Maqedonia duhet shikuar nga prizmi i procesve ndërkombëtare

Intervistë me Albulenë Halili-n, ekskluzivisht për obshtestvo.net.

Realizoi në shqip: Anton Pançev

 

  1. Evropa u trondit nga ngjarjet në Maqedoni. A ishte i organizuar sulmi i Kuvendit nga funksionarë të ndonjë partie politike apo ishte një veprim i huliganëve?

A.H: Sulmi në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill të këtij viti, vërtetoi përfundimisht se rruga qorre ku gjendet Maqedonia tash e sa kohë, nuk duhet cilësuar e trajtuar vetëm si krizë politike. Mosreagimi i forcave të rendit ndaj dhunimit të organit më të rëndësishëm e demokratik të një shteti, përdorimi i forcës ndaj përfaqësuesve të popullit e mediave, tentim-vrasja me paramendim ndaj një lideri politik shqiptar, janë indikatorë se në Maqedoni ekziston konflikt i manifestuar asimetrik identitar e ideologjik i cili më 27 prill ka eskaluar.

Kjo përbën shpërfaqje të mendësisë posesive shtetërore maqedonase të shtresuar me vite që nga pavarësimi jolegjitim i këtij shteti. Pra, gjithçka është në rregull përderisa shqiptarët janë të sunduar e në rang të dytë, por kur ata kërkojnë të jenë të barabartë dhe element shtetformues i këtij shteti, kjo është e papranueshme dhe për këtë ata janë në gjendje ta rrënojnë edhe vetë shtetin.

Skenat që tërë bota pa përmes ekranit dhe mediave sociale janë dëshmi e pakontestueshme e gjendjes së përditshme që qytetarët jetojnë vite me radhë në këtë shtet, me të vetmin dallim – përderisa qytetarët e tjerë ndjehen të diskriminuar e të kërcënuar nga ky regjim, fakti i të qenit shqiptar dyfishon diskriminimin e kërcënimin, duke e shpjerë atë në stade ekzistencialiste.

 

  1. Si është gjendja e deputetëve të lënduar dhe kur Kuvendi do ta vazhdojë punën? A ka gjasa të krijohet qeveri në javët e ardhshme?

A.H: Përdorimi i turmave dhe popullit qoftë për mësymje apo për mbrojtje vetanake, përbën aktin më qyqar dhe vogëlsinë e aktorëve të padenjë për llogaridhënie, dialog apo edhe konfrontim të qytetëruar e beteja demokratike.

Dhuna deri në kufijtë e skajshëm të jetës, ndaj deputetit shqiptar Sela, nuk ka motiv politik, por kryekëput etnik. Është mjaft e rëndësishme të theksohet se thelbi i këtij rrëfimi është porosia se sulmi i vërtetë bëhet ndaj shqiptarit të lindur në Strugë e shkolluar në Prishtinë e Tiranë, shqiptarit intelektual e vertikal, atij që ngre zërin për veten kolektive, që thotë të vërtetën troç e pa ngjyrime të paqena post-moderniste apo ideologjike.

Po ashtu, ngjarja e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë ka elemente të kombinuara gjenocidi dhe terrorizmi. Gjenocidi, sepse ka qenë i motivuar nga motive etnike dhe pikësynim ka pasur shqiptarin si të tillë; dhe terrorizmi, sepse ka synuar ndjelljen e frikës (Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara përkufizon terrorizmin si “përdorimi i përllogaritur i dhunës së paligjshme ose kërcënimi i dhunës së paligjshme për të ndjellë frikën; me qëllim që të detyrojë ose të frikësojë qeveritë ose shoqëritë në ndjekjen e qëllimeve që janë përgjithësisht politike, fetare apo ideologjike”).

 

  1. Si, sipas Jush, duhet të procedojnë partitë shqiptare në kontekstin e përpjekjeve të vazhdueshme të VMRO-së për bllokimin e krijimit të qeverisë së re? A do të vazhdojë bashkëpunimi mes partive shqiptare nga njëra anë, dhe mes tyre dhe LSDM-së, në anën tjetër?

A.H: Në mesin e këtij udhëkryqi me shumë probleme, shqiptarët duhet ta ndjekin rrugën e tyre. Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, për herë të parë partitë politike në Maqedoni arritën të tejkalojnë çdo mospajtim dhe kundërshti politike dhe të merren vesh për një qëllim që tejkalon çdo interes personal e partiak. Ata nënshkruan Deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni, ndërkaq u zotuan edhe për krijimin e një mekanizmi për mbikëqyrjen e përmbushjes së këtyre objektivave, që do të jetë Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare. Pra, shqiptarët kanë hedhur zarin. Ata kanë shtruar kushtet e tyre dhe duhet të jenë konsistentë dhe të paluhatshëm në këtë qëndrim të përbashkët. Për më tepër shqiptarët janë në vijë me çdo kërkesë të shtruar ndaj Maqedonisë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe në ngjarjet e Kuvendit shqiptarët në përgjithësi, përfshirë këtu popullin por edhe elitën politike janë treguar të matur, nuk kanë lejuar të manipulohen, kanë qenë unikë për sa i përket interesit kombëtar shqiptar, por edhe në koherencë të plotë me qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare.

 

  1. Të vazhdojmë me proceset në Bllokun shqiptar – a do të përkrahet “Platforma shqiptare” deri në fund apo do të kërkohet ndonjë rrugë tjetër për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni?

A.H: Së pari, Maqedonia ka krizë ontologjike, pra që ka të bëjë me natyrën e qenies së saj dhe është e rrënjosur mbrapa në kohë, që nga pavarësimi i saj si shtet. Shteti i Maqedonisë është pavarësuar nga ish-Jugosllavia pa marrë parasysh vullnetin e 1/3 të qytetarëve që jetojnë në këtë shtet. Vini re se shqiptarët kanë bojkotuar referendumin e Maqedonisë për pavarësi. Kjo e bën procesin krejtësisht jolegjitim. Që në preambulën e kushtetutës së këtij shteti, thuhet se pronësia e shtetit i takon popullit maqedonas, ndërkaq aty mund të jetojnë edhe qytetarë të tjerë që janë pjesë e popujve fqinjë. Ky fakt e bën Maqedoninë shtet unitar monoetnik atipik.

Kriza e dytë, e cilësuar si krizë politike, ka filluar në fund të vitit 2014, dhe ka ardhur si pasojë e moszgjidhjes së krizës së parë. Me kohë kjo krizë ka marrë trajtën e një krize hibride, ku janë pasqyruar problemet ekonomike, diferencat politike, madje deri në përmasa të përplasjes ideologjike për identitetin dhe konceptin e shtetit.

Gjendja e shqiptarëve në Maqedoni nuk ka dalluar shumë, qoftë kur kanë udhëhequr socialdemokratët apo konservatorët. Qëndrimi ndaj shqiptarëve është shtetëror e jo partiak.

Dua ta theksoj se më ka habitur fakti që në mesin e kërkesave në deklaratën e përbashkët, s’gjendet regjistrimi i popullsisë, meqenëse konsideroj se mu ajo është nyja gordiane prej nga duhet të nisë përfundimisht zgjidhja e krizës ontologjike të këtij shteti.

 

  1. A tensionohen shumë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni për shkak të krizës politike? Sipas mendimit Tuaj, a ka rrezik nga një konflikt qytetar mbi bazë etnike?

A.H: Nomenklatura politike në Maqedoni është e ngarkuar psikikisht me një mendësi ideologjike të shekullit të kaluar dhe si pasojë e saj, ka ngecur edhe transformimi i kulturës politike. Mungesa e transformimit të kulturës politike në një shtet shumëetnik prodhon antagonizma etnike, ekonomike, psikologjike të cilat pastaj manifestohen me veprime primitive, që padyshim prishin ekuilibrin shoqëror.

Më shumë se një milionë shqiptarë të Maqedonisë kërkohet të jenë lojalë të një shteti i cili lëre që s’përfaqëson asnjë shqiptar dhe asgjë shqiptare, por madje është antishqiptar që në gjenezën e krijimit të tij. Lojaliteti i shqiptarëve të Maqedonisë i shprehur përmes politikave integruese dhe parimit të “pranisë së papranishme” nëpër institucione, qëllim final ka etnicizimin e një nocioni thjesht gjeografik dhe krijimin e një kombi politik maqedonas bashkë me shqiptarët si një e keqe e domosdoshme.

Gjatë krizës së fundit shquhet një prirje e theksuar për sinkronizim të problemeve të shqiptarëve dhe maqedonasve. Është e vërtetë që ne të dy palët, do s’do, me vetë faktin që jetojmë nën të njëjtin juridiksion, po e vuajmë zhytjen e shtetit në autoritarizëm, ngërçin në institucione, inkriminimin e politikanëve, mosfunksionimin gjyqësor, por për dallim nga maqedonasit, shqiptarët janë përballur me këto sfida gjatë gjithë kohës, madje duke u mbivendosur me problemet ekzistenciale tonat. Institucionet jo vetëm që s’kanë punuar për ne, por madje kanë punuar kundër nesh.

