Një libër shkencor për sigurinë globale
Mehmet Hajrizi
Recensë për veprën e autores Albulenë HALILI,
TRANSATLANTIZMI
Bërthama e sigurisë globale
Botimet SYTH, Tetovë 2023
1. Në vend të hyrjes: Autorja
Dr.Sc Albulenë Halili, e doktoruar në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës, është bashkëpunëtore shkencore në Institutin Max van der Stoel në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ajo drejton Ekipin e Kërkimor për Edukim mediatik dhe dezinformim që funksionon në kuadër të këtij instituti.
Pas librit të parë Rendi i Versajës: Bërja e një bote të brishtë (2020), vjen para lexuesit me veprën tjetër Transatlantizmi, Bërthama e sigurisë globale (2023). Ka shkruar dhjetëra kumtesa shkencore, artikuj studiues, ka bërë intervista hulumtuese, vizita studimore etj. Interesi i saj kërkimor është fokusuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, më specifikisht marrëdhëniet transatlantike, luftën hibride, dezinformimin si sfidë e sigurisë dhe gjeopolitikën e Ballkanit.
2. Libri
Në botën e sotme të trazuar dhe të kërcënuar, studimet shkencore në fushën e doktrinës së sigurisë globale, paraqesin interes jo vetëm për qarqet akademike, ushtarake e politike, por edhe për lexues të zakonshëm. Vepra e radhës e autores Albulenë Halili përbën kontribut të ri dhe të rëndësishëm për studimet shqiptare në plan të sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Me temën e zgjedhur dhe aktuale, me shtjellimin metodologjik shkencor të lëndës, me përfundimet e rezultatet dhe bibliografinë, sa një bibliotekë, të konsultuar gjerësisht, autorja e ka përmbushur objektivin e saj studiues.
3. Tema
Autorja hyn shpejt në temë dhe nuk e devijon atë gjatë gjithë punimit. Tema e veprës e kthen atë te gjeneza e transatlantizmit dhe institucionalizimit të tij me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) më 1949. Në vijim ajo e trajton jetën e kësaj organizate politike-ushtarake nëpër faza të botës moderne, në hark kohor 73 vjetësh, deri te sfidat e saj në mijëvjeçarin e ri. “Sfidat globale nuk mund të përballohen vetëm nga një shtet”, - shkruan me të drejtë autorja.
Tema e transatlantizmit është e rëndësishme, serioze dhe shumë aktuale, por jo shumë e studiuar në botën shqiptare.
4. Lloji i shkrimit
Libri është studim shkencor, në përmbajtje dhe formë, i bërë me kompetencë profesionale nga autorja, fillimisht si disertacion i vlerësuar doktorate, për ta përshtatur në vepër të mirëfilltë krijuese.
5. Struktura e veprës
Libri ka titullin e qartë për temën që shtjellon, përmbajtjen, hyrjen dhe ndarjet në kapituj, si: Marrëdhëniet transatlantike gjatë Luftës së Ftohtë; Marrëdhëniet e reja transatlantike; Transatlantizmi dhe Evropa e re; Transatlantizmi në mijëvjeçarin e ri; Përfundimin dhe së fundmi Bibliografinë dhe Shtojcën. Libri ka dhe aparaturën e nevojshme shkencore.
Strukturimi i librit është gjithëpërfshirës për zhvillimet botërore të sigurisë.
6. Përmbajtja, analiza dhe interpretime
Lënda voluminoze e mbledhur nga autorja, faktet dhe idetë, trajtohen, interpretohen e analizohen me metoda shkencore, sidomos me atë historike, me faktorët e saj si kronologjia, zhvillimi etj. Dijet e sintetizuara kredibile në temë të sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, instrumente, akte dhe dokumente të ndryshme, përbëjnë burimet primare dhe sekondare të librit të Albulenës. Ajo ka studiuar dhe konsultuar seriozisht literaturë të huaj, duke iu referuar shkrimeve aktuale shkencore të autorëve të shquar në fushë të marrëdhënieve ndërkombëtare në përgjithësi dhe të transatlantizmit në veçanti.
Origjinaliteti që i jep autorja veprës, nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën e mbarështimit të lëndës, me gjuhën e stilin, me kompozimin e materialit dhe metodologjinë, por edhe me prurjet e saj të reja në fushën që studion, me faktet dhe idetë, me praktikën specifike të botës shqiptare etj. Ajo nuk kufizohet vetëm në marrëdhëniet transatlantike, por studimin e shtrinë deri në marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi.
Sipas autores, fill pas LDB kontradikta më e mprehtë ndërkombëtare ishte ideologjia, lufta midis komunizmit dhe kapitalizmit, midis totalitarizmit dhe demokracisë perëndimore. Ky polarizim i aleatëve të luftës antifashiste, me në krye SHBA në një anë dhe të BRSS në anën tjetër, çoi pashmangshëm në rendin e ri botëror bipolar, duke zëvendësuar sistemin multipolar të Versajës, në ndarjen e zonave të influencës të dy superfuqive dhe në ngritjen e strukturave ushtarake të blloqeve rivale, NATO dhe Traktati i Varshavës.
Zhvillimet botërore karakterizoheshin sipas politikës së jashtme amerikane dhe sovjetike, dy qendrave përcaktuese të rendit të ri botëror pas LDB, - shkruan autorja.
Në analizën e saj, mandati fillestar i NATO-s ishte parandalimi i një sulmi sovjetik në Evropën Perëndimore. Karakteri mbrojtës i doktrinës transatlantike i kundërpërgjigjej karakterit mësymës dhe ekspansionist sovjetik.
Ndarja e botës në Konferencën e Jaltës, përbënte një fatkeqësi tjetër për shqiptarët në përgjithësi dhe për Kosovën e trevat tjera etnike shqiptare nën Jugosllavi, në veçanti.
Pas LDB fillon tensionimi i raporteve ndërkombëtare që u quajt Lufta e Ftohtë, e cila si shpatë demokleu qëndroi mbi kokën e popujve dhe vendeve të botës, (me ndonjë periudhë shtensionimi-Detantë), rreth tri dekada e gjysmë, deri në shembjen e BRSS dhe Murit të Berlinit.
Këtë periudhë të gjatë dhe kërcënuese, autorja e analizon dhe interpreton detajisht, duke paraqitur dhe trajtuar doktrina, teori dhe shkolla të mendimit,
si shkollat realiste, neorealiste dhe neoliberale në marrëdhëniet ndërkombëtare, konstruktivizmi, tradicionalizmi, revizionizmi dhe postrevizionizmi etj., por mbi të gjitha transatlantizmi si doktrinë. Këto ide, teori dhe shkolla të mendimeve, ishin baza mbi të cilat është ndërtuar rendi botëror.
Në libër gjejmë Strategjinë e NATO-s në Luftën e Ftohtë dhe në fazën e Detantës, pikëpamjet amerikane dhe evropiane, rënien e komunizmit në lindje të Evropës, ribashkimin e Gjermanisë, globalizmin, rolin e NATO-s dhe konceptin e saj strategjik pas Luftës së Ftohtë, Marrëdhëniet transatlantike dhe Bashkimi Evropian, zgjerimin e NATO-s, Ballkani dhe NATO, Kosova dhe ndërhyrja e NATO-s etj.
Në kapitullin e fundit autorja shkruan për sfidat e brendshme dhe të jashtme të transatlantizmit në shekullin XXI, për Rusinë dhe Kinën, kontrollin e armëve, çarmatimin dhe armët e shkatërrimit në masë, për rrezikun që paraqet terrorizmi dhe për të ardhmen e transatlantizmit.
Bashkësinë transatlantike, shkruan autorja, e përbëjnë tri karakteristika: ndërvarësia, institucionet e përbashkëta dhe identiteti i përbashkët. Që në themelim, NATO përbëhej nga vende me vlera të përbashkëta.
Burimi i aleancës transatlantike qëndron te Plani Marshall për Evropën.
Në libër trajtohet edhe historia e themelimit të BE si dhe zhvillimet e fundit mbi bazën e dokumentacionit të bollshëm që e mundëson hapja dhe deklasifikimi i tyre, oscilimet në raportet e SHBA me aleatët europerëndimorë etj.
Konferenca e Helsinkit më 1975, rezultoi me dy kompromise: Perëndimi ia njohu të drejtën Bashkimit Sovjetik të ruante ndikimin mbi aleatët e tij të bllokut socialist, por në këmbim të pranimit të të drejtave të njeriut në këtë bllok. Këto të drejta ngjallën në vendet e bllokut disidencën, si një minë shpërthyese brenda tij. Nuk vonoi shumë dhe në dekadën e fundit të shekullit XX ndodhën pesë kthesa historike: Shembja e BS, fundi i komunizmit në Evropë, rrënimi i Murit të Berlinit, fundi i Luftës së Ftohtë dhe i rendit bipolar ndërkombëtar, duke i lënë vendin atij unipolar me SHBA, si superfuqia e vetme në botë.
Një hapësirë në libër i kushtohet raporteve të botës shqiptare dhe transatlantizmit në përgjithësi dhe ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës nga regjimi pushtues serb, në veçanti. Brezat e Kosovës së lirë janë e do të jenë në gjithë jetën e tyre mirënjohës SHBA-ve dhe NATO-së për lirinë që gëzojnë. Ky libër i Albulenës do t’u shërbejë efektshëm atyre për ta njohur historinë e transatlantizmit dhe për mbajtjen gjallë të lidhjeve miqësore e shpirtërore dhe partneritetit me aleatët.
7. Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Autorja i jep hapësirë të veçantë rolit të SHBA në zhvillimet botërore, për sigurinë globale dhe përhapjen e idealit të demokracisë. Në libër citohet Zbignew Brzezinski, i cili thotë: “SHBA dhe BE së bashku përfaqësojnë bërthamën e stabilitetit global politik dhe të mirëqenies ekonomike”.
Izolacionizmi i SHBA pas 150 vjet rresht ishte tejkaluar, por administrata e presidentit Tramp pati tendencë ta rikthente, duke lënduar marrëdhëniet me aleatët evropianë.
Që nga Wilson dhe Truman SHBA përhapin idealet amerikane në botë, me aspiratën universaliste që bota të bëhet si Amerika. Doktrina e Truman ishte fundi i izolacionizmit amerikan, - konstaton autorja.
Gjatë Luftës së Ftohtë SHBA kishin dy strategji: Frenimi-me kërcënim dhe Përmbajtja; bashkimi i strategjisë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike.
8. Forma, gjuha dhe stili
Gjuha e artikuluar akademike, me sintaksë shqipe dhe ortografi korrekte, si dhe fjalori i pasur që eviton përsëritjet, e bëjnë leximin dhe të kuptuarit e tekstit, të lehtë dhe tërheqës.
Stili i autores është i natyrshëm, i thjeshtë dhe i matur, i ngrohtë dhe me gjallëri.
