Nyja Gordiane e Maqedonisë së Veriut
Nyja Gordiane e Maqedonisë së Veriut
(tablo rreth regjistrimit të popullsisë)
Albulenë Halili &
Shemsedin Ibrahimi
"Totalitarizmi mund të lulëzojë atje ku njerëzit refuzojnë sistematikisht që të merren me realitetin dhe janë të gatshëm të zëvendësojnë arsyen me ideologjinë dhe trillimet."
Hana Arend
Prolog
Nyja Gordiane e Maqedonisë së Veriut është regjistrimi i popullsisë. Ai përbën njërin nga proceset më të rëndësishme për shqiptarët, që nga pavarësimi i vendit nga ish Jugosllavia, por njëkohësisht është thelbësor edhe për të ardhmen e vetë shtetit.
Maqedonia e Veriut po përgatitet që operacionin më të rëndësishëm për vendin, regjistrimin e popullsisë, ta realizojë pas një vonese pothuajse dydekadëshe. Kjo vonesë per se dëshmon mungesën e vullnetit, por edhe paaftësinë e këtij shteti për të realizuar një operacion, i cili në një shtet e shoqëri normale, do të qe vetëm një operacion i thjeshtë statistikor. Kjo vonesë e parëndomtë për një shtet evropian, në të njëjtën kohë hedh dyshimin rreth legjitimitetit të strukturave shtetërore gjegjëse, se regjistrimi, i cili nuk ka mundur të realizohet për dy dekada, do të mund të realizohet si dhe të realizohet sipas standardeve të duhura.
Por, pyetja thelbësore që duhet të parashtrohet tani është: përse në Maqedoninë e Veriut regjistrimi nuk është vetëm një operacion statistikor?
E para, për shkak të natyrës së këtij shteti, të rregulluar kësisoji që në gjenezë të tij, numri i banorëve të etnive që jetojnë në Maqedoninë e Veriut përcakton gjithçka, duke nisur nga kushtetuta, ku përcaktohet se kujt i përket sovraniteti, të drejtat kolektive, përfaqësimi në institucione, ndarja territoriale, listat zgjedhore, përdorimi i gjuhës shqipe, shpërndarja buxhetore e kështu me radhë. Pra, përqindja e etnive që jetojnë në këtë shtet është kategori kushtetuese.
Ndërkaq arsyeja e dytë madhore është se gjithmonë ka pasur tendenca që këto numra të manipulohen me qëllim të ruajtjes së status quo-së.
Sfondi historik
Nëse u hedhim një vështrim historik të dhënave zyrtare statistikore të regjistrimit të popullsisë, do të vijmë në përfundim se në Maqedoni, duke filluar nga viti 1949, tendenca e strukturave të ndryshme shtetërore republikane dhe federative të asaj kohe kanë qenë në drejtim të minimizimit të numrit të etnisë shqiptare, rritjes së numrit të etnisë maqedonase dhe asaj turke dhe mospërfilljes së etnive të tjera, të cilat në të shumtën e rasteve janë regjistruar si maqedonas. E gjithë kjo është bërë duke përdorur forma të presionit dhe të manipulimit strukturor.
Presioni kryesisht është përqendruar në dy kahe. Njëri kah ka qenë manipulimi konceptual, duke krijuar bindje pasigurie, në kuptimin e krijimit të hamendjes për numrin e të tjerëve dhe pa e vënë kurrë në diskutim numrin e “popullsisë shumicë”. Kjo vërtet ka krijuar pasiguri dhe frikë të shqiptarët, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore u shpallën bashkëpunëtorë të fashistëve, armiq të shtetit dhe në një formë - të padëshiruar. Duke u shpallur të padëshiruar, atyre iu ofrua opsioni i largimit nga vendi nëpërmjet marrëveshjeve tashmë të nënshkruara midis ish-Jugosllavisë dhe Turqisë për shkëmbimin (lexo: shpërnguljen) e popullsisë myslimane.
Shqiptarët, të ndodhur në udhëkryq historik, e patën shumë vështirë të qëndrojnë gjatë dhe disa prej tyre edhe iu nënshtruan kësaj trysnie. Kështu, sipas të dhënave statistikore, në vitin 1953, numri i shqiptarëve është përgjysmuar dhe është rritur numri i turqve edhe pse logjikisht turq nuk do të duhej të kishte në Maqedoni, meqenëse ishte realizuar marrëveshja e këmbimit të popullsisë myslimane (lexo turke). Çuditërisht, gjatë këtij viti dyfishohet numri i kësaj etnie. Nuk ka statistikë e as metodologji që është në gjendje që ta shpjegojë këtë, porse me fjalor dhe metoda politike, për të mos thënë gjenocidale.
Tabela 1. Të dhëna nga regjistrimi i popullsisë gjatë viteve 1953-2002
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, shteti i pavarur (Maqedonia, Republika ish-jugosllave e Maqedonisë) përveç sistemit e elitës institucionale e politike, nga regjimi pararendës trashëgoi edhe mendësinë shtetërore dhe qasjen ndaj shqiptarëve, të cilët mbetën qiraxhinj në shtëpinë e vet.
Edhe sot, Maqedonia e Veriut ka një shoqëri multietnike, por sistemi kushtetues, pra shteti i krijuar në gjysmën e territoreve historikisht shqiptare, është monoetnik. Sipas preambulës, të amendamentuar me ndryshimet kushtetuese në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, ky shtet u takon qytetarëve të ndarë në dy kategori: popullit maqedonas dhe qytetarëve të cilët jetojnë brenda kufijve të saj të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, (...).
Së dyti, po në preambulë thuhet se këta qytetarë, “në përputhje me traditën e Republikës së Krushevës dhe vendimet e KAÇKM-së dhe të Referendumit të 8 shtatorit të vitit 1991, vendosën ta konstituojnë Republikën e Maqedonisë si shtet të pavarur, sovran (...)”. Shikuar historikisht, për hir të së vërtetës, në asnjërën nga këto ngjarje historike nuk pasqyrohet vullneti i shqiptarëve. Këto ngjarje janë bërë: ose pa shqiptarët, ose kundër tyre.
Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut janë realizuar dy regjistrime të popullsisë: në vitin 1994 dhe 2002. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është kryer në vitin 2002. Numri i përgjithshëm i banorëve sipas këtij regjistrimi ka qenë 2 022 547 milionë banorë, përqindja e maqedonasve - 64.2%, ndërkaq ajo e shqiptarëve - 25.2%.
Përgjatë gjithë këtyre viteve, në hapësirën shqiptare ka pasur zëra se shqiptarët në Maqedoni të Veriut përbëjnë: më shumë se një të tretën e numrit të përgjithshëm të popullsisë, se numri i popullsisë shqiptare është 33%, 47 %, më i lartë se 40%, etj.
Në vitin 2011 ishte planifikuar që të realizohet procesi i regjistrimit, por ai pati dështuar për shkak të mospajtimeve midis partnerëve të koalicionit qeveritar rreth metodologjisë dhe siç thuhej, vështirësive teknike.
Perspektiva
Procesi i regjistrimit është caktuar që të realizohet gjatë periudhës 1-21 prill 2021. Ligji për realizimin e procesit të regjistrimit të popullsisë u miratua në Kuvend në janar të këtij viti. Votimi i këtij ligji u bojkotua nga opozita maqedonase OBRM-PDUKM dhe E majta (Levica). Vlen të theksohet se i tërë spektri politik shqiptar pa dallim, ka votuar pro këtij ligji. Por, ajo që është edhe më e rëndësishme se ligji është metodologjia për përgatitjen dhe realizimin e regjistrimit, e cila u shpall nga drejtori i Entit shtetëror për statistikë pa shqyrtim publik, ditë pas votimit të ligjit në kuvend. Sipas kësaj metodologjie, familjarët nuk do ta kenë të drejtën të deklarojnë përkatësinë etnike dhe fetare të afërmve të tyre që janë në mërgim. Pra regjistrimi i të afërmve të cilët nuk gjenden në vend në kohën e regjistrimit, lihet në mëshirën e një sistemi onlajn jofunksional dhe me shumë probleme.
Vetja dhe Tjetri
Gjatë gjithë këtyre viteve regjistrimi i popullsisë është parë si gogol nga strukturat shtetërore, ndaj dhe është shmangur deri sa më kjo nuk ishte e mundur. Këto struktura në një farë mënyre kanë qenë gjatë gjithë kohës të vetëdijshme për realitetin demografik në vend. Ndonëse Maqedonia e Veriut nuk e ka realizuar procesin e regjistrimit që nga viti 2002, strukturat shtetërore gjegjëse kanë të dhëna të mjaftueshme për të pasur projeksione mbi gjendjen aktuale demografike dhe lëvizjet e popullsisë.
Projeksionet mbështeten në natalitetin, mortalitetin dhe rritjen e popullsisë në vend. Përveç këtyre, pjesëmarrja e shqiptarëve në pushtet, do të duhej të mundësonte sigurimin e projeksioneve të pavaruara të cilat përpilohen nga të dhëna e indikatorë zyrtarë nga dikastere të ndryshme shtetërore, siç janë ministritë, agjencitë, kompanitë e shpërndarjes së energjisë elektrike, ato të telekomunikacionit, ndërmarrjet publike komunale e kështu me radhë.
Sa i përket natalitetit, të dhënat nga tabela e mëposhtme dëshmojnë se rritja natyrore sipas përkatësisë etnike për vitet 2008-2010, te shqiptarët është pozitive krahasuar me atë tek etnia maqedonase, ku vite me radhë është i pranishëm një trend rënës.
Tabela 2. Lëvizja natyrore e popullsisë në vitet 2008-2010
E njëjta gjë ndodh, sipas të dhënave zyrtare statistikore edhe me vitet pasuese 2015-2019, edhe pse te këto të dhëna mungojnë shifrat e vdekshmërisë sipas përkatësisë etnike, gjë që na pamundëson që të kemi rezultate lidhur me lëvizjen natyrore të popullsisë për këto vite dhe të bëjmë krahasime me periudhën paraprake.
Tabela 3. Numri i foshnjeve të lindura gjatë viteve 2015-2019 sipas përkatësisë etnike të nënës
Tabela 4. Struktura e lindjeve gjatë viteve 2015-2019 sipas përkatësisë etnike të nënës
Në figurat më poshtë, tabelat 3 dhe 4 janë paraqitur vizualisht për dy vite të zgjedhura nga botimi i fundit vjetor i Entit për Statistika, pra vitet 2015 dhe 2019, me qëllim të krahasimit.
Figura 1. Lindjet sipas përkatësisë etnike në vitin 2015
Figura 2. Lindjet sipas përkatësisë etnike 2019
Më poshtë kemi hartën me të dhëna ku pasqyrohet rritja natyrore e popullsisë gjatë vitit 2019 sipas rajoneve statistikore sipas të cilave është e ndarë Maqedonia e Veriut. Nga harta shihet qartë se rajonet ku jetojnë shqiptarët kanë rritje natyrore më të madhe të popullsisë në krahasim me rajonet tjera.
Figura 3. Rritja natyrore sipas rajoneve statistikore për vitin 2019
Te projeksionet shqiptare duhet të merren parasysh po ashtu deklaratat e përfaqësuesve shqiptarë, si ato në pushtet, ashtu edhe ato të opozitës. Këtu duhet pasur parasysh deklaratat si ajo e zv. ministrit të Punëve të Brendshme A. Nuhiu, i cili pati thënë se: “sipas pasaportave valide, 30.4% janë shqiptarë duke marrë parasysh se ka edhe shqiptarë që nuk posedojnë pasaporta në shqip". Në të njëjtën periudhë kohore, ish ministri i Arsimit Ademi, deklaroi se numri i nxënësve për vitin shkollor 2017/18, ka qenë 121 mijë e 272 maqedonas respektivisht 64,22%, ndërsa i atyre shqiptarë 60,709 respektivisht 32,15%”.
Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare, në fund të vitit shkollor 2013/2014, 50 % e nxënësve nëpër shkolla fillore janë shqiptarë. Pra, nga 190 mijë e 541 nxënës, 122 mijë e 929 nxënës janë maqedonas, ndërsa 61.298 nxënës janë shqiptarë.
Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara nga regjistrimi në shkollat e mesme thonë se mbi 35 përqind e nxënësve të regjistruar në nivel të republikës janë shqiptarë. Numri i nxënësve maqedonas mund të jetë edhe më i vogël nëse merren parasysh se shumë nxënës shqiptarë, por edhe nxënësit e bashkësive etnike turke, rome, vllehe, serbe e boshnjake që mësimin e vijojnë në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase.
Edhe nga opozita shqiptare kemi analiza dhe përfundime që janë në të njëjtën vijë. Deputeti i opozitës shqiptare H. Snopçe pati deklaruar në janar të këtij viti se: “Nëse merren të mirëqena të dhënat e vitit 2002 dhe nëse statistikisht i analizojmë lëvizjet e lindshmërisë dhe vdekshmërisë prej vitit 2003 deri në vitin 2019, unë ju garantoj se shqiptarët nuk janë më pak se 29 %, por janë mbi 29 %.”
