Unë kam qenë Adami që e kam ngrënë mollën

Flasim përhanshëm me Ilirian Zhupën

Nga: Xhemazije Rizvani

 

Përse mendoni se ju jeni gabimi ?

Mendoj se jam gabimi, pasi edhe mbas kaq shumë vjetësh jetë, nuk i jam dorëzuar dhe nuk mendoj t’i dorëzohem sistemit të reflekseve të para, siç konstatoj se ndodh rëndom. Pasi mendoj ende se e mira është një gjë e përbashkët dhe jo vetëm e imja, morali nuk është një shfaqje, por është një thelb; patriotizmi, besa e atdheu po ashtu. Jam gabimi, pasi sa herë kam pranuar dhe mungesat dhe dobësitë e mia, kam konstatuar me trishtim të thellë, se ata që kam rretheqark kanë përfituar nga ky pranim duke trashur më shumë fajet dhe zullumet e veta ndaj meje.

 

Pse mos të të pyesim ku keni qenë ?

Mbasi kjo është një intervistë e shkurtër, në këtë zheg vere, dhe shtjellimi i pyetjes suaj do të paktën dy mijë vjet që të marrë përgjigje të plotë. Për një përgjigje të përmbledhur lexo librin “Mos më pyet ku kam qenë”.

 

Ju duket se pesimizmi shkon gjithmonë paralel me përvojën?

Përvoja dhe pesimizmi janë si e bardha dhe e zeza. Sa më shumë ndiçohesh, aq më mirë e shquan errësirën.

 

Nga shumë gjëra që të mungojë, çka ju mungon e para tani?

Ajo që kam kërkuar dhe e kërkoj gjithë jetën: Dashuria që shfaqet në formën e Njeriut.

 

Cila është mungesa e frikshme e njerëzve seriozë të shtetit amë?

Së pari, unë nuk besoj se ka shtet amë dhe shtet bijë apo bir. Sëmundja e seriozitetit kallp, kaq e përhapur ndër ne, është një shenjë ulëritëse e mungesës së humanizmit dhe përgjegjësisë. Mes nesh, një seriozitet i madh, përgjithësisht është një ambalazh i shtrenjtë, brenda të cilit fshihen produkte skarco.

 

Kush ju mbush e zbraz si një gotë?

Le ta ndryshojmë pak pyetjen. Le të themi si një orë me rërë. Pasi gotat dhe enët e tjera kanë lidhje me stomakun, ndërsa ora e rërës ka lidhje me trurin.

 

Ç’ju ngre nervat që në mëngjes?

Fakti që kur hap sytë, kam në mendje vetëm gjëra dhe punë të bukura, ndërsa mbasi dal në rrugë, shumëçka shkon në drejtim të paditur, pra rrugë pa rrugë.

 

Nëse do hiqnit dorë nga vargjet, ç’gjë tjetër do ju shkonte për dore?

Të mbillja lule e pemë dhe të rrisja zogj, në fshatin e gjyshërve dhe prindërve të mi, në Çorraj. Dhe t’i bleja tim ati që nuk jeton më, kapelen që i pata premtuar.

 

Si duket një grua, si një bukë e nxehtë e sapo nxjerrë nga furra?

Buka shuan një uri fizike, gruaja shuan një “uri” shpirtërore. Buka ftohet e prishet në disa ditë, një grua nuk ftohet e nuk prishet kurrë. Ajo është gjithmonë si buka e sapo nxjerrë nga furra, edhe kur bëhet vajzë, edhe kur bëhet nënë, edhe kur bëhet gjyshe. Ajo është e nxehtë, e avullt, ftuese. Kur isha fëmijë, bëja figura njerëzore me tulin e bukës së ngrohtë, por nuk u jepja dot zë dhe frymë; gratë bëjnë fëmijë, burra dhe gra, njerëz, popuj dhe kombe me tulin e vet dhe u japin gjithmonë frymë dhe zë.

 

Në truallin e Shqipeve kush janë papagajt?

Më mirë të themi kush nuk janë? Një pakicë që bëhen minoritet përditë e më shumë, nuk janë. Ndërsa papagajtë në truallin e shqipeve, tashmë janë si në shtëpinë e vet. Këndojnë në qeveri, në parlament, në administratë, në akademi dhe institucione shkencore e kulturore, në media, në universitete, shkolla, kopshte dhe çerdhe. Sa më shumë të këndojnë si papagaj, aq më të suksesshëm janë dhe aq më shumë e shtojnë tagjinë e vet. Dhe aq më shumë rrallohen radhët e “shpendëve” të tjerë…

 

Si duket Shqipëria pa Dritëroin?

Si një orkestër pa violinë. Po koncerti vazhdon me librat e tij.

 

Ç’ka të vdekur brenda jush?

Shumë ëndrra, shumë miq, shumë libra.

 

Ju vjen keq pse s’jeni më i ri?

Jo! Nuk më vjen keq. Pasi shpesh vetëndihem si adoleshent. Dhe dua të rritem…

 

Sa gra mund të mbajë poezia juaj?

Do doja që në poezinë time të ishin të gjitha pasardhëset e Evës. Ose së paku, secila nga to të gjente diçka nga vetja, mes vargjeve dhe fjalëve të mia.

 

Si ndihet Poeti i përzier me të tjerët?

Në abitatin e vet, si çdo gjallesë tjetër e kësaj bote.

 

Poeti dhe vargjet e preferuara cilat janë?

Poetët e mi të preferuar janë Lasgushi dhe Whitman. Po edhe mijëra vargje dhe poezi të poetëve të tjerë.

 

Keni qenë dashnor i zjarrtë?

Përgjigjen për këtë pyetje duhet ta japin Evat. Unë kam qenë Adami që e kam ngrënë mollën.

 

Në çka ju duket se kjo botë është ndërtuar keq?

Në raportin e njeriut me veten, njeriut me njeriun, njeriut me sendet, natyrën dhe botën.

 

Cila poezi e juaja është më e dashura për ju?

Ajo që po shkruaj sonte.

 

Cila poezi e juaja është më e dashur për të tjërët?

Besoj se janë shumë, por për këtë është mirë të pyeten të tjerët.

 

Si duhet t’i trajtojë shteti poetët?

Si njerëz! As si papagaj dhe as si qen.

 

Si duhet gruaja ta trajtojë një poet?

Si të dashur, si burrë, si njeri që ka vazhdimisht nevojë të arratiset në vetminë e vet.

 

Çka ju kthen në filozof?

Gjërat e vogla që bëjnë dhe zhbëjnë qenien humane, kur kjo e fundit sheh veten në pasqyrën e të vërtetave universale.

 

Çka ju tremb më shumë te vetja?

Frika mos bie në grackën e luftës me të njejtën logjikë dhe me të njëjtat mjete të atyre që më luftojnë dhe urrejnë.

 

A janë poetët egoistë?

Kur janë në gjips dhe në bronz, jo. Kur janë të gjallë, varet nga natyra e tyre njerëzore.

 

A është turp të heshtësh a të flasësh?

Të heshtësh është virtyt, në një botë ku gjithnjë e më shumë të marrët vetëm flasin…

 

Çka ju dhemb më shumë?

Boshllëku… I cili po rritet po aq shpejt sa lakmia e njeriut dhe e bën këtë të fundit rob të tij.

 

Në një dimension tjetër jete kush do të ishte Ilirian Zhupa?

Përsëri Ilirian Zhupa, por me më shumë ëndrra dhe me më pak plagë.

 

Kush jeni ju?

Ende nuk kam një përgjigje.

 

Për çka nuk folëm në këtë bisedë të përhënshme?

Për hënën dhe vendet ku njerëzit nuk janë të përhënshëm si ne.

 

Faleminderit!

 


Pushoni, për emrin e Zotit!

Gjergj Bubani

(1899-1954)

 

Sëmundja e madhe e shpifjeve dhe e grindjes, sëmundje që buroi prej egoizmës dhe inateve dhe e cila si një gangrenë ka pushtuar trupat dhe shpirtrat e shumicës të bashkatdhetarëve tanë, është, për Shqipërin' e sotme, fatkeqësia m'e madhe. E vogël, e pocaqisur, jo shum' e begatshme, Shqipëria priste dhe pret prej atdhetarëve të vërtetë theorira të mëdha, morale dhe materiale, për progresin e saj dhe për organizimin e saj të brendëshëm. Dhe në vend që të mblidhemi të gjithë tok dhe si një trup të bashkojmë punërat dhe mendimet tona për të mirën dhe për përparimin e Saj, në vend që të punojmë secilido prej nesh me zemërkthjellësi dhe me ballën lart për Atë dhe të mirën e Saj, duke mbytur çdo sentiment egoistik, që për fat të keq e kemi në natyrën tonë si shqipëtarë, ne, përkundrazi, vumë tërë fuqinë e mendimit dhe të energjisë sonë për të rrëmyer njëri varrin e tjetrit, për të përmbushur tërë inatet dhe egoizmat tona personale, duke shpifur, duke kundërshtuar, duke sharë, duke goditur, duke shojtur adversarët tanë personalë, për të mirën e egoizmit tonë personal dhe kundër Atdheut tonë, kundër Shqipërisë. Dhe tërë këto i bëjmë sheshazi pa asnjë trup dhe shumë herë në emrin e atdheut!

I mjeri atdhe!

