Sfida e rendit perëndimor në Ballkan

Albulena Halili

 

Në prag të mbajtjes së referendumit të serbëve të Bosnjës, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, dishepulli i Millosheviqit, Ivica Daçiq, paralajmëroi Bosnjën e Hercegovinën se Serbia do t’i mbrojë serbët e Bosnjës po qe se ata sulmohen ndonjëherë. Një deklaratë që të kujton doktrinën tradicionale ruse të proteksionizmit të sllavo-ortodoksëve në Perandorinë Otomane dje, e në Ballkanin Perëndimor sot.

Megjithëse Serbia dhe entitetet paraardhëse të saj, gjatë dy shekujve të kaluar, sidomos nga viti 1876 e deri në vitin 1999, ekskluzivisht kundër popullsisë shqiptare gjashtë herë kanë kryer gjenocid e spastrim etnik, asnjëherë si shtet nuk e ka pranuar peshën e fajit kolektiv dhe e as që ka dalë përpara organeve të drejtësisë ndërkombëtare për t’u gjykuar si doktrina zyrtare shtetërore e si faj kolektiv kombëtar.

Pas Luftës së Dytë Botërore, psiko-analisti i njohur Karl Jung, shkroi një ese mbi konceptin e fajit kolektiv gjerman si një dukuri psikologjike, duke theksuar se gjermanët ndjejnë faj kolektiv për krimet e bëra nga bashkëkombësit e tyre dhe kështu termi “faji kolektiv gjerman” u fut në diskursin intelektual gjerman. Edhe teologë e klerikë gjermanë patën pranuar bashkëfajësinë përmes Dekleratës së Shtutgartit mbi fajin. Një vit pas luftës, filozofi dhe psikologu Karl Jaspers ligjëratat të cilave ai u mbante studentëve i botoi nën titullin “Çështja e fajit gjerman”. Ky pranim i fajit kolektiv ndihmoi Gjermaninë të ngrihet nga gërmadhat e të bëhet sot njëra nga fuqitë botërore dhe aktorët kyçë të kontinentit evropian.

Për dallim nga Gjermania e pas-luftës, Serbia sot ka statusin kandidat për integrim në Bashkimin Evropian si dhe ka hapur negociatat për anëtarësim.

Gjatë gjithë diskursit medial pas-referendumian, vendor e ndërkombëtar, u tha që referendumi i mbajtur më 25 shtator në Republikën Serbe edhe përkundër refuzimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës, është në kundërshtim madje rrezikon skajshmërisht Marrëveshjen e Dejtonit, u theksua mbështetja e Rusisë si “aleate e shtetit të Republikës Serbe” siç qe shprehur Dodiq, dhe qe folur për zbehjen e ndikimit të SHBA-ve dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor.

U la qëllimshëm në harresë deklarata e lartpërmendur e ministrit serb të punëve të jashtme, e cila ndillte luftë, madje u shquan dy tendenca mjaft të theksuara.

Së pari, shteti serb u amnestua nga të qenurit i implikuar në motivimin, orientimin dhe dirigjimin e veprimeve secesioniste të serbëve.

Së dyti, u sajua një lloj pamjeje kinse ekziston një distancim dhe moskoordnim mes politikës zyrtare serbe dhe asaj ruse. E gjithë kjo e ilustruar bukur me ngjashmëritë (sic!) e politikës së kryeministrit Vuçiq me atë të Titos – ekuilibrimit mes Rusisë dhe Perëndimit.

Që të dyja këto tendenca kanë për qëllim ta paraqesin si të paqenë doktrinën tradicionale serbe të përshtrirjes territoriale, e cila në boshtin e saj ka synimin e krijimit të Serbisë së Madhe dhe dëshirën e saj të kamotshme për një port në Detin Adriatik.

Instrumenti kryesor për arritjen e këtij synimi janë serbët që jetojnë jashtë kufijve të Serbisë. Përmes tyre ajo pamundëson funksionimin normal të shteteve ku ata jetojnë, krijimin e entiteteve artificiale përmes enklavave të vendosura më herët gjatë historisë bazuar në fshatrat-kordone, për të parandaluar vazhdimësinë territoriale kompakte të popujve të tjerë. Kjo është karakteristike sidomos në trojet shqiptare.

Këtyre dy tendencave iu shtohet edhe një e tretë e që është e mbështjellë bukur mirë me petkun e politikës së fqinjësisë së mirë. Takimi i përbashkët i qeverive serbe e shqiptare është caktuar të mbahet më 14 tetor në Nish, gjatë javës së punës njëjavore të qeverisë serbe, jashtë rezidencës së saj të përhershme, Beogradit. Mediat serbe thonë që qeveria serbe gjatë javës 13-18 tetor punimet do t’i mbajë në kazermën “Knjaz Mihajlo”, ndërkaq netët do t’i kalojnë si edhe ushtarët e brigadës së tretë tokësore të ushtrisë serbe në kazermën “Mija Stanimiroviq” në Nish, brigadë e cila ka qenë drejtpërdrejt e përfshirë në operacionet gjenocidale kundër popullsisë shqiptare të Kosovës.

Takimi Rama-Vuçiq në rend dite do të ketë projektet infrastrukturore nga të cilat më e rëndësishmja është auto-rruga Nish-Durrës. Sigurisht që shqiptarët do të zhgënjehen kur ta kuptojnë që rruga kalon përmes hallkave Merdare-Prishtinë-Tiranë, apo atë që e njohim si rrugë e kombit.

Po ashtu pakkujt i ka shkuar ndërmend që 14 tetori, e caktuar si datë e takimit të dy qeverive, shënon dy vjetorin e ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri ku u dëshmua koncepti i fajit kolektiv serb dhe u demaskua botërisht urrejtja kolektive serbe për etnogjenezën shqiptare.

Takimi i iniciuar nga Beogradi është përfytyruar që të jetë, gjithnjë sipas tyre, jo vetëm dialog mes shteteve Shqipëri-Serbi, por dialog për raportet mes shqiptarëve e serbëve në rajon. Too good to be true – thonë anglezët. Tingëllon bukur po të mos i njihnim kaq mirë fqinjët tanë, sidomos ne të jashtëkufijve, edhe më mirë – bashkështetasit tanë të imponuar. Propozimi për dialog mes shqiptarëve dhe serbëve mund të joshë përfaqësuesit e shtetit shqiptar apo edhe shqiptarët në përgjithësi, por ajo është shëmbëlltyra e politikës jugosllave e viteve ’60 dhe ’70 apo krijimi i marrëdhënieve të mira me Shqipërinë, në këmbim të projekteve serbe për superioritet ekonomik mbi kurrizin e infrastrukturës rrugore e detare shqiptare. Pra, edhe një herë urë e Serbisë drejt Evropës politike bëhet kurrizi i shqiptarëve dhe kjo si duket pa asnjë kusht të vendosur nga qeveria shqiptare.

Qeveria e Tiranës duhet të reflektojë se përderisa shteti serb ka cenuar dhe po e çon drejt dështimit përmbushjen e marrëveshjeve ballkanike: Marrëveshjen e Dejtonit, Marrëveshjen e Rambujesë, e Marrëveshjen e Konçulit, të lidhura me ndërmjetësimin e SHBA-ve dhe BE-së, ky është tregues se Serbia në koordinim të plotë me Rusinë po investon në zbehjen dhe sfidimin e rendit ballkanik të vendosur nga Perëndimi.

S’do mend që ky dështim duhet t’i brengosë mu aktorët të cilët kanë garantuar dhe kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në përpjekjet për zgjidhjen e çështjes ballkanike. Tirana nuk duhet të bëhet pre e manipulimeve serbe, a aq më pak të bëhet pjesë e politikës së saj të përshtrirjes gjeografike në Ballkan. Duhet ta kuptojmë se strategjia tradicionale ruse, ashtu si gjetiu, po sistemohet në formën e neorealizmit mësymës, edhe në Ballkan.

Republika Serbe po shndërrohet në Krime ballkanike. Pafuqia e faktorëve ndërkombëtarë perëndimorë në parandalimin e mbajtjes së referendumit në Bosnjë parashikon hapjen e Kutisë së Pandorës në Ballkan.

Insistimi i krijimit të një strukture paralele të shtetit serb brenda Kosovës, përmes Asociacionit të Komunave serbe, është një ogur tjetër i zi për rajonin. Askush nuk e di saktë, se çka krejt mund të dalë nga kjo kuti, e cila me gjasë duhet ri-pagëzohet si Kutia e Ballkanit.

Në një kohë kur të dyja pjesët e rendit perëndimor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian përballen me sfida të brendshme që rrezikojnë thellësisht ndikimin e tyre të jashtëm, vakumi i dominimit shërben si rrethanë e favorshme për konflikte në hapësirat nevralgjike gjeografike siç është Ballkani. Kontestimi rendit perëndimor në kushtet e interregnumit global nga fuqitë e mëdha si Rusia e Kina shpërfaqet njëlloj edhe në gadishull, ku u bashkohet edhe Turqia, përmes strategjisë së saj neo-otomane. Kështu, autoritarët e mëdhenj ia mësyjnë Ballkanit duke sfiduar e zbehur tej mase rendin e deritashëm perëndimor që u synua të vendoset në Ballkan.

 


Adem Demaçi – hallkë lidhëse e brezave për liri

Adnan Asllani

Mëngjesin e datës 26 shkurt 1936, qytetarët e Kosovës mund ta kenë përjetuar si çdo ditë tjetër. Robëria nga pushtuesi mizor jugosllav, varfëria e skajshme, mungesa e arsimit dhe mohimi i të drejtave në të gjitha fushat kombëtare kishin pllakosur jetën e përditshme të shqiptarëve të Kosovës.

Atë ditë, në librin e lindjeve, do të shënohej emri i një njeriu, i cili, më vonë, mbi supet e veta do ta merrte një barrë, peshën e të cilës, askush nuk do të mund ta duronte.

E kuptueshme. Këtë nuk mund ta dinte askush. As babai – Zeqiri dhe as nëna – Nazifeja. Fëmija me emrin e shënuar në librin e zakonshëm zyrtar, Adem Demaçi, vite më vonë, me idealin, me punën dhe me veprimtarinë e tij, do të bëhej jo vetëm hallkë lidhëse e lëvizjes atdhetare shqiptare, por edhe shpresë lirie për shumë breza.

Po rritej e po shkollohej në kushte të vështira dhe shumë shpejt ai do të kërkonte përgjigjet për pyetjet që, asokohe, kishin guxim ti shtronin fare pak veta. Si fëmijë inteligjent e i guximshëm, ai nuk do të mund të kalonte heshtur pa u shtruar pyetje mësueseve të veta mbi gjendjen e mjerë të popullit që i përkiste. Ai ishte i veçantë nga të tjerët. Ishte këmbëngulës në atë që e kërkonte dhe për këtë motivohej gjithnjë e më shumë nga ato që shikonte me sytë e vet. Populli i Kosovës dhe i viseve tjera shqiptare që kishin ngelur padrejtësisht jashtë kufijve të shtetit kombëtar të shqiptarëve dhe ishin aneksuar fillimisht nga Serbia dhe Mali i zi, ashtu si gjatë kohës së pushtimit nga mbretëria jugosllave dhe pushtimit nazifashist, edhe nën Jugosllavinë e Titos, po bënte një jetë pothuaj të ngjashme. Jetë të padurueshme robi.

Adem Demaçi, në moshën e rinisë, shquhej për gjuhë të mprehtë e sidomos për guxim të jashtëzakonshëm. Ishte një zë i së vërtetës, zë i të shtypurve të pambrojtur. Nuk do të linte vend pa folur për të drejtat e shkelura të shqiptarëve dhe do të botonte shkrime të ndryshme letrare, në mesin e të cilave edhe romanin e famshëm «Gjarpinjtë e gjakut». Ky interesim dhe kjo veprimtari e bëri atë të admirohet nga shtresat e gjëra të qytetarëve, e sidomos nga intelektualët e vërtetë të asaj kohe. Kësisoj filloi lidhja e tij me një brez të ri të intelektualëve e atdhetarëve të vërtetë. Ishte kjo koha kur nuk ishte aq e lehtë të flasësh e as të shkruash dhe aq më pak të veprosh.

Është e sigurt se kjo veprimtari e Adem Demaçit nuk i pëlqeu pushtetit. Prandaj, ai pushtet edhe përdori masën e vetme që dinte – burgosjen, mjet që përdorej sidomos kur pakënaqësia kishte të bënte me shqiptarët. Duke burgosur Adem Demçin e ri, me këtë veprim, pushteti mendonte se, jo vetëm do t‘i jepte një leksion atij, por, bashkë me të, do t‘i burgoste edhe idetë e tij. Koha do ta dëshmojë të kundërtën e kësaj. Ai, Demaçi, vetëm sa u forcua dhe krijoi lidhje të reja në burg e jashtë tij me atdhetarë të vërtetë, përfaqësues të një brezi fillestar të kundërshtimit të pushtimit serb në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare që edhe pas Luftës së Dytë Botërore kishin ngelur nën Jugosllavinë.

Me të dalë nga burgu që kishte vuajtur herën e parë, Adem Demaçi i përvishet punës dhe, së bashku me shumë të reja e të rinj atdhetarë, intelektualë të guximshëm, si Fazli Grajçevcin, Ahmet Haxhiun, Ramadan Shalën, Zeqir Gërvallën, Drita Halimin, Rexhep Elmazin, etj., formojnë Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Ishte ky një vendim i guximshëm i tyre për të trasuar një rrugë të re të kundërshtimit të sistemit diktatorial e pushtues jugosllav dhe të bashkëpunëtorëve shqiptarë që ishin dalldisur në pushtetin e tyre si shërbëtorë të mjerë. Themelimi i LRBSH-së dhe aktiviteti i saj e tmerroi dhe e alarmoi pushtetin. Kjo dëshmonte se shqiptarët tashmë kishin arritur një nivel të ri të organizimit dhe se rezistenca do të ishte shumë e fortë. Prandaj, edhe përgjigja e pushtetit qe shumë e egër. U arrestuan, u torturuan dhe u dënuan shumica anëtarëve të organizatës. Nga dhuna sadiste e hetuesve të UDB-së do të pësojnë shumica e të burgosurve, ndërsa këto tortura çnjerëzore nuk do të mund t‘i mbijetojë mësuesi dhe poeti Fazli Grajçevci. Me këtë fushatë, regjimi mendoi se po e shuante përpjekjen e shqiptarëve për liri e bashkim. Në fakt, revolta sa vinte e po rritej. Demonstratat e vitit 1968, pak vite më vonë, dëshmuan pakënaqësinë e thellë dhe revoltën e popullit kundër robërisë dhe pushtuesit jugosllav.