Tendenca për solidarizim ka për qëllim neutralizimin e çështjes shqiptare në Maqedoni dhe kamuflimin e kauzës sonë përmes përplasjeve të tyre për pushtet dhe shpëtimin e shtetit.

 

  1. Në disa gazeta bullgare kishte shkrime se grupe ekstremiste, kryesisht tifozë të organizuar, prej Serbisë kanë hyrë në Maqedoni që të marrin pjesë në trazirat qytetare. A ka të vërteta në këto informacione?

A.H: Nuk duhet nënvlerësuar assesi ndikimin e madh që kanë shtetet fqinje në radhë të parë, të cilat ndjekin doktrinat e tyre tradicionale, por as atë të aktorëve të tjerë joshtetërorë apo edhe ndikimin që fuqitë si Turqia e Rusia kanë në Ballkan për interesat e veta kombëtare gjithsesi.

 

  1. Si duhet të veprojnë fqinjët e Maqedonisë për qetësimin e situatës dhe si e vlerësoni rolin e faktorit ndërkombëtar?

A.H: Problemi i natyrës së jashtme, është kontestimi i qenies së këtij shteti nga të gjithë fqinjët e saj gjeografikë, përpos shqiptarëve: atyre jetojnë brenda saj, në Shqipëri në perëndim dhe në Kosovë në veri. Ky kontestim që i bëhet emrit të saj, identitetit, gjuhës dhe kishës, janë faktorë objektivë kyçë për ngecjen e saj në reforma dhe rrugën e saj euro-atlantike. Shqiptarët pa vullnetin e tyre kanë mbetur peng i problemeve të këtij shteti.

Qëndrimet dhe kërkesat e SHBA-ve, BE-së dhe në përgjithësi të faktorit ndërkombëtar ndaj Maqedonisë duhet shikuar në prizmin e zhvillimeve aktuale ndërkombëtare. Pas Brexit-it dhe fitores së Trampit, bota po ecën drejt konceptit realist në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe parimeve të sistemit vestfalian. Këto zhvillime s’do mend që pasqyrohen në mbarë botën, por sidomos në Ballkan, ku takohen sferat e influencës Perëndim-Rusi. Diplomacia multilaterale, jo vetëm e shteteve të botës por edhe atyre në Ballkan, çdo ditë e më shumë po i lëshon vendin diplomacisë bilaterale dhe përforcimit të aleancave tradicionale. Rreshtimet dhe rirreshtimet gjeopolitike kanë ndikim të patjetërsueshëm në çdo ngjarje dhe agjendë politike aktuale.

Kërkesa e komunitetit ndërkombëtar për krijimin sa më të shpejtë të një qeverie në Maqedoni, ndodh për shkakun se kërkohet një kohë e ndërmjetme për ta mbajtur stabile Maqedoninë e tërë Ballkanin deri sa zhvillimet dhe politikat ndërkombëtare të profilizohen dhe të marrin një trajtë konstante.

Është hera e fundit që do të na lejohet përdorimi i togfjalëshit “Maqedonia në udhëkryq”. Mendoj që përfundimisht kjo është pika zero për Maqedoninë. Ajo duhet të fokusohet sa më parë në gjetjen e zgjidhjeve të brendshme afatgjata, që të fillojë zgjidhjen e kontesteve të jashtme të cilat i ka me të gjithë fqinjët përveç se me shqiptarët. Madje edhe në Dekleratën e përbashkët, te pika pestë – zgjidhja e çështjes së emrit dhe pika gjashtë – marrëdhënie të mira me fqinjët, kanë paraparë klauzolën “përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë, respektivisht Bullgarinë”.

Maqedonia duhet shikuar si hapësirë, tërësi dhe shtet kyç për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Ky në të vërtetë edhe ka qenë qëllimi përse ky “shtet-tampon” është krijuar. Andaj, nuk guxojmë që problemin e këtij vendi ta trajtojmë të mbyllur brenda një guaske e të izoluar nga zhvillimet në rajon e më gjerë. Njëkohësisht duhet të kihet parasysh se zgjidhjet e brendshme të saj do të determinojnë edhe orientimin e saj të ardhshëm gjeopolitik por edhe implikimet rajonale.


Urrejtja sllave si shpatë Damokleu

Vjollcë Berisha

 

Derisa të gjithë, me të drejtë, po flasin për rrënimin e demokracisë nga turma euforike mu në hapësirat prej nga do të duhej të buronin gjedhet më të shëndosha të saj, më bie ndërmend se në sulmet e fundit ndaj Kuvendit të Maqedonisë, si një ujë nëntokësor, mund të ndihet edhe rrjedha e fshehtë e gjithë kulturës politike të vendit, rrjedha e ngjarjeve të panumërta që ravijëzojnë historinë e këtij vendi e që gjithherë pleksen me raportet e brishta ndëretnike, që burojnë nga represoni sistematik institucional dhe joinstitucional i njërës palë ndaj tjetrës.

Në radhë të parë aty mund të lexohet qartë gatishmëria e maqedonasve për t’i shkuar në fund edhe rrënimit të shtetit, që vetëm e vetëm të parandalohet hapërimi i të drejtave bazike të shqiptarëve si komb shtetformues në këtë vend. Përtej orkestrimeve partiake për marrje të pushtetit, që mund të jetë qëllim i drejtpërdrejtë i një grupi të caktuar interesi, në sulmin e pashembullt të institucionit ligjdhënës mu në ditën kur për herë të parë në krye të këtij institucioni do të vinte një shqiptar, si shenjë e “zgjidhjes” së ngërçit te vjetër që e tejkalon moshën e këtij shteti, lexohet qartë urrejtja, mosdurimi i shtresuar thellë në qenien maqedonase ndaj shqiptarëve, urrejtje kjo që ndër dekada ka prodhuar ngjarje nga më të rëndat dhe më irracionalet që ka njohur Evropa.

Bir i së njëjtës urrejtje ka qenë acarimi i maqedonasve sa herë që përmendeshin Kosova e Shqipëria nga shqiptarët e këtyre anëve. Kushedi ç’mendime ogurzeza u ndillte shqetësimi apo bashkëndjenja me ta (sidomos me Kosovën), mendime që rrënjët i kishin thellë në ndërgjegjen e tyre, siç rëndojnë kurdoherë në ndërgjegjen e popujve faje të vjetra të pariparueshme. Ç’logjikë e mbrapshtë e vinte këtë popull të vogël të vihej në mbrojtje të vëllait të madh serb, duke urryer Kosovën, duke dënuar përpjekjen e saj për liri dhe duke e mbajtur tmerrësisht inat shqiptarin – që jetonte në një pallat me të, që shkonte në të njëjtën shkollë me të, që shihte të njëjtat programe televizive me të (pasi të vetat nuk lejohej t’i kishte), që edhe historinë e vet kombëtare e mësonte nga libra të hartuar keq, plot fyerje e gabime të qëllimshme, duke e dënuar rëndë ndjenjën e tij për ta dashur, për të bashkëndjerë me pjesën tjetër të trupit të vet që drejtohej nga e njëjta zemër e që në tavolina të mëdha konferencash, si një personazhi episodik, i qe shkruar shkarazi fati të ndahej me kufij të rreptë e të kuq hartash dhe jo vetëm?!

Nga po këto mëri të pashpjegueshme, si një atavizëm, vijnë edhe protestat maqedonase sui generis për MOSlejimin e përdorimit të gjuhës shqipe si të barabartë në shtet, si të ishte ajo një bishë që do t’i hante së fundmi të gjithë apo një sëmundje e rëndë ngjitëse që s’do t’u shqitej e do t’i bënte ta flisnin me patjetër të gjithë. Kjo rezistencë irracionale dhe ky qëndrim protestues ndaj një lirie elementare të Tjetrit, liri kjo që s’cenon të drejtën e askujt, është tregues i qartë se sa thellë e sa pa kuptim është ngulitur dëshira për ta mbajtur shqiptarin qytetar të rendit të dytë, madje edhe në kohërat kur kambanat bien nga të katër anët për nevojën e patjetërsueshme të elementit shqiptar në ruajtjen e shtetit në perspektivë, madje edhe kur subjekti që përfaqëson mandatari i ri i qeverisë, në emër të atdhedashurisë, i ka hedhur pas shpine veset e vjetra të urrejtjes së hapur dhe presionit.

As goditjet mizore me grushte, shqelma e gjësende të forta, prodhim i patologjisë psikike të një grupi njerëzish të mëkuar me urrejtje që në vegjëli dhe të një grupi tjetër kriminelësh të amnistuar nga burgu vetëm për përdorim të përkohshëm në gjakpirje, nuk mund ta befasonin e ta tronditnin thellë shqiptarin që është mësuar të goditet sistematikisht, në mënyrat më të ndryshme dhe më të veçanta, ndër dekada, me të vetmen arsye: që ishte shqiptar (Po a s’është ky përkufizimi i pranuar ndërkombëtarisht mbi gjenocidin!?).