Tani e kuptoi ai se tërë flaga e enthuziazmës sonë s'ish gjë tjetër veçse një pamje e rremë e dëshirave tona personale. Tani e kupton ai se jemi patriotë të flaktë vetëm sa kohë shpresojmë në një shpërblim për patriotizmin tonë. Tani e kupton ai se nëpër zemrat tona është rrënjosur më thellë dashuria për interesin tonë vetjak, sesa ajo e interesit të Tij. Tani e kuptoi ai se, posa që na ciket interesi ynë vetjak, humbet ndër ne çdo sentiment atdhetarizmi dhe zëmë godasim, shajmë, shpifim, rrëmijmë varret e patriotëve të tjerë, duke shpresuar se me varimin e me çnderimin e tyre do të rilindet triumfi i egoizmës dhe i interesit tonë vetjak dhe pa u menduar se ç'nderimi dhe shojtja e tyre ekuivalon me shojtjen dhe çnderimin pjesor të Shqipërisë.

U mësuam si Qeveri të punojmë kundër opizicies: si opozicie tymos kemi tjetër qëllim veçse rrëzimin e Qeverisë dhe hipjen në kryen e Shtetit: si prefektër, të punojmë me hatër dhe, si adversarë të prefektëve, të sosim tërë energjinë tonë kundër atyre. U mësuam të punojmë në emrin e atdhetarizmit, kundër Atdheut, pa asnjë turp.

Se interesi i Shqipërisë sot është të jemi që të gjithë të bashkuar nën një qëllim: Përparimi i Shtetit tonë. Follow this to get much more info pokies online.

Dhe, kur të arrijë në radhën e shteteve të tjera të qytetëruara dhe të përparuara, atëherë le të pyesim dhe Egon tonë dhe le të ndahemi në partira, po jo në çeta pa asnjë program.

Jemi aq të paktë dhe aq të dobët në mësim, sa vetëm të bashkuar që të gjithë do të mundim t'i sjellim dobi Atdheut, i cili sot më tepër se kurdoherë ka nevojë për bashkimin tonë.

Për emrin e Zotit!

Pushoni grindjet, inatet, shpifjet në mes tuaj dhe afrojuni t'i japim me zemër të kthjellët dorën njëri-tjetrit, për shpëtimin e Shqipërisë. Afrojuni të bashkohemi dhe të punojmë të gjithë tok si një rreth i çelniktë, me një qëllim të përbashkët.

Le të bashkohemi dhe le të mbytim secilido egoizmën e vetes së tij. Kjo është m'e madhja theori që na kërkon Atdheu tonë. Le të harrojmë dhe le të shuajmë ambicionet dhe inatet tona vetjake. Vetëm kështu do të mundim t'i shërbejmë me dobi Atdheut.

Ata që janë jashtë Qeverisë, le t'u japin tërë konkursin e tyre të sinqertë qeveritarëve. Në vend të shajnë dhe të shpifin, në vend t'i madhësojnë veprat e liga dhe t'i vogëlsojnë veprat mira të qeveritarëve, në vend të kritikojnë me hatër, do të bëjnë më mirë t'u tregojnë udhën e mirë, t'i këshillojnë vëllazërisht dhe ngadonjëherë dhe të ndjejnë lajthimet e tyre. Dhe vetëm atëherë kur prova të gjalla na thonë se një prej tyre punon kundër idealit ose kundër interesit të përgjithshëm, atëherë le t'i biem kokës, atëherë le ta shfarosim.

Ata që mbajnë fuqinë në dorë, le të kuptojnë se vetëm duke pasur konkursin e shumicës do të mundin të punojnë. Dhe për t'u dhënë konkursin dhe besimin, shumica u kërkon të zhvishen prej rrobës së egoizmit dhe të ambicies, u kërkon të lënë mënjanë aksiomën e famshme "ashtu dua unë" dhe të dëgjojnë herë-herë zërin e opinionit publik. Deputetët tanë le të pushojnë së ëndërruari ministre dhe madhërira dhe, në vend që ta vrasin mendjen e tyre për intriga me qëllime vetjake, le të mendohen më mirë se në tërë këto kohë asgjë s'na treguan dhe asnjë përmirësim s'vepruan. Ata që s'janë të zotërit për tjetër gjë, veçse për intriga, le të japin dorëheqjen. Është shërbimi m'i madh që i mundin t'i sjellin Atdheut.

Për emrin e Zotit!

Pushoni një herë! Sprasuni prej udhës që keni marrë dhe e cila po na shpie në katastrofë. Bashkohuni, se "Fuqia në bashkim" gjendet.

 

1921


Gjakim për mbrothësinë e brezave që vijnë

Albulenë Halili

Në ditën kur duhej të uronim që ky vit të vejë mbroth për shkollarët e mësuesit e tyre, na lidhen nyje në fyt që i zënë rrugë dhe frymës që lirisht të dalë e të hyjë në trupat tanë fizikë. Trupa të privuar nga të gjitha ndjesitë shpirtërore dhe aftësitë e përsiatjes e vetëgjykimit individual e kolektiv. E vetmja gjë që na lejohet është të mbijetojmë dhe të bëjmë kinse. Madje kjo e dyta na cytet me çdo kusht e në çdo mënyrë.

Në ditën kur sytë duhet t’i kemi te shkollat e brezat e rij, jemi bërë sy e veshë që të gjithë, me trup gjithandej, por me mendje na çuan pa qenë askurrë nevoja të merremi me ndërgjegjen tonë kombëtare, me indin tonë të moçëm, të pakontestueshëm.

Sërish populli, ai i pagdhenduri, ajo masë e manipulueshme, e shfrytëzuar e e përthithur deri në pikën e fundit të gjakut, mbetet më i vetëdijshmi për plagomat tona të vërteta. Ai s’do të dëgjojë për përçarje fetare, programe e doktrina politike, kombëtare e ndërkombëtare, projekte të imponuara për gjëra të paqena e jetëshkurtra. Populli nuk harron. Ai do që Atdheu i tij të jetë i papjesëtueshëm. Ai do që te vëllai i tij, te fqinji, në shkollë, e në dasëm të shkojë pa pasaportë. Ai lutet që të vjelat nga puna e tij mos ia vjedhë e plaçkitë asnjëri. Vetëm këtë do populli dhe ai gjithnjë e di dhe e ka më së miri. Populli s’ka hile.

Në ditën kur si e tërë bota e qytetëruar duhet të përcjellim fëmijët në shkollë, ne përballemi me pabarazinë, atë të parën, thelbësoren, bibliken. Përkundër jehonave mediatike me shumë bujë se ne në Tetovë, Shkup, Gostivar, Kumanovë, Dibër, Strugë, Manastir e Ohër, ndajmë të njëjtat probleme e sfida me bashkëqytetarët e bashkështetasit tanë të imponuar, kjo është vetëm një rrenë klluçe e asgjë më shumë. Filloni nga dita e parë e shkollës, nga zanafilla. Aty fillon çdo kategorizim: në mjek e bujk, profesor e bari, pronar shteti e qiraxhi (sic!) …

Shkollat në të cilat mësojnë fëmijët e mjekëve e profesorëve janë ndërtuar nga shteti, nga paratë publike, tonat, sepse ata “e dinë” çdo të thotë shtet ligjor, të drejta të njeriut, të drejta të fëmijëve të garantuara me konventa ndërkombëtare, lojalitet ndaj shtetit, interes kombëtar. Neve s’na lanë kurrë të mbrojmë një të tillë. Ata janë të civilizuar. Ne kemi bishta. Shkollat tona janë ndërtuar nga puna e bujqve e barijve, nga djersa jonë, nga ata që ikën e që lektisin një jetë për Atdheun e tyre. Po qe nevoja për ndonjë sallë sporti sa për të thënë, po, do “të na e ndërtojnë” por ama haraçi është një marrëzi postmoderne: duhet që nga jashtë të lyhet me ngjyrë të verdhë dhe emri i paqenë i këtij shteti të shkruhet me shkronja të mëdha e të kuqe. Për më tepër shkollat publike janë të vogla për ta zënë këtë racë pjellore që s’po e tkurr e zhbën asgjë që kur është ngjizur bota. Të tjera shkolla s’ndërtojnë dot. Paratë tona iu duhen për të na shtypur.

Paskëtaj akuzohemi përpara botës se shkollat tona s’janë të denja. Por vallë institucionet edukative-arsimore a mund të jenë prona private të lëna në mëshirën e vullnetin e mirë të individëve të caktuar, popullit apo grupeve të interesit?! Për të pasur një shkollim të denjë, ne akoma sakrifikojmë gjithçka tonën. Ka të tillë që çojnë fëmijët të shkollohen te pushtuesit tanë të dikurshëm, neo-pushtuesit e sotëm të cilët ndërtojnë shkolla të denja për indoktrinimin e brezave tanë. Po ata që dje na e ndalonin të hapim shkollat në gjuhën tonë. Aty përditë nga pak rishkruhet historia jonë. Ribëhet mbamendja kolektive përmes kokave të njoma. Aty përditë vriten heronjtë. Aty vritet përditë nga një copë Shqipëri…

Në ditën kur duhet të zgjohemi, ne vazhdojmë të flemë e të bëjmë kinse dhe u urojmë mbrothësi atyre që po ua lëmë trashëgim mallkimin tonë – brezave që vijnë!

 

 


Paridi sipas një Homeri jo të verbër

Flasim përhanshëm me Parid Teferiçin

Nga: Xhemazije Rizvani

 

Të kanë lënë dhe ke lënë njerëz të dashur, po cila është më e vështirë?

Më e vështirë është të pranoj se më kanë lënë me shumë të drejtë. Pendohem për ato që kam lënë: po të mos isha ngutur do të më kishin lënë vetë.

 

Ç’pret ngeshëm peshkatari në breg të përroit?