Gjatë vuajtjes së dënimit në burgjet jugosllave, Adem Demaçi qëndroi burrërisht dhe i pathyer, prandaj, duke ia pasur frikën lirimit të tij dhe një organizimi dhe rezistence të re të popullit, regjimi, si mjeshtër i inskenimeve, vendosi ta burgosë për të tretën herë me një proces tërësisht të montuar politik dhe ta dënojë atë me dënim maksimal prej 15 vjetësh. Ishte ky fati tragjik i jetës së Adem Demaçit. Kësaj tragjike i shtohet edhe fakti se policët që e kishin arrestuar, hetuesit në zyrat e UDB-së, gardianët që e ruanin në burg, prokurorët, gjykatësit, avokatët (që zakonisht kundërshtoheshin nga të burgosurit), tani, kryesisht, ishin shqiptarë. Megjithatë, kjo nuk e ligështoi Adem Demaçin. Përkundrazi, gjatë tërë kohës së vuajtjes së dënimit ai do ta mbajë një qëndrim dinjitoz prej heroi dhe do të bëhet shembulli dhe mësuesi më i mirë për të gjithë shokët që kanë pasur rastin ta takojnë. Edhe pse në burg, me qëndrimin e tij të paluhatshëm, ai do të ndikojë shumë fuqishëm te masat e gjëra popullore te të cilat do ta fitojë dashurinë dhe një admirim të pashoq. Ai, pra, e kishte kthyer burgun në shkollë, ku edukoheshin gjeneratat e reja të rezistencës, të cilat, sapo dilnin nga burgjet, edhe më të vendosura, vazhdonin me organizimin politik, klandestin me qëllim që një ditë ta ngrisnin popullin në kryengritje të armatosur çlirimtare. Derisa ai ishte në burg, në vitin 1981, shpërthyen demonstratat e përgjithshme popullore në Kosovë. Edhe këtë herë regjimi u tregua shumë i ashpër ndaj rinisë, studentëve dhe popullit liridashës. Në rrethana të jashtëzakonshme, regjimi filloi një linçim publik kundër protagonistëve të idesë «Kosova Republikë» dhe mbushi burgjet me të rinj dhe të reja, të cilët i trajtoi në mënyrën më çnjerëzore dhe u shqiptoi dënime të gjata dhe të rënda që t’i vuanin. Adem Demaçi pati rastin që shumë nga këta protagonistë t’i takojë në burg. Shumë nga të burgosurit e asaj kohe ndjeheshin të privilegjuar që kishin pasur rastin të jenë në të njëjtin burg me bacën Adem, ashtu siç e kanë quajtur shokët e tij por edhe populli i Kosovës. Kështu ai po krijonte lidhjet me një brez të ri atdhetarësh, të cilët do të ishin vazhduesit më të denjë të rrugës së nesërme për liri.

Pas daljes së bacës Adem nga burgu, në vitin 1990, rrethanat politike kishin ndryshuar. Tashmë komunizmi po merrte fund në gjithë Evropën lindore dhe po instalohej sistemi i ri pluralist demokratik. Kjo situatë shihej si një rast vendimtar që edhe shqiptarët të bashkohen dhe të organizohen për të arritur lirinë e mohuar deri tani. Në këtë kohë edhe nacionalizmi e fashizmi serb arriti kulmin sa, me akte gjenocidare, filloi t‘i qërojë hesapet me të gjithë popujt e hapësirës jugosllave. Kjo kohë kërkonte sakrifica të reja e veprime krejtësisht të reja. Ndikimi i Adem Demaçit në organizimin politik ishte shumë i madh. Ishte një numër i madh i atdhetarëve që kishin një respekt maksimal për të dhe që fjala e tij ishte me shumë peshë tek ata. Ai do të mbajë kontakte edhe me organizatat legale por edhe me ato klandestine, sidomos me LPK-në, të cilat i udhëzonte për vazhdimin e veprimtarisë atdhetare drejt organizimit ushtarak. Si udhëheqës i Këshillit për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ) ai do ta krijojë një rrjet shumë të suksesshëm për informimin e opinionit botëror mbi shtypjen dhe mbi shkeljen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Meqenëse ishte në lidhje të përhershme dhe të forta me shokët dhe me veprimtarinë e tyre, edhe lindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) nuk e gjen atë në befasi dhe të pa informuar. Përkundrazi, duke qenë në të njëjtën vijë të veprimit, ai e merr rolin e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, detyrë të cilën, duke qëndruar me seli pikërisht në Prishtinë, ai e kreu me shumë efikasitet, ndonëse ishte me shumë rrezik një gjë e tillë. Edhe më 17 shkurt 2008, pavarësisht se nuk kishte ndonjë funksion publik, megjithatë ai ishte njëri nga më meritorët që Kosova të arrinte në ditën e shpalljes së Pavarësisë.

I theksova këto pjesë nga biografia e Adem Demaçit, jo se pretendoj ta përshkruaj biografinë e tij me kaq pak rreshta, por për ta theksuar një fakt të rëndësishëm se Adem Demaçi, që nga rinia e tij e hershme, kur filloi konfrontimin e parë me regjimin titist jugosllav e deri në shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës ka qenë hallka kryesore që ka lidhur brezat e ndryshëm për liri. Duke qenë një nga të veprimtarët më të vjetër dhe njëri nga ata që nuk u dorëzua kurrë, ai, në vazhdimësi, gëzonte admirimin dhe respektin e të gjitha brazave. Edhe sot kur i ka mbushur 80 vjet, baca Adem është figura më me ndikim në të gjitha shtresat e popullit shqiptar. Ndonëse me shëndet të dobësuar, ai dhe vepra e tij gëzon respektin maksimal.


Në Korçë të shkosh… Për “KoKo Festën” të shkosh…

Xhemazije Rizvani

Mbresë udhëtimi

Të shkosh patjetër! Për të parë se si një qytet të rrëmben dhe do atje shtëpi të kesh. Fillon dhe ëndërron në qytetin që vetë është një ëndërr, një mbetëreshë që dremit në sup të një mali.

“O Korçë e dashur , për ty këndoj unë serenatë…”, përherë e kemi kënduar edhe përpara se ta shohim, ia e kemi ndjerë në vargje magjinë, në poezi të poetit kur thotë: “nëse kitara s’ka lindur në Korçë, atëherë Korça nga kitara është.“ Korça e abetares së parë, e shkollës së parë, e serenatave, e romancave. Vetëm në Korçë ballkonet kanë kuptim, janë dëshmitare të shumë dashurive poshtë së cilave janë kënduar gjithë ato serenata dhe janë dridhur aq shumë zemra natën vonë. Korça e festivaleve, e karnevaleve, e gëzimit, haresë, kërnackave, birrës së vendit dhe rakisë së pjekur. Korça e Naum Veqilharxhit, Thimi Mitkos, e Çajupit, e Asdrenit… Korça e himnit kombëtar. Korça e Hafëz Aliut, Qiriazëve, e gjithë atyre këngëve që i ka bërë të mbajnë cilësorin e një vendi. Çfarëdo që të thuash për Korçën të duket pak. E kanë quajtur Paris të vogël, i kanë thurrur gjithë ato lavde e vjersha, e kanë lartësuar për besën dhe mikpritjen. Njeriu fisnik i këtyre anëve thotë se më së shumti në siklet është ndier, kur s’e ka pritur mikun siç ka dashur, por siç ka mundur. Nëse trupi shqiptar do të kishte një zemër, pa dyshim ajo Korça do të ishte. Korça të bën të ndihesh si në shtëpi. Sapo futesh në të gjen njerëz të ngrohtë, me shije të kultivuar që e kanë ruajtur po atë fisnikëri. Edhe kur flasin, korçarët këndojnë.

Në Korçë të shkosh patjetër, por të shkosh në kohën kur mbahet Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë “KoKo Fest” i lexon ata njerëz me entuziazëm. Ndiqe vitin tjetër këtë festival dhe ke për të parë etjen e njerëzve për kulturë. Në një teatër që është në rikonstruksion, që po të jesh nga fundi i sallës dhe përjashta bie shi të vështirësohet dëgjimi, po të jesh anësh merr të ftohtët dhe sëmuresh keq për sa kohë zgjat festivali. Jam e sigurt se në të gjitha qytetet tjera shqiptare në ato kushte jo vetëm që s’do të mbushej salla, por askush nuk do të rrezikonte të futej. Publiku korçar jo vetëm që e ndiqte përnatë këtë festival, po dhe futej gjysmë ore më herët për të siguruar një vend, sepse në kohën kur fillonte shfaqja, një pjesë e madhe ngelej në këmbë. Kurrë s’kisha parë dashuri të tillë për teatrin. Publik kritik që di kur qesh, e kur hesht, kujt i duartrokitet dhe kur duartrokitet. Publik i mençur që i respekton deri në fund artistët, u ngrihet në këmbë. KoKo Fest-i ishte nën udhëheqjen e drejtoreshës Zamira Kita, për të cilën gjithandej flitej për drejtimin e mirë të punëve në këtë institucion. Ndoshta pse është aktore edhe vetë dhe më mirë se ajo nuk e di ç’i duhet një teatri për të qenë teatër. I pranishëm në sallë ishte dhe zëvendëskryeministri Niko Pelleshi, ish-kryebashkiaku i Korçës të cilin drejtoresha e Teatrit të Shkodrës Rita Gjeka, e vuri para aktit të kryer ngaqë publikisht e denoncoi bisedën e mëhershme me të kur i kishte premtuar se do ta ndihmonin dhe Teatrin e Shkodrës për rikonstruksion. Ja, kështu bëhen këto punë. E para, zgjidhni një të profesionit për udhëheqje teatri dhe e dyta, le të jenë femra të zgjuara si Zamira dhe Rita që punojnë me përzemërsi pa nevojë përfitimesh materiale. Në natën e fundit të festivalit publiku dhe gjithë pjesëmarrësit e shfaqjeve garuese prisnin në ethe vendimin e jurisë, të përbërë nga emra të mëdhenj aktorësh si: Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Refet Abazi, Bujar Lako e Ema Andrea. Juria njëzëri vendosi që pothuajse të gjitha çmimet t’ia ndanin shfaqjes „Shërbetori i dy zotërinjve“ të Teatrit të Prizrenit, e cila u shpall edhe shfaqja më e mirë e festivalit. Po ashtu edhe regjisorit që e kishte vënë në skenë këtë vepër, Kushtrim Bekteshit nga Shkupi iu nda çmimi për regjinë më të mirë. Për aktorët e mrekullueshëm të kësaj shfaqjeje shkuan edhe katër çmime tjera, edhe atë për: Ernest Malazogun (aktori më i mirë në rolin kryesor), Xhejlane Tërbunjën (aktorja më e mirë në rolin kryesor), Muhamed Arifin (aktori më i mirë në rol dytësor) dhe Hajat Toçillën (artistja e re më e mirë). Dy çmime të tjera shkuan për aktorët Rita Gjeka (aktorja më e mirë në rol dytësor) dhe Nikolin Fërketa (për artistin e ri më të mirë), që të dy aktorë në shfaqjen “Danimarka – toka jonë” të teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Juria ndau edhe një çmim special për Niki Petritin, për kompozimin e kolonës zanore në shfaqjen “Doktor Shuster” të teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, shfaqje kjo e përgatitur nga regjisori nga Qëndrim Rijani nga Kërçova. Pra, gjithsejt nëntë shfaqje ishin në zemër të trupit shqiptar.

Pasi përfundojnë emocionet e përzgjedhjes mes gjithë asaj dyndjeje, takon njërëz nga krejt qytetet shqiptare dhe më pas vjen festa me miq, me kitarë, diku afër bulevardit “Republika”. Një rrëqethje, një ndjesi e rrallë. Ky ishte bashkimi, ajo ëndrra e kahmotshme shqiptare që ndodhte brenda një ëndrre me emrin Korçë. Mikel Bica një këngëtar korçar me dy të tjerë na shtruan pak serenata „nga shtëpia“ si mikëpritës që dinë të jenë, dhe natyrisht asnjë korçar nuk të lë të largohesh pa e dashur atë qytet magjik ku përherë lë diçka prej vetes, diçka të rëndësishme që do të të bëjë të kthehesh e ta kërkosh.

Kapaku i mbrëmjes ishte kur filluan këngët për Prishtinën që pak i njihnin andej, dhe ca këngë që ata i këndonin dhe që ne të këtej kufijve pak i njihnim. Zëri na shkonte për mrekulli bashkë, por çka të këndonim kur pak ishim dëgjuar, fare pak ishim njohur e shumë e kishim dashur bashkimin pa bërë gjë për të. Ajo tavolinë fliste shumë, një komedi e zezë po luhej jashtë garës së madhe të skenës. Por, sakaq, kitara i nxori ca tinguj qe paralajmëronin atë këngën që u këndua njëzëri “Dua më shumë Shqipërinë…”. Oh perëndi! Nuk e imagjinoni dot! Zërat vinin prej gjithandej, nga shkallët si në teatrot antikë, nga e majta – e djathta, lart- poshtë, një zë hyjnor shquhej në tymin e duhanit që ngjante me retë ballkanike, ishte zëri i Kelit. Ndryshe kishim dashururar gjithçka, ne vinim nga qytete pa serenata, po kur përmendet Shqipëria bëhemi një zë, një gojë, e duam siç dashurohet nga malli, siç nuk e kanë dashur ata që përherë e kanë pasur, që kurrë nuk iu ka munguar. Tashmë fjalët mjegullojnë në retë ballkanike, nuk mundem asgjë, s’mundem ta trupëzoj atë ndjesi të atyre netëve korçare. Vetëm u përpoqa më kot. Asaj mbrëmjeje isha lodhur duke pirë, dehja filloi që në momentin e krekosjes në kalimin kufitar Qafëthanë ku përherë tregoj vetëm kartën e identitetit dhe pëshpëris “Në djall kufijtë!”. Atje shemben ata. Shkoni në Korçë më mirë! Shkoni në shtator kur mbahet Koko Fest-i dhe keni për të parë për çfarë po ju flas.


Zbulimi i varrezave ilire, që do ta ndryshojë historinë

Shemsedin Ibrahimi

Arkeologët kroatë kanë bërë publike zbulimin, që sipas tyre, ndryshon kuptimin e historisë së përgjithshme botërore. Ata, në ishullin Korçul, në lokalitetin Kopil kanë zbuluar një nekropol ilir, në të cilën janë gjetur copëza qeramike, të cilat datojnë ndërmjet viteve 17.500 deri 15.000 para Krishtit. 

Përveç qeramikës, në këto varreza janë gjetur edhe armë prej hekuri dhe stoli prej bronzi, argjendi, qelqi dhe qelibari.

Varrezat e këtij lloji nuk kanë qenë të njohura, kurse sa i përket organizimit, dimensioneve dhe përmbajtjes paraqesin një gjetje të re në studimet historike të banorëve lokalë ilirë për kohën para Krishtit.

Arkeologu, Dinko Radiç, kryesues i ekspeditës arkeologjike, ka deklaruar se ndjehen të privilegjuar që në një vend të vetëm mund ta shfaqim tërë historinë njerëzore. Në ishullin Korçul janë zbuluar dëshmi të jetës së njerëzore, që nga epoka e gurit deri në epokën e bronztë.

“Mendohet se zbulimet në Kopil, do ta ndryshojnë mënyrën se si ne e shohim historinë në këto hapësira. Ilirët, shpesh i perceptojmë si margjinalë, veçanërisht në raport me kolonët grekë. Megjithatë, kërkimet tona kanë treguar se roli i ilirëve në këto hapësira ka qenë më i madh sesa është menduar dhe paraqitur deri tani”, thotë Radiç

Interesim për këto zbulime arkeologjike kanë treguar edhe arkeologë të njohur botërorë, prej të cilëve edhe profesori Preston Miracle nga Universiteti i Kembrixhit, i cili u është bashkangjitur arkeologëve kroatë në punën e tyre katërvjeçare.

Lidhur me këto zbulime arkeologjike, gazeta New York Times shkruan se “paraardhësit tanë i njohim për gjuajtjen e mamutëve, por zbulimet e fundit në ishullin Korçul, na dëshmojnë se njerëzit kanë ditur ta përpunojnë qeramikën që nga koha e akullit”.

