Albulenë Halili &

Fatmir Arifi

 

Me qenë të bashkuar territorialisht;

Me pasë një treg të përbashkët ekonomik;

Me pasë një gjuhë të përbashkët letrare;

Me qenë të përshkum nga ndjenjat e dashurisë, përkatësisë dhe solidaritetit reciprok vëllazëror!

-Adem Demaçi

 

(Në ditëlindjen e Adem Demaçit)

Studimi i mendimit filozofik të Adem Demaçit, përbën një detyrë jo të lehtë për studiuesit e teorisë së mendimit filozofik. Filozofia e demaçiane paraqet një sistem logjik mendor të gjithanshëm, të thellë dhe konsekuent në vetvete. Gjithanshmëria sistematike dhe kjo koneskuencë mendore dëshmojnë se në historinë e filozofisë ai s’ka as paraardhës as trashëgimtar, e që e shndërrojnë atë në një mendimtar sui generis, dishepull i askujt.

Secili studim për Demaçin, duke përfshirë edhe këtë, është vetëm një këndvështrim krejtësisht i pjesshëm, apo pamje e një aspekti të vetëm të tërësisë së mendimit politik demaçian.

Njohësit dhe studiuesit e mendimit filozofik të Demaçit, me të drejtë mund të shtrojnë pyetjen se si ka mundësi që emri i Demaçit për gjatë gjithë pjesës së dytë të shekullit XX “ishte informata më e ndaluar në familjet shqiptare[1]”, në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe njëkohësisht kishte kaq shumë ndikim në profilizimin, shtresëzimin dhe ngritjen organizatave në shërbim të çlirimit të hapësirës shqiptare nën Jugosllavi.

Natyrisht, ka pasur personalitete të mëdha kombëtare edhe para epokës së Demaçit edhe gjatë epokës së tij, mirëpo asnjëri prej tyre nuk ka pasur ndikim deri në shkallën që ka pasur personaliteti i Demaçit. Arsyeja është se Demaçi nuk i trajton problemet në mënyrë përshkruese, por tek ai bashkohen zgjuarsia filozofike me aksionin politik – pra me atë të njeriut veprues.

Demaçi i jep shumë rëndësi sistematizimit të idesë, e cila konsiston në atë se filozofia pa sistem nuk mund të ketë në vete asgjë shkencore dhe objektive dhe për më tepër është ide e rastësishme e subjektive. Andaj, studimi mbi Demaçin duhet të orientohet në dy rrafshe: në rrafshin teorik, i cili është mendim tërësisht burimor i dalë nga tradita, kultura dhe historia e kombit të lashtë shqiptar; dhe së dyti, në rrafshin e pragmatizmit politik, i cili është i determinuar nga rrethanat e kohës.

Andaj, një studim i këtillë nuk mund të bëhet i shkëputur nga vorbulla e zhvillimeve politike dhe proceseve të shumta në dëm të hapësirës shqiptare dhe popullatës shqiptare që jeton në këto hapësira. Për ta trajtuar në mënyrë të mirëfilltë rrafshin ideor të Demaçit, është parakusht shkoqitja e rrethanave në të cilat ka zënë fill e ka vepruar ky mendim politik.

 

Rrethanat dhe zhvillimet politike në hapësirën shqiptare

Demaçi u lind në periudhën në mes dy Jugosllavive: të Versajës dhe atë të AVNOJ-it. Që të dy këto krijesa (e dyta trashëgoi të parën), ishin frutë i planifikimeve ekspansioniste dhe hegjemoniste serbe. Mirëpo, nga ana tjetër edhe në hapësirën shqiptare, që nga viti 1912, nga presioni i pandalshëm dhe intensiv i pushtuesve të tokave shqiptare, bëri që vetëdija kombëtare të fillonte të ngrihej në nivel organizimi të lëvizjeve të rezistencës, të cilat kishin efektin e vet politik të mospajtimit me pushtuesin. Falë rezistencës së disa organizatave politike kombëtare të herëpashershme, u bë e ditur edhe për vetë okupatorin, se këto toka nuk do të lëshohen dhe nënshtrohen aq lehtë siç mendohej dhe propagandohej nga qarqet jugosllave. Kështu që mbi bazën e parimeve ekspansioniste dhe hegjemoniste, në  byronë politike të Jugosllavisë së AVNOJ-it u hartuan dhe u profilizuan dy projekt-veprime politike shumë specifike në marrdhëniet me shqiptarët në përgjithësi.