Më pyeti një gazetare e nderuar kulture për procesin tim të punës. Nuk di të punoj, i thashë, di të pres me nge buzë përroit tim se mos peshkoj ndonjë gjë. Por ia kam futur kot: unë nuk di as të peshkoj. Madje peshku i ujit të ëmbël nuk më pëlqen.

 

Ç’kanë tjetër të përbashkët politika dhe poezia, (përveç “P-së”)?

Ndoshta një hiç; domethënë, mua.

 

Pse të duket i mjerë ai popull që shkruan poezi patriotike?

Një popull ka nevojë për patriotë. Mund të bëjë fare mirë edhe pa poetë.

 

“Filli i humbur“ që e kërkoni, ngjan me çka?

Nuk jam në kërkim të ndonjë të vërtete përfundimtare, domethënie të thellë, pohim tronditës, nuk jam as në kërkim të ‘poezisë së bukur’, thjesht jam në kërkim të një filli të humbur. Çfarë është? Kthjellimi, shpesh i mundimshëm, pas një feste. Të presësh  për të gjykuar esëll gjepurat që grumbullohen në eufori e sipër.

 

A është dashuria jote e parë matematika?

Po, dhe më la me shumë të drejtë.

 

Wallace Stevens flet bukur përmes teje. Është poezi që të lexon ty?

Është dashuria më jetëgjatë. U bë mbi njëzet vjet që nuk rri dot pa të.

 

Të ka zënë ndonjë mur përfundi, duke u përpjekur t’i rrëzosh?

Muret brenda vetes, po i rrëzove, të zënë përfundi. Janë aty për t’u kapërcyer, jo për t’u shembur. Prishe, për shembull, murin që ndan dashurinë dhe xhelozinë, admirimin dhe smirën, dhe do ta shohësh.

 

Ç’ke të përbashkët me emnakun tënd homerian?

Ndoshta të njëjtën plogështi për ‘heroizma’.

 

Tundimi më i fortë yti?

Të flas troç për tundimet. Pastaj lexoj çfarë kam shkruar dhe kuptoj meskinitetin tim. Ndaj tundimi më i fortë, të cilit nuk i rezistoj dot, është t’i gris e t’i flak në kosh ato pallavra.

 

Në çka s’lëkundesh?

Në këtë ‘rezistencë paqësore’ me tundimet.

 

Valixhet të thonë gjë ?

Po. Sa herë i shoh në depo, më thonë ‘Prapë këtu ti!?’

 

Po ngjyrat?

Të njëjtën gjë.

 

Cilat kohë të dhëmbin akoma ?

Më dhemb 1997.

 

Cilët janë tre poetë që nëse nuk i njeh bashkëbiseduesi yt, nuk e merr për të denjë?

Mjedën, Lasgushin, Migjenin.

 

Cila poezi e huaj të duket sikur ta kishe shkruar ti?

Ndoshta një poezi e Elisabeth Bishop, e cila nis me vargun “Zanati i humbjes mësohet kollaj” (The art of losing isn’t hard to master).

 

Cilin libër të vetëm do ta kishe shpëtuar nga flakët?

Prometeun e Eskilit, i cili ua vodhi zjarrin zotave për t’ua dhënë njerëzve, për punë më të mira se djegia e librave.

 

Mis vetmia cila është ?

Mis vetmia?

 

Vizioni orfeik është një mision i pamundur?

Nëse ngelemi tek Orfeu dhe Euridika për të justifikuar atë që bëjmë, më mirë të ndërrojmë zanat. Nganjëherë poetët dërdëllisin për kësi gjërash ‘të thella’ njëlloj si ata adoleshentët që të çajnë veshët me termat e fundit të informatikës.

 

Nëse vërtetë do të ishe i padukshëm brenda ditës, për çfarë do ta shfrytëzoje?

Do të bëja të përditshmen. Di të mos bie në sy edhe sot.

 

Në pyllin tënd të fantazisë kush është ujku?

Ujku është pedagogu. Çfarë do të mësonin fëmijët, p.sh., nga një budallaçkë që, për të mos rënë në sy në blerimin e rrezikshëm të pyllit, vishet me kësulë dhe fustan të kuq, për t’i çuar ushqim gjyshes që vetë familja e ka braktisur në natyrë?

 

Ku i kemi rrënjët ne njerëzit?

Kur ishim njëqelizorë nuk bënim kësi pyetjesh.

 

Ku mund të shkojë njeriu kur merr arratinë nga vetja?

Në turmë ose në shkretëtirë.

 

Ç’ju ngjallin turmat?

Neveri dhe frikë.

 

Kush janë ata që s’të kuptojnë?

Ata që kuptoj më mirë se veten.

 

Ku është toka e premtuar?

Bregdeti im i fëmijërisë: Golemi, Qerreti, Mali i Robit. Kështu e mendoja dikur, por me sa duket u paska qenë premtuar edhe shumë të tjerëve.

 

Çka nuk të pëlqen te raca njerëzore?

Sjellja çnjerëzore. Vetëm ne njerëzit e kemi.

 

Të ishe një asket?

Nuk është për mua. Ata zgjidhnin vetminë dhe parazitët për t’iu larguar trupit. Unë trupin e largoj duke ia plotësuar dëshirat.

 

Çfarë s’njeh më te vetja?

Kam humbur vullnetin për të qenë ndryshe.

 

Kush je ti?

‘Kush jam unë?’ Kështu fillonte një roman i Bretonit, por tashmë nuk mbaj mend asnjë rresht.

 

 


VAJTIM PËR KOSOVË

Poezi e studentit Kel M. Gashi e botuar në të përkohshmen letrare “Shpresa”, organ i studenëve të Liceut të Korçës. Viti II. Shkurt, mars, prill 1924. Nr. 7,8,9.
Gjatë viteve 1941-1944, Kel Gashi ka qenë drejtor i Gjimnazit të Tetovës i cili atëbotë quhej “Hasan Tahsini”.

 

1
Diell’ i shndritshëm, rreze ari,
T’lutna ke prej çdo shqiptari,
T’hedhish syt mbi majë shari
E n’at fush qi lag Vardari.

2
Të ngrofish at tok shqipëtari,
Trashigim, qi na le i pari,
Ato fusha ato male
Ku gjak a derdhë por si vallë.

3
T’apish t’fala vllaznive t’onë
Qi ndën zgjidhe po lëngojnë,
Zemrat e tyne mbush theza
Për atdhe tu fshâ nga hera.

4
Oh Kosovë vend i bekue,
Ti gjithmonë qi ke liftue
T’part t’anë që ke nderue
Sod ndën zgjidhe me lëngue!

5
A asht thanë kur prej Zotit,
Të bijt e thjesht të Kastriotit
Të vuejn në tymë të barotit
Çojt t’u teren sod prej s’thatit?

6
Shkolla shqipe u ndalue
Në çdo anë fëmia tu vajtue
Për gjuhën e nanës të bekue
Qi s’kan kuxim me e mësue.

7
Oh ti shqipe me dy krena
Flituro n’ato dhena
Shikjo të bijt e tu tue kja
Qumshti yt q’i u a nda,

8
Ti o shkabë zgjanoj krahët
Shti ndën hije ata të ngrat
Qi vajtojnë ditë edhe nat
Për atdhen e dash un të famt.

9
Jep të fala vllaznive t’onë
Atdhesin gjithmonë t’a çmojnë
Se vjen dita e të gëzojnë
Ndën hije t’ande të jetojnë.

 


Para Sabatos kam fjetë e jam zgju me Danten, Shekspirin, Hygonë…

Flasim përhanshëm me Manjola Brahaj-n

Nga: Xhemazije Rizvani

 

– Si fle Tirana?

– Tirana është si nji vajzë e trazume dhe që nuk di me e zanë gjumi. Është e zhurmshme shumë, e potershme, deri edhe në rruginat e vogla dhe të humbura të lagjeve ka zhurmë deri vonë. E them këtë pasi ka vite që po jetoj, po flej dhe po zgjohem edhe unë me Tiranën. Kisha dashtë shumë që ajo me qenë më e qetë, më e lehtë për t’u jetu në të dhe për t’u përballu, por jo. Është e vështirë, e lodhshme, por deri diku edhe e bukur.

Shpesh, pasi ajo vendosë me fjetë, në orët e vona edhe i kam “ruajtë gjumin” siç ia ruajmë njerëzve të dashtun fort për ne. Ajo e heshtur dhe e shtrirë në zinë e saj të pamatshme që ia jep nata dhe unë, pikërisht atëherë, iu kam rrëfy, kam folë dhe kam shkru, duke i qëndru mbi kry.

 

– Për çka ëndërron më shumë?

– Më së shumti dhe para gjithçkaje ëndërroj të udhëtoj. Të udhëtoj pafund. Udhëtimet janë ëndrra dhe përmbushja ime e vetme, pas leximit. Kur udhëtoj, ndryshoj, mësoj, marr jetë nga secili vend ku shkoj, çfarëdolloj vendi qoftë ky. Marr prapë një përvojë të re edhe nëse kam shkuar aty me mijëra herë. Prapë më gjallëron udhëtimi, më duket sikur jam mbi kohën dhe e zotëroj atë. Në udhëtime edhe shkruaj shumë, aq sa po t’i mbledh poezitë e shkruara përgjatë udhëtimeve, do mund të bëhej pa ekzagjerim një vëllim poetik. Arsyeja thelbësore, besoj, se pse ëndërroj më së shumti udhëtimin, udhën në vetvete, procesin si të tillë, është pasi besoj se edhe ne, në fund të fundit, jemi veçse udhë.