Sa i përket palës maqedonase, diskursi i tyre mund të mos jetë i harmonizuar, por interesi i tyre i përbashkët dhe qëllimi final gjithsesi se po.
Pas shpalljes se regjistrimi do të realizohet, vlen të veçohen dy deklarata mjaft indikative të kreut të shtetit. E para, se: "liderët e partive politike do të duhet të nënshkruajnë deklaratë politike dhe se rezultatet nga regjistrimi nuk do të sjellin rishikimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit apo Kushtetutës", dhe e dyta, se ai është kundër përfshirjes së grafës etnike në letërnjoftime. Kjo gjithsesi se është shprehje e panikut dhe frikës nga përballja me rezultatet e regjistrimit, po qe se ai kryhet siç duhet, që do të shpërfaqte realitetin e mohuar përgjatë gjithë historisë së këtij shteti.
Në këtë vijë, është edhe deklarata e drejtorit të Entit shtetëror për statistika, i cili në një artikull të Balkan Insight në vitin 2020, pati deklaruar se etnia nuk është faktori thelbësor në Maqedoninë e Veriut.
Ka reagime të ndryshme, por emërues i përbashkët i këtyre reagimeve është numri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Që në vitin 2012 ish-udhëheqësi i OBRM-PDUKM, Lupço Georgievski kishte deklaruar se shqiptarët përbëjnë 30% të popullsisë.
Opinioni maqedonas është i ndarë në dy pjesë sa i përket procesit të regjistrimit. Ata që e përkrahin OBRM-PDUKM, të cilët pretendojnë se numri i shqiptarëve është më i vogël se 20% dhe e shprehin frikën se rezultatet nuk do të jenë të sakta dhe ky numër do të jetë shumë më i madh. Pjesa tjetër janë përkrahësit e LSDM-së, të cilët janë për realizimin e regjistrimit dhe deklarohen se nuk do t’i kontestojnë rezultatet, por se në fund, të njëjtat nuk do të ndikojnë në të drejtat e fituara të asnjë etniteti. Në këtë vijë ishin edhe deklaratat e mësipërme të presidentit të vendit.
Pleksja e procesit
Nuk ka mbetur as edhe një muaj nga fillimi i procesit dhe çështjet që dalin në pah mund të ndikojnë ndjeshëm rezultatin e regjistrimit. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një takim me homologen e tij bullgare në mars të këtij viti, duke u përgjigjur lidhur me ankesat bullgare për shkeljen e të drejtave të bullgarëve dhe pamundësisë së tyre për ta kultivuar dhe shprehur identitetin e tyre deklaroi se “organizatat qytetare duhet të takohen dhe të kërkojnë nga këshillat regjistrues të shtojnë një rubrikë për regjistrimin e bullgarëve”. Bullgaria deri tani ka ndarë me mijëra pasaporta bullgare në Maqedoninë Lindore duke mos përjashtuar as ish zyrtarë qeveritarë të Maqedonisë. Sipas një të dhëne, të vitit 2006, në gazetën maqedonase “Veçer” thuhet se që nga viti 1990 e deri në nëntor të 2006, 10 198 maqedonas kanë marrë pasaporta bullgare. Sipas të dhënave zyrtare të prezentuara në tetor të vitit të kaluar në parlamentin bullgar, në periudhën prej janarit 2010 deri në tetor 2020 janë ndarë gjithsejt 66 mijë shtetësi bullgare për shtetas maqedonasë.
Epilog
Në Maqedoninë e Veriut të gjithë flasin për numrin e shqiptarëve e askush nuk flet për numrin e të tjerëve në këtë shtet. Çka do që të kishte ndodhur me numrin e përgjithshëm të popullsisë, do të kishte prekur të gjitha grupet etnike në këtë vend. Pra, nëse kanë emigruar shqiptarët, kjo nuk do të thotë se nuk kanë emigruar edhe maqedonasit, turqit, serbët, etj. Nëse është zvogëluar numri i shqiptarëve si pasojë e emigrimit, kjo s’do të thotë se nuk është zvogëluar edhe numri i të tjerëve në këtë vend.
Parashikimi i parë, lidhet me numrin e përgjithshëm të popullsisë, i cili, sipas të gjitha parametrave matëse, pritet të jetë diku rreth 1 milionë e gjysmë. Vitin e kaluar vetë drejtori i Entit shtetëror të statistikave pati deklaruar se: “Kam frikë se nuk ka më shumë se 1.5. milionë banorë në shtet, por këtë nuk mund ta vërtetoj”.
Megjithatë, ky regjistrim mund të mos e shpërfaqë të vërtetën demografike dhe pabarazinë e mohuar sistematike mbi të cilën rri ulur këmbëkryq ky shtet, por një gjë është e vërtetë, ai nuk do të nxjerrë numër më të vogël të shqiptarëve, sepse pikërisht te shqiptaret të gjithë treguesit e matshëm janë rritës.
Mbarëvajtja dhe rezultatet e regjistrimit mund të sjellin dy skenare të mundshme, si vijon:
- Në skenarin më të mirë, pra në qoftë se procesi i regjistrimit përshkohet nga respektimi i rregullave dhe parimeve të pranuara botërisht për të kryerjen e këtij procesi, rezultatet e regjistrimit pritet që të shpërfaqin një realitet krejtësisht të ri e të mohuar për një kohë të gjatë.
Çështja problemore atëherë do të ishte, duke marrë për bazë argumentimin më lart, se ky realitet i ri duhet të përligjet dhe të sanksionohet edhe juridikisht, pra që në aktin më të lartë juridik, kushtetutën e vendit, e cila është po ashtu pjesë thelbësore e problemit të këtij shteti, duke e shfuqizuar burimin e të gjitha marrëzive që rrjedhin nga koncepti non sens i popullit 20%.
- Në skenarin më të keq mund të ndodhin dy variante edhe atë: OBRM-PDUKM të mos i njohë rezultatet e regjistrimit dhe të propozojë një datë tjetër të mbajtjes së tij, që do të kishte ndërlikime brenda dhe jashtë në aspektin e legjitimitetit institucional, ose rezultatet e dala na regjistrimi të jenë si pasojë e ndonjë manipulimi sistematik të krijuar dhe zbatuar me vite që formalisht të ulin numrin e shqiptarëve. Kjo e fundit, do t’i elektrizonte dhe zhgënjente ata, kurse veprimet për të ardhmen askush nuk do të mundte t’i parashikonte.
Në të dy skenarët e paraqitur më lart, shqiptarët duhet të veprojnë me një zë, të ofrojnë alternativat, rrugëzgjidhjet dhe strategjinë e ardhshme. Partitë politike shqiptare, dhe jo vetëm ato, por edhe universitetet shqiptare, OJQ-të, mediat, sektori privat dhe inteligjencia duhet të mobilizohen, që t'i paraprijnë procesit.
Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut duhet:
- Të krijojë mekanizma që nuk do të lejojnë që procesi i regjistrimit të zhvillohet pa përfshirjen e plotë të ekspertizës dhe politikës shqiptare që në fillim e deri në përfundimin e regjistrimit;
- Të bëjë fushatë për të promovuar rëndësinë e regjistrimit të popullsisë shqiptare si një proces shumë i rëndësishëm dhe historik i shqiptarëve;
- Të krijojë debat gjithpërfshirës, ku nuk do të diskutohet vetëm për regjistrimin e shqiptarëve, por të diskutohet si një proces i përgjithshëm shoqëror, ku shqiptarët janë faktor kyç.
Po ashtu, ata duhet të jenë të përgatitur për të dy situatat:
- Në rast se rezultatet nuk janë në përputhje me projeksionet e tyre dhe treguesit e institucioneve të tjera të cilat janë paraqitur më lart në këtë artikull; apo edhe në rastin e kundërt, pra,
- Në qoftë se këto projeksione e evidenca dalin të vërtetuara.
Ndodhemi, pra përpara një procesi kombëtar historik dhe kemi nevojë për qasje policentrike e fushëveprim shumëvektorësh që do t'i përfshijnë të gjithë aktorët e shoqërisë sonë. Ashtu siç kemi nevojë për vigjilencë, unitet dhe një strategji bashkëkohore për të ardhmen tonë dhe brezave që do të lëmë pas.
---
Shënim:
Tabela 1 dhe 2 janë marrë nga Profesor I. Zeqiri, tabela 3 dhe 4 dhe figura 3 janë marrë nga Enti Shtetëror i Statistikave, ndërkaq figura 1 dhe 2 janë krijuar nga autorët e këtij teksti nga të dhënat zyrtare të marra nga Enti statistikor.
© 2021 PanAlbanica.
Të gjitha të drejtat autoriale janë në pronësi të PanAlbanica-s. Lejohet ribotimi i materialeve vetëm duke cituar burimin.
Vaj Lahute
Valdeta Dulahi

Mefshtësia epike kundruall teksteve shkollore
Vjollcë Berisha
“Në kohëra tensionesh të dhimbshme dhe kur je i lënduar, zgjidh luftën: ajo të bën të fortë dhe të formon muskujt” thotë Niçe te “Shndërrimi i të gjitha vlerave”. Mu të kundërtën e asaj që bëjmë ne si shoqëri edhe në kohën kur na sulmohet më e shenjta, edhe kur na pështyhet në etni, kulturë, trashëgimi e qenie. Ne zgjedhim rrugën e heshtjes, pritjes se mos gjërat rregullohen vetvetiu përmes pozimit të një pushtetari para kamerave apo përmes komenteve në rrjetet sociale. Të luftosh do të thotë të mos lëshosh pe me lehtësi, pa sakrifikuar qetësinë tënde a karrigen komode, pa i shkuar problemit në fund. Të luftosh nuk ka vetëm kuptimin e parë të fjalës, atë të ngritjes së armëve, të ndeshjes me dhunë. Të luftosh do të thotë edhe të përpiqesh me këmbëngulësi. Po kështu e shpjegon edhe Fjalori i shqipes së sotme kuptimin numër dy të kësaj fjale (fjalës luftë), ku thuhet: përpjekje këmbëngulëse dhe e pandërprerë për t’ia arritur një qëllimi. Po ku vajti përpjekja jonë? Kush e ndalon shoqërinë të mos jetë këmbëngulëse në kërkesat parësore? Edhe më keq, si ndodhi që u hesht para rrënimit total të arsimit, të dinjitetit të mësuesit, madje edhe të mësuesit vetë? Përveç një sëre shembujsh që mund të sillen për këtë rënie e që do të jenë pjesë e ndonjë shkrimi të radhës, dua të ndalem te njëri nga produktet e kësaj rënieje: lejimi, shurdhëria e mefshtësia kundruall teksteve tona shkollore, përkatësisht teksteve me të cilët mësojnë në radhë të parë nxënësit shqiptarë e më pas, në disa lëndë, edhe ata maqedonas.
Janë pesë segmente që mund të trajtohen si brejtësit kryesorë të tekstit shkollor e që në të vërtetë janë edhe pasqyrë e mirëfilltë e bjerrjes së arsimit të një vendi. Duke filluar që nga përgatitja e dobët e librave, si në aspektin shkencor, ashtu edhe në atë gjuhësor e grafik, mungesa e logjikës në domosdoshmërinë e përkthimit të teksteve shkollore, përkthimi nga njerëz jo kompetentë, mungesa e një redaksie të mirëfilltë të rishikimit të tyre e deri te fyerjet sistematike dhe heshtja e madhe në të gjitha nivelet: nga përkthyesi, te redaktori, mësuesi, prindi, media e qeveria.
E para, të servosh libra me gabime gjuhësore për nxënësit e tu, të cilët, siç e shenjon edhe vetë emri, janë aty për të nxënë prej teje, është krimi i parë që i bëhet shkollës nga mosvëmendja, nga mediokriteti, nga të mosqenit kombi në radhën e parë të angazhimit institucional, politik e individual. Këto gabime fatkeqësisht mund të shihen në pothuajse të gjitha librat e shkollës, në të gjitha nivelet, në të gjitha lëndët. Nuk do ndonjë vëmendje a dije e veçantë për t’i skuqur ato si hartimet e shkollës fillore të nxënësve më të dobët e për t’ua paraqitur shkarjet gramatikore, gabimet drejtshkrimore “me brirë” e krejtësisht të patolerueshme. Nuk do ndonjë njohës të veçantë gjuhe për të vënë re se si ato tekste flasin shqip me një logjikë që s’është fare e shqipes, që tingëllon e huaj e që krijon vështirësi në të kuptuarit e tyre edhe për vetë pedagogët. Kjo sintaksë e përçudnuar, përveç që e cungon lehtësinë e të nxënit të informacionit, e rrënon edhe sintaksën e bukur shqipe në kokat e atyre fëmijëve të mitur, ose, siç do të thoshte Kadareja, kështjellën me beden të fortë, që asnjë pushtues s’e rrafshoi dot.
