Dinamika e zhvillimeve globale dhe paradoksi i OKB-së

Fatmir Arifi

 

Fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI u shoqëruan me dinamika të mëdha në nivel global. Në kuadër të këtyre dinamikave ndodhën ndryshime gjeopolitike, gjeostrategjike dhe gjeoekonomike që ishin si pasojë e evoluimit të mendimit politik. Sot, i gjithë debati po shtrohet në mes të vendosjes së një raporti ndërmjet shteteve, normave të së drejtës ndërkombëtare dhe lirive e të drejtave të njeriut. Thelbi i këtij debati është: evoluimi i mendimit politik ka prodhuar dinamikat globale, dinamikat globale kanë prodhuar ndryshime gjeopolitike dhe ndryshimet gjeopolitike janë shoqëruar me rritjen e numrit të shteteve të reja. Ndërsa, OKB-ja dhe Karta e saj kanë mbetur shumë konservative, gjë që nuk është në përputhshmëri me konfiguracionin global aktual.

E drejta ndërkombëtare në kushtet e sotme është përmbledhje dokumentesh tërësisht jashtë realitetit, kur kemi parasysh kohën e kodifikimit të saj. Po ashtu edhe vetë OKB-ja, si një mekanizëm multilateral, vazhdon të jetë një arkitekturë që nuk i përshtatet trendeve të politikës ndërkombëtare në shekullin XXI.

Duke qenë si e tillë, me të drejtë shtrojmë pyetjen se a është e aftë dhe efikase OKB-ja  që t’i avancojë edhe mëtutje liritë dhe të drejtat e njeriut? Nga pikëpamja praktike duhet të jemi shumë skeptikë. Arsyeja është e thjeshtë: së pari, funksionaliteti i kësaj strukture multilaterale varet nga vullneti i shteteve si anëtare të saj. Dhe më e keqja, disa nga shtetet shumë të fuqishme në kuadër të OKB-së janë shtete jo demokratike, ndërsa OKB-ja nuk ka pushtet për të imponuar dhe sanksionuar veprimet e shteteve të fuqishme.

Së dyti, OKB-ja në esencë përmban mungesë të përgjegjësisë demokratike. Demokracia, si koncept, e ka bazën te parlamentarizmi si një mekanizëm i përfaqësimit qytetar. Ndërsa Kombet e Bashkuara nuk japin përgjegjësi dhe as llogari përballë një elektorati demokratik dhe as përballë institucioneve vërtet demokratike.

Po të shtrojmë analizën edhe mëtej në dimensionin kohor, që në themelimin e saj, mekanizmi më i lartë vendimmarrës dhe më i rëndësishmi, Këshilli i Sigurimit, ishte i bazuar në supozimin se aleanca fitimtare e kohës së Luftës së Dytë Botërore do të qëndrojë së bashku për të monitoruar dhe nëse është e nevojshme, për të zbatuar paqen botërore. Konsensusi (e drejta e vetos) i Këshillit të Sigurimit ishte dhe mbeti baza e kapaciteteve vepruese. Një nga idetë bazë të Kartës së OKB-së ishte se një sistem i sigurisë kolektive, të monitorohet dhe nëse është e nevojshme, të zbatohet nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Thelbi i kësaj ideje qëndron në faktin se kjo normë do të hapte rrugën në një masë të madhe për çarmatimin e botës. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i këtij institucioni. Brenda katër viteve, që nga nënshkrimi i Kartës në San Francisko-s, gara më e madhe e armatimit në historinë botërore, duke përfshirë dhe armët e shkatërrimit në masë, ishte në mes të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Pra, nga kujdestarë të paqes dhe sigurisë, ata u bënë kërcënimi më i madh për paqen botërore. Por ky nuk ishte paradoksi i vetëm. Sot, armët konvencionale dhe sidomos armët e vogla të këmbësorisë, që janë duke u përdorur nëpër konflikte anembanë botës, të cilat llogariten si vrasëset më të madha në botë, 80% e këtyre armëve janë të tregtuara pikërisht nga disa anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit siç janë Rusia dhe Kina.

Gjatë historisë së tij, Këshilli i Sigurimit, për shumicën e kohës ishte i paralizuar nga mungesa e konsensusit në mes të anëtarëve të përhershëm të saj. Nga ana tjetër, shpejtësia e procesit të shkolonizimit nuk ishte parashikuar në San Francisko, me ç’rast lindën shumë pika fërkimi dhe konflikte në disa rajone të ndjeshme të botës si: Lindje e Mesme, Azi Jugore dhe Juglindore, në Qipro dhe më vonë në Afrikë dhe Ballkan. Këto dinamika, OKB-në dhe mekanizmin më të lartë të saj, Këshillin e Sigurimit, e nxorën tërësisht jashtë funksionit për të cilin ishte krijuar. Vetëm pas përfundimit të Luftës së Ftohtë u duk se Këshilli i Sigurimit më në fund mund të jetë funksional mbi parimet që ishin parashikuar në Kartën e San Franciskos. Për herë të parë u përdor kapitulli VII i Kartës kundër agresionit të Irakut mbi Kuvajt në vitin 1990. Mirëpo, në këtë fazë u bë e qartë se natyra e problemeve me të cilat do të ballafaqohen anëtarët e Këshillit të Sigurimit do të jenë tërësisht në një format tjetër. Ashtu siç nuk e kishte parashikuar Karta e San Francisko-s procesin e shkolonizimit, po ashtu nuk i kishte parashikuar as konfliktet e fjetura etnike si pasojë e Traktatit të Versajës. Konfliktet në mes shteteve u zëvendësuan me çrregullime të brendshme mes etnive. Përballë këtyre sfidave OKB-ja ishte tërësisht e pa përgatitur. Teknikat e vjetra të paqeruajtjes, të cilat ishin projektuar për të frenuar konfliktet ndërshtetërore, ishin të papërshtatshme me dhunën brenda kufijve shtetërorë. Dështimet ishin të padiskutueshme. Në këtë kuadër, e drejta ndërkombëtare, si një dokument i dalë mode, nuk përbën më kuadrin e duhur për sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare të shekullit XXI.

Sot, ndërlikueshmëria e kërcënimeve globale po zgjerohet dita-ditës. Ndërsa OKB-ja edhe pas shtatëdhjetë e një viteve të themelimit të saj i mungojnë kapacitetet vepruese për të marrë masa të menjëhershme praktike kundrejt këtyre kërcënimeve. Ngjarjet e fundit kanë treguar se komuniteti ndërkombëtar po përballet me forma të reja të rrezikut nga njëra anë dhe nga ana tjetër nga mungesa e unanimitetit të Këshillit të Sigurimit për menaxhimin e krizave. Kjo problematikë ka bërë që shtetet me demokraci të zhvilluar të kërkojnë alternativa vepruese jashtë mandatit të Këshillit të Sigurimit. Praktikisht, këtu kanë zanafillën zhvillimi i tri doktrinave të NATO-s siç janë: “ndërhyrja humanitare”, “lufta parandaluese”, “R2P – përgjegjësia për të mbrojtur”. Që të tri këto doktrina u zhvilluan si koncepte për sigurinë tërësisht jashtë mekanizmit të Këshillit të Sigurimit, por që në bërthamë të saj kanë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Këto doktrina vepruese parandaluan shumë diktatorë për të abuzuar me të drejtat e njeriut dhe eliminuan mundësinë e fshehjes pas sovranitetit, veçanërisht në shtete me shumë etni siç ishte edhe ish Jugosllavia. Nëpërmjet kësaj doktrine, demokracitë perëndimore jo vetëm që kishin detyrim, por ndërhynë në shumë shtete totalitare që aplikonin politika të gjenocidit, siç ishte rasti në Somali, Kamboxhia, Bosnjë, Kosovë, Timorin Lindor, Afganistan dhe së fundmi edhe në Lindje të Mesme.

Parimet e këtyre tri doktrinave të NATO-s kanë rezultuar si të pranueshme nga shumica e komunitetit ndërkombëtar. Arsyetimi është i thjeshtë: tirania nuk duhej të justifikohej. Këto doktrina kanë ndihmuar popullsi të ndryshme, të cilët jetonin në vazhdimësi në nivele të papranueshme të vuajtjeve njerëzore të shkaktuara nga politikat e qëllimshme qeveritare. Një rast i tillë është ndërhyrja humanitare në Kosovë, e iniciuar nga SHBA-të dhe fuqitë evropiane, që thyen parimin klasik strukturor të marrëdhënieve ndërkombëtare. Rasti i  Kosovës ndryshoi për herë të parë perceptimet ndaj sovranitetit, duke lëvizur balancën gjithnjë e më shumë drejt respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, si një çështje e obligueshme e aktorëve  ndërkombëtarë. Kjo zhvendosje e balancës po zvogëlon gjithnjë e më shumë konceptin e sovranitetit shtetëror nga njëra anë dhe nga ana tjetër të drejtat e njeriut po ia zënë vendin sovranitetit, me ç’rast është hedhur baza për paraqitjen e një kornize parimore për ndërhyrje nga jashtë kundrejt të gjithë atyre shteteve, që në emër të sovranitetit abuzojnë me të drejtat e njeriut, ndërsa OKB-ja ende vazhdon të udhëhiqet me koncepte të shekullit XX.