Në projektin e parë u ravijëzua koncepti se “shqiptarët nuk mund të na bëhen kurrë partnerë besnikë. Përveç që duhet mbajtur në armiqësi mes vete, ata duhet të mbahen në distancë as larg, as afër, por mjaftueshëm, kurdo që kërkohet për t’i vënë në ankand”.[2]

Ndërsa në projektin e dytë u morën hapa për të copëtuar edhe më tej hapësirën shqiptare në tri shtete. Përcopëtimi i hapësirës shqiptare kishte një qëllim të vetëm: të eliminonte të drejtën e shqiptarëve që të quheshin komb, duke e transformuar nocionin popull në nocionin pakicë kombëtare.[3] Padyshim, pushteti jugosllav e dinte se nocioni popull sipas Kartës së Atlantikut, por edhe sipas Kartës së OKB-së do t’ua mundësonte shqiptarëve të drejtën e shprehjes së vullnetit për organizim shteror – të drejtën për vetëvendosje. Loja e ndryshimit të nocionit do të jepte efektin e vetë tragjik për shqiptarët. Kjo djallëzi politike sllave u dëshmua qartë në vitet ‘60, kur në OKB u aprovua rezoluta për dekolonizimin e tokave të okupuara, sipas së cilës “vetëm kombet kanë të drejtë për vetëvendosje”.[4]

Përmes kësaj politike, Jugosllavia, krahas tendencës së dobësimit, synonte edhe shthurjen e kombit shqiptar duke stimuluar përçarjen dhe armiqësitë brenda shqiptarëve, angazhime tepër të dyshimta, “integrime dhe riintegrime” që ishin në shërbim të copëtimit dhe ricopëtimit të hapësirës së shqiptarëve.

 

Filozofia demaçiane e harmonisë si filozofi e mbijetesës

Përballja me gjithë këto procese të dëmshme ndaj tërësisë shqiptare, me padrejtësi të mëdha, e nxitën Adem Demaçin të vendosë idenë e madhe të fjalës, të pajtimit dhe të zhdukjes së antagonizmave të përbrendshëm. Fillimisht në romanin e tij “Gjarpërinjtë e gjakut”,[5] e më vonë dhe në platformën e LRBSH[6], ai nxori në sipërfaqe idenë e harmonisë njerëzore dhe asaj kombëtare si faktor themelor i të gjitha forcave ekzistuese në luftën e të kundërtave.

Duke qenë se teoria e harmonisë është faktori themelor i të gjitha forcave ekzistuese në luftën e të kundërtave, atëherë, vetëm përpjekjet janë ato që përcaktojnë integritetin e një gjëje apo të një procesi. Harmonia njerëzore, sipas Demaçit, ishte kodi i aspiratës së pajtimit dhe bashkimit, e cila e sfidon esencialisht një kohë dhe një realitet përplot injorancë.

Si njohës i thellë i ligjeve të natyrës, ai e dinte se çdo qenie, dhe si pasojë e gjithë bota në tërësi është një shumëllojshmëri e të kundërshtuarit të forcave, andaj pikërisht duke luftuar tendencat e të kundërtave, arrihet uniteti. Harmonia demaçiane bazohet në një shumëllojshmëri kontekstesh, e cila arrihet duke mos harruar rrugën kryesore për t’i arritur qëllimet, duke njohur potencialet tona të brendshme shpirtërore dhe duke përvetësuar tërë përvojën jetësore, qoftë kjo edhe nëpër burgje, duke luftuar me vetveten, duke kaluar dhimbjet e mëdha individuale e familjare[7], sentimentet e ndryshme në favor të vlerave më të mëdha kolektive, duke e mbrojtur vetveten nga vetja, duke ndryshuar veten, shokët dhe shumicën[8], duke hequr stihinë[9] nga jeta kombëtare e duke pasur program për përparim, duke aktivizuar të gjitha vetitë dhe energjitë shpirtërore, si forca të domosdoshme organizuese kombëtare, në mënyrë që të mos mbetemi inferior i forcave që na rrethojnë.[10] Dhe jo pa qëllim ai thotë se “unë, megjithatë, përfundimisht e munda veten…”[11] Ky botëkuptim i tij vërteton thelbin e filozofisë së tij jetësore, se vizioni i harmonisë është i mundur dhe i zbatueshëm për aq sa ekziston uniteti i plotë i të kundërtave.