Shqiptarin e sotëm e godasin akoma grushtet e vjetra. Shqiptarin e sotëm e godasin grushtet e fyerjeve, burgosjeve, inskenimeve të lloj-lloj situatave, që në kurriz të tij të ndihmohej zhbllokimi i akëcilit proces shkurtpamës, apo rënia e cilitdo pushtet, apo prishja e cilitdo koalicion qeveritar me partinë politike shqiptare, apo dyfishimi i forcave të një pretendenti për diktator të vogël donkishotesk në Ballkan.

Shqiptarin e sotëm e godasin pamundësitë për ta regjistruar popullin e vet (mosnjohja e saktë e numrit të popullsisë në vendin e vet), vështirësitë e pakuptimta që i dalin në marrjen e nënshtetësisë për shqiptarët e ardhur edhe pasi të jenë plotësuar kushtet më të larta, të cilat në gjithë Evropën pranohen si të mjaftueshme për të qenë nënshtetas.

Shqiptarin e godasin grushtet e ndarjes së padrejtë të buxhetit të shtetit, paçka se janë kontribues të barabartë me maqedonasit në të, moskthimi i parave në infrastrukturën e qyteteve të tyre, në arsimin, kulturën e shëndetësinë e tyre.

Shqiptarin e godasin fyerjet e shfrenuara, e godet pesha e rëndë e të jetuarit me njerëz që përditë mendojnë se si t’ia zënë frymën, me njerëz që përditë i ngjyrosin muret e tyre me parulla të egra që kërkojnë vdekjen e tij, pasi shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur, me njerëz që i mësojnë të urrejnë fëmijët e tyre, me njerëz që e kanë shndërruar në instinkt mosdurimin ndaj tij, ndaj gjuhës së tij, ndaj kulturës e historisë së tij, me njerëz që e mbajnë mëri edhe Evropën, e s’e kanë për gjë t’ia kthejnë shpinën, vetëm pse në kriza të mëdha ka ngritur zërin në mbrojtje të Kosovës kur po e masakronin e përdhunonin pamëshirshëm.

Grushtet që iu dhanë barbarisht deputetit Sela, ngaqë i artikulonte qartë kërkesat dhe nevojat akute të shqiptarëve, nuk e befasojnë shqiptarin. Atij vetëm sa ia lëndojnë ndjenjën më shumë, njësoj sikurse ia kanë lënduar gjithmonë me cilëndo shkelje a fyerje që i është bërë. Shqiptari nuk ka nevojë të shohë vetëm gjak për t’u irrituar. Ai është irrituar e lënduar që nga brohoritë e para përpara Kuvendit, që nga nismat e para të zërit protestues kundër përdorimit të gjuhës së tij, kundër pasjes së një posti udhëheqës në shtet… Ai është irrituar kur, duke e ndjekur betimin e Kryeparlamentarit të parë shqiptar, të bërë në rrugë, teksa në sfond (ose më mirë thënë që vetë betimi ishte sfondi, pasi zërat protestues dëgjoheshin më fort), dëgjoheshin këngë nacionaliste, brohoritje protestuese të pothuajse gjysmës së trupit parlamentar, të përfaqësuesve të popullit, të të zgjedhurve të tij. E populli gati sa s’e shpërthente derën e të futej brenda. E populli, e shpërtheu derën dhe u fut brenda, sepse populli është ai që do dhoma gazi për shqiptarin, që kërkon shqiptari të mos e flasë gjuhën e vet, ta harrojë kulturën e vet, e mundësisht edhe ëndrrat t’i shohë në në njërin nga dialektet sllave.

Midis kësaj hullie, është krejtësisht e natyrshme ta ndjesh se ai që do ta pësojë më së shumti, se ai që do të goditet për vdekje do të jetë shqiptar, e goditja do të jetë vetëm jehona e goditjeve të veçanta që janë bërë gjithmonë mu në palcë të tij, me modele të njohura sllave: te të rinjtë e sapomaturuar, te gratë, te pjesa e shëndoshë, te intelekti, te potenciali… aty ku dhemb dhe dënon më shumë. Edhe kësaj radhe e njëjta gjë: s’goditet deputeti, por politikani i paharxhuar, politikani i artikuluar, politikani që e flet dhe e shkruan drejt gjuhën amtare, politikani që del nga një shkollë e formuar kombëtare politike. Me një fjalë, goditet intelektuali shqiptar.

Duke i njohur mirë këto mjete të represionit e të dhunës, shqiptari s’befasohet. Ai e ka ditur që turma e shfrenuar është produkt i qasjes institucionale ndaj tij. Ajo s’është turmë e pakokë, që, si të gjitha turmat, i udhëheq euforia, ajo është turmë e organizuar, e cytur, e ushqyer me urrejtje ndër breza, turmë dëshmitare e shtypjes sistematike të Tjetrit nga institucioni, turmë që i ka parë ndërrimin emrave të qyteteve, të përdhosjes së simboleve të Tjetrit, të hartimit të teksteve fyese shkollore, të fshirjes së emrave me shkronja latine nga tabelat e rrugëve, vetëm pse edhe shqipja (për dreq!) shkruhet me po këto shkronja, si vazhdimësi e Evropës, si pjesë organike e saj.

S’do mend që mosbefasimi nga të tëra këto nuk ka shkaktuar një qëndrim të plogët te shqiptari, as një qetësi si e atij që është mësuar dhe e ka humbur sensin e kundërshtimit. Përkundrazi, ai është fyer e pezmatuar, por pezmi i tij përsëri ka rënë viktimë e kulturës politike, e largpamësisë dhe e mungesës historike të ndjenjës raciste. Sado që të të duket rrahahagjoks, sado që mburrjet e tij të jenë proverbiale, ai prapë se prapë e di se ku duhet ndalur, ku duhet mosturbulluar ujin në të mirën e përgjithshme. Edhe ky vetëkontroll që shprehën shqiptarët për të mos sulmuar e hakmarrë për deputetin e rrahur mizorisht, qe pjesë e maturisë, që flet se shqiptarët e kanë kaluar moti fazën e të qenit turmë. Ata mendojnë dhe veprojnë politikisht dhe politika e tyre ndahet nga politika e atyre me të cilët rastësisht bashkëjetojnë në shumë pika: në mungesën e racizmit, në tolerancën e kultivuar kujdesshëm, në konceptin mbi lirinë dhe, më kryesorja, në qasjen që kemi ndaj Perëndimit, ndaj Evropës së Bashkuar, rrugën drejt së cilës na e kanë prerë deklaratat e politikat kinseatdhedashëse të maqedonasve, duke na bezdisur e duke na lënë larg Evropës, andej nga prore i mbajnë sytë të gjithë shqiptarët.


Kohë marrëzish II

Kushtrim Zendeli

Sulmi ndaj përfaqësuesve të popullit dhe vetë Kuvendit të Maqedonisë si institucion, ka krijuar realitete të reja politike, të sigurisë dhe mbi të gjitha në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike. Please click here to read even more pokies online. Sulmi brutal ndaj deputetit shqiptar Zijadin Sela, e konfirmoi edhe njëherë se shqiptarët në Maqedoni rrezikohen si të tillë.

PanAlbanica në vazhdim do të botojë mendimet e disa prej anëtarëve të saj, me qëllim dhënien e kontributit në kthjellimin e kësaj ngjarjeje dhe pozitën e shqiptarëve në raport me të dhe më gjerë.

Ngjarjet e 27 prillit në Maqedoni dëshmuan edhe një herë që shqiptarët këtu janë qytetarë të dorës së dytë dhe çdo e drejtë e tyre themelore nuk është e pranueshme nga pala tjetër. Shteti më këtë rast porositi që çdo gjë që u takon shqiptarëve duhet të negociohet me çdo formë. Përveç tjerash, kjo situatë vulosi atë që është thënë dhe është dëshmuar me qindra herë, se institucionet janë të kapura prej nje grupi njerëzish që s’duan t’a lëshojnë pushtetin. Fakt tjetër, shumë i rëndësishëm që doli ne pah nga gjithë kjo maskaradë ishte që çdo i emëruar shqiptar në funksion, qoftë ministër, drejtor, administrator është veç një kukull e bukur në emër të përfaqësimit të “përqindjes etnike” që s’ka asgjë në dorë, që nuk e dëgjon askush, ndërkaq frenat e shtetit janë në duar fashiste dhe kriminale njëetnike.

 

 


Kohë marrëzish I

Blerina Demiri

 

Sulmi ndaj përfaqësuesve të popullit dhe vetë Kuvendit të Maqedonisë si institucion, ka krijuar realitete të reja politike, të sigurisë dhe mbi të gjitha në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike. Sulmi brutal ndaj deputetit shqiptar Zijadin Sela, e konfirmoi edhe njëherë se shqiptarët në Maqedoni rrezikohen si të tillë.

