Intervistë me Albulena Halili-n
Radio Kosova: Pas dështimeve të bisedimeve për krijimin e qeverisë në IRJM kemi një situatë më delikate. Në këtë rast, si do të duhej të vepronte faktori politik shqiptar, meqë për shqiptarët që jetojnë në IRJM nuk kemi pasur një situatë të mirë për ta nga qeveria e kaluar?
Albulena Halili: Kriza në Maqedoni, ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm dhe mënyra se si ajo është paraqitur dhe trajtuar që nga fillimi i saj, nuk është krizë vetëm politike. Këndvështrimi i shqiptarëve sa i përket gjenezës dhe shkaqeve të krizës dhe mënyrave për zgjidhjen e saj, dallon shumë nga këndvështrimet e popujve të tjerë që jetojnë në këtë shtet.
Problemi i Maqedonisë është para së gjithash ontologjik, pra ka të bëjë me natyrën e qenies së saj dhe është i rrënjosur mbrapa në kohë, pra që nga pavarësimi i saj si shtet. Pavarësimi i Maqedonisë është krejtësisht jolegjitim, meqenëse referendumi për pavarësim është bojkotuar nga shqiptarët. Mendoj që kriza politike në radhë të parë është vetëm një fasadë e problemeve reale etnike. Pastaj për t’u bërë edhe më e ndërlikuar këtu janë të përfshira edhe problemet ekonomike, diferencat politike duke mos e nënvlerësuar edhe ndikimin e madh që kanë aktorë të ndryshëm të shteteve të tjera, për interesat e veta kombëtare gjithsesi.
Gjendja e shqiptarëve në Maqedoni nuk ka dalluar shumë, qoftë kur kanë udhëhequr socialdemokratët apo konservatorët. Qëndrimi ndaj shqiptarëve është shtetëror e jo partiak.
Në mesin e këtij udhëkryqi me shumë probleme, shqiptarët duhet ta ndjekin rrugën e tyre. Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, për herë të parë partitë politike në Maqedoni arritën të tejkalojnë çdo mospajtim dhe kundërshti politike dhe të merren vesh për një qëllim që tejkalon çdo interes personal e partiak. Ata nënshkruan Platformën e partive politike shqiptare në Maqedoni, ndërkaq u zotuan edhe për krijimin e një mekanizmi për mbikëqyrjen e përmbushjes së këtyre objektivave, që do të jetë Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare. Dua ta theksoj se më ka habitur fakti që në mesin e kërkesave në platformën e përbashkët, s’gjendet regjistrimi i popullsisë, meqenëse konsideroj se mu ajo është nyja gordiane prej nga duhet të nisë zgjidhja e krizës në Maqedoni.
Pra, shqiptarët kanë shtruar kushtet e tyre dhe duhet të jenë konsistentë dhe të paluhatshëm në këtë qëndrim të përbashkët. Për më tepër shqiptarët janë në vijë me çdo kërkesë të shtruar ndaj Maqedonisë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët kanë hedhur zarin, ndërkaq veprimi i ardhshëm varet nga pala maqedonase, e cila sipas kushtetutës dhe parimeve ndërkombëtare do të jetë legjitime për të krijuar qeveri dhe e cila do të pajtohet me kërkesat shqiptare të parashtruara në platformë.
Radio Kosova: Gruevski ka hedhur poshtë dy kërkesat e BDI-së, për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në gjithë territorin e IRJM-së dhe për zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale. A do të thotë kjo se nëse në krye të qeverisë vije sërish Gruevski, do të kemi gjendje të njëjtë të shqiptarëve në IRJM?
Albulena Halili: Nuk mund të shoh në horizont asnjë gjasë për një qeveri me në krye Gruevskin. Në negociatat me BDI-në, Gruevski kundërshtoi hapur dy çështje thelbësore, jo vetëm për qeverisjen eventuale të partisë së tij, por edhe për ekzistencën e Maqedonisë si shtet. E para, mospranimi i kërkesës për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjithë territorin e Maqedonisë, apriori e bën të pamundshme qeverisjen jo vetëm nga ai por edhe nga partia e tij, meqenëse ky është një ndër parimet bazë të platformës së nënshkruar nga krerët e të gjitha partive politike shqiptare. E dyta, mospranimi i tij për zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale, e vë në pikëpyetje Marrëveshjen e Përzhinës të nënshkruar me ndërmjetësimin e SHBA-ve dhe BE-së, në të cilën është vetë ai nënshkrues, duke u vendosur në anë të kundërt me parimet dhe vlerat demokratike perëndimore. Kundërshtimi i të dyja këtyre pikave është një tregues i qartë se Maqedonia nuk ka qëllim parësor integrimin në strukturat euro-atlantike.