Ishulli Korçul është vendbanimi i fiseve ilire ku më vonë janë vendosur edhe kolonët grekë, të pasuar në shekullin X, nga kolonët sllavë. Kjo dëshmohet edhe nga toponimet e tashme të vendbanimeve në këtë ishull siç është ai Lumbardh. Një mbishkrim i gjetur me emrin Lumbarda Psephisma, i cili ruhet në Muzeun Arkeologjik në Zagreb përmban detaje rreth themelimit të një kolonie të lashtë greke në ishullin Korçul. Teksti, ndër të tjera, siguron informacion mbi kolonët grekë të ardhur nga ishulli Issa, të vendosur aty në bazë të një marrëveshjeje paraprake midis tyre dhe përfaqësuesve të ilirëve lokalë.


Mësimi i atdhedashurisë për yllkat e fatosat

Ramize Ferati

 

Çdo mëngjes të secilës ditë pune, pesë minuta para fillimit të mësimit, nxënësit amerikanë ngihen në këmbë dhe të drejtuar nga flamuri me vija kuq e bardh e me yje në sipërfaqen e kaltër, bëjnë betimin e flamurit. Pastaj, me dorën e djathtë të vendosur mbi zemër, këndojnë me zë himnin kombëtar. Këtë gjë e bëjnë si yllkat, të cilat zor se i kuptojnë fjalët që i thonë, ashtu edhe fatosat, të cilët tanimë kanë filluar t’i shtjellojnë konceptet e para të mësimit të kësaj simbolike.

Kjo traditë mund të perceptohet si jo e zakonshme për kohën, e çuditshme, madje edhe e tepruar, por për amerikanët është gjëja më normale në botë. Një ritual i rëndësishëm, nëpërmjet të cilit çdo ditë demonstrohet respekti për simbolet e historinë kombëtare, si dhe dashuria ndaj atdheut.

Nëpërmjet portretizimit të personaliteteve të shquara dhe përshkrimit të ngjarjeve që kanë përcaktuar rrjedhën e historisë së vendit, në mënyrë teorike dhe brenda aktiviteteve të tjera shkollore, nxënësve u mësohen shtyllat e atdhetarizmit.

Duke mbajtur të gjallë historinë e vendit, duke ua ngulitur në mendje se të drejtat e njeriut janë të drejta natyrale dhe jo të drejta që atyre ua jep qeveria, duke ua shpjeguar atyre detyrat që qytetarët kanë ndaj atdheut, duke i mësuar se si të jenë qytetarë të devotshëm dhe rëndësinë e trashëgimit të kësaj ideje (patriotizmit kushtetues), në sistemin amerikan të arsimit janë inkorporuar strategji përkatëse për t’u siguruar se fëmijët i kanë përvetësuar njohuritë mbi vlerat dhe virtytet që i karakterizojnë ata si qytetarë patriotë.

Mësimi mbi historinë e qytetërimit amerikan, por edhe simbolikën dhe kuptimin e saj, shtrihet edhe në lëndët e tjera, qoftë në lëndët hibride, ku përfshihen, për shembull, historia, gjeografia dhe edukata qytetare, por edhe në lëndën e artit figurativ, muzikës dhe aktiviteteve sportive. Vetëm sa për ta ilustruar: të alarmuar nga anketat, sipas të cilave, megjithatë, shumë amerikanë nuk e dinë tekstin e himnit kombëtar, Asociacioni Kombëtar Amerikan i Edukimit Muzikor para disa vitesh kishte rikthyer “Projektin e himnit kombëtar”, me qëllim që  të nxisë vetëdijen për nevojën e edukimit muzikor në shkolla dhe rolin e tij në të mësuarit e himnit kombëtar dhe të këngëve të tjera patriotike.

E gjithë kjo ndodh duke u nisur nga mendimi se fëmija nuk lind i shkëputur nga historia, por lind në histori. Se njeriu, ndonëse në momentin e lindjes nuk ka kujtime për të kaluarën e tij, gjendet midis një tregimi të filluar para se ai të vinte në jetë dhe para se të bëhej një nga personazhet e atij tregimi.

Me gjithë faktin se sistemi arsimor amerikan nuk është i centralizuar, se edhe vetë shtetet federale kanë autonomi arsimore, shumë shkolla kanë inkorporuar këto rituale të cilat është dëshmuar që janë frymëzuese për të qenë qytetarë të lirë dhe qytetarë atdhedashës. Ato janë përqafuar edhe më fort nga emigrantët me prejardhje nga vende ku janë shkelur në mënyrë të vazhdueshme të drejtat dhe liritë e njeriut.

Duke ua mësuar fëmijëve historinë dhe sakrificat e mëdha që individët, apo grupet e individëve, kanë bërë për të fituar dhe mbrojtur lirinë e tyre, ngrihet vetëdija se vlerat dhe liritë që fëmijët i gëzojnë sot, nuk janë arritur rastësisht dhe pikërisht mësimi për domethënien e këtyre simboleve kontribon në kuptimin e idesë së të qenit i lirë. Në qoftë se fëmijët mësojnë ta duan dhe ta çmojnë atdheun e tyre nëpërmjet aktiviteteve për vetëdijësim, ata do të jenë më të prirë të bëhen qytetarë të përgjegjshëm, qytetarë aktivë në bashkësinë e tyre, në shtetin e tyre dhe në botë. Për më tepër, mësimi i atdhedashurisë është çështje kolektive, sado jetik të jetë vetëdijesimi individual për të.

Bashkëshortja e zëvendëspresidentit amerikan Dick Cheney, Lynne V. Cheney, në një raport të publikuar gjatë kohës që kishte shërbyer si udhëheqëse e Fondacionit Kombëtar për Studime Humane, kishte paralajmëruar për pasojat e mosbartjes në shkolla të njohurive për të kaluarën, duke theksuar se: “Një sistem arsimor, i cili dështon në mëkimin e kujtesës për të kaluarën, u mohon nxënësve të tij gjëra thelbësore: kënaqësinë e një mendimi të pjekur, lidhjen me brengat e vazhdueshme, këndvështrimin mbi ekzistencën njerëzore.” Të qenit qytetar patriot sipas këtij botëkuptimi nuk e nënkupton në asnjë mënyrë lartësimin e vetes mbi të tjerët, siç keqkuptohet dhe keqinterpretohet kjo (jo rrallë qëllimshëm) sidomos në vendet ku kujtimi për luftën është akoma shumë i freskët.

Në hapësirën ballkanike, të banuar me kombe e popuj të ndryshëm, të cilat kanë një histori të mundimshme për shkak të luftërave të vazhdueshme midis tyre, është pothuajse e pamundur të tematizohet çështja e atdhedashurisë, pa u interpretuar me automatizëm dhe në mënyrë të gabueshme si nacionalizëm ekskluziv.

Në Kosovë kjo temë bëhet edhe më e ndërlikuar për arsye të polarizimeve që janë shfaqur në shoqëri pas pavarësisë dhe që pa mëdyshje ndikojnë në opinionin publik lidhur me relacionin komb-shtet, gjë që pa pasur fare nevojë, por qëllimshëm është duke u imponuar si krizë e identitetit kombëtar.

Shikuar përtej simbolikës, si u duhet mësuar, pra, fëmijëve historia dhe dashuria ndaj atdheut – për shembull në Kosovë – kur gjysma e fëmijëve të këtij vendi e ka përjetuar vetë luftën e popullit për të qenë i lirë? Thjesht duke ua treguar të vërtetën. Pa zbukurime. Pa zmadhime. Pa demonizime. Të vërtetën lakuriqe. Të vërtetën, mohimi i së cilës do të na ndiqte si mallkim! Në vazhdim vetëm disa ide:

Fëmijëve u duhet mësuar historia jo vetëm si lëndë mësimore me orientim nga kompetencat e arritura, por duke iu ofruar nxënësve hapësirë për të nxitur dhe formuar mendimin kritik. Duke marrë parasysh faktin se mësimi i historisë mundëson, ndër të tjera, edhe shqyrtimin e ambivalencave të vendimeve politike, efekti i të cilave në të ardhmen është vështirë i parashikueshëm, kjo del të jetë shumë e rëndësishme në kohëra krizash të mëdha politike.

Fëmijëve u duhet mësuar se historia nuk rishkruhet sipas nevojave politike të kohës dhe është detyrë e historianëve që të kujdesen që shënimet mbi të vërtetat e tanishme (historisë të së ardhmes) të mbahen mbi bazën e fakteve, në mënyrë që tregimet për të kaluarën të mos mbesin gojëdhëna, ose në rastin më të keq të shndërrohen në mite. Fundja ne mjaft jemi ankuar se historinë na e kanë shkruar të tjerët, apo se për zhvillime të caktuara në të kaluarën mungojnë të dhënat e shkruara.

Duhet mësuar fëmijët të bëhen qytetarë të përgjegjshëm dhe të devotshëm, duke ua demonstruar me vepra dhe jo vetëm duke ua shpjeguar me fjalë se duhet treguar respekt dhe mirënjohje për njerëzit e shquar të shoqërisë, të cilët kanë kontribuar në lirinë dhe të drejtat që i gëzojmë ne sot.

Fëmijëve u duhet demonstruar me vepra se vota në një demokraci është e lirë dhe e drejtë legjitime që duhet shfrytëzuar, ashtu sikurse është legjitim kërkimi i llogarisë nga përfaqësuesit e zgjedhur, në mënyrë që të funksionojë demokracia dhe shteti i së drejtës.

Fëmijëve u duhet demonstruar me vepra që ligjet dhe rregullat e vendosura nga qytetarët që ne i kemi zgjedhur për të na udhëhequr duhen respektuar.

Fëmijët duhet mësuar se mund të mos pajtohen me qëndrimet apo veprimet e udhëheqësve të zgjedhur të institucioneve, por që institucioni duhet respektuar, sepse gjenerata të tëra para nesh ia kanë dedikuar gjithë veprimtarinë e tyre jetësore, madje edhe vetë jetën, ngritjes së atyre institucioneve.

Fëmijët duhet mësuar që në kuadër të një vizite në komunë, të mos kënaqen vetëm me faktin që e kanë parë zyrën e kryetarit, por edhe të kërkojnë përgjegjësi nga ai nëse rruga që ata përshkojnë për të shkuar në shkollë nuk ka shteg për këmbësorë dhe nuk ofron sigurinë e domosdoshme për fëmijë.

Duke u shkëputur nga mendimi individual dhe duke nxitur ndjenjën kolektive, fëmijëve u duhet demonstruar se të bëhesh qytetar i përgjegjshëm do të thotë që, së bashku me pjesëtarët e tjerë të shoqërisë, të kontribosh, për shembull, në ndërtimin e pullazit të një shkolle publike, pasi shkolla si godinë mund të jetë në pronësi ligjore të Komunës, por si institucion i shërben qytetarëve të saj.

Duhet t’i mësojmë fëmijët se trashëgiminë kulturore të një populli nuk e përbëjnë ekskluzivisht monumentet fetare; se traditat dhe zakonet popullore, edhe pse në kohëra të caktuara duken të dala mode, kanë një domethënie dhe duhen kultivuar, për arsye se janë dëshmi e zhvillimit tonë qytetar.

Atyre duhet t’u sqarohet hapur se pse Kosova, për shembull, ka një flamur shtetëror të ndryshëm me atë kombëtar. U duhet shpjeguar pse flamujt, pavarësisht të cilit komb janë, nuk shqyhen, nuk përdhosen.

Fëmijët duhet mësuar se gjithashtu atdhedashuri do të thotë që për detyrat, zgjidhja e të cilave i kapërcen mundësitë tona, duhet kërkuar mbështetje, pa u hamendur në mënyrë kryeneçe se u duhet vënë kapak vetëm sa për të qenë.

Kur të kemi kuptuar konceptin e kohës, do të jemi vetëdijesuar se e tashmja jonë është rezultat i bëmave tona në të kaluarën. Koha, popullit të Kosovës i ka përcaktuar fatin që përpjekjet shekullore për liri (tregim i filluar shumë më përpara) t’i kurorëzojë me shpalljen e pavarësisë dhe vënien e themeleve të shtetit. Të rinjtë shqiptarë e kanë këtë potencial dhe për këtë nuk duhet të ketë dyshime. Në vend të kësaj, me vigjilencë dhe me fuqi intelektuale, duke ndjekur politika kohezive, ata duhet udhëhequr dhe shoqëruar drejt arritjes së aspiratave shtetërore.

Përcaktimi i kahes politike është shumë më e lehtë, krahasuar me rrugën që dëshirojmë të ndjekim si shoqëri përparimtare. Nuk duhet lejuar që fëmijët të krijojnë përshtypjen e gabueshme se hapja ndaj botës, pjesëmarrja në ekonominë globale dhe integrimi në strukturat euro-atlantike nënkuptojnë shkrirjen e identitetit kombëtar a kulturor.

Përkundrazi, vlerat gjuhësore, kulturore dhe sociale për një shoqëri moderne janë të paktën njëjtë të rëndësishme sa vlerat e përgjithshme ekonomike, demokratike dhe ligjore, të cilat janë shtuar si detyra për t’i integruar në sistemin e vlerave të përgjithshme. Mirëpo, nuk duhet harruar se ato, sikurse edhe liria e arritur nëpërmjet sakrificave të mëdha, nuk janë të garantuara përjetësisht. Ato vlera duhet promovuar dhe përsosur në vazhdimësi, duhen ruajtur dhe duhen mbrojtur për të mos rënë në grackën e vetëmohimit dhe për mos lejuar që historia e dhimbshme të përsëritet.

Fëmijëve, në radhë të parë, u duhet mësuar respekti për veten dhe kultura për punë të vazhdueshme për Shtetin, duke e rikujtuar parimin që e ka vënë Herderi duke thënë me të drejtë: „Ta ndjekim rrugën tonë… Le të flasin njerëzit mirë apo keq për kombin tonë, për letërsinë tonë, për gjuhën tonë: ato janë tonat, janë vetja jonë, e kjo është e gjitha”.

 


Analfabetizmi - plagoma që duhet shëruar

Ramize Ferati 

“Fëmijët bëhen lexues në prehrin e prindërve të tyre.”

Emilie Buchwald

Arsimi është thelbi i zhvillimit të gjithëmbarshëm të çdo shoqërie. Ky konstatim është arritur që kur ka zënë fill zhvillimi njerëzor. Për këtë fakt janë shkruar libra të panumërt dhe janë bërë hulumtime shkencore.

Përkundër asaj që sot edukimi dhe arsimi janë të garantuara me konventa, si e drejtë themelore njerëzore, megjithatë ata ende përbëjnë një sfidë të madhe në shumë shoqëri moderne anembanë botës.

Përderisa shumica e kontinentit evropian, të cilit i takojmë gjeografikisht, ia ka dalë të konsolidojë arritjet e saj në arsim, shkencë e teknologji, shteti më i ri i tij - Kosova, përveç që nuk ka bërë përparime për t‘u veçuar, fatkeqësisht akoma përballet me një fenomen, nën presionin e të cilit rënkon shoqëria e saj - analfabetizmin.