Sipas tij, “të gjitha objektet në mes të cilave ekziston një ndërveprim, janë në një vazhdimësi të vetme hapësinore. Në këtë kuptim, ato përveç që përfaqësojnë unitetin, secila ka interesa të veta në lidhje me diçka. Këto interesa mund të jenë të ndryshme, ashtu siç janë të ndryshme edhe objektet, të cilat janë të lidhur me njëra-tjetrën nëpërmjet kundërshtimit, me anë të luftës”.[12] Ashtu si Herakliti[13], Adem Demaçi e dinte se aty ku nuk ka përpjekje e angazhim aty nuk ka jetë. I mbështetur fort në këtë postulat, Demaçi, vizionin ideor e barti në rrafshin pragmatik, dhe arriti që konceptin e harmonisë, ta ngrisë në lëvizje historike, me bazë në të kundërtat.

Duke u nisur nga njëri prej parimeve të platformës së LRBSH, në të cilin theksohet “me qenë të bashkuar territorialisht”, Demaçi konceptin e harmonisë e sheh si të pandashëm nga koncepti i hapësirës në vlerën e saj.  Mu këtu qëndron gjenialiteti, vlera e mendimit dhe qëndrueshmëria e filozofisë politike demaçiane, i cili duke iu kundërvënë një realiteti të hidhur dhe të zymtë të popullit shqiptar, shtroi idenë se shpëtimi ynë domosdoshmërisht duhet të kalojë nga bashkimi në një shtet të vetëm. Në këtë pikëpamje, Demaçi, lëvizjen historike e ngriti në lëvizje çlirimtare. Ky është shkaku që të gjitha lëvizjet historike në hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi, në gjysmën e dytë të shekullit XX e deri tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe së fundmi edhe pavarësia e Kosovës, janë të lidhura me frymëzimin, veprimtarinë dhe emrin e Adem Demaçit, sepse filozofia demaçiane para së gjithash është filozofi jetësore, po aq sa është politike. Këtë e shquajnë plot ngjyrime, në dukje të vogla e të ngjashme me ato të shumë mendimtarëve, e që megjithatë, kjo si e atillë mbetet e veçantë dhe po aq e dallueshme nga të tjerat. Prandaj, duke zënë fill te filozofia e urtisë kombëtare, ajo merr tenin unik që e bën edhe të jetë autentike e sui generis.

 

Amalgama ideologjike shqiptare – bërthama e filozofisë politike demaçiane

Njohja e thellë e marksizmit, do të bëjë shumë studiues që Demaçin ta radhisnin padiktueshëm dhe padrejtësisht në radhët e trashëgimtarëve më të mëdhenj revolucionarë botërorë. Në librin e tij, një nga njohësit më të mirë të Ballkanit, James Pettifer, pas takimit të tij të parë me Demaçin në vitin 1991, shkruan: “Në një vend e në një jetë tjetër ai do të kishte organizuar mbrojtjen e Parisit më 1870, a betejën e Dien Bien Fusë, ose do të ishte ngjitur deri te Komiteti Qendror i bolshevikëve, apo do të kishte marrë pjesë në Marshimin e Madh”, shkruan James Pettifer, pas një takimit të parë me të në vitin 1991.[14] Megjithëse në dukje i majtë me bindje politike, Demaçi që në fillim nuk përkrahte asnjërin nga modelet ekzistuese komuniste. Ai e dinte se nuk mund të bëhej aleat me askë në këtë ideologji, prandaj ai nuk përkrahte asnjërin nga modelet ekzistuese komuniste. Nga ana tjetër Demaçi kishte njohuri të thella mbi të djathtën politike, dhe shpesh herë e radhitën edhe si të djathtë.