PanAlbanica në vazhdim do të botojë mendimet e disa prej anëtarëve të saj, me qëllim dhënien e kontributit në kthjellimin e kësaj ngjarjeje dhe pozitën e shqiptarëve në raport me të dhe më gjerë.

Situata në të cilën ndodhet Maqedonia është rezultat i një destabilizimi politik, rrënjët e të cilit datojnë vite më parë. Hapat e ndërmarrë për një të ashtuquajtur “shtet”më të mirë, nuk janë gjë tjetër veç se përpjekje e shtirur me synim stagnimin e vazhdueshëm të politikës konstruktive. Dhuna e ushtruar në Kuvend pasditen e 27 prillit nuk ishte dhunë mbi persona ose figura te caktuara por ishte dhunë mbi vlerat demokratike, mbi lirinë e fjalës dhe mbi të drejtën e të qenit autokton në vendin tënd. Krizën dhe rrezikun për një destabilizim edhe më të skajshëm e thellon fakti se tanimë “provokacija” për maqedonasit nuk është vetëm faktori shqiptar por edhe pasiguria dhe urrejtja në mes palës maqedonase. Kategorizimi i shqiptarëve si element i  dorës së dytë  në njëfarë mënyre duhej të merrte fund dhe padyshim që reflektimi i palës tjetër mbi vetëdijesimin e faktorit shqiptar ndjell frikë dhe urrejtje, gjë që vërtetohet si në sulme verbale ashtu edhe në ato fizike. Këto sulme fizike që tmerruan mediat botërore duhej evituar nga një gardë policore e urdhëruar nën mbrojtje të shtetit dhe organeve të tij, por në momentin kur forcat e mbrojtjes janë vetë dhuna nuk mund të flitet apo të bëhet llogari mbi kurriz të stabilitokracisë.


Kosova e pabarabartë në dialogun me Serbinë

Fatmir Arifi

 

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet shikuar në dy këndvështrime të cilat njëkohësisht mund të trajtohen edhe si faza të dialogut, ku vetëm përmbushja e fazës së parë mund të hapë rrugën e mëtejshme për te e dyta: formal e përmbajtjesor.

Sipas këndvështrimit formal, një dialog si rregull fillon nga pika zero që nënkupton parimin e barazisë së palëve. Në këtë rast kjo nuk ka ndodhur. Së pari, Kosova ka pranuar të hyjë në dialog me Serbinë, pa e marrë mbi vete Serbia fajin kolektiv dhe pa kërkuar falje për gjenocidin dhe spastrimin etnik të kryer në Kosovë. Së dyti, Kosova ka pranuar të hyjë në dialog me një entitet e cila palën e dialogut, në këtë rast Kosovën, nuk e njeh si shtet, subjekt të marrëdhënieve të së drejtës ndërkombëtare, madje ç’është më e keqja e konsideron atë si krahinë të saj jugore, të sanksionuar me aktin më të lartë normative të një shteti-kushtetutën. Për t’u mos mjaftuar me kaq, ajo pengon në të gjitha mënyrat dhe me çdo kusht funksionimin normal të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran , dhunon sovranitetin e saj në vazhdimësi dhe së bashku me aleatet e veta, pengon njohjen e saj ndërkombëtare.

Hyrja e Kosovës në dialog i cili à priori dhe formalisht nuk është i barabartë e bën të pamundur një dialog normal e në bazë të rregullave dhe parimeve të dialogut të pranuara botërisht. Njëkohësisht, kjo shpërfaq papjekurinë politike dhe mungesën e mendësisë shtet-ndërtuese të autoriteteve udhëheqëse të Republikës së Kosovës. Pozita formale e pabarabartë për të mos thënë inferiore, është parakusht që nuk nënvlerësohet dot gjatë parashikimit të rezultatit final të bisedimeve.

Gjërat për të cilat diskutohet në dialog, pra aspekti përmbajtjesor i dialogut është një non sens i llojit të vet dhe një precedent mjaft i dëmshëm, madje madje i rrezikshëm për rajonin e më gjerë. Vetë përmbajtja e dialogut vë në pikëpyetje shtetin e Kosovës, duke ia cenuar asaj komponentin bazë të shtetësisë, e që është sovraniteti dhe pavarësia.

Mes tjerash, propozimi i dalë nga ky dialog siç është krijimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë me kompetenca ekzekutive është në kundërshtim të plotë me parimet e të drejtës ndërkombëtare siç janë parimi i sovranitetit, i pavarësisë dhe parimin themelor kushtetues, atij të unitetit të pushtetit shtetëror.

Me një fjalë, dialogu, realisht është një emërtim pa vend i imponimit të kushteve të Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për çështje të rregullimit shtetëror të saj të brendshëm.

 


Maqedonia ka krizë ontologjike

Albulenë Halili

 

Cilësimi i gjendjes në të cilën ndodhet Maqedonia me togfjalëshin “rrugë qorre” është shumë i njohur dhe aktualizohet shpesh. Kjo na e bën të ditur që thelbi i problemit të këtij shteti gjatë gjithë kohës është kërkuar në vendin e gabuar dhe të gjitha zgjidhjet e miratuara deri tani nuk kanë qenë zgjidhjet e duhura. Në gjendjen e tashme fshihen pasojat e krizës ontologjike të këtij shteti, pra krizës që ka të bëjë me natyrën e këtij shteti, me thelbin e tij. Kriza e dy viteve të fundit përbën  vetëm shpërfaqje të lëngatës dhe plagomës që gjatë gjithë kohës kanë qenë aty, që nga krijimi i këtij shteti. Maqedonia ka dy probleme thelbësore të dy natyrave: të brendshme dhe të jashtme:

Problemi i brendshëm i Maqedonisë është krijimi i mbrapshtë i shtetit. Shteti i Maqedonisë është pavarësuar nga ish-Jugosllavia pa marrë parasysh vullnetin e 1/3 të qytetarëve që jetojnë në këtë shtet. Vini re se shqiptarët kanë bojkotuar referendumin e Maqedonisë për pavarësi. E dyta është se fara që po korret këto ditë, është mbjellë në preambulën e kushtetutës së parë të këtij shteti, ku thuhet se pronësia e shtetit u takon maqedonasve ndërkaq aty mund të jetojnë edhe pjesët e popujve fqinjë. Problemi i natyrës së jashtme, është kontestimi i qenies së këtij shteti nga të gjithë fqinjët e saj gjeografikë, përpos shqiptarëve: që jetojnë brenda saj, në Shqipëri në perëndim dhe në Kosovë në veri. Ky kontestim që i bëhet emrit të saj, identitetit, gjuhës dhe kishës, përbëjnë faktorin kyç për ngecjen e saj në reforma dhe rrugën e saj euro-atlantike. Shqiptarët pa vullnetin e tyre kanë mbetur peng i problemeve të këtij shteti.

Çdo përpjekje për zgjidhje të krizës duke anashkaluar këto fakte e të vërteta do të jetë afatshkurtër për të mos thënë e kotë.

Gjatë krizës së fundit shquhet një prirje e theksuar për sinkronizim të problemeve të shqiptarëve dhe maqedonasve.

Është e vërtetë që ne të dy palët, do s’do, me vetë faktin që jetojmë nën të njëjtin juridiksion, po e vuajmë zhytjen e shtetit në autoritarizëm, ngërçin në institucione, inkriminimin e politikanëve, mosfunksionimin gjyqësor, por për dallim nga maqedonasit, shqiptarët janë përballur me këto sfida gjatë gjithë kohës, madje duke u mbivendosur me problemet ekzistenciale tonat. Institucionet jo vetëm që s’kanë punuar për ne, por madje kanë punuar kundër nesh.

Tendenca për solidarizim ka për qëllim neutralizimin e çështjes shqiptare në Maqedoni dhe kamuflimin e kauzës sonë përmes përplasjeve të tyre për pushtet dhe shpëtimin e shtetit.

Pushteti është sikur koncepti i kostos oportune në teorinë mikroekonomike. Duhet të kihet mirë parasysh se për çka jemi në gjendje të bëjmë kompromis, për ta marrë atë.


Ëndrra e një Sorre

Muhamet Halili

 

Atë që s’e bëri ora që e kishte kurdisur me të rënë në shtrat, e bëri krrokama e një sorre, terr e zezë, që po qëndronte në pemë, pranë dritares së dhomës së tij të gjumit. Orës i ishin sosur bateritë dhe qe ndalur fiks në një e trembëdhjetë minuta. Por, ideja se atë po e zgjonte zëri i një zogu, në vend të cingërimës së orës, ia bëri qejfin dhe ia ndaloi neurozën që mund ta zbrazëte në orë, me ndonjë të përplasure për muri.

Kjo e bëri të ndihej i veçantë, ashtu siç do të donte të ishte edhe në profesionin e synuar dhe betimin që kishte dhënë para fotografisë së mareshalit.