Lënda voluminoze e veprës është ngjeshur në vetëm 275 faqe libri, sepse Albulena zgjedh dhe kursen fjalët, duke mos lejuar teprinë e tyre. Gjuha koncize e veprës e bën atë dinamike, pa lënë mundësinë që lexuesi të gjejë hapësirë pushimi a dremitjeje. Albulena shkruan shkurt, qartë dhe shqip. Stili akademik i saj është i kuptueshëm edhe për çdo lexues të zakonshëm.
9. Vlerësime
Informatat shkencore, faktet, të vërtetat e idetë që ka mbledhur nga literatura dhe dokumentet, autorja i gjykon, duke mbajtur qëndrim kritik, për t'i nxjerrë përfundimet. Ajo e ka organizuar dhe kompozuar e renditur me profesionalizëm lëndën e temës brenda kapitujve të veprës.
Autorja ballafaqon teori dhe shkolla të ndryshme, shpesh kontradiktore, të cilat i interpreton me syrin kritik, duke sjellë kontributin e saj origjinal për çështjet e shumta në temë të sigurisë globale dhe transatlantizmit.
Vepra nuk rëndohet me çështje të vogla as me përsëritje të panevojshme. Libri sjell informata të shumta dhe të nevojshme për të gjithë ata që kanë interes për temën bosht e materialin e shtjelluar. Me shqyrtimin korrekt dhe analizën e argumenteve të ndryshme të shkollave dhe teorive divergjente, autorja qëmton të vërtetat dhe përfundimet e saj studiuese.
E gjithë struktura e librit ka harmoninë si tërësi organike dhe vijimësinë e trajtimit të temës. Çështjeve që trajton autorja, në proporcion sipas rëndësisë u jep vendin dhe hapësirën që meritojnë. Libri është punuar me pasion, përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, duke e bërë studim serioz, aktual dhe shumë të rëndësishëm. Ai ka të gjitha karakteristikat e një vepre të mirëfilltë shkencore.
I mungonte literaturës dhe bibliotekave shqiptare një libër i kësaj teme dhe i këtij niveli.
10. Rëndësia e veprës, përfundim
NATO lindi si nevojë e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta demokratike të anëtarëve të saj. Jeta e gjatë e kësaj aleance shpjegohet me rolin prej gardiani të sigurisë globale dhe me përshtatjen e saj situatave botërore e strategjive të çdo faze që ka kaluar, me dinamizmin, zhvillimin dhe reformat e vazhdueshme.
Autorja vjen në konkluzion se kërcënimi i paqes dhe i sigurisë e bëjnë të domosdoshme NATO-n edhe kohë të gjatë, pavarësisht sfidave të jashtme dhe të brendshme të saj.
Rusia ende e sheh dhe e trajton veten si perandori. Ajo e ka humbur dominimin në ish-bllokun socialist, por nuk e pranon dhe synon ta kthejë përsëri. Njëjtë synon në Ballkanin Perëndimor Serbia (mini Rusia) për Kosovën etj. Doktrina ekspansioniste ruse-serbe në aktualitetin tonë kërkon mbështetje mitologjike, duke e konsideruar Ukrainën djep të kombit rus, kurse Kosovën djep të kombit dhe shtetit serb.
Një sfidë serioze për transatlantizmin përbën aktualisht, por edhe në të ardhmen, terrorizmi, si një rrezik dhe shëmti globale. Teknologjia e avancuar përbën gjithashtu sfidë serioze për NATO-n, por edhe përparësi njëkohësisht. Vatrat e pashuara të konflikteve potenciale, aktualisht mbahen nën kontroll nga SHBA dhe NATO, - përfundon autorja.
Libri i Albulenë Halilit, për informatat dhe njohuritë enciklopedike që sjell para lexuesit, për karakterin e studimit shkencor, për vlerat shumëdimensionale të tij, ka rëndësi të veçantë dhe uroj që të jetë pjesë e bibliotekave publike e private të shqiptarëve, por edhe literaturë e doracak në katedrat e universiteteve tona.
Duke qenë e re në moshë dhe ekzigjente në veprimtarinë studiuese, Albulenë Halili ka përpara një karrierë të shkëlqyer shkencore.
Nana e djegur
Arlind Farizi
Nan’ trup-rëndë ke qenë, por kurrë më e lehtë së sot.
Të mora në krahë më gjithë ato kabllo ngjitur gjoksit tënd, dilja si një Avatar nga dhoma në dhomë, për t'i ikur zjarrit dhe tymit të zi, erës së plastikës së djegur dhe erës së mishit të njerëzve që po digjeshin. Flaka kishte rrokur flokët e mia dhe shpinës bartja fllakë.
U afrova që dritarja. Të lutesha që kjo të ishte vetëm një ëndërr. Gjithë spitali po digjej. Flaka na rroku të dyve. Mora pakëz ujë, dhe doja t’ia “fturiti” buzët e thara të nënës. E ajo m'tha: "Ik biri im, jeto ti, së unë kam jetuar mjaft".
Pashë ca duar policësh që më nxorën nga dritarja. Pjesa tjetër ishte komë...
Nëna u dogj, kjo do të thotë shumë.
Nëna nuk vdiq u dogj.
Kjo do të thotë shumë. Kjo orë e familjes s’ka për të ndaluar bashkë me dhimbjet e mia nan’. Vetëm erë e jodit, era e plastikës dhe era njeriu të djegur, jo vetëm e nënës sime, por e katërmbëdhjetë trupave të tjerë ka për të mbetur në hundët tona për mijëra vjet.
Tash, i rikthyer në vete, edhe pse nuk e mbaja mend varrimin tënd, e ndiej, hapa të zinj afrohen, e qarkojnë shtëpinë. Dhimbja, kjo fqinje jona e heshtur, me tonelata e rëndë, po shpërngulet, por askush s’do të banojë më në dhomën e saj. Errësira që andej do të na gërryejë sa të jemi gjallë. Di se shpinës më binin mijëra shkopinj të ujtë….
Nana nuk vdiq, nana u dogj, e kjo do të thotë shumë...
***
Fragment nga romani "Nana e djegur", i cili trajton tragjedinë e zjarrit në spitalin modular të Tetovës.
Ky roman është propozuar për çmimin prestigjioz “Kadare”, i cili jepet nga Shtëpia Botuese ‘‘UET PRESS’’ në Tiranë që nga viti 2014.
Arlind Farizi u lind më 02.01.1984 në Tetovë. Ka botuar disa përmbledhje me poezi, tregime, ese dhe monografi studimore: "Romeo patjetër duhet të vdesë" – tregime, "Diçka si dashuri" – tregime, "Paturpësia e mendimit" – poezi, "Tjetri" – ese, "Universi i vendlindjes në lirikat e Murat Isakut" – monografi shkencore, "Tipologjia e personazheve në romanet e Ismail Kadaresë" – monografi studimore, "Jepi zë pikëllimës" – tregime, "Kur të shtrij butë në prozë" – tregime, "Dashuri në kohën e feibukut" – tregime, "Letërsia e Evropës Juglindore 1" – studim, "Letërsia dhe kultura e telefonizimit" – studim, "Praktikumi i gjuhës shqipe" – material krestomaci, "Dridhem mos po të harroj" – tregime. Ka fituar disa çmime për letërsi në nivel lokal dhe ndërkombëtar.
* Fotografia e krijuar me DALL·E.
Për mallkime brezat do t'jetojn' dhe nesër
Adelina Xhaferi
BREZA GRASH
Kur linda n’agun e s’mërkurës
ia mbyllën shtëpis’ der’n e madhe
t’mos m’i shihte syt’ bota,
n’dritaret e heshtura kah udha
perde t’zeza vu dor’ e fatit,
mbi time MË ran’ mallkime t’shumta
e për GJYSHEN dhimbje t’re l’shoi dita.
N’krah’ s’më morën me dashuri,
shkëndija urrejtjeje n’ball’ u rëndonin,
shamizezat e ngujuara me ego burrash
n’djep druri ma kufizuan dit’n e par’...
T’mërkurën e zez’ për time MË...
time GJYSHE...
timen jet’ n’prag dëshirash.
Dhe emrin ma lan’ me der’ t’mbyllur
n’errësir’ t’dhomës s’sime MËJE,
larg dhe prej hënës
mbyllur n’sht’pi t’heshtur fshati;
ma shkruan fatin n’hajmali qafe
e lan’ mbi MU’ urrejtje t’reja;
teksa n’gjoks hën’ e natës s’parë m’ra
bashkë me lotët e sime MËJE,
fshirë me cep t’shamis’ së zez’...
t’ziut fat n’breza grash.
T’nesërmen s’mori vesh bota timen lindje,
n’heshtje egot e vran’ jetën
me fjal’ burrash n’oda t’m’dha;
GJYSHJA s’ia puthi t’atit ballin,
mikut s’iu ndez zjarri n’vatër,
me dor’ n’zemër s’iu dha duhan,
as sime MËJE’ s’i qeshi buza
kur n’gji t’saj piva dhimbjen e bardh’.
As t’nesërmen s’u çel der’ e madhe,
as perdet s’i hoq’ dor’ e GJYSHES,
mbi MU’ jeta l’shonte ditët
e n’timen ËM’ shamizez’
urimi i burrit as që vinte.
NËN’
Nuk doja ta mbyllnin derën nën’
n’heshtjen e kullës pas simes lindje
kur trari djepin s’e linte posht’,
se pas gjumit t’babës me këng’ t’gjyshes
n’të, një djal’ urdhëruan t’përkundje
e jo mu’ me jet’ t’shitur kanuni.
S’doja që syrin e kaltër ta hiqnin nga dera,
n’mos mu’
si zot...
ty duhej të t’ruante
net’ve me dhembje shpirti
se boll djaj t’shihnin me ego t’vrara
kur n’gji më mbaje me duar t’lidhura
e mu’ veç bardh’sia e gjirit tënd m’jepte jet’.
S’doja t’rrije me oja t’zeza n’shami
pas dor’zimit t’babës me pushk’ n’krah’
se për fisin ai s’kishte për t’lën’ djal’
ta ruante kokën dhe nderin tim.
S’kisht’ për t’ia lën’ emrin e t’parit burr’
se t’nën’lokes ma vun’ kur gdhiu dita,
e ty pa dashur t’bëra tempull mallkimesh.
S’doja nën’ me t’qara ta nisje ditën
kur n’ar’ grurin sërish për fisin do e mblidhje
se edhe aty mallkime t’lëshonin grat’
me urdhër t’pushkës s’moçme.
Nën’!
Njëjt’ për mu’ do t’bënin
edhe po t’vija bekim pas një djali,
ty n’shami prap’ oja t’zeza do t’vinin
se për femrën n’t’zi edhe jetën e çonin.
S’bënin ndryshe nën’.
PËR MALLKIME BREZAT DO T’JETOJN’ DHE NESËR.
AFSH
Mos m’fol me dashuri për t’djeshmen ton’!