 

– “Ç’flisni” me Sabaton në kafene në mëngjes?

– Me Sabaton? Eh… atë ditë kur mora Sabaton me vete për të pirë kafenë e mëngjesit, në fakt, po bisedoja me të për mungesën e pastërtisë te çdo gjë njerëzore. Në ç’kuptim? Sabato hidhte idenë se secila kulturë ka marrë që në gjenezë prej kulturave të tjera dhe është paradoksale të kërkosh pastërti dhe mungesë ndikimi. Ide në fakt që dihet tashmë dhe ka plot diskutime dhe mendime rreth intertekstualitetit, komunikimit ndërkulturor, si dukuri të mundësimit të kësaj mospastërtie, gjë të cilën asnjëri prej nesh nuk e mohon dot.  Sabato bënte një gjë shumë interesante, pasi hidhte dritë shumë të qartë mbi ndërtimin dhe formimin e kulturës dhe letërsisë ameriko-latine dhe të gjithë ndikimeve që ajo ka patur nga kultura evropiane. Qasjet e tij në atë lloj “bisede” që kisha atë ditë me të më bënë veçse ta dua akoma më shumë kulturën dhe letërsinë ameriko-latine dhe në mënyrë të veçantë, Sabaton, si një bashkëbisedues tejet interesant dhe tërheqës.

 

– Si duket një mik më i mirë se Belfjore?

– E vështirë me gjetë miq të mirë në jetë dhe akoma më e vështirë të gjesh mik të mirë sa Belfjore, që është mikja ime e pandashme, se për më të mirë se ajo nuk besoj se mund të ketë, të paktën për mua jo. Nëse do duhej ta përshkruaja këtë mikun më të mirë duke patur si krahasim apo model miken time, do duhej që ky miku në fjalë të kishte ca tipare të ngjashme me të saj ose të bënte ç’ka bërë ajo për mua; Të më gjendet pranë sa herë do kisha nevojë. Të dijë të flasë dhe të bisedojë për ide, për çështje e dukuri, jo për persona të veçantë. Të mos bëjë thashetheme, të mos shajë apo përgojojë të tjerët pas kurrizi, të jetë i sinqertë dhe të hapë shpirtin si shtrojë drejt meje. Të ketë lexuar shumë libra dhe të mund të diskutojë për ta. Të adhurojë kinematografinë dhe të më rrëfejë filmat që nuk i kam parë, e të më sugjerojë se çfarë duhet të shoh. Të më lexojë në anglisht Eliotin, duke ma nisë me audio edhe kur s’më ka afër, të më lexojë me zë Kazanzaqin, ndërkohë që udhëtojmë për të vajtur atje ku na çon shpirti. Të më flasë për orë të tëra për pikturat e Gojas. Të më përsërisë me qindra herë sa e adhuron Dostojevskin. Të më bëjë dhuratë për ditëlindje Niçen. Të më rrëfejë me qindra herë çdo skenë ku ka qarë duke parë “Pacientin anglez”. Të më këndojë këngët e preferuara vetëm mua. Të më mësojë të adhuroj detin, duke më shpjeguar se mbi të gjitha është dashuri. Të m’i lexojë i pari poezitë që shkruaj, duke më dhënë mendimin e çdo gjëje që shkruaj. Të më kritikojë dhe të ma thotë në sy kur jam gabim. Të më ftojë të shohim filma bashkë. Të gatuajë për mua. Të udhëtojë vetëm, për dhe me mua. Të më bëjë kurora me lule. Të eci përkrah meje në natyrë. Të dojë shumë gjëra që dua dhe unë. Të më fotografojë për të mbajtur kujtim lumturinë e ndarë dhe të jetuar me mua. Të jetë vetvetja dhe të ruajë fëmijën e parritur brenda vetes, pasi vetëm ashtu do të mund të më kuptojë.

 

– Cila stinë ngre krye më shumë nën lëkurën e Manjolës?

– Dikush që donte të më bënte për vete me ca fraza poetike më tha dikur: “Krejt stinët parajsore flejnë në lëkurën tënde”. Unë natyrisht që nuk e besova, pasi nuk vuaj nga ndonjë delir madhështie e as nuk besoj se jam hyjnore, por thellë-thellë, duhet me e pranu që m’u ba qejfi. Jam njeri. Femër – lule, e lindur në maj dhe në shpirt më rrinë e më flen më së miri pranvera, konkretisht maji. Ndoshta e shprehur poetikisht do të mund të thoja që ngre krye në lëkurën time, pikërisht kjo stinë lulnore.

 

– Ç’heroizëm mund të bëjmë që të mos vdesim si minjtë?

– Kur e kundroj realitetin në të cilin frymojmë dhe harxhojmë minutë pas minute jetën tonë dhe arrij të kuptoj se si është i ndërtuar dhe se si ka degraduar, pa ekzagjerim gjithçka, e shoh të pamundur. Pra, nuk na ka mbetë asnjë heroizëm për t’u bërë që me shpëtu. Jam shumë skeptike në këtë pikë. Fjala thuhet dhe nuk ka më peshë, bie në vesh shurdh. Ne jemi shndërruar në “skllevër” vetëm se kanë ndryshuar format e skllavërimit. Nuk ka më rrugë heroike si në luftëra për të shpëtu, por edhe përballja me këtë realitetin e përditshëm është një lloj lufte. Ndoshta do duhet të bëjmë secili aq pak sa kemi në dorë me çfarëdo lloj mjeti që kemi, që të mund të ndryshojmë sadopak fytyrën e këtij realiteti, sidomos ne që kemi vendosur të mos ikim nga vendi ynë, por të përballemi më atë që na ofron. Unë kam në dorë të mësoj dhe të përgatis nxënës me profesionin tim, do bëj aq sa të mundem dhe sidomos me dashuri. Dashuria është e vetmja shpresë dhe zgjidhje, pasi nëse gjërat do bëheshin me dashuri, çdo gjë do ishte krejt ndryshe. Ndaj duhet të bëjë secili prej nesh, punë të vogla në dukje, por që në fakt kanë vlerën e veprimeve heroike.

 

– Çka është më seksi se leximi?

– Më seksi se leximi, mendoj se është një femër që lexon.

 

– Çka s’do Zoti?

– Jam e bindur që Zoti nuk i don hiç krejt budalliqet dhe marrëzitë tona të pakufi. Marrëzi të tipit, vrasje e fëmijës nga prindi, apo e kundërta. Luftërat e panevojshme dhe vrasjet e të pafajshmëve, ndonëse shpesh paradoksalisht po bëhen dhe janë bërë në emër të tij, nuk besoj dhe jam e sigurt, që nuk i don. Të gjitha marrëzitë që vijnë nga mendjet e çekuilibruara dhe të etura për shfarosje, gjak dhe makabritete, nuk besoj se e kanë pranimin apo aprovimin e tij. Ndonëse shpesh dyshoj dhe i drejtohem brendësisë sime në kërkim të tij dhe dua shumë t’i kërkoj llogari për të gjithë këto gjëra, në fakt përgjigjja që marr është se ne jemi ata që e kemi në dorë. Ne njerëzit, nuk është Ai që po na urdhëron, as të vrasim, as të dhunojmë e as të tradhtojmë njëri – tjetrin.

 

– Përveç Bibliotekës Kombëtare ç’gjë tjetër do t’i dhuroje vendit tënd po ta qeverisje?

– Hipotetikisht po përpiqem ta imagjinoj sikur unë jam në një pozitë të atillë dhe i kam mundësitë për të bërë çfarë unë e mendoj si të drejtë dhe të nevojshme, po them kështu pasi në realitet edhe po të më jepet mundësia nuk do e pranoja dhe edhe nëse do ta pranoja e di që do të dështoj, pasi politika dhe pushteti nuk janë të përshtatshme për idealistët si puna ime. Gjithsesi do t’i dhuroja vendit tim një shtet social. Me ç’kuptim? Do të bëj të pamundurën për t’u ofruar asistencë dhe mbështetje nga shteti deri sa të shkollohen: fëmijëve jetimë, fëmijëve me një prind dhe sidomos familjeve ku është nëna kryefamiljare. Asistenca të arritshme, jo të fshehura pas njëmijë burokracive siç janë sot dhe kushte me mjete lëvizëse për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe për fëmijët që lindin me probleme. Mbështetje më të madhe për të moshuarit, pasi sot nuk u dalin lekët as për ilaçet. Arsim dinjitoz dhe vlerësim të figurës së mësuesit, duke reduktuar sa më shumë burokracitë që po i zënë frymën sistemit dhe po i kthejnë fëmijët dhe mësuesit në makina. I shoh çdo ditë këto mungesa dhe do doja të kishim një njeri para së gjithash human, që i sjell këto ndryshime. Shqipëria ime, vendi ku unë jetoj, DUHET të jetë një shtet më social.

 

– Përse nuk je “e ktuhit”?

– Kur kam shkruar poezitë e librit tim të dytë që mban këtë titull, por edhe më përpara dhe natyrisht edhe më pas, kam pasë dhe e kam shpesh ndjesinë se nuk i përkas këtij vendi ku jetoj, as kësaj kohe. Është ndjenja e tëhuajësimit që më ka shoqëruar gjatë në jetë që ka bërë që të lindë një libër si “Na nuk jena t’ktuhit”. Dhe e tërë kjo ndjesi shpesh më ka shtyrë të mendoj se prej kah vijmë dhe ku shkojmë? Prej çfarë bote jemi dhe te cila botë do mbërrijnë shpirtrat tanë dhe nëpërmjet vargjeve, natyrisht, kam dhanë me kuptu që e cilësdo bote qofshim, në këtë ku jemi jemi kalimtarë dhe nuk jemi asnjëri prej nesh t’ktuhit. Pra, as unë.

