Flasim përhanshëm me Ridvan Dibrën
Nga: Xhemazije Rizvani
– Ç’lloje intervistash ju bezdisin më shumë?
– Të gjitha. Edhe kjo e juaja.
– Thonë se vetminë e keni shpikur ju?
– Vetminë time, po.
– Një shkrimtar në Shkodër ngjan me çka?
– Me shumëçka, përveçse me një shkrimtar shkodran.
– Personazh i cilit libër jeni?
– I të gjithë librave të mi, pa asnjë përjashtim.
– Irenë B. mendoni se do t’ju falënderonte dhe pranonte për demiurg?
– Dikur po. Tani jo.
– Kur janë njerëzit më të mirë?
– Sa janë pa mësuar përemrin vetor “Unë”.
– A ju ngjan qyteti në shpikje djalli?
– Jo vetëm Qyteti. Por dhe çdo Institucion tjetër që krijon e ngjesh turma.
– Për çka do ta kishit redaktuar Zotin?
– Ndoshta pse nuk na e vuri Zemrën sipër, në vend të kokës.
– Mik i lig cili është?
– Ai që ta vret besimin te Miqësia.
– A ka vërtetë Shkodra plot dashuri?
– Sidomos nëpër këngë.
– Ç’ka të mirë te harresa?
– Na ruan nga çmenduria.
– Çka nuk falni?
– Padrejtësitë që mund t’i bëhen tim Biri, Erosit.
– Po ta kishit Shqipërinë në dorë për 24 orë si kryeministër ç’do të bënit me urgjencë?
– Do jepja dorëheqjen.
– Cili politikan të bën të shash, fyesh, e të mbyllesh në dhomë?
– Asnjëri. Nuk i marr seriozisht.
– Ju pëlqen t’ju gënjejnë bukur?
– Sidomos kur e bëjnë kritikët e studiuesit letrarë.
– Cila poezi i ka çmendur vajzat kur ua keni recituar në të ritë?
– Asnjëra. Po të kisha guxuar, do vazhdoja të isha beqar.
– Cila kohë është e juaja?
– Edhe mesnata.
– Nëse do t’ju ofronin t’ju presin ndonjë shirit kohor nga kujtesa cilën periudhe do ta zgjidhnit?
– Ndoshta, njërën prej periudhave më të vështira të jetës sime: vitet 1982 – 1988, kur qeshë mësues në një fshat të thellë malor në rrethin e Kukësit.
– Çka ju mundon më së shumti?
– Pagjumësia netëve.
– Cili është budallallëku më i madh që keni bërë ndonjëherë?
– Ndoshta – ndoshta, kjo intervistë me ju.
– A e dinë të tjerët se ju jeni gjeni?
– Nuk e besoj. Presin që të bindem edhe unë vetë.
– Ç’do t’i kishit thënë lexuesit të nesërm?
– T’i zbulojë vetë autorët dhe librat e zemrës. Mos t’u besojë aq fort kritikëve e akademikëve, çmimeve e bujës mediatike.
– Ç’keni të përbashkët me Franc Kafkën?
– Asgjë. Përjashto faktin që ndonjëherë, kur ma ka ngenë, kuvendojmë në distancë njëri me tjetrin.
– Ku është ngatërruar bota?
– Bota ka lindur e tillë. Dhe e tillë do të jetë përherë. Problemi është që me punët e veprat tona mos t’ia shtojmë nyjat.
– Ah, pengjet …. I keni shumë?
– Pengjet? Në vjeshtën e moshës veçse bien e rrallohen, si gjethet.
– Nga i përzini njerëzit kur i nxirrni nga jeta?
– Nuk përzë njerëz! Ndoshta këtë e bën pa dashjen time letërsia ime.
– Si dashuroni?
– Plot hezitime. Gjithnjë dyshues se mos prania dhe natyra ime e ngatërruar më shumë se kënaqësi, dhuron probleme.
– Keni parë e dëgjuar sa romane shkruajnë të rinjtë, kush do t’i lexojë?
– Le të shkruajnë. Nuk është e thënë që çdo roman të lexohet nga dikush.
– Cilat janë tri fjalitë që do ta kishe bërë krejt njerëzimin t’i pëshpërisë brenda gjithë ditës si formë lutjeje?
– Mos urreni. Mos lakmoni. Mos paragjykoni.
– Ju vjen keq që jeni njeri?
– Edhe ndodh ndonjëherë. Sidomos kur banaliteti dhe mungesa e ndjeshmërisë, injoranca e ligësia përballë meje, m’i ndryshkin të gjitha armët që zotëroj.
– Ç’ju bën për të qeshur më shpesh?
– Kritikat dhe gjykimet që i bëhen veprës sime letrare.
– A rrnohet veç për me tregue?
– Natyrisht që jo. Rrnohet veç për me dashurue.
– Çka është më e keqe se një grua e keqe?
– Ndoshta një grua në karrierë.
– Ku i merrni personazhet dhe si i ndërtoni?
– Te vetja ime, i kam krejt afër dhe me bollëk.
– Një grua e jashtëzakonshme ç’emër do kishte? A e njihni?
– E njoh këtë grua dhe asht ime shoqe. Nuk asht aspak e lehtë të durohet kaq gjatë dhe kaq bukur një fëmijë gjithnjë i parritur.
– E folura , apo dëgjimi ju rrëmbejnë më shpesh?
– Asnjëra dhe as tjetri. Mbetem rob i leximeve.
– Kush jeni ju?
– Nuk e di tamam. Sapo ta mësoj, do të rresht së shkruari.
– Nëse do ta takonit veten një ditë ç’do t’i thoshit?
– Idiot! Duhej të kishe shkruar më pak dhe të kishe jetuar më shumë.
– E shkuara, ç’ka t’i bëjmë asaj?
– Ta lëmë të mbetet e tillë, domethënë e shkuar.
– Është e bukur jeta, megjithatë apo?
– Jeta asht aq e plotë, sa që nuk i duron epitetet.
– Faleminderit!