Filloi hulumtimin nëpër hapësirën e dhomës, sikur të kërkohej diçka e rëndësishme, por pa e ditur se çka! Në fakt, ai po kërkonte çorapët, pantallonat, këmishën… Kur zhvishej, ato i hidhte ku mundte. Edhe çanta do të duhej të ishte diku te tavolina e telefonit.

Pasi u vesh, nxori nga çanta kartën e përkohshme që i kishin dhënë e me të cilën krenohej. This can be used mouse in order to get more detailed information approximately pokies online. Shikoi emrin e tij në të, i bënte përshtypje në veçanti shkronja e parë e emrit, pasi në vend të Xh-së ishte zëvendësuesja “DZ” dhe kjo atij i pëlqente shumë, sepse i dukej më në trend.

Po ashtu, e tërhiqte edhe logo-ja dhe shkronjat e mëdha me të cilat identifikohej institucioni. E lexoi edhe njëherë, ngadalë dhe me rrokje, fjalinë që në gjuhën e tij do të përkthehej “sigurimi shtetëror” dhe i ekzaltuar, e futi kartën në xhep.

Para se të dilte, shikoi edhe njëherë fytyrën në pasqyrë, dhe duke përmendur nofkën e tij: – Eh, “Crni!” – Do me u bë edhe ti i Madh!”,  – e përgëzoi veten e tij.

Sot po e ndiente një lumturi dehëse, pasi do të ngarkohej me detyrën e fundit, të fazës testuese, para se të dëshmonte veten se ishte i aftë për një punë të tillë dhe të shpërblehej pastaj nga shefat e tij, duke u bërë tamam profesionist, ëndrra më e madhe e tij. Tekefundit e meritonte të gradohej pas gjithë asaj pune me zell që e kishte bërë deri më tani.

Hapat e tij, ndonëse bërë nga këpucët me take, hidheshin lehtas pa lëshuar zhurmë mbi pllakat e kalldrëmit, pasi tani më ishte mësuar me ecjen që duhej bërë në këtë profesion. Ajo ecje tani po e dërgonte drejt vendit për të cilin kishte marrë urdhër, e ku kontakti i tij do ta ngarkonte me detyrën e radhës.

I pëlqenin shumë qoshet, andaj edhe pëlqeu vendin e takimit, kafenenë te qoshja e rrugës kryesore, por edhe tavolina në qoshe, afër dritares, ku u ul. Ishte i bindur se vështrimin më të mirë të tërë perimetrit, e jepte pikërisht pozita në qoshe. Porositi një kafe dhe ndezi një “Drava”, për ta shfletuar ngadalë “Rilindjen”, e për t’u ndalë aty ku i interesonte, te rubrika – politika.

Vëmendjen nga gazeta ia tërhoqi një hije që ia zuri dritën e që i vinte nga ajo pjesë e dritares pranë tavolinës. Ishte një njeri i veshur kat, e që në kokë mbante një kasketë kadifeje, streha e të cilës më tepër i shërbente për t’ia fshehur sytë, se sa për t’u mbrojtur nga dielli.

Ishte shefi i tij i terrenit. Pasi u përshëndetën me buzëqeshje përmes xhamit, gjestikuloi  me kokë, duke e ftuar atë, që të futej brenda.

– Mirëdita, – i erdhi e përshëndetura nga njeriu me kasketë, por me një theks të tillë të shqipes që la të kuptohej se po thuhej nga dikush që nuk e ka gjuhë amtare.

– Mirëdita, – ia ktheu ky, me një serbishte të rrjedhshme.

– Mirëdita shefe!  – ia tërhoqi tani vërejtjen, por duke e përcjellë këtë qortim të tij edhe me të sharën e zakonshme “pizda ti materina”.

– Mirëdita shefe,  – përmirësoi veten e tij, duke e shprehur dëgjueshmërinë edhe përmes gjesteve, për t’u sqaruar më pas.

– E bëra qëllimisht shefe. Ha, ha, ha! Më pëlqen, kur më shan. Disi, në atë sharje, “pizda ti materina” ka shumë rimë dhe sikur është e shëndetshme edhe për veshët e mi!

Qeshën që të dy.

Pasi u mor porosia edhe për një kafe, por tani shoqëruar edhe me dy gota raki ftoi, që erdhën porosi nga goja e shefit, nisi biseda e zakonshme…

– “Crni”, hajde të kalojmë tani në punë, ka kohë për llafe, – tha tani njeriu që as brenda nuk e kishte hequr kasketën nga koka.

Ai nuk foli, por veç pohoi me kokë, duke rrotulluar sytë në tërë sallën e lokalit, sikur të sigurohej  mos po i dëgjonte kush.

– Do të merresh sërish me një rast të njohur për ty,  – foli shefi, tani serioz.

– Jam i gatshëm, – ia ktheu ai, po me të njëjtën seriozitet.

– Bëhet fjalë për profesor Ukën, – i buzëqeshi fytyra teksa e shqiptoi këtë emër.

Sikur të kishte diçka personale me të, sepse menjëherë u çel në fytyrë. Po i vinte mirë që do të duhej të merreshin me këtë rast. Duke ia përmendur sërish emrin subjektit të dosjes, e lëshoi një ”auuu…” siç bëjnë ujqit,  për t’u zgërdhirë më pas, të cilën e ndali, veçse, kur e afroi filxhanin te goja.

– Kockë e fortë ky njeri, veç me e eliminuar krejt, mendoj unë! – e ofroi këtë zgjidhje, me grimasë të habisë në fytyrë, por edhe me drojën për reagimin e shefit.

Ia kishte bërë të qartë se ai nuk ishte për të menduar, por për të zbatuar urdhrat e eprorëve, pa parashtruar pyetje, andaj edhe ishte kjo drojë, pas propozimi të momentit që nuk e di si i erdhi dhe e bëri.

– Mos e luaj të mençurin, – reagoi shkurt shefi, për të vazhduar me sqarimin.

– Në të vërtetë, duhet të merresh me dikë tjetër, – i tha dhe ia lëshoi përpara skedën me dosje.

E mori në duar dhe si një i paduruar e hapi me nxitim. Fotografia që pa, qysh në fletën e parë, e hutoi pa masë, pasi që derisa po priste dosjen e profesorit  i cili u përmend, i doli një fotografi tjetër, për më tepër e një femre!

– Kush o kjo vajzë, sikur the se kemi të bëjmë me profesorin Ukë, – shtroi pyetjen akoma i habitur.

– Është vajza e tij, – i erdhi përgjigjja blic.

– Edhe kjo kudër, kundër shtetit a?! – shfryu mllefin që i erdhi në çast.

– Mos u lodh me gjëra që nuk të duhen, – foli shefi, por tani duke ofruar të dhëna më të plota për detyrën.

– Përmes saj, ata lart mbi ne, duan ta godasin profesorin. Na nevojitet i thyer, i shkatërruar moralisht e shpirtërisht dhe ku ka më mirë se ta godasim aty ku i dhemb më së shumti. Në vajzën e tij të vetme…

Operativët tanë kanë punuar me muaj, duke bërë një punë të mirë. Të gjitha të dhënat i ke aty. Shih sidomos pjesën e lëvizjes së saj. Janë të sakta oraret.

– Cila është detyra konkrete, – pyeti “Crni”, duke treguar kështu një përkushtim qysh tani për këtë detyrë.

– Krejt çfarë duhesh të bësh është një çnderim. Përcilli udhëzimet, i ke në faqen e fundit. Pra,  kur të jepet mundësia, ndale grushtoje, dhunoje, abuzo seksualisht me të dhe fotografoje, pa të parë kush. E kreve këtë, e nxore biletën për Beograd. E kemi edhe njeriun që do ta fajësojmë. Djali i një nacionalisti.

Tani “Crni” nxori nga skeda  një fotografi që u pa se donte ta analizonte pak më tepër dhe këtu shefi po i ndihmonte duke ia përsëritur disa të dhëna nga dosja.

– Është gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Eh, po mish taze djalosh. Edhe mua goja lëng më shkon veç kur flas me ty. Je me fat, që të është caktuar kjo detyrë. Sa do të doja të më ishte caktuar mua, por dikush ka më tepër fat, – e trimëronte shefi.

– Qenka pëllumbeshë…! Shihja gjoksin, si të ishte një grua që sapo ka lindur dhe tani i ka të fryra, të mbushura përplot qumësht,  – belbëzoi “Crni” duke i lëpirë buzët.

Duke e çuar “eks” pjesën e mbetur të rakisë në gotë, nga djegësira që i preku fytin, shefi shkundi buzët sikur hingëllin kali dhe duke ia bërë me kokë, kërkoi nga “Crni” ta fuste fotografinë në skedë dhe ta përfundonin këtu takimin. Sepse, për çfarëdo gjëje që do t’i interesonte, e kishte brenda në dosje.

– Paguaj dhe ikëm, – i tha shefi që veç ishte ngritur në këmbë.