Kur flokët tua t’zeza n’duar i mbaja
edhe përkundër burrave t’fiseve tona
që lëndinën e takimeve na e kthyen n’varr
e lidhjen me ty, më shum’ se frym’
i thash’ murgut t’ma njihte.
Për to mos m’thuaj as se i desha!
Ndon’se si pend’ korbi t’zeza ishin
për mu’ kishin emrin e një dashurie
sot t’kthyer n’legjend’
për t’cilën ti u betove që ta bekoje.
Por ti...
sërish
as për k’të mos m’fol!
Hesht ashtu siç t’than’ “burrat e m’dhenj”
që rrugën drejt meje
me afsh ta shtruan n’dhimbje
t’dehur nga arti fshehur n’gjoksin e mallkuar t’Evës!
Mos m’bëj as sot që t’vdes n’agun e shpresës
duke t’thën’ se për ty ende m’bie malli!
(E thyer dhe për murgun ka për t’qen’ kjo ndjenj’.)
KUR T’MOS JEM
Ëndrrat e para mbrëm’ do t’dhimbsen
por jo sa f’tyra ime e qeshur pran’ teje
me gropëz faqeje që ti e adhuroje,
sepse s’do t’jem e përhershme
e kur t’mos jem, do m’quash ëndërr.
Atëher’ kur puthje do t’duhen
e pran’ do kesh veç kujtimet
rën’ mbi gjoks si hije mali,
do t’kesh dhimbje shpirti
më shum’ se Medea e antikës
e kur t’mos jem, do m’quash puthje.
Sa her’ që poezi për gjum’ do kërkosh
me motiv dashurie lindur n’shkurt
t’jet’ jotja me fat jetësor
do marrësh veç heshtje netësh
e kur t’mos jem, do m’quash poezi.
Atëher’ kur n’duar s’do kesh dashuri,
e larg teje do jen’ takimet
befas do shohësh pirg mallkimesh,
do vuash për pak shpres’ me ngjyr’,
e kur t’mos jem, do m’quash dashuri.
Sa herë n’ëndërr do gjesh t’dashur
e nga gjumi pa puthje do zgjohesh,
sfilitëse do jen’ kujtimet e djeshme,
t’heshtura fjalët që i tham’ me shpirt,
mbi ty do jen’ vetëm mundimet
ndryshe nga qeniet që pranuan vdekshmërin’,
mbi ty do rëndoj’ dhe jeta ime
e atëher’ kur t’mos jem pran’ teje
do flesh veç me dhimbje shpirti.
Bografi e shkurtër e autores:
Adelina Xhaferi është e lindur më 11 qershor 1997, në fshatin Forinë, Gostivar. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, atë të mesëm në qytetin e Gostivarit, ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Tetovës. Pak kohë më parë, me sukses të shkëlqyer e të dalluar, ajo ka mbaruar edhe studimet e ciklit të dytë (studimet pasuniversitare), duke e marrë kështu titullin Magjistër i Letërsisë Shqipe. Adelina është e punësuar si mësimdhënëse e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në shkollën fillore të vendlindjes së saj, dhe, në të njëjtën kohë, për dy vite me radhë është e angazhuar edhe si asistente letërsie në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Tetovës. Ajo është autore e përmbledhjes me haiku “Botë përtej dritares”, vepër kjo që është dhe përmbledhja e saj e parë poetike, duke e paraqitur në këtë mënyrë edhe vetë rendjen e saj të vazhdueshme drejt botës së artit të bukur poetik. E për këtë të fundit, shihet edhe vetë dëshira e saj e vazhdueshme për ndjekje dhe përjetim.
Rusia dhe Lufta e Madhe
Albulenë Halili
Në vitin 1917 Rusia po përjetonte një krizë të brendshme, e cila e bëri atë të paaftë për të qenë një aktore e denjë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Lufta e Parë Botërore i kishte sjellë Rusisë humbje shumë të mëdha. Në frontin lindor të luftës, Rusia kishte pësuar shumë disfata ushtarake, të cilat kishin sjellë pasojat e veta. Në këtë vit, mbretëria ruse ballafaqohej me një rënie të madhe të standardit të jetesës, probleme me inflacionin, ndërsa për të mos mjaftuar e tërë kjo, edhe me një opozitë shumë të organizuar liberale. Meqenëse mbreti Nikollai ishte mjaft i preokupuar me luftën, duke shkuar në front personalisht, çështjet e udhëheqjes së politikës së brendshme ia la në dorë mbretëreshës Aleksandra, e cila, veçanërisht gjatë luftës, nuk ishte aspak e dashur për popullatën e atëhershme ruse. Kjo për faktin se Aleksandra ishte një adhuruese dhe mbështetëse e flaktë e autokracisë, ndërsa ajo shihej shumë rrallë në publik. Arsyeja që i vinte vulën kësaj antipatie aq të madhe për të, ishte fakti që ajo qe me prejardhje gjermane. Këto dhe arsye të tjera kishin kontribuar në një mënyrë, apo në një tjetër, në shpërthimin e dy revolucioneve.
I pari, rrëzoi Carin Nikollai II dhe krijoi Qeverinë provizore; i dyti, vetëm tetë muaj më vonë, solli në pushtet bolshevikët (të quajtur komunistë pas marsit 1918). E ashtuquajtura Qeveri Provizore me në krye Kerenskin, ishte krijuar nga Duma ruse dhe përfaqësohej nga një pjesë e moderuar e shoqërisë së klasës së lartë, ambiciozë për një Rusi me regjim parlamentar perëndimor; përderisa së shpejti u krijua një organizatë tjetër, e quajtur Këshilli i Sovjetëve, i përbërë nga revolucionarë socialistë dhe marksistë të cilët ishin të organizuar rreth Partisë së Punëtorëve Socialë-demokratë Rusë.
Kthimi i Leninit nga Zvicra, shumë shpejt pruri përçarjen mes marksistëve: në menshevikë dhe bolshevikë. Të parët ndiqnin idenë e Marksit, sipas të cilit shteti nuk mund të fillojë fazën socialiste pa e kaluar atë kapitaliste. Përderisa menshevikët tashmë ishin bërë pjesë e Qeverisë provizore, Lenini, udhëheqës i bolshevikëve mendonte se nuk është e udhës të pritet që të kalojë faza kapitaliste, por ai synonte përgatitjen e një revolucioni socialist, i cili do zgjerohej gjithandej nëpër Evropë.
Lenini kishte qenë kategorikisht kundër përfshirjes së Rusisë në Luftën e Parë Botërore dhe deklaronte se ajo ishte arsyeja e vetme për krizën e madhe në të cilën gjendet vendi i tij. Ndaj edhe në Tezat e tij të prillit, në të cilat do të mbështetej Revolucioni rus, ai kërkonte kontroll të shtetit nga sovjetët, duke e akuzuar qeverinë e re se ishte një qeveri imperialiste sikurse e mëparshmja. Edhe në tezat e tij ai vazhdonte të ishte kundër Luftës, duke e quajtur atë një luftë imperialiste tradhtare. Bolshevikët kishin luajtur rol shumë të madh në përfundimin e luftës dhe për këtë ata kishin pasur mbështetjen e armikut me të cilin luftonte Rusia në frontin lindor.
Interesat gjermane dhe ato të Leninit përputheshin katërçipërisht, ndaj edhe vepruan për arritjen e qëllimit. Gjermanisë i shkonte për shtati evitimi i njërit front të luftës, ndaj edhe nuk e pengoi, madje e ndihmoi udhëtimin e Leninit nga Zvicra për Rusi. Ata ishin të bindur se Lenini do të punonte kundër përfshirjes së Rusisë në luftë. Lenini bindi fshatarët dhe ushtarët të braktisin luftën dhe t’i bashkëngjiten revolucionit. Pas Revolucionit të Tetorit në Rusi, bolshevikët në krye me Leninin, morën pushtetin.
Pas shumë përpjekjeve diplomatike për ta parandaluar atë, më 3 mars të vitit 1918, u nënshkrua Traktati Brest-Litovsk mes Rusisë dhe Gjermanisë.
Traktati i Brest-Litovskit i dha fund konfliktit me Gjermaninë duke i mënjanuar asaj njërin front të luftës - atë lindor, e me këtë edhe luftën e saj në dy fronte. Pas nënshkrimit të këtij traktati, trupat gjermane do të transferoheshin në frontin perëndimor, e cila përfaqësonte njërën nga arsyet për të cilën aleatët e dikurshëm të Rusisë kundërshtuan kategorikisht nënshkrimin e kësaj paqeje.
Me evitimin e frontit lindor, Gjermania u fokusua nga Franca, duke e bërë të domosdoshme hyrjen e SHBA-ve në Luftën e Madhe, e cila do të luante një rol vendimtar në përfundimin e luftës në përgjithësi.
Me paqen e Brest-Litovskit Rusisë iu shkëput një e treta e territorit të saj, kryesisht pjesa jo ruse e perandorisë, që përfshinte: Finlandën, Lituaninë, Estoninë, Letoninë, Ukrainën dhe Poloninë.
Efekti i revolucionit rus dhe thirrja e komunistëve për “revolucion socialist ndërkombëtar” bëri që të gjitha shtetet evropiane të ndiheshin të kërcënuara nga bolshevizmi, madje në disa shtete kjo u shndërrua në mani.
Në vitin 1918 Rusia përfaqësonte një shtet të amputuar dhe krejtësisht të izoluar në planin ndërkombëtar.
Pjesë nga libri "Rendi i Versajës: Bërja e një bote të brishtë" botuar në nëntor 2020 nga Shtëpia e librit "Syth" në Tetovë.
Rusia, ringjallja e kundërshtarit të vjetër
Albulenë Halili
Në analizën dhe rekomandimet e fundit zyrtare të NATO-s nën emrin NATO 2030: United for a New Era (NATO 2030: Të bashkuar për një epokë të re), thuhet se NATO duhet të vazhdojë qasjen me dy drejtime: të parandalimit dhe dialogut me Rusinë.
“Aleanca duhet t'u përgjigjet kërcënimeve dhe veprimeve armiqësore ruse në një mënyrë politike të bashkuar, të vendosur dhe koherente, pa u rikthyer në “punët e zakonshme” që ndalojnë ndryshimet në sjelljen agresive të Rusisë dhe rikthimin e saj në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, NATO duhet mbetet e hapur për të diskutuar bashkëjetesën paqësore dhe për të reaguar pozitivisht ndaj ndryshimeve konstruktive në sjelljen dhe qëndrimin e Rusisë. NATO duhet të evoluojë përmbajtjen e strategjisë së saj të dyfishtë për të siguruar efektivitetin e saj të vazhdueshëm duke rritur kostot për agresionin rus dhe të zhvillojë një përgjigje më gjithpërfshirëse ndaj formave hibride të agresionit rus, duke mbështetur në të njëjtën kohë shtrirjen e shtuar politike për të negociuar kontrollin e armëve dhe masat e zvogëlimit të rrezikut.”
