë u nisën në drejtim të “Crni-t”.

Tani këmbët e tij filluan ngadalë të lëvizin mbrapsht. Por vetëm për pak hapa, sepse veshët e tij, që i kishte ushtruar bukur mirë, kapën sinjalin që tani edhe prapa tij mbinë lisa të tjerë.

Ktheu kokën ngadalë dhe pa edhe dy të tjerë, njëri nga të cilët lëvizi para duke iu afruar fare afër. Një revole e zezë në dorën e tij ia zbehu fytyrën që e kishte po me atë ngjyrë revoleje deri në atë çast.

E dëgjoi se si iu shqiptua qartë emri i tij i plotë. U habit edhe se si qe e mundur me një fjalë të vetme – “tradhtar” të përfshihet e tërë jeta e tij, dhe pas saj, veshët ia kapën edhe një verdikt, “…në emër të popullit…”, që ishte edhe gjëja e fundit që dëgjoi, para se kjo rrugë qorre të mbushej përplot sorra.

Kortezh sorrash kërkonin darkën e tyre në kontejnerët e hedhurinave që ishin në atë pjesë të qytetit. Mes rrugës po qëndronte një trup i shtrirë. Tani në kravatë, por edhe në këmishën e atij trupi, dukshëm po dominonte e kuqja.

Një sorrë ateroi mbi gjoksin e skuqur, e çokiti për pak, mu siç bënte pak më parë me ushqimin në kontejner dhe më pas lëshoi një zë çjerrës e të thellë, “krraaa”, që u përsërit pastaj edhe disa herë të tjera, më zëshëm, “krraakrraa-krraa”, krraakrraa-krraa”…!

Krrokamë e trishtueshme, megjithatë e pafuqishme, pasi kësaj here nuk mund të zëvendësonte asnjë orë, për të zgjuar, njeriun e shtrirë mes rrugës, që përfundimisht i kishte larë llogaritë e tija në këtë botë.