Mbi librin, arkitektin gjenial të personalitetit njerëzor

Vjollcë Berisha

Kjo s’mund të jetë e vërtetë, të paktën s’mund të jetë një e vërtetë e përgjithshme që e përfshin të tërën, të paktën jo për kombin tim, i cili jo shumë larg nga kjo kohë, ka pritur para dyerve të librarive njësoj si në radhën e qumështit, ka përlarë gjithë tirazhin e shtëpisë botuese vetëm për disa orë të ditës, i ka groposur librat si gjënë e çmuar në dhé, për ta shpëtuar nga djegia, konfiskimi, ka rrezikuar t’i huazojë librat e ndaluar e t’i përcjellë fshehtas dorë më dorë si gjënë e rrezikshme, ta lexojë në grup që ai të bëjë më shumë rrugë, të kalojë në duart e më shumë njerëzve që e presin…

Kanë kaluar disa vjet qëkur nuk punoj më në librari, qëkur i kam “shpëtuar” asaj ndjenje gërryese të qëndrimit përpara një rafti plot libra me trishtimin e beftë se jeta s’të del për t’i lexuar të gjithë, trishtim ky që të vjen shpesh, pothuajse përditë, me të njëjtën fuqi shtypëse dhe ti e gjen veten duke ëndërruar si kalama për ndonjë mundësi teknologjike për thithjen e të gjitha fletëve me një frymë.

Unë nuk bëj pjesë tek ata njerëz që mund t’i lexojnë “librat” në kompjuterët e tyre, për të cilët libri përherë i ka faqet e bardha (me të bardhën e njëjtë, të pandryshueshme) dhe përherë rrezaton të njëjtën dritë ekrani. Jam ende nga ata “anakronikë” që krijojnë një kimi me librin si objekt, me ngjyrën e letrës, trashësinë e peshën e saj, llojin e shkronjave, hapësirën mes rreshtash, ngjyrat e kopertinës, shuma e të cilave është faza hyrëse e kënaqësisë që do të pasojë. Kjo mbase e bën të dallueshëm përshtypjen e një leximi nga një tjetër kur bëhet fjalë për botime të ndryshme, që dallojnë vetëm teknikisht, nga jashtë. Kjo bën të mundur që shijimit t’i shtohet edhe shqisa e prekjes, e bën të mundur që dashuria të depërtojë prej gishtave.

Nuk bëj pjesë tek ata njerëz që e shohin të zezë të ardhmen e librit, që thonë se ka më shumë shkrimtarë se lexues, që mendojnë se libri po katandiset pothuajse në një stoli shtëpie a lokali pa u shfletuar kurrë. Kjo s’mund të jetë e vërtetë, të paktën s’mund të jetë një e vërtetë e përgjithshme që e përfshin të tërën, të paktën jo për kombin tim, i cili jo shumë larg nga kjo kohë, ka pritur para dyerve të librarive njësoj si në radhën e qumështit, ka përlarë gjithë tirazhin e shtëpisë botuese vetëm për disa orë të ditës, i ka groposur librat si gjënë e çmuar në dhḕ për ta shpëtuar nga djegia, konfiskimi, ka rrezikuar t’i huazojë librat e ndaluar e t’i përcjellë fshehtas dorë më dorë si gjënë e rrezikshme, ta lexojë në grup që ai të bëjë më shumë rrugë, të kalojë në duart e më shumë njerëzve që e presin… Kjo është pak a shumë lidhshmëria jonë historike me librin, pa përmendur udhën todriane të shkronjave, pa përmendur burgjet, hetimet, lotët pas konfiskimit, pa përmendur nënat që i kanë asgjësuar diku prapa shtëpie librat e djalit, nga frika se ai po bie në burg, se ata “po ia hanë kryet”…

Unë nuk bëj pjesë tek ata njerëz që thonë se nuk ka lexues, unë them që mungojnë rekomandimet e drejta. Mungojnë rekomandimet e drejta për lexime shtesë në shkolla, mungon lista e drejtë e lektyrave që përputhet me botëkuptimin e shkollarit të ditëve të sotme, shkollarit për të cilin edhe shiriti i filmit është i tejkaluar. Rekomandime këto që mund ta tërhiqnin në botën e leximit, mund t’ia hapnin dyert përgjithmonë, shumë më lehtë se me temat klishe të hartimeve “Libri – shoku më i mirë”. I mirë, po, por dikush duhet t’ua prezentojë, t’i njohë me atë shok, t’i bëjë ta duan, mbase dhe të mos munden pa të. Natyrisht që me rekomandim nuk nënkuptoj vetëm atë që duhet bërë në shkolla (ajo është e para), por këtu kam parasysh aktivitetin e përgjithshëm të institucioneve, bibliotekave, shtëpive botuese, mediave, kritikëve të librit, të cilët e kanë detyrën e rëndë e fisnike të prezantimit dhe afrimit të librit me lexuesit.

Sot kur shkruhet e botohet kaq shumë, ky rekomandim është më i nevojshëm se kurrë, jo vetëm për lexuesit e rinj, por edhe për lexuesin e profesionalizuar për ta fokusuar vëmendjen kur gjendet përpara grumbullit të madh e të përditshëm të botimeve, jo rrallë, edhe pa kritere.

Sot, në Ditën Botërore të Librit, më rri mbi krye mirënjohja gjigante ndaj librave të fëmijërisë, përrallave të gjyshes, vjershave të Agim Devës, Rifat Kukajt, Vehbi Kikajt dhe një batalioni të tërë poetësh që s’i kam parë me sy, por që i kam njohur e dashur shumë; ndaj fabulave të Ezopit, përrallave të La Fontenit që më mësuan të ëndërroj. Kjo mirënjohje nyjëton në mua një urim që mund të tingëllojë skematik, por që ka brenda dëshirën që bota të bëhet më e butë duke lexuar.

Uroj ta duam edhe më shumë Librin, të reflektojmë më tepër dhe të bindemi se çdo libër i ri i lexuar, më tepër se edhe një titull në listën që kemi, është një bulevard më shumë në botën tonë të brendshme, është një qetim i përhershëm i përbindshave që i rrisim përbreda, ne, njerëzit e vdekshëm.


Mirëmëngjesi nga Brukseli!

 

Albulena Halili

 

Më 19 prill u bënë tre vite nga negocimi i Marrëveshjes së Brukselit, e cila kishte për qëllim integrimin e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës e pati ratifikuar këtë marrëveshje me gjithë rezistencën e madhe të opozitës, duke e integruar në legjislacionin vendor me statusin e marrëveshjes ndërkombëtare. Përkundrazi, Serbia as nuk e ka konsideruar marrëveshjen si ndërkombëtare, aq më pak e ka ratifikuar atë si ligj. Në qarqet nacionaliste serbe, kjo marrëveshje është konsideruar si marrëveshje tradhtare që ka pranuar shtetësinë e Kosovës.

Në të njëjtën datë të këtij viti, në Bruksel vazhduan bisedimet e ashtuquajtura teknike për gjërat jetike të Republikës së Kosovës.

Akoma pa gdhirë mirë, Marko Gjuriq, drejtori i Zyrës për Kosovën, nga Brukseli uroi: mirëmëngjesi! Me një buzëqeshje dhe kënaqësi që s’e mbante dot, para mediave ai foli për arritjet serbe në bisedat maratonike që kishin zgjatur më shumë se tetëmbëdhjetë orë. Suksesi ishte arritur në katër sferat kontestuese. E para, pas kësaj marrëveshje serbët do të mund të shkonin në Kosovë me letërnjoftimet e lëshuara nga Republika e Serbisë, kamionët që bartin materie të rrezikshme do të mund të hyjnë pa ndalesë në Kosovë, zgjedhjet e Serbisë do të mbahen edhe në Kosovë dhe e fundit, nuk do të ketë më ndalesa për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë. Gjatë gjithë deklaratës së tij, Kosovës i referohej me emërtimin “krahina jonë jugore” ose “Kosova dhe Metohia”.

Rroftë autonomia e Kosovës dhe Metohisë!

Gjithë kjo po ndodh para syve dhe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Këto porosi që vërtetojnë praninë e Serbisë në Kosovë apo Kosovën brenda Serbisë, mu siç shkruan në kushtetutën e saj, nuk po vijnë nga Beogradi, por nga Brukseli.

Në anën tjetër, në hapësirën mediatike në Kosovë, vendin kryesor kishte zënë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, i cili do të bëhej me kushte, sikur edhe gjithçka tjetër. Flitej për Shtabin e Milionerëve, për koalicionin e ri opozitar të cilit i hiqeshin e ndërroheshin shkronjat sa hap e mbyll sytë, shkruhej për deklaratën e presidentit të ri i cili thoshte se “dialogu dhe normalizimi mes shteteve dhe popujve nuk ka alternativë”. Për cilat shtete e kishte fjalën? Gjuriq kishte transmetuar krejt diçka tjetër në mëngjes. Ai thoshte se asgjë s’mund ta pengojë lëvizjen e lirë të njerëzve e mallrave, qoftë edhe atyre të rrezikshme në territorin serb. Po, po, territor serb e quante Kosovën, madje “krahina jonë rrugore”.