Dekadat e kaluara aleatët transatlantikë ia kishin lejuar vetes mendimin se Rusia mund të jetë një partner, madje se mund të shndërrohet një ditë edhe në aleatin e tyre. Shumë gjeste të Rusisë e kishin zbehur këtë mendim naiv, por momenti kyç që ka shkërmoqur këtë ide përfundimisht ka qenë agresioni ushtarak në Ukrainë në vitin 2014. Rusia sot nga aleanca atlantike shihet si një rival. Megjithatë, “Kjo nuk është një Luftë e Ftohtë e re”, shkruan Bremer. “Rusisë i mungojnë aleatët ndërkombëtarë të Bashkimit Sovjetik, thirrja ideologjike dhe muskuli ushtarak.”
Koncepti rus mbi botën është tërësisht darvinian dhe hobsian, ndaj dhe politika e tyre e mbrojtjes dhe sigurisë në kohë paqeje nuk bën dallim nga koha e luftës. Që nga koha e fillimit të Luftës së Ftohtë, Stalini mendonte që ishte krejtësisht jashtë logjike që politika e jashtme ruse të mbështetej në vullnetin e mirë kolektiv ose në të drejtën ndërkombëtare. Zhvillimi i marrëdhënieve midis NATO-s e Rusisë filloi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur Rusia u bë pjesë e forumit të dialogut të quajtur, Këshilli i Bashkëpunimit Veri-Atlantik në vitin 1991, i cili u trashëgua në vitin 1997 nga Këshilli i Partneritetit Euro-Atlantik. Përmes Programit të Partneritetit për Paqe, Rusia ka qenë një partner i Perëndimit në misionet e menaxhimit të konflikteve në Ballkan në vitet ‘90, ndërkaq në vitin 1997 janë vënë marrëdhëniet bilaterale midis tyre përmes Aktit Themelues NATO-Rusi. Nevoja për konsultim dhe bashkëpunim praktik në sferat e interesit të përbashkët bëri që në vitin 2002, NATO e Rusia të krijojnë Këshillin NATO-Rusi, moment i cili shënon pikun e marrëdhënieve e bashkëpunimit midis dy subjekteve tradicionalisht kundërshtare.
Pas sulmit të 11 shtatorit, përpara botës dhe SHBA-ve si fuqia udhëheqëse e saj, shfaqej një kërcënim i ri, atipik, vështirë për t’u luftuar vetëm, siç ishte terrorizmi. Andaj jo vetëm që SHBA kishte zbarkuar dhe angazhohej aktivisht me të tëra resurset politike-ushtarake në Lindjen e Mesme, por edhe të gjithë aktorët botërorë që e perceptonin terrorizmin si kërcënim të sigurisë globale, i konsideronte bashkëpunëtorë të mundshëm. Përveç se me aleatët e vetë brenda strukturës së sigurisë së Paktit të Atlantikut të Veriut, këtë qasje e mbante edhe me kundërshtaren e saj tradicionale, Rusinë, duke pranuar interesat dhe ndikimin e saj në këtë rajon të turbullt. Pa dyshim se Rusia mbetet e pranishme në rajonin e Lindjes së Mesme, por gatishmëria e saj për të intervenuar politikisht e ushtarakisht gjatë Luftës së Sirisë, ka eroduar besimin e Perëndimit se Rusia është një partner i besueshëm në luftën kundër terrorizmit.
Invazioni rus mbi Gjeorgjinë në vitin 2008 bëri që momenti unipolar që kishte pasuar rendin bipolar të Luftës së Ftohtë, të sfidohet seriozisht duke bërë që të marrë fund miti i krijuar, se kërcënimi i luftës do të zhduket nga mjedisi strategjik pas-sovjetik. Politika e jashtme tradicionale ruse ishte ringjallur sërish në formën e doktrinës Medvedev. Kjo doktrinë përbëhej nga pesë parime themelore, edhe atë: "Rusia njeh përparësinë e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare", "Bota duhet të jetë multi-polare", "Rusia nuk dëshiron konfrontim me ndonjë vend tjetër", "Mbrojtja e jetës dhe dinjitetit të qytetarëve tanë, kudo që të jenë, është një përparësi e padiskutueshme për vendin tonë", dhe "Siç është rasti i vendeve të tjera, ka rajone në të cilat Rusia ka interesa të privilegjuar".
Në vitin 2014, aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë ka bërë që themelet e fuqisë ushtarake njëpolare të SHBA-së dhe Perëndimit të vihen në seriozisht në pikëpyetje. Këmbëngulësia ruse për t’u vendosur në vendin që sipas saj i takon në rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë, përbën sfidën më të madhe për stabilitetin e Evropës dhe për strukturat aktuale të sigurisë perëndimore. NATO po përballet me një mjedis të sigurisë krejtësisht të ndryshëm, të imponuar nga Rusia. Kriza në Ukrainë ka shpalosur edhe një herë ambiciet tradicionale të Rusisë për influencë në Evropë.
Sipas presidentit Putin, shembja e Bashkimit Sovjetik shënoi jo vetëm shpërbërjen e një sistemi politik, por tëhuajësimin e një qytetërimi. Andaj, duke marrë parasysh procesin e zgjerimit të NATO-s dhe bashkëpunimin e Perëndimit me shtetet ish-sovjetike, ai e konsideron Rusinë si qytetërim nën kërcënim. Duke u nisur nga këto premisa, Rusia ka krijuar lëvizjen politike Euroazianizmin, sipas së cilës qytetërimi rus nuk përket në Evropë ose në Azi por në konceptin gjeopolitik të Euroazisë. Koncepti gjeopolitik i Euroazisë, si një nga projektet më ambicioze të politikës së jashtme ruse i materializuar si Unioni euro-aziatik në janar të vitit 2015 nga Putini, është ideuar nga ideologu i ekspansionizmit rus me qëndrime të së djathtës ekstreme, apo eminenca gri – Alexandër Dugin. Doktrina Putin përshkohet para së gjithash nga qëllimet dhe dëshira e tij për të imponuar dhe mbajtur një sferë ruse të influencës përtej kufijve të saj. Sfera e influencës kthehet kësisoji sërish si diskurs qendror në politikën e saj tradicionale të gjeopolitikës së përhershme. Botëkuptimi rus mbi sigurinë është koherent me pozitën e saj gjeostrategjike, si shteti me sipërfaqen më të madhe tokësore në botë, i rrethuar me kufij tokësorë në të katër anët e saj. Tendencat për krijimin e një tampon zone e cila e ndan atë nga kufiri i menjëhershëm i NATO-s është si rezultat i krahasimit që ajo bën me pozitën gjeostrategjike të SHBA-së, e cila në mënyrë natyrore e ka këtë privilegj, e ndodhur midis dy oqeaneve. Përderisa doktrina e re ushtarake ruse e konsideron zgjerimin e NATO-s si kërcënimin kryesor të sigurisë së saj, kjo ka bërë që Rusia, shtetet e saj fqinje, apo republikat ish-sovjetike, të vijojë t’i shohë si oborri i shtëpisë së saj. Këndvështrimi rus mbi shtetet e oborrit të vet janë pika vitale e sigurisë së saj, aty ku koncepti mbi sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit bie ndesh me nevojën ruse për siguri. Pikërisht këtu qëndron dallimi midis dy botëkuptimeve, atij perëndimor e atij rus mbi sigurinë. Studiuesi britanik Keir Giles, shpjegon:
“Ekziston një konflikt i drejtpërdrejtë midis nocioneve tona që shtetet në periferi të Rusisë duhet të jenë sovrane, të pavarura dhe të afta të vendosin vetë të ardhmen, dhe nocionit rus, sipas të cilit për të siguruar sigurinë e vet, ajo duhet ta kontrollojë dhe zotërojë një thellësi të konsiderueshme përtej kufijve të saj, që do ta mbrojë nga përafrimet me të. Kjo është një zgjedhje binare.”
Nga ana tjetër, eksperti rus i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe punëve të jashtme, Fjodor Lukianov, shpjegon se “ajo që e ka alarmuar Rusinë nuk është vetëm zgjerimi i NATO-s, por edhe transformimi i saj”. Ndryshimi i mjedisit të sigurisë globale implikon edhe ndryshimin e paradigmës të të bërit luftë. Në rastin e NATO-s, procesi i transformimit të organizatës është në funksion të ndërrimit të kësaj paradigme dhe përshtatjen e saj me këtë mjedis të ri. Por, organizatat perëndimore si NATO e Bashkimi Evropian, mbështeten në sisteme të rregullave, për dallim të fuqive pretendente për dominim global, si Rusia e Kina, botëkuptimi i të cilave për rendin ndërkombëtar është diametralisht i kundërt me atë perëndimor.
Rusia, për dallim nga NATO shquhet për të bërit luftë në mënyrë jokonvencionale ose multidimensionale, apo ajo që nga Perëndimi emërtohet si lufta hibride. Por, mënyra ruse e të bërit luftë nuk përkon me konceptin perëndimor të luftës hibride, që përfshin një kombinim të luftës konvencionale dhe asaj bërthamore. Lufta e Brezit të Ri, si mënyrë ruse e të bërit luftë në shekullin XXI, vjen nga doktrina ushtarake ruse dhe Shefi i Gjeneralshtabit Valeri Gerasimov dhe është një amalgamë e fuqisë së fortë dhe asaj të butë, që përfshin veprime asimetrike të të gjitha domeneve. Lajtomotiv i kësaj lufte mbetet lufta informative, e cila sipas të menduarit rus, për dallim nga koncepti perëndimor, nuk kufizohet vetëm gjatë kohës sa zgjat lufta, por është një luftë e përhershme, për të mos thënë një modus vivendi e saj për të mbijetuar në mjedisin aktual të sigurisë globale sipas perceptimit të saj.
Kriza aktuale në Ukrainë, ka risjellë në ligjërimin e marrëdhënieve ndërkombëtare çështjet e diskutuara gjatë Luftës së Ftohtë. Anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO përfaqëson për Rusinë vijën e kuqe dhe një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë së saj. Rikthimi i perandorisë sovjetike në Evropën Qendrore e Lindore mbetet për Rusinë një ëndërr, por parandalimi i zgjerimit të NATO-s në lindje dhe krijimi i një rendi të ri të sigurisë evropiane mbeten qëllime të saj, të cilat ajo do të përpiqet t’i arrijë me të gjitha mjetet e në mënyrë makiaveliste.
Rusia paraqet sfidë serioze edhe për rendin perëndimor në Ballkan, për të cilin aleatët transatlantikë, sidomos Shtetet e Bashkuara, kanë bërë investime thelbësore. Që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, kur zë fill politika e jashtme ruse më e re, Ballkani është pjesë e pandashme e interesave kombëtare ruse, madje përbën thelbin e politikës evropiane të Rusisë. Ballkani paraqet sferën tradicionale të interesit për Rusinë. Arsyeja kryesore për këtë është e natyrës gjeopolitike, meqenëse edhe vetë politika e jashtme ruse është e bazuar kryesisht në gjeopolitikë.
