Albulenë Halili

 

Cilësimi i gjendjes në të cilën ndodhet Maqedonia me togfjalëshin “rrugë qorre” është shumë i njohur dhe aktualizohet shpesh. Kjo na e bën të ditur që thelbi i problemit të këtij shteti gjatë gjithë kohës është kërkuar në vendin e gabuar dhe të gjitha zgjidhjet e miratuara deri tani nuk kanë qenë zgjidhjet e duhura. Në gjendjen e tashme fshihen pasojat e krizës ontologjike të këtij shteti, pra krizës që ka të bëjë me natyrën e këtij shteti, me thelbin e tij. Kriza e dy viteve të fundit përbën  vetëm shpërfaqje të lëngatës dhe plagomës që gjatë gjithë kohës kanë qenë aty, që nga krijimi i këtij shteti. Maqedonia ka dy probleme thelbësore të dy natyrave: të brendshme dhe të jashtme:

Problemi i brendshëm i Maqedonisë është krijimi i mbrapshtë i shtetit. Shteti i Maqedonisë është pavarësuar nga ish-Jugosllavia pa marrë parasysh vullnetin e 1/3 të qytetarëve që jetojnë në këtë shtet. Vini re se shqiptarët kanë bojkotuar referendumin e Maqedonisë për pavarësi. E dyta është se fara që po korret këto ditë, është mbjellë në preambulën e kushtetutës së parë të këtij shteti, ku thuhet se pronësia e shtetit u takon maqedonasve ndërkaq aty mund të jetojnë edhe pjesët e popujve fqinjë. Problemi i natyrës së jashtme, është kontestimi i qenies së këtij shteti nga të gjithë fqinjët e saj gjeografikë, përpos shqiptarëve: që jetojnë brenda saj, në Shqipëri në perëndim dhe në Kosovë në veri. Ky kontestim që i bëhet emrit të saj, identitetit, gjuhës dhe kishës, përbëjnë faktorin kyç për ngecjen e saj në reforma dhe rrugën e saj euro-atlantike. Shqiptarët pa vullnetin e tyre kanë mbetur peng i problemeve të këtij shteti.

Çdo përpjekje për zgjidhje të krizës duke anashkaluar këto fakte e të vërteta do të jetë afatshkurtër për të mos thënë e kotë.

Gjatë krizës së fundit shquhet një prirje e theksuar për sinkronizim të problemeve të shqiptarëve dhe maqedonasve.

Është e vërtetë që ne të dy palët, do s’do, me vetë faktin që jetojmë nën të njëjtin juridiksion, po e vuajmë zhytjen e shtetit në autoritarizëm, ngërçin në institucione, inkriminimin e politikanëve, mosfunksionimin gjyqësor, por për dallim nga maqedonasit, shqiptarët janë përballur me këto sfida gjatë gjithë kohës, madje duke u mbivendosur me problemet ekzistenciale tonat. Institucionet jo vetëm që s’kanë punuar për ne, por madje kanë punuar kundër nesh.

Tendenca për solidarizim ka për qëllim neutralizimin e çështjes shqiptare në Maqedoni dhe kamuflimin e kauzës sonë përmes përplasjeve të tyre për pushtet dhe shpëtimin e shtetit.

Pushteti është sikur koncepti i kostos oportune në teorinë mikroekonomike. Duhet të kihet mirë parasysh se për çka jemi në gjendje të bëjmë kompromis, për ta marrë atë.