Tek të nesërmen u zgjuan nga ëndrrat e bukura që kishin parë në Bruksel negociatorët shqiptarë të Kosovës dhe folën me popullin e vet. Tahiri deklaroi se “shumica e serbëve janë pajisur me letërnjoftime të Kosovës dhe përmes dialogut të Brukselit kemi arritur dhe po arrijmë integrimin e komunitetit serb sidomos nga pjesa veriore e vendit tonë duke shuar strukturat paralele ashtu siç është rasti me shuarjen e policisë paralele serbe, pastaj të ashtuquajturën mbrojtja civile, strukturat paralele të drejtësisë.”

Cila palë po sheh ëndrra? Gjykoni vetë.

A janë krizat aktuale ballkanike shembëlltyrë e gjendjes në të cilën gjendet vetë BE?!

Presim e shohim.

 


Për dashurinë dhe Grujën e parë…

Xhemazije Rizvani

Ditën pasi bie në dashuri nuk je më në tokë, i sheh njerëzit nga lart, diçka të mban pezull në hapësirë, në ajër, në kozmos.

Kush ka rënë në dashuri për herë të parë e merr me mend se çfarë „ausente“ është ajo. Ka që kanë rënë për së dyti, për së treti , ç’rëndësi ka? Nga e para kanë filluar. Krejt këndojnë, shkruajnë dhe flasin per atë të parën, që e kemi idealizuar edhe ne (mos gënjehemi), e kemi menduar të butë, të këndshme, përvojë e re që ta zbulon një vetvete të re. Ditën pasi bie në dashuri nuk je më në tokë, i sheh njerëzit nga lart, diçka të mban pezull në hapësirë, në ajër, në kozmos. Të ngre në qiell dhe nuk mendon për asgjë. Nuk mund të punosh, nuk mund të lexosh, nuk të shkohet askund, fillon i urren të gjithë njerëzit e panevojshëm rreth vetes që ta duash „atë“ më shumë. Beketi te “Dashuria e parë” thoshte “Nuk mbaja mend ditën kur vdiq babai dhe data të rëndësishme si kjo, por mbaja mend ditën, orën, minutën kur ajo u largua”. Pastaj e gjeti zgjidhjen, e kërkoi dhe e mori pranë vetes duke arsyetuar “vetëm kur atë e kisha afër, mund të mendoja për gjithçka tjetër. Një lloj lehtësimi për ata që, siç i quan Dostojevski, bien në dashuri si një “mëzat“, se edhe burrat gjeni të parën dashuri si ne e kanë pasur. Mund të thuhet se krejt dashuritë e para ngjajnë për nga ndjesia, por nuk e di a ngjajnë dashuritë për pushtetin, sidomos ajo e atyre që obsesionohen pas Grujës. Politikanët tanë sillen me pushtetin si me dashnoren e parë. I rrijnë besnikë, i binden, nuk ia ngrenë zërin. Sa bëjnë ta ndërrojnë pak tonin, menjëherë hasin në ashpërsi dhe bëjnë sikur s’ka ndodhur gjë. E takojnë ditën tjetër me lutjen që mos jetë turrivarur. E “ajo”, si ajo bushtra inteligjente që e ka kuptuar se “terren i pushtuar” është qëmoti, synon terrene të tjera. Pra, fillon flirti, koketimi me rivalë të tjerë. “Dashnori” që e ndjen veten të rrezikuar karshi dashnores së parë, tromakset, tronditet, kjo s’mund t’i ndodhë atij, se pa të s’mund të jetë ai që është , aty ku është dhe, si pasojë, dihet, i hidhet në sulm rivalit në vend se ta lërë dashnoren e keqe që nuk e do, që e shfrytëzon, që ia punon prapashpine, që e nxjerr leshko para të tjerëve. Dashnori është i zjarrtë dhe shpesh natën vonë i tregon se gjithçka kishte bërë për të pa menduar (se ku ka tru me gjithë atë dehje), vetëm ta mbajë afër vetes. Të tjerët e xhelozojnë. Ai e ka humbur racion, e udhëheq sentimenti. S’ka kush përreth që t‘i thotë se gabon, se do të kalojë edhe kjo, se duket haptazi se është e njëanshme. Se veç jep e asgjë nuk merr. Po ku te beson ai?! Hec e thuaji dhe ke për të parë sa njeri dashakeq që je, që mezi pret radhën t’ia zësh “dashnoren”. Se për këtë të vjen më keq ty, që s’je në vendin e tij që ta përjetosh krejt atë luks , hmmmmm. Si mund të rrojë pa të? As mos ia thuaj! Do të jetë një asgjë, një askush. Ia ka pirë sorra mendtë. Provoni t’ia çelni sytë dhe do t’ju thotë si një idealist “merri sytë e mi dhe shihe”. Sa shumë e kishte ëndërruar atë, shumica nga ju e dini . Nuk kishte fjetur natën, frymshëm e kishte dëshiruar ditën, e kishte menduar shpesh veten me të, të pandashëm, duke i bërë premtimin “derisa vdekja të na ndajë, le të dalë ku të dale”. Atij nuk i intereson integriteti që i cënohet, liria që i mohohet , e rëndësishme është kur të shfaqet në publik të jetë me të, ndihet më i fortë kur atë “me nder me thanë” e ka afër, pavarësisht që bie erë shumë. Të dy kundërmojnë. U zgjata pak. Të shkojmë te fundi i kësaj lumëmadhes dashni. Eh, përvoja e bën të veten, e dini dhe këtë. Një ditë romanca përmbyset. “Dashnorja“ e le për interesat e veta, jo se ka gjetur më mirë, por se s’ka çfarë merr më prej atij që e ka boshatisur. Tashmë thotë se nuk i pëlqen se nuk kishte kërkesa, nuk e dinte kush ishte, kishte mungesë vetbesimi, personaliteti, e fyu si krejt ata që ku gjejnë shesh, bëjnë përshesh. Mori krejt çfarë deshi prej tij, e shpërdoroi me një fjalë dhe në fund për ta denigruar më shumë i tha “nuk jemi të nivelit të njëjtë, ti ke ardhur nga mali, unë kam rrënjë në qytet. A do Gruja një të tillë afër vetes? Gruja është me përvojë. E ka të lehtë të bëjë me “dashnorin“ ç’t’i teket. I arrin të gjitha qëllimet pa fare mund. Dashnori i qe përgjëruar: “Vetëm mos më lër, ç’të duash do të bëj për ty”. Gruja moti e kishte nuhatur rëndësinë që ia kishte ofruar, kishte kuptuar që zëvendësim s’kishte. Dinte si t’i “zhvirgjëronte dashnorët”, i zhvaste dhe i hidhte si letra tualeti të papërdorshme, pa përdorur ndonjë teke. Pas shumë vitesh dashnori pa sesi Gruja koketonte me gjithë ata dashnorë të rinj përreth njëherësh dhe iu kujtua dashuria e parë. Zakonisht kur na kujtohet dashuria e pare, qeshim me krejt ato gjëra të pamendta, e harrojmë të qeshim me atë që e provuam. Qeshte dhe Beketi, Dostojevski. Krejt gjenitë kanë qeshur. Vetem se dashnorit tonë, çuditërisht i erdhi të qante, të ulëriste, të ndërronte lëkurën, t’i shkulte flokët, të hapej toka e ta përpinte, ç’nuk i erdhi . I erdhi plasje, sepse kishte rënë në dashuri me njeriun e gabuar dhe zakonisht pas dashurisë së parë me njeriun e gabuar shumica e mendojnë vetëvrasjen, këtë më së miri e dinë adoleshentët. Ish-dashnori vendosi në fund të bëhej poet dhe kopjoi do vargje prej një tjetri “ke vdekur prej kohësh, i vdekuri nuk vetëvritet”. Ish-dashnori ngushëllim të vetëm e ka faktin që nuk ishte i vetëm. Ata janë shumë.


Një brez, një rrugë

Albulena Halili 

 

“Një brez, një rrugë” është strategji zhvillimore dhe fokusi kryesor i diplomacisë kineze. E propozuar nga Kina në fund të vitit 2013, ajo ka për qëllim lidhjen dhe bashkëpunimin mes shteteve të Evropës dhe Azisë.

Strategjia “Një brez, një rrugë”, përbëhet nga dy komponentë: Brezi ekonomik i rrugës së mëndafshtë dhe Rruga detare e mëndafshtë e shekullit XXI. E projektuar për investim të njëqind e katërdhjetë miliardë dollarëve, kjo strategji pasqyron synimin e Kinës për të rikthyer pozitën e saj në hierarkinë universale “Gjithçka nën parajsë”, e cila për Kinën përfaqësonte rendin botëror. Në këtë rend botëror ajo vetëperceptohej si pjesa qendrore dhe e qytetëruar e hierarkisë apo “Mbretëria e mesme”.

Një nga historianët më të mirë bashkëkohorë, Niall Ferguson, në librin e tij “Kur Kina sundon botën: Fundi i botës perëndimore dhe lindja  rendit të ri global” shkruan se shekulli XXI do t’i përkasë Kinës. Por a do të jetë vërtet kështu?!

Kina, për nga territori, zë vendin e dytë në botë pas Rusisë, ndërkaq zë vendin e parë në botë me numrin më të madh të popullsisë me 1,38 miliardë banorë. Ajo mban po ashtu edhe një rekord në garën e madhe të fuqive, atë të ushtrisë më të madhe në botë dhe pothuajse dyqind e pesëdhjetë armë bërthamore.

