PanAlbanica

 

Fushata parazgjedhore në Maqedoni ka dëshmuar se ambicia e sëmurë, interesi personal, klanor dhe interesa të tjera të ngushta e kanë përçarë dhe copëtuar trupin votues dhe alternativat politike të shqiptarëve në Maqedoni. Nëse nuk mëson nga historia, ajo të përsëritet. Zgjedhjet e vitit 2011 dëshmuan pikërisht këtë dhe rezultati qe në funksion të dobësimit të faktorizimit politik dhe etnik të shqiptarëve në këtë shtet pa emër. Kjo, mund të përsëritet edhe në zgjedhjet e 11 dhjetorit, nëse ne nuk nxjerrim mësime nga historia.

Është e natyrshme që shqiptarët, ashtu si të gjithë shtetasit e tjerë të presin ndryshime politike dhe jetë më të mirë. Është më se normale që të shpresojnë për shkolla më të mira, çerdhe, rrugë, mjedis të pastër, shërbime më të mira. Në qoftë se shqiptarët nuk kanë standard jetese normale, nuk kanë rrugë, nuk kanë shkolla të mira dhe shërbime të mira, fajin më të madh e kanë pikërisht të dyja partitë politike maqedonase sa herë ato kanë pasur pushtetin e që me çdo mjet dhe metodë shantazhojnë, dekonspirojnë dhe dekonsruktojnë agjendat shqiptare të partive politike shqiptare në Maqedoni. Pavarësisht se cili subjekt nga blloku maqedonas del mandatar, është dëshmuar se në agjendat e tyre fillimisht si synim, e me përfundimin e zgjedhjeve edhe si qëndrim kanë dobësimin dhe përfundimisht kthimin e palës shqiptare në një rol pasiv.

Të paturit premtime humb kuptimin, mbajtja e premtimeve bëhet e paqenë, ndërkaq veprimi politik shqiptar shndërrohet në veprim politik ad-hoc dhe sipas rrethanave dhe mundësive momentale. Kjo për dy arsye: e para, politikat e shtetit maqedonas, që përpiqet me çdo kusht ta ndajë, defaktorizojë, ta minimizojë votën, fuqinë shqiptare.

Arsyeja e dytë është sepse ligji për të drejtën e mandatarit i referohet vetëm palës maqedonase, por jo edhe asaj shqiptare. Pra, fituesi i shumicës së deputetëve nga pala maqedonase mund të zgjedhë të bëjë koalicion qeveritar me cilëndo parti shqiptare që atij i përshtatet, pa marrë parasysh vullnetin e shumicës së elektoratit shqiptar. Përmes kësaj formule, jo pa qëllim, blloku maqedonas pas zgjedhjeve, fut në veprim teorinë e lojës e sidomos formulën e njohur “dilema e të burgosurit”. Dilema e të burgosurit është një matricë në kuadër të teorisë së lojës, e cila konsiston në atë se përse dy individë, krejtësisht racionalë, mund të mos bashkëpunojnë edhe atëherë kur bashkëpunimi është në interesin e tyre më të mirë.

Makiaveli lidhur me politikën dhe aktorët politikë, thotë se “Politika nuk ka lidhje me moralin”, që sipas një interpretimi të lirë do të thotë se nëse merresh me politikë, atëherë s’ke pse flet për moral, qoftë ky edhe fetar. Nëse i referohemi kësaj pikëpamjeje, veprimet e bllokut maqedonas janë të parashikueshme, të pritshme dhe për më tej të organizuara si të tilla kundrejt shqiptarëve. Por, e paparashikueshme dhe e pa justifikueshme është e ashtuquajtura alternativa politike brenda korpusit shqiptar, të cilat me moto autentike shqiptare, realizojnë agjenda të huaja, që kanë për qëllim imponimin e një realiteti të ri në mjedisin politik shqiptar, rrjedhimisht edhe në traditën dhe mendësinë shqiptare. Kjo ideologji është kryekëput në dëm të interesave jetike dhe strategjike të shqiptarëve, është në dëm të unifikimit të potencialit tonë mbarëkombëtar dhe realizimit të synimeve tona për t’u bërë pjesë e pandashme e familjes së madhe evropiane. Kjo ideologji neo-otomane ka synim shtrirjen e ndikimit dhe kontrollit në hapësirat shqiptare dhe në interes të të gjitha palëve tjera që duan edhe më tej ta cungojnë trungun tonë kombëtar dhe t’i defaktorizojnë shqiptarët në Ballkan.