Është tepër i rëndësishëm ky segment. Për ç’përpjekje gjuhësore mund të flasim nëse lejojmë të goditemi mu këtu? Për ç’zyrtarizim shqipeje do të mburremi kur edhe gjatë s’do të mundemi të ndreqim atë faj që prishet mu këtu te palca e fëmijëve tanë, te libri shkollor, te gjuha e çalë me të cilën është shkruar ai? Për ç’shkollë moderne mund të angazhohemi nëse i kemi bërë fëmijët tanë të mësojnë nga tekste me gabime gjuhësore? Nëse ua kemi ndalë çezmën kryesore që mbush govatat e formimit të tyre gjuhësor. Tekstet e shkollës fillore janë baza e formimit gjuhësor të fëmijës. Kështu të paktën e thonë psikologët. Për cilën gjuhë amtare do bëjmë sikur po rrimë gatitu? Në emër të cilës kulturë kombëtare, të cilës ardhmëri do t’i marrim votat e do të projektojmë shtete?!
E dyta, të botosh libra me shtrembërime të dukshme faktesh, me gabime profesionale, me aparate pedagogjike tërësisht joefikase është fyerja tjetër e patejkalueshme e cilësdo shkollë e cilësdo etni. Botimi i teksteve me pasaktësi shkencore dhe pastaj heshtja për to, mosreagimi institucional, mospërpjekja këmbëngulëse për t’i ndaluar këto krime, janë shenjat në dritë të diellit të erozionit arsimor të vendit, erozion ky që e heq zvarrë tërë shoqërinë, e cila pastaj s’ka si të rrijë në këmbët e veta. E raste të mësimit nga këta libra kemi shumë. Pothuajse në secilin vit shkollor individë të ndryshëm (sic!), prindër a ndonjë mësues, kanë hedhur në rrjete sociale shtrembërime të këtilla eklatante që godasin fëmijën e shkollën tonë dhe pastaj prapë jemi dëshmitarë të dy-tre statuseve reaguese dhe në rastin më të mirë, të ndonjë konference për shtyp dhënë nga ministri shqiptar i Arsimit. Pas krejt kësaj prapë heshtje, prapë shurdhësi prej bore.
E treta, krijimi i politikave të mirëfillta arsimore është problemi qenësor në Maqedoninë e Veriut, sidomos i asaj pjese që lidhet me arsimin në gjuhën shqipe. Botimi i teksteve shkollore kaq fyese e degraduese për shqiptarët është vetëm pasoja numër një e mosvëmendjes institucionale dhe dështimit arsimor. Që nga përcaktimi ligjor për dorëzim të teksteve shkollore në gjuhën maqedone (për rrjedhojë edhe nga autorë maqedonas) të shumicës së lëndëve mësimore, do të thotë t’u hapësh rrugë problemeve të njëpasnjëshme që në radhë të parë e diskriminojnë dijetarin shqiptar dhe së dyti e pozicionojnë që në fillesë si të rangut të dytë vetë nxënësin shqiptar. Ende pa i parë lëshimet gjuhësore, shtrembërimet e qëllimshme të fakteve historike e shkencore, vetëm ideja e të përpiluarit të teksteve nga grupe autorësh maqedonas, ndërkohë që kuadrot shqiptare janë në përgatitjen e duhur profesionale e njerëzore të përpilimit të teksteve shkollore (madje te kjo e dyta tepër më të mirë e të pakrahasueshëm me autorët që shkruajnë tekste fyese për qenësinë e nxënësve të cilëve u drejtohen) është tepër jashtë logjike, sikurse është edhe matrica themeltare e prodhimit të stereotipeve, paragjykimeve e madje edhe të gjuhës së urrejtjes, të cilën deklarativisht mëton ta luftojë ky shtet.
Ky hartim tekstesh i palogjikshëm e që do të duhej të ishte i papranueshëm në cilëndo lëndë mësimore, e sidomos në lëndët që lidhen me gjeografinë, historinë, muzikën, qytetërimin e një kombi, është prodhuesi i një sërë problemesh në vend. Për të qenë të harmonizuar, meqë bëhet fjalë për arsimin e të njëjtit shtet, mjafton të harmonizohen programet mësimore. Tekstet, sikurse orët e mësimit, duhet të jenë të ndryshme dhe të bëhen nga ekspertë të fushave përkatëse të të dy etnive, shqiptarët për nxënësit e vet dhe maqedonasit për të vetët.
E katërta, përkthyesit dhe redaksia tërësisht jo profesionale janë problem i radhës që i bëjnë skandaloze këto tekste mësimore. Është turp i llojit të vet që për përkthimin e librave që s’do të duhej të ishin të përkthyer nuk angazhohen njohës të mirë të të dy gjuhëve, pasi, sikurse dihet, gjatë përkthimit njohja e mirë e gjuhës në të cilën përkthehet është ku e ku më e rëndësishme edhe se vetë njohja e gjuhës nga e cila përkthehet. Ky kriter është tërësisht i anashkaluar në tekstet tona. Po ashtu i anashkaluar, i papërfillshëm është procesi i rishikimit të tekstit nga grupe recensentësh. Një nga hallkat kryesore të botimit të çfarëdolloj libri në një vend normal është pikërisht rishikimi, ku përfshihen proceset e redaktimit dhe recensimit, fjalë që tani janë bërë vetëm pjesë formale që plotësojnë faqen e tretë të librave që botohen në mjediset tona kulturore e, për të qenë ende më e dhimbshme, edhe në ato arsimore. Pa këtë filtër të mirëfilltë që ne e kemi bjerrë qëmoti si shoqëri, nuk botohet as një shkrim i thjeshtë gazete ditore, e jo më libra famëmëdhenj kulture e, na ruaj Zot, edhe tekste shkollore!
Fyerja parësore ndaj nxënësit shqiptar, ndaj mësuesit shqiptar, ndaj shkollës shqipe zë fill te këto lëshime, te këto pakujdesi dashakeqe e për t’u trashur pastaj te fyerjet e mëdha që na bëhen. Edhe po të mos ishin fyerjet, mjafton vetëm fakti që përbuzen autorët tanë të teksteve, që shkruhet shqipja më e keqe e mundshme në tekstet mësimore të fëmijëve tanë, që librat tanë nuk kalojnë në asnjë filtër të denjë të redaktimit shkencor e gjuhësor, që botimi i librit shkollor është shndërruar në tregti votash dhe grykësi parash të majme, që librat tanë kanë një pamje grafike refuzuese edhe për fëmijët e ndonjë qytetërimi tejet të prapambetur, që libri dergjet nga cilësia më e dobët e mundshme shkaktuar nga lufta për sa më shumë përfitime materiale etj.
Çdo qëllim që mund të arrihet vetëm me përdorim të mjeteve të këqija duhet t’i hapë rrugën një qëllimi më themelor. Fyerja për të cilën po buçasin mediet sot është vetëm kapaku, është pjesa më e dhimbshme e fyerjes sistematike dhe institucionale që i bëhet shqiptarit përditë në këtë vend.
E pesta, nuk bëhet fjalë për ndonjë hamendje që mund t’i shkaktojë shkollarit tonë faqja 99 e librit të gjeografisë (Vini vetëm re dizajnin e kopertinës!). Ajo vetëm sa e tëhuajëson ndaj çdo gjëje që institucionalisht i ofrohet në këtë shtet, i krijon rezistencë, apati deri në mosdurim. Ai është mësuar edhe më herët të lexojë fyerje e të ndiejë goditje ndaj etnisë së tij. Ai s’lëkundet. Ai nuk ka komplekse identiteti. Ai ka parë sulme të këtilla nga Akademia e shkencave, nga enciklopeditë, nga tekstet universitare. Atë nuk e ngatërrojnë. Ai e ka të qartë prejardhjen e qenies së vet, kufijtë e kombit të vet, lashtësinë, gjenetikën, gjuhën, laryshinë fetare etj. Ai vetëm sa thyhet nga mosdurimi. Bashkëjetesa do të duhej të thoshte tolerancë, falje, tejkalim. Atij askush s’ia mëson këtë. Tekstet fyese e bëjnë me gjemba. E detyrojnë të mbrohet. Ia kujtojnë gjyshen që thotë uthulla e sertë e then qypin e vet. Edhe diçka tjetër thoshte gjyshja me ujkun dhe qimen. Atij i kujtohet mirë. Nxënësit shqiptar s’i hap asnjë dilemë ky libër, kjo urrejtje. Po si ia bëjnë me të vetët? Si e helmojnë një brez të tërë fëmijësh? Të mësosh nga një tekst racist që ka për qëllim përuljen dhe fyerjen etnike s’i bën nder kurrkujt. Kjo shëmti shkon përtej fyerjes. Shndërrohet në dhunë psikologjike që reflekton te të dy palët përderisa kanë vendosur të jetojnë së bashku. Kur autorët maqedonas e shkruajnë këtë të pavërtetë për shqiptarët e godasin të vetin me padituri, me informacion të gabueshëm. E tërheqin në një amulli për gjithçka që ka përreth, e zvogëlojnë botën e fëmijës së shkretë, i cili edhe ashtu është në zgrip pikëpyetjesh që ia servojnë pa mëshirë lajmet përditë.
Ky vegim donkishotesk për ta turbulluar identitetin e qartë të tjetrit, këto goditje burracake janë vetërrahje për autorët e teksteve dhe për ata që e kanë lejuar përdorimin e tij me vite, e kanë botuar e ribotuar (libri që qarkullon në mediet tona e mban me mburrje fjalën botimi i gjashtë), me të tëra dobësitë, larg nga të qenët libër shkollor i një brezi të fortë që po e sfidon edhe shkollën vetë.
Dhe krejt kjo mu në hundët e ministrave shqiptarë të arsimit, mu në hundët e një numri tepër të madh drejtorësh të kollarisur shkollash, para një numri të madh prindërish, në mesin e të cilëve gëlojnë profesorët universitarë, mu në hundët e mësuesve që presin vendimin e punës apo që mezi ia kanë dalë ta sigurojnë, mu në hundët e një populli të tërë që ka harruar se të jesh i lirë do të thotë të parin ta kesh dinjitetin.
© 2021 PanAlbanica.
Të gjitha të drejtat autoriale janë në pronësi të PanAlbanica-s. Lejohet ribotimi i materialeve vetëm duke cituar burimin.
Haga - një mekanizëm djallëzor
Në vijim po botojmë një reagim të historianit të njohur francez Serzh Mete (Serge Métais) lidhur me procesin gjyqësor kundër UÇK-së në Hagë dhe intervistën e tij lidhur me këtë çështje, të botuara në Mediapart në Francë. Serzh Mete është autor i librit "Histoire des Albanais. Des Illyriens à l’indépendance du Kosovo" (Histori e shqiptarëve. Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës) të botuar në Francë në vitin 2006 nga shtëpia botuese Fayard.

Gjykata e Posaçme për Kosovën i hodhi poshtë së fundmi kërkesat për lirim me kusht për Hashim Thaçin e të bashkakuzuarit e tij. Në stadin e sotëm, vendosmëria që ajo po tregon është shqetësuese. Ka rrezik që mekanizmi gjyqësor i ngritur në Hagë të shndërrohet së shpejti në mekanizëm djallëzor. A ka ende kohë për ta ndalur? Sado që mund të duket e çuditshme, përgjigja është se po. Gjykatën e Posaçme e ka krijuar Kuvendi i Kosovës dhe po ai mund të vendosë për fatin e saj: Çka është bërë me ligj mund të zhbëhet me ligj. Ky kuvend e ka në dorë që ta rikthejë procesin në Prishtinë.
Për ta kuptuar më mirë këtë sfidë, është e udhës të saktësojmë që Gjykata e Posaçme për Kosovën nuk është një gjykatë penale ndërkombëtare:
- Ajo nuk është krijuar përmes ndonjë rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si në rastin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GjPNJ), e cila ishte e detyrueshme për të gjithë qytetarët e shteteve të dala nga Jugosllavia (Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi);
- Ajo nuk është krijuar as përmes ndonjë traktati ndërkombëtar si në rastin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN), e cila bazohet në një traktat të quajtur “Statuti i Romës” e të hyrë në fuqi më 2002. Ajo ka për detyrë të gjykojë personat e akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit ose gjenocid dhe është sot i vetmi juridiksion penal ndërkombëtar i përhershëm dhe me prirje të përbotshme .
Gjykata e Posaçme është krijuar, në fakt, vetëm nëpërmjet ligjit të votuar nga Kuvendi i Kosovës më 2015 (nenit 162 të Kushtetutës dhe Ligjit nr. 05/L-053 “për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”). Ajo është pra një institucion gjyqësor i Republikës së Kosovës... i zhvendosur në Hagë.
Kjo krijesë shumë origjinale shpjegohet vetëm me emocionet që ngjalli raporti Marty, i miratuar në mënyrë masive nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në janar 2011. Pretendimet për trafik organesh njerëzore, që përmbante raporti, ishin me natyrë tejet çnderuese për rezistencën shqiptare: disa robërve serbë u qenkëshin hequr organe të cilat qenkëshin “eksportuar” pastaj përmes aeroportit të Tiranës për t’ua vendosur pritësve jashtë shtetit. Raporti hedh mendimin se kjo paskësh ndodhur me qindra herë. Krimi qenkësh i përbindshëm. Shumë tmerre ishin parë tashmë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, si masakra e Srebenicës, e kryer nga serbët dhe e cilësuar si gjenocid nga GjPNJ-ja. Mirëpo kësaj radhe do të shihnim që edhe shqiptarët nuk mbetkëshin prapa në punë tmerri: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) paskësh bërë tregti fitimprurëse me organe të marra nga robër serbë!