Ajo që brengos të gjithë është rimëkëmbja e saj. Përdorimi i togfjalëshit “rritja e Kinës” në terminologjinë e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk është i saktë. Kina përfaqëson një nga qytetërimet e para në botë dhe s’do mend se përpara se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të merrnin primatin e ekonomive më të mëdha në botë, atë vend e zinte Kina. Me gjithë mitin e krijuar për cilësorin e ekonomisë më të madhe në botë, Kina nuk është ajo. Ajo radhitet e treta pas Unionit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ekonomia e tretë në botë me Bruto Prodhim Vendor prej 10,3 milionë dollarë.

Përkundër asaj që shumë studiues referojnë se qendra e gravitetit të politikës globale do të zhvendoset nga Atlantiku në Paqësor, kjo nuk i garanton Kinës perspektivën e të qenit një lidere globale. Faktorët që e kushtëzojnë Kinën që ta ketë një rol të tillë, janë si vijon:

Së pari, faktori demografik për Kinën është një sfidë jashtëzakonisht e madhe. Problemet demografike të Kinës do të vijnë si rezultat i efekteve të vonuara të politikës kineze të shekullit të kaluar – atë të lindjes së vetëm një fëmije. Kjo bën që Kina të plaket shumë shpejt. Ndaj është bërë e njohur shprehja kineze që thotë: “Vendi i ynë po plaket përpara se të bëhet i pasur”.

Sikur Kina të ishte një komb homogjen, sigurisht që ajo do të ishte njëri nga polet globale. Mirëpo, që Kina të krijojë një ekuilibër të fuqisë në kuadër të sistemit global, asaj i duhet të rregullojë balancën e minoriteteve brenda saj, e cila është një sfidë mjaft e vështirë. Në qoftë se çështja e të drejtave të njeriut nuk zgjidhet, destabiliteti mund të jetë shumë afër.

Së dyti, faktori ekonomik ka bërë që shumë studiues të besojnë se rritja ekonomike e Kinës do t’i japë fund shekullit amerikan, duke i hapur rrugë atij kinez. Përkundër që Kina për shumë dekada ka pasur një rritje ekonomike 9%, ajo nuk do arrijë as gjysmën e Shteteve të Bashkuara për gjatë gjithë shekullit XXI. Sot ekonomia e euroatlantike është e bazuar gjithnjë e më shumë në njohuritë shkencore të cilat po shndërrohen në ekonomi shërbimi e jo në aktivitete fizike. Po të kundrohet në perspektivën e burimeve energjetike, Kina varet në një masë të madhe nga resurset e jashtme natyrore. Për më tepër, Kina përbën 20% të popullsisë së tërë globit, ndërsa disponon vetëm 1.8% të rezervave botërore të naftës, gjë që e bën këtë vend tejet të varur në zhvillimin ekonomik.

I treti me radhë, radhitet faktori gjeopolitik. Azia është kontinenti me sipërfaqe më të madhe rajonale, ndaj dallimet në kultura dhe histori kanë prodhuar dy ekuilibra strategjikë. Në Azinë verilindore bëjnë pjesë: Japonia, Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, ndërkaq aktorët kryesorë në Azinë Juglindore janë: Kina, Japonia, SHBA dhe India. Brenda këtij konfiguracioni, çdo lëvizje gjepolitike që bëhet nga secili aktor, qoftë edhe për të ruajtur status quo-në, prodhon reaksion kundërshtues nga vendet e tjera të rajonit. Në këtë kuadër të kësaj tabloje, më e shumta që Kina mund të jetë, është një fuqi rajonale, por jo edhe globale.

Së katërti, por jo më pak i rëndësishmi, është faktori teknologjik. Sado të shpejta të jenë ritmet e zhvillimit, duket se ka pak gjasa që të zvogëlohet hendeku që e ndan Kinën nga vendet e Perëndimit. Ky hendek edhe sikur mos të thellohet më tej, edhe për shumë do të mbetet mjaft i theksuar.

 

Ballkani dhe Rruga e re e mëndafshtë kineze

Rruga e mëndafshtë qe një rrjet i lashtë rrugësh tregtare, thelbësore për ndërveprimin kulturor e që kalonin përmes rajoneve të Azisë duke lidhur Perëndimin me Lindjen, që nga Kina e deri në Detin Mesdhe. Emri i saj – Rruga e mëndafshtë vjen nga tregtia fitimprurëse kineze e mëndafshit gjatë sundimit dinastisë Han, nga viti 207 p.e.s. deri në vitin 220 e.r.. Kjo rrugë pati ndikim të madh në mirëqenien e popujve që jetonin pranë saj si dhe në marrëdhëniet kulturore, politike e ekonomike mes qytetërimeve. Rigjallërimi i kësaj rruge të lashtë, rigjallëron dhe Kinën si një nga shtetet që po përpiqet të fitojë rolin e një fuqie udhëheqëse globale.

Ajo ka filluar të shtrihet përgjatë tërë Evropës Qendrore e Lindore, duke mos anashkaluar as Ballkanin, përmes një numri të madh projektesh që fokusohen kryesisht tek infrastruktura dhe energjetika. Të gjitha shtetet e Ballkanit pa përjashtim janë partnere me qeverinë apo kompanitë kineze në projekte të ndryshme që kanë filluar apo do të fillojnë së shpejti.

Investimin e saj të parë në Evropë, jo rastësisht e ka filluar në Serbi. Ajo ka shfrytëzuar pozicionimin gjeopolitik të Serbisë për të thelluar bashkëpunimin mes tyre, sidomos atë ekonomik. Serbia pra, është kështu për Kinën një copë toke e volitshme përmes së cilës mund të kalojë rruga e re e mëndafshit. Edhe në marrëdhëniet diplomatike, Kina e konsideron Serbinë si aleatin më të fortë në Ballkan. Ato që të dyja ndajnë mendime të njëjta për parimet e sovranitetit, sipas tyre, lidhur me çështjet e Kosovës dhe Tibetit. Kina, sikur edhe Rusia janë shprehur haptas kundër pavarësisë së Kosovës, madje ato kanë akuzuar NATO-n për shkelje të rëndë të së drejtës dhe institucioneve të së drejtës ndërkombëtare gjatë bombardimeve të caqeve serbe gjatë luftës në Kosovë.

Marrëveshje për projekte të ngjashme infrastrukturore si ndërtim rrugësh, urash e hekurudhash si dhe projekte energjetike janë lidhur me shtetet e tjera të Ballkanit e Evropës Lindor: me Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjë e Hercegovinën, Hungarinë, Rumaninë e Bullgarinë. Investimet kineze në Greqi janë konsideruar si infuzioni kryesor për rimëkëmbjen e ekonomisë greke, si dhe ngaNew York Times dhe Wall Street Journal janë cilësuar si iniciativat e huaja tregtare më të suksesshme. Porti i Pireut ka një rëndësi kruciale strategjike për Kinën. Gjashtëdhjetë përqind të eksporteve të saj nëpër botë, menaxhohen nga ky port.

Në kuadër të ritrasimit të kësaj rruge, ajo që s’befason mbetet bashkëpunimi shqiptaro-kinez, duke njohur aleancën atipike të tyre në kohën e komunizmit. Përveç projekteve infrastrukturore dhe energjetike me të gjitha shtetet tjera, këtu bën përshtypje partneriteti edhe në sferën e kulturës bujqësisë dhe importin e xeheve. Miqësia tradicionale shqiptaro-kineze dhe rruga e re e mëndafshtë e Kinës janë mbivendosur njëra mbi tjetrën duke krijuar edhe një hallkë tjetër të fuqishme të ekspansionit kinez në gadishull.

Kina nuk ka marrë pjesë ndonjëherë në farkëtimin e sistemit ndërkombëtar, ndaj shpesh ndjehet e veçuar dhe pa detyrime ndaj rregullave të rendit ndërkombëtar. Insistimi i Rusisë dhe Kinës për prani në Ballkan është pjesë e strategjisë së tyre për një rol më të madh të udhëheqësit global apo edhe ndërtuesit të rendit botëror bashkë me SHBA-të.  Nga ana tjetër synimet për prani në Ballkan janë rezultat i zbrazëtirës së lënë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë rajon me rëndësi të madhe strategjike.

 


Mosfunksionimi shtetëror i Maqedonisë, shqiptarët dhe zgjedhjet

Shemsedin Ibrahimi

Shemsedin Ibrahimi

 

Nëse kriza politike në Maqedoni kërkon zgjidhje, atëherë kjo zgjidhje nuk duhet kërkuar vetëm te dialogu ndërpartiak. Për të përfunduar i tërë procesi me zgjidhjen përfundimtare të shumë çështjeve të hapura, duhet që dialogu të zhvillohet edhe me shqiptarët dhe për çështje shqiptare.

Një gjë është e sigurt, se kjo Maqedoni, siç e kemi ditur dhe njohur më parë, nuk ekziston ose nuk do të mund të ekzistojë më në të ardhmen.

Deklaratat e fundit, në të cilat theksohet jofunksionaliteti i institucioneve e plotësojnë vetëm edhe një pjesë të mozaikut, për të cilin shqiptarët po flasin me vite të tëra. Pra, një shtet, i cili nuk mund të garantojë pronën, jetën dhe privatësinë është shtet, i cili në të drejtën ndërkombëtare cilësohet si shtet jofunksional.

