Intervistë me Albulenë Halili-n, ekskluzivisht për obshtestvo.net.

Realizoi në shqip: Anton Pançev

 

  1. Evropa u trondit nga ngjarjet në Maqedoni. A ishte i organizuar sulmi i Kuvendit nga funksionarë të ndonjë partie politike apo ishte një veprim i huliganëve?

A.H: Sulmi në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill të këtij viti, vërtetoi përfundimisht se rruga qorre ku gjendet Maqedonia tash e sa kohë, nuk duhet cilësuar e trajtuar vetëm si krizë politike. Mosreagimi i forcave të rendit ndaj dhunimit të organit më të rëndësishëm e demokratik të një shteti, përdorimi i forcës ndaj përfaqësuesve të popullit e mediave, tentim-vrasja me paramendim ndaj një lideri politik shqiptar, janë indikatorë se në Maqedoni ekziston konflikt i manifestuar asimetrik identitar e ideologjik i cili më 27 prill ka eskaluar.

Kjo përbën shpërfaqje të mendësisë posesive shtetërore maqedonase të shtresuar me vite që nga pavarësimi jolegjitim i këtij shteti. Pra, gjithçka është në rregull përderisa shqiptarët janë të sunduar e në rang të dytë, por kur ata kërkojnë të jenë të barabartë dhe element shtetformues i këtij shteti, kjo është e papranueshme dhe për këtë ata janë në gjendje ta rrënojnë edhe vetë shtetin.

Skenat që tërë bota pa përmes ekranit dhe mediave sociale janë dëshmi e pakontestueshme e gjendjes së përditshme që qytetarët jetojnë vite me radhë në këtë shtet, me të vetmin dallim – përderisa qytetarët e tjerë ndjehen të diskriminuar e të kërcënuar nga ky regjim, fakti i të qenit shqiptar dyfishon diskriminimin e kërcënimin, duke e shpjerë atë në stade ekzistencialiste.

 

  1. Si është gjendja e deputetëve të lënduar dhe kur Kuvendi do ta vazhdojë punën? A ka gjasa të krijohet qeveri në javët e ardhshme?

A.H: Përdorimi i turmave dhe popullit qoftë për mësymje apo për mbrojtje vetanake, përbën aktin më qyqar dhe vogëlsinë e aktorëve të padenjë për llogaridhënie, dialog apo edhe konfrontim të qytetëruar e beteja demokratike.

Dhuna deri në kufijtë e skajshëm të jetës, ndaj deputetit shqiptar Sela, nuk ka motiv politik, por kryekëput etnik. Është mjaft e rëndësishme të theksohet se thelbi i këtij rrëfimi është porosia se sulmi i vërtetë bëhet ndaj shqiptarit të lindur në Strugë e shkolluar në Prishtinë e Tiranë, shqiptarit intelektual e vertikal, atij që ngre zërin për veten kolektive, që thotë të vërtetën troç e pa ngjyrime të paqena post-moderniste apo ideologjike.

Po ashtu, ngjarja e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë ka elemente të kombinuara gjenocidi dhe terrorizmi. Gjenocidi, sepse ka qenë i motivuar nga motive etnike dhe pikësynim ka pasur shqiptarin si të tillë; dhe terrorizmi, sepse ka synuar ndjelljen e frikës (Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara përkufizon terrorizmin si “përdorimi i përllogaritur i dhunës së paligjshme ose kërcënimi i dhunës së paligjshme për të ndjellë frikën; me qëllim që të detyrojë ose të frikësojë qeveritë ose shoqëritë në ndjekjen e qëllimeve që janë përgjithësisht politike, fetare apo ideologjike”).

 

  1. Si, sipas Jush, duhet të procedojnë partitë shqiptare në kontekstin e përpjekjeve të vazhdueshme të VMRO-së për bllokimin e krijimit të qeverisë së re? A do të vazhdojë bashkëpunimi mes partive shqiptare nga njëra anë, dhe mes tyre dhe LSDM-së, në anën tjetër?