Raporti ishte, në të vërtetë, produkti i një prej operacioneve më të suksesshme të dezinformimit që prej shembjes së regjimeve komuniste. I kurdisur prej shërbimeve të fshehta serbe, ai mori një mbështetje vendimtare nga ana e shërbimeve ruse. Te një i zgjedhur zviceran, Dick Marty, ai gjeti një idiot të dobishëm mjaft efikas . Raporti i tij është një përmbledhje e hartuar me dhelpëri duke u nisur nga shënimet e shërbimeve të fshehta serbe si edhe nga dosjet e akuzave të GjPNJ-së ose të gjykatave të Kosovës. Pak rëndësi kishte që ato dosje nuk kishin të bënin fare me trafik organesh njerëzore. I gjithë raporti Marty luan në thelb me sugjerimin, insinuatën ose probabilitetin.
Emocionet që ngjalli ky raport i shtynë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të krijonin, në shtator 2011, një “Grup Pune të Posaçëm Hetimor” (Special Investigative Task Force). U ra dakord për të caktuar në krye të tij në prokuror amerikan, Clint Williamson. Në maj 2012, Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj për bashkëpunimin me këtë grup pune, çka i dha mundësi këtij të fundit të kryente një hetim penal të pavarur rreth pretendimeve që përmbante raporti.
Më 29 korrik 2014, pas më shumë se dy vjet hetimi, prokurori Williamson, gjatë një konference për shtyp në Bruksel, deklaroi që trafiku i organeve nuk mund të vërtetohej veçse në “më pak se dhjetë raste”. Ai shtoi: “Të ekzagjerohen shifrat ose të thuhet se çdo serb i vrarë apo i shpallur i zhdukur qenka bërë objekt i ndonjë heqjeje organesh nuk i shërben kurrfarë interesi, por vetëm sa shton dëshpërimin e familjeve të personave të humbur, sepse nuk ka asnjë provë të vetme”.
Si nata me ditën në krahasim me ato qindra raste që sugjeronte raporti Marty! Dhe, domethënia e fjalëve “më pak se dhjetë” mund të ishte fare “zero”. Mirëpo edhe kaq mjaftonte që aleatët amerikanë dhe evropianë të ndiheshin të detyruar që të ushtronin një trysni miqësore mbi udhëheqësit e Kosovës: këta duhej të votonin përmes Kuvendit të tyre një ligj për krijimin e Gjykatës së Posaçme.
Mes klasës politike kosovare debati qe i dhimbshëm, sepse thjesht ideja që të votohej për krijimin e një gjykate të posaçme ishte e padurueshme. Por mesazhi që po u jepej ishte i qartë: ose votoni ligjin e tregoni që nuk keni pse të trembeni lidhur me trafikun e organeve, ose mos pranoni dhe do të konsiderohet se jeni fajtorë për krimet e urryera që pretendohen në raportin Marty. Më në fund, me mbështetjen e pikërisht këtyre udhëheqësve që sot ndodhen të burgosur në Hagë, ligji për krijimin e Gjykatës së Posaçme u votua në Kuvendin e Kosovës me një shumicë prej dy të tretash.
Pikërisht kjo gjykatë e ka prodhuar aktakuzën kundër Hashim Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të lartë të UÇK-së, të bërë publike më 4 nëntorin e kaluar . Një aktakuzë tek e cila nuk gjen dot absolutisht asgjë lidhur me pretendime për trafik organesh.
Vërtetohet kështu plotësisht që udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe amerikanët janë mashtruar keqas nga një operacion dezinformimi të përmasave të mëdha. Por, prapëseprapë, suksesi i këtij batakçillëku mbetet i plotë.
Ai qëndron në vetë ekzistencën e Gjykatës së Posaçme. Si edhe në një aktakuzë që, ndonëse nuk përmban asgjë lidhur me trafiqe të pretenduara organesh, mund të çojë megjithatë në dënime shumë të rënda. Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së, sot të burgosur në Hagë, akuzohen në fakt se paskan krijuar një “sipërmarrje të përbashkët kriminale”. Sipas aktakuzës, ata “ngarkohen secili personalisht me përgjegjësi penale” për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga kjo sipërmarrje gjatë luftës, më 1998-1999, dhe në vitin 2000. Aktakuza as që do t’ia dijë fare se ata vetë nuk paskan qenë veprues të drejtpërdrejtë të atyre krimeve, as se një pjesë e atyre krimeve qenkan gjykuar tashmë në suazë të disa juridiksioneve të tjera, GjPNJ-së apo gjykatave të Kosovës. Ajo që paraqitet si një “sipërmarrje kriminale” është organizata e Rezistencës, kurse ata që shihen si penalisht përgjegjës për krime që ajo paskësh kryer janë ish-udhëheqësit e saj.
E gjithë kjo është e papranueshme. Është e papranueshme, jo sepse krimet e pretenduara në aktakuzë – keqtrajtim ndaj robërve, akte torture, ekzekutime pa gjyq, vrasje “tradhtarësh”, “bashkëpunëtorësh me armikun” apo kundërshtarësh politikë të hamendësuar – nuk paska sesi të jenë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nuk u dashkan gjykuar. E papranueshme ajo është për dy arsye thelbësore.
E para është se ekzistenca e Gjykatës së Posaçme në Hagë nuk përligjet dot përveçse me pretendimet për trafik organesh nga ana e raportit Marty. Mungesa në aktakuzë e trafikut të organeve e bën këtë gjykatë të papërligjur.
Arsyeja e dytë është se, duke gjykuar në Hagë, do të bëhej një padrejtësi. Gjykimi në Hagë do të nënkuptonte, faktikisht, që t’i jepet Gjykatës së Posaçme një status të cilin ajo nuk e ka: atë të një gjykate penale ndërkombëtare. Mirëpo, në një gjykatë të tillë, nuk do të mund të gjykoheshin krimet e kryera nga Rezistenca shqiptare pa u gjykuar aty gjithashtu edhe krimet e kryera nga forcat e sigurisë, ushtria dhe paraushtarakët serbë në Kosovë. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që ata kanë kryer janë mjaft të shumta, masive dhe të dokumentuara mirë. Lënda nuk mungon aspak për të ngritur një dosje akuze, madje edhe për krim gjenocidi. Sidomos tani, njëzet vjet pas përfundimit të luftës, kur gati një mijë trupa shqiptarësh të Kosovës, të zhdukur në vitet 1998-1999, janë zbuluar në disa varre masive në Serbi, dhe kur së fundmi janë gjetur përsëri trupa të tjerë në një minierë kripe në afërsi të Rashkës. Në qoftë se do të gjykohej vetëm njëra nga palët – ajo e sulmuara, Rezistenca – dhe nuk do të gjykohej pala tjetër – ajo agresore, fuqia pushtuese –, atëherë do të bëhej një padrejtësi. Do të shkelej parimi i trajtimit të barabartë mes palëve, të cilin duhet ta respektojë çdo gjykatë penale ndërkombëtare.
Për këto arsye, por edhe për të ndalur atë që po shfaqet gjithnjë e më shumë si një mekanizëm djallëzor, duhet të merret një vendim: të mbyllet Gjykata e Posaçme dhe të transferohet dosja e akuzës në Kosovë. Këtë vendim, Kuvendi i Kosovës mund ta marrë. Nuk do të ishte fare fjala për të ndërprerë një procedurë gjyqësore. Thjesht, procesi që duhej të zhvendosej në Hagë, do të rikthehej në Prishtinë.
E mira do të ishte që nismën për këtë ta marrë Bashkimi Evropian. Ai mund të konsiderojë që përligjet një kërkesë për transferim të dosjes së akuzës drejt gjykatave të zakonshme të Kosovës. Këtë mund ta bëjë përpara se Kuvendi i Kosovës të shprehet vetë dhe të shkaktojë një krizë me aleatët e tij evropianë e amerikanë.
Të pranohet që procesi të mbahet në Hagë do të ishte një padrejtësi (shkelje e parimit të trajtimit të barabartë të palëve në konflikt). Për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kjo do të ishte njëlloj sikur ata të vazhdonin të pranonin që t’i tërhiqnin nga hunda. Mbyllja e kësaj gjykate të posaçme do të ishte gjithashtu më i pakti ndër sanksionet që meritojnë autorët e këtij mashtrimi të madh.
***
INTERVISTË
Për çfarë e keni saktësisht fjalën kur flisni për “mekanizëm gjyqësor” i cili mund t’u shndërrohet në “mekanizëm djallëzor”?
Mekanizëm djallëzor unë quaj një gjykatë të posaçme që mund të katandiset të veprojë me gjaknxehtësi, me teprime, me pushtet të pakufizuar, me humbje të sensit të masës.
I tillë do të ishte, për t’i thënë gjërat më shkoqur, një dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit. E gjitha kjo është e mundshme, në bazë të një aktakuze që konsideron se ata kanë ngritur e drejtuar një “sipërmarrje të përbashkët kriminale” (UÇK-në?), fajtore për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mospranimi për t’u dhënë të akuzuarve lirimin me kusht më duket se nuk ndjell asgjë të mirë.
Pse doni që të mbyllet Gjykata e Posaçme?
Më duket se e kam parashtruar qartë qëndrimin tim në artikullin që kam shkruar. Ka dy arsye thelbësore:
Së pari, mungesa e pretendimeve për trafik organesh, në aktakuzë, bën që Gjykata e Posaçme ta ketë humbur tashmë çdolloj legjitimiteti.
Së dyti, një proces në Hagë i jep faktikisht kësaj gjykate të posaçme një status të cilin ajo nuk ka sesi ta mëtojë, statusin e një gjykate penale ndërkombëtare. Mirëpo është e paimagjinueshme që, në një gjykatë penale ndërkombëtare, të gjykohet vetëm njëra nga palët në konflikt. Në qoftë se gjykohet vetëm pala shqiptare, pa u gjykuar pala serbe, do të kishte një prishje të barazisë së trajtimit ndërmjet palëve. Kjo do të ishte një padrejtësi e kulluar.
Personeli i Gjykatës së Posaçme (gjyqtarë e prokurorë) është ndërkombëtar. Ndërkohë, ju keni mendimin që mbyllja e kësaj gjykate mund të vendoset nga Kuvendi i Kosovës. A e ka ky vërtet këtë kompetencë?
Gjykata e Posaçme nuk është krijuar përmes ndonjë rezolute të Kombeve të Bashkuara. Ajo nuk është ngritur as nëpërmjet ndonjë traktati mes shtetesh.
Ajo është një institucion i Republikës së Kosovës. Është krijuar me një ligj të votuar nga Kuvendi i Kosovës. Gjithçka që është e bërë me ligj, mund të zhbëhet me ligj.
Nuk ka asnjë mekanizëm institucional mbishtetëror që të mund ta pengojë shkrirjen e Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së akuzës te gjykatat e Kosovës, në Prishtinë. Dhe kjo, që nga momenti në të cilin Kuvendi i Kosovës do të votonte një ligj në këtë drejtim.
A nuk keni frikë se kjo gjë mund të shkaktojë një krizë midis Kosovës dhe aleatëve të saj, evropianë dhe amerikanë?
Sigurisht, kriza do të ishte serioze.
Idealja do të kishte qenë që nisma të vijë nga vetë amerikanët ose evropianët të cilët ranë në kurthin e mashtrimit të madh të raportit Marty. Por nuk duhet të kemi iluzione: ka fare pak gjasa që ata ta ndërmarrin vetë hapin e parë.
Kuvendi i Kosovës mund të veprojë në dy faza:
- Si fillim, ai mund të votojë thjesht një rezolutë ku të merret në konsideratë mungesa e pretendimeve për trafik organesh në dosjen e akuzës. Dhe mjafton që kjo rezolutë të vendosë ngritjen e një komisioni të ngarkuar me hartimin e një projektligji për shkrirjen e Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së akuzës në Kosovë.
- Vetëm në një fazë të dytë, Kuvendi mund ta votojë pastaj ligjin që do ta zhbënte atë që është bërë me ligjin e vitit 2015.
Ndërkohë, kriza do të ishte hapur me aleatët. Ajo do të jepte rastin për një debat rreth mashtrimit të madh pjellë e të cilit është Gjykata e Posaçme, rastin për të rikujtuar kushtet tejet të veçanta në të cilat u ngrit kjo gjykatë, e kështu me radhë.
Kuptohet vetvetiu që kriza e çelur përmes votimit të rezolutës duhet të çojë në negociata me aleatët. Projektligji që do të votohej më pas mund të shfaqet atëherë si fryt i një marrëveshjeje.
A mendoni ju që do të mund të gjykohen ndonjëherë në Hagë krimet e kryera nga serbët në Kosovë?
Jo. Krimet e kryera nga ushtria, forcat e sigurisë dhe paraushtarakët serbë gjatë luftës së viteve 1998-1999 nuk mund të gjykohen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, sepse kjo është krijuar vetëm në vitin 2002 dhe kompetencat e saj nuk janë prapavepruese. Madje, gjykimi i këtyre krimeve nuk është as në kompetencën e Gjykatës së Posaçme për Kosovën.
Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimi i gjenocidit të kryera nga serbët në Kosovë nuk do të gjykohen pra kurrë në Hagë. Nëse ato do të gjykohen ndonjëherë, kjo mund të ndodhë vetëm në suazën e gjykatave të Serbisë ose të Kosovës.
Pikërisht edhe për këtë arsye, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit për të cilat akuzohen sot udhëheqësit e UÇK-së do të duhej të gjykohen në Prishtinë. Për sa kohë që ndaj tyre nuk është ngritur kurrfarë akuze lidhur me trafik organesh, nuk mund të ketë asnjë justifikim që procesi i tyre të jetë i zhvendosur në Hagë.
Shkrimi dhe intervista u përkthyen nga frëngjishtja në shqip nga Arben Leskaj.
Dosja satanike
Resmi Osmani
Refleksione për tregimin ”Në strofullën e djajve” nga Agim Vinca.
Profesor Agim Vinca, i mirënjohur, që ka bërë emër më së shumti si poet, pedagog, studiues i letërsisë, eseist dhe publicist, vjen para lexuesve me një libër të ri, këtë herë në prozë, me titull “Konkubina”, botuar nga “Syth” në Tetovë. Pati mirësinë të ma dërgojë në Tiranë. Janë përfshirë në të 15 tregime të shkurtra, kryesisht mbresa, kujtime dhe ndodhi nga jeta e autorit, rrëfyer në vetë të parë. Janë krijime mjeshtërore, të shkruara thjesht, ku shpaloset talenti, arti, filozofia dhe mendimi i dijetarit për dukuritë mbresëlënëse e të pashlyera të jetës.

Në këtë libër, veç të tjerash, më bënë të ndalem dhe t’i rilexoj dy tregim-rrëfime ”Në strofullën e djajve” dhe ”Një luftë e vogël shqiptaro-serbe” dhe ja përse:
Ishte duke u gdhirë 28 marsi i vitit 1989. Mugëtirë. Trokitje të forta në derën e banesës së profesor Agim Vincës, që e zgjojnë nga gjumi. Hapet dera. Është policia, me shtatë agjentë që, vjen të bastisë, kur Kosova luftonte për jetë a vdekje, nën dhunën serbe, që kishte marrë përmasa të mëdha. Duheshin gjetur armiqtë, kundërshtarët, ndër ta intelektualët, që, sipas tyre, ishin frymëzuesit dhe nxitësit e “nacionalizmit”, të grevave dhe demonstratave, për ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe shpalljen e Kosovës Republikë. Ndër ta, në listat e zeza, figuronte edhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Agim Vinca. Në banesë, kërkohen objekte fajësimi, sidomos të shkruara, përmbysen librat dhe shkrimet në bibliotekë. Katrahurë. Nën kërcënim, bastiset tërë shtëpia. Përmbyset gjithçka. Sekuestrohen dhe merren me vete, fashikuj dorëshkrimesh dhe ato objekte të cilat u duken të dyshimta dhe të dobishme për hetimin, në gjetje të provave të fajësisë së supozuar. Profesor Vincës i thuhet se duhet të shkojë me ta. Merret dhunshëm e shoqërohet në komisariatin e policisë. Në strofullën e djajve. Një arrestim, por pa u delklaruar si i tillë me eufemizmin “Marrje në pyetje”. E mbyllin në një dhomë nën rojen e policit dhe kërcënimin e automatikut. Brenda mureve të ftohta, orë heshtjeje, ankthi e pritjeje torturuese, e mirëmenduar. Si parapërgatitje për atë që do të vijë në vazhdim. Më pas hyjnë e dalin agjentë. Pyetje provokuese, zhbiruese. Është një skemë inkuizicionale. Inkuizitorët nuk janë të veshur me zhgune, por me xhinse dhe xhupe lëkure. Në vend të turrës së druve, në flakët e të cilave digjej heretiku, ngrihet kërcënimi, frika për jetën. Pyetjet janë si morsa shtypëse, si garrota mesjetare spanjolle. Herezia: nacionalizmi shqiptar, nxitje e qytetarëve, punëtorëve dhe studentëve për protestat, grevat e minatorëve. Parulla ”Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Të mjaftueshme për ta prangosur e dergjur në galera. Pyetjet ndjekin njëra-tjetrën, të befasishme e kërcënuese, djallëzore deri në mërzi, shpesh absurde, të përsëritura dhe kundërthënëse, që ngrenë lakun për ta mbërthyer viktimën për fyti, për ta depersonalizuar e humbur vetëdijen, për ta mbërthyer me shpatulla për muri, që të pranojë fajësinë e supozuar e të dyshuar. Janë profesionistë, provokatorë të kualifikuar, që kanë si sistem presionin psikologjik, që ngrenë rrjetën e merimangës ku të ngecë viktima. Nuk nguten, ruajnë në dukje qetësinë, teksa në psikikën e tyre gëlon gjithçka që ta bëjë të marrurin në pyetje ta ndjejë veten të kërcënuar, të frikësuar, në zgrip të së keqes pa shpëtim, të thyhet, të gabojë, të pranojë atë që i kërkohet. Orët kalojnë. Profesori, i pagjumë, i pangrënë e pirë, i lodhur e drobitur fizikisht e shpirtërisht, i vetëm, por i qëndrueshëm, dinjitoz, i pathyer, i vendosur në të drejtën dhe pafajësinë e tij. Mos është krim të duash vendin dhe popullin tënd? Përballë e keqja, djallëzore, e sofistikuar, por me raste edhe brutale, egërshane. Hetuesit venë e vinë, ia përsërisin se ku ndodhet dhe përse ndodhet. Natyrisht, ai e di: në strofullën e djajve dhe djallëzive! Kur lodhen ndërrohen, shkojnë të hanë e të pinë. Mbrëmanet, kur përjashta ka rënë errësira, hapet dosja satanike, atje është gjithçka, jeta e tij, veprimtaria, fryt i ndjekjeve, dyshimeve, keqdashjes, spiunimeve, informatorëve (se spiunë gjenden përherë.)
Në aksh ditë e në aksh datë, ku ka qenë, me cilët është takuar, çfarë kanë biseduar, a ka qenë në Shqipëri, me kë është takuar, çfarë kanë biseduar, a e dëgjon Radio Tiranën, ç’mendim ka për propogandën që bën Qeveria Shqiptare për Jugosllavinë dhe Kosovën, a e ka lexuar librin “Titistët”… Breshëri i pyetjeve s’ka të sosur.

Të dy palët janë të lodhur, por inkuizitorët janë të dëshpëruar, i ndaluari që e marrin në pyetje qëndron burrërisht, dinjitoz, i kujdeshëm në përgjigje, që nuk bie në rrjetën provokative, sido të ngritur mjeshtërisht. U duhen fajtorë, por s’kanë ku të kapen, faktet mungojnë. Më në fund që ta thyejnë, i japin lajmin tragjik: policia ka qëlluar mbi demonstruesit, studentët, janë vrarë 22 vetë! Rrugët e Prishtinës janë larë me gjak. Lajmi është drithërues: njëzet e dy të vdekur! “Kanë qëlluar në djemtë dhe vajzat tona që kanë protestuar sot. Kanë qëlluar drejt në trupat e tyre të njomë, o Zot!”. Është një klithje shpirti, një goditje rrufeje. Hetuesi i thotë se edhe profesori është përgjegjës, ai dhe shokët e tij i kanë shpënë turmat drejt grykës së pushkëve, teksa për vetë rrinë në kolltukët e rehatshëm! Çfarë akuze kriminale, çfarë alibie djallëzore!
Kur nis e shkruan, në atë atmosferë mbytëse e rrënuese, ku i zihet fryma, autori kthehet plot një muaj pas, në Qendrën e Studentëve. Vijnë disa faqe retrospektive, si fllad lirie, me nënndarjet “Fëmijët e epokës” dhe “Në shenjë të germës V” për lëvizjen studentore në grevën që zgjati shtatë ditë e shtatë net, ku ai u ndodh mes tyre, për t’u dhënë zemër dhe për t’u thënë sa shumë i donin.
Afrohet mesnata. Ora kur fanepsen shtrigat, shtriganët dhe djajtë si në kohët e mesjetës të tragjedive shekspiriane, në kërkim të haraçit të tyre. I ofrojnë letër dhe laps, duhet të deklarojë gjithë sa u tha në përgjigjet për pyetjet e bëra. Nuk u mjafton dëshmia gojore, e duan të shkruar nga dora e tij. I tillë është protokolli!
Më në fund, agjenti hetues shqipton: ”Ja, kështu, shoku A. V…. Ki kujdes!!... Ne vendosëm të të lirojmë (nuk thotë për mungesë provash), por…..Ti e di…. Ne të marrim përsëri… Po qe se…”. Kërcënimi është i hapët: Domethënë, po qe se s’rri urtë, ne të marrim prapë, ose…. Ose… Rrugë tjetër s’ka! S’ka alternativë.
Është një rrëfim tronditës, jo fiksion, apo fantazi, por ngjarje e jetuar nga tregimtari që e dëshmon ashtu si ka ndodhur dhe përjetuar.
Tregimi duhet lexuar, për të nxjerrë mësime, sidomos nga brezi i ri i rinisë kosovare, lindur pas viteve 2000, për ta ditur dhe kuptuar se Liria e Kosovës u fitua jo vetëm me luftën dhe gjakun e dëshmorëve të UÇK-së, por edhe me përpjekjet dhe sakrificat e rinisë studentore, të minatorëve dhe intelektualëve patriotë që vunë në shërbim të çështjes së lirisë dhe të idealit kombëtar shpirtin, dijet, atdhedashurinë dhe jetën për vendin dhe popullin e tyre. Që meritojnë nderim dhe respekt.
Mbetet aktuale thirrja e Julius Fuçikut: “Njerëz ju kam dashur, jini vigjilentë”. Jo më vonë se këto ditë, presidenti serb Vuçiç, përmendi “konfliktin e ngrirë” dhe kërcënoi Kosovën me luftë.
Tregimi është një episod, një fragment, një kujtesë e asaj që ka ndodhur në Kosovë nën pushtimin serb dhe që rrëfen fytyrën e vërtetë të armiqësisë dhe egërsisë të nacionalizmit fashistoid serb.
Tiranë, më 13. 1. 2021
"Uroj që vjetin e ri ta kalojmë në gëzim"
Migjeni
Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj festë tjetër. Nuk shkruej, pse urimet që n’ato ditë tan bota ban, nuk dij a plotësohen një per qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja. Por kësaj here due të hyj në rradhen e njerëzve korrekte dhe t’u uroj shokve të mi Motmotin e Ri 1937.
- Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barren e kryqave të vet tue mundunve, as britmen e ngadhnjysve në ketë jetë. Të mos ndëgjosh bumbullimen e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos ndëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga të ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq? E gjuha në vend të dhëmballes përgjegjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohtë, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun.
-Së dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, në sentimentalizem, të puthish drrasat e dhomes e shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht). Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe pse n’anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Të jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku te rrish, ti qeshu. Në rast se s’ke zjarm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonjë ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu.
Del në rrugë bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu, qeshu, qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të të vijë në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botes vetvetja dhe do të fillojë të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smundë patalogjisht."
1937
Guximi është magma e ëndrrës
Flasim përhanshëm me Vjollcë Berishën
Nga: Xhemazije Rizvani
Vijon në PanAlbanica cikli i intervistave "Flasim përhanshëm me..." të realizuara nga Xhemazije Rizvani.
Këtë radhë ajo flet përhanshëm me poeten, pedagogen e botuesen, Vjollcë Berisha.
Ç’të bën të krahasueshme me Ofelinë?
Ofelia ime s’është shekspiriane, as vajza e refuzuar që dashuron. Ajo është Ofelia e bardhë, “fjetur” në lumë me vjollca të këputura, nën shelgun vajtues, luledele e tëra... Është Ofelia që ia ka mbathur nga një tablo e Remboit, pa asnjë gjurmë krenarie, humbjeje a fitorje me ndonjë burrë. Veç bardhësi. Është vajza që fillon ku mbaron personazhja e Shekspirit.
Pse cikërrimat janë kriminele?
Pasi veprojnë shpejt, ende pa u ardhur radha gjërave të mëdha ia dalin të të japin “knock down”-in emocional. Bie fjala, ende pa e marrë shijen e keqe të një ndarjeje, veprojnë një grumbull gjërash të vockla në dukje, por që në njërën dorë mbajnë briskun e mprehtë. Vepron, për shembull, shalli i harruar në varëse, taketukja në xhamin e kuzhinës, gështenja e tharë në çantën e shpinës, dy tinguj të këngës që e dëgjonit së bashku dhe një sërë kriminelësh të vegjël me dhëmbë kërcënues përjashta. Moria e cikërrimave është epërsia vetë ndaj gjërave të mëdha që na ndodhin në jetë e që rëndom kërkojnë një vend më të sigurt për të shkelur. Kundruall tyre cikërrimat rrëshqasin dhe vrasin e vrasin përditë.
Thua se gjysmat s’janë marrë seriozisht, pse?
