Flasim përhanshëm me Parid Teferiçin

Nga: Xhemazije Rizvani

 

Të kanë lënë dhe ke lënë njerëz të dashur, po cila është më e vështirë?

Më e vështirë është të pranoj se më kanë lënë me shumë të drejtë. Pendohem për ato që kam lënë: po të mos isha ngutur do të më kishin lënë vetë.

 

Ç’pret ngeshëm peshkatari në breg të përroit?

Më pyeti një gazetare e nderuar kulture për procesin tim të punës. Nuk di të punoj, i thashë, di të pres me nge buzë përroit tim se mos peshkoj ndonjë gjë. Por ia kam futur kot: unë nuk di as të peshkoj. Madje peshku i ujit të ëmbël nuk më pëlqen.

 

Ç’kanë tjetër të përbashkët politika dhe poezia, (përveç “P-së”)?

Ndoshta një hiç; domethënë, mua.

 

Pse të duket i mjerë ai popull që shkruan poezi patriotike?

Një popull ka nevojë për patriotë. Mund të bëjë fare mirë edhe pa poetë.

 

“Filli i humbur“ që e kërkoni, ngjan me çka?

Nuk jam në kërkim të ndonjë të vërtete përfundimtare, domethënie të thellë, pohim tronditës, nuk jam as në kërkim të ‘poezisë së bukur’, thjesht jam në kërkim të një filli të humbur. Çfarë është? Kthjellimi, shpesh i mundimshëm, pas një feste. Të presësh  për të gjykuar esëll gjepurat që grumbullohen në eufori e sipër.

 

A është dashuria jote e parë matematika?

Po, dhe më la me shumë të drejtë.

 

Wallace Stevens flet bukur përmes teje. Është poezi që të lexon ty?

Është dashuria më jetëgjatë. U bë mbi njëzet vjet që nuk rri dot pa të.

 

Të ka zënë ndonjë mur përfundi, duke u përpjekur t’i rrëzosh?

Muret brenda vetes, po i rrëzove, të zënë përfundi. Janë aty për t’u kapërcyer, jo për t’u shembur. Prishe, për shembull, murin që ndan dashurinë dhe xhelozinë, admirimin dhe smirën, dhe do ta shohësh.

 

Ç’ke të përbashkët me emnakun tënd homerian?

Ndoshta të njëjtën plogështi për ‘heroizma’.

 

Tundimi më i fortë yti?

Të flas troç për tundimet. Pastaj lexoj çfarë kam shkruar dhe kuptoj meskinitetin tim. Ndaj tundimi më i fortë, të cilit nuk i rezistoj dot, është t’i gris e t’i flak në kosh ato pallavra.

 

Në çka s’lëkundesh?

Në këtë ‘rezistencë paqësore’ me tundimet.

 

Valixhet të thonë gjë ?

Po. Sa herë i shoh në depo, më thonë ‘Prapë këtu ti!?’

 

Po ngjyrat?

Të njëjtën gjë.

 

Cilat kohë të dhëmbin akoma ?

Më dhemb 1997.

 

Cilët janë tre poetë që nëse nuk i njeh bashkëbiseduesi yt, nuk e merr për të denjë?

Mjedën, Lasgushin, Migjenin.

 

Cila poezi e huaj të duket sikur ta kishe shkruar ti?

Ndoshta një poezi e Elisabeth Bishop, e cila nis me vargun “Zanati i humbjes mësohet kollaj” (The art of losing isn’t hard to master).

 

Cilin libër të vetëm do ta kishe shpëtuar nga flakët?

Prometeun e Eskilit, i cili ua vodhi zjarrin zotave për t’ua dhënë njerëzve, për punë më të mira se djegia e librave.

 

Mis vetmia cila është ?

Mis vetmia?

 

Vizioni orfeik është një mision i pamundur?

Nëse ngelemi tek Orfeu dhe Euridika për të justifikuar atë që bëjmë, më mirë të ndërrojmë zanat. Nganjëherë poetët dërdëllisin për kësi gjërash ‘të thella’ njëlloj si ata adoleshentët që të çajnë veshët me termat e fundit të informatikës.

 

Nëse vërtetë do të ishe i padukshëm brenda ditës, për çfarë do ta shfrytëzoje?

Do të bëja të përditshmen. Di të mos bie në sy edhe sot.

 

Në pyllin tënd të fantazisë kush është ujku?

Ujku është pedagogu. Çfarë do të mësonin fëmijët, p.sh., nga një budallaçkë që, për të mos rënë në sy në blerimin e rrezikshëm të pyllit, vishet me kësulë dhe fustan të kuq, për t’i çuar ushqim gjyshes që vetë familja e ka braktisur në natyrë?

 

Ku i kemi rrënjët ne njerëzit?

Kur ishim njëqelizorë nuk bënim kësi pyetjesh.

 

Ku mund të shkojë njeriu kur merr arratinë nga vetja?

Në turmë ose në shkretëtirë.

 

Ç’ju ngjallin turmat?

Neveri dhe frikë.

 

Kush janë ata që s’të kuptojnë?

Ata që kuptoj më mirë se veten.

 

Ku është toka e premtuar?

Bregdeti im i fëmijërisë: Golemi, Qerreti, Mali i Robit. Kështu e mendoja dikur, por me sa duket u paska qenë premtuar edhe shumë të tjerëve.

 

Çka nuk të pëlqen te raca njerëzore?

Sjellja çnjerëzore. Vetëm ne njerëzit e kemi.

 

Të ishe një asket?

Nuk është për mua. Ata zgjidhnin vetminë dhe parazitët për t’iu larguar trupit. Unë trupin e largoj duke ia plotësuar dëshirat.

 

Çfarë s’njeh më te vetja?

Kam humbur vullnetin për të qenë ndryshe.

 

Kush je ti?

‘Kush jam unë?’ Kështu fillonte një roman i Bretonit, por tashmë nuk mbaj mend asnjë rresht.