Ndër arsyet e tjera radhiten prejardhja sllave dhe feja ortodokse e shumicës së popujve ballkanikë, politikë e cila daton që nga shekulli XIX dhe së fundmi arsyet ekonomike, të lidhura ngushtë me çështjet e infrastrukturës, kryesisht ujore pa përjashtuar ato tokësore. Kështu, influenca ruse është rritur dukshëm në dekadën e fundit me prezencën e saj në rajon në sektorët ekonomikë, politikë, energjetikë, ushtarakë dhe të tjerë. Ndër gjërat më të rëndësishme për prezencën dhe pretendimet ruse në Ballkan duhet pasur parasysh: aspektet energjetike, marrëdhëniet bilaterale të Rusisë me vendet e Ballkanit, influenca kulturore historikisht e pranishme te popujt sllavo-jugorë e ortodoksë dhe roli i Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit.
Rritja aktuale e interesimit të Rusisë për Ballkanin, për studiues të shumtë ka të bëjë me përfundimin e momentit uni-polar amerikan dhe nevojën e krijimit të një rendi ndërkombëtar pas-unipolar. Por, pa mëdyshje që prania ruse në Ballkan është një antipod i Perëndimit në përgjithësi. Pas përplasjeve në Ukrainë rreziku për përplasjen e radhës në Ballkan, qe një rrezik i denjë për t’u konsideruar seriozisht. Këtë e pati deklaruar që në vitin 2015, Sekretari i Shtetit i SHBA, John Kerry, se në sajë të lidhjeve historike me Rusinë, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova ishin "në vijën e zjarrit", ashtu si shtetet Baltike, Gjeorgjia, Moldavia dhe Transnistria. Ndonëse, pas kësaj deklarate paralajmëruese, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u bënë dy anëtaret më të reja të NATO-s, prania ruse në Ballkan përbën akoma një nga sfidat më të mëdha për rendin perëndimor në gadishullin e vjetër evropian, dhe jo vetëm.
Të dua sa mali karshi
Vjollcë Berisha
Vështrim mbi vëllimin poetik "Krahnezë" të Valdeta Dulahit
“Të dua sa mali karshi” kishte qenë gjysmëvargu që më kishte mbetur në mendje nga leximet e hershme të poezive në dorëshkrim të Valdeta Dulahit. Tingëllimi sa fëmijëror e sa realist i këtij krahasimi më pati bërë për vete dhe më pati drejtuar në trajektoren kah priren të gjitha vargjet e saj. Kur e kujtoj në tërësi përshtypjen e atij leximi të parë, më bëhet se ajo dyzinë vjershash qe rrethuar nga një tufë dallëndyshesh bishtgërshërë që ndjellin ndjesi të ndryshme. Dallëndyshja jo vetëm që ishte simboli qenësor i poezive, por ajo sikur e diktonte edhe atmosferën e përgjithshme të atyre krijimeve të vogla. Mbeta e hutuar nga numri i madh i dallëndysheve që ndesha aty. Kjo ishte edhe ndjenja fillestare. Një ndjenjë që lidhej me qiellin, me ikje-ardhjen e dallëndysheve, me malin karshi, i cili domosdo të kishte qenë një masë e madhe, që subjekti lirik e ndesh përditë dhe e madhja, gjigantja, e pakufishmja, ndoshta edhe deri në kufijtë e së frikshmes, lidhej gjithmonë me të, me malin e madh që rri përkarshi.
Kështu me pak qiell, me pak gjeografi malore, qe shfaqur poezia rishtare e Valdetës në sytë e mi, e me po këtë qiell mbulohet edhe sot leximi i poezisë së saj, që ka hyrë midis dy kopertinash libri e që mban shije vetmie, shije krenarie prej gruaje që dashuron.
Mund të jesh duke kërkuar një fjali përshkrimi që t’i rrijë tamam ndjeshmërisë poetike të këtij vëllimi, atmosferës që shpërfaq ajo dhe të mos mundesh ta gjesh me lehtësi, kur befas zbulon se autorja e ka parathënë me një fjalë të vetme që në titull emëruesin e përbashkët të artikulimit të vet poetik në përgjithësi.
Krahneza është jo vetëm një titull tejet imazhist, por edhe një metaforë e qëlluar e mikrokozmosit artistik të poetes. Është shtresa e hollë e dëborës që ka ngrirë në degët e drurëve. Nuk është pamja e bardhë e borës dimërore që mbulon gjithçka, e cila mund të krijojë edhe dukje të rrejshme për atë që fshihet nën të. Krahneza lejon të shihet përtej. Lejon të identifikohet qartë ngjyra dhe forma e degës. Ajo përcaktohet ta thotë qetë dhe pa bujë se aty pati qenë ftohtë, shumë ftohtë, dhe kjo borë s’është e hëpërhëshme, kalimtare e shkundshme.
Po kështu, edhe te poezia e Valdetës ikjet, kthimet, dashuritë nuk janë efemere. Janë të qëndrueshme, këmbëngulëse. Në sfond bën ftohtë, ndaj e tërë pamja është si e kristaltë. Nuk e zbut as toni tepër femëror i zërit poetik. Aty ka bërë ftohtë. Degët kanë ngrirë. Me ngrirjen e mahnitshme që mund ta japë, megjithatë vetëm artikulimi poetik.
Sado që na bëhet se e dëgjojmë qartë zërin femëror tek rrëfen, tek ndien, prapë se prapë, në të shumtën e poezive të Valdetës, uni lirik i referohet sa njërës gjini, sa tjetrës. Herë bëhet zëri shpirtëror i burrit, herë i gruas. Vetëm bota e ndjeshme është qartë e identifikueshme te të dy.
Një krahnezë e lehtë e përshkon tej për tej botën e poetes. Por, aty ka qenë pranverë më parë. Një pranverë e plotë, me të gjitha nishanet. Kështu thonë dromcat e kujtimeve që vijnë përmes kujtesës së unit lirik të poezive. Është i admirueshëm ky kalim nga pranvera e ngrohtë e dikurshme në pamjen e mbuluar me borë të ngrirë të së sotshmes, e cila në penën e Dulahit bëhet lehtë dhe pa shtërzime të rreme.
Ajo që lë një shije mrekullisht të ëmbël është ngjyresa autentike sharriane që ia jep poetja pjesës më të madhe të poezive të saj, qoftë si gjeografi e qoftë si mendësi a kulturë të shprehur përmes kujtesës kolektive.
Duke qenë bijë Sharri, Valdeta Dulahi poezive të veta ua vendos sfondin hijerëndë të malit në kuptimin gjeografik, por edhe në kuptimin e trashëgimisë kulturore, duke sjellë e risjellë këmbëngulshëm jo vetëm pamje nga malësia, por edhe emra njerëzish, mikrotoponime, emra festash e ritesh që vazhdojnë të bashkëjetojnë edhe sot e gjithë ditën me malësorët bashkëvendas të autores e që i japin një shije të veçantë e tejet origjinale edhe poezisë së Valdetës, ku shpërfaqen pa sforcim, me statusin e banorit të përhershëm, midis figurave të tjera mjaft atraktive të kësaj poeteje.
Krahas toponimeve e mikrotoponimeve të shumta, festave e riteve të ndryshme, feks edhe leksiku karakteristik, të cilin autorja e sjell për ta ndërtuar sa më origjinal botën sharriane, të cilën e gjejmë në një pjesë të madhe të krijimtarisë së saj dhe e cila ka zënë vend në ciklin me emrin e bukur Me motivet tona. Ky leksik dhe kjo botë pothuajse gjithmonë është udha që shpie në të kaluarën, është makina më e sigurt që lehtësisht dhe natyrshëm na bën të udhëtojmë prapa në kohë. Ky udhëtim prapa në poezinë e Valdetës është edhe dalja nga errësira në dritë, nga vuajtjet e mungesës në ditët e bukura të dashurisë, nga zhgënjimi në lumturi, nga pranvera me dallëndyshe, në dimra me krahnezë… Lokja (jo nëna) është personazhi pothuajse i përhershëm që e mban të pashkëputur fillin me kohën e kaluar. Përmes kësaj pike referenciale që del në trajtë njeriu, përkatësisht në trajtën e gjyshes, lidhen jo vetëm dy kohë, por edhe dy gjendje emocionale, dy ndjeshmëri: para dhe pas dashurisë, para dhe pas mungesës, para dhe pas vetmisë, para dhe pas lumturisë…
Përtej poezive erotike kjo përballje e të shkuarës me të tashmen bëhet edhe te poezitë ku poetja ngre edhe çështje të rëndësishme për kombin, për etninë, siç është, bie fjala, ajo e konvertimit fetar të malësorëve tanë, ku Aliu është biri i Gjinit, ku pikërisht bëhet edhe përthyerja e qytetërimit, e brezave etj. Po kështu edhe në temat që kanë të bëjnë me pushtimin e pakthyeshëm të tokave tona nga sllavët, siç është për shembull rasti i dhimbshëm i Shën Naumit, të cilin Valdeta, e shpreh me një ton mallëngjimi, pa dramacitet, pa patos, por vetëm përmes ballafaqimit të lehtë të të dyja kohërave:
Valët e liqenit m’i tundin kujtimet.
Matanë toka e bekuar që s’e gëzuam.
Përballë kryqi i Shën Naumit na shkishëron.
E ka marrë malli për meshë shqip.
Hije-hije kalojnë ohrianët e vjetër.
Janë të panjohur për banorët e rinj.
Qortojnë gegërisht e mallkojnë toskërisht.
(“Lyhnidasve”)
Vargu i fundit, si shpeshherë në poezinë e Dulahit, në mënyrë eliptike hap një plagë të re për ta lënë të pashtjelluar më tej, duke ia besuar tërësisht kulturës dhe reflektimit të lexuesit.
Mënyra e konceptimit të vargut të Valdetës, si të bëhej fjalë për prozë, është peng i një narracioni gjysmë të fshehur, por kjo nuk i bën dëm lirikës që gëlon në thelb të “Krahnezës”, përkundrazi e thellon atmosferën e rreptë malësore dhe e bën më të kumbueshëm timbrin poetik, aleatë të së cilës janë edhe fjalët e harruara, shpesh edhe huazime nga bota orientale, të cilat shërbejnë si mjete të përkryera për ta ndërtuar edhe vizualisht po aq sa intuitivisht kozmosin artistik të poezive të Valdeta Dulahut, të cilat poezi edhe kur duket që lëshohen në rënie të lirë për nga emotiviteti, në thelb u jehon zëshëm uzdaja, pasi, siç thotë Valdeta, “përherë ka një të premte a një të diel për t’ia larë mëkatet vetes, sikurse përherë ekziston një e hënë për t’ia nisur nga e para”.