Sepse përballë u rri e tëra dhe ua bën të dukshme mangësitë.
Cilët poetë të duket se i ke gëlltitur më shpesh? Pse?
Mua më shpesh më duket se kam gëlltitur një narrator që flet me fjali të gjata, me fjali të ndërmjetme, pa pushim, sidomos mëngjeseve teksa i jap makinës, teksa ngjitem shkallëve të fakultetit, teksa bëj rezymenë e ditës së shkuar… Po ka dhe poetë që i kam shtypur në thellësi dhe, si më problematikë që janë, nuk zgjedhin kohë për ta ngritur zërin. Mjafton një gotë verë dhe ja tek i ke njërin pas tjetrit, kapur për secilën fjalë që përmend.
Disa janë të hareshëm, vijnë vetëm në gëzime, si Agolli për shembull. Disa godasin kur bën dimër, kur “qerret rënkojnë si kor tragjedish antike”, kur ke nevojë ta lulëzosh edhe pragun e portës. Netëve kur bën qetësi ndodh të dëgjoj zërin e thellë të Benjamin Prados, Jehuda Amihait, J. Sabines… pastaj më zënë do drithma.
Kur ndiej vetmi, zgjohen zërat e poetëve të diktaturave të mëdha. Zërat e tyre kumbojnë thellë si në një teatër bosh…
Poeteshat i kam gëlltitur për një: që nga Safua, Ahmatova, Cvetajeva, Shimborska, Kasiani, e deri te Rita Petro e Lindita Ahmeti.
O, ç’poetë, o ç’shije!
Cili zë poeti e shkrimtari i ngjan tëndit?
Unë s’mendoj se rrotullohem në orbitën e poetit të vërtetë. Por, ka raste kur më bëhet sikur “Dashnorin” e Margaret Duras-it e kam shkruar vetë. Është një ritëm dhe një “autopsi” jete që më duket i njohur.
Cilat pritje i lodhin dashuritë?
Të gjitha pa përjashtim. Madje edhe ajo teksa e pret të dashurën të provojë fustanin në garderobën e një shtëpie mallrash.
Dashuritë e mëdha nguten të vijnë, të kthehen gjithnjë. S’ka ç’bën pritja në këtë mes.
Kë s’ta nxe vargu?
Edvinën. Vajtje-ardhjet e saj nga një llasticë e vogël te një grua e superformuar.
Një plagë e palidhur kurrë… të asocon në?
Shqipërinë që jeton në zemrat e shqiptarëve që janë jashtë shtetit shqiptar.
Çfarë do të bëjmë me sëmundjet e zemrës?
Hahaha, sa gjëra të bukura më sjell ndërmend kjo pyetje! Çfarë do të bëjmë? Asgjë. Do t’i lëmë të na e marrin frymën. Fundja, si do të themi që jetuam?!
Çka s’është poezi?
Gjithçka mund të jetë pak poezi nëse dimë nga ta shohim, përveç krekosjes së mjerë të të paditurve të “kollarisur”, që zhurmojnë si enë boshe rrokullisur shkallëve e që mjerisht kanë edhe ndikim në shoqëri, madje në të gjitha fushat.
Çfarë s’fle në Prishtinë?
Për fat të keq vetëm unë.
Cilat ëndrra s’ngrejnë krye në Tetovë?
Nuk njoh ëndrra frikacake. Guximi është magma e ëndrrës. Një ditë domosdo gjen truallin e përshtatshëm për të shpërthyer.
A është truall i përshtatshëm Tetova? Sigurisht që për do ëndrra jo. Por, s’po i përmend këtu, pasi me t’i përmendur i vë në indeksin e gjërave të pamundura. I destinoj për fikje. E s’dua ta marr këtë barrë në supe. S’dua që “si mrazet e pranverës, t’i mbys filizat mu në farë, siç do të thoshte Poeti.
Si duket një shtëpi utopike?
Me njerëzit që do brenda. Me fytyrat diellore të tyre, me pastën e dhëmbëve që harxhohet shpejt, me dritën që rri ndezur natën vonë, me tonet e larta të zërit në zënka pa zemërime, me radion që rri ndezur tërë ditën në dritaren e kuzhinës, me rrezet e lumturisë që vetëm zemrat që duhen arrijnë t’i prodhojnë.
Për çka s’të del koha?
Për t’i lexuar të gjithë librat. E ky është ai pengu i madh që ka për të ardhur me ne deri në ditën e fundit të ditëve.
Ka shumë shi në poezitë e tua, shumë vjeshtë. A është vjeshta veç stinë?
Vjeshta nuk është veç stinë. Në të vërtetë është stinë e ajërt që thithet si frymë dhe t’i zverdh a t’i bleron horizontet e shpirtit si t’i vijë për së mbari. Në ngjyrat e vjeshtës dhe në stolitë e saj të shinjta fshihen muzat e këngës e të dashurisë. Vjeshta është lirike përherë. Mirë e ka poeti kur thotë se ajo është pranverë e shpirtit.
Si duket një njeri me botë në xhep strukur në banakun e kafenesë “Shend e verë”?
E shpërqëndruar. Me invazion mendimesh që shpesh e bllokojnë sistemin e veprimit. Me shumë njerëz, e me po aq vetmi. Shpesh me vëmendje më të madhe në tringëllëmin e gotave që lahen a cakërrohen, sesa në muzikën që vjen nga altoparlantët e vegjël. Me dëshirat kokëforte e me zemrën plot gjurmë gishtash nga takimet me miq.
Çfarë u bën fjalëve që kurrë nuk i thua?
I vë te ai fondi rezervë që i ngjet kazermave, me tërë atë grumbullim armësh e ushtarësh për armikun e luftën që mund edhe të mos vijë kurrë.
Në çfarë është e pamëshirshme Vjollca?
Në paftyrësi, dyftyrësi… në mërinë me ata që (zh)gënjejnë.
Ç’do të bëje po të ishe në krye të shtetit për 24 orë?
Do ta përmbysja me kokë poshtë, në mënyrë që gjërat të bien në vendin e tyre.
Kush je ti?
Po ajo ëndrrimtare e vjetër, po ajo vrapuese pas balonës me ëndrra dhe po ajo kujdestare kryeneçe e fëmijës që ka brenda, asaj fëmije që skuqet kur e lëvdojnë, qan kur e lëndojnë dhe pandalë lexon vjersha.
Evropa jemi ne
PanAlbanica
Shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar modern, më 28 nëntor të vitit 1912, i rivendosi shqiptarët pas plot pesë shekujsh, në hartën e gjeostrategjisë së kohës, i renditi ata me kombet tjera bashkëkohore dhe njëkohësisht e betonoi pozitën e tyre, atje ku ata përkasin, në qytetërimin perëndimor. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe! Ishte diçka e natyrshme, diçka që gjatë tërë kohës kërkohej dhe u parapri nga shumë ngjarje të tjera historike, që kulmuan me Kongresin e Manastirit, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe në fund me shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit kombëtar.
© Luran Osmani
“Të mbante të ankoruar vendin e vet pas trupit të kontinentit mëmë, kjo ka qenë aspirata kryesore, misioni kryesor i kulturës shqiptare, (...)atë që unë e quajta më parë thelbi i Evropës.”, u tha francezëve Ismail Kadare, gjatë pranimit në Akademinë Franceze.
Ka pasur gjithnjë mendime ndryshe dhe shqiptarët po gjithnjë janë treguar mirëkuptues, ndofta edhe më tepër se sa do të duhej. Ndaj dhe ngjarjet që erdhën pas pavarësisë dëshmojnë se ky orientim tolerant i diplomacisë sonë i ka bërë dëm shumë të madh qenies sonë kolektive.
Sot, bëhen 108 vite nga shpallja e shtetit shqiptar të tërësishëm, ose 107 vite nga shteti shqiptar me kufijtë e tanishëm që ka Shqipëria, Shqipëria londineze, gjysmakja... Mungesa e harmonizimit të qëllimeve tona, mosmarrja me seriozitet e çështjes sonë dhe mosorientimi i potencialit kombëtar në një drejtim të vetëm, rezultoi me copëtimin tonë. Tani jetojmë bashkë, por të ndarë. Jemi një, por jemi gjashtë.
Shpallja e pavarësisë kombëtare vetëm e konfirmoi përkatësinë qytetëruese perëndimore të shqiptarëve, por nuk e zgjidhi çështjen shqiptare. Çështja shqiptare në Ballkan është një çështje e pazgjidhur. Madje toleranca e padija jonë diplomatike, siç duket, po na kushton dhe po humbasim edhe terrenin e fituar më parë.
A ka shpresë? Gjithsesi që po! Në kohën tonë kemi hapësirë veprimi jo vetëm individual, por edhe kolektiv. Shqiptarët po dëshmohen gjithandej nëpër botë. Po e tregojnë dhe e shpërfaqin gjenin qytetërues në të gjitha sferat. Ajo që na mungon është krijimi i një vetëdijeje kolektive, që do të rizgjojë dëshirën dhe vrullin tonë të fjetur për të folur me një gjuhë, për të qenë tok dhe me një fjalë që nga skajet më të largëta të atdheut e deri në qendrat tona elitare.
Nëse shqiptarët e rikthejnë namin, e vendosin rendin dhe flasin njëjtë nuk do ta humbasin as Evropën po as veten e tyre. You need to understand pertaining to pokies online. Një komb i gjallë mund të ketë shumë shtete, por ka vetëm një atdhe. E nëse ky atdhe nuk është bërë një shtet-komb, atëherë gjatë historisë, shtetet e atilla, orientohen nga atdheu i vetëm i atij kombi. Të këtillë jemi edhe në shqiptarët, të paqetë, sepse është kjo dialektika që na shtyn drejt një atdheu dhe një shteti të vetëm.
Në këtë kohë, ne duhet të mendojmë dhe të sillemi si një komb, pa marrë parasysh shtetet ku jetojmë. Të frymojmë pa kufij në kokat tona. Territoret etnike kompakte, ku shqiptarët jetojnë historikisht, duhet të krijojnë në kokat tona hapësirën shqiptare në Ballkan. Kufijtë e vendosur fizikisht nga të tjerët, duhet të bëhen të padukshëm në mendjet tona.
Shqiptarët në Ballkan, përmes institucioneve zyrtare, por edhe përmes të gjitha formave dhe mënyrave të tjera të mundshme, duhet të përforcojnë bashkëpunimin dhe ndërveprimin në të gjitha sferat, duke filluar nga: infrastruktura, ekonomia, e sidomos arsimi e shkenca, pa përjashtuar asnjë sferë tjetër. Në këtë ndërveprim duhet gjithsesi të përfshihet diaspora shqiptare, si aseti ynë më i çmuar, ndërkaq Piemonti ynë duhet të jetë Tirana zyrtare.
Shqiptarët janë një ndër popujt më të lashtë të Ballkanit dhe kontinentit tonë, Evropës, me shumë histori, të lavdishme, por edhe të trishtë, me shumë potencial e me vlera të pashoqe, si dhe një popull vital, me popullsinë ndër më të rejat në kontinent.
Diskursin religjioz, bashkë me fjalorin dhe sintaksën e huaj duhet ta çrrënjosim nga jeta jonë publike, institucionet shtetërore e ato arsimore. Në vend të tyre duhet të kultivojmë shekullarizmin, laicizmin dhe vlerat perëndimore.
Duhet të punojmë së bashku, për ndërtimin e një kujtese kolektive të përbashkët, të cilën do t’ua lëmë pas brezave që vijnë. Të pajisemi sa më shumë, me dije dhe shkathtësi bashkëkohore të cilat na ndihmojnë që të krijojmë mendësi institucionale, e cila individualisht nuk na ka munguar, por kolektivisht e për shkak të rrethanave historike, po.
Dhe krejt fund, kultivimi i identitetit tonë kombëtar individual duhet të ecë krahpërkrah me kultivimin e identitetit kombëtar kolektiv.
Ja pra, të këtillë e duam atdheun. Të këtillë i duam shqiptarët. Të këtillë e duam Shqipërinë.
E paçim përjetë Shqipërinë!
Të lirë e të mosvarur!
Gëzuar!
Shkruaj për të vrarë vdekjen
Flasim përhanshëm me Agim Vincën
Nga: Xhemazije Rizvani
Vijon në PanAlbanica cikli i intervistave "Flasim përhanshëm me..." të realizuara nga Xhemazije Rizvani. Këtë radhë ajo flet përhanshëm me shkrimtarin dhe studiuesin e shquar, Agim Vincën.
- Si duket dhoma e një shkrimtari ?
E rrëmujshme, sikurse edhe koka e tij, pak a shumë, por në atë rrëmujë ka shumë rregull dhe harmoni.
- Për ç'gjëra tashmë është vonë ?
Të flasësh përhanshëm pasi të jesh zgjuar nga gjumi!
- Ç'ka poetike Veleshta e këngëve ?
Këngët, vallet, dasmat, edhe vajtimet, që t’i kujtojnë tragjeditë antike. Sofrën, bujarinë. Shpirtin kryengritës, krenarinë, por edhe inatin…
- Pandemia ka qenë e frytshme për ju ?