Numri i analfabetëve në Kosovë ka arritur kulmin. Shkalla në të cilën gjendet vendi ynë në këtë aspekt, në shekullin XXI është e patolerueshme, në mos fatale për një shtet të ri me aspirata të mëdha të zhvillimit. Statistikat nga institucionet gjegjëse - nëse nuk merret parasysh kategoria e analfabetizmit si pasojë e deficiteve psikike, në të cilat individi ka vetëm ndikim të kufizuar – flasin për një gjendje tejet të rëndë në të cilën është zhytur shoqëria jonë. Gjendja mund të duket akoma më keq, nëse këtu i përfshijmë edhe analfabetët funksionalë. Nëse shkalla e personave që nuk dinë shkrim a lexim në Kosovë, sipas statistikave nuk është rritur, nga ana tjetër ajo nuk ka shënuar as rënie në shtatëmbëdhjetë vitet e fundit, që nga përfundimi i luftës. Bazuar në të dhënat e institucioneve përkatëse, niveli i analfabetizmit të përgjithshëm në Kosovë është më i larti në Evropë. Përderisa me dukurinë, përveç Agjencisë së Statistikave, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, apo ndonjë organizate të caktuar, janë marrë edhe mediet, problemi në pjesën më të madhe të kohës është trajtuar vetëm në aspektin komunikues.

Shkaqet e kësaj gjendjeje dëshpëruese janë identifikuar, por iniciativat e pakta për përmirësimin e gjendjes nuk janë treguar të jenë të suksesshme.

Çka është analfabetizimi dhe si dallohen llojet e tij?

Si analfabetizëm definohen deficitet individuale, kushtimisht kulturore, arsimore, apo psikike në lexim dhe shkrim, apo edhe paaftësia e plotë në këto disiplina. Një njeri është analfabet, në qoftë se nuk di, sepse nuk e ka mësuar kurrë shkrim-leximin.

Për analfabetizëm sekondar flitet në rastet, kur aftësitë e shkrim-leximit kanë humbur, gjegjësisht shkrim-leximi është harruar si pasojë e mospraktikimit.

Si semi-analfabetizëm përshkruhet gjendja, kur një individ di të lexojë, por jo edhe të shkruajë.

Të qenit injorant ose i padijshëm në një fushë të veçantë, njihet si analfabetizëm funksional.  Analfabetët funksionalë janë individët, të cilët janë në gjendje të lexojnë dhe shkruajnë fjalë të vetme apo edhe fjali të thjeshta, por nuk janë në gjendje të kuptojnë atë që kanë lexuar. Ata nuk kanë aftësi t’i kuptojnë gabimet e tyre intelektuale, apo nuk janë të vetëdijshëm për kufijtë e njohurive të tyre. Ky i fundit është në kontrast me analfabetizmin në kuptimin e ngushtë të fjalës, por është derivat i tij.

Problemin duhet shikuar nga rrënjët

Nëse i hedhim një shikim historisë së popullit shqiptar, padyshim duhet konstatuar se që kur është shkruar “Formula e Pagëzimit” e deri te mbajtja e Kongresit të Manastirit apo shpallja e pavarësisë së Kosovës, rruga drejt lirisë ka qenë drejtpërsëdrejti e ndërlidhur me përpjekjet shekullore për ta realizuar të drejtën e tij për të mësuar shkrim-lexim e për t’u shkolluar në shkolla shqipe. Për shkak të pushtimeve të ndryshme, shqiptarët në vazhdimësi kanë luftuar për mbijetesën e tyre dhe kanë përjetuar një diskriminim etnik, kulturor e socio-ekonomik, gjë që ka lënë pasoja të rënda në zhvillimin shoqëror.

Faktorët demografikë, cilësia e dobët e arsimit në shkolla, sidomos në viset rurale, të prapambetura, ku shkrim-leximi fatkeqësisht ende nuk ka zënë rrënjë, në përditshmëri braktisja e shkollimit, janë po ashtu faktorë të tjerë me ndikim.

Këto fakte megjithatë nuk mund të merren si pretekst për të ngelur në vendnumërim. Anyone should attempt your current joy pokies online. Në rastin e Kosovës, vetëm që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 institucionet gjegjëse kanë hartuar një sërë strategjish e planesh për përparime në fushën e arsimit, shumica e objektivave të të cilave kanë mbetur pa u realizuar. Kjo është konfirmuar në raporte të ndryshme të hartuara nga vetë këto institucione. Përderisa fajin për mosrealizimin e atyre objektivave institucionet e bartin tek njëra-tjetra, mbetet i pakuptueshëm fakti, sa pak rëndësi i kushtohet zgjidhjes me seriozitet të problemit në mënyrë shumë praktike, duke i përfshirë të gjithë aktorët, nisur nga institucionet qendrore e deri tek prindërit, apo anasjelltas.

Cilat janë pasojat?

Nga studimet relevante pasojat e analfabetizmit ndahen në dy kategori:

Pasojat individuale, të cilat janë të ndërlidhura me kufizimin e marrjes së informacionit thelbësor, rritjen e shkallës së papunësisë në raport më ata që kanë shkollim, të ardhurat më të ulëta dhe si pasojë, pasigurinë financiare. Individët analfabetë janë shumë lehtë të ekspozuar ndaj fenomeneve negative dhe fakti ndoshta më i dhimbshëm është bartja e analfabetizmit tek gjeneratat e reja.

Si pasoja shoqërore konsiderohen faktet, sipas të cilave shtetet që kanë shkallë të lartë të analfabetizmit janë shumë pak konkurruese në ekonominë e re globale. Shumë sektorë shtetërorë mbeten vakantë në mungesë të personelit adekuat dhe si pasojë e kësaj, sa më e lartë rritja e analfabetizmit aq më e ngadalshme është rritja e përgjithshme e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së).

Çfarë mund të bëjmë për të parandaluar këtë fenomen?

Zgjidhja më e mirë është të merremi me parandalimin e problemit. Promovimi dhe krijimi i një kulture për të lexuar që në moshë te re është arma më e fuqishme në luftën kundër analfabetizmit. Prandaj ne si pjesëtarë të shoqërisë, në mos për të çrrënjosur analfabetizmin, së paku për të parandaluar në mënyrë sistematike shtrirjen e tij, duhet të nisemi nga vetë ne, duke udhëhequr me shembull.

Problemi kyç në shoqërinë tonë në këtë rast qëndron në faktin se në familjet tona nuk lexohet rregullisht, apo lexohet shumë pak. Kultura e të lexuarit është përcaktuesi kryesor i zhdukjes së analfabetizmit. Është perceptim i përgjithshëm që varfëria është njëri nga faktorët që rrit shkallën e analfabetizmit. Mirëpo studimet e botuara nga institute me renome, tregojnë se analfabetizmi nuk paraqitet si rezultat i varfërisë, por janë faktorët kulturorë ata që kufizojnë qasjen e mundësisë në të nxënit e dijes, sidomos tek fëmijët. Kur fëmijët janë të rrethuar nga të rriturit, të cilët nënvlerësojnë rëndësinë e leximit, ata kanë pritshmëri më të ulët arsimore. Nga ana tjetër, kur fëmijët janë të rrethuar nga të rriturit, të cilët zakonisht kanë kulturë leximi në shtëpi, ata kanë prirje për të arritur avancimin akademik edhe nëse janë të lindur dhe rriten në kushte jo të favorshme socio-ekonomike.

Prandaj, një nga mënyrat më efektive për të nxitur leximin dhe me këtë edhe kureshtjen për të mësuar që në moshë të hershme, është leximi konstant së bashku me fëmijët në familje.

Prindërit janë personat e parë, të cilët kanë fuqinë që nëpërmjet leximit për ta dhe me ta, t’i përgatisin fëmijët për të arritur qëllimet e tyre të mëvonshme akademike.

Lista e përfitimeve të leximit me fëmijët në moshën e hershme është e gjatë dhe ato janë vërtetuar në studime të shumta të ekspertëve të arsimit. Fëmijët që në moshë të hershme  krijojnë kontaktin me librat është dëshmuar të jenë më të përgatitur për klasën e parë dhe me këtë tregojnë edhe rezultate më të mira përgjithësisht në të gjitha lëndët, apo fushat në periudhën e mëvonshme të shkollimit.

Të lexuarit bashkë me fëmijët në moshë të hershme, jo vetëm që zhvillon imagjinatën dhe aftësitë për të kuptuar botën që i rrethon, por njëkohësisht ndihmon zhvillimin e aftësive gjuhësore, aftësive të dëgjimit të vëmendshëm, të të menduarit të logjikshëm, apo edhe argumentimit.

Për të realizuar këtë nuk nevojitet shumë kohë e as shpenzime të mëdha.  Një orë kohë në ditë i ka dhe duhet t’i ndajë çdo prind për këtë aktivitet të çmuar me fëmijët. Kaq mjafton për të krijuar një shprehi leximi.

Për sa i përket librave dhe disponueshmërisë së tyre në kushtet e sotme të jetës së qytetarit të zakonshëm në Kosovë, është më se e kuptueshme që shumë prindër, për fat të keq nuk e kanë mundësinë për t’ blerë ato, qofshin edhe me çmime simbolike.

Zgjidhje megjithatë mund të gjendet; huazimi në bibliotekat e qytetit është vetëm një shembull i thjeshtë. Në ngritjen e vetëdijes qytetare dhe shtimin e leximit mund të kontribojnë bibliotekat e qytetit. Në fund të fundit ky dhe është misioni i tyre parësor.

Në Kosovë ka një numër të konsiderueshëm të bibliotekave publike, të shtrira gjithandej qyteteve dhe fshatrave, në të cilën anëtarësimi vjetor do të duhej të ofrohej falas. Bibliotekat publike nuk duhet të shërbejnë vetëm si arkivim librash, apo dhënie kartonash.

Bibliotekat do të duhej të ngrenë sektorë me bibliotekarë profesionistë, të cilët organizojnë lexime të rregullta në baza ditore dhe jashtë orarit të mësimit, të kombinuara me aktivitete të përshtatshme për grupmoshat e fëmijëve.

Gjatë hulumtimit më rastisi që, në njërën prej ueb faqeve të bibliotekave më të njohura për fëmijë në dy njoftime të ndara, të lexoj lidhur me vizitën e fëmijëve të një shkolle që ia kishin bërë asaj biblioteke. Në atë njoftim, ndër të tjera thuhej: “(Fëmijët) premtuan se do të regjistrohen në bibliotekë për të lexuar sa më shumë libra...”. Apo : “Mësueset  shprehën interesim që nxënësit e tyre të bëhen sa më parë anëtarë të bibliotekës...”! Unë nuk arrij të kuptoj qëllimin e vizitës së bibliotekës, nëse nuk është në radhë të parë regjistrimi! Ky është vetëm një nga indikatorët e thjeshtë por të shumtë, që dëshmojnë pasivitetin e institucioneve përkatëse.

Një rol të madh në luftën kundër analfabetizmit mund të luajnë edhe teatrot e kukullave, fondacionet e ndryshme apo organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve duke u angazhuar në mënyrë aktive, por gjithsesi edhe duke i mbikëqyrur rezultatet. Leximi me fëmijë nuk duhet të mbetet një aktivitet që organizohet një herë në vit në mënyrë simbolike në ditën e të drejtave të fëmijëve.

Në nxitjen e leximit të hershëm, padyshim, institucionet parashkollore janë faktorë të pakapërcyeshëm. Fokusi në artin gjuhësor brenda planprogrameve për parashkollorët dhe parafillorët – në mënyrë të vetëkuptueshme edhe nëpërmjet edukatorëve profesionistë, të përkushtuar dhe të pasionuar – është treguar të jetë tregues i suksesit akademik. Fëmijët që vijojnë mësimin parashkollor me kurikulë të përshtatshme dhe cilësore, siç kanë dëshmuar hulumtimet, janë më të përqendruar dhe po ashtu janë në gjendje të mësojnë më lehtë dhe më shpejtë përmbajtjet e teksteve si dhe të kuptojnë konceptet e reja.

Për ta zënë hapin e zhvillimit dhe për t’u bërë pjesë e shoqërive të ndritura, nevojitet urgjentisht mobilizim gjithëpërfshirës dhe angazhim serioz i të gjithë shoqërisë. Në të kundërtën, pasojat që po i përjetojmë tashmë ne do të jenë edhe më të rënda për gjeneratat që do të vijnë.


Shqiptarët, ose janë shumë modernë, ose shumë konservativë

Në vend të in memoriam-it

Njëri prej mendimtarëve të rrallë të trevave shqiptare i përgjigjet historisë dhe dilemave shqiptare për lëvizjet e mendimit ose çfarë shoqëroi ndryshimet e mëdha në Evropë nga lëvizjet kulturore në epoka.

Në hapësirat shqiptare vlojnë nismat, ato individuale, grupore ose institucionale. Brenda një hapësire të vogël shfaqen ide diametralisht të kundërta, si në përmbajtje, ashtu edhe në formë. Bashkëjetojnë stile të ndryshme, klasikja me post-modernen, folklorizmi me modernen, naivizmi me surealizmin, manierizmi oriental me inovacionizmin oksidental, kiçi me estetizmin etj. Kjo dëshmon se kultura jonë ende nuk është e konsoliduar. Kulturologu, politikani dhe mendimtari Arbën Xhaferi në këtë intervistë për herë të parë merr në shqyrtim dilemat e lëvizjeve tona mendore dhe kulturore përballë epokave. Ndërsa shprehet për një lidhje organike me lëvizjet politike se ne “sot e kësaj dite nuk kuptojmë rëndësinë e gjithanshme të idesë së shtetit ligjor, standardit për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, domosdoshmërinë për verifikim shkencor të gjitha ideve që janë në funksion të organizimit shoqëror, nxitjen e hulumtimit të fenomeneve dhe përfundimisht rëndësinë e ndarjes së shtetit prej religjionit”. E vetmja lëvizje sipas Xhaferit, par excellence ka qenë neoshqiptarizmi i viteve ‘30, që e konsideron lëvizje politike që synonte ta ndryshonte, ta korrigjonte kodin qytetërues të shqiptarëve, ta evropianizonte atë. Kjo ide bëri ndryshimin e strukturës mendore të njeriut… Dhe sa për çështjen e globalizmit sot, ideologu thotë se “instaloi rregullat në tregun e përgjithshëm që përfundimisht i rrënoi, jo vetëm ëndrrat romantike, por edhe konceptet për artin”.

A jeni të mendimit se në Shqipëri përveç neoshqiptarizmit nuk ka lulëzuar ndonjë lëvizje tjetër kulturore që të shkundë psikikën e shqiptarëve?

Në hapësirat shqiptare vlojnë iniciativat, ato individuale, grupore ose institucionale. Brenda një hapësire të vogël shfaqen ide diametralisht të kundërta si në përmbajtje, ashtu edhe në formë. Bashkëjetojnë stile të ndryshme, klasikja me post-modernen, folklorizmi me modernen, naivizmi me surealizmin, manierizmi oriental me inovacionizmin oksidental, kiçi me estetizmin etj. Kjo dëshmon se kultura jonë ende nuk është e konsoliduar. Edhe në shoqëritë tjera ka antagonizma të tillë, iniciativa vend e pavend, por megjithatë dihet çka është tendencë kryesore qoftë në politikë, kulturë, apo në mënyrën e zhvillimit të biznesit. Popujt që kanë traditë të qëndrueshme kulturore kanë arritur t’u bëjnë ballë huazimeve pa kriter, kështu që kancona italiane apo shansona franceze arritën t’i bënin ballë muzikës rok.

Në shoqëritë perëndimore ndryshimet janë dinamike, veçmas në fushën e krijimtarisë, por megjithatë vlerat nuk relativizohen, pa marrë parasysh statusin, vlerën e një vepre në treg.