Ambasadori ShBA-ve në Shkup, Xhes Bejli, në një deklaratë për media, duke përmendur disa nga kushtet që Maqedonia duhet t’i plotësojë për të dalë nga kriza institucionale (zgjedhje të besueshme, reformat mediale, puna e prokurorisë speciale dhe çështja e emrit), tha se nëse këto kushte nuk plotësohen tërësisht, atëherë “Maqedonia mund që ta humbë përkrahjen e SHBA-ve dhe vendeve të tjera anëtare të NATO-s.”.

Ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, duke folur për kapacitetet institucionale kërkoi nga të gjitha palët e përfshira, angazhim maksimal që zgjedhjet të mbahen, pasi sipas tij: “Shteti juaj s’ka llogari të ketë zgjedhje të dështuara herën e ardhshme. Dita e ardhshme pas zgjedhjeve është jashtëzakonisht  e rëndësishme” – theksoi ai.

Zgjidhja e krizës politike të krijuar në Maqedoni nuk është vetëm krizë pozitë – opozitë, por është krizë gjithëpërfshirëse dhe këtë e dëshmojnë edhe ekspertët e huaj. Në momentin kur e tërë lufta zhvillohej rreth mbajtjes së zgjedhjeve me 24 prill, Xhejms Petifer, njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, është shprehur se “vendi ndodhet në teh të thikës”.

Këtë fakt, shumë më herët e kanë konstatuar shqiptarët e Maqedonisë, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre politikë, por edhe nëpërmjet nismave të ndryshme, duke filluar që nga referendumi për një autonomi territoriale e kulturore (i mbajtur në janar të vitit 1992), bojkotimi i regjistrimit të parë të popullsisë dhe kuptohet në vitin 2001, me luftën e armatosur.

Maqedonia që nga themelimi e deri më sot ka dëshmuar se është shtet institucionalisht jofunksional, jo se nuk ka institucione, por se ato institucione nuk përfaqësojnë edhe pjesën tjetër të popullsisë e që janë shqiptarët.

Që i tërë procesi të përfundojë me zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura, që kryekëput kanë të bëjnë me shqiptarët, duhet edhe dialogu të zhvillohet me shqiptarët dhe për çështje shqiptare. Dialogu që po zhvillohet aktualisht, do ta bëjë vetëm zgjidhjen e disa çështjeve të pjesshme, por jo edhe të funksionalitetit të shtetit.


Pse BE-ja po afron Serbinë dhe mban larg Kosovën?!

 

Gurakuç Kuçi

 

Gjatë luftërave ballkanike të viteve 1912-13, Serbia pushtoi një pjesë të trojeve shqiptare me synimin që të siguronte dalje në Detin Adriatik, veçanërisht në portin e Durrësit. Kjo u pa si një kërcënim për perandorinë e atëhershme të Austro-Hungarisë. Me përfundimin e Luftës së Dytë Ballkanike, Serbia mbeti aleati më i denjë i Rusisë në Ballkan dhe praktikisht, porti i Durrësit shihej si port i Rusisë.

Kjo, sigurisht se nuk u lejua nga fuqitë e shekullit të kaluar, të cilat ndërhynë për të krijuar Shqipërinë Londineze, me ç’rast gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë Shqipërisë. Ishte e domosdoshme që Serbia të ndalej, sepse kishte një marrëveshje sekrete më Greqinë, që kufijtë e tyre të takohen në Shkumbin. Pavarësisht shumë konferencave ndërkombëtare, paqja në Ballkan, mbeti e brishtë përfundimisht sepse të gjitha strategjitë e fuqive të mëdha të kohës pasqyronin raportin e forcave dhe jo të drejtën historike të popujve.

Përkundër kësaj hapësire shumë të gjatë kohore, zona ballkanike nuk po arrin ta krijojë diferencën nga e kaluara e saj e largët. E gjithë kjo, nga një pjesë e komunitetit akademik po konsiderohet si “rikthimi në gjeopolitikë” që përshkruhet kështu:“Në mungesë të sistemit ndërkombëtar, shtetet e fuqishme kanë tendencë ti rikthehen vizioneve gjeopolitike para se të ulen në tavolinën për formësimin e sistemit ndërkombëtar, ku të gjithë do të mundohen të influencojnë sa më shumë hapësira.” Këtu nuk mbetet jashtë as Ballkani.

Rusia më nuk është ajo e pas rënies së Bllokut Sovjetik. Strategjia e saj për t’u rikthyer fuqishëm në skenën ndërkombëtare po shoqërohet me destabilitet në shumë zona. Për më tej, Rusia historikisht ka qenë pjesë e sistemit ndërkombëtar. Rëndësia e saj as nuk mund të neglizhohet, por as nuk është e thënë që të tolerohen ambiciet e saj gjeopolitike.

Preokupimi i SHBA-ve, i ndarë mes luftës kundër terrorizmit global dhe krizës në Lindjen e Mesme, e kanë zvogëluar rolin e saj në menaxhimin e disa fushave në Ballkan, duke prodhuar një vakum strategjik. Bashkimi Evropian po synon që ta plotësojë këtë vakum strategjik, por në mungesë të kapaciteteve të saj nuk po arrin të luajë një rol dominues në rivalitetet gjeopolitike kundrejt Rusisë. Kështu, ajo veç sa po e komplikon situatën, duke i trajtuar kundërshtarët historikë si partnerë thelbësorë, ndërsa partnerët historikë si pengues të paqes. Në kuadër të kësaj strategjie, Bashkimi Evropian, për ta tërhequr Serbinë në orbitën e vet, si aleatin më të rëndësishëm të Rusisë, po e dëmton jashtë mase Kosovën në procesin e paqes në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Nëse i referohemi një deklarate të dikurshme të Lordit Grey, i cili thoshte: “se nëse unë të paktën për një vit e kam siguruar paqen në Ballkan, nuk më intereson për drejtësi”, atëherë kemi të bëjmë me një strategji të vjetër e të bërit politikë, jo në kuadër të konventave ndërkombëtare, por  bërja e paqes mbi bazën e raportit të forcave. Kur e bëjmë analizën e mungesës së forcave të BE-së, atëherë vijmë në konstatimin se rikthimi i SHBA-ve në plotësimin e vakumit strategjik në Ballkan është mëse e domosdoshme për të krijuar një paqe të qëndrueshme. Në kuadër të këtij vakumi strategjik, Serbia po përdor një strategji të rafinuar duke e mbajtur një këmbë në Moskë dhe tjetrën në Bruksel. Me këmbën e Moskës, Serbia po përfiton  aksione politike, me këmbën e Brukselit, po i zbaton ato.  Kjo politikë e rafinuar shumë shpejt ka për ta futur BE-në në një qorrsokak, ku duke synuar që ta heqë ndikimin rus mbi Serbinë, kësaj të fundit po i jep koncesione në dëm të Republikës së Kosovës.

Ne jemi të vetëdijshëm që Serbia nuk mund të ri-kthehet ushtarakisht në Kosovë, por presioni i Bashkimit Evropian kundrejt Kosovës për krijimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, institucion me kompetenca ekzekutive, i cili do ta mbajë të paralizuar zhvillimin e Kosovës; themelimi i Gjykatës Speciale, me pretekstin e hetimeve të krimeve të luftës, që kinse i paskan bërë shqiptarët, e cila u themelua për t’i ekuilibruar krimet serbe dhe shumë gjëra të tjera, kryesisht janë koncesione të qëllimshme nga Bashkimi Evropian me synimet për ta tërhequr Serbinë nga orbita ruse.

Nga ana tjetër, vetë BE-ja: nuk ka përdorur asnjë lloj presioni për mos deklarimin e  qindra varrezave masive të të ekzekutuarve shqiptarë në luftën e Kosovës, nuk i kërkohet as ndëshkimi dhe llogaria për mijëra gra të dhunuara në Kosovë, nuk i bëhet presion as edhe për një kërkim-falje për pesë tragjeditë ballkanike, që i shkaktoi, e lëre më të kuptojë se strategjia e Bashkimit Evropian në Ballkan, do ta fusë përsëri Ballkanin në një krizë pothuajse të njëjtë me atë të vitit 1912-1913.


Dilema e sigurisë dhe dilema e integrimit

Fatmir Arifi

Fatmir Arifi

Tërheqja e interesave tradicionale të sigurisë që erdhën nga të dyja anët, si nga Lindja, ashtu dhe nga Perëndimi, ka nxitur shtetet Evropës qendrore të bashkohen me institucionet perëndimore sa më shpejt të jetë e mundur, për ta mbrojtur veten kundër një Rusie potencialisht të projektuar si një fuqi e madhe. Kjo çështje tek pala ruse ngjalli logjikën e “dilemës së sigurisë”. Lënia jashtë e disa shteteve të Evropës Lindore, Ballkanit e deri në Kaukaz, të pasigurtë, pa ndonjë marrëveshje kolektive për sigurinë përballë një Rusie tradicionalisht agresore, prodhoi “dilemën e integrimit”.