Prej kohësh shtete me fuqi të mëdha, përmes tentativave të ndryshme kanë bërë përpjekje që ta prishin aleancën shqiptare me Perëndimin dhe t’i fusin ata në rrugën pa krye, por kjo nuk ka arritur të jetë e realizueshme. Në këtë kuadër, këto shtete stërholluan strategjitë e tyre për të arritur deri te qëllimi dhe thellësisht analizuan faktorin që mund të çojë në prishjen e kësaj aleance në mes shqiptarëve dhe Perëndimit. Përmes koluareve të shërbimeve intelegjente dhe OJQ-ve të ndryshme si pararojë e po këtyre shërbimeve përkatëse, futën në veprim formimin e subjekteve politike me bazë islamin politik. Në agjencinë ruse të informimit “Sputnik”, në vitin 2014 u publikua pothuajse aksidentalisht një analizë në të cilën thuhej se faktori i vetëm i prishjes së aleancave në Ballkan është shtrirja e islamit politik. E njëjta u tërhoq nga botimi tri orë pas publikimit.

Përballë këtyre përpjekjeve të dyshimta, ne si popull kemi dhënë prova dhe fuqishëm kemi marrë rrugën e orientimit gjeostrategjik, i cili ka qenë dhe është pro perëndimit, pro SHBA-ve. Andaj është e palejueshme që për shkak të interesave të lartpëremendura të ndërrohet rrjedha e historisë dhe të prishen aleancat dobiprurëse për shqiptarët. “Mbrojtësit e interesave shqiptare në Maqedoni” nuk mund të llogariten struktura të paguara nga autoritarë neo-otomanë të cilët paraqiten si “shpëtimtarë” të Maqedonisë që do ta rrëzojnë “regjimin” e Gruevskit.

Kjo s’ka të bëjë aspak me interesin e shqiptarëve në Maqedoni. Ne nuk e kemi vendosur në pushtet Gruevskin. Ata e sollën, ata le ta heqin. Divergjencat e Gruevskit dhe Zaevit jane luftë për pushtet dhe kanë një emërues të përbashkët: “Shqiptarët nuk duhet të jenë lojtarë, por spektatorë në qeverisjen e Maqedonisë, inferiorë dhe në fund krejtësisht të papërfillshëm”. Ne e kemi interesin tonë. Jemi të bindur se shqiptarët në Maqedoni nuk do të vazhdojnë të jenë qiraxhinj në shtëpinë e vetë. Ka ardhur koha që të thuhet se askush nuk mund të imponojë vullnetin antikombëtar.

Agjenda shqiptare është zgjidhja e krejt kësaj mjegullnaje që ka kapluar veprimin politik të shqiptarëve në Maqedoni. Ajo, duhet shkruar, shtruar dhe në fund miratuar. Pastaj flasim për vende pune, për ekonomi, për shkolla dhe çerdhe, që nuk mund të na i ofrojë askush, nëse nuk i ndërtojmë vetë me paratë që ia japim këtij shteti.

Ne nuk kemi probleme të njëjta me maqedonasit. Problemet tona janë shumë më të thella, shumë më të rënda se të tyre. Këtu nuk kemi asnjë pikë takimi. Problemet tona lidhen me problemet që kanë shqiptarët në Ballkan dhe kjo zgjidhet vetëm më Agjendën shqiptare, me faktorizimin e shqiptarëve si tërësi në Ballkan dhe vendosjen e realitetit dhe vullnetit të mohuar shqiptar.

Vota shqiptare në Maqedoni duhet të jetë votë për faktorin politik shqiptar dhe asnjë votë, asnjë votë e vetme nuk duhet të shkojë për parti politike të etniteteve të tjera apo atyre që kanë në agjendë futjen e islamit politik brenda kombit shqiptar. Vota e tillë nuk mund të quhet ndryshe, veçse votë kundër interesit kombëtar shqiptar. Ne s’kemi nevojë për ideologji të huaja e as për kosmopolitizëm. Ne kemi nevojë për njohje të realitetit dhe rrethanave historike që sollën deri te ky realitet. Ne duhet dëshmuar se jemi këtu sepse e meritojmë, se jemi të pjekur, se dimë të zgjedhim dhe se dimë çfarë duam. Interesin tonë kombëtar, ekonomik dhe politik askush nuk mund ta mbrojë më mirë se vetë ne.