Korrigjimi i vlerësimeve të gabuara bëhet shpejt. Van Gogu ishte shumë i varfër, ngaqë nuk arriti të shiste asnjërën nga veprat e tij, por pas vdekjes së tij ato morën çmime marramendëse.

Neoshqiptarizmi u shqua më shumë se lëvizjet e tjera, për shkak se si nocion arriti të ngërthente në vete pikësynimet kryesore kulturore, por edhe politike, ekonomike të shqiptarëve. Madje do të thosha se neoshqiptarizmi ishte, par exelence, lëvizje politike, që synonte ta ndryshonte, ta korrigjonte kodin qytetërues të shqiptarëve, ta evropianizonte atë. Kjo ide, ndryshimi i strukturës mendore të njeriut, në shekullin XIX dhe XX ishte shumë e përhapur. Rrënjët e një kërkese të tillë duhet kërkuar në periudhën e Rilindjes (Renesansës), pastaj te Rusoi, Gëteja, Marksi dhe Niçeja, i cili, pasi e shpalli Zotin të vdekur, e përuroi mbinjeriun, krijesën që mund të ekzistojë edhe pa Zotin. Në Rusinë komuniste, po ashtu u eksperimentua me idenë e krijimit të njeriut të ri sovjetik, por kjo ide nuk ishte aq naive sa idetë e mendimtarëve të mirëfilltë që përpiqeshin t’i zgjidhin problemet e thella shoqërore me teoritë e ashtuquajtura të dezalienimit. Njeriu i ri sovjetik nuk u identifikua me nocionin rus, për shkak të strategjisë së asimilimit të efektshëm dhe të pahetueshëm. Njeriu i ri nuk ishte as rus, as lituanez, as gjeorgjian, as kazak, turkmen, kirgiz, por sovjet që, në fakt, i kishte të gjitha tiparet e rusit, gjuhën, kulturën në përgjithësi.

Nga të gjitha këto përsiatje, vetëm neoshqiptarizmi ishte ide reale, e dëlirë, pa atë pretenciozitet, megalomani dhe djallëzi të teorive të tjera të asaj kohe. Derisa të tjerët synonin ta sovjetizonin, ta serbizonin, ta hispanizonin Evropën, shqiptarët kërkonin ta evropianizonin veten. Ky është një dallim strategjik.

Natyrisht ka pasur edhe lëvizje të tjera kulturore, por shumica prej tyre kishin karakter individual dhe ishin në funksion të bartjes së vlerave dhe tendencave që ekzistonin në katedra të ndryshme të universiteteve të huaja ku studionin shqiptarët. Mirëpo ato nuk u shndërruan në lëvizje, pos nëse nga ky kategorizim e përjashtojmë periudhën e komunizmit, kur krijimtaria varej kryekëput nga dogmat që i pati imponuar ideologjia komuniste.

A kemi pasur truall, flasim edhe para kohës së diktaturës, që vendi ynë të prodhojë elitë intelektuale, që të përcjellë rrymat kulturore evropiane?

Gjithsesi. Vetëm në fushën e krijimtarisë statusi shoqëror nuk çon kandar. Dhuruesi i talentit, atë e ka ndarë në mënyrë të barabartë në të gjitha shtresat shoqërore dhe popuj, pa marrë parasysh madhësinë e tyre. Madje popujt e vegjël zakonisht janë më të motivuar që të merren me krijimtari letrare, figurative, muzikore sesa me hulumtime shkencore.

Tanimë janë krijuar kushte elementare politike, ekonomike dhe profesionale që krijuesit shqiptarë, duke i përcjellë rrymat e ndryshme kulturore, të dallojnë tendencën kryesore nga ato anësore dhe të krijojnë vepra të nivelit evropian. Këto maja, në disa fusha që tani janë arritur.

Është një thënie që i vishet regjisorit Orson Uells, i cili vlerëson se krijimtaria artistike nuk varet gjithaq nga çfarësia e sistemi shoqëror. Zviceranët, punëtorë të zellshëm dhe të disiplinuar, thotë ai, në pesë shekujt e kaluar kanë prodhuar vetëm orën precize, ndërkaq italianët anarkikë, të zhurmshëm, skandalozë, komplotistë, hedonistë kanë krijuar vepra kulmore artistike në të gjitha fushat e kulturës. Për Bodlerin arti është lulja e së keqes. Shpeshherë e keqja, vuajtja, rreziku, nënçmimi janë motive më të fuqishme për krijimtari sesa mirëqenia, ahengu, siguria, vardisja… Për këto shkaqe besoj se krijimtaria artistike është shans për popujt e vegjël, pra edhe për shqiptarët që t’i afirmojnë vlerat kombëtare.

Pse tek ne, ashtu si edhe mentaliteti që zapton Ballkanin, gjithmonë nxitojmë për të arritur dhe kurrë nuk jemi në kohë me Evropën?

 Për shkak se pjesa dërmuese e ballkanasve nuk e njohin Evropën, por e paragjykojnë atë. Mosnjohja e Evropës është pasojë e paragjykimeve më të ulëta, më arrogante, të tipit “kurva plakë” apo kontinent i degjeneruar etj. Por jo vetëm kaq. Shqiptarët, ndonëse nuk kanë distancë nga Evropa, megjithatë, edhe ato vlera që i njohin, nuk i trajtojnë seriozisht, si diçka fondamentale për një shoqëri moderne. Jemi të prirë ta pranojmë formën, pa obligime ndaj përmbajtjes. E duam hedonizmin evropian, por jo stoicizmin, përkushtimin ndaj punës, seriozitetin e tyre, respektimin e ligjit. Gjenetika, origjina apo gjeografia nuk janë përcaktues të mjaftueshëm të identitetit evropian, por sistemi i vlerave. Zhvillimi politik, ekonomik dhe qytetërues i Evropës ka një parahistori të gjatë dhe nuk është aspak rastësi. Dokumenti i parë që ngushton hapësirën e sovranit (mbretit) dhe që paralajmëron konceptin e shtetit ligjor, parakushtit për zhvillim të shoqërisë, Magna Carta Libertatum, u hartua më 15.6.1215. Ky ishte dokumenti i parë që e kufizoi pushtetin absolut të mbretit (John Laclandit, Gjonit Patokë) dhe krijoi kushte për përhapjen e idesë, të standardit kushtetues që garanton mbrojtjen e drejtave dhe lirive e njeriut. Ky dokument ka rëndësi historike, ngaqë e hapi shtegun për humanizim të shoqërisë. Kjo ndodhi shekuj më parë.

Po ashtu nuk kuptohet drejt se hulumtimi shkencor ishte shumë i hershëm dhe aspak i rastësishëm që, nga ana tjetër, duke tentuar t’i verifikojë të vërtetat në librat e shenjtë hapi shtegun për konceptet shekullare, për ndarje të kishës, religjionit nga shteti, të vërtetave shkencore nga dogmat. Këto ndryshime, lufta kundër obskurantizmit mesjetar, kërkonin njerëz me guxim të jashtëzakonshëm, që adhuronin të vërtetën më shumë sesa që frikësoheshin nga pasojat e demaskimit të dogmave, që e mposhtnin frikën falë përkushtimit për ta zbuluar dhe kumtuar të vërtetën.

Në Evropë, që nga fillimi ndodhi përplasja ndërmjet doktrinës së krishterë të mëshirës, të mosdhunës dhe mendësisë luftarake, protofashiste të evropianëve. Kjo përplasje që krijonte situatë konfliktuale u zgjidh duke lejuar luftën (dhunën) kundër jo krishterëve (kryqëzatat) dhe kundër shpirtrave të ligë(inkuizicioni).

Evropa, vazhdimisht arrin të gjejë zgjidhje për problemet që krijojnë pengesa për zhvillim të mëtejmë të shoqërisë, që s’mund të thuhet për qytetërimet e tjera. Bie fjala, pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane detyrimisht humbi funksionin edhe institucioni që krijonte unitet në botën islame, kalifi, kalifati. Ky institucion ngërthente në vete dy funksione kryesore, atë të prijësit politik dhe atë të prijësit fetar. Mungesa e një institucioni, e një strukture hierarkike fetare, krijon hapësirë për voluntarizëm, për anarki, ku çdokush mund të marrë vendime në emër të myslimanëve të botës. Edhe sa kohë do të vazhdojë ky konfuzion, askush nuk di. Mungojnë energjitë ndërmarrëse, guximi që përmes hulumtimit të verifikohen vlerat e traditës, që në fakt nuk janë vlera, por kotësi që kanë depërtuar dhe shtresuar me shekuj. Kjo mungesë e ndërmarrësisë, kjo përtaci ka depërtuar edhe në kulturën tonë.

Evropa me guxim ec përpara duke rrënuar barrierat ataviste, tabu temat që e bllokojnë trurin, ajo me vendosmëri i zëvendëson idetë e vjetra pengesëtare me ide të reja që në fakt është fshehtësia se si krijohet historia e vërtetë.

Pra, ne sot e kësaj dite nuk kuptojmë rëndësinë e gjithanshme të idesë së shtetit ligjor, standardit për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, domosdoshmërinë për verifikim shkencor të gjitha ideve që janë në funksion të organizimit shoqëror, nxitjen e hulumtimit të fenomeneve dhe përfundimisht rëndësinë e ndarjes së shtetit prej religjionit. Sot në të gjitha shtetet e Ballkanit, politikanët kërkojnë ndihmën e faktorit religjioz për legjitimimin e tyre politik, moral dhe partiak. Kjo gjithsesi nuk ndodh në shtetet evropiane.

Në kuadër të kulturës evropiane, këto vlera, pa të cilat nuk mund të funksionojë një shtet modern, janë të njohura me shekuj dhe ne, nëse dëshirojmë të jemi evropianë, duhet para së gjithash t’i pranojmë, t’i interiorizojmë këto standarde në sistemin tonë të vlerave.

A mund të studiohet si lëvizje kulturore revolucioni kulturor që shpalli diktatura pra “soc-realizmi”?

Lëvizjet kulturore fitojnë peshë nëse pas tyre qëndron një mekanizëm i fuqishëm financiar dhe politik, pra shteti. Në botën perëndimore këtë çështje i rregullon tregu, sistemi kompleks i menaxherëve, mecenëve, producentëve dhe krijuesve. Në shtetet e kampit socialist, lëvizjet e ndryshme kulturore organizoheshin, financoheshin dhe kontrolloheshin prej shtetit. Kjo lëvizje në Bashkimin Sovjetik mori emrin Proletkult (Organizata Proletare Kulturore dhe Iluministe). Kjo lëvizje do të duhej të krijonte, siç u tha, Njeriun e Ri, të virtytshëm sovjetik. Sipas doktrinës komuniste, çdo veprimtari krijuese duhet të ketë mesazh konstruktiv, mision edukativ, ideologjikisht utilitar. Një mori krijuesish të mëdhenj, duke filluar prej regjisorit antologjik Ajnzejshtajnit, letrarëve, Gorkit, Sholohovit, Aragonit, kompozitorit Hans Eisleri, e deri te piktori B. Vladimirov u vënë në shërbim të formësimit të lëvizjes kulturore që mori emrin “Realizëm socialist” e cila përcaktoi standardin që vepra artistike nuk mund të jetë në funksion të vetvetes (L’art pour l’artisme), por në shërbim të popullit, pra të ketë funksion edukativ shoqëror. Në skulpturë, madje u përurua vlera e pestë estetike-heroikja: çdo luftëtar, punëtor merrte dimensione markante, ashtu si i ka hije Njeriut të Ri Sovjetik.

Por, problemi nuk qëndron këtu, ngaqë edhe në SHBA shkruhen romane edukative, xhirohen një varg filmash edukativë që, pa dyshim, kanë ndikim pozitiv shoqëror. Problemi qëndron te doktrina, dogma e NJËSHIT, të parit në shtet: një ideologji, një udhëheqës, një stil, një shkrimtar, një kompozitor, një poet, një skulptor shtetëror, i cili në mënyrë të denjë i mishëron në krijimtarinë e tij përcaktimet e artit socialist. Pra, dallimi ndërmjet sistemit komunist të vlerave dhe atij demokratik, variacionesh të ndryshme, qëndron te parimi i diversitetit: i pari atë e percepton si rrezik, ndërkaq i dyti si kusht, pa të cilin nuk mund të funksionojë liria, sistemi në tërësi.

Çfarë duhet të kuptojmë sot me lëvizje kulturore? A mund të flitet për të njëjtat kushte shpërthimi siç ndodhën ato të shekullit XIX-XX?

Dy luftërat botërore, tragjedinë që shkaktuan ato, zbulimi i krimeve masive të ndodhura në sistemet komuniste, terrorizmi, zgjerimi i vlerave të shoqërisë së konsumit, shkatërrimi i ambientit dhe përfundimisht globalizmi disi e ngulfatën optimizmin e mendimtarëve të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX. Dëshpërimi e zëvendësoi utopinë. Kjo dukuri, ky dyshim në progresin e pandalshëm u përhap sidomos në sistemet, u thënçim komuniste. Këtë klimë dëshpëruese, defetiste dhe të pashpresë e përshkruan në mënyrë gjeniale shkrimtari polak, nobelisti Çesllav Millosh (Czeslaw Milosz – 1911-2004), në veprën “Mendja e robëruar” (1962).

Sidomos globalizmi instaloi rregullat në tregun e përgjithshëm që përfundimisht i rrënoi, jo vetëm ëndrrat romantike, por edhe konceptet mbi artin. Në këtë treg të përbindshëm që vlon nga ofertat, nivelesh kulmore, pjesa dërmuese e krijuesve të ish-kampit socialist nuk dinë si të sillen, si të adaptohen. Ata jo vetëm që humbën statusin shoqëror, integritetin dhe autoritetin, por edhe besimin në krijimtarinë e tyre. Në këtë klimë u fik edhe zjarri për lëvizje kulturore.

Në të gjitha fushat e artit, thuhet se artistët shqiptarë kanë përcjellë vetëm frymën e rrymave dhe asnjëherë nuk kemi pasur pozicionim të mirëfilltë të një rryme të caktuar. A ndani të njëjtin mendim dhe pse të ketë ndodhur kjo?

Arti, krijimtaria në përgjithësi zhvillohet në mënyrë interaktive (ndërvepruese) në kohë dhe hapësirë. Është e natyrshme që krijuesit e mëdhenj të ndikojnë te të vegjlit, por ndodh edhe e kundërta, që të mëdhenjtë të ndikohen nga të vegjlit ose të panjohurit. Bie fjala portretet e Modilianit janë të ndikuara nga afresket ortodokse, ashtu si një fazë e krijimtarisë së Pikasos nga maskat afrikane. Nga aspekti teorik nuk mund të përjashtohet mundësia që një krijues i madh botëror të jetë i ndikuar nga një krijues shqiptar. Por, ajo kryesorja, e vërteta e madhe, nuk mund të fshihet. Qytetërimi perëndimor është hulumtues, inovativ, që me guxim ec përpara, kërkon përgjigje për pyetjet më shqetësuese të çfarëdo natyre, ndërkaq ai lindor është statik, konservativ që petrifikon (ngurtëson) një mënyrë të jetesës, një stil të krijimtarisë që quhet manierizëm. Tradita, folklori janë forma, produkte të një mendësie, të një stili që refuzon ndryshimin, përkatësisht hapjen e horizontit për këndshikime, botëkuptime të reja që e frikësojnë njeriun e pa mësuar me ndryshimet e vazhdueshme. Shqiptarët, ose janë shumë modern, ose shumë konservativë. Kemi letrarë të mëdhenj, këngëtarë të shkëlqyeshëm operistikë, aktorë të shkëlqyeshëm etj., mirëpo ende nuk arrijmë, bie fjala, të lirohemi nga modelet anakronike të varrimit ose të dasmës.