Tendenca për reduktimin e pikëpamjeve filozofike të Demaçit në të majtë apo të djathtë, duke u bazuar vetëm mbi bazën e shprehjeve ideologjike, i ngjajnë një thjeshtimi të papërligjur që nuk përfaqëson ndonjë thellësi mendimi, por bazohet vetëm në idenë sipërfaqësore se këto dy koncepte i referohen dy botëkuptimeve të kundërta programore. Për më tepër, asnjëherë nuk ka ekzistuar një e majtë apo një e djathtë e vetme. Lidhur me këtë studiuesja Nadira Urbinati shkruan se “ka shumë të majta dhe shumë të djathta, që kanë dallueshmëri të theksuar në mes vete”[15]. Kjo pikëpamje është tërësisht e qëndrueshme sepse e majta e pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë një e majtë e përcaktuar në kohë, ashtu siç ka ekzistuar një e djathë e përcaktuar në kohë, e që kanë dallime thelbësore me të majtën apo të djathtën e sotme. Dallueshmëria në kohë nuk është i vetmi faktor ndarës. Hapësira po ashtu është një nga faktorët tejet relevantë që i bën ato të papërshtatshme e të pazbatueshme. Një nga shembujt historikë është dështimi i zbatimit të teorisë marksiste në hapësirën e Lindjes së Mesme.[16]

Si e majta, ashtu dhe e djathta (organizatat klandestine) në hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi, nuk kishin për bazë trashëgimin e të majtës apo të djathtës të pas Luftës së Dytë Botërore. Ato, që të dyja, në hapësirën shqiptare, më së shumti kishin trashëguar elemente nga tradita dhe udhërrëfyesja kryesore, që ishte Rilindja Kombëtare. Andaj shumë herë, me të drejtë, lëvizja politike klandestine shqiptare e viteve ‘60 e këndej, konsiderohet si Rilindja e Dytë Kombëtare.[17]

Demaçi, duke përfshirë këtu edhe shumë bashkëmendimtarë, bashkëveprimtarë e dishepuj të tij, u dënuan me burg të rëndë, për pikëpamjet dhe bindjet e tyre politike,  pikërisht nga e majta (marksiste-leniniste) jugosllave. Internacionalja komuniste nuk dha ndonjë përkrahje apo shqetësim për këtë. Nga ana tjetër, asnjë nga organizatë me orientim të djathtë, qoftë në Europë apo në Ballkan, nuk e morën në mbrojtje personalitetin e Demaçit, deri në përfundim të sistemit ndërkombëtar bipolar. Shikuar nga ky prizëm, Demaçin nuk mund ta profilizojmë si ekskluzivisht si të majtë, ashtu siç nuk mund ta radhisim as si të djathtë.

Demaçi ecte në shtegun e tij, të dallueshëm si nga e majta, ashtu dhe nga e djathta. Ai gjithnjë merrte përfundimet e veta, të cilat janë po ashtu aq të dallueshme e unike.

Për të ardhur deri te përkufizimi më i përafërt i filozofisë politike demaçiane, profilizimin e saj, në radhitet te filozofitë e majta apo të djathta, të menduarit me diada, do të ishte një udhërrëfyes që do i shërbente këtij studimi e përkufizimi.[18]

Në rrafshin politik ekzistojnë diada që janë antitetike dhe komplementare. Të parat, bazohen në një bashkësi diveregjente, të dytat në një botëkuptim konvergjent. Në raport me doktrinat, si të majtat ashtu dhe të djathtat të cilat kishin për bazë totalitarizmin, Adem Demaçi mbështetet në diadën antitetike. Në raport më marrëdhëniet përbrenda shqiptare, ai mbështetet në diadën komplemetare, e cila synonte afrimin e njëra-tjetrës, për të formuar një entitet të nivelit më të lartë nga dyja botëkuptimet. Kjo është rruga e tretë, për të cilën ai thoshte: “Dy forca veprojnë mbi njëra-tjetrën dhe si rezultantë lind rruga e tretë që na çon drejtë lirisë…”.[19]

