(Pjesë nga shkrimi me titull: “Shpella e Ali Babës” Arbën Xhaferi)
… Shqiptarët, të angazhuar në mbrojtjen e interesave jetike, as që vërejnë dhe as që kanë energji për t’i mbrojtur vlerat e tyre kulturore të trashëguara nga e kaluara. Ndërhyrjet maqedonase në thesaret kulturore shqiptare po bëhen gjithnjë e më të neveritshme. Ata çdo gjë e maqedonizojnë: personazhet historike, kishat, urat, kështjellat, hamamet, xhamitë etj. Çdo gjë që ka vlerë dhe që është krijuar gjatë historisë në këto hapësira e fiton predikatin maqedonas. Ata tashmë kanë hartuar strategjinë se si ta maqedonizojnë Nënë Terezën. Botuan libra ku ajo trajtohet si Majka Tereza-Skopjanka (Shkupjania) duke mos përmendur në asnjë rresht prejardhjen e saj shqiptare. Paraprakisht patën tentuar që ta shpallin si vllehe, por meqë vllehët janë në tërësi ortodokse hoqën dorë nga ky konvertim i paskrupullt. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se ata kanë hequr dorë nga maqedonizimi i saj. Tashmë i kanë ofruar qeverisë italiane dhe qytetit të Romës një projekt për ndërtimin në një shesh të një përmendoreje kushtuar “Majka Terezës-Makedonskës”. Natyrisht se emri i saj do të shkruhet me shkronja cirilike ashtu si në përmendoren miniaturale në Shkup. Diplomacia e tyre e instaluar në Vatikan punon sistematikisht që emrit të Nënë Terezës t’i shtohet epiteti “makedonska”. Ata nuk ngurojnë, as turpërohen, por në mënyrë të paskrupullt uzurpojnë vlerat e popujve të tjerë. Siç dihet, Selia e Shenjtë ka vendosur që më 19 tetor të vitit 2003 të shpallë zyrtarisht lumnimin (beatifikimin) e Nënë Terezës. Këtë vendim Selia e Shenjtë e ka shpallur paraprakisht më 20 dhjetor të vitit 2002. Në tekstin zyrtar të shpalljes shkruhet: “Motra (murgesha) maqedonase Tereza nga Kalkuta, Gonxha Bojaxhiu (1910-1997)”. Pra, derisa shqiptarët merren me vogëlsirat e tyre ditore, figurën më sublime të kombit shqiptar, dikush jo vetëm që e përvetëson, por edhe e përbalt dhe e blasfemon. Ky uzurpim nuk është vetëm një akt momental i agresionit ndaj nesh, por është një qasje sistematike armiqësore ndaj interesit shqiptar.
Hidhen argumente ditë e natë kundër pavarësisë së Kosovës, nëpërkëmben të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe tinëzisht vidhet historia dhe vlerat kombëtare. Me këtë qasje, me këtë plaçkitje të thesarit kulturor të popujve të tjerë, Maqedonia është shndërruar në shpellë të Ali Babës, ku fshihen plaçkat që janë grabitur nga të tjerët. Aty e keni Aleksandrin e Madh që ka marrë epitetin “makedonski”, duke aluduar se maqedonasit e sotëm kanë vazhdimësi të drejtpërdrejtë me të, aty gjendet Qirili dhe Metodi, Shën Klementi, Shën Naumi, bëhen përpjekje për të futur edhe Skendërbeun, Pjetër Bogdanin-macedonen, aty janë stivuar kishat e ndërtuara nga feudali shqiptar Progon Zguro, aty mbase do të përdhoset edhe figura e Nënë Terezës. Këtu nuk bëhet fjalë për joseriozitetin e një nomenklature politike apo kulturore, por për një devijim të përçudnuar, që në vazhdimësi do të prodhojë kriza. Ky devijim ka të bëjë me perceptimin e gabueshëm të historisë. Nga ky këndvështrim të gjitha ngjarjet e së kaluarës i takojnë Maqedonisë së sotme dhe rezultat janë trishtuese. Nënë Tereza, me origjinë të qindpërqindtë shqiptare, e lindur në vitin 1910 në Shkup, në kohën kur ,as që ka ekzistuar Maqedonia si shtet e as që ka pandehur dikush se do të ekzistojë një nocion i tillë, pa drojë, pa turp, pa skrupuj vandalizohet duke u maqedonizuar, ashtu si figurat e tjera të ndritshme historike. Ky mekanizëm që është aktivizuar me vetë themelimin e një shteti të këtillë, që identifikohet me emrin antik të Maqedonisë do të prodhojnë gjithmonë krizën. Presidenti i dikurshëm i Maqedonisë Gligorov, një rast pati thënë se edhe Maqedonia na qenkësh ndarë në tri pjesë. Në pyetjen e thjeshtë, elementare se cila Maqedoni është ndarë, përgjigja është po aq skavidhet edhe shpirti, dindaloze sa konstatimi: Maqedonia antike. Pra, në Maqedoni nuk uzurpohet vetëm territori shqiptar, të drejtat e shqiptarëve, pasuria e tyre, trashëgimia e lloj-llojshme historike, por me rastin e Nënë Terezës vidhet edhe shpirti, dinjiteti, shenja që e dërgoi vetë Zoti, për t’ia rrëfyer rrugën një populli të humbur në rrugëtimet historike. Si do të reagonte një popull i qytetëruar ndaj këtyre ndërhyrjeve? Me moderacion apo konstatim se bëhet fjalë për një agresion të hapur kundër interesave kombëtare. Bie fjala grekët nuk heqin dorë nga vlerësimi se themelimi i një shteti me emrin Maqedoni është kundër interesave të tyre nacionale dhe as në ëndërr nuk mendojnë të heqin dorë nga kontestimi i këtij emri.
Çka ndodh me shqiptarët? Atyre u merret e drejta për trashëgimi kulturore të periudhës antike, atyre u merret e drejta për trashëgimi mesjetare, atyre përfundimisht iu merret e drejta edhe për trashëgimi të periudhës otomane. Grekët kanë zaptuar antikën, sllavët periudhën mesjetare, ndërkaq turqit atë otomane. Kohët e fundit ambasada turke në Shkup bënte përpjekje që t’ua ndalojë pasardhësve të një feudali shqiptar për ta restauruar sarajin e tij duke thënë se ky objekt i takon kulturës turke. Me këtë qasje, popullit shqiptar nga e kaluara do t’i mbeten vetëm tëbanat, kasollet e staneve.
Popujt e civilizuar shumë larg e nuhasin rrezikun. Ne rrezikun nuk e kemi vetëm në oborr, por edhe në tru. Të tjerët na e vjedhin edhe shpirtin tonë. Në këtë rast, moderacioni është vetëm një medikament, një anestezik që na vë në gjumë. Qytetërimi fillon që nga ai moment, kur një popull di të mbrojë veten dhe trashëgiminë e vet kulturore.
* Fotografia e gjeneruar me ndihmën e intelegjencës artificiale përmes platformës Canva.