Lajmet e rreme dhe shëndeti mental i të rinjve
Blerina Demiri
Përse na tërheqin më shumë lajmet e rreme/negative dhe si ndikon kjo në shëndetin mental te të rinjtë dhe jo vetëm?
Nuk do shumë mend për ta kuptuar se bota po zhvillohet me një shpejtësi të jashtëzakonshme, nisur nga informacionet që marrim sa hapim sytë; qoftë në rrjetet sociale qoftë në televizor qoftë edhe në marketin përballë ku blejmë bukën e mëngjesit ose te kafeneja e lagjes, sepse shpejtësia e përhapjes së lajmit është gjithmonë një hap para nesh.
Ne vazhdimisht shohim, lexojmë, dëgjojmë dhe besoj mendimi i përbashkët i secilit nga ne ka një përfundim të njëjtë: bota po shndërrohet në një fatkeqësi dhe kaos të pandreqshëm edhe pse shumë aspekte të jetës janë përmirësuar rrënjësisht rreth viteve të fundit.
Me pak fjalë ekspozimi drejt pesimizmit sensacional dhe të vazhdueshëm është kthyer në normë përditshmërie. Dhe kjo nuk është diçka që duhet kaluar pa vëmendje, sepse nga i gjithë ky sensacion preket shëndeti mendor i gjithsecilit nga ne.
Por sado të vetëdijshëm të jemi për këtë, sërish truri ynë disi është i prirur t’iu japë më shumë rëndësi lajmeve të rreme, gjegjësisht atyre negative.
Besoj secili nga ne, ajo që kujton nga lajmet e fundit janë: aksidenti tragjik në Bullgari, sulmi tragjik në Deçan të Kosovës, djegia e spitalit modular në Tetovë etj. Të gjitha këto ngjarje kanë të përbashkët “tragjiken” dhe ne kemi memorizuar çdo detaj rreth tyre, të rremë apo të vërtetë. Pra, jo vetëm që lajmet negative mbushin nevojën e informimit, por edhe bëhen pjesë e mendimeve tona. Nga ana tjetër fakti që në një mënyrë apo një tjetër mediat arrijnë të keqpërdorin lajmet negative për përfitimet e tyre nuk duhet t’ua ul rëndësinë si të tilla kur janë të vërteta. Bota zhvillohet me një shpejtësi paralele si në anën pozitive edhe në anën negative dhe ne jemi kaq pak të informuar, por edhe të interesuar për të dëgjuar lajme të mira brenda ditës.
Nga shumë psikoanalistë thuhet se kjo dëshirë e madhe për të dëgjuar lajme negative vjen nga:
- Prirja negative – e cila ekziston në trurin e njeriut që nga lindja e njerëzimit dhe në kohërat e hershme është konsideruar si benefit sepse duke pritur gjithmonë diçka e keqe të ndodh njerëzit kanë qenë disi të gatshëm për t'i përballuar kërcënimet. Por, në botën moderne kjo prirje është kthyer në një preferencë njerëzore dhe media punon aq aktivisht për ta plotësuar duke e dyfishuar dozën e negativitetit.
- Prirja e mbivlerësimit - problemi tjetër është se ne pasi jemi të prirur për të parë gjithmonë anën negative, e mbivlerësojmë rëndësinë e një lajmi të tillë. Në momentin që ne dëgjojmë për një vrasje, një vjedhje ose një aksident ne i mbajmë mend këto ngjarje dhe secilën e ndërlidhim me atë parapraken duke arritur në një përfundim se kjo është gjendja e përgjithshme e vendit ku jetojmë.
- Prirja e konfirmimit - në momentin kur ne krijojmë besime të tilla me ose pa vetëdije do të jemi gjithmonë në kërkim të lajmeve që do jenë në favor, gjegjësisht përforcojnë besimet e formuara sepse nuk duam të krijojmë konflikte idesh – pra nëse ne besojmë që në qytetin tonë ka shumë vjedhje, truri ynë automatikisht do të lexojë lajme që bien dakord me të.
Dhe fatkeqësiht e gjithë kjo mbështetet fortë nga fakti që te ne si popull në veçanti por edhe te gjithë njerëzimi në përgjithësi mungon dukshëm mendimi kritik dhe të qenit skeptik.
Kjo pastaj rezulton në krijimin e ideve të gabuara për jetën duke prekur seriozisht zhvillimin e të rinjve (si më të ekpsozuarit) por jo vetëm. Duhet theksuar fakti që jo vetëm lajmi i shkruar, gjegjësisht media ka ndikim të atillë, por edhe jeta virtuale që shfaqet në rrjete sociale duke krijuar një model të një jete luksoze me ç’rast ata që nuk e kanë (shumica) fillojnë të urrejnë jetët e tyre.
Kjo padyshim që ka të bëjë me natyrën njerëzore dhe principet që Frojdi i ka quajtur si principi i kënaqësisë (Id) dhe principi i realitetit (Ego).
Duke përdorur parimin e Frojdit për kënaqësinë (që tregon përmbushjen e dëshirave tona në mënyrë të menjëhershme të nxitura nga Idi që lind bashkë me njeriun) mund të themi se ndoshta historitë e sajuara, jeta e Instagramit thjesht na argëtojnë më shumë. Stimulimi i lajmeve të rreme plotëson një dëshirë për të lehtësuar barrën e realiteteve tona të jetuara, pa patur nevojë ne të ndërmarrim ndonjë veprim të arsyeshëm. Është si një lloj katarsisi që ne përjetojmë nga lajmet negative sepse sikur çlirojmë energji duke u mishëruar me atë që thuhet ose shkruhet. Ndërkaq principi i realiteti krijohet gjatë rritjes dhe zhvillimit të njeriut, me qëllim që kërkesat e Idit të plotësohen mbi suaza të arsyeshmërisë.
Përderisa ne selektimin dhe pranimin e informacionit e bëjmë mbi bazat e principit të kënaqësisë dhe nuk arsyetojmë të paktën veten tonë se pse duhet besuar ky lajm apo një tjetër, atëherë dëshpërimi mbi besime të gabuara duhet të na gjejë të përgatitur, në rast të kundërt ne do përballemi me ankth, stres, depresion që edhe pse tingëllojnë si ndjenja të zakonshme kohëve të fundit, duhen marrë seriozisht sepse bëhet fjalë për shëndetin mendor.
Në raste të tilla ajo cfarë ne bëjmë është vazhdojmë të lexojmë dhe kërkojmë zgjidhje për këto probleme pikërisht aty ku na krijohen, duke humbur fillin në deshifrimin e informacionit nga vërshimi i madhi përmbajtjeve me të cilat përballemi.
Në këtë mënyrë dezinformimi dhe keqinformimi i përkeqësojnë problemet e shëndetit mendor që kemi dhe i rrisin simptomat duke e bërë më të vështirë shërimin ose përballjen me të. Madje çojnë edhe në probleme të reja të shëndetit mendor që vijnë si rezultat i paaftësisë për t'i përballuar të dyja.
* Blerina Demiri është studente pasuniversitare në programin Komunikim ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore. Ky artikull u prezentua në debatin me studentë që u organizua nga Ekipi kërkimor për Shkrim-lexim mediatik dhe dezinformim që funksionon në kuadër të Institutit "Maks van der Shtul" në UEJL.
Dhé dashuri nga kjo anë e kufirit
Nurie Emrullai
Mëmëdheu im gjithmonë nis
në shkronjën e parë të fjalës MALL.
Mëmëdheu ynë gjithmonë mbaron
në shkronjën e fundit të fjalës BASHKIM.
0
Mëmëdheu im është toka mjaltë,
e mjaltë është gjuha,
britma jonë e parë MË-MË...
krahëror ku pinim ujin e nëntokës në agun e ditës së shtatë.
0.1
Atdheu është rrokja e parë BA-BA...
kur stinët akoma s'ishin ndarë,
kur në diellin luteshim, në gurin e në shiun,
e shtëpitë rrënjë kishin mbi fytyrat tona.
Atdheu nis në këngën e parë të zgjimit,
dhe në këngën e fundit tonën ai na përcjellë.
1998
Vargu i parë që gatoi jetën time,
qe "Kosova e lirë" bërtisja me sa zë kisha
e me duart gatitur jepja shfaqjen e parë
ndër njerëz të pagëzuar -Refugjatë.
-Ata me çorape të zeza deri në gju,
baltën e kuqe të atdheut me vete e kishin bartur.
...pleq, gra e fëmijë, ecnin kërrusur nga plagët
që atdheu u kishte marrë.
Dhe unë isha midis kufiri. As emër, as gjuhë...
Isha e lumtur për të parën poezi
që e kisha mësuar përmendësh
dhe miqtë tanë që kishin ardhur nga diku larg,
me gjuhë si e jona, veç ma burrërore.
Veç unë isha e lumtur dhe poezia ime sigurisht "Kosova e lirë",
pastaj kujtoj, sy, sy, sy pafund, të trishtët sy,
që tmerrin e kishin groposur kafkës së qiellit...
2001
Pastaj, unë u rrita, herë- herë më kujtohej poezia,
por kohët më ishin ngatërruar,
fillova të kuptoj se jetoja me atdheun e munguar.
Dëgjoja Shqipëri, Shqipëri.
-Kush është Shqipëria?
-Shoqja ime që iku në kurbet?
Qeshte nëna dhe pastaj mendoj se këndonte: "O ku ka si ti o Shqipëria ime..."
Pastaj, Shqipërinë e gjeja shpesh në libra, në këngë e në flamur,
dhe më vonë, si të gjithë ju, në zemër ndërtoi shtëpinë...
Kosova gjakun trete...
Dimër 2002
Qe babai ai që më fliste çdo herë për kufijtë,
po atëherë për kufij unë e dija një copë gur
që e hedh me duart derisa me hapa tokën mat.
Kufiri mendoja se veç me këmbë matej.
Historia ma përplasi shuplakë.
2021 dhe tetë e shtrirë
Mëmëdheu është fati ynë i paracaktuar,
gjaku që ujë s'bëhet, e nama e rëndë që kokën ta kërrus.
Mëmëdheu është kujtesa e fundit e kësaj jete, është shpëtimi, krahëror i dashurisë që gjithmonë mbaron me MALL.
Unë nga kjo anë kufiri ndjej,
ëndërroj për Shqipërinë,
sa gjithë gjaku im mban emrin e saj.
Gjithmonë, gjithmonë nis e mbaron me MALL.