Radio Kosova: Sipas Kushtetutës, tani mandatin për krijimin e qeverisë e merr partia socialdemokrate. Por, Nikolla Gruevski ka kërkuar zgjedhje të reja, për të evituar një përplasje të re ndëretnike. Nëse krijohet një koalicion mes partive shqiptare dhe partisë së Zaevit, a mund të ketë tensione në IRJM meqë Gruevski është këmbëngulës për formimin e qeverisë?
Albulena Halili: Partia social-demokrate është e bindur që presidenti Ivanov do t’ia japë mandatin për krijimin e qeverisë, megjithëse Kushtetuta lë shumë vend për interpretime. Nga ana tjetër OBRM-PDUKM dëshiron me çdo kusht të parandalojë qeverisjen social-demokrate. Pas dështimit të negociatave me BDI-në, konservatorët maqedonas kanë paralajmëruar se presidenti Ivanov mund të japë dorëheqje apo edhe se mund të caktohet një mandatar tjetër nga po e njëjta parti. Të dyja këto mundësi, do ta thellonin dhe përkeqësonin edhe më shumë krizën dhe do ta çonin vendin në zgjedhje të reja. Nuk është e vërtetë që Gruevski kërkon zgjedhje të reja për të evituar një përplasje të re ndëretnike. Zgjedhjet e reja i kërkon për të mbrojtur interesat thjesht personale dhe ato të rrethit të tij të ngushtë. Politika viteve të fundit në Maqedoni ka qenë e lidhur në mënyrë të pandashme me nepotizmin, korrupsionin dhe krimin.
Tensionet për të cilat ju flisni, mund të shkaktohen qëllimshëm nga strukturat e OBRM-së, të cilat nuk do të pranojnë kurrsesi të dalin në opozitë. Gjasat për këto tensione shtohen edhe më shumë kur kemi parasysh se kjo parti ka qëndruar në pushtet që nga viti 2006 duke bërë që të kontrollojë pothuajse çdo pore të jetës.
Radio Kosova: Kërkesa e BE-së ndaj presidentit Ivanov kërkon gjetjen e një mundësie për një qeveri sa më gjithëpërfshirëse. Sa janë gjasat që në Maqedoni të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse?
Albulena Halili: Zëdhënësja për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE dje në një konferencë për shtyp përsëriti për të satën herë fjalinë e dëgjuar shpesh nga Brukseli se “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë s’ka kohë për të humbur.” Mendoj që me këtë ka dashur të thotë edhe se as Perëndimi s’ka kohë për të humbur me të.
Qëndrimet dhe kërkesat e BE-së dhe në përgjithësi të faktorit ndërkombëtar duhet shikuar në prizmin e zhvillimeve aktuale ndërkombëtare. Pas Brexit-it dhe fitores së Trampit, bota po ecën drejt konceptit realist në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe parimeve të sistemit vestfalian. Këto zhvillime s’do mend që pasqyrohen në mbarë botën, por sidomos në Ballkan, ku takohen sferat e influencës Perëndim-Rusi. Diplomacia multilaterale, jo vetëm e shteteve të botës por edhe atyre në Ballkan, çdo ditë e më shumë po i lëshon vendin diplomacisë bilaterale dhe përforcimit të aleancave tradicionale. Do të veçoja këtu vizitën e kryeministrit grek në Beograd që realizohet këto ditë. Rreshtimet dhe rirreshtimet gjeopolitike kanë ndikim të patjetërsueshëm në çdo ngjarje dhe agjendë politike aktuale. Për më tepër, përplasjet globale mes të djathtës dhe të majtës kanë marrë jehonë edhe në Maqedoni, duke polarizuar sidomos faktorin politik maqedonas në dy anë, me Trampin apo Sorosin. Shqiptarët në këtë drejtim mbeten kryesisht të paanshëm.
Kërkesa e BE-së për krijimin sa më të shpejtë të një qeverie në Maqedoni, duke këshilluar që ajo të jetë një qeveri e zgjeruar e të gjithë faktorëve relevantë etnikë e politikë, ndodh për shkakun se kërkohet një kohë e ndërmjetme për ta mbajtur stabile Maqedoninë e tërë Ballkanin deri sa zhvillimet dhe politikat ndërkombëtare të profilizohen dhe të marrin një trajtë konstante. Edhe ky skenar është vetëm zgjidhje afatshkurtër dhe kalimtare e krizës dhe problemeve të këtij shteti.