E kishte zakon të dilte para tij përherë. Dhe, derisa ky e paguante faturën, ai veç tretej mes njerëzve diku rrugëve të qytetit. Nga kjo ngazëllehej “Crni”, i cili ëndërronte që një ditë edhe ky t’i kishte aftësitë e tija që do ta dallonin.

– Pagoi faturën dhe pasi futi dosjen mes gazetës, doli nga lokali për t’u përzier edhe ky me turmën, por me veshët si antenë, mos me pahir, do të mund të kapte ndonjë fjalë diku, që mund t’i hynte në punë profesionit të tij…

***

Kishte zgjedhur kohën pas akshamit. Terri ishte bashkëpunëtori më i mirë i tij. Në shtrat kishte shpërndarë, një për një, fletët e dosjes, të cilave ua lëshonte edhe njëherë sytë derisa vishej e bëhej gati. Me këmishën e bardhë vendosi ta vërë, të preferuarën, kravatën dy ngjyrëshe, që ndonëse ishin proporcionale megjithatë dukej sikur e kaltra po e mbizotëronte paksa, të kuqen.

Në pasqyrën që ishte në komodinën e paradhomës, ia lëshoi edhe njëherë vetes sytë dhe as kësaj here nuk doli jashtë pa e i bërë komplimente vetes së tij.

– Hajde dhëndër hajde. Je yll pesë-rremësh – tha zëshëm dhe si të kishte prirje homo, ia dërgoi njeriut në pasqyrë, një të puthur, duke i mbledhur e ndrydhur buzët e tija. Priti pakëz, derisa narcisisti brenda pasqyrës ta përjetonte kënaqësinë e të puthurës, dhe vetëm kur u bind për këtë, doli jashtë.

U nis drejt vendit ku do ta gjente subjektin. Do ta përcillte deri te rruga e përshtatshme për shumëçka dhe aty do të hidhej në aksion. Në këtë do t’i ndihmonte terri, mungesa e dukshme e ndriçimit publik në atë pjesë, por edhe fakti që ishte lagje më pak e banuar, kryesisht me romë dhe shumë pak apo fare e qarkulluese nga veturat, pasi rruga kryesore ishte larg dhe rrugicat në këtë pjesë ishin ca të ngushta.

Sytë i xixëlluan kur pa teksa vajza e profesorit po i zbriste shkallët, me një ritëm të tillë që për sfond kishte kulturën. Vajza e profesorit Ukë ishte një fëmijë, me trupin fidan. Fytyra e saj përplot rreze, i shtonte edhe disa gradë motit të ditës së sotme. Në dorë mbante një çantë të vogël, që për shkak të formës por edhe për kursin për ku ishte nisur, mund të supozohej lehtë se brenda saj ndodhej instrumenti i flautit.

Hapat e saj të lehtë i ngjasonin fluturimit të një fluture nga një lule në tjetrën. Pas i vinin hapat e rëndë, të etur për karrierë, famë e para. Secili kalimtar ndiqte trajektoren e tij. Vetëm një trajektore ndiqej nga dy palë këmbë, nga hapat e lehtë që hapëronin të virgjëra dhe nga hapat e rëndë që ndiheshin të eksituar.

Në njërën mendje, mbi të bardhën vizatohej pentagrami dhe luheshin notat e flautit, në tjetrën mendje, atë të zezën, inskenohej krimi dhe klithmat.

Me daljen nga rruga kryesore edhe kalimtarët zunë të pakësoheshin e edhe terri pushtonte ngadalë hapësirën duke dominuar mbi ndriçimin që sa vinte e zbehej.

Vajza me trupin fidan, për një moment, trupoi rrugën nga e majta në të djathtë, duke paralajmëruar se po shkonte drejt një kthese. Lëvizja e tillë nuk ishte paraparë të ndodhte sipas të dhënave në dosje, që e posedonte “Crni”. Kjo për të qe e papritur, sa që u hutua ca, sa edhe e ngadalësoi hapin. Nga habia e kafshoi deri në thyerje rrëmojësen që po e thithte deri në ato momente, duke e rrotulluar nga njëra anë, në tjetrën anë të gojës. Pasi e pështyu atë copë të imtë druri, fërkoi duart duke e shpërfaqur një gëzim që i shpërtheu në moment e që ia pushtoi fytyrën.

– Po lopa që qenka, – i doli fjala me ton të ultë.

– Kësaj i  thonë “si cjapi, te kasapi”, – vazhdoi fjalët mes dhëmbëve, duke e shoqëruar edhe me një sharje të pistë.

Këto fjalë i erdhën për faktin se kishte njohuri se pikërisht kthesa kah ia kishte mësyrë tani vajza e profesorit, ishte një rrugë qorre, që edhe po ta kërkonte ndonjë regjisor, enkas për një skenë që planifikohej të luhej pas pak, nuk do të mund të gjente vend më të përshtatshëm.

Dhe, kur vajza mori kthesën, “Crni” filloi ta shpejtojë hapin, gati në vrapim. Ishte koha t’i afrohej aq sa mundte ta kapte befasisht.

Dhe, befasia nuk mungoi kur edhe këmbët e tija që tani më kishin ritmin e vrapit, u futën në rrugën qorre. Por, ato dalëngadalë filluan ta humbin shpejtësinë deri në ndalje të plotë.

Vajza e profesorit  po qëndronte me tre djelmosha të rinj, që ndonëse kishin gjatësi mesatare për moshën që kishin, “Crni-t” iu duken si lisa të gjatë. Njëri nga ta mori vajzën dhe u futën në hyrje të një ndërtese, derisa dy të tjerë u nisën në drejtim të “Crni-t”.

Tani këmbët e tij filluan ngadalë të lëvizin mbrapsht. Por vetëm për pak hapa, sepse veshët e tij, që i kishte ushtruar bukur mirë, kapën sinjalin që tani edhe prapa tij mbinë lisa të tjerë.

Ktheu kokën ngadalë dhe pa edhe dy të tjerë, njëri nga të cilët lëvizi para duke iu afruar fare afër. Një revole e zezë në dorën e tij ia zbehu fytyrën që e kishte po me atë ngjyrë revoleje deri në atë çast.

E dëgjoi se si iu shqiptua qartë emri i tij i plotë. U habit edhe se si qe e mundur me një fjalë të vetme – “tradhtar” të përfshihet e tërë jeta e tij, dhe pas saj, veshët ia kapën edhe një verdikt, “…në emër të popullit…”, që ishte edhe gjëja e fundit që dëgjoi, para se kjo rrugë qorre të mbushej përplot sorra.

Kortezh sorrash kërkonin darkën e tyre në kontejnerët e hedhurinave që ishin në atë pjesë të qytetit. Mes rrugës po qëndronte një trup i shtrirë. Tani në kravatë, por edhe në këmishën e atij trupi, dukshëm po dominonte e kuqja.

Një sorrë ateroi mbi gjoksin e skuqur, e çokiti për pak, mu siç bënte pak më parë me ushqimin në kontejner dhe më pas lëshoi një zë çjerrës e të thellë, “krraaa”, që u përsërit pastaj edhe disa herë të tjera, më zëshëm, “krraakrraa-krraa”, krraakrraa-krraa”…!

Krrokamë e trishtueshme, megjithatë e pafuqishme, pasi kësaj here nuk mund të zëvendësonte asnjë orë, për të zgjuar, njeriun e shtrirë mes rrugës, që përfundimisht i kishte larë llogaritë e tija në këtë botë.


Lokalitetet arkeologjike ilire në Maqedoni – të harruara 

Shemsedin Ibrahimi

 

Në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë

 

Historiografia dhe institucionet që merren me studimin e trashëgimisë kulturore, shumë pak ose aspak nuk flasin për monumentet kulturore arkeologjike të trashëgimisë ilire, edhe pse ato janë të pranishme gati në çdo pjesë të këtij vendi.

Sot është Dita Botërore e Trashëgimisë, një ditë reflektimi për njohjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie.

Aktualisht, në Hartën Arkeologjike të Maqedonisë janë shënuar vetëm disa lokalitete, ku nuk realizohet asnjë aktivitet, madje disa edhe janë lënë në mëshirën e kohës, të pa shënuara duke u shndërruar kështu në gërmadha të parëndësishme.

Ekzistojnë disa lokalitete për të cilat ka të dhëna se ku mund të gjenden, por ato duhet të verifikohen dhe për të njëjtat të realizohen gërmime arkeologjike.

Kur e lexon Hartën Arkeologjike të Maqedonisë, të krijohet përshtypja se qytetërimi antik ka filluar në kohën e neolitit ose ndonjë periudhë tjetër historike, kurse periudha ilire nuk përmendet fare. Të gjitha lokalitetet përmendet se i takojnë periudhës së hershme ose të vonshme antike, por aspak nuk thuhet se janë nga koha ilire.

Arkeologët kroatë, kohëve të fundit kanë bërë zbulime të rëndësishme në fushën e ilirologjisë, në Bosnjë dhe Hercegovinë po ashtu, kurse në Kosovë edhe pse vonë kanë filluar aktivitetet,  janë bërë zbulime të rëndësishme.

