Albulenë Halili

 

Në vitin 1917 Rusia po përjetonte një krizë të brendshme, e cila e bëri atë të paaftë për të qenë një aktore e denjë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Lufta e Parë Botërore i kishte sjellë Rusisë humbje shumë të mëdha. Në frontin lindor të luftës, Rusia kishte pësuar shumë disfata ushtarake, të cilat kishin sjellë pasojat e veta. Në këtë vit, mbretëria ruse ballafaqohej me një rënie të madhe të standardit të jetesës, probleme me inflacionin, ndërsa për të mos mjaftuar e tërë kjo, edhe me një opozitë shumë të organizuar liberale. Meqenëse mbreti Nikollai ishte mjaft i preokupuar me luftën, duke shkuar në front personalisht, çështjet e udhëheqjes së politikës së brendshme ia la në dorë mbretëreshës Aleksandra, e cila, veçanërisht gjatë luftës, nuk ishte aspak e dashur për popullatën e atëhershme ruse. Kjo për faktin se Aleksandra ishte një adhuruese dhe mbështetëse e flaktë e autokracisë, ndërsa ajo shihej shumë rrallë në publik. Arsyeja që i vinte vulën kësaj antipatie aq të madhe për të, ishte fakti që ajo qe me prejardhje gjermane. Këto dhe arsye të tjera kishin kontribuar në një mënyrë, apo në një tjetër, në shpërthimin e dy revolucioneve.

I pari, rrëzoi Carin Nikollai II dhe krijoi Qeverinë provizore; i dyti, vetëm tetë muaj më vonë, solli në pushtet bolshevikët (të quajtur komunistë pas marsit 1918). E ashtuquajtura Qeveri Provizore me në krye Kerenskin, ishte krijuar nga Duma ruse dhe përfaqësohej nga një pjesë e moderuar e shoqërisë së klasës së lartë, ambiciozë për një Rusi me regjim parlamentar perëndimor; përderisa së shpejti u krijua një organizatë tjetër, e quajtur Këshilli i Sovjetëve, i përbërë nga revolucionarë socialistë dhe marksistë të cilët ishin të organizuar rreth Partisë së Punëtorëve Socialë-demokratë Rusë.

Kthimi i Leninit nga Zvicra, shumë shpejt pruri përçarjen mes marksistëve: në menshevikë dhe bolshevikë. Të parët ndiqnin idenë e Marksit, sipas të cilit shteti nuk mund të fillojë fazën socialiste pa e kaluar atë kapitaliste. Përderisa menshevikët tashmë ishin bërë pjesë e Qeverisë provizore, Lenini, udhëheqës i bolshevikëve mendonte se nuk është e udhës të pritet që të kalojë faza kapitaliste, por ai synonte përgatitjen e një revolucioni socialist, i cili do zgjerohej gjithandej nëpër Evropë.

Lenini kishte qenë kategorikisht kundër përfshirjes së Rusisë në Luftën e Parë Botërore dhe deklaronte se ajo ishte arsyeja e vetme për krizën e madhe në të cilën gjendet vendi i tij. Ndaj edhe në Tezat e tij të prillit, në të cilat do të mbështetej Revolucioni rus, ai kërkonte kontroll të shtetit nga sovjetët, duke e akuzuar qeverinë e re se ishte një qeveri imperialiste sikurse e mëparshmja. Edhe në tezat e tij ai vazhdonte të ishte kundër Luftës, duke e quajtur atë një luftë imperialiste tradhtare. Bolshevikët kishin luajtur rol shumë të madh në përfundimin e luftës dhe për këtë ata kishin pasur mbështetjen e armikut me të cilin luftonte Rusia në frontin lindor.

Interesat gjermane dhe ato të Leninit përputheshin katërçipërisht, ndaj edhe vepruan për arritjen e qëllimit. Gjermanisë i shkonte për shtati evitimi i njërit front të luftës, ndaj edhe nuk e pengoi, madje e ndihmoi udhëtimin e Leninit nga Zvicra për Rusi. Ata ishin të bindur se Lenini do të punonte kundër përfshirjes së Rusisë në luftë. Lenini bindi fshatarët dhe ushtarët të braktisin luftën dhe t’i bashkëngjiten revolucionit. Pas Revolucionit të Tetorit në Rusi, bolshevikët në krye me Leninin, morën pushtetin.

Pas shumë përpjekjeve diplomatike për ta parandaluar atë, më 3 mars të vitit 1918, u nënshkrua Traktati Brest-Litovsk mes Rusisë dhe Gjermanisë.

Traktati i Brest-Litovskit i dha fund konfliktit me Gjermaninë duke i mënjanuar asaj njërin front të luftës – atë lindor, e me këtë edhe luftën e saj në dy fronte. Pas nënshkrimit të këtij traktati, trupat gjermane do të transferoheshin në frontin perëndimor, e cila përfaqësonte njërën nga arsyet për të cilën aleatët e dikurshëm të Rusisë kundërshtuan kategorikisht nënshkrimin e kësaj paqeje.

Me evitimin e frontit lindor, Gjermania u fokusua nga Franca, duke e bërë të domosdoshme hyrjen e SHBA-ve në Luftën e Madhe, e cila do të luante një rol vendimtar në përfundimin e luftës në përgjithësi.

Me paqen e Brest-Litovskit Rusisë iu shkëput një e treta e territorit të saj, kryesisht pjesa jo ruse e perandorisë, që përfshinte: Finlandën, Lituaninë, Estoninë, Letoninë, Ukrainën dhe Poloninë.

Efekti i revolucionit rus dhe thirrja e komunistëve për “revolucion socialist ndërkombëtar” bëri që të gjitha shtetet evropiane të ndiheshin të kërcënuara nga bolshevizmi, madje në disa shtete kjo u shndërrua në mani.

Në vitin 1918 Rusia përfaqësonte një shtet të amputuar dhe krejtësisht të izoluar në planin ndërkombëtar.

 

Pjesë nga libri “Rendi i Versajës: Bërja e një bote të brishtë” botuar në nëntor 2020 nga Shtëpia e librit “Syth” në Tetovë.

 

Në foto: Delegatët në negociatat për Traktatin Brest-Litovsk, 1918. Koleksioni George Grantham Bain /Biblioteka e Kongresit, Uashington, D.C. (dosja digjitale nr. 26094)