Kushtrim Bekteshi
Periudha parazgjedhore në Maqedoni ka krijuar ambient tejet të volitshëm për popullarizimin e port-(h)aleve që, në mungesë të skajshme të etikës dhe profesionalizmit gazetaresk, dinë vetëm të “godasin” me shpifje e shantazhe.
Është sa paradoksale, po aq edhe e neveritshme lufta e këtyre port-(h)aleve që tërë kohën proklamohen si media që janë kundër kontrollit të mediumeve nga politika, e në anën tjetër vetë janë futur me kokë e këmbë në shërbim të një partie politike, duke përdorur shantazhin e shpifjen si armën e vetme për të luftuar jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe çdo individ që ua ‘shanë’ ndonjë të preferuar të tyrin ose e demaskon publikisht mercenarizmin e pronarëve të tyre, të cilëve u ka ngelur meraku te shlivovica e Carit e tani me të njëjtin lezet janë duke ngrënë edhe nga bakllavaja e Sulltanit.
Shantazhi, i njohur si armë e fuqishme psikologjike e udb-së jugosllave, nuk është e huaj për nënqiellin tonë dhe pasojat e kësaj lufte psikologjike i kemi përjetuar të gjithë. U deshën shumë vite e shumë sakrificë nga një gjeneratë e tërë që t’u bëjë ballë këtyre agjendave shkombëtarizuese dhe ta rikthejë në kahen e duhur të rrjedhave të historisë orientimin tonë mbarëkombëtar pro-evropian.
Fatkeqësisht, është e vërtetë se kjo fitore e madhe historike u manipulua dhe u degradua nga individë të ndryshëm të politikës, por kjo aspak nuk e vë në pikëpyetje gjithë atë sakrificë dhe atë luftë të drejtë kolektive, e aq më pak nuk e vë në pikëpyetje orientimin tonë të natyrshëm pro-evropian. Vetëm për faktin që disa “intelektualë” (që kurrë nuk kanë qenë të rreshtuar drejt në binaret e çështjes kombëtare) kritikojnë manipulantët e luftës, kjo nuk duhet të na bëjë që ne symbyllur t’u besojmë e t’i përjetojmë si analistë me vlerë, intelektualë me taban kombëtar e heronj të kohës.
E kaluara e tyre duhet të na rrijë gjithmonë parasysh e të na bëjë koshient që mos të manipulohemi nga fjalët e mëdha e nocionet autentike shqiptare që kujdestarojnë tërë kohën në fjalorin dhe shkrimet e tyre nëpër port-(h)ale. Këta megafonë të agjendave antishqiptare përmes port-haleve të tyre, duke marrë si adut kriminalizimin e një pjese të individëve të politikës shqiptare, duan ta kthejnë kokëposhtë rrjedhën e historisë dhe të na bindin se gjithë ajo luftë dhe sakrificë për kauzën kombëtare ka qenë e pavlerë dhe e dëmshme për mirëqenien tonë. Të na bindin në mënyrë shumë perfide se nuk duhet më ta kemi për zemre thënien e rilindësit Naim Frashëri se “dielli për shqiptarët lind nga perëndimi”, por duhet të fillojmë të besojmë në një “rilindje” tjetër: se dielli për shqiptarët lind nga lindja.
Nuk është për t’u befasuar që kjo luftë psikologjike e disa port-(h)aleve është bërë shumë aktuale pikërisht në këtë kohë kur misioni për degradimin e luftërave çlirimtare të shqiptarëve është aktivizuar me gjithë kapacitetet e saj nga ana e Serbisë dhe aleatëve të saj. Disa port-(h)ale të tjera, duke u nisur nga inatet personale, e kanë marrë në qafë veten dhe janë bërë pavetëdijshëm pjesë e këtij misioni, vetëm për faktin se e kanë marrë me shumë seriozitet thënien “për inat të resë, më vdektë djali”.
Prandaj, të jemi me mendje të zgjuar e mos të lejojmë që bakllavaja e sulltanit dhe shlivovica e carit të na imponohen si racion i përditshëm, sepse shumë shpejt do të na godasë në kokë, do të na e helmojë stomakun e shpirtin e, si pasojë, do ta marrim në qafë edhe një gjeneratë tjetër, duke e detyruar të luftojë e të sakrifikojë gjithçka vetëm për ta përmirësuar naivitetin tonë dhe paaftësinë tonë për të lexuar midis rreshtash, për të parë përtej lajmit, përtej shantazhit, përtej shpifjes, përtej interesave tona personale, përtej frikës sonë për ta thënë publikisht dhe zëshëm të vërtetën për gjithë ata “intelektualë” e “gazetarë” që na shiten si mendimtarë të mëdhenj për çështjen tonë kombëtare e që, nga ana tjetër, tërë jetën janë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqehen në kuzhinat e huaja.