Në kuadër të konferencës vjetore të Mynihut që u mbajt në shkurt të këtij viti, e cila i dedikohet shqyrtimit vjetor të problemeve të sigurisë botërore, këtë vit lista e problematikave globale nuk u ngushtua. Vitin e kaluar, fokusi i konferencës ishte agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, ndërsa këtë vit, përpos tjerash, u shtua dhe ndërhyrja ruse në Siri. Me një fjalë, sjelljet e paprecedenta të Rusisë ishin në qendër të vëmendjes. Nga një pjesë e analistëve politikë, debati në Konferencën e Mynihut u interpretua si fillim i një lufte të dytë të ftohtë.

Pa dyshim, retorika e përdorur në kuadër të debatit të konferencës së Mynihut, në mes të përfaqësuesve të Federatës Ruse dhe euroatlantizmit të çon në krijimin e një opinioni të tillë, por thelbi i kësaj retorike qëndron krejtësisht diku tjetër. Bota nuk është më e destabilizuar se sa në çdo kohë që nga përfundimi i Luftës Dytë Botërore. Por, rrezikshmëria qëndron në atë se, përpos që nuk kemi një sistem global të profilizuar, kemi edhe mungesë të lidershipit global. Me vetë faktin që SHBA-të morën drejtimin dhe formësimin e sistemit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore dhe tani kanë zgjedhur këtë moment që të jenë pasive në botë, të krijon përshtypjen se vërtet po hyjmë në një konfrontim të tipit të luftës së ftohtë. Nuk duhet menduar që mungesa e lidershipit të SHBA-ve ka shkaktuar një paqendrueshmëri, por se ka inkurajuar dhe ka përkeqësuar situatën.

Natyrisht, Lufta e Ftohtë, që nga fillimi i saj njihet si një nga periudhat më të rrezikshme në historinë njerëzore. Por, përderisa vetë Rusia doli të jetë e humbur nga kjo luftë, nuk ka indicie që ajo ka ambicie të rikthehet përsëri në beteja të tilla. Që nga viti 1947 deri në vitin 1989, përplasja sistematike ideologjike e dy blloqeve kishte prodhuar një garë të gjerë gjeopolitike në nivel global, deri edhe me kërcënimin e armagedonit bërthamor. Andaj, në kushtet e sotme, Lufta e Ftohtë nuk mund të përkufizohet me disa mosmarrëveshje themelore në mes Perëndimit dhe Federatës Ruse. Më konkretisht, mosmarrëveshjeve të sotme i mungojnë pesë karakteristika që e përcaktojnë Luftën e Ftohtë përtej rivaliteteve të thjeshta të fuqive të mëdha: së pari, secila palë supozonte se fajin për konfrontim e bart ana tjetër antagoniste; së dyti, konflikti nuk është thjesht konflikt i interesave, por konflikti është si qëllim; së treti, konkurrenca në mes të dy blloqeve apo antagonistëve, nuk përfundon përderisa në njërën palë nuk do të ketë ndryshime rrënjësore apo shembje të plotë; së katërti, marrja me çështje të veçanta është më shumë transaksionale dhe jo kumulative; së pesti, konfliktet që ndodhin nuk janë të fragmentuara, por ato metastazohen në mënyrë të tillë që të gjitha çështjet janë të lidhura, ose të ndërlidhura në mes vete.

Andaj, zhvillimet dhe rivalitetet e sigurisë në mes të Perëndimit dhe Federatës Ruse bëhen më të thjeshta për t’u kuptuar se në çfarë dimensioni po ecën politika globale. Prandaj dhe apriori nuk mund të gjykojmë se bota po hyn në një luftë të dytë të ftohtë. Siç dihej mirëfilli, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbrojtur vizione bindëse shumë të ndryshme ideologjike dhe zhvillimore lidhur me proceset shoqërore: i pari, supozonte se një botë, në të cilën “mizoria” e kapitalizmit të tregut të lirë do të përmirësohet në pronësi të përbashkët të mjeteve të prodhimit, ndërsa e dyta, ka përfaqësuar një botë të përcaktuar nga liritë që zotërojnë individët në zgjedhjen e besimit të tyre politik, ekonomik, religjioz, profesional si dhe organizatat me të cilat dëshirojnë të bashkëveprojnë. Kundërshtimi nga të dyja anët ishte i karakterizuar si parandalim nga çlirimi dhe përparimi drejt niveleve më të larta të organizimit shoqëror.

Për dallim nga ajo periudhë, sot kemi krejtësisht një pamje tjetër të botës. Pavarësisht se marrëdhëniet në mes të Rusisë dhe Perëndimit janë në nivelin më të ulët të bashkëpunimit që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duke pasur parasysh edhe dy konfliktet që ndodhën në Ukrainë dhe Siri, pesë karakteristikave të mësipërme i shtohen edhe tri arsye themelore se pse bota nuk po hyn në një luftë të dytë të ftohtë: e para, konfrontimi aktual thjesht nuk posedon komponentët gjithëpërfshirës globalë ideologjikë dhe zhvillimorë të vitit 1947-1989; e dyta, sfida e sigurisë në Evropë dhe Lindjen e Mesme e rëndon, por nuk e kërcënon paqen në pjesë të tjera të globit; e treta, vetë Rusia është shumë më e integruar në ekonominë botërore se sa që qe ndonjëherë ish-Bashkimi Sovjetik.

Nisur nga ajo çka po ndodh tani, nuk mund të mos e pranojmë se lufta sistematike mbi rendin politik ndërkombëtar është duke bartur një dozë të madhe nga pasojat e mbivendosjes së paqartë të përfundimit të Luftës së Ftohtë në vitin 1989 dhe rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, të cilat të kombinuara bashkë, kanë prodhuar një dështim dypalësh për të akomoduar shqetësimet e sigurisë.

Nga njëra anë, Perëndimi, për një kohë të gjatë ka qëndruar indiferent në përmbushjen e vakumit gjeopolitik pas shpërbërjes së Paktit të Varshavës, si dhe ka dështuar për të bashkëpunuar me Rusinë në kuadër të institucioneve ekzistuese politike, ekonomike dhe të sigurisë, veçanërisht të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s; nga ana tjetër, Rusia ka dështuar për t’u pajtuar me fqinjët e saj duke mos i ndryshuar në thelb preferencat e saj të sigurisë, me ç’rast ka shkaktuar mosbesim rajonal për qëllime të saj.

Tërheqja e interesave tradicionale të sigurisë që erdhën nga të dyja anët, si nga Lindja, ashtu dhe nga Perëndimi, ka nxitur shtetet Evropës qendrore të bashkohen me institucionet perëndimore sa më shpejt të jetë e mundur, për ta mbrojtur veten kundër një Rusie potencialisht të projektuar si një fuqi e madhe. Kjo çështje tek pala ruse ngjalli logjikën e “dilemës së sigurisë”. Lënia jashtë e disa shteteve të Evropës Lindore, Ballkanit e deri në Kaukaz, të pasigurtë, pa ndonjë marrëveshje kolektive për sigurinë përballë një Rusie tradicionalisht agresore, prodhoi “dilemën e integrimit”.

Pra, logjika e këtyre dy dilemave është shkaku kryesor i përplasjeve gjeopolitike në mes të Perëndimit dhe Lindjes. Nga këto dy logjika, Ukraina Lindore u bë viktima e parë e agresionit rus. Zgjerimi europerëndimor drejt Lindjes dhe zgjerimi euroaziatik drejt Perëndimit, Ukrainën e kthyen në objekt rivaliteti ndërkombëtar – në një betejë me lojën e shumës zero. Bashkimi Evropian (Euro-perëndimi) dhe Rusia nuk arritën të përdorin Ukrainën si një urë bashkëpunimi në mes vete, por padashje zbuluan kufijtë e sferave të influencës në raport me njëra-tjetrën, për një ballafaqim sistematik edhe në të ardhmen.

Përderisa Perëndimi ishte në gjendje për ta transformuar një pjesë të Evropës, duke përdorur pozitën e saj të favorshme të fuqisë të pas Luftës së Ftohtë, me synim krijimin e një rendi të qëndrueshëm, duke tërhequr shtetet rajonale mjaft shpejt dhe me efikasitet në sferën e saj, paralelisht, në anën tjetër, ekzistonte përpjekja e Rusisë për integrimin e saj në nivel rajonal.

Përpjekjet e para e më të rëndësishme ruse për integrimin rajonal ishin gjatë viteve ‘90 me krijimin e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, e cila nuk arriti të marrë ndonjë hov në nivel ndërkombëtar. Në kuadër të këtij procesi, Rusia dështoi në koordinimin e zgjidhjes së problemeve transnacionale, duke mos arritur ta shtrijë ndikimin e fuqisë së butë si një komponent për të arritur deri te pajtimi historik.

Së dyti, por më e rëndësishmja, përpjekjet e Rusisë për integrimin rajonal u zhvilluan, kryesisht, nëpërmjet strukturave euroaziatike dhe shprehimisht përfshinin institucionet politike, ekonomike dhe të sigurisë. Me këtë rast, Rusia, përkundër asaj që thelloi marrëdhëniet dypalëshe, si dhe krijoi disa grupime të vogla multilaterale, ajo nuk arriti të krijojë një përqendrim më të fuqishëm euroaziatik në duart e veta. Strukturat e krijuara si: Bashkimi Doganor Euroaziatik, i cili kishte për synim të elimininonte tarifat doganore; Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive që mburrej me reagime të shpejta e që në fakt, shtetet anëtare të saj e kishin të ndaluar të anëtarësoheshin në ndonjë alternative tjetër të sigurisë; Bashkimi Ekonomik Euroaziatik (EEU), që zëvendësoi Bashkimin Doganor me anë të harmonizimit shtesë institucional për krijimin e një zone të tregtisë së lirë dhe një fondi krize për të shërbyer si një huadhënës alternativ, në vend të Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk dhanë ndonjë rezultat të prekshëm.