E treta përfshirëse, priret të shkojë përtej dy të kundërtave, duke i përmbledhur ato në një sintezë të epërme, pra, në të vërtetë duke i anuluar si të tilla.[20] Kjo ishte e treta e demaçiane, e tretë që nuk ishte përjashtuese, por përfshirëse, e tretë që eliminonte divergjencat e skajeve dhe ofronte pjesët e pajtueshme nga dyja palët e kundërta.  Në praktikë, politika e rrugës së tretë paraqitet si një politikë e qendrës dhe shpesh herë nënkuptohet jo si një formë kompromisi, por si kapërcim i të dy skajeve dhe njëkohësisht si asgjësim i tyre. Tek e treta demaçiane në vend që të ndahen dy skajet nga njëra tjetra, përkundrazi, ato afrohen dhe suprimohen në një amalgamë ideologjike. Amalgama ideologjike që ai synoi të krijojë dhe që në fund ia arriti, duke bashkuar dy botëkuptimet ideologjike shqiptare: botëkuptimin e majtë dhe botëkuptimin e djathtë, është thelbi i filozofisë politike demaçiane.

E treta përfshirëse, për dallim nga e treta e përfshirë që është një praktikë në kërkim të një doktrine, është doktrinë në kërkim të një praktike.[21]  Filozofia e Demaçit është unike sepse i ka të dyja: doktrinën dhe praktikën. Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve e cila u themelua mbi këtë frymë dhe i frymëzoi të gjitha organizatat atdhetare klandestine të ecnin mbi këtë filozofi, ishte ndërtuar pikërisht mbi këtë filozofi. Prandaj, me të drejtë ajo mund të emërohet “Filozofia demaçiane e Amalgamës ideologjike shqiptare”.

 

Shënime:

[1] Hakif Bajrami, Adem Demaçi, lider i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Per me shume lexo: http://fondiademdemaci.org/adem-demaci-lider-i-levizjes-kombetare-shqiptare/

[2] Po aty: http://fondiademdemaci.org/adem-demaci-lider-i-levizjes-kombetare-shqiptare/

[3] Pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, territoret shqiptare i ndanë midis tri republikave jugosllave. Në kuvendin e Prizrenit, më 1945 u deklarua se Kosova “shpall me vullnetin e popullit të saj”, se ajo i bashkohet Serbisë në kuadër të Federatës jugosllave. Ky vendim ishte në kundërshtim me Rezolutën e Bujanit të 31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944. Në këtë kuadër, në Kosovë më 8 shkurt 1945 u instalua regjimi ushtarak për ta mbrojtur vendimin e Kuvendit të Prizrenit. Regjimi ushtarak jugosllav, kishte detyrë të veçantë për të paralizuar dhe shuar shprehjen e pakënaqësisë për zgjidhjen e padrejtë të statusit të popullit shqiptar dhe hapësirave të tij. Ishte e kuptueshme se populli shqiptar nuk u pajtua dhe nuk do të pajtohet me vendimin e tij për të qenë nën robëri. Prandaj, njëri nga parimet e programit politik të Lëvizjes që drejtonte Adem Demaçi, qe kundërshtimi i këtij vendimi.

[4] Declaration on the Granting of Independence to Colonial Countries and Peoples, Adopted by General Assembly resolution 1514 (XV) of 14 December 1960. Marrë nga:  http://www.un.org/en/decolonization/declaration.shtml.

[5] Romani “Gjarpërinjtë e gjakut” lajtmotiv ka gjakmarrjen si një institucion të trashëguar që zbatohej si rrjedhojë e Kanunit, në mungesë të shtetit amë si organizim më i lartë i një kombi. Kjo masë juridike, në kohën kur Demaçi shkroi romanin e lartpërmendur kishte marrë përmasa të paparashikueshme tragjike, si akt i vetëflijimit i veshur me petkun e rrejshëm të aktit heroik. Kjo plagë e madhe, si çdo tjetër, shfrytëzohej nga regjimi jugosllav dhe përdorej si mjet efektiv i politikës së tij spastruese e shfaruese ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ky roman, qe ndër kumtet e këmbanat e para që binin për një zgjim të ri kombëtar. Porosia e madhe, e dyta pas asaj të Rilindasit të parë – Naimit, e sendërtuar në mënyrë fare të thjeshtë e të prekshme, pa ngarkesa letrare, në rreshtat e këtij romani, e shndërron Demaçin në një Rilindas të dytë kombëtar. Ky roman është arsyeja e burgosjes së tij të parë, gjë që e bën të palëkundur vendin e këtij romani jo vetë në historinë e letërisë shqiptare por edhe në historinë shqiptare në tërësi.