Fatbardhësisht apo fatkeqësisht po. Po të mos kishte qenë korona që na erdhi mysafir në pranverë të këtij viti, nuk do të kishte lindur libri “Ditari i pandemisë”, për të cilin vazhdojnë të më arrijnë komplimente nga të katër anët.
- Kush është Agim Vinca ?
Herë-herë më duket se nuk e di as vetë mirë. Është një njeri mendjelirë, i drejtë, por pak i vështirë. Një idealist i pandreqshëm, që kërkon të vërë rend në këtë botë kaotike.
- Ku përkisni ju ? Kë keni atdhe ?
Thuhet se atdheu i shkrimtarit është gjuha në të cilën shkruan. Unë flas dhe shkruaj shqip. Kam lindur në Maqedoni, jetoj në Kosovë, atdhe kam Shqipërinë, “që nga Shkupi në Janinë”.
- Për çka është akoma herët?
Për t’i thënë jo rrënimit të vlerave. Për t’u rebeluar kundër marrëzisë.
- Cilët poet i keni të preferuar ?
Janë të shumtë poetët që i dua, që më pëlqejnë, që më merr malli t’i lexoj, rilexoj e mësoj përmendsh. Nga “të huajt” Bajroni, Hygoi, Hajne, Pushkini; nga tanët Mjeda, Noli, Lasgushi, Migjeni. Pa harruar as bashkëkohorët. More details are available at pokies online.
- Ç'ka të jashtëzakonshme Prishtina ? Po Struga ?
Struga ka bukuri natyrore, ka Liqenin dhe Drinin, por Prishtina, qyteti pa lumë, më ka bërë ky që jam. Këtu mësova të notoj në ujërat e dijes, të artit dhe shkencës.
- Pa cilat libra s'duhet të rrijë çdo shtëpi ?
Pa Biblën, Kur’anin, Iliadën, Komedinë hyjnore, Hamletin, Don Kishotin, Rubairat, Lulet e verës, Milosaon, Juvenilian, Albumin e Nolit, Vargjet e lira të Migjenit, Pelegrinin e Dritëroit, Kronikën e Kadaresë, Ditarët e prof. Qosjes etj. Më lejoni të shtoj edhe një libër që duhet ta ketë çdo familje shqiptare: Fjalorin e gjuhës shqipe.
- Cila është diktatura më e tmerrshme, nga ato dy a tri ?
Të gjitha diktaturat janë të tmerrshme, por më e tmerrshmja është ajo që bashkë me trupin përpiqet ta vrasë edhe shpirtin.
- Për çka pikëlloheni më shpesh ?
Për njerëzit e mi(rë), që nuk janë më dhe për “parajsën e humbur”: fëmijërinë.
- Nga cila derë ikni nga realiteti ?
Nëpërmjet fjalës, imagjinatës, punës krijuese. Edhe përmes ëndrrës dhe ëndërrimit (dikur).
- Ç'ju ngjall e nesërmja ?
Frikë. Por edhe shpresë. Shpresa vdes e fundit.
- Përse shkruani ?
“Pour tuer la mort”, do të thoshte Romen Rolani. “Për ta vrarë vdekjen”, aq sa është e mundur kjo gjë, nëse nuk është thjesht një iluzion.
- Cila është ajo rrugë që mezi prisni ta bëni ?
Kurdo që udhëtoj nëpër botë mezi pres të kthehem nga kam ardhur. Edhe kur kam shkuar në Romë, Paris a Nju-Jork, e kam pritur me padurim kthimin në Prishtinë.
- A i keni gjetur kuptimin jetës ? Cili është?
Në pragun e shtëpisë së një miku në Amerikë lexova fjalët: Live (Jeto), Love (Dashuro) dhe Laugh (Qesh). Ndoshta te këto tri fjalë qëndron kuptimi i jetës. Por unë jam ende në kërkim të këtij kuptimi, që s’merr fund derisa të marrim frymë.
- Cilët janë mësuesit tuaj ?
Para së gjithash nëna që më ka lindur. Daja, një njeri karizmatik, që ka ndikuar shumë në formimin tim politik. Më vonë, disa nga profesorët e mi në fakultet, si pedagogë dhe si krijues. Edhe në këtë moshë e konsideroj veten nxënës që mëson nga të tjerët.
- Nëse vdes libri, si do të jetojë njerëzimi ?
Nuk besoj se do të vdesë libri. Së paku jo sa të jetë në këtë botë brezi im. Për më vonë nuk e di. Mund të jetohet edhe pa libër, por nuk është mirë. Kjo do të ishte jetë në shkretëtirë.
- Ç'ka të frikshme rrotull nesh ?
Pushteti i korruptuar, shkelësit e lirisë, njerëzit me maska (para dhe pas pandemisë). Urrejtja, smira, egoizmi dhe injoranca në ne dhe rreth nesh.
- Shkrimtari dhe politika si duhet të qëndrojnë?
Në distancë, por edhe duke u përleshur i pari me të dytën, pa frikë dhe pa bërë llogarira.
Shkëputje nga “ Ditari i pandemisë” i botuar së fundmi:
BOGDANI, MURTAJA DHE VARIOLA VERA
E diel, 15 mars 2020
Bota ka njohur epidemi të tilla edhe më parë, me pasoja fatale, që kanë marrë mijëra e miliona jetë njerëzish, si: tifoja, kolera, murtaja (e quajtur murtaja e zezë), lia e bardhë, ethet e verdha, gripi spanjoll i vitit 1918 (pandemik), gripi i Hong-Kongut, gripi aziatik, gripi i derrit e të tjera, por ato kanë ndodhur në kohëra të tjera, kur zhvillimi ekonomik dhe teknik ka qenë shumë më i ulët se ç’është sot.
Edhe në Kosovë ka pasur murtajë në shekullin XVII. Pjetër Bogdani ka vdekur prej saj. Ipeshkvin e Shkupit sëmundja e gjeti në Prizren, ku kishte shkuar t’i bashkohej ushtrisë austriake në luftë kundër Perandorisë Osmane në krye të kryengritësve shqiptarë. U kthye në Prishtinë për mjekim, por pa sukses. Vdiq më 6 dhjetor 1689. Turqit e zhvarrosën dhe ua hodhën eshtrat e tij qenve për shkak të kryengritjes që pati organizuar.
Edhe gjenerali austriak me prejardhje italiane, Pikolomini, pati të njëjtin fat. Qe nisur nga Vjena me bekimin e Kurorës për ta pushtuar Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën, por kur arriti në Shkup qytetin e kishte kapluar murtaja. Dha urdhër që të digjej qyteti dhe ashtu u bë, por gjenerali me nam nuk i shpëtoi dot vdekjes.[1]
Shumë më i freskët është rasti me “linë e zezë” (variola vera), të cilën populli, për ta marrë me të mirë, e quan “lia e bardhë”. Ishte fillimi i vitit 1972. Virusin e solli një haxhi nga fshati Dejë i Rahovecit, i cili nga vendi i shenjtë solli edhe një shishe me “ujë zemzemi”. Zemzem quhet kroi në oborrin e Xhamisë së Madhe në Mekë të Arabisë Saudite. Sipas besëtytnisë, kjo “pije magjike” “ndihmon shtatzëninë, stimulon potencën dhe shmang epidemitë e kafshëve”. Por, ja që kësaj here ua solli atë njerëzve! Haxhi Ibrahim Hoti me ujin “eliksir” infektoi mbesën e vet! Mjekët në fillim pandehën se ishte fruth a grip, por nuk ishte asnjëra nga këto. Kishte simptoma të tjera, shumë më të rënda. Sëmundjen e konstatoi i pari një mjek nga Prizreni, dr. Xhelal Xhibo, kurse diagnozën e tij e vërtetuan ekipet mjekësore nga Beogradi. Por barrën kryesore e mbajti Spitali i Gjakovës, i cili u shndërrua në karantinë plot dy muaj. Hero i luftës me linë ishte mjeku gjakovar dr. Agim Serhati, i cili njëzet vjet më vonë, në kohën e helmimit të nxënësve në vitet ’90, do ta pësonte jo nga ndonjë virus, por nga burgu dhe torturat e pushtetit serb.
Qe alarmuar krejt Jugosllavia, madje edhe bota. E mbrama epidemi e lisë së zezë në Evropë kishte qenë në vitin 1930 dhe kishte marrë miliona jetë njerëzish. Prej 123 të infektuarve, në Kosovë vdiqën 26 veta, kurse në Serbi, kryesisht në Sanxhak, 40 nga 194 të infektuar sa ishin gjithsej. Në fund të prillit 1972 epidemia u shpall e mposhtur, me dekret shtetëror, sepse rrezikohej sezoni turistik, që ishte burim i të ardhurave valutore në Jugosllavinë e atëhershme.
E mbaj mend mirë atë situatë, edhe pse asokohe nuk isha në Prishtinë, por në Strugë, ku punoja si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në
Gjimnazin e atjeshëm. Madje i pata bërë vend edhe në një poemë të shkruar “në frymën e kohës”, në stilin e Kadaresë, të cilin ne këndej sapo e kishim zbuluar si shkrimtar. “Vitet ‘70/ Alarm! Deja/ Ratkoci,/ haxhinjtë,/ virusi!/ Për të satën herë trokiti mortja te dera; - / Variola vera! / Edhe një rrufe/ në qiellin tënd,/ në qiellin tënd plot bubullimë,/ Kosovë, e shekujve karantinë!”.
Këto vargje gjenden në librin tim të parë me poezi, Feniksi (Shkup 1972).
Kosovë, e shekujve karantinë!
[1] Para se t’ia vinte zjarrin, më 26 tetor të vitit 1689, shkroi: «Shkupi është një qytet i madh, jo shumë më i vogël se Praga, ose sa ajo. E gjeta të braktisur, pa thesare, por të furnizuar mirë me produkte ushqimore. Ata pak njerëz që kanë mbetur, sillen rrugëve të frikësuar. Më vjen keq që ato godina të hijshme, të cilat nuk i kam parë kund, ato xhami prej mermerit më të bukur e me ornamentet e arta, që edhe në Romë do të ma kishin tërhequr vëmendjen, ato relikte e kopshte të bukura, më duhet t’ia fal zjarrit».
***
Agim Vinca ka lindur më 22.5.1947 në Veleshtë, Strugë, në një familje arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi dhe doktoroi. Ka qenë mësimdhënës i Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tetovës.
Agim Vinca është njëri nga poetët më të njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit më të dalluar të letërsisë shqipe. Përveç krijimeve letrare në poezi, ka botuar një numër të madh punimesh nga fusha e kritikës letrare, por edhe një varg studimesh me karakter historiko-letrar. Bibliografia e shkrimeve të dr. Agim Vincës është tejet e gjerë. Ajo përfshin mbi 500 njësi: recensione, ese, kritika, trajtesa, studime, shkrime polemike e publicistike etj.
Jeton në Prishtinë.
Piramida e përmbysur e normalizimit Kosovë-Serbi
Albulenë Halili
I.
Procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi i ngjan një piramide të përmbysur, ndonëse në rastin e skenarit më të mirë, do të duhej të ishte krejtësisht e kundërta. Ky proces do të duhej t’i ngjasonte një piramide normale, me një themel të fortë, që do të shërbente si parakusht për uljen në tryezën e bisedimeve. Ky themel përbëhet prej pesë elementeve.
Së pari, njohja e Kosovës nga Serbia do të duhej të ishte gurthemeli i procesit të normalizimit e jo synimi i cili duhet arrirë.
Së dyti, zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur. Ky element do të duhej të ishte parakusht për bisedime, e jo të jetë çështje për të cilën flitet në to. Pra, çështje e panegociueshme, jo temë.
Së treti, çështja e pagesës së dëmshpërblimit të luftës. Edhe pas dy dekadash nga mbarimi i luftës, nuk është iniciuar procedurë ndaj Serbisë për pagesën e dëmshpërblimit të dëmeve të shkaktuara nga lufta.
Së katërti, kryerja e procesit të suksedimit shtetëror të ish-Jugosllavisë. Çështja e trashëgimisë së pronës shtetërore, pasurive të paluajtshme, të luajtshme, pronave diplomatike e konsullore, aseteve financiare, arkivave dhe përgjegjësive janë përcaktuar në Marrëveshjen mbi suksedimin, të arrirë në qershor të vitit 2001 midis shteteve pasardhëse të ish republikave në kuadër të federatës jugosllave. Prona, asetet dhe përgjegjësitë e Kosovës, me marrëveshjen e vitit 2001 padrejtësisht i kanë takuar Serbisë. Me pavarësimin e Kosovës në vitin 2008, procesi i suksedimit bëhet imperativ.
Dhe së fundmi, vendosja dhe zbatimi i parimit të së drejtës ndërkombëtare, atij të reciprocitetit, duke filluar nga ai ekonomik, politik, respektimit të të drejtave të pakicave e kështu me radhë.
E shtruar në këtë mënyrë, natyrshëm vjen pyetja: a ekzistonte ky themel në vitin 2011 kur edhe filloi procesi i bisedimeve? Ose, meqenëse pyetja është e vlefshme edhe sot e gjithë ditën: a janë të pranishme kushtet themelore për të vazhduar me dialogun? Përgjigjja është pa hezitim: jo.