Në kuadër të këtyre lëvizjeve dinamike, ajo që doli në pah është se zgjerimi i rendit perëndimor kontestoi drejtpërdrejt zgjerimin e rendit euroaziatik dhe anasjelltas. Ndaj dhe shtrimi i analizës në këtë dimension është më i lehtë për ta kuptuar qëllimin e Federatës Ruse në konfliktin në Ukrainë. Duhet ta theksojmë se Ukraina ishte boshti kurrizor për sukseset e Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik. Baza industriale e Ukrainës është jashtëzakonisht e integruar thellë në ekonominë ruse dhe potencialisht konsiderohej si kërcënim i sigurisë për Rusinë. Pa Ukrainën, përpjekjet e Rusisë për të krijuar një bllok ndërkombëtar “Euro-Aziatik”, i cili do të jetë i aftë për të konkurruar në nivel rajonal me blloqet e tjera, të tilla si BE, NAFTA, ASEAN, e kështu me radhë, edhe po të arrinte kulmin e fuqisë, ai në fund do të shembej.  Dhe, aftësia e Rusisë pa Ukrainën për të rishikuar rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë, si udhëheqëse e Euro-Azisë, është i kufizuar në mënyrë efektive.

Për të parandaluar dobësimin relativ të saj dhe me synim për të rishikuar rendin politik ndërkombëtar, Rusia aneksoi Krimenë me qëllim që të sigurojë asetet ushtarake dhe të ruajë aftësinë e saj projektuese në Mesdheun Lindor. Ajo përballoi sanksionet e perëndimit, sponsorizoi dhe rriti mbështetjen për separatistët në luftën civile kundër qeverisë qendrore në Ukrainë dhe tashmë ka dalë përtej saj, duke hyrë në konfliktin civil më të ndjeshëm, atë sirian, në mbrojtje të regjimit të Asadit.

Pakënaqësia e Rusisë me çështjet ndërkombëtare është se ajo e konsideron veten si një fuqi e madhe dhe kërkon që në politikën e jashtme të sillet si një subjekt i pavarur, duke i përfshirë edhe aftësitë e saja për të vendosur rregullat e ndërveprimit politik dhe ekonomik ndërkombëtar, ose të paktën, të krijojë rregulla përjashtuese në raport me sjelljet e veta.

Prestigji i saj si një fuqi e madhe tradicionale dhe si shtet kryesor bërthamor nuk është komplementar me aftësitë aktuale që posedon për të ndikuar në politikën ndërkombëtare, të paktën edhe për një brez të plotë. Dhe kur prestigji nuk përputhet me përfitimet në politikën ndërkombëtare, atëherë ai shtet domosdo motivohet për të rishikuar rendin ndërkombëtar. Këtë na e dëshmoi dhe deklarata e ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov,  i cili tha se “një reformë e rendit botëror duhet të negociohet…”, duke aluduar në ndryshimin e strategjisë së “egocentrizmit të NATO-s”, si kërcënim për sjelljet e saj.

Synimi për të sfiduar aftësitë e aleancës Euro-Atlantike nga ana e Federatës Ruse duhet t’i rizgjojë nga gjumi letargjik shumë shtete të Bashkimit Evropian, por njëkohësisht edhe SHBA-të, për t’i zgjidhur konfliktet, pa lënë hapësirë të aderojnë qëllimet e politikës Ruse. Në të kundërtën, mosveprimi i tyre fut në lojë aktorë të tjerë, e sidomos Kinën. Atëherë, nuk na mbetet tjetër, veçse të themi: mirë se vini në botën tripolare!


Gjenocidi i ftohtë

 

Albulena Halili

 

E pata lexuar “Mosmarrëveshjen” e Kadaresë me një frymë kur u botua për herë të parë. Atëherë, e mahnitur nga mënyra mjeshtërore e sjelljes së të vërtetave tona, e pata cilësuar si kryevepër shqiptare, libër të shenjtë shqiptar. Kohë pas kohe i kthehem këtij kryelibri për gjërat që më kanë dalë mendsh.

Kështu, tek po rilexoja kreun për shqiptarët e Maqedonisë, fetarizmin atipik shqiptar të tyre, për veprën makabre të shpërnguljes së tyre dhe shqiptarëve të tjerë të ish-Jugosllavisë për në Turqi, në një nga fusnotat e këtij libri hasa në konceptin “gjenocid i ftohtë”. Kështu e emërton kryeshkrimtari këtë tretje të kombit shqiptar, siç vazhdon ai më tej. Koncept i dëgjuar, por kurrë i shkoqitur fill e për pe nga vetë ne.

Duke qenë se politikat gjenocidale kanë veprimtari shumëdimensionale, është e nevojshme që të bëhet një hulumtim i kujdesshëm për të dekonstruktuar thelbin e këtyre politikave dhe varianteve të implementimit.

Kuptimet tradicionale mbi gjenocidin i gjejmë te përkufizimet për Holokaustin. Për herë të parë termin gjenocid e përkufizoi juristi polako-hebrej Rafael Lemkin, në vitin 1944, sipas të cilit, “Gjenocid është shkatërrimi i një grupi etnik. Gjenocidi nuk do të thotë patjetër shkatërrim i menjëhershëm i një kombi, përveç se kur kryhet përmes vrasjeve masive të të gjithë pjesëtarëve të një kombi. Gjenocidi mund të nënkuptojë një plan të koordinuar të veprimeve të ndryshme që kanë për qëllim shkatërrimin themeleve thelbësore të jetës së grupeve kombëtare, me qëllim të asgjësimit të vetë grupeve. Qëllimet e një plani të tillë janë ç’integrimi nga institucionet politike dhe shoqërore, nga kultura, gjuha, ndjenjat kombëtare, religjioni dhe qenia ekonomike e grupeve kombëtare, si dhe shkatërrimi i sigurisë personale, lirisë, shëndetit, dinjitetit, madje edhe jetët e individëve që u përkasin grupeve të tilla. Gjenocidi drejtohet kundër grupit kombëtar si tërësi dhe veprimet ndërmerren kundrejt individëve, jo në cilësinë e tyre individuale, por në cilësinë e pjesëtarit të grupit kombëtar.” (Axis Rule in Occupied Europe: Laws of Occupation – Analysis of Government – Proposals for Redress, Washington, D.C.:  Carnegie Endowment for International Peace, 1944).

Megjithëse ky term, është konceptuar që në fillim për të përkufizuar dy procese të njëjta për nga qëllimi përfundimtar, të ndryshme vetëm nga kohëzgjatja dhe mënyra e realizimit, termi gjenocid s’është përdorur kurrë për të pasqyruar të dy kuptimet e tij. Gjenocidi në diskursin politik por edhe shkencor ka përfaqësuar vetëm veprimet sipas kuptimit të parë. Veçanërisht në rastin e çështjes dhe historisë shqiptare, ku akoma s’është pranuar ndërkombëtarisht as përdorimi i termit gjenocid sipas kuptimit të parë. Gjenocidi çam dhe ai i kryer në Luftën e Kosovës nuk janë pranuar akoma si të tillë.

Nevoja e studimit të përkufizimit juridik të gjenocidit, sidomos nga studiues shqiptarë është e menjëhershme. Po aq e menjëhershme shfaqet edhe domosdoshmëria e shpjegimit të gjenocidit sipas kuptimit të dytë të dhënë nga Lemkin, gjegjësisht gjenocidi i ftohtë, të cilin ndonjëherë mund ta hasim në literaturë edhe si gjenocid i ngadalshëm.

Veprimet që karakterizojnë gjenocidin e ftohtë janë përfshirë padrejtësisht në kornizat ligjore brenda kuadrit të të drejtave të njeriut, qofshin kombëtare apo ndërkombëtare, por kurrë s’kanë arritur të pasqyrojnë faktorët kyçë që dallojnë dhunimin e të drejtave të njeriut nga gjenocidi i ftohtë: shkaqet dhe qëllimi përfundimtar. Në të gjitha rastet e gjenocidit të ftohtë shkaku është përkatësia kombëtare, ndërkaq qëllimi përfundimtar – asgjësimi i tërë grupit etnik.

Përveç planeve dhe operacioneve ushtarake serbe për spastrim etnik siç ishte Operacioni Patkoi e ngjashëm, gjenocidi i ftohtë është kryer ndaj shqiptarëve pa përjashtim, në kohë të ndryshme dhe me intensitet të ndryshëm. Ky gjenocid është mbështetur mbi një motiv – atë të inferioritetit të shqiptarëve në çdo fushë të jetës. Antishqiptarizmi ka qenë mënyrë e përshtrirjes së tyre, mënyrë e sundimit, mënyrë e krijimit të shtetit të tyre, mënyrë e jetesës dhe mbijetesës. Antishqiptarizmi i tyre është patologjik dhe është justifikimi i vetë ekzistencës së tyre. Andaj çështja kyçe ka qenë dhe mbetet jo çlirimi i shqiptarëve nga sllavët, por çlirimi i sllavëve nga fantazma e vetësajuar shqiptare. Kështu koncepti dhe programi koherent e ambicioz i spastrimit etnik ka ecur në histori paralelisht me gjenocidin klasik të realizuar në Luftën e Kosovës dhe atë të ftohtë të kryer në mënyrë sistematike ndaj popujve jo serbë në Ballkan dhe shqiptarëve në veçanti.