A.H: Në mesin e këtij udhëkryqi me shumë probleme, shqiptarët duhet ta ndjekin rrugën e tyre. Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, për herë të parë partitë politike në Maqedoni arritën të tejkalojnë çdo mospajtim dhe kundërshti politike dhe të merren vesh për një qëllim që tejkalon çdo interes personal e partiak. Ata nënshkruan Deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni, ndërkaq u zotuan edhe për krijimin e një mekanizmi për mbikëqyrjen e përmbushjes së këtyre objektivave, që do të jetë Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare. Pra, shqiptarët kanë hedhur zarin. Ata kanë shtruar kushtet e tyre dhe duhet të jenë konsistentë dhe të paluhatshëm në këtë qëndrim të përbashkët. Për më tepër shqiptarët janë në vijë me çdo kërkesë të shtruar ndaj Maqedonisë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe në ngjarjet e Kuvendit shqiptarët në përgjithësi, përfshirë këtu popullin por edhe elitën politike janë treguar të matur, nuk kanë lejuar të manipulohen, kanë qenë unikë për sa i përket interesit kombëtar shqiptar, por edhe në koherencë të plotë me qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare.

 

  1. Të vazhdojmë me proceset në Bllokun shqiptar – a do të përkrahet “Platforma shqiptare” deri në fund apo do të kërkohet ndonjë rrugë tjetër për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni?

A.H: Së pari, Maqedonia ka krizë ontologjike, pra që ka të bëjë me natyrën e qenies së saj dhe është e rrënjosur mbrapa në kohë, që nga pavarësimi i saj si shtet. Shteti i Maqedonisë është pavarësuar nga ish-Jugosllavia pa marrë parasysh vullnetin e 1/3 të qytetarëve që jetojnë në këtë shtet. Vini re se shqiptarët kanë bojkotuar referendumin e Maqedonisë për pavarësi. Kjo e bën procesin krejtësisht jolegjitim. Që në preambulën e kushtetutës së këtij shteti, thuhet se pronësia e shtetit i takon popullit maqedonas, ndërkaq aty mund të jetojnë edhe qytetarë të tjerë që janë pjesë e popujve fqinjë. Ky fakt e bën Maqedoninë shtet unitar monoetnik atipik.

Kriza e dytë, e cilësuar si krizë politike, ka filluar në fund të vitit 2014, dhe ka ardhur si pasojë e moszgjidhjes së krizës së parë. Me kohë kjo krizë ka marrë trajtën e një krize hibride, ku janë pasqyruar problemet ekonomike, diferencat politike, madje deri në përmasa të përplasjes ideologjike për identitetin dhe konceptin e shtetit.

Gjendja e shqiptarëve në Maqedoni nuk ka dalluar shumë, qoftë kur kanë udhëhequr socialdemokratët apo konservatorët. Qëndrimi ndaj shqiptarëve është shtetëror e jo partiak.

Dua ta theksoj se më ka habitur fakti që në mesin e kërkesave në deklaratën e përbashkët, s’gjendet regjistrimi i popullsisë, meqenëse konsideroj se mu ajo është nyja gordiane prej nga duhet të nisë përfundimisht zgjidhja e krizës ontologjike të këtij shteti.

 

  1. A tensionohen shumë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni për shkak të krizës politike? Sipas mendimit Tuaj, a ka rrezik nga një konflikt qytetar mbi bazë etnike?

A.H: Nomenklatura politike në Maqedoni është e ngarkuar psikikisht me një mendësi ideologjike të shekullit të kaluar dhe si pasojë e saj, ka ngecur edhe transformimi i kulturës politike. Mungesa e transformimit të kulturës politike në një shtet shumëetnik prodhon antagonizma etnike, ekonomike, psikologjike të cilat pastaj manifestohen me veprime primitive, që padyshim prishin ekuilibrin shoqëror.

Më shumë se një milionë shqiptarë të Maqedonisë kërkohet të jenë lojalë të një shteti i cili lëre që s’përfaqëson asnjë shqiptar dhe asgjë shqiptare, por madje është antishqiptar që në gjenezën e krijimit të tij. Lojaliteti i shqiptarëve të Maqedonisë i shprehur përmes politikave integruese dhe parimit të “pranisë së papranishme” nëpër institucione, qëllim final ka etnicizimin e një nocioni thjesht gjeografik dhe krijimin e një kombi politik maqedonas bashkë me shqiptarët si një e keqe e domosdoshme.

Gjatë krizës së fundit shquhet një prirje e theksuar për sinkronizim të problemeve të shqiptarëve dhe maqedonasve. Është e vërtetë që ne të dy palët, do s’do, me vetë faktin që jetojmë nën të njëjtin juridiksion, po e vuajmë zhytjen e shtetit në autoritarizëm, ngërçin në institucione, inkriminimin e politikanëve, mosfunksionimin gjyqësor, por për dallim nga maqedonasit, shqiptarët janë përballur me këto sfida gjatë gjithë kohës, madje duke u mbivendosur me problemet ekzistenciale tonat. Institucionet jo vetëm që s’kanë punuar për ne, por madje kanë punuar kundër nesh.

