Blerina Demiri

 

Sulmi ndaj përfaqësuesve të popullit dhe vetë Kuvendit të Maqedonisë si institucion, ka krijuar realitete të reja politike, të sigurisë dhe mbi të gjitha në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike. Sulmi brutal ndaj deputetit shqiptar Zijadin Sela, e konfirmoi edhe njëherë se shqiptarët në Maqedoni rrezikohen si të tillë.

PanAlbanica në vazhdim do të botojë mendimet e disa prej anëtarëve të saj, me qëllim dhënien e kontributit në kthjellimin e kësaj ngjarjeje dhe pozitën e shqiptarëve në raport me të dhe më gjerë.

Situata në të cilën ndodhet Maqedonia është rezultat i një destabilizimi politik, rrënjët e të cilit datojnë vite më parë. Hapat e ndërmarrë për një të ashtuquajtur “shtet”më të mirë, nuk janë gjë tjetër veç se përpjekje e shtirur me synim stagnimin e vazhdueshëm të politikës konstruktive. Dhuna e ushtruar në Kuvend pasditen e 27 prillit nuk ishte dhunë mbi persona ose figura te caktuara por ishte dhunë mbi vlerat demokratike, mbi lirinë e fjalës dhe mbi të drejtën e të qenit autokton në vendin tënd. Krizën dhe rrezikun për një destabilizim edhe më të skajshëm e thellon fakti se tanimë “provokacija” për maqedonasit nuk është vetëm faktori shqiptar por edhe pasiguria dhe urrejtja në mes palës maqedonase. Kategorizimi i shqiptarëve si element i  dorës së dytë  në njëfarë mënyre duhej të merrte fund dhe padyshim që reflektimi i palës tjetër mbi vetëdijesimin e faktorit shqiptar ndjell frikë dhe urrejtje, gjë që vërtetohet si në sulme verbale ashtu edhe në ato fizike. Këto sulme fizike që tmerruan mediat botërore duhej evituar nga një gardë policore e urdhëruar nën mbrojtje të shtetit dhe organeve të tij, por në momentin kur forcat e mbrojtjes janë vetë dhuna nuk mund të flitet apo të bëhet llogari mbi kurriz të stabilitokracisë.