Kati i parë i piramidës së procesit të normalizimit do të duhej të përbënte shqyrtimin e kushteve formale të bisedimeve. Le të nisemi nga emërtimi i këtij procesi. Kur procesi filloi në vitin 2011, u quajt negociatat Kosovë Serbi. Së fundmi, në ligjërimin mediatik e publik, ky proces emërtohet dialog. Ndonëse të dy termat janë përdorur herë njëri e herë tjetri për të emërtuar të njëjtin proces, ata nuk nënkuptojnë të njëjtën gjë.
Dialogu është ndërveprim ballë për ballë midis palëve me prejardhje, bindje dhe mendime të ndryshme, në të cilin ata respektojnë njëri-tjetrin si qenie njerëzore dhe janë të përgatitur të dëgjojnë dhe të mësojnë nga njëri-tjetri, aq shumë sa të frymëzohen për një ndryshim të qëndrimeve.
Negociatat nënkuptojnë komunikimin e dizajnuar për arritur një marrëveshje në një situatë ku palët në anët e ndryshme të situatës në fjalë, kanë një numër interesash të përbashkëta dhe të tjera për të cilat s’pajtohen. Në njëfarë mënyre, negociatat janë mjet themelor për të marrë atë që dëshironi nga të tjerët.
Përdorimi shpërfillës i strukturave konstante epistemologjike lidhur me çështje të këtilla të ndjeshme, mund të krijojë tinëzisht efekte të dëshiruara ose padëshiruara në varësi të interesit të palëve, dhe pasoja për mbarëvajtjen dhe qëllimin e procesit në përgjithësi.
Dialogu është asimetrik dhe i pabarabartë. Kosova ka pranuar të hyjë në këtë proces asimetrik si palë e pabarabartë. Përderisa Kosova e sheh Serbinë si shtet fqinj, Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, madje e trajton atë si provinca e saj jugore, me emër krejtësisht tjetër – Kosovë dhe Metohi. Gjë e sanksionuar që në aktin më të lartë juridik, në kushtetutën e saj.
Duhet mënjanuar nga ligjërimi mbi dialogun pjesa e dytë e togfjalëshit “njohje e ndërsjellë”. Kjo për faktin se mungon vetëm njohja e njëanshme, pra nga ana e Serbisë.
Çështja e tretë sa i përket aspektit formal të dialogut, ka të bëjë me mungesën e legjitimitetit të ndërmjetësit, pra BE-së. Bashkimi Evropian, shikuar në aspektin formal ka konflikt interesi me njërën palë të dialogut, Kosovën, që e bën atë një aktor ndërmjetës të padenjë. Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Legjitimiteti i paqenë i ndërmjetësit evropian është gërryer edhe më tej sivjet, kur Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor është caktuar ministri i Jashtëm sllovak përgjatë tetë viteve të kaluara, një nga vendet që akoma nuk kanë njohur Kosovën. Politika e jashtme e përbashkët e BE-së, dihet mirëfilli se është e pashpresë. Ndaj, ndërmjetës legjitim evropian i dialogut në këtë rast do të mund të ishte një trup i krijuar nga shtetet më të fuqishme të Evropës, si Anglia, Gjermania e Franca.
Në katin e dytë, pastaj do të vijohej me aspektin e përmbajtjes së dialogut. Që nga viti 2011, kur ky proces filloi, ka ndodhur transformimi i natyrës së tij. Bisedimet filluan si teknike, për të marrë në 2013 një karakter krejtësisht politik. Ky proces u lëkund në mënyrë të konsiderueshme kur në 2017 u shfaq ligjërimi mbi territoret. Togfjalëshat “ndryshimi i kufijve”, “korrigjimi i kufijve”, “shkëmbimi i territoreve”, “kompromis i dhimbshëm” dhe “spastrimi etnik paqësor” u bënë të gjithë pjesë e diskursit kur flitej për arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës e Serbisë. Kështu, procesi I dialogut, nga një proces për normalizim të marrëdhënieve filloi t’i ngjasonte një konference të paqes të shekujve të kaluar, me harta në tavolinë.
Në vitin 2020, me ndërhyrjen e SHBA-së, dialogu mori një karakter në dukje tërësisht tjetër, atë ekonomik. Ndonëse, një normalizim ekonomik pa implikime politike është vetëm një vegim.
II.
Progresi i dialogut është i zbehtë. Ky proces përshkohet nga një mungesë koherence mes numrit të marrëveshjeve të nënshkruara dhe atyre të zbatuara. Deri tani janë nënshkruar mbi tridhjetë marrëveshje, por një numër shumë i vogël i tyre janë zbatuar. Për më tepër, Serbia ka bërë shkelje të njëpasnjëshme të marrëveshjeve të cilat i ka nënshkruar. Sa për ilustrim, në bazë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes midis dy vendeve, shumë qytetarë të Kosovës nuk janë lejuar të hynë në Serbi, duke përfshirë këtu edhe zyrtarë të lartë shtetërorë. Ngjashëm ka ndodhur edhe me shkeljen e marrëveshjes mbi përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal të nënshkruar në vitin 2012. Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Serbia ka refuzuar të marrë pjesë në një samit rajonal ku ka qenë e ftuar Kosova, ndërkaq pas dy viteve ajo ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut.
Këto marrëveshje janë përshkuar nga një mungesë e theksuar transparence për përmbajtjen e tyre. Të mos flasim për mungesën e një debati dhe shqyrtimi publik përpara se ato të nënshkruhen. Këto janë marrëveshje me interes të madh për qytetarët, ndaj transparenca duhet të jetë e një shkalle të lartë.
Pozicionet dhe pritjet e palëve dhe aktorëve të tjerë të përfshira në dialog kanë divergjenca të mëdha. Kosova pret njohjen e shtetësisë së saj nga Serbia dhe një normalizim marrëdhëniesh si dy shtete fqinje për të vazhduar më pas me procesin e njohjes dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Për dallim nga Serbia, e cila përmes dialogut kërkon formash të ndryshme të shtrijë sovranitetin e saj në një shtet tashmë sovran dhe ta pamundësojë funksionimin normal të shtetit të Kosovës. Territorializimi i të drejtave të pakicës serbe përmes krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është njëra nga tendencat për ta arritur këtë cak. Mbajtja e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, eksterritorialiteti mbi kishat ortodokse në Kosovë, provokimet e ndryshme, vazhdimi i fushatës kundër njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, kundërshtia që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, janë vetëm ca nga veprimet që dëshmojnë se mendësia serbe nuk ka ndryshuar dhe se asaj i mungon vullneti për të ndryshuar veten dhe status quo-në. Këto divergjenca e bëjnë arritjen e një marrëveshjeje madhore, tmerrësisht të vështirë.
Ngecjet dhe vonesat në përparimin e dialogut, shtuan përpjekjet e administratës amerikane për të përshpejtuar procesin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje finale. Në shtator të këtij viti të dyja palët u ftuan në Shtëpinë e Bardhë dhe nënshkruan të dyja veç e veç me SHBA-të zotime mbi normalizimin ekonomik, të cilat u njohën me emrin Marrëveshja e Uashnigtonit. Por, ajo që e bën këtë dokument lehtësisht të kontestueshëm, në radhë të parë është mungesa e një marrëveshjeje bilaterale dhe e një qëndrimi të përbashkët që rëndom del nga takimet e këtilla. Së dyti, ky dokument nuk u nënshkrua midis palëve, por secila palë nënshkroi veç e veç zotime me SHBA-të. Ndaj dhe secila palë e përfshirë pati versionin e vet të rrëfimit për përdorim të brendshëm politik. Presidenti amerikan, u mburr për një “arritje historike” që po “ndalonte vrasjet në masë midis Kosovës e Serbisë”. Kosova qe e lumtur për njohjen nga Izraeli. Ndërkaq Vuqiq i interpretoi zotimet si një marrëveshje bilaterale me SHBA-të. Implikimet nga këto zotime nuk duhet të nënvlerësohen, ndonëse rezultatet konkrete për arritjen e një marrëveshjeje madhore midis dy vendeve nuk duken gjëkundi.
III.
Faktorë plotësues kushtëzojnë dhe kanë ndikim mbi procesin e normalizimit. Ndër ta, tre faktorë janë përcaktues.
I pari, është deficiti i legjitimitetit i cili është i pranishëm te të dyja palët e dialogut. Kosova përfaqësohet në dialog nga kryeministri me një legjitimitet 3 përqindësh apo 26 mijë e 155 votësh. Qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike në vjeshtë të vitit të kaluar u rrëzua me mocion mosbesimi në mesin e pandemisë globale. Ngjarje e paprecedentë. Qeveria aktuale ka një legjitimitet tejet të brishtë.
Nga ana tjetër, në Serbi, dialogu përfaqësohet nga presidenti i zgjedhur me shumicë të konsiderueshme votash, partia e të cilit po ashtu ka një legjitimitet të barabartë me 2/3 e ulëseve në kuvend, por vendi nuk ka arritur akoma të krijojë një qeveri. Bojkoti i opozitës në zgjedhjet e fundit e thellon edhe më tepër këtë deficit, ndërkaq që Serbia tashmë bën pjesë te të quajturat regjime autoritare.
Faktori i dytë kushtëzues lidhet me qëndrimin e politikave të brendshme të shteteve palë në dialog. Dhe përderisa për dikë mund të ngjajë se në Kosovë ka një pluralizëm mendimi, si karakteristikë e demokracisë, për dallim nga regjimi autoritar i Vuqiqit, ku mbretëron një qëndrim unik politik por edhe qytetar për sa i përket çështjes së Kosovës, mungesa e konsensusit të brendshëm në Kosovë është një faktor destruktiv në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Diskursi mbi dialogun ka qenë polarizues për të mos thënë përçarës. Në skenën politike janë të pranishme dy perspektiva divergjente, madje të kundërta për sa i përket tërë procesit të dialogut dhe çështjes së normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kjo ka ngjallur edhe huti te vox populi lidhur me qasjen ndaj procesit të dialogut.
Së treti, mungesa e një konsensusi ndërkombëtar. Kur në vitin 1999, NATO intervenoi në Kosovë, apo edhe me rastin e shpalljes së pavarësisë në 2008-n, shumica e aktorëve ndërkombëtarë mbanin qëndrim unik për sa i përket çështjes së Kosovës. Sot, mjedisi bashkëkohor ndërkombëtar është si kurrë më parë kaotik. Sidomos në Ballkan, ku mungesa e pranisë aktive të SHBA-së dhe ajo e politikës së jashtme të përbashkët evropiane, kanë bërë të mundshme praninë e aktorëve të tjerë me agjenda të dyshimta, që kontestojnë dhe sfidojnë agjendën euro-atlantike dhe vlerat perëndimore.
IV.
Ky normalizim u nevojitet të dyja vendeve sa i përket politikës së jashtme. I nevojitet Serbisë më shumë se Kosovës në aspektin e brendshëm. Kosova u çlirua nga Serbia në vitin 1999. Është Serbia që nuk po e çliron veten nga Kosova as dy dekada më pas.
Albert Ajnshtajn me të drejtë ka thënë se “problemet nuk mund të zgjidhen me nivelin e njëjtë të të menduarit që i ka krijuar ato”. Kështu, çështja Kosovë-Serbi nuk mund të zgjidhet me nivelin e njëjtë të të menduarit serb. Në horizont akoma nuk duket ndonjë alternativë tjetër e zbatueshme përveç procesit të dialogut. Por, që dialogu të ketë përparim, përveç vullnetit për të ndryshuar status quo-në, nevojitet edhe vullnet për të reflektuar dhe ndryshuar veten. Kjo vlen në radhë të parë për Serbinë, politika zyrtare e së cilës ka mbetur e njëjtë.
Arritje e dialogut nuk është vetëm vendosja e paqes mes dy vendeve, por arritja e një marrëveshjeje që do të vendosë një paqe të qëndrueshme, jo vetëm për dy shtetet por edhe për tërë rajonin. Ndaj kjo paqe duhet të jetë e bazuar në drejtësi.
Hapi i parë i vendosjes së drejtësisë në këtë rast është pranimi i fajit nga Serbia bashkë me pesë elementet e lartpërmendura që përbëjnë themelin e piramidës së normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Pavarësia e Kosovës përbën një fakt të pakthyeshëm. Pranimi i këtij fakti do të ishte në të njëjtën kohë pikënisja e Serbisë në përballjen e saj me realitetin e ri rajonal e ndërkombëtar.
Hapat e tjerë do të ishin shqyrtimi i shkallës së zbatueshmërisë së marrëveshjeve të nënshkruara tashmë dhe vendosja e parimeve të prera të dialogut. Përgjegjësia në zbatimin e marrëveshjeve duhet të jetë treguesi bazë që përcakton hapat e mëtejmë dhe eventualisht modifikimin e strategjisë së procesit.
Dialogu si proces dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje madhore eventuale nuk mund kurrsesi të kenë sukses, pa një konsensus transatlantik. Qëndrimi unik transatlantik lidhur me procesin e normalizimit Kosovë-Serbi përbën faktorin përcaktues në këtë proces të ndërlikuar.