Në një nga portalet serbe, i cili sipas të gjitha gjasave dukej të ishte nacionalist, në krye të tij shkruante: “7 године, 7 године, 10 месеци, 23 дана, 7 сати, 57 минута, и 29 секунди од како су нам отели Косово и Метохију”, që në përkthim do të thotë “7 vjet, 10 muaj, 23 ditë, 7 orë, 57 minuta dhe 29 sekonda që kur na e kanë marrë Kosovën dhe Metohinë”, dhe sekondat vazhdonin të ecnin… M’u qesh! Pastaj më erdhi keq për ta. Pastaj ndjeva krenari për veten time kolektive.

M’u qesh sepse ma kujtoi numërimin mbrapsht, zakonisht të vitit të ri. Për dallim nga ai, minutat e sekondat këtu s’po iknin. Ato po vinin për të mos shkuar më kurrë. Kjo ishte një klepsidër funebre për ta, ndërkaq një klepsidër triumfi drejtësise për ne. Për fatin më të keq të një populli, që moti ishte kthyer në mallkim për ta, ata akoma besonin në rrenën e tyre të madhe. “Rrena është institucioni ynë, është arsyeja e mbijetesës sonë”, kishte thënë njëri nga intelektualët e ideologët e tyre – Qosiq.

Numërimi i tyre për humbjen e diçkaje që s’ishte e tyrja, vetvetiu më bëri të mendoj për mos-numërimin tonë për rikthimin e diçkaje që na përkiste neve.  E kjo më dhimbte!

Rikthimi i Kosovës është ndërmarrja më gjigante e kombit shqiptar që mund të tejkalohet vetëm nga lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare që çoi në pavarësimin e Shqipërisë në vitin 1912. Është  lëvizja dhe njëkohësisht sakrifica më e madhe e një kombi për lirinë që i takon. Është vetëndriçimi i një kombi të vetëdijshëm për veten e vet. Është Rilindja jonë e dytë!

Rikthimi ndodhi. Klepsidra serbe e përkthyer në atë shqiptare do të thotë 7 vjet, 10 muaj, 23 ditë, 7 orë, 57 minuta dhe 29 sekonda që kur Kosova është e pavarur dhe është shteti i dytë shqiptar. Por, a është Kosova e pavarur? Dhe a është shteti ynë? S’di pse më erdhi ndërmend Hobsi me Leviatanin e tij të famshëm dhe zajednica serbe brenda Kosovës.

 

Leviatani dhe Zajednica

Në kohën kur u krijua rendi botëror, që pranohet të jetë krijuar pas Paqes së Vestfalisë në vitin 1648, njëri ndër mendimtarët më të njohur të këtij modeli, Tomas Hobs, shkroi veprën e tij të njohur “Leviatani”.

Vizioni i Hobsit mbi botën qe vendimtar për kohën, ndërkaq që krahasonte shtetet sovrane me garën mes gladiatorëve. Ai thoshte se shteti apo sovrani ofron siguri në këmbim të lirive individuale nga të cilat të cilat qytetarët kanë hequr dorë, me synimin e mbrojtjes së tyre nga shteti. Kjo është arsyeja pse shteti duhet të jetë sovran. Të qenët sovran nënkupton se shteti nuk i nënshtrohet asnjë rregulli që mund t’i imponohet kundër vullnetit të tij.

Meqenëse bota akoma është e farkëtuar sipas sistemit vestfalian, atij ku subjekte kryesore në marrëdhëniet ndërkombëtare janë shtetet, sovraniteti vazhdon të jetë njëri ndër parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare, përderisa akoma s’kemi një rend të ri që do ta relativizonte apo edhe suprimonte këtë parim.

 

Pavarësia dhe sovraniteti hibrid i Kosovës

Pavarësia dhe sovraniteti shpesh, dhe do të duhej, të nënkuptonin binomin e pandashëm në rrethana normale dhe te shtetet normale, por kjo gjë s’ndodh në Kosovë. Kosova de facto nuk është as e pavarur, as sovrane.

Sovraniteti në radhë të parë nënkupton të drejtën e Kosovës për kontrollin e vijës së saj kufitare dhe tërë territorit, nënkupton ta ketë të mbyllur derën e shtëpisë në pjesën veriore të saj.

Së dyti, nënkupton kontrollin e resurseve natyrore dhe të kapaciteteve ekonomike, trashëgimisë së saj kulturore, nënkupton të drejtën e Kosovës për ushtri, nënkupton mospasjen brenda saj të strukturave paralele të Serbisë dhe integritetin e saj territorial.

Dhe së fundmi, sovraniteti nënkupton të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, që nënkupton edhe të drejtën për t’u bashkuar me Shqipërinë. Kjo, përveç që është e natyrshme, në të njëjtën kohë, siç e thotë madje Zhizhek: “çon në një konstelacion gjeostraegjik pak më logjik në Ballkan”.

Përpjekjet për territorializimin e interesave etnike serbe në Kosovë përmes krijimit të bashkësisë së komunave serbe në Kosovë janë veprimi më jologjik dhe jokonstruktiv që është realizuar nën tutelën e BE-së. Këto përpekje pashmangshëm çojnë te procesi i bosnjëzimit të Kosovës, përjetësimit të shtetit paralel serb brenda saj dhe në fund deri te realizimi i doktrinave nacionaliste institucionale serbe për Serbinë e madhe në Ballkan.

 

Vetja ime kolektive

Kadare përshkruan opsesionin që ka Serbia me Kosovën me fjalët: “Trualli ku është bërë një betejë, qoftë edhe fatale për një popull, nuk mund të përcaktojë, qoftë edhe pjesërisht “djepin” e tij”. Megjithëse është një conditio sine qua non që Serbia ta pranojë faktin që Kosovën e ka humbur dhe të njohë Kosovën si shtet të pavarur, akoma më e rëndësishme se kaq është që ajo ta respektojë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe të mos angazhohet për ta bërë të pamundur funksionimin normal të këtij shteti fqinj. Kjo do ta çlironte dhe shëronte atë vetë, por edhe paqen e brishtë ballkanike. Procesi i çmitizimit dhe dekonstruktimit të historisë në Ballkan nuk duhet të nisë me shqiptarët. Përkundrazi ky proces duhet të nisë me serbët. Ata kanë më shumë punë se kaq, dhe e kanë me veten e tyre.

Vetja ime kolektive duhet të përmendet e ta kuptojë rolin dhe rëndësinë që ia ka dhënë kjo epokë. Ajo duhet ta kuptojë që koha po ecën për të, ndaj duhet të punojë fort e pa kthyer kokën prapa në projektin dhe vizionin e saj. Ndërkaq fqinjët tanë duhet të mësohen një herë e mirë me praninë tonë të pashmangshme e të njëmendët në këtë gadishull problematik.

Albulenë Halili

Është doktorante për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës. Fusha e saj hulumtuese është e përqëndruar në marrëdhëniet transatlantike. Ka magjistruar për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare me temën "Sistemi i Versajës - një rend ndërkombëtar i paqëndrueshëm". Punon si udhëheqëse e Zyrës për kërkime shkencore në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.