Ajo që gjerësisht njihet si Dita Botërore e Trashëgimisë, në të vërtetë quhet  Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve dhe është vendosur në vitin 1982 nga Këshilli Ndërkombëtar për Monumentet dhe Lokalitetet. Kjo organizatë është themeluar mbi parimet e Kartës së Venedikut, që zyrtarisht njihet si Karta Ndërkombëtare për Konservimin dhe Restaurimin e Monumenteve dhe Lokaliteteve.

 

Lista e disa lokaliteteve arkeologjike të trashëgimisë ilire:

Kalaja e Nicës, Orashë, Tetovë

Kalaja e Tetovës

Qyteti Oeneum, mendohet që gjendet nën themelet e ndërtesës së Komunës së Tetovës

Trebenishtë, lokalitet ilir, është gjetur helmeta dhe maska ilire

Menada ilire, artefakt i trashëgimisë ilire-Tetovë

Kalaja e Shkupit, themelet e qytetit ilir Skupi

Via Egnatia, rruga kryesore që lidhte Perandorinë Romake

Heraklea Lyncestis, qyteti i lashtë ilir i fisit Lynkestët

Kalaja e Leshkës,Leshkë

Kalaja e Kërçovës, Uskana


Përpara se të votosh më 15 tetor

Editorial:

PanAlbanica

 

Zgjedhjet vendore 2017

Pas zgjedhjeve parlamentare të 2016, votuesit shqiptarë në Maqedoni ndodhen edhe përpara një momentumi tjetër mjaft vendimtar. Faktori politik shqiptar është i përçarë edhe për sa i përket votave, pra në shumë subjekte politike, por edhe sa i përket ideve politike, duke mos përjashtuar këtu as ato lidhur me interesin kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni.

Nga ana tjetër, kriza e politikës së jashtme të këtij shteti, keq-orientimi strategjik i saj bashkuar me problemet e brendshme, si: kriza politike brenda dhe ndëretnike kanë sjellë një zinxhir problemesh si rritja e papunësisë, mungesa e investimeve të huaja dhe kriza ekonomike, që e kanë bërë të vështirë jetën normale të qytetarëve, e veçanërisht atyre shqiptarë.

Të ndodhur përpara këtyre sfidave, subjektet politike shqiptare në Maqedoni duhet të tregojnë pjekurinë e duhur që kërkohet në këto moment vendimtare të historisë sonë.

Në interes të shqiptarëve dhe në interes të çështjes sonë kombëtare, ato duhet të bëhen bashkë në komunat ku rrezikohet kandidati shqiptar. Gjatë fushatës parazgjedhore, partitë politike shqiptare duhet të përdorin retorikë përbashkuese, duke vendosur theksin në gjërat që na bashkojnë dhe jo tek ato që na ndajnë.

Përpjekja e LSDM-së dhe çdo partie tjetër maqedonase për të përvetësuar votuesit shqiptarë, duhet konsideruar nga partite shqiptare si rrezik tejet i madh i cili duhet shmangur me çdo kusht.

Në platformat e tyre zgjedhore, të gjitha subjektet politike shqiptare, duhet ta aktualizojnë çështjen e bashkimit territorial të komunave, gjë e cila lejohet me Ligjin aktual për ndarje territoriale.

Dhe në fund por jo më pak e rëndësishmja: të japin premtime të realizueshme, me qëllim inkurajimin dhe kthimin e besimit të shqiptarëve te faktori politik shqiptar.

Përdorimi i taktikës së ikjes nga përgjegjësitë dhe investimi në kandidatë të dyshimtë shqiptarë, që aktualisht po e zbaton LSDM-ja, si duket do të bëjë që votuesit shqiptarë të dinë të bëjnë dallimin dhe mos e djegin votën e tyre duke votuar shqiptarët që po garojnë me vulën e LSDM-së.

Përtej premtimeve boshe në Deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni se ato do të jenë unike në qoftë se cenohet interesi shqiptar, përgatitjet për zgjedhjet lokale të 2017-tës, dëshmojnë krejtësisht të kundërtën e deklaratave të tyre në fillim të këtij viti.
Kandidaturat që kemi parë deri tani janë shëmbëlltyrë e mendësisë së vjetër dhe pjekurisë së varfër politike. Janë pamje e trishtë e të ardhmes sonë që na pret po qe se nuk ndërgjegjësohemi e rebelohemi për gjendjen tonë. Në kandidaturat e paralajmëruara deri tani, të cilat nuk janë akoma zyrtare, fshihen figura të recikluara tash e njëzet e gjashtë vjet, ndoshta edhe më tepër.

Është koha e fundit që faktori politik shqiptar përfundimisht të konsolidohet, të analizojë gabimet dhe të përqendrohet në problemet konkrete të shqiptarëve të cilat dallojnë thelbësisht nga ato të qytetarëve me të cilët jetojmë pa vullnetin tonë nën të njëjtin jurisdiksion.

Përmes konsolidimit dhe përbashkimit të faktorit politik shqiptar duhet të arrihet dekurajimi i individëve të cilët në emër të përkatësisë etnike, për interesa personale i manipulojnë votuesit hallexhinj shqiptar, duke u inkuadruar në partitë maqedonase kinse të reformuara e gjithëpërfshirëse.

Hutia e votuesit shqiptar është shkaktuar në radhë të parë nga përçarja e votës shqiptare në shumë subjekte politike, në kohën kur më shumë se kurrë na duhet qëndrim dhe veprim unik, si dhe vjen si pasojë e veprimit dhe ndërhyrjes së faktorëve të ndryshëm që po operojnë në Maqedoni një kohë të gjatë.

Andaj orientimi i drejtë i votuesve shqiptarë duhet bërë përmes propozimit dhe realizimit të projekteve konkrete në dobi të shqiptarëve duke filluar me politikat arsimore, ekonomike e kështu me radhë.

Momenti politik në këto zgjedhje është vendimtar për të çuar përpara procesin e konsolidimit funksional ndofta edhe territorial të komunave, duke i bërë llogaritë për përfitimet që sjell ky proces. Politikanët vendorë shqiptarë me punën, vendosmërinë dhe profesionalizmin e tyre, duhet të dëshmojnë se këto të mira dinë dhe munden t’i kthejnë në të mira për të gjithë qytetarët, por në radhë të parë në dobi të shqiptarëve, të cilët ende mbeten të privuar nga qasja në fondet e qeverisjes vendore, e të mos flasim për fondet në buxhetin qendror. Veprimi politik i partive shqiptare në nivel lokal, duhet të përqendrohet në nxjerrjen në pah të potencialit më të mirë, më profesional dhe të dallueshëm të kandidatëve për kryetarë komunash me të vetmin qëllim – të dëshmojnë përkushtimin, guximin, dijen dhe ndjenjën e rikthimit të faktorizimit të shqiptarëve në komunat e tyre. Kjo pastaj do të shtrihej edhe në nivelin qendror, ku ashtu si në nivelin lokal po mbretëron një përçarje e tejskajshme dhe shumë e dëmshme për çështjen shqiptare në Maqedoni.

Ajo që është tepër thelbësore është përqendrimi i kandidatëve shqiptarë në projekte konkrete, të realizueshme dhe në dobi të shqiptarëve. Servilizmi dhe nihilizmi, që po tregojnë politikanët shqiptarë në Maqedoni dhe si rrjedhojë edhe kandidatët për kryetarë komunash ndaj shqiptarëve, ka rezultuar me dështim dhe krijimin e përshtypjes tek ata se faktori politik shqiptar nuk ka as kapacitete intelektuale e as aftësi profesionale për përmirësimin e jetesës së tyre. Kjo krijon ndjenjën e inferioritetit kolektiv dhe si pasojë vjen deri te orientimi i votuesve shqiptarë drejt partive politike maqedonase. Këtë dukuri e kanë studiuar mirë partitë politike maqedonase, të cilat po përfitojnë dyfish:

Së pari, krijojnë idenë e paqenë të kohezionit të brendshëm të shtetit, duke përfshirë edhe shqiptarët në mesin e tyre, dhe
Së dyti, gllabërojnë vota të shumta shqiptare, që janë kryesore për realizimin e qëllimeve të tyre në marrjen e pushtetit, kësaj radhe atë vendor.

Fatkeqësisht asnjëra nga partitë politike shqiptare nuk bëri një katarsis të vërtetë të veprimit politik dhe as nuk nxori mësime nga zgjedhjet e fundit parlamentare, ku vota shqiptare ishte vendimtare në ndërrimin e pushteteve në Maqedoni.
Kur flitet për zgjedhje të nivelit vendor, shqiptarët duan kandidatë nga mesi i tyre meqenëse kanë pritje se ata munden më lehtë t’i zgjidhin problemet konkrete. Kjo bindje, ndoshta do të ndihmojë që votat të mos shkojnë në drejtim të gabuar dhe të mos përdoren për qëllimet djallëzore të partive maqedonase. Nga ana tjetër, kjo mënyrë e mendimit duhet të përforcohet edhe me veprimin konkret të kandidatëve shqiptarë, të cilët duhet të dëshmojnë se punojnë për të gjithë qytetarët, por se llogari të posaçme mbajnë për shqiptarët dhe për mirëqenien e tyre.