 

– A ke provu lumturi më të madhe sesa kur të vjen motra e madhe?

– Po kam provu plot lumturi të mëdha në jetën time të vogël e të trishtë. Lumturi ma të madhe se ardhja e motrës dhe takimi me të, ka qenë për mua lindja e nipit, momenti kur ai më thërret dhe më kërkon, nuk ka lumturi ma të madhe për mua. Por, kam edhe lumturi të tjera, si përqafimi i mamit, prania e motrës së parafundit dhe diplomimi i saj, martesa e vëllait, përfundimi i Doktoraturës etj., etj., etj.

 

– Ku keni “me dashtë me u kthy”?

– Ashtu siç e kam thënë edhe tek poezia që mban këtë titull, në fëmijëri dhe askund tjetër. Vetëm për atë kohë kam nostalgji dhe dëshirë tmerrësisht të madhe për t’u rikthyer edhe njëherë në kohë dhe me i rijetu gjërat që kam jetu. Me i pasë edhe njëherë njerëzit që nuk i kam ma. Me e ndie dashninë e tyre edhe njëherë si dikur.

 

– Pse mendon që Kosova të do më shumë se Shqipëria?

– Mendoj kështu sepse kam një lidhje të pashpjegueshme dashnie e shoqëruar me nostalgji që prej ushqimit që më ka bërë im atë që kur Kosova ka qenë në luftë. Dhe pasi mbaroi lufta dhe m’u dha mundësia ta vizitoj atë tokë, atje gjeta dhe vazhdoj të kem miq të mirë shumë, njerëz fantastikë, mikpritës dhe me kulturë të jashtëzakonshme. Janë këta njerëz që më kanë pritur mirë gjithmonë, kanë promovuar veprat e mia atje, duke shkruar për to, dhe besa Kosova më ka dhënë edhe çmime dy a tre herë. Janë bërë shkas që edhe libri im i dytë të botohet pikërisht nga një shtëpi botuese e Kosovës dhe për më tepër pa asnjë shpenzim timin personal. A kam faj tani unë që mendoj se Kosova më don më shumë se Shqipëria?

 

– Nëse fshati është parajsa jote e humbur, ku e gjen parajsën artificiale?

– Parajsën artificiale e gjej vetëm kur lexoj ose shkruaj. Janë këto dy momente që pashkëputshëm janë të lidhura me dhe pa vetëdije prapë me fshatin dhe rikthimin në fëmijëri. Sidomos kur shkruaj, reminishencat, lidhjet, shtresëzimet e përjetuara dhe të mbjellura me fshatin që në lindje dalin në detaje dhe fjalë të çdo poezie timen. Dhe vetëm në këtë formë arrij të krijoj një “Parajsë artificiale” e cila më përket mua e që vetëm unë shpëtohem në të.

 

– Përse luten njerëzit?

– Secili mund të ketë dhe ka arsyet e tij për t’u lutë. Se përse luten të gjithë nuk mund ta them, por jam e bindur se secili prej nesh lutet për diçka që i mungon, për diçka që nuk e ka, për diçka që i shkon keq dhe dëshiron t’i rregullohet. Sa për veten di të them se shpesh lutem me gjetë qetësi shpirti im dhe me mujtë me e përballu jetën. Lutem për mamin, që ajo të gjejë qetësi dhe të kthehet me aq sa është e mundur në harmoninë e dikurshme. Lutem që ajo fuqi e mbinatyrshme që e besojmë që ekziston të më ndihmojë me qenë deri në fund vetvetja.

 

– Në “shtetin ideal” të Platonit do i thoje atij “s’jam e ktuhit”, apo “e ndiej se kam qenë ktu”?

– Do i thoja “Nuk jena t’ktuhit” as unë, as ti që po përpiqesh të japësh modelin e shtetit ideal.

 

– Kush nuk beson ende që ti je një poete shumë e mirë?

– Unë.

 

– A ke ndonjë mënyrë për të harruar?

– Po kam. Kur dua të harrohem, dal me njerëz që i dua dhe ndaj kohën duke biseduar. Hutohem. Flas shumë. Eci. Ose kam edhe një rrugë të dytë, përkthej. Kur dua të harroj dhe të mos kujtoj nëpërmjet krijimit personal, ulem dhe përkthej ndonjë autor që dua. Dhe pasi përkthej ndihem sikur jam ringjallë dhe kam harru, të paktën për momentin, ato që doja me harru.

 

– Ku shkruhet më shumë poezi?

– Përveç facebook-ut nuk po di se ku po shkruhet më shumë poezia. Unë nuk shkruaj shumë poezi dhe nuk e konsideroj veten poete që mund të konsiderohet deri nesër voluminoze, jo. Unë jam e duruar dhe rri e pres poezinë derisa të vijë. Ajo vjen vet tek unë, rrallë, por vjen më së miri.

 

– I pari që të vodhi zemrën ishte Sabato, apo ka të tjerë?

– Po ka të tjerë. Ka plot të tjerë. Sabato ka ardhur tek unë më vonë. Para tij kam fjetë e jam zgjuar, i kam pasë dhe i kam në mendje e zemër emra si: Dante, Shekspir, Hygo, Dostojevski, Brodskij, Cvetajeva, Bodler, Rembo, Migjeni, Camaj, Rilke, Lorka, Paz, etj., etj. dhe diku afër Lorkës dhe Pazit ka filluar dhe shoqëria me Sabaton, me të cilin jam njohur nëpërmjet Tunelit.

 

– Ku e ka fundin tmerri?

– Nuk ka fund.

 

– Shpresa kur jep shpirt?

– Kur nuk ka dashuri. Kur nuk mund të jepet dhe të ushqehet më dashuri. Aty merr fund gjithçka, me to dhe shpresa.

 

– Cili poet s’të le të qetë?

– Ka gati një vit që e njoh dhe nuk kam në mendje askënd tjetër. Është e frikshme, mizore, mistike, e çmendur, e trishtë, e adhurueshme, e jashtëzakonshme me vargun, poezinë dhe mendimin e saj. Ajo është Alejandra Pizarnik. Shpirti im binjak në vargje ose unë e gjej veten tek ajo më shumë se tek askush tjetër. Dhe kjo gjë sa më lumturon, po aq edhe më tremb, se në fakt nuk dua të më ngjajë dikush, e as t’i ngjaj dikujt në vargje.

 

– Cilat vargje të sillen?

– Vargjet që të enden nëpër mend shpesh ndryshojnë nga koha në kohë. Për shembull, kam pasur një kohë, kur isha në gjimnaz, që më kujtoheshin dhe rikujtoheshin vargjet e këngës së parë të Ferrit të Dantes. Ka pasë ca kohë, kur isha në fakultet, që më kujtohej dhe rikujtohej një fragment nga Lokja e Mjedës. Pastaj, ndoshta ngaqë edhe e përktheva, vargjet e Poemës XX të Nerudës. Kurse tani kam pak kohë që më enden në mendja vargjet e Pizarnik: “Zotëri, kafazi është bërë burg”…

 

– Ndez e kuqja e flokëve tua më shumë apo poezia?

– Ata që kanë lexuar poezitë e mia e dinë fort mirë që e kuqja e poezive është ajo që ndez dhe i lë në hije të gjitha të kuqet e tjera bashkë me nuancat e tyre.

 

– Çka i bën të shkuarës?

– E përdor dhe e shoh si përvojë për t’u rritë dhe për të mësuar nga ajo. Ashtu siç herë të tjera jetoj me të dhe mbahem prej saj, pasi sado që mundohem nuk i iki dot, është pjesë e imja. Nëse unë eci bashkë me çdo gjë që kam jetu, nëse ndalem po ashtu.

 

– T’ishe boshti i botës, do ishte e sigurtë bota?

– Jo, nuk besoj se do të ishte e sigurtë bota edhe po të isha boshti, pasi nuk besoj tek ekzistenca e përsosmërisë njerëzore. Rrjedhimisht as unë nuk jam e tillë, e duke mos qenë e tillë, nuk do mund ta mundësoja sigurinë e botës.

 

– Si duket jeta me një valixhe?

– Jeta me një valixhe? Varet gjithmonë se çka ka ajo valixhe. Pasi ajo mundet me qenë gjithçka për ne. Gjithçka kemi kalu dhe gjithçka që do të kalojmë në të ardhmen. Ajo valixhe mundet me qenë nji gur i vogël mbi të cilin dhe me të cilin ne do mund të ndërtojmë jetën dhe veten. Prandaj, jeta me një valixhe më duket sa poetike, po aq edhe e trishtë, sa e vogël po aq dhe e pamatë.

 

– Çka s’është poetike në Manjolën?

– Shumë gjëra nuk janë poetike në Manjolën dhe këtu mund të përfshihet çdo gjë që ka të bëjë me punën, me sakrificat dhe përballjet e vazhdueshme që bën qenia ime në përditshmëri për të mbijetuar, për të plotësuar nevojat jetike. Pastaj në përballje të tilla has: drama personale, situata dhe dukuri tragjike, po ashtu ngjarje dhe ndodhi mediokre, ndoshta dhe më pak se mediokre. Dhe je e detyruar t’i përballosh, t’i kalosh, të jetosh me to sepse janë aty rreth teje, mbi ty dhe fatkeqësisht hyjnë dhe në ty, duke zbehur, mënjanuar dhe larguar poetiken brenda teje. Ndaj këto gjëra jo poetike që godasin nga jashtë Manjolën, e bëjnë shpesh jo poetike atë. Ashtu, siç shpesh këto lloj situatash dhe goditjesh është Manjola ajo që i shfrytëzon e i përdor si brumë dhe material për t’i bërë ato poetike dhe pjesë të vargut.