Qytetërimi perëndimor parapëlqen përsosmërinë, ndërkaq ai lindor tradicionalen. Ndërtimi i piramidave dëshmon për përpjekjet e njeriut të asaj kohe që ta ndalë kohën, ta pengojë ndryshimin, ta përjetësojë të tashmen e tij. Ky është një përcaktim i brendshëm që e parapëlqen statiken, mosndryshimin. Këto tipare fondamentale nuk mund të ndryshohen brenda një nate. Në këtë fazë, jo vetëm shqiptarët, por edhe popujt e tjerë të mëdhenj janë në fazën e “mimesisit”, të imitimit të koncepteve dhe metodave perëndimore në çdo sferë të veprimtarisë shoqërore, prej zgjedhjeve politike e deri te krijimtaria. Këto forma, mënyra të jetesës, këto standarde, qytetërimi perëndimor ka krijuar për t’i plotësuar nevojat e veta, ndërkaq ne i kopjojmë këto forma të krijimtarisë dhe veprimit politik që t’i ngjasojmë modelit që e idealizojmë. Fazën e mimesisit do ta tejkalojmë vetëm kur këto standarde nuk do t’i perceptojmë si të huaja, por natyrshëm do të jetojmë me to.

A i nevojitet ende sot mendimit – për ta ndryshuar, apo shkëputur nga e kaluara – nënshkrimi i manifesteve, ku shpallen idetë?

Një mendimtar ose krijues i mirëfilltë nuk bën diskriminimin ndërmjet se kaluarës, së sotmes dhe të ardhmes. Në fushën e krijimtarisë moda nuk është kategori që vetvetiu ka konotacion pozitiv, veçmas nëse tema e debatit është krijimtaria artistike. Veprat e Fidias, Eskilit, Shekspirit, Molierit, Dostojevskit, Markesit apo Gynter Grasit sot e gjithë ditën janë të patejkalueshme. Të gjithë këta kanë arritur majat e krijimtarisë pa marrë parasysh se cilës rrymë i takojnë. Disa vlera të së kaluarës janë të patejkalueshme, prandaj në këtë klimë të dëshpërimit nga lëvizjet kulturore, manifestet apo pamfletet nuk mund të ndryshojnë situatën. Mendoj se këto energji, këto shpresa se situata mund të ndryshohet me manifestime u shpenzua me demonstratat e vitit 1968 në botë, kur Sartri, i entuziazmuar nga energjia e këtyre protestave, u përpoq ta jepte kontributin e tij, por mbeti vetëm, i dëshpëruar përjetësisht. Kapitalizmi liberal i shteri këto energji, këtë optimizëm revolucionar.

Megjithatë, krijimtaria është e magjishme dhe qëndron mbi çdo kanon që përpiqen të imponojnë teoricienët, për të kuptuar një vepër artistike. Por, veprat artistike, sidomos ato figurative, nuk mund të vlerësohen me kategori diskursive. Shpeshherë kritika e një vepre artistike, sidomos nëse autori i kritikës është i njohur, në vend që të zbulojë vlerën e një vepre e mallkon atë me një formulim, kategorizim diskursiv që e përdor për ta kuptuar ai vetë një vepër figurative. Pastaj ai formulim bëhet bashkudhëtar i një vepre figurative, që pengon lirshëm të soditet piktura, grafika, skulptura apo instalacioni.

Çfarë e ndryshon sot një komb?

Globalizmi, varfëria, mosfunksionimi i shtetit, i ligjit, relativizmi etik, huazimet, ndikimet nga jashtë që depërtojnë përmes fesë, korrupsioni, krimi i organizuar, dëshpërimi nga cilësia e jetesës, niveli i ulët i cilësisë së krijimtarisë, përçarjet si pasojë e polarizimit politik, vegjetimi si mënyrë e vetme e jetës pa ideale etj. janë faktorë që ndikojnë në ndryshimin e identitetit të një kombi. Deri vonë shqiptarët ishin të perceptuar nga të tjetër si njerëz të ndershëm, me kodeks të qartë moral, por tani ata kanë humbur këtë imazh dhe perceptohen si popull që është i dhënë vetëm pas të mirave materiale. Në një takim me një misionar protestant që gjatë kohës punon në Shqipëri, pyetjes sime të drejtpërdrejtë lidhur me vlerësimin e tij për karakterin e shqiptarit, ai, pa u thelluar mirë që dëshmon se vlerësimin e kishte të pjekur, më tha: Janë të dhënë pas të mirave materiale. Por, është për të habitur se nocioni “alban” te popujt e qytetëruar ka një domethënie sublime…

A besoni në riciklimin e jetës dhe për këtë arsye ndoshta edhe në hipotezën se është e kotë të ndryshosh botën – kujtoj këtu një karikaturë britanike që jep simbolikisht ciklimin e veprimeve të njeriut, që në fund kthehet në pozicionin fillestar. Por, ama, stadet kalojnë.

Çdo qytetërim përpiqet të gjejë përgjigje për arsyen e jetës, për absurdin si pasojë e pamundësisë për të gjetur shpjegime qetësuese për lindjen, jetën, vdekjen, çdo qytetërim përpiqet të gjejë shpjegime për tërësinë, por as që ka arritur as që do të arrijë. Ashtu si bota shtazore që funksion përmes instinkteve dhe s’arrin dot të mendojë, të gjykojë si njeriu, ashtu edhe njeriu nuk arrin dot të gjejë përgjigje për çështjet metafizike. Qytetërimet marrin hov kur pretendojnë se kanë gjetur përgjigje për këto mistere dhe fillojnë ta humbin vitalitetin kur banalizohen ato përgjigje. Qytetërimi perëndimor është përpjekur që të japë përgjigje për këto pyetje duke analizuar qenien e njeriut. Për disa filozofë, qenia dhe kuptimi i jetës është puna (homo faber), për disa të tjerë loja (homo ludens), ndërkaq për postfrojdistin Markuze – erotika. Disa popuj të tjerë nuk kridhen fare në këto dilema. Ata ende nuk janë të ndriçuar dhe ushqimin shpirtëror e marrin nga brenda, si fëmija përmes kërthizës, përmes zakoneve dhe ritualeve. Ata nuk dinë pse kanë ardhur në këtë botë dhe natyrisht s’dinë si ta jetojnë jetën, pos në përputhje me traditën, me rregullat që janë përcaktuar kushedi kur, kushedi nga kush dhe kushedi pse.

A është atdhedashuria, jo si nacionalizëm, që të nxit për rebelizëm – e për pasojë dhe krijimin e atij kushti paraprak për lindjen e një lëvizjeje të fuqishme kulturore?

Sa është njeriu egoist, po aq është altruist, sa është mizantrop, po aq është filantrop, sa është individualist po aq është qenie shoqërore, sa është i motivuar nga egoja po aq në të ndikon superegoja. Shpeshherë misioni shoqëror e suspendon tiparet e tjera të personalitetit të njeriut, shpeshherë idealet shoqërore, drejtësia, zbulimi i të vërtetës, atdhedashuria, nacionalizmi, konceptet morale, frika nga izolimi, aq shumë e motivojnë njeriun sa që ai arrin ta mundë instinktin e mbijetesës.

Çdo individ dhe çdo grup shoqëror kanë ndjenjën e fortë individuale dhe shoqërore për të qenë të barabartë me të tjerët, të respektuar. Këtë ndjenjë për barazi, Platoni e quajti “thimos”. Pra, thimosi e vë në veprim njeriun që t’u kundërvihet faktorëve që e përbuzin, e nënshtrojnë, e cenojnë integritetin e tij individual apo shoqëror. Pjesa diskursive, racionale e thimosit është nacionalizmi. Ai mund të jetë arrogant, brutal, çnjerëzor, por mund të jetë i drejtë, fisnik, i moralshëm që krijon kohezion në shoqëri, i motivon njerëzit për liri, krijimtari, për ndërveprim me të tjerët për tejkalim të vështirësive, për angazhim të vullnetshëm shoqëror, për funksionimin më të gjerë të parimeve të etike, e plotëson nevojën e thellë të individit për përkatësi një grupi shoqëror. Ata që verbërisht janë kundër nacionalizmit dhe ofrojnë zëvendësimin e tij me përkatësi ndaj grupimeve tjera, harrojnë faktin se vetëm nacionalizmi krijon mekanizma të qëndrueshëm, shtetin, që mbron dhe kultivon vlera me të cilat identifikohet një njeri.

Janë absurde dhe kundërthënëse tezat që pohojnë se më parë ndjenja nacionale nuk paska ekzistuar, si dhe tezat se ndjenjat e sotme nacionale qenkan anakronizëm. Por, askush nuk mund të mohojë faktin se popujt që kanë krijuar më herët shtetin e tyre janë më të përparuar sesa popujt që nuk kanë arritur ta realizojnë këtë qëllim, ose faktin se shtetet nacionale janë imune ndaj faktorëve shpërbërës. Një popull që nuk arrin të krijojë shtetin nacional, një kohë të gjatë do t’i angazhojë kapacitet për këtë qëllim dhe shumë aspekte të tjera që e bëjnë jetën e njeriut interesante do të lihen pas dore, përfshi këtu edhe angazhimin kulturor. Si pasojë e gjithë kësaj është shthurja e elitës, ikja e trurit në shtete të tjera. Aty ku nacionalizmi ka qenë ideal frymëzues, aty zhvillimi është i pandalshëm, aty madje më lehtë ndërtohet shteti funksional ligjor dhe aty ku nacionalizmi është i rrejshëm, i keqpërdorur për qëllime të tjera shfaqen procese degjeneruese që e komprometojnë atë.

Si mund të shkulet ndryshe e kaluara, ajo pjesë e mentalitetit që e lë shoqërinë pas pa ndriçimin e së ardhmes, vizionin?

Mendoj se çdo gjë është e lidhur me vetëdijen e njeriut, me vlerësimet e tija të ngjarjeve, të proceseve, të rolit të personaliteteve, të trashëgimisë, të huazimeve etj. Të qenit gjatë kohë nën sundimin e huaj ka ndikuar që të interiorizohen (të brendësohen) huazimet nga kulturat e tjera, duke filluar nga kostumet e deri te sintaksa, struktura e gjuhës. Këto depërtime të huazimeve, shpesh bëhen pjesë e identitetit të një populli sa që ato nuk njihen më si element i huaj. Bie fjala, në Tiranë, në epiqendrën e kulturës shqiptare, dimitë (çitjanet, kulet) ende paraqiten si pjesë e traditës kombëtare ose disa këngëtarë të ndikuar nga mënyra e këndimit të ilahive, janë të bindur se ai këndim, ato këngë janë reprezentë të denjë të traditës sonë muzikore ose kapuçat me dantella, të ngjashme me ato të popujve të lindjes së mesme, çifutëve, arabëve, pakistanezëve, tashmë, për një segment të popullit shqiptar, janë bërë pjesë e identitetit të tyre. Është krejtësisht e qartë se huazimet nuk mund të ndalen me urdhra, si në të kaluarën, të tashmen ose të ardhmen, mirëpo diçka tjetër duhet të merret parasysh: huazimi i muzikës rok apo rep nuk mund të relativizohet me atë të ilahive, ngaqë këto të fundit paraqiten si pjesë tipizuese e traditës sonë, origjinës sonë, ashtu si blu-xhinsat që nuk mund të krahasohen me kapuçat-dantellë që sot perceptohen si element të traditës. Çdokush sot di se muzika rok apo blu-xhinsat janë huazime, por shumë pak veta dinë se ilahitë, një pjesë e madhe e muzikës sonë popullore, si dhe dimitë, sofra, të ulurit këmbëkryq etj. janë po ashtu huazime, madje edhe më të rrezikshme, ngaqë trajtohen si fondament i kulturës dhe i identitetit tonë kombëtar.

Disa shtete formohen si pasojë e idealeve etnike, të cilat bëhen kombëtare pas formimit të shtetit, disa mbi baza të interesit politik, strategjik etj. Këto të fundit e formojnë shtetin pastaj e formësojnë identitetin kombëtar, si SHBA-të bie fjala. Është absurde që në një shtet që është ngritur mbi interesin etnik, të përthahet segmenti kulturor, përkatësisht, bërthama e identitetit kombëtar, faktori që e nxiti procesin e formimit të shtetit kombëtar.

S’ka nevojë të shkulet e kaluara për të pasur vizion për të ardhmen, por duhet në mënyrë kritike të ndriçohen përkatësitë, me mjeshtri të gdhendet guri i diamantit ose të ndahet, të paktën në planin e vetëdijes kombëtare, shapi prej sheqerit. Çdo popull i civilizuar e ka bërë këtë.

Energjia jonë, ballkanike, mesdhetare, çfarë mund të bëjë tjetër veç mbajtjes lidhur pas kompleksit dhe krijimit të miteve – a mund të jenë këto arsye pse Ballkani është në qerthull gjithnjë dhe nuk ecën përpara…

Vetvetiu asgjë të keqe nuk vjen nga mitet, por nga instrumentalizimi i tyre për interesa hegjemoniste nacionaliste, nga keqpërdorimi i tyre politik që krijon vuajtje dhe tragjedi te popujt e tjerë. Sot këta popuj keqpërdorues abuzojnë edhe me fetë, konkretisht me krishterimin, njësoj si me mitet. Duke paraqitur veten si të krishterë të devotshëm, abuzuesit kërkojnë, në fakt, licencën për dënim të popujve të tjerë me përkatësi tjetër fetare. Shembulli tipik i abuzimit të këtillë është Maqedonia. Kryeministri aktual, Gruevski, në mënyrë brutale i instrumentalizon këta faktorë, mitin dhe besimin fetar: e përvetëson idenë e prejardhjes antike të maqedonasve dhe në çdo kënd të qyteteve mëton të ndërtojë përmendore për personalitetet e antikës. Krahas kësaj, ai, duke shfrytëzuar buxhetin shtetëror, që sipas Kushtetutës duhet të jetë shekullar, paralajmëron ndërtimin e kishave, katedraleve, jo për ideale, por që të provokojë komunitetin mysliman që të pozicionohet në istikamet fetare. Kështu, ai një luftë të humbur politike dhe etnike e bart në terrenin mitik dhe fetar, me shpresë që të dalë fitues.

Në dallim nga popujt e tjerë të Ballkanit, vetëm shqiptarët nuk thirren në fikcione, në mite dhe Zot, ngaqë kauza e tyre është vetvetiu reale dhe se ka gjasa të natyrshme të realizohet. Në këtë rrafsh çështja dhe kultura shqiptare dallon nga ato të popujve të tjerë të Ballkanit. Kauza jonë është reale…

Dikur në vitet ‘20-‘30 shqiptarët në Itali, Bukuresht, Sofje, Egjipt etj. ngritën vatra kulturore dhe “detyruan” autoritetet e vendeve për ta njohur gjuhën shqipe, ashtu dhe kulturën – sot nuk ndihet më kjo ndjeshmëri. Ndërkohë që vendi ynë është bërë han me 100 porta, jashtë njohja ka humbur kuptimin e saj fillestar, si lëvizje, ç’tregon ky barometër?

