Në 104 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, sjellim uratat e PanAlbanicasve për Kryekremten shqiptare
Shemsedin Ibrahimi
Sakrifica, vetëmohimi, përpjekja e vazhdueshme dhe mos mbrapsja nga qëllimi i caktuar është virtyti kryesor i një individi dhe pjesë e vetëdijes kolektive. Dita e Pavarësisë Shqiptare (edhe pse gjysmake), na kujton pikërisht këtë virtyt dhe na bën të reflektojmë në përmbushjen e plotë të këtij qëllimi. Shqiptarët janë të vetëdijshëm për këtë, por u duhet vetëm një shtysë nga elita intelektuale dhe politike për të ecur së bashku drejt pavarësisë së plotë shqiptare. 28 Nëntori është “Independence Day” e shqiptarëve, prandaj ta ndiejmë, shijojmë dhe festojmë plotësisht të pavarur!
Vjollcë Berisha
T’i mësojmë fëmijët ta duan Atdheun, me ngulm e përnjëmend, jo vec me këngë e himne. Ta duam sic është dhe me ëndrrën sic duam ta bëjmë, se dhe vizionet e doktrinat e mëdha zyrtare janë pjellë e dashurisë dhe ëndrrave. Le ta shndrrojmë në aksiomë pjesën e testamentit kutelian tek përgjërohet që fëmijëve të vet të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj, sepse “Atdheu është Atdhe, bile edhe atëherë kur të vret”. Le të kremtojmë bujshëm dhe veprojmë qetazi, pa prá, se “Shqipëria bëhet dhe secili mund të japim një dorë”. GËZUAR 28 NËNTORIN!
Blerina Demiri
Plot 104 vite pavarësi po feston sot Shqipëria…
Koha kalon, pavarësisë i shtohen vitet e neve përgjegjësia për ta mbajtur gjallë këtë ditë e cila kurorëzoi sakrificat e thelluara në shekuj të shqiptarëve, për liri…
Sot, në këtë nëntor të ftohtë le të ndezim një shkëndijë atdhedashurie e cila do rrijë ndezur në shërbim të kësaj Shqipërie.
Sot, dhe jo vetëm sot, por secilin mot të bekoftë ty Shqipëri i madhi Zot!
Bujar Sinani
Njëqind e katër nëntorë, një lule akoma pa kurorë.
Majlinda Hoxha
Se për atdhen’, do rilindja njëmijë herë. Veç ta shihja n’kamë siç ma do zemra.
Për Shqipninë e plotë, n’th’rrime me u ba, si plumba kundër tradhtisë.
Fatmir Arifi
Ishim gjenerata me shumë trishtime e vuajtje, por kishim edhe krenarinë e të qenurit shqiptarë. Ishim gjenerata, e cila në vend të ngritjes së dollisë për festën e Nëntorit, qelive të burgjeve ngrisnim grushtat për liri; patëm fatin të jemi gjenerata që në vend të dollive, për festat e Nëntorit, ngrisnim tytat e automatikut për realizimin e idealit të Rilindasëve… Thënë troç, ia arritëm pjesërisht. Tani kërkohet kalimi i stafetës tek brezi i ri, brez që po iluminohet me plot besim në rrugën e të parëve të tyre. Unë besoj, sepse besimi më bëri t’ia dal deri në gjysmë të rrugës sime. Gjysma tjetër po bëhet.
Albulena Halili
Para njëqind e katër vjetësh Shqipërinë e shpallëm të tërë. Këtë kremtojnë shqiptarët për çdo mot. Kohët qenë të pamëshirshme me qenien tonë, por ne kemi fuqinë e pakrahasueshme të mbijetesës si asnjë komb tjetër. Një shekull mbijetuam pa Shqipërinë dhe e deshëm fort, panatyrshëm. Sot kemi dy Shqipëri të pavarura dhe ca copëza të tjera Shqipërie përreth. Në shekullin e ri shqiptar lypset që dashurinë e vuajtjen për Atdheun ta përkthejmë në lexim, punë, reflektim, sakrificë e vetëmohim, bashkërendim qëndrimesh e bashkëveprim drejt të njëjtit qëllim. Rruga e Shqipërisë për në Evropën politike kalon përmes vetes së saj. E bëfshim Shqipërinë siç na e lanë amanet të parët tanë, një e të pandashme! E paçim atë përjetë!
Ramize Ferati
Pas shumë shekujsh robërie, më shumë se 100 vjet më parë Shqipëria u bë “më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Sot, i kujtojmë të gjithë ata, që nga dashuria për ty, me penë e pushkë, ditën të të mbrojnë në betejat më të mëdha dhe në stuhitë më të furishme për të hequr qafe zgjedhën e huaj, për të rifituar lirinë e natyrshme. Nderojmë bijtë e tu më të mirë që luftuan deri në përkulje a vdekje, por të mbrojtën e të çliruan nga pushtues e tiranë. Shqipëri, në këtë 28 Nëntor, në këto kohëra të mjegullta e sfiduese, uroj të jemi syçelë dhe të mos na duhet të të mbrojmë nga vetvetja jonë!