Tendenca për solidarizim ka për qëllim neutralizimin e çështjes shqiptare në Maqedoni dhe kamuflimin e kauzës sonë përmes përplasjeve të tyre për pushtet dhe shpëtimin e shtetit.

 

  1. Në disa gazeta bullgare kishte shkrime se grupe ekstremiste, kryesisht tifozë të organizuar, prej Serbisë kanë hyrë në Maqedoni që të marrin pjesë në trazirat qytetare. A ka të vërteta në këto informacione?

A.H: Nuk duhet nënvlerësuar assesi ndikimin e madh që kanë shtetet fqinje në radhë të parë, të cilat ndjekin doktrinat e tyre tradicionale, por as atë të aktorëve të tjerë joshtetërorë apo edhe ndikimin që fuqitë si Turqia e Rusia kanë në Ballkan për interesat e veta kombëtare gjithsesi.

 

  1. Si duhet të veprojnë fqinjët e Maqedonisë për qetësimin e situatës dhe si e vlerësoni rolin e faktorit ndërkombëtar?

A.H: Problemi i natyrës së jashtme, është kontestimi i qenies së këtij shteti nga të gjithë fqinjët e saj gjeografikë, përpos shqiptarëve: atyre jetojnë brenda saj, në Shqipëri në perëndim dhe në Kosovë në veri. Ky kontestim që i bëhet emrit të saj, identitetit, gjuhës dhe kishës, janë faktorë objektivë kyçë për ngecjen e saj në reforma dhe rrugën e saj euro-atlantike. Shqiptarët pa vullnetin e tyre kanë mbetur peng i problemeve të këtij shteti.

Qëndrimet dhe kërkesat e SHBA-ve, BE-së dhe në përgjithësi të faktorit ndërkombëtar ndaj Maqedonisë duhet shikuar në prizmin e zhvillimeve aktuale ndërkombëtare. Pas Brexit-it dhe fitores së Trampit, bota po ecën drejt konceptit realist në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe parimeve të sistemit vestfalian. Këto zhvillime s’do mend që pasqyrohen në mbarë botën, por sidomos në Ballkan, ku takohen sferat e influencës Perëndim-Rusi. Diplomacia multilaterale, jo vetëm e shteteve të botës por edhe atyre në Ballkan, çdo ditë e më shumë po i lëshon vendin diplomacisë bilaterale dhe përforcimit të aleancave tradicionale. Rreshtimet dhe rirreshtimet gjeopolitike kanë ndikim të patjetërsueshëm në çdo ngjarje dhe agjendë politike aktuale.

Kërkesa e komunitetit ndërkombëtar për krijimin sa më të shpejtë të një qeverie në Maqedoni, ndodh për shkakun se kërkohet një kohë e ndërmjetme për ta mbajtur stabile Maqedoninë e tërë Ballkanin deri sa zhvillimet dhe politikat ndërkombëtare të profilizohen dhe të marrin një trajtë konstante.

Është hera e fundit që do të na lejohet përdorimi i togfjalëshit “Maqedonia në udhëkryq”. Mendoj që përfundimisht kjo është pika zero për Maqedoninë. Ajo duhet të fokusohet sa më parë në gjetjen e zgjidhjeve të brendshme afatgjata, që të fillojë zgjidhjen e kontesteve të jashtme të cilat i ka me të gjithë fqinjët përveç se me shqiptarët. Madje edhe në Dekleratën e përbashkët, te pika pestë – zgjidhja e çështjes së emrit dhe pika gjashtë – marrëdhënie të mira me fqinjët, kanë paraparë klauzolën “përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë, respektivisht Bullgarinë”.

Maqedonia duhet shikuar si hapësirë, tërësi dhe shtet kyç për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Ky në të vërtetë edhe ka qenë qëllimi përse ky “shtet-tampon” është krijuar. Andaj, nuk guxojmë që problemin e këtij vendi ta trajtojmë të mbyllur brenda një guaske e të izoluar nga zhvillimet në rajon e më gjerë. Njëkohësisht duhet të kihet parasysh se zgjidhjet e brendshme të saj do të determinojnë edhe orientimin e saj të ardhshëm gjeopolitik por edhe implikimet rajonale.