Në gjuhën latine ekziston një sentencë që mund ta shpjegojë këtë dilemë: “Quius lingua eius regio” (E kujt është gjuha i atij është territori). Italia, Bukureshti, Sofja, Egjipti, unë do të shtoja edhe Shqipëria nuk frikësohen nga gjuhët e pakicave të papërfillshme…

Dhe së fundi, a vlen më mendimi shqiptar, praktikisht, për të artikuluar interesat kombëtare?

Mendimet, çfarëdo qofshin, ato modifikohen, në varësi nga rrethanat. Vlerësoj se mendimi shqiptar zhvillohet gjithnjë e më shumë dhe do të jetë në funksion të çështjes kombëtare. Unë e shoh atë gjeneratë dhe fuqinë e motivacionit, të argumenteve të tyre.


Kuajt trojanë të Rusisë brenda strukturave trans-atlantike

Fatmir Arifi

 

Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe ndërhyrja e saj ushtarake në Ukrainën Lindore, paraqesin sfidën më të madhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Ky veprim i Rusisë, në mënyrë të thukët, ka testuar së tepërmi kapacitetet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, e njohur si doktrina transatlantike. Përpos disa sanksioneve ekonomike të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, pjesa tjetër e veprimit mbeti deklarative. Në thelb kjo tregon se BE-ja nuk ka një strategji dalëse për të parandaluar agresionin e Rusisë, edhe sikur të paraqitet kundër ndonjë shteti tjetër në të ardhmen.

Tanimë është një fakt i kryer se pas triumfit të madh në Krime, politika e jashtme ruse është bërë më agresive dhe më kërcënuese përballë paqartësisë politike të BE-së. Përveç rajoneve të tjera si Azia Qendrore e Lindja e Mesme, nga kjo politikë është prekur drejtpërsëdrejti edhe Ballkani.

Raportet e Rusisë me disa shtete të Ballkanit si: Serbia, Republika Sërbska në Bosnjë dhe Hercegovinë, IRMJ, Greqia, Mali i Zi dhe Bullgaria, përkundër paqartësive dhe mungesës së theksuar të transparencës, ato po shkojnë duke u konsoliduar. Këto raporte kanë vënë në pikëpyetje strategjinë amerikane dhe garancitë e dhëna për sigurinë dhe paqëtimin e Ballkanit. Shikuar përmes këtij prizmi, strategjia, guximi dhe gatishmëria e Putinit për të ri-krijuar dhe ruajtur një sferë të ndikimit përtej kufijve të afërt të Rusisë, nuk duhet nënvlerësuar në asnjë rast.

Duke e pasur parasysh që në rajonin e Ballkanit beteja ideologjike e Luftës së Ftohtë ende vazhdon të jetë vijë ndarëse në mes Perëndimit dhe Lindjes, strategjia e Federatës Ruse është e dyfishtë.

Përderisa në Ukrainë, Rusia, me aneksimin e Krimesë, përpos tjerash, vendosi “vijën e kuqe” parandaluese të shtrirjes së doktrinës transatlantike, në Ballkan, duke e pasur parasysh që vendimet në kuadër të BE-së dhe NATO-s, merren me konsensus të plotë, ajo synon ta çajë doktrinën transatlantike, duke i përdorur disa shtete sllave si kalë troje brenda strukturave euro-atlantike.

Prandaj edhe përllogaritjet e Rusisë që i bën në raport me Ballkanin janë të ndryshme nga ato të aplikuara në vendet e tjera në hapësirën ish-sovjetike. Për shembull, zgjerimi i BE-së në Ballkan nuk është kundërshtuar në atë mënyrë siç janë kundërshtuar Marrëveshja e Asocimit për Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Armeninë. Në të vërtetë, zgjerimi i BE-së në Ballkan mund t’i ndihmojë edhe Rusisë, nëse pranimi i shteteve mike të Rusisë pengon aftësitë e BE-së për të miratuar qëndrime të përbashkëta që janë në kundërshtim me interesat e Rusisë.

Marrëdhëniet e disa shteteve sllavo-ortodokse të Ballkanit me Rusinë dhe aleancat ushtarake-politike dhe shpirtërore të periudhave të ndryshme janë ende pjesë e rrëfimeve kombëtare në këto shtete, të cilat kohë pas kohe po ripërtërihen përmes marrëveshjeve, qofshin ato ekonomike, politike, ushtarake, kulturore apo formash të tjera në dukje.

Padyshim, të paktën që nga fundi i shekullit XVIII, kur përshtrirja e kufijve të Perandorisë Ruse për herë të parë arriti deri në Detin e Zi, Rusia ka ndjekur një politikë të jashtme aktive në Ballkan. Në këtë periudhë, më saktësisht në vitin 1783, Rusia aneksoi Krimenë, ndërsa Gjeorgjia në atë kohë ishte vënë në mbrojtje të Rusisë.

Prioriteti kryesor strategjik i Rusisë në rajon ishte për të siguruar qasje në Mesdhe përmes Detit të Zi, duke synuar dobësimin e kontrollit osman në grykën e Bosforit dhe ngushticën e Dardaneleve.

Në kuadër të kësaj strategjie, Rusia ndihmoi dhe mbështeti kryengritjet lokale kundër sundimit osman, sidomos të popujve sllavo-ortodoksë dhe krijoi aleancën sllavo-ortodokse, ndërkaq me përpjekje të përbashkëta diplomatike, hapi rrugën kryesore për avancimin e interesave të saj në këtë hapësirë. Duke i lidhur fijet e interesave strategjike me ato etno-kulturore, ajo, jo vetëm që e shikonte veten, por shikohej edhe nga të tjerët si mbrojtëse e natyrshme e shteteve të pavarura sllave që u formuan pas tërheqjes së Perandorisë Osmane gjatë mesit të shekullit XIX.

Rëndësia e këtij roli historik të Rusisë në kuptimin e statusit të saj si fuqi e madhe, ka qenë dhe është një temë e përsëritur e përfshirjes së saj në Ballkan, si dhe karakteristikë e gjeopolitikës së saj tradicionale, të cilën studiuesi Stefan Kotkin e ka emëruar si “Gjeopolitika e përhershme ruse”.

Në manifestin e tij politik, Car Nikolla II, lidhur me vendimin e Rusisë për të hyrë në luftë në mbrojtje të Serbisë, bëri një lidhje në mes nderit dhe statusit të saj si fuqi e madhe. Ai pati deklaruar se Rusia është e lidhur ngushtë me popujt sllavë me anë të besimit dhe gjakut dhe ajo është besnike ndaj traditave të saj historike, andaj nuk mund të rrijë indiferente ndaj fatit të tyre, duke shtuar se Rusia duhet ta mbrojë nderin, dinjitetin, integritetin dhe pozitën e saj në mesin e fuqive të mëdha.

Gjatë periudhës sovjetike, në terma relativë, ndikimi rus në Ballkan ishte zbehur pjesërisht. Kjo zbehje e influencës kishte ndodhur për shkak se udhëheqja sovjetike në këtë kohë pretendimet e saj për një rol kryesor i kishte bazuar në parullën e “internacionalizmit proletar” si ideologji dhe jo në besimin apo përkatësinë etnike. Por, fundi i komunizmit rriti  interesin për të rindërtuar të menduarit e epokës cariste të Rusisë, duke përfshirë edhe idenë e një përgjegjësie të veçantë ndaj Ballkanit, e lidhur ngushtë me nocionet e madhështisë kombëtare dhe origjinës etnike.

Tani më tendencat për t’i përdorur faktorët etnikë dhe kulturorë sidomos në Ballkan përbëjnë boshtin kurrizor të strategjisë së politikës së jashtme ruse, që bazohet në euro-aziatizmin dhe në rrymat e mendimit sllavofil.

Federata ruse e ka të qartë se mosmarrëveshjet etnike në rajonin e Ballkanit janë prirje të forcave historike dhe nuk fashiten lehtë, pavarësisht perceptimit në pamje të parë se këto prirje kanë pushuar përkohësisht pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Andaj, në interesin e saj ajo po punon me përkushtim në riformatimin e aleancës ortodokse sllave, e cila mbetet një rrugë e sigurt për përmbushjen e strategjisë së saj.

Rusia në mënyrë të qartë i sheh shtetet sllave në Ballkan si një aset të çmueshëm dhe të rëndësishëm në këtë luftë politike, duke përforcuar kështu pretendimet e saj për një rol udhëheqës në rajon dhe dëshirën për të ekuilibruar apo penguar programin e integrimeve euro-atlantike për rajonin.

Në kontekstin e kësaj ambicieje, dimensioni ideologjik për Putinin është i një rëndësie të veçantë, i sistemuar si kurrë më pare, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Rusia ka edhe arsye krejtësisht të prekshme për sa i përket Ballkanit si një zonë me interes strategjik. Kjo përfshin praninë tregtare në rritje në ekonomitë e disa vendeve të Ballkanit, ku ajo ka përfituar nga programet e privatizimit, duke u bërë një investitor dhe partner i rëndësishëm tregtar.

Blerja e sektorëve të energjetikës dhe investimet ruse në këto segmente, kanë siguruar lidhje thelbësore në mes elitës shtetërore ruse dhe atyre të shteteve të Ballkanit. Një nga vlerësimet më të rëndësishme për Rusinë, është roli që rajoni luan në sistemin energjetik evropian, si një rrugë transiti për pjesën tjetër të Evropës. Një tjetër prioritet që e plotëson të parin është sprova për të kultivuar aleanca të besueshme dhe të gatshme për të mbështetur qëndrimet e saj diplomatike në forumet e rëndësishme ndërkombëtare.

Ndaj dhe përpjekjet për të nxitur marrëdhënie më të ngushta kanë qenë më të dukshme me vendet që kanë pasur lidhje më të dukshme dhe të forta historike e kulturore me Rusinë, si Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, Republika Sërbska në Bosnjë e Hercegovinë dhe IRMJ. Por, edhe në Kroaci dhe Slloveni, Rusia ka qenë në gjendje për të çuar përpara interesat e saj dhe të sigurojë mbështetje politike të nivelit të lartë për elemente të rëndësishme që shtyjnë agjendën e saj në Ballkan. Jashtë kësaj agjende dhe rikonsolidimit të marrëdhënieve nuk ka mbetur as Greqia.

Qasja e favorshme e Rusisë është se ajo nuk mbështetet në masë të madhe në një instrument të vetëm të politikës, për të arritur qëllimet e saj. Instrumentet që ajo përdor janë të ndryshme, duke filluar nga ai energjetik, ekonomik, politik, diplomatik, ushtarak dhe në çështjet kulturore të popujve sllavë të rajonit. Këto instrumente përdoren shpesh edhe në mënyrë të kombinuar dhe përzierja e tyre është përshtatur me kërkesat e çdo tregu kombëtar.

Për dallim nga rajonet e tjera, në Ballkan Federata Ruse është mbështetur në konceptin e fuqisë së butë. Kjo rëndom ndodh sepse pa një kufi të përbashkët ose një diasporë të konsiderueshme etnike-ruse, taktikat shtrënguese që u përdorën në Gjeorgji dhe Ukrainë nuk janë të zbatueshme në Ballkan. Kështu që në vend të kësaj, Rusia është përqendruar në iniciativa të projektuara për të gjeneruar stimuj ekonomik në një nivel të lartë.

Këtu duhet përjashtuar vetëm territorin e Serbisë, respektivisht në Nish, ku Moska ka dislokuar qendrën për shërbimin e saj inteligjent për Ballkanin, dhe po synon të dislokohet ushtarakisht me bazë ushtarake edhe në Luginë të Preshevës. Rusia dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje ushtarake pesëmbëdhjetë vjeçare, që përfshin shkëmbimin e informacionit të inteligjencës, oficerëve ushtarakë, blerje armatimi nga Moska dhe stërvitje të përbashkëta. Po ashtu, Serbia ka statusin e vëzhguesit në Organizatën e Traktatit për Siguri Kolektive, një institucion që vepron si kundërpërgjigje e Rusisë ndaj NATO-s. E gjithë kjo gamë e gjerë kundrejt Strategjisë Transatlantike është një indikator domethënës se Rusia ka për synim ta fusë në veprim skenarin e Kubës të vitit 1962 brenda një periudhe dhjetëvjeçare.

Padyshim, Rusia ka të drejtë si çdo vend tjetër për të ndjekur interesat e saj kombëtare, por qëllimet dhe metodat e saj në Ballkan dhe gjetiu paraqesin një sfidë të veçantë ndaj vlerave demokratike e sidomos ndaj rregullave e institucioneve të dala nga parimet e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian në koordinim me SHBA-të duhet ta hartojë dhe ta ofrojë për miratim një strategji për Ballkanin që pasqyron interesat e përbashkëta evropiane, kryesisht duke nxitur përmbushjen e vlerave dhe normave themelore për një projekt më të gjerë të integrimit Euro-Atlantik.Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet standardit të qeverisjes, luftës kundër korrupsionit, zhvillimit të sektorit të energjetikës konkurruese si dhe bashkëpunimin më të ngushtë dhe sanksionimin e shteteve që shkelin këto norma. Qëllimi primar duhet të jetë për të garantuar progresin demokratik të rajonit dhe parandalimin e metodave të “putinizmit”, të cilat po importohen dalëngadalë në Evropë nëpërmjet derës së pasme.

Ndikimi rus në Ballkan komplikon tashmë aftësitë e BE-së për të zhvilluar politika të përbashkëta të jashtme, sidomos kur bëhet fjalë për sigurinë energjetike dhe për të trajtuar sjelljen e politikës së jashtme ruse. Ambasadori i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, në një prononcim të tij përshkroi Bullgarinë si “Kali i Trojës” për interesat e Moskës në Bruksel. Ky deklarim i tij duket se ka disa baza të forta, pasi ndikimi pro-rus brenda partisë socialiste bullgare e ka bërë Bullgarinë, përkundër asaj që është anëtare e BE-së, të ngurrojë për të marrë në konsideratë sanksionet e rënda ndaj Rusisë, pas aneksimit të Krimesë. Një qëndrim të ngjashëm me Bullgarinë ka mbajtur edhe Greqia dhe Sllovenia, edhe pse kjo e fundit, tradicionalisht ka qenë një vend jo rusofil, por për shkak të faktit që ajo ka krijuar lidhje të ngushta ekonomike me Rusinë.

Këto probleme rrezikojnë të përforcohen në qoftë se Serbia hyn në BE me shtrirjen e saj aktuale të politikës së jashtme, si një aleat besnik dhe partner strategjik i Rusisë. Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq ka deklaruar dhe ka mbajtur qëndrim institucional se ai dëshiron që Serbia të bëhej “shtyllë kurrizore e Rusisë në Europë”. Në këtë rast ai ka mbajtur premtimin e tij për të mbështetur interesat ruse, duke refuzuar të zbatojë detyrimin e Serbisë, si një kandidat i mundshëm i BE-së, në një vijë me vendimin e kolektiv të BE-së, për të mbështetur integritetin territorial të Ukrainës dhe zbatimin e masave të sanksioneve kundrejt Rusisë.

Po ashtu edhe udhëheqja e Republika Sërbskës mbajti po të njëjtin qëndrim. Ajo përdori veton e saj për të parandaluar Bosnjën e Hercegovinën nga zbatimi i masave të BE-së.

Duke pasur parasysh natyrën e gjerë dhe të pakufizuar të raporteve ruso-serbe, është e qartë se BE do të ketë probleme të konsiderueshme dhe çështje të rëndësishme për të trajtuar përpara se pranimi i Serbisë të mund të konsiderohet real. Brukseli nuk duhet ta perceptojë politikën serbe si një politikë të një vendi neutral përderisa qeveria serbe asnjëherë nuk ka pasur hezitim për t’i vënë interesat e Evropës përpara atyre të Rusisë.