Tendenca për të dëshmuar lojalitet të panevojshëm ndaj partnerëve politikë maqedonas dëmton rëndë çështjen shqiptare dhe jo vetëm, kurse shqiptarët në Maqedoni i vendos në pozitë pa rrugëdalje. Lojaliteti i vetëm që duhet të dëshmojnë partitë politike shqiptare në Maqedoni, duhet të mbetet interesi kombëtar, ruajtja e pozitës së faktorit kyç dhe stabilizues të shqiptarëve në këtë vend si hallka kryesore e çështjes ende të pazgjidhur shqiptare në Ballkan.


Rikthimi i historisë dhe mësimet e pamësuara

Shemsedin Ibrahimi

 

Para shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, nomenklatura e atëhershme politike dhe ekonomike, kishte hedhur idenë e krijimit të një rendi të ri shoqëror – krijimin e kombit jugosllav. Ky rend i cili pak a shumë tentoi të bëhet edhe si rend ligjërimi me ca ndryshime normative, së jashtmi dukej e prezentohej si atraktiv, por së brendshmi ishte i frikshëm, i dëmshëm, madje krejtësisht djallëzor. Ideja që pretendohej të realizohet nga ky rend ligjërimi, kishte në thelb ndryshimin strukturor të shoqërive që përbënin këtë federatë. Ndryshimi strukturor nënkupton ndryshimin e parametrave ose funksioneve të një shoqërie, gjithnjë me synim për të prekur elementin etnik, kulturor dhe identitar.

Lidhur me këtë çështje, në atë kohë, që nuk është edhe aq e largët, ekzistonte një televizion boshnjak i cili pretendonte se ishte më i besueshëm dhe më realist – “Youtel”. Ky medium përpiqej të mbante frymën e shtetit të Jugosllavisë duke promovuar bashkëjetesën në mes popujve dhe rëndësinë e unitetit të shtetit. Ishin pikërisht boshnjakët ata të cilët më së shumti e dëshironin mbajtjen e këtij formacioni shtetëror, meqenëse në mungesë të identitetit të qartë të tyre, jugosllavizmin e ndjenin si një “ombrellë” ku ata ishin më të sigurtë. Po ashtu analistë, opinionistë dhe kryesisht politikanë i jepnin rëndësi të veçantë ndjenjës së lojalitetit dhe të përkatësisë ndaj shtetit të përbashkët.

Madje, asokohe kishte shumë orkestrime institucionale në formën e protestave për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit dhe dënimin e politikave nacionaliste. Në këtë këndvështrim, shqiptarët ishin kombi më i stigmatizuar nga nomeklatura politike, që tani më ishin kampion në Ballkan për idenë e barazisë së kombeve, por dhe njëkohësisht edhe dallueshmërinë e identiteteve. Qarqe të ndryshme që nxitnin krijimin e një kombi të ri dhe artificial, të quajtur jugosllav, nuk kishin marrë parasysh memorien kolektive, karakterin dallues identitar dhe të kaluarën historike, elemente këto të cilat bëjnë diferencën dhe kapin një rreze veprimi të ndryshme në raport me atë të shkrirjes së identiteteve. Prandaj, edhe përkundër shumë përpjekjeve të së ashtuquajturës elitë politike, ky shtet nuk mbijetoi.

Të gjithë ata që e promovonin, e nxisnin dhe përkrahnin këtë krijesë artificiale pa mos përfillur të kaluarën, komponentin identitar dhe vullnetin e popullit të cilit i përkisnin, më vonë jo vetëm që u demaskuan nga opinioni publik, por edhe vetë tezat e tyre që i promovonin me shumë zell, dolën të jenë të dështuara.

Zhvillimet e fundit na tregojnë se fundi i historisë akoma nuk ka arritur. Madje në Ballkan kemi të bëjmë me rikthimin e historisë, për shkak të mësimeve të pamësuara nga e kaluara.

Në qoftë se në tekstin më lart, fjalën “Jugosllavi” e zëvendësojmë me “ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”, atëherë tabloja do të jetë e plotë dhe krejtësisht e ngjashme me skenarët nga të cilët mund të zbërthejmë e deshifrojmë gjendjen aktuale në këtë vend.

Andaj, është e domosdoshme që të mësojmë mësimet nga e kaluara e të mos gjejmë veten në mbrojtje të tezave të shumta me skenarë të sajuar të cilët tani më janë verifikuar si të dështuar.

Nuk ka asnjë kuptim që të mbrohet një projekt artificial e i kontestuar në tërësinë e qenies së saj.. Që të mbrosh diçka duhet ta kesh apo ta posedosh. IRJM kontestohet në katër dimensionet që përcaktojnë tërësinë e të qenit subjektivitet ndërkombëtar: së pari, ka të kontestuar emërtimin; së dyti, ka të kontestuar identitetin, së treti, ka të kontestuar kishën, si burim i frymëzimit shpirtëror dhe së fundmi, ka të kontestuar historinë. Kështu që si e tillë është vështirë të mbrohet, përveç në qoftë se raporti i individit me një fenomen politik është i lidhur drejtpërdrejt nëpërmjet klientelizmit ose hipotekave.

Në kuadër të presioneve të këtyre katër kontesteve të mëdha, padyshim, është e pritshme një fushatë e egër, në segmentin e luftës speciale me qëllim të bombardimit psikologjik për të krijuar opinion politik të rrejshëm, jo vetëm nëpërmjet shkrimeve por edhe nëpërmjet aktiviteteve në rrjetet sociale, me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes nga problemi thelbësor e që është mosnjohja e kauzës shqiptare në këtë shtet, si hallkë e pandashme e kauzës shqiptare në Ballkan. Brenda kësaj kornize, filozofia politike që po synohet të përhapet ka për synim të arrijë dy çështje thelbësore: nga njëra anë, mbrojtjen me çdo kusht të dominimit kushtetues nga ana e sllavo-maqedonasve, i cili ata i paraqet si palë dominante në qeverisjen e shtetit, ndërkaq nga ana tjetër, sa i përket identitetit, synimin e tyre për të qenë të barabartë me shqiptarët. Ky skenar politik tani më është kuptuar, zbërthyer dhe për më tepër edhe verifikuar si i dështuar, por që pretendohet të futet në veprim për të dëmtuar rrugën dhe synimin e shqiptarëve në Maqedoni për të qenë të barabartë me sllavo-maqedonasit.

Kjo lloj filozofie imponuese nga pala sllavo-maqedonase, për hir të së vërtetës, ka depërtuar në disa segmente brenda shoqërisë shqiptare dhe mendimit shqiptar, qofshin ato edhe periferike. Prezentimi, qoftë artificial, për t’u dukur si armiku, bile edhe për ta imituar armikun apo solidarizuar me kauza të tij, dëshmon vetëm logjikën meskine dhe pozitën inferiore që e kanë disa individë në shoqërinë shqiptare në IRJM. Kjo më së miri dëshmohet edhe me sikletin në tentativën për të mbrojtur “lëndimin” e identitetit pjesë e të cilit në fakt nuk janë, duke u shtirur se ndoshta shqiptarët kërkojnë shumë dhe po ia turbullojnë ujin qoftë njërit apo tjetrit subjekt politik sllavo- maqedonas.

Kohëve të fundit, ka zënë një vend të posaçëm në disa media edhe përdorimi i një zhargoni filozofik, që ka për synim krijimin e strukturave konstante të ligjërimit në relativizimin e çështjeve si psh: “shteti ynë”, “bashkëjetesë”, “nuk kemi probleme etnike”, “mjafton drejtësia të ngadhënjejë”, të cilat nuk mund të shpjegohen ndryshe veç si një strategji e rafinuar dhe e dizajnuar që ka për synim të paraqesë kombin shqiptar në IRJM si të demonizuar dhe kërcënim për ekzistencën e të ashtuquajturit shtet i IRJM.

Në kuadër të kësaj strategjie janë krijuar disa komponenetë nënstrategjikë, për ta propaganduar hapur terrenin në realizimin e kësaj strategjie. Disa nga komponentët janë media të cilat prezentohen me lloj-lloj analizash dhe komentesh të bazuara në interesa individuale, konjukturale, pa asnjë lloj ndjenje të përgjegjësisë publike dhe pa më të voglin kredibilitet profesional. Si të tilla ato kanë marrë përsipër misionin e asaj që u tha më lart, atë të mediumit të dikurshëm jugosllav në Bosnjë, atë të krijimit të hutisë, kaosit dhe krijimin e një gjendjeje inerte të shqiptarëve kundrejt kundërshtimit të degjenerimit të qëllimshëm politik.