Piktura: Zake Prelvukaj
Emil Krebs – gjeniu poliglot që dinte shqipen
Ramize Ferati
Emil Krebs ishte sinolog, përkthyes dhe diplomat që ka shërbyer në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë për plot 37 vjet. Ai në mënyrë të dëshmuar ka komunikuar në 68 gjuhë të ndryshme, ka përkthyer zyrtarisht nga dhe/ose në 45 gjuhë dhe gjatë angazhimit të tij ka punuar me më shumë se 100 gjuhë, dialekte dhe varietete gjuhësore. Duke e lënë pas kardinalin italian Giuseppe Mezzofanti (1774-1849), i cili për shkak të zotërimit të rreth 57 gjuhëve dhe themeluesin e shkollës së gjuhëve, amerikanin, Maximilian Delphinus Berlitz (1852- 1921) për shkak të komunikimit të tij në rreth 58 gjuhë, të cilët deri tani janë konsideruar si poliglotët më të njohur të të gjitha kohërave, në bazë të hulumtimeve të deritanishme supozohet se Emil Krebs është gjeniu më i madh gjuhësor në historinë e njerëzimit.
Deri para rreth dy dekadash, Emil Krebs ka qenë tejet pak i njohur për publikun e gjerë. Përjashto disa shkrime të shkurtra në gazeta, të cilat ishin publikuar kryesisht me rastin e vdekjes së tij, Krebs çuditërisht fare pak është përmendur në literaturën shkencore gjuhësore. Këtë fakt, pa mëdyshje, por jo pa qëllim, e ka ndryshuar me angazhimin e tij intensiv, stërnipi i tij, Eckhart Hoffmann, që kur rastësisht i ra në duar një artikull gazete e më pastaj në një libër rreth varrezave të qytetit Stahnsdorf zbuloi emrin e stërxhaxhait të tij në listën e 30 njerëzve të famshëm, të varrosur në varrezat e këtij qyteti. Që nga ai moment Hoffmann pareshtur dhe me një zell të paparë ka gjurmuar dhe mbledhur artikuj, fotografi e shkrime, ka gërmuar në arkiva institutesh e bibliotekash, ka bashkorganizuar ekspozita, e ka zhvilluar intervista me ata pak njerëz, të cilët qoftë edhe në mënyrë të tërthortë kanë poseduar njohuri dhe informacione rreth jetës dhe veprës së Emil Krebsit, duke ofruar kështu një burim të pashtershëm të materialeve e literaturës tejet të çmueshme që shërben për hulumtim.
Një ekspozitë e organizuar nga Ministria e Jashme Federale me iniciativë të Hoffmann-it e shfaqur po aty në mars të vitit 2020 do të ndryshojë përfundimisht perceptimin rreth figurës dhe do t’i japë kahe tjetër rezonancës për veprën e hiperpoliglotit Krebs.
Emil Krebs u lind më 15 nëntor të vitit 1867 në Freiburg dhe ishte njëri nga nëntë fëmijët e çiftit Gottlob und Pauline Krebs. Mësimet e para të fillores i ndoqi në Esdorf, në atë kohë territor i Perandorisë Prusiane, ose Opoczka meqenëse sot i takon Polonisë. “Monsiör, sche edutieh franzeiz. Wollez parler awek moi?“ („Zotëri, unë po mësoj frëngjisht. A dëshironi të flisni me mua?”). Me këto fjalë i qe drejtuar mësuesit të tij Emili nëntëvjeçar, i cili me një fjalorth gjermanisht-frëngjisht që kishte gjetur, kishte nisur të mësonte vetë gjuhën frënge. Në atë kohë, as nxënësi e as mësuesi i tij nuk do të kishin imagjinuar se tri dekada më vonë, Emil Krebs do të konsiderohej fenomen në vetvete e do të admirohej për aftësitë e tij të jashtëzakonshme gjuhësore, për të cilat do të dekorohej madje edhe nga princi prusian e perandori kinez. Deri në përfundim të gjimnazit në vitin 1887 Emili do të zotëronte katër gjuhët që i kishte mësuar në shkollë: gjuhën latine, greke, frënge, hebraike; dhe tetë gjuhë të tjera që i kishte mësuar në mënyrë autodidakte: greqishten e re, anglishten, italishten, spanjishten, rusishten, polonishten, arabishten dhe turqishten.
Gjatë studimeve në Universitetin Friedrich Wilhelm në Breslau, Krebs megjithatë do të merret me shkencat e drejtësisë dhe teologjisë. Detyra si jurist i ri dhe më vonë si gjykatës në Gjykatën Mbretërore në Berlin nuk e përmbushnin dot Emil Krebsin, mbase sepse ajo fushë nuk e ushqente pasionin e tij për gjuhët dhe për shkak se për synim kishte angazhimin e tij në shërbimin diplomatik. Në Seminarin e Gjuhëve Orientale, në Universitetin Friedrich Wilhelm në Berlin që ishte themeluar me qëllim për t’iu ofruar nëpunësve të Ministrisë së Jashtme, por edhe përfaqësuesve të posaçëm tregtarë njohuri të gjuhës, kulturës dhe qytetërimit të Kinës së atëhershme, Krebs u mor me sinologji dhe i thelloi studimet e tij në turqisht.
Pas përfundimit të provimeve, në vitin 1893 Krebs angazhohet në Ministrinë e Jashtme Perandorake në Berlin dhe dërgohet si përkthyes në Dërgatën e Perandorisë së Prusisë në Peking, Kinë ku do të shërbejë për rreth 25 vjet. Për aftësitë e tij të rralla gjuhësore, njohuritë në shkencë, politikë, histori, kulturë dhe ekonomi të Kinës dhe jo vetëm, Krebs gëzonte besim dhe autoritet të shquar nga të gjithë njerëzit që kishin fatin ta njihnin, përfshirë këtu edhe personalitete të shquara qeveritare e oborrtare. Për angazhimin e tij shembullor gjatë bisedimeve paqësore në mes të fuqive të huaja dhe qeverisë kineze nga fundi i vitit 1900 deri në vjeshtën e vitit 1901, Emil Krebs ishte dekoruar nga perandori kinez me Urdhërin e “Dragoit të dyfishtë”.
Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Kinë Krebs tashmë kishte arritur të vetëmësonte edhe një sërë gjuhësh të tjera, disa nga to jo fort të njohura, si gjuha burjate që i përket familjes së gjuhëve mongole dhe është e ngjashme me disa dialekte në Mançuri, gjuhën aravake që i takon familjes së gjuhëve indiane dhe është më së shumti e përhapur në Amerikën Latine, gjuhën gurajate, gjithashtu pjesë e familjes së gjuhëve indiane që përpos në Indi, flitet edhe në Pakistan, Bangladesh, Singapor dhe disa shtete afrikane, gjuhën tokare që flitet në rajonin e Uigurisë në Kinën perëndimore, apo gjuhën e rrallë vede që i takon grupit të familjes së gjuhëve indo-evropiane dhe është paraardhëse e sanskritishtes. Mbresëlënëse dhe mister në të njejtën kohë ishte edhe koha tejet e shkurtër, e cila i nevojitej Emil Krebsit për të mësuar një gjuhë. Holandishten, p.sh. Krebs e kishte mësuar brenda vetëm 14 ditësh, ndërsa gjuhën armene brenda katër javëve.
Krahas detyrës së Përkthyesit të parë, në Peking dhe Shanghai Krebs ishte shquar edhe për aftësitë e tij diplomatike dhe kishte shërbyer edhe si diplomat në koloninë prusiane në Kiatschu. Megjithëkëtë ai me vetëdije e kishte refuzuar ngritjen në shërbimin diplomatik, gjegjësisht gradimin në konsull për t’iu përkushtuar me vendosmëri, edhe pas caktimit të tij këshilltar legate nga Perandori gjerman dhe Mbreti i Prusisë Vilhelm II, studimit të gjuhëve. Pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike midis Perandorisë së Prusisë dhe Kinës, Krebs kthehet në Berlin.
Studimeve të gjuhës dhe kulturës shqiptare Emil Krebs besohet t’iu ketë përkushtuar para vitit 1917. Sikurse kishte vepruar gjatë mësimit të gjuhëve të tjera, në saje të regjistrit të literaturës së bibliotekës së tij, Krebs për të mësuar gjuhën shqipe, si bazë ka përdorur Dhjatën e Re të përkthyer nga Konstandin Kristoforidhi në dialektin gegë dhe botuar në Konstandinopojë në vitin 1872, sikurse edhe përkthimin e së njëjtës në dialektin toskë, të botuar nga Shtëpia Botuese Bashkimi i Kombit, në Manastir në vitin 1910. Më pastaj, përpos kombinimit gjermanisht-shqip do të shërbehej me fjalorë dhe gramatika edhe nga gjuhë të tjera, si greqisht, italisht e latinisht me autorë si Konstandin Kristoforidhi, Angelo Leotti, Gustav Weigand, Gustav Meyer, Hil Mosi, Aleksander Xhuvani, Max Lambertz e shumë të tjerë.
Po sipas regjistrit të lartpërmendur, literatura e përzgjedhur nga Krebs lë të supozohet se ai edhe gjuhën shqipe e kishte mësuar për qëllime dhe deri në nivel të përkthimit në fushën e diplomacisë. Krahas literaturës për mësimin e gjuhës, Krebs nga aspekti historik, politik e kulturor është ballafaquar gjatë leximit dhe analizës së veprave të shquara, si “Historia e Skënderbeut” të Fan Nolit, “Historia e Shqipërisë” dhe “Bagëti e Bujqësi” të Naim Frashërit, “Pushka e tradhtarit” nga Zef Harapi, “Këngët kombëtare” nga Lef Nosi, “Hi dhe Shpuzë” nga Lumo Skendo, si dhe një sërë gazetash të kohës në gjuhën shqipe.
Përtej kësaj, Emil Krebs edhe vetë e kishte vërtetuar nivelin e njohurive të tij në shqip në një listë të përpiluar me dorë në vitin 1922 me gjuhët që ka zotëruar: “Shqipen e di mjaftueshëm, sa për të përkthyer nga kjo gjuhë, nëse do të kisha një fjalor.”
Emil Krebs vdiq më 31 mars 1930, pasi nuk i mbijetoi një sulmi në tru. Me qëllim të kërkimeve shkencore truri i Emil Krebsit që prej vdekjes së tij akoma ndodhet i konservuar në Qendrën Kërkimore në Jülich, në afërsi të Düsseldorf-it. 21 vjet pas vdekjes së Emil Krebsit shkencëtarët e kësaj qendre bashkë me gjetjet shkencore prezantojnë të publikuar një fotografi të trurit të hiperpoliglotit Krebs me të cilat vërtetojnë një zhvillim jashtëzakonisht të theksuar të lobit të përkohshëm “lobus temporalis” të trurit, funksionet kryesore të së cilit përfshijnë kuptimin e gjuhës, përvetësimin e kujtesës, perceptimin dhe përpunimin e informacionit dëgjimor, etj.