 

– Nëse s’ishe e ktuhit, më fal, prej nga ishe?

-Në fakt vazhdoj të mos jem e ktuhit dhe folja nuk duhet të jetë në të shkuarën. Siç e shpjegova pak edhe më sipër në një pyetje që më bëtë, nuk bëhet fjalë për një vend konkret, siç shpesh e ka kuptuar apo interpretuar lexuesi naiv, duke më thënë që ne e dimë që nuk je nga Tirana, je e ardhur dhe ndaj shprehesh kështu. Biles edhe duke më dhënë mend “s’ke nevojë të shprehesh ashtu, ne të gjithë jemi nga vende të ndryshme”, pa mundur të shkojnë më tutje se sipërfaqja e tekstit. Kur në fakt teksti flet për një botë, për një botë që vazhdon, rrjedh, që nuk është as këtu e as atje. Unë besoj në këtë lloj udhëtimi të shpirtit dhe e di që kam ardhë nga diku dhe që do iki prapë, për të shkuar s’di se ku… Ndaj dhe them se nuk jam e ktuhit.

 

– Kush je ti?

– Nuk e di. Jam në kërkim të këtij zbulimi të bukur. Di të them që po më befason, për veten nuk di të them tjetër gjë. Të tjerët ndoshta do mund të thonë më shumë për mua, pasi për secilin jam një Manjolë e veçantë, varësisht nga përvoja dhe këndi i vështrimit, nga koha që ka frymuar me mua dhe nga mënyra se si më është afruar, me shpirt, me imagjinatë, me arsye apo pa arsye…

 

Faleminderit!


Duhej të kishe shkruar më pak dhe të kishe jetuar më shumë

Flasim përhanshëm me Ridvan Dibrën

Nga: Xhemazije Rizvani

 

– Ç’lloje intervistash ju bezdisin më shumë?

– Të gjitha. Edhe kjo e juaja.

 

– Thonë se vetminë e keni shpikur ju?

– Vetminë time, po.

 

– Një shkrimtar në Shkodër ngjan me çka?

– Me shumëçka, përveçse me një shkrimtar shkodran.

 

– Personazh i cilit libër jeni?

– I të gjithë librave të mi, pa asnjë përjashtim.

 

– Irenë B. mendoni se do t’ju falënderonte dhe pranonte për demiurg?

– Dikur po. Tani jo.

 

– Kur janë njerëzit më të mirë?

– Sa janë pa mësuar përemrin vetor “Unë”.

 

– A ju ngjan qyteti në shpikje djalli?

– Jo vetëm Qyteti. Por dhe çdo Institucion tjetër që krijon e ngjesh turma.

 

– Për çka do ta kishit redaktuar Zotin?

– Ndoshta pse nuk na e vuri Zemrën sipër, në vend të kokës.

 

– Mik i lig cili është?

– Ai që ta vret besimin te Miqësia.

 

– A ka vërtetë Shkodra plot dashuri?

– Sidomos nëpër këngë.

 

– Ç’ka të mirë te harresa?

– Na ruan nga çmenduria.

 

– Çka nuk falni?

– Padrejtësitë që mund t’i bëhen tim Biri, Erosit.

 

– Po ta kishit Shqipërinë në dorë për 24 orë si kryeministër ç’do të bënit me urgjencë?

– Do jepja dorëheqjen.

 

– Cili politikan të bën të shash, fyesh, e të mbyllesh në dhomë?

– Asnjëri. Nuk i marr seriozisht.

 

– Ju pëlqen t’ju gënjejnë bukur?

– Sidomos kur e bëjnë kritikët e studiuesit letrarë.

 

– Cila poezi i ka çmendur vajzat kur ua keni recituar në të ritë?

– Asnjëra. Po të kisha guxuar, do vazhdoja të isha beqar.

 

– Cila kohë është e juaja?

– Edhe mesnata.

 

– Nëse do t’ju ofronin t’ju presin ndonjë shirit kohor nga kujtesa cilën periudhe do ta zgjidhnit?

– Ndoshta, njërën prej periudhave më të vështira të jetës sime: vitet 1982 – 1988, kur qeshë mësues në një fshat të thellë malor në rrethin e Kukësit.

 

– Çka ju mundon më së shumti?

– Pagjumësia netëve.

 

– Cili është budallallëku më i madh që keni bërë ndonjëherë?

– Ndoshta – ndoshta, kjo intervistë me ju.

 

– A e dinë të tjerët se ju jeni gjeni?

– Nuk e besoj. Presin që të bindem edhe unë vetë.

 

– Ç’do t’i kishit thënë lexuesit të nesërm?

– T’i zbulojë vetë autorët dhe librat e zemrës. Mos t’u besojë aq fort kritikëve e akademikëve, çmimeve e bujës mediatike.

 

– Ç’keni të përbashkët me Franc Kafkën?

– Asgjë. Përjashto faktin që ndonjëherë, kur ma ka ngenë, kuvendojmë në distancë njëri me tjetrin.

 

– Ku është ngatërruar bota?

– Bota ka lindur e tillë. Dhe e tillë do të jetë përherë.  Problemi është që me punët e veprat tona mos t’ia shtojmë nyjat.

 

– Ah, pengjet …. I keni shumë?

– Pengjet? Në vjeshtën e moshës veçse bien e rrallohen, si gjethet.

 

– Nga i përzini njerëzit kur i nxirrni nga jeta?

– Nuk përzë njerëz! Ndoshta këtë e bën pa dashjen time letërsia ime.

 

– Si dashuroni?

– Plot hezitime. Gjithnjë dyshues se mos prania dhe natyra ime e ngatërruar më shumë se kënaqësi, dhuron probleme.

 

– Keni parë e dëgjuar sa romane shkruajnë të rinjtë, kush do t’i lexojë?

– Le të shkruajnë. Nuk është e thënë që çdo roman të lexohet nga dikush.

 

– Cilat janë tri fjalitë që do ta kishe bërë krejt njerëzimin t’i pëshpërisë brenda gjithë ditës si formë lutjeje?

– Mos urreni. Mos lakmoni.  Mos paragjykoni.

 

– Ju vjen keq që jeni njeri?

– Edhe ndodh ndonjëherë. Sidomos kur banaliteti dhe mungesa e ndjeshmërisë, injoranca e ligësia përballë meje, m’i ndryshkin të gjitha armët që zotëroj.

 

– Ç’ju bën për të qeshur më shpesh?

– Kritikat dhe gjykimet që i bëhen veprës sime letrare.

 

– A rrnohet veç për me tregue?

– Natyrisht që jo. Rrnohet veç për me dashurue.

 

– Çka është më e keqe se një grua e keqe?

– Ndoshta një grua në karrierë.

 

– Ku i merrni personazhet dhe si i ndërtoni?

– Te vetja ime, i kam krejt afër dhe me bollëk.

 

– Një grua e jashtëzakonshme ç’emër do kishte? A e njihni?

– E njoh këtë grua dhe asht ime shoqe. Nuk asht aspak e lehtë të durohet kaq gjatë dhe kaq bukur një fëmijë gjithnjë i parritur.

 

– E folura , apo dëgjimi ju rrëmbejnë më shpesh?

– Asnjëra dhe as tjetri. Mbetem rob i leximeve.

 

– Kush jeni ju?

– Nuk e di tamam. Sapo ta mësoj, do të rresht së shkruari.

 

– Nëse do ta takonit veten një ditë ç’do t’i thoshit?

– Idiot! Duhej të kishe shkruar më pak dhe të kishe jetuar më shumë.

 

– E shkuara, ç’ka t’i bëjmë asaj?

– Ta lëmë të mbetet e tillë, domethënë e shkuar.

 

– Është e bukur jeta, megjithatë apo?

– Jeta asht aq e plotë, sa që nuk i duron epitetet.

 

– Faleminderit!


Heshtja si pozë intelektuale

Xhemazije Rizvani

 

Në jetë asnjë njeri nuk është mbajtur mend për mendimet e heshtura që ka pasur. Asnjëri nuk është dekoruar për mënyrën si ka heshtur, nuk është çmuar për kohën sa ka heshtur. Heshtja është asgjë. “Kryesorja është të jetosh!“

Pse mendoni se njeriu e ka shpikur radion, TV-në, telefonin? I ka shpikur për të mos qenë vetëm, për t’ia thyer turinjtë heshtjes, për t’u ndier i gjallë , për të mundur perandorinë e ftohtë të fillikatit. Njeriu shkon nëpër koncerte, në kinema, në aktivitete të ndryshme letrare dhe joletrare pa e kuptuar se është qenie që nuk e do heshtjen. Është qenie që është në konflikt të vazhdueshëm më të. Ka qejf të shkojë nëpër mitingje politike ku rrehet bukur. S’ka gjë, veç barra e vetmisë të jetë më e lehtë.

