PanAlbanica

 

Gjatë javës së kaluar, në Tetovë, një delegacion i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” i udhëhequr nga kryetari i qendrës, Bardhyl Mahmuti , zëvendëskryetari, Adnan Asllani, Isuf Sherifi, anëtar i kryesisë së qendrës në Zvicër dhe veprimtari i qendrës në Kosovë, Fatmir Arifi, realizoi një takim me përfaqësuesit e rrjetit PanAlbanica, Albulenë Halili dhe Shemsedin Ibrahimi, si dhe me veprimtaren Rudina Zeqiri, për krijimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” në Maqedoninë e Veriut. 

Në këtë takim u diskutuan mënyrat dhe format që do të përdorën për të promovuar aktivitetet e qendrës dhe mundësitë e ndryshme për t’i bërë sa më të njohura faktet lidhur me gjenocidin ndaj shqiptarëve në Luftën e Kosovës.

Përfaqësuesit e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” realizuan takime edhe me institucionet shtetërore e akademike si dhe me subjektet politike në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. 

Takimi nismëtar qe ai me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili shoqërohej nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci. Kryetari i qendrës, Bardhyl Mahmuti, dhe zëvendëskryetari, Adnan Asllani, e përgëzuan kryeministrin e Kosovës për seriozitetin e treguar duke e ngritur në nivel të institucioneve shtetërore të Kosovës çështjen e gjenocidit të kryer gjatë luftës në Kosovë. Përfshirja në programin qeveritar të domosdoshmërisë së përpilimit të dosjeve të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë në funksion të krijimit të kushteve paraprake për ngritjen e padisë kundër Serbisë, u vlerësua si hap tejet i qëlluar rreth të cilit duhet të dëshmojmë përkushtimin tonë kombëtar. Delegacioni i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” i siguroi përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës për gatishmërinë e qendrës që të ndihmojë me tërë potencialin që posedon me qëllim të ngadhënjimit të drejtësisë. 

Në Tetovë e në Shkup, përfaqësuesit e Qendrës, u takuan me krerët politikë e institucionalë shqiptarë, kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, me kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kryekuvendarin Talat Xhaferi, si dhe përfaqësuesit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.