Deri në ditët e sotme, nuk është hulumtuar ende, nëse dhe çfarë ka përkthyer Krebs në dhe nga gjuha shqipe, apo nëse pas konsolidimit të njohurive të tij të shqipes ka ruajtur ndonjë komunikim për t’u veçuar. Pothuajse e pahulumtuar shkencërisht akoma, është posaçërisht metoda me të cilën është shërbyer Krebs për të vetëmësuar gjuhët e huaja. Vetë Emil Krebs, megjithë talentin dhe angazhimin e jashtëzakonshëm, nuk besohet të ketë shkruar ndonjë libër shkencor, dhe as qe treguar i interesuar ta bartte dijen e akumuluar përmes ndonjë angazhimi në ligjerim, apo mësimdhënie. Të publikuar deri më sot janë një sërë artikujsh dhe përkthimesh nga turqishtja nga fusha e drejtësisë, ndërsa duhet veçuar dy artikuj kritikë me tituj “Veprimtaria gjermane në Kinë” dhe “Politika e brendshshme dhe e jashtme kineze”, të publikuar në revistën “Der Neue Orient” në vitin 1920, si dhe përfundimi i përkthimit të përmbledhjes së shkruar me dorë i teksteve të arteve folklorike kineze, të njohur si “Teatri i hijeve”, apo “Loja e hijeve” në kinezishten moderne dhe më pas në gjermanisht, të cilin e kishte nisur, por nuk e kishte përfunduar para vdekjes, sinologu Vilhelm Grube.
Fatmirësisht Emil Krebs ka lënë një bibliotekë të pasur me rreth 5700 tituj në më shumë se 120 gjuhë të ndryshme, e cila përbën një thesar të çmueshëm për hulumtime ndër tjerash në fushën e gjuhësisë, përkthimit, por edhe të neurologjisë. Kërkimet e mëtejme në këtë aspekt jo vetëm që do të përbënin një kontribut dhe vlerë të shtuar në shkencë, por para së gjithash do të nderonin në mënyrë të merituar talentin e rrallë dhe mrekullinë vetë, Emil Krebs.
© 2021 PanAlbanica. Të gjitha të drejtat autoriale janë në pronësi të PanAlbanica-s. Lejohet ribotimi i materialeve vetëm duke cituar burimin.
Rrënimi i ekskluzivitetit të "shtetit të maqedonasve"
Taulant Salihi
Populli i Shqipërisë është një realitet socio-politik i ndryshëm në krahasim me etninë shqiptare të mbetur jashtë kufijve. Zhvillimi identitar i tyre ka pësuar hibridizim ideologjik në izolim, i cili ka shtrembëruar ose ka bërë më statik zhvillimin e tyre ideologjik. Shqiptarët e mbetur nën sundimet/okupimet sllave apo greke kanë pësuar hibridizim kulturor dhe identitar krejtësisht tjetër. Por në rastin e Shqipërisë, kjo përvojë e mbylljes, ka lënë traumë kolektive të shfuqizimit në krahasim me gjithçka të huaj, e që ende nuk mund të shkëputet plotësisht nga realiteti i vetëpërjetimit kolektiv. Ngjan se të vetmit që nuk e ndiejnë këtë subordinim tek ata janë shqiptarët e jashtë-kufijve, të cilët shkaku i padrejtësive historike dhe i zhvillimeve gjuhësore dhe kulturore vazhdojnë ta romantizojnë ekzistencën shqiptare brenda kufijve. Edhe gjuha është zhvilluar në paralele. Arkaikja e “rondë” gege, si masë për matje të dallimeve, dhe elasticiteti fonetik i shqipes toske që ka mbisunduar gjuhën standarde, kanë marrë kahe tjera zhvillimi. Këto dallime kulturore, identitare dhe ideologjike ndiehen edhe në aktivitetet politike të ndrëmjetshme shqiptare, si dhe në ato që kanë të bëjnë me politikat rajonale. Një rast konkret ku ky fenomen më shfaqet bindshëm është bllokimi i rrugëtimit drejt BE-së nga Bullgaria, i cili si dëm kolateral bllokon edhe Shqipërinë, e me këtë përfshin edhe shqiptarët dhe pozicionimin gjithëshqiptar në kontestin bilateral të popujve vëllezër bullgar dhe maqedonas.
Pse duhet e gjithë kjo të brengosë shqiptarët?
Rajoni është ngushtë i lidhur dhe zhvillimet politike ndikojnë çdo vend. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, lufta e shqiptarëve aty nuk është ndarja territoriale. Kjo zgjidhje e ofruar në vitin 2001 nga Gjeorgjievski ishte zgjidhje e përsosur për palën slalve (atëkohë identiteti i tyre ishte ende më fluid dhe në zhvillim), e cila po të ndodhte, sot do të kishin edhe Shkupin e pastruar nga shqiptarët. Zgjidhja e vetme për shqiptarët është shteti inkluziv i bashkëndërtuar nga shqiptarët dhe maqedonasit (e sotëm), si dhe etnitë tjera, shtet federativ, apo në rastin tjetër shtet qytetar, por me barazi gjuhësore dhe etnike, e jo siç tentohet me ofertën e tanishme, shtet qytetar me ekskluzivitet sllavofon. Mirëpo për të arritur te ky model i civilizuar, është e domosdoshme të çrrënjoset miti i etnisë që sot thirret maqedonas dhe lidhja ekskluzive e tyre me shtetin që tani më është de-personalizuar dhe thirret Maqedoni e Veriut.
Ndryshimi i emrit ishte një fat aksidental për shqiptarët dhe hap i duhur drejt rrënimit të ekskluzivitetit të kësaj etnie me shtetin. Sot emri tregon edhe realitetin gjeografik (në fakt Maqedonia historike nuk ka ekzistuar në këtë pozicionim të sotëm gjeografik) dhe është shumë më jo-personal. Delegjitimimi i narrativës historike jugosllav për kombësinë maqedone do të jetë një shtytje tjetër drejt arritjes së qëllimit për shtet të depersonalizuar qytetar. Pa dashur të mohoj të drejtën për të kultivuar identitetin etink (bashkë me të drejtën për vetëvendosje), edhe pse në kuptimin tim ky identitet është i fryrë dhe politik me gjenezë në interesat jugosllave, ne nuk kemi interes që të legjitimojmë dhe forcojmë atë si narrativë dhe për këtë të shpërblehemi me vazhdimin e trajtimit si popull dytësor, ani se përbëjmë etninë më autoktone në shtet dhe se kemi luajtur lojalisht në betejën me popullin e tyre vëlla bullgar.
Interpelancë për Xhaferin për përdorimin e gjuhës shqipe dhe rezolutë për Gjuhën dhe identitetin maqedonas
Ta lëmë anash faktin që vetëm ne "të shkretet" brenda shtetit i marrim seriozisht aventurat identitare të bashkëqytetarëve tanë, por ajo që brengos është kembëngulësia e përfaqësuesve shqiptarë në shtet për të mbrojtur me kaq besnikëri këto pozita. Sinqerisht, më bën të ndiej xhelozi për mënyrën se me sa vendosmëri mbrohen këto pozita nga përfaqësuesit shqiptarë. Kjo ndodh për t'iu dëshmuar etnisë (së grumbulluar) shumicë, dhe për të konfirmuar besnikërinë ndaj shtetit. Gjithashtu, sa naivisht, politika e Tiranës, dhe në raste edhe ajo në Prishtinë (komentet e Vjosa Osmanit para 7 muajsh) po marrin kahen e njejtë të hapur anti-bullgare, ose të paktën japin këtë përshtypje. Për të dalë nga kjo aleancë e çuditshme e pashkruar, është mirë të rikujtohen interesat shqiptare brenda shtetit, e jo vetëm interesat gjeopolitike të përgjithshme shqiptare. Interpelanca e propozuar nga fashistët e djathtë opozitarë ndaj kryeparlamentarit shqiptar për përdorimin e shqipes në suaza shtetërore në paraqitjet ndërkombëtare, është një përkujtim i mirë për të gjithë ata që pa rezervë përkrahin aventurat e huaja, qofshin këta aktorë politikë të brendshëm apo të shteteve tona përreth. Në shtet inkluziv këto aventura nuk do t’i kategorizoja të huaja, por me këto veprime të fundit, fuqishëm mbeten të tilla. Për të qenë rikujtimi edhe më i zëshëm, ata paturpësisht në të njejtën kohë kërkojnë përkrahjen e partive shqiptare në parlament për rezolutën e konfirmimit të pozitave shtetërore në çështjen me Bullgarinë.
Çka fitojnë shqiptarët nga rishikimi historik i maqedonasve?
Në fakt, shqiptarët nuk do të humbin asgjë konkrete nga çfarëdolloj rezultati që del nga ky ballafaqim i familjes bullgaro-maqedone, përveç vonimin e procesit për bashkëngjitje drejt BE-së. Ajo që shqiptarët mund të fitojnë është faktorizimi brenda Maqedonisë së Veriut, e kjo do të ndodhë me rishikimin e historisë së shtetit (dominueshëm e projektuar nga politikat jugosllave) që në masë të madhe është fyese për bullgarët, por edhe (më shumë) për shqiptarët, dhe do të ndihmonte de-mitizimin e popullit që pretendon ekskluzivitetin në shtet, e me këtë do të jemi një hap më afër drejt qëllimit për shtet me karakter bilingual dhe multietnik. Në anën e politikës rajonale, shqiptarët nuk kanë arsye për të krijuar armiqësi me një faktor jo pak të rëndësishëm në Ballkan si Bullgaria, vetëm sa për t’u solidarizuar me popullin që fatkeqësisht në masë të madhe ende vazhdon sistematikisht të diskriminojë dhe kulturalisht të ushqejë urrejtje për shqiptarët. Përkundrazi, ajo që shqiptarët duhet të ofrojnë është zgjidhje për problemin vëllazëror të dy popujve me të kaluar të përbashkët (aq të përbashkët sa ‘kosovarët’ me ‘shqiptarët’), kështu duke u pozicionuar si element i besueshëm dhe stabiliteti në Ballkan, dhe në të njejtën kohë të ndihmojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në luftën për përfaqësim të plotë në shtet (përfshirë simbolikën shtetërore) dhe në zhbërjen e idesë për një tjetër shtet-komb ekskluziv sllav në Ballkan.
Për përfundim, ajo që mund të pritet është marrëveshje e mundshme pas mbarimit të zgjedhjeve lokale në tetor në Maqedoninë e Veriut, pasi Zaev të sigurojë rezultatet e pritura dhe kështu të jetë në pozitë më komode për ndonjë zgjidhje kompromisi. Shqiptarët dhe shteti, në ndërkohë, do të kenë edhe regjistrimin i cili është jetik për zhvillimet afatgjate dhe të përatyshme në shtet. Kjo fazë kërkon kujdes dhe lëvizje inteligjente, por, mbi të gjitha, që referenca e çfarëdo verprimi të jetë interesi shqiptar lokal dhe rajonal, e jo hutia e zemërgjerësisë së pakontrolluar, që shqiptarët posedojnë si veti, por që nuk vlen shumë në (gjeo)politkë. /altereffekt.