Kur vjen në jetë fëmija krejt familja ngutthi dëshirojnë ta mësojnë të flasë, e jo të heshtë. Përgjatë rritës së tij, ai saktësisht e di ç’do dhe ç’nuk do. Ai proteston, qan, bërtet, kërkon, lufton, pajtohet, lumturohet, në përgjithësi është në harmoni me vetveten.  Ai këndon në një hapësirë të madhe e të errët, ushtron frikë, përmbahet, përpëlitet kundrejt asgjësë, kundrejt territ, me brohoritje, me zhurmë. Krejt në rregull derisa shpirti i tij rebel nuk e lë të tjetërsohet dhe pastaj kur futet në kallëpin intelektual ndodh të mos e njohë veten pas sa kohësh. Ç’t’i thuhet bën. Është i dëgjueshmi i partisë, ai flet veç kur duhet të mbrohet interesi i tij brenda strukturës ku ai do të rritet si grami, urithi ambicioz. E bën haptazi dhe nuk i vjen turp prej gjestit të tij, se merr pikë te shefi. Të tjerët e bëjnë njëjtë por në mënyrë më perfide dhe si kolektiv na e fyejnë inteligjencën kur mendojnë se format e mbrojtjes se ideologjive “kah Kina” duke i mbështjellë dhe paketuar me nga pak “mjegull“ do t’i bëjë të pahetueshëm gjarpërinjtë. Ajme, kjo është kohë kur edhe “bari“ hahet, por ka tagër. Kjo është kohë e vëllait të madh, o njerëz të vegjël. Kjo është kohë e kujtesës artificiale që trumbeton çdo mendim tuajin, çdo veprim, çdo gjest dhe nesër mund t’ua përdorin si armë për t’ju mundur më lehtë.

Mund të flisni „rreth uçkuri“, ashtu siç edhe mund të heshtni që të dukeni më intelektualë. Mund të mos mendoni asgjë, mund të mos thoni asgjë, mund të mos nxirrni zë, por një diçka s’di a e keni të qartë, se edhe heshtja ju rreshton në anën e krimit. Në anën e atyre që përditë urohen, emërohen, ngriten, ringriten, na vjedhin, na plaçkitin, na gënjejnë, na mohojnë, bëjnë pazare me fatin tonë, na shantazhojnë, në fund na nxjerrin një tufë leshterikësh partiakë.

Të mos bësh zë për krejt këto, do të thotë që pajtohesh me këto e shumë më shumë të zeza se sa që kam nge të listoj unë. Heshtja është krim, por nuk zgjat përgjithmonë. Nëse nuk flisni drejt tash kur mund ta bëni me lezet, do të flisni në një kohë tjetër kur do t’ju vijë laku në fyt, do të flisni nga dhimbja e madhe si ajo e Prometheut të lidhur në Kaukaz. Do të ulërini si ai: „Më dhemb kur hesht, më dhemb kur flas” dhe ndryshe nga ai, do ta dini kur dhemb më shumë. Do të flisni përvajshëm dhe sinqerisht, por nuk do t’ua var kush, sepse nga heshtja e gjatë do t’ju kenë harruar, do t’ju kenë plakur aq shumë sa do t’ju thonë „ka shkalluar“. Do të jenë bërë aq kriminelë, sa ju do të çmendeni në atë amulli ku veç të heshtni s’do të mundeni, nga do kambana të brendshme, nga do pëshpërima, nga do zëra të stërgjyshërve, nënës e babait, nipave, e të fëmijëve që gjykojnë ashpër brenda jush.

Gjithmonë kam menduar se ferri është i brendshëm, ca edhe e kanë provuar. U duket në mënyrën si heshtin, si u janë zbrazur sytë, jeta , si u dhemb gjithkund dhe presin ditën kur të ulërijnë…

Epo, një ditë e ka edhe heshtjerëndi!

 

 

 


Trumpologjia dhe vazhdimësia e NATO-s

Gurakuç Kuçi

Themelimi i vetë NATO-s ka qenë një iniciativë dhe një bashkim i vendeve të bllokut Perëndimor, me iniciativën e SHBA-ve, si një nevojë, fushatë, gjeostrategji dhe vlerë për të mbrojtur interesat perëndimore. Udhëtimi i kësaj organizate ndërkombëtare ka mbrojtur gjithë anëtarët e saj me vetë emrin dhe unitetin e saj, dhe asnjëherë me luftë përveç kur kanë ndërhyrë për të drejtat e njeriut në Kosovë, dhe arsye të tjera në Afganistan.

Kërkesa e Trump-it që të gjitha shtetet anëtare të kryejnë obligimet e tyre prej 2% ndaj organizatës së NATO-s, nuk mund të konsiderohet si një kërkesë e madhe për vendet anëtare. Është plotësisht me vend kërkesa se kush dëshiron mbrojtje duhet të paguajë dhe të kontribuojë. Dhe kjo kërkesë e Trump, nga perspektiva realiste, ka një të mirë për vendet anëtare dhe një të keqe për SHBA-të.

E para, është se vendet anëtare duke paguar kontributin prej 2% sipas GDP-së së tyre, atëherë NATO-ja do të bëhej më e demokratizuar dhe vendet kontribuuese nuk do të mund të “detyroheshin” në çfarëdo forme për të përkrahur diçka që ato nuk dëshirojnë, dhe zërat e vendeve anëtare do të bëheshin më të fuqishëm. Por në anën tjetër kjo pastaj do të rriste vështirësitë për marrjen e vendimeve brenda organizatës.

E dyta, është se me këtë rast SHBA-të do të humbnin influencën e tyre deri në një masë, pasi me këtë rast nuk do të mund të merrnin vendime të “njëanshme” të cilat mund të kenë kryesisht të mira të përgjithshme por jo edhe në interes të të gjitha vendeve, të themi kushtimisht sikur të kishte një rast si intervenimi i NATO-së në Kosovë.

Dhe me këtë rast NATO-ja nuk do të ketë një orkestrues, por influenca brenda organizatës do të jetë më e shpërndarë dhe barabarësia do të jetë më e madhe.

Kjo do të polarizonte fuqinë brenda NATO-s dhe realpolitika nuk do të përkrahte një kërkesë të tillë të Trump-it, pasi influenca ndaj anëtarëve të NATO-së dhe vetë NATO-s do të rritej nga Kina e sidomos nga Rusia, ku kjo e fundit me patjetër e ka shtrirjen e ndikimit të saj.

Është paksa e frikshme të mendohet kjo, pasi duke pasur parasysh që vendimet brenda NATO-s merren me konsensus dhe unanimitet, lojaliteti i disa vendeve anëtare ndaj vendeve jo-anëtare do të blihej, si p.sh. nga Rusia. Kjo do të mund të dërgojë këtë organizatë drejt shkatërrimit. Gjë që do të krijonte situata të reja në botë, që jo me patjetër luftëra të stilit të Luftës së Dytë Botërore, por polarizime të reja, fërkime titanësh, stagnim i punës së OKB-së, etj.

Atëherë do të ishte e frikshme, pasi SHBA-ja mund të kthehet me influencën e vet, vetëm në Hemisferën Perëndimore, ndërsa Bashkimi Evropian, do të duhej të rishikonte dhe krijonte tërësisht një unitet më të madh gjeostrategjik dhe gjeopolitik, kjo e fundit duke u marrë me veten, Ballkani lehtë mund të bie në duart e Rusisë, dhe fërkimi kryesor do të mbetej mes SHBA-së dhe Kinës, për vendet Aziatike, Japoninë, Korenë Veriore, Filipinet, etj. Lindja e Mesme do t’i nënshtrohej tërësisht kaosit, e përfshirë në një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve.

Trumpologjia, vetëm sa ka bërë që BE-ja ta rishikojë pozicionin e vet, dhe kjo e fundit të shikojë mundësitë për integrim më të thellë dhe gjerë mes vendeve anëtare. Asnjëherë nuk vihet në dyshim ekzistenca e BE-së, me apo pa NATO-n, sepse janë politikat e mëdha që vendet anëtare do t’i detyrojnë të kapërdijnë shumë humbje për përfitime më të mëdha.

Trump me administratën e tij, mund të luajë edhe blof, pasi me kërcënime të tilla ndaj vendeve anëtare të NATO-së, dëshiron vetëm t’i shtyjë që të mos e mendojnë largimin, distancimin apo edhe shkatërrimin e organizatës nga vendet anëtare, duke i mbajtur nën frikën e tillë se mos-angazhimi i tyre në këtë organizatë, do t’i lë ata pa mbrojtje dhe do të bien në duar të totalitarizmit putinist.

NATO duhet të vazhdojë ekzistencën e vet, dhe kjo nuk duhet të bëhet për hir të interesave të shteteve, por për hir të popujve dhe paqes në botë. Vetëm ekzistenca e NATO-s dhe mundësia e angazhimit të saj, edhe pa veprime e ka ruajtur paqen në Evropë dhe botë, pastaj ka sjellë paqen në Ballkan me intervenimin humanitar në Kosovë. Shpresoj që gjitha këto të jenë historicizma dhe bota do të vazhdojë të shkojë me trendin e elitave globaliste të cilat zhvillohen falë ekzistencës dhe sigurisë kolektive të NATO-s dhe SHBA-ve.


Yje mëngjesi

Muhamet Halili

 

A ishte kjo një ndjejnë pendimi apo ndjenjë durimi?! Apo, ndoshta ishte diçka mes pendimit dhe durimit, një situatë që zakonisht e prodhojnë frikacakët?! Këtë nuk e kishte të qartë akoma. Një dilemë që edhe në këto momente i bluhej në kokë e që ndahej me yjet në qiell, pasi kjo natë ndriçuese ua kishte hequr të tërë pelerinën blu dhe ato shiheshin qartë si kristali. Sado shumë që ishin, nata dukej e pambarimtë, sa ta jepte mundësinë që dalëngadalë mund t’i numëroje që të gjitha, pa i tretur agu i mëngjesit.