[6] Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, ishte organizata që u themelua nga Adem Demaçi, e cila më vonë u bë boshti kurrizor apo pikë reference e të gjitha organizatave që vepronin në hapësirën e robëruar shqiptare. Katër parimet esenciale të LRBSH janë: “Me qenë të bashkuar teritorialisht; Me pasë një treg të përbashkët ekonomik; Me pas një gjuhë të përbashkët letrare; Me qenë të përshkum nga ndjenjat e dashurisë, përkatësisë dhe solidaritetit reciprok vëllazërorë!” Përmes një analize të thjeshtë, këto katër parime ngërthejnë angazhimin për unitet të përbrendshëm si fazë e parë, për të kaluar në fazën e dytë të rezistencës aktive. Pra, filozofia e Demaçit, nga ky program politik del se nuk është statike, por evolutive, varësisht nga rrethanat e krijuara.

[7] Selatin Novosella , intervistë në TV Klan Kosova, “Adem Demaçi është një njeri që ka flijuar gjithçka në jetën e tij, duke përfshirë edhe fëmijët, gruan e nënën”. Për më tepër: http://klankosova.tv/zona-e-debatit-rrefimi-per-adem-demacin-njeriun-e-kombit/; Po ashtu, lexo: Adem Demaçi, “Dashuria kuantike e Filanit”, Prishtinë, 2007, f. 14.

[8] Adem Demaçi, “Dashuria kuantike e Filanit”, Prishtinë: Buzuku, 2007, f. 14.

[9] Po aty,f, 14.

[10] Po aty,f. 18

[11] Po aty, f.228

[12] Adem Demaçi, ligjeratë e autorizuar në Universitetin Vitrina”, Tiranë, 2011.

[13] Homeri “Iliada”, XVIII, f. 107.

[14] James Pettifer, “Ekpresi i Kosovës”, New York, 2006, f. 56

[15] Cfr. N. Urbinati, La sinistra vive se diventea un archipelago, “L’Unta”, 3 dhjetor 1993, përkthyer nga Ramize Ferati.

[16] Marksizmi qe i parëndësishëm për Lindjen e Mesme meqenëse përbënte një teori ekonomike për shoqëri revolucioni post industrial. Në kohën e përhapjes së idesë marksiste, Lindja e Mesme ishte një shoqëri rurale e cila mbështetej në punën me dorë dhe bujqësinë tradicionale. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, marksizmi kurrë nuk u vendos në Lindjen e Mesme, përjashto këtu Izraelin, ku u zbatua në masë të limituar. Pati lëvizje opozitare revolucionare që u vetëquajtën marksiste, por kurrë ndonjë qeveri, lëvizje politike apo edhe udhëheqës të promovojë marksizmin si sistem ekonomik.

[17] Albulena Halili “Viti i Ri serb dhe vetja ime kolektive”, PanAlbanica, http://panalbanica.net/2331/

[18] Diada është bashkimi i të kundërtave. Në të gjitha disiplinat shkencore merren për bazë analiza gjithëpërfshirëse: në sociologji diada vendoset në mes të shoqërisë dhe bashkësisë; në ekonomi: tregu dhe plani; në teorinë e së drejtës: privatja dhe publikja; në estetikë: klasikja dhe romantikja; në filozofi: trashendenca dhe imanenca; në politikë: e majta dhe e djathta, por jo edhe e vetmja, sepse në politikë shpeshherë nga diada kalohet në triadë, që nënkupton bashkimin e të ndryshmeve dhe tetrada, që nënkupton manifesimin e shqisave për elementet themelore si uji, zjarri, ajri, dhe dheu (pra të gjitha ato që perceptohen me shqisat tona).

[19] Adem Demaçi “Dashuria kuantike e Filanit”, op.cit, f.149.

[20] Norberto Bobbio, “E majta dhe e djathta: gjykime dhe kuptime të një dallese politike”, Insituti i Dialogut&Komunikimit, Tiranë, 1997, ff. 11-17

[21] Po aty.