Nga kjo politikë e Federatës Ruse dhe kuajve trojanë të saj, Bashkimi Evropian do të ketë konsekuenca dhe implikime të dukshme. Në rastin më të keq, ambiciet për një Rusi të Madhe, të shfaqura nga presidenti i saj Putin, si një e drejtë për t’i kthyer tokat e populluara nga rusët etnikë në mëmëdheun e tyre, qoftë edhe me forcë, kanë filluar që t’i rindezin veprimet strategjike për një Serbi të Madhe. I ashtuquajturi, miti i një kombi të “ndarë padrejtësisht”, duke e marrë si shembull rastin e Rusisë nga “katastrofa gjeopolitike”, e kolapsit të Bashkimit Sovjetik, është bërë një nga temat më të rëndësishme në elitat politike dhe akademike serbe, të cilat po e përhapin në masat e gjera popullore, e sidomos te minoritet serbe jashtë territorit të Serbisë.

Rreziku që Serbia mund të joshet për të kopjuar qasjen e Rusisë tani më është bërë evidente sidomos pas forcimit të lidhjeve të saj më të ngushta ushtarake me Rusinë, duke inkurajuar besimin se Moska mund të mbështesë në mënyrë aktive Beogradin në rast të ndonjë konflikti në të ardhmen, pas dislokimit në Nish dhe Luginë të Preshevës.

Kroacia, Mali i Zi dhe IRMJ janë bukur shumë të ekspozuara dhe të kërcënuara nga kjo strategji e ringjallur serbomadhe. Por shqetësimi është më i prekshëm në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Republikën e Kosovës, ku Rusia ka përdorur ndikimin e saj në favor të Serbisë në hartimin dhe më vonë në interpretimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare: atë të Dejtonit dhe Planin e Ahtisarit.

Që të dy këto marrëveshje, minoritetit serb, si në Bosnjë e Hercegovinë, ashtu dhe në Republikën e Kosovës i japin të drejtën e vetos, e cila po përdoret për të parandaluar qeverinë federale të Sarajevës dhe qeverinë e Prishtinës për të marrë qëndrime strategjike, qofshin ato ndryshime kushtetuese apo vendime në kuadër të përafrimit më Perëndimin. Pra, të dyja këto marrëveshje janë një kallo e favorshme, të cilat aq sa janë në duart e Serbisë, po aq janë edhe në duart e Rusisë.

Në një të ardhme të parashikuar, skenari Gjeorgjisë dhe i Ukrainës do të jetë në tavolinën e shegertit rus në Ballkan.


Mercenarizmi i mbështjellë me petkun e patriotizmi

Kushtrim Bekteshi

 

Ngjarjet e fundit në Turqi, përveç se shkaktuan debate e komente të pafundme, shumica pa sens logjik, nxorën në pah edhe tendencat e ‘intelektualëve mercenarë’ të instaluar në shoqërinë tonë, detyra primare e të cilëve ka qenë dhe është, që sa herë që t’iu jepet rasti, të krijojnë ndasi e të shkaktojnë konflikte ndërshqiptare.

Tezat e sajuara për ekzistimin e fobisë ndaj islamit te shoqëria shqiptare, e së fundmi edhe fobisë ndaj kombit turk, nuk janë gjë tjetër pos manipulime të radhës që këta mercenarë e kanë për detyrë ta servojnë për debat dhe ta aktualizojnë ditë për ditë nëpër mediat e shkruara dhe elektronike. Gjithsesi, nuk mund t’u mohohet suksesi që kanë arritur në jetësimin e kësaj agjende, dhe fajin për këtë e kemi të gjithë ne që kemi lejuar të kapemi në kurthin e këtij debati të imponuar, që nuk po arrijmë dot ta çrrënjosim e ta shuajmë.  Ishim shumë më mirë pa këto debate që vetëm ndasi krijojnë e kurrfarë dobie nuk sjellin. Ishim shumë më të përqëndruar në prioritetet tona si shoqëri, si komb dhe sigurisht shumë më të relaksuar, më paqësorë dhe më të drejtorientuar në përcaktimin fetar, cilido qoftë ai. E tani, kemi lejuar që të katandisemi si mos më keq.

Besoj të gjithë i kemi ndjekur komentet, statuset, opinionet, debatet agresive për religjionin që po zhvillohen tash e sa kohë dhe që janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Por, sa nga komentuesit, opinion-bërësit, gazetarët e status-shkruesit nëpër rrjetet sociale ndalen pak për ta analizuar zanafillën e debatit religjioz te ne?! Kush po e imponon këtë debat dhe kush po përfiton nga ky debat? A e kujton ndonjëri prej jush, se a kanë ekzistuar këto debate ndërmjet shqiptarëve jo me larg se para çlirimit të Kosovës? Unë me sa e kujtoj: NUK KANË EKZISTUAR FARE! Përkundrazi, për religjionet as që është debatuar, sepse në shoqërinë shqiptare gjithmonë çështja e besimit është trajtuar si e drejtë e pakontestueshme. Përveç kësaj, çfarë është edhe më e rëndësishme, përkatësia kombëtare asnjëherë nuk është ngatërruar me religjionin nga vetë fakti se kombi dhe religjioni përfaqësojnë dy çështje të ndryshme: e para është kolektive dhe e dyta është individuale, dhe duke qenë të tilla, nuk varen e as nuk rrezikohen nga njëra-tjetra. Ashtu është edhe sot dhe kështu do të mbetet çdoherë, pavarësisht asaj që çdo ditë e më shumë ‘intelektualët mercenarë’ po ngacmojnë ndjenjat e njerëzve dhe po përpiqen me ngulm që t’i bindin disa shqiptarë të konfesionit islam se qarqe të ndryshme islamofobe duan t’ua cenojnë lirinë e besimit, se duan t’i zhdukin nga faqja e dheut, e prandaj shqiptari mysliman i devotshëm duhet t’ia dëshmojë besimin Zotit duke përqafuar ekstremizmin e fanatizmin fetar që ta mbrojë fenë dhe nderin e familjes.

Të gjitha këto deklarata e fakte të kamufluara që na servojnë këta mercenarë janë gjepura, po ja që shumë njerëz po bien pre e kësaj propagande konflikt-nxitëse. Prandaj, secili nga ne, para se te bëhet pjesë e këtyre debateve, duhet ta pyesë veten kujt i shkon për shtati ky debat religjioz ndërshqipar? Përgjigjen e gjeni tek pyetja: kush janë kundërshtarët e përbetuar të mirëqenies së shqiptarëve në Ballkan, e në historinë tonë më të re – kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës dhe të drejtave kolektive të shqiptarëve të trojeve? Duke e gjetur këtë përgjigje (që besoj se secili e di), do ta kuptoni lehtë edhe kush janë nxitësit, sponsoruesit dhe mbështetësit e ‘intelektualëve mercenarë’ që na mbijnë si bar i keq në çdo sistem e epokë. Ndryshojnë kapelat e ngjyrat si kameleonë dhe duan të na fusin vazhdimisht në vorbullat e debateve të turbullta, me të vetmin qëllim, krijimin e konflikteve dhe ndasive ndërshqiptare dhe devijimin e shqiptarëve nga orientimi i tyre i natyrshëm pro-europian. Të jesh pro-europian nuk do të thotë se do ta humbasësh të drejtën dhe lirinë e besimit, përkundrazi, është garanci dhe forcim i asaj të drejte dhe lirie. Të jesh kundër ekstremizmit fetar nuk do të thotë se ke fobi ndaj fesë, përkundrazi dëshmon se je kundër keqinterpretimeve dhe keqpërdorimit të fesë për qëllime të pista. Të jesh kundër ideologjisë neo-otomane ku islami shfrytëzohet për arritjen e qëllimeve politike (i ashtuquajturi islam politik), nuk do të thotë se je kundër kombit turk.

Tani, pas ngjarjeve të fundit në Turqi, sikur nuk na mjaftoi rënia në kurthin e debatit religjioz, por lejuam të katandisemi edhe në debate pro e kontra erdoganiste, në etiketime turkofile e turkofobe. Duke shfletuar portalet e faqet e gazetave të ndryshme, hasa në etiketime të tilla edhe në shkrim-komentet e Kim Mehmetit. Sapo lexova komentet e tij për ngjarjet e fundit në Turqi, sesi  më erdhi sikur dëgjova një tingull meteliku që hidhet në një xhep dhe bën ‘crrring’, tingull i ftohtë i një lire ari 24 karatëshe që i mbanin nuset dikur e që  besoj se edhe sot ende shiten nëpër dyqanet e Stambollit. E tani, pse na e nxori kokën Kimi Mehmeti në këtë debat pro e kontra erdoganist? Siç nuk e kujtoj të kenë ekzistuar debatet fetare te shqiptarët para çlirimit të Kosovës, ashtu edhe nuk e kujtoj që Kim Mehmeti para dhe pas shpërbërjes së federatës jugosllave të jetë shquar ndonjëherë për ndonjë veprimtari patriotike. Po me që ne shqiptarët harrojmë shpejt, përveç tij mund edhe dikush tjetër të bëj bé e rrufe se ai gjithmonë ka qenë patriot. Mund të gabohem, ndoshta edhe ka qenë pak patriot, anipse nuk iu dëgjua asnjëherë zëri i protestës në periudhat më të zymta për shqiptarët e Maqedonisë pas shkëputjes nga ish federata jugosllave, kur pushteti policor i Gligorovit dhe Cërvenkovskit diskriminonte, rrihte, burgoste e vriste shqiptarë për çdo ditë. Ndoshta po t’i kishte Kimi portalet që i kontrollon sot, do ta kishte ngritur zërin!!! Ndoshta!!! Po, nejse. Nëse nuk ka qenë fare patriot më parë, mund edhe t’i falet, meqë u bë patriot i madh pas konfliktit të 2001- shit në Maqedoni, atëherë kur gati sa nuk e bëri tatuazh emblemën e UÇK-së e sa nuk i çjerri kordat e zërit duke folur në superlativ për Ali Ahmeti-n. Po çfarë ndodhi pastaj me dashurinë që shprehte ndaj Abaz Xhukës?! Pse pas disa vitesh doli publikisht e i kërkoi gjithë shqiptarisë falje që i kishte thurrur lavde Ali Ahmeti-t, e ai e paska zhgënjyer thellë?! A e kishte zhgënjyer thellë Aliu sepse e kishte lënë duarthatë, apo e kishte zhgënjyer thellë sepse e kishte tradhtuar idealin kombëtar me aktin e këputjes se lidhjeve të pushtetit me LSDM-në e Cërvenkovski-t?! Cila është e vërteta, mbetet të shihet!

Që Kim Mehmeti ka qenë “druzhe Kim”, e pastaj koha ia imponoi të quhet “zotëri Kim”, për këtë ai s’ka faj, ndryshimi i sistemeve ia imponoi. Por që Kimi do të na bëhet edhe “efendi Kim”, kush do ta kishte parashikuar?! Kush, pashë perendinë, do ta besonte që Kimi na paska qenë mysliman i devotshëm dhe mbrojtës i të gjithë myslimanëve shqiptarë nga islamofobët botërorë e shqiptarë. Si ka arritur për aq shumë vite ky martir i heshtur ta mbajë e ta ruajë përbrenda me kaq fanatizëm këtë dashuri për Zotin dhe islamin dhe ta shfaqë mu tani në kohën dhe momentin e duhur historik, kur islami nuk na paska qenë kurrë më i rrezikuar nga islamofobët shqiptarë, që shkojnë aq larg sa marrin guximin edhe të komentojnë e të kritikojnë veprimet e Erdoganit. “Kanë sharë baba sulltanin, HEEEJ” – sikur dëgjoj  klithjet e Kim Efendi Mehmetit drejtuar militantëve fanatikë, e mëpastaj lëshon alarmin “përgatisni turrën e drurëve e t’i djegim heretikët e kombit”. Duke analizuar devotshmërinë e tij ndaj Zotit, ndoshta erdha në një konkluzion të saktë: me siguri këtë dashuri për Zotin e ka ruajtur në heshtje me dekada, njëlloj siç e ka ruajtur në heshtje me dekada edhe patriotizmin që e ka shfaqur pikërisht në kohën kur kombi ka pasur më së shumti nevojë për të. Vërtet të ngazëllehesh nga martirizimi i këtij shpirti të vuajtur ndër dekada për komb e për fé. Pirolla të qoftë o Kim Efendi Mehmeti! Po të thellë e të fortë i paske pasur ata xhepa durimtarë, që në karrierën tënde prej “intelektuali të pavarur” u torturuan me dinarë e denarë, euro e dollarë, e tani edhe me lirat e Turqisë! Çudi si po të durojnë ende e nuk po të shqyhen ato xhepa!

Për ju  që nuk i keni lexuar shkrim- komentet e Kim Mehmetit, ja një shkëputje citatesh: “Disa qendra me ndikim të madh opinionbërës në “Shqipëritë” tona, e veçanërisht në Kosovë, mbetën në duart e antifetarëve, të cilët vazhdojnë që – njësoj si në socializëm, kur çdo gjë e kontrollonin qarqet antishqiptare ideologjike sllave – patriotizmin shqiptar ta ndërtojnë mbi parimet antifetare, e kryesisht mbi ato antiislame! ”, dhe në një shkrim tjetër: “…të jesh i vetëdijshëm se po ua hoqe antiturqizmin dhe antiislamizmin, ata nuk do mundë ta sigurojnë as bukën e gojës, e le më të bëjnë karrierë politike, apo të shkruajnë analiza politike dhe të dalin në debate televizive!” E unë tani po pyes: çka do të mbetet nga Kim Mehmeti po ia hoqe mercenarizmin? Kur hajni akuzon për hajni, tradhtari për tradhti, komunisti për komunizëm, e mercenari për mercenarizëm, s’ka ku të shkojë më keq. Pirolla të qoftë o Kim Efendi Mehmeti!

Kim Efendi Mehmeti nuk po ndalet në ofenzivën e tij “patriotike”, po i fryen me të madhe zjarrit të debatit religjioz, po e etiketon si islamofob e turkofob çdo shqiptar që nuk pranon ta përziejë e ta shkrijë traditën shqiptare me ndonjë traditë të huaj, po luan me të madhe me ndjenjat e sinqerta të atyre që vërtet besojnë në Zot e fatkeqësisht bien në grackën e manipulimit të tij. Me shkrimet e tij po i jep kurajo rritjes së ekstremizmit fetar dhe po e favorizon me të madhe instalimin e islamit politik në shoqërinë shqiptare. E deri ku dëshiron të arrijë me këtë ofenzivë jeniçere kundër fortifikatave të kombit të vet, këtë do ta tregojë koha. Por që është duke i fryrë me të madhe zjarrit, po i fryen e s’po ndalet asnjë ditë. Por, thotë urtësia popullore: “kush i fryen zjarrit, digjet vetë në të”!

 


Kjo Dashuri!…

10 korrik… Sy të mbyllur plotësisht, ndërsa sytë e saj kanë mbetur hapur, përjetësisht. Sy që flasin, që kanë folur e do flasin. Vështrime kthyer në vargje, tregime, romane, drama. Një jetë shkruar brenda tyre. Jeta e saj. Dhe një gojë e hapët që nuk rresht së klithuri, “Puthmë!”