Ky gjenocid i ftohtë i planifikuar përmes doktrinave dhe projekteve zyrtare nacionaliste serbe, të hartuara nga Akademia e Shkencave dhe institucione të tjera shkencore e shtetërore është shndërruar në mendësi dhe ndjesi e cila fatkeqësisht jeton edhe sot në të gjitha shtetet e Ballkanit ku sllavët jetojnë me shqiptarët.

Më shumë se një milionë shqiptarë të Maqedonisë kërkohet të jenë lojalë të një shteti i cili lëre që s’përfaqëson asnjë shqiptar dhe asgjë shqiptare, por madje është antishqiptar që në gjenezën e krijimit të tij. Lojaliteti i shqiptarëve të Maqedonisë i shprehur përmes politikave integruese dhe parimit të “pranisë së papranishme” nëpër institucione, qëllim final ka etnicizimin e një nocioni thjesht gjeografik dhe krijimin e një kombi politik maqedonas bashkë me shqiptarët si një e keqe e domosdoshme.

E habitshme se si një rajon ndërkombëtarisht, politikisht dhe ekonomikisht strategjik si Lugina e Preshevës, sipas Strategjisë për zhvillimin ekonomik afatgjatë të komunave të jugut të Serbisë Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, përbën zonën më të pazhvilluar të Serbisë. Sipas përcaktimit të nivelit të zhvillimit ekonomiko-social, këto tri komuna më shumë se tri dekada e mbajnë statusin e komunave më të pazhvilluara. Popullata shqiptare këtu jeton në një gjendje okupimi. Marrja e të drejtës së shtetësisë, moslejimi i librit shqip, si edhe instrumente të tjera të dhunës strukturore, të ngadalshme duke pozicionuar shqiptarët si qytetarë inferiorë, përbëjnë thelbin e gjenocidit të ftohtë që kryhet në këtë territor.

Në kohën kur aktorë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, studiues e politikanë po punojnë për ndriçimin dhe pranimin ndërkombëtar të masakrave ndaj çamëve si gjenocid, shqiptarët e Malit të Zi po përballen me rrezikun e asimilimit përmes margjinalizimit të tyre politik, ekonomik e institucional.

Jashtë Shqipërisë viabël, shqiptarët jetojnë në gjendje emergjente e të jashtëzakonshme. Jo gjithmonë vetëm qëllimi i shkatërrimit apo asgjësimit, mund të përkufizohet si gjenocid. Sipas Lemkin, edhe planet e koordinuara me qëllimin e shkatërrimit të themeleve thelbësore të jetës së grupeve kombëtare merren për gjenocid. Dhe ky është një gjenocid i ftohtë,  i rrënjosur thellë në doktrinat dhe ideologjitë tradicionale antishqiptare që jetojnë paradoksalisht edhe sot.

 


Në fillim ishte Njëshi…

Xhemazije Rizvani

“Flas me perëndinë, por qielli është një hapësirë boshe.“ Sylvia Plath

Gjatë kthimit prej pune, rrugës vërejta një ngutje njerëzore të pazakontë, që pavetëdijshëm të ndillte të ndjekësh turmat. Ora po shkonte drejt njëshit, ngutja ishte për Njëshin, sepse siç thuhej në këto anë, xhumaja ishte dita e tij. Për një kalimtar të rëndomtë me biçikletë, afër të tridhjetave, femër, me çantë në shpinë, është veç e premte, megjithëse kjo ditë kishte një lidhje të pashmangshme me të, arsye për të cilën herë-herë zemërohej me atë që e pagëzoi me atë emër, që do ta bartte si fatkeqësi tërë jetën. E xhumaja dhe Njëshi ishin relikte të shumë krijesave që jetonin ferrin, jo nga temperaturat e larta të një qyteti jashtëzakonisht të ndotur, por nga një skutë e brendshme, e skëterrshme prej ku vinte lemeria që përditë i zvogëlonte sa herë rrekeshin ta kërkonin Zotin. Sa më i madh u shpërfaqej Ai, aq me i vogël bëhej njeriu.

Në mesin e krejt asaj ngutjeje, ma zuri syri dhe Gentin, një nxënës timin të çiltër, siç janë krejt fëmijët në moshën trembëdhjetë vjeçare. Dy shokët e tij rendnin para sikur po i ndiqte djalli, ndërkaq Genti turrej prapa tyre. Ç ‘duhej të kishte ndodhur? Prej kujt donin të shpëtonin? Kush i ndiqte? Ndalova me kujdesin si të një nëne që shqetësohet për fëmijën e saj të pakujdesshëm, kur kalon rrugën. Genti s’ndalej. Doemos më duhej ta zbuloja përse rendte si një Marathonomak, djaloshin i cili thoshte se do të bëhej mjek një ditë, që shkruante esetë më të bukura, që e donte leximin por jo mjaftueshëm sa të kishte mësuar guximin për ta flakur një ndrojtje të panevojshme, të cilën ia konsideroja si ves. Ndalova bri rrugës, matanë, Genti me shokë. U ndal i fundit. Mori frymë thellë, i kërrusur para një porte, dhe më pas u fut brenda. E dallova menjëherë, ishte porta e Xhamisë së Pashës dhe djemtë ishin vonuar “për të falur xhumanë”.

Sa do kisha dashur që Zoti vërtet të ishte aty dhe ta shihte dëshirën e etshme me të cilën e kërkonin estragonët dhe vladimirët. S’lodhej Genti, sepse besonte vërtet se Krijuesi ishte më afër tij në atë lëvozhgë të fortë rrenash. Atë nuk e ndiqte kush, ndryshe nga shumë të rritur që i shtynte ndërgjegjja me katrorë të zinj, ose joshja nga premtimet banale për botën e përtejme, siç i bëjnë rëndom politikanët, në “fushatën e opiumëve“. Genti e kërkonte Zotin, nuk donte të rrojë pa të, siç nuk munden krejt fëmijët pa diçka surreale. Në fund të fundit, lutjet s’i kanë bërë dëm kujt, pavarësisht se nga lutjet askush nuk ka jetuar. I brishtë Genti për të kërkuar ngulmthi adresën e Zotit. Më vinte t’i them se Ai kish’ kohë që s’banonte aty, por ka moshën kur nuk i vjen turp se qan.

Atëbotë, kur e dija ku ishte, ngrija kryet përpjetë dhe saora më fanitej një fytyrë me sy të mëdhenj, me duar sa të një kuçedre (mbaj mend se asokohe kisha frikë ta krahasoja kësisoj), me hundë si të Pinokut, me këmbë sa të një dinozauri, i cili po të zemërohej me mua, fare thjesht mund të më shkelte. Zoti im ish‘ pak i çuditshëm, por zemrën e kishte të madhe dhe rrumbullake sa një glob. S’mund të kishte zemër me skaje, me një formë si e jona ku u vriten brinjët atyre që hyjnë. Ai dashuronte më shumë se ne. Ishte i gjithëpushtetshëm, vetmitar dhe virtytin që prore ia kam pasur zili – i mëshirshëm, falte më shumë sesa mund të gabonim. Fakti që s’më ka shkelur deri më sot, i bie se nuk më është zemëruar përse e kam përfytyruar ashtu siç nuk lejohet dhe mund mos t’i pëlqejë. E di edhe arsyen, sepse unë kurrë nuk iu luta, vetëm e falënderoja për gjithçka. Aq shumë më mbushte rituali i falënderimit sa që nganjëherë më vinte sikur më trazonte lehtë me dorën e madhe për të më thënë: „sot nuk më falënderove që je gjallë, që e ke familjen shëndosh, që nuk të shkela më këmbë.” Këtë të fundit përherë e thoshte me shaka. Kishte më shumë madhështi, sesa na e detyrojnë sot në vendet kah e kemi kërkuar. Para tij s’më është dashur të fsheh shumë gjëra, të shtirem si në teatër. Kisha vetëm një fytyrë, atë të gëzimit që ishte kah perëndimi.

Sa paqe ka një botë me një Zot që ty të ka zgjedhur t’i rrish më afër, të flasësh me të. Të dërguarit e Zotit duhet të kenë qenë të tillë, fëmijë të përjetshëm që nuk janë lutur për egoizëm, por i janë falënderuar që nuk fle, se mos ndodhin të këqijat në botë. Sa do të doja t’i tregoj Gentit për natën kur Atë e zuri gjumi (dhe kur kisha frikë ta zëvendësoja me një përemër dëftor ose çfarëdo). Nuk me trazoi si gjithnjë për falënderimet, nuk me foli më. Vendosi ta ndërrojë vendbanimin dhe unë ula kokën përdhé. Atë ditë e sot unë humba qetësinë që mbase Genti e ka. Kushedi a e ka përfytyruar ndonjëherë si unë. A është kjo arsyeja që e kërkon me aq ngulm dhe mendon se do ta gjejë, në vendin ku më së paku mund të jetë?!

Mjerë ai që (nuk) ka besuar… ”And the rest was silence.“