Nuk e di se sa kohë po qëndronte te dritarja, ashtu si një pikturë tredimensionale, por, taketukja e mbushur përplot bishta cigaresh, bënte me dije se ishin orë të tëra, në kalendar po shënohej edhe një natë e pagjumë e me dhembje shpirti.

– Ah, i marrë, – qortonte veten ndër buzë, teksa i shikonte yjet lakuriq.

Ashtu mund të ishte edhe ajo po të kishte mbrëmë, një fije guximi. Me sy e kishte zhveshur qysh në fillim. Por, pastaj  në vend që ta mbërthente me ato duar të tij, që veçse niseshin drejt belit të saj, ndalej përnjëherë, si të ishte i teledirigjuar, sepse më tepër e donte këtë dhembje që po e ndjente thellësisht brenda vetes, sesa një reagim të saj që mund ta largonte përgjithnjë nga ai.

Dikur i kishte bashkuar ndjenja e të qenit, për njëri-tjetrin, dashuri e parë, por fati pastaj i kishte ndarë, ajo në një martesë që tani po shkonte drejt dështimit, e ai në një fejesë, por me zemër të pabindur, që po i mbante peng fazat tjera të kësaj lidhjeje.

Vazhdonte të qëndronte te dritarja e dhomës së gjumit, në katin e dytë. Herë pas herë, nxirrte nga goja shtëllungat e tymit të cigares, për t’i hedhur përpjetë, në rreth, sikur donte me to ta prekte qiellin. Ato nuk po i dilnin si më parë, me rrumbullakësinë e përsosur, ashtu siç bënte kur ishte në tavolinë me shokë. Ndoshta, në këtë rast, ai do të donte që ato të merrnin një formë tjetër, atë të zemrës! Dhe, në këtë përpjekje të tij, tymi nuk ia dilte as të rrumbullakohej, e as t’i bëhej zemër. You can get further information about pokies online. Andaj, dilte si hartë vendi, kufizim kufijsh, apo siç thuhet në popull, për situata të ngjashme: “as mish as peshk”.

Sado përpiqej për ta qartësuar tërësisht mendjen, ajo i ishte bërë lëmsh edhe tani.

A ishte ajo një mollë e ndaluar, apo çelës zemre që do të hapte portën e lumturisë për të?!

Kjo pyetje po e mundonte edhe tani, pasi përherë e prodhonte një përgjigje që uni i tij e vlerësonte si subjektive.

Një gjë për të cilën ishte i sigurtë, madje, për çdo ditë e më shumë, ishte fakti se do të duhej sa më parë të merrte një vendim për të dalë nga kthetrat e palumturisë ku kishte ngecur. Ishte koha e vendimit dhe e bisedës së sinqertë me të fejuarën.

Tekefundit e meritonte të ishte i sinqertë me të, pasi edhe ajo ishte yll fare, por ja që shpirti i tij ishte i huaj në raport me të dhe ngrehte gjetiu. Për më tepër, ajo sikur e kuptonte dhe nuk i bënte presion. Krejt çfarë donte në këtë mes dashurish, ishte që ta dinte të vërtetën, pasi vlerësonte se ajo nuk do ta lëndonte sikurse një gënjeshtër në dashuri, një dashuri e pa shpirt dhe po ashtu nuk do të mund të duronte të ishte një e mbajtur peng në këtë mes…!

Mëngjesi i hershëm bëri që qielli t’i thithte, një për një, yjet përbrenda vetes, por një nga ta, sikur u tregua i pabindur e ra në tokë, pasi sytë e tij panë diçka hyjnore, që po ecte në oborr, drejt derës së hyrjes, sa i dhanë mornica trupit. Vetëm një e kollitur që i erdhi nga ngulfatja prej tymit të cigares e shkundi nga ai dimension tjetër që e kishte përbirë në çast,  për t’ia kthyer gjakun fytyrës.

– Ajo!!! – i doli tani fjala zëshëm.

– Erdhi! – sërish i doli fjala me zë, sikur kur flet me dikë.

Nuk e di si i zbriti shkallët,  por iu duk se i mjaftoi një trehapësh, si në garën e atletikës, dhe u gjend para derës së hyrjes.

Crrrrrrr, crrrrrr,  – ra zilja.

Nuk ishte vetëm zile, por diçka që u sinkronizua qind për qind, me të rrahurat e zemrës së tij. Vuri syrin në vrimën e derës dhe fytyra që pa, ia përshpejtoi edhe më frymëmarrjen.

Teni i fytyrës së saj ishte tregues se edhe shpirti i saj ishte i trazuar. Një situatë interesante. Vetëm një derë, fare e hollë, mes dy shpirtrash që realisht dukeshin si gjysmë shpirtra që po përpiqeshin të kompletoheshin në një.

Vazhdonte ta përpinte me shikim. Ta përkëdhelte, ta përqafonte, ta puthte, ta këpuste së shtrënguari, ta kafshonte kudo….

Crrrrrrr, crrrrrr,  – sërish zilja.

– Mirëmëngjesi, – i erdhi përshëndetja qetas, si të ishte puhi e freskët mali, që u fut brenda, posa u hap dera.

– Mirëmëngjesi, – ia ktheu përgjigjen me një ton të qetë, por me të gjitha notat në të, sikurse ato që përdoren te fjala magjike “të dua”.

Sikur u harrua bota për ca sekonda. Çmallje pa u prekur, heshtje e shikime përvëluese mes tyre, të cilat asnjëherë nuk orientoheshin gjetiu pos që shkëmbeheshin drejt e në xixa të syve.

Dikur, ajo ngriti supet paksa lart, në vend të ndonjë fjalie, që nuk po i vinte në atë moment, ndërkohë që e prodhoi edhe një buzëqeshje të lehtë buzëve.

Buzëqeshja ishte ngjitëse, sepse u shfaq edhe tek ai.

– Do të më ftosh brenda? – dikur theu heshtjen ajo, duke u munduar ta vë në pah sharmin e saj.

Ai shkundi kokën ca, sikur ta largonte nga vetja një habi të momentit. Nuk foli gjë, por vetëm e zgjati dorën për t’i kapur gishtërinjtë e saj, e për ta tërhequr tepër ngadalë, kah vetja e tij.

– Mirë se erdhe, – i tha me zë, ndërsa ajo e pazëshmja që fshihej akoma në zemër, sikur jehoi:  “Të kam pritur tërë natën!”.

Sytë e saj sikur ia treguan gëzimin e shpërfaqur  që erdhi e po mirëpritej. Tani i mjaftonte ndjenja e momentit që i vinte nga freskia e gishtërinjve të saj që shtrëngoheshin nga dora e tij, që nuk po ia lëshonte akoma.

– Do lëng portokalli? – i ofroi pije, më tepër si shkas për t’ia lëshuar dorën.

– Mjafton një gotë ujë, – ia ktheu ajo, por edhe zemra e saj transkriptonte diçka ndryshe nga goja dhe me më dëshirë do ta nxirrte fjalën: “Më puth!”

Përkundër që e sinjalizoi me dorë, që të uleshin në divan dhe ajo pohoi me kokë, ata po vazhdonin të qëndronin akoma në këmbë, dhe të uritur, po e përpinin njëri-tjetrin përmes shikimit, që tani përveç syve,  rrëshqiste shpesh dhe buzëve.

Pavarësisht çfarë thuhej në bashkëbisedën e tyre të paktë, që bëhej me fjali të shkurtra, fjalët dilni me ritmin e çrregullt të frymëmarrjes dhe me emocione të tilla sa që mbushën dhomën me aromë dashurie.

I dehur nga thellësia e syve të saj, goja e tij ia lëshoi rrugën zemrës, në fjalët e radhës.

– Ngjitemi lart në dhomë, kam nxjerrë tavolinën në ballkon. Ta shijojmë mëngjesin – i tha, por që nënteksti mund të kuptohej si pohim dhe pyetje e pabërë: ”Unë u dorëzova në raport me ty, po ti?!”

– Shkojmë bashkë lart, më pëlqen pamja e kopshtit nga dhoma e gjumit, sidomos në fillim mëngjesesh, – rodhën fjalët e saja, edhe si përgjigje në pyetjen e nëntekstit, e pabërë me zë, por e nënkuptueshme.

Sërish duart ishin ato që lëvizën të parat pasi në ecje, krahë për krahë, drejt shkallëve, ato tani më ishin bërë bashkë, si një dorë.

Ai e ndjente se në dhomën e fjetjes do të duhej të shkonin, së paku përdore, por kur ajo e hoqi fjongon për t’i lënë flokët t’i valëviten lirshëm dhe u mbështet për të, nuk u përmbajt dot, por e kapi mu siç kapet nusja nga dhëndri, drejt dhomës ku do të kalohej nata e parë.

Ajo, ishte e lumtur që në krahët e tij, ndjehej si një mjellmë e virgjër. E ai i lumtur, që duart e saja ishin vënë si kurorë mbretërore, rreth qafës së tij.

– E gjithë qenia ime të dëshiron! – i psherëtiu ngadalë e me rrokje në vesh, teksa mbushej aromë nga floku i saj, si fije gruri në korrik.

Asaj, po i pëlqente të ishte krejtësisht e heshtur, por e buzëqeshur e vepruese, andaj afroi buzët prush që të vendosen po mbi një prush tjetër. Tani më, po e ndjenin njëri-tjetrin në frymëmarrjet e tyre…!

Të përkëdhelur nga era e mëngjesit që e kishte pushtuar ballkonin, po i jepeshin qiellit, si dy trupa në një, për t’u shndërruar në yje mëngjesi.