Taulant Salihi

 

Populli i Shqipërisë është një realitet socio-politik i ndryshëm në krahasim me etninë shqiptare të mbetur jashtë kufijve. Zhvillimi identitar i tyre ka pësuar hibridizim ideologjik në izolim, i cili ka shtrembëruar ose ka bërë më statik zhvillimin e tyre ideologjik. Shqiptarët e mbetur nën sundimet/okupimet sllave apo greke kanë pësuar hibridizim kulturor dhe identitar krejtësisht tjetër. Por në rastin e Shqipërisë, kjo përvojë e mbylljes, ka lënë traumë kolektive të shfuqizimit në krahasim me gjithçka të huaj, e që ende nuk mund të shkëputet plotësisht nga realiteti i vetëpërjetimit kolektiv. Ngjan se të vetmit që nuk e ndiejnë këtë subordinim tek ata janë shqiptarët e jashtë-kufijve, të cilët shkaku i padrejtësive historike dhe i zhvillimeve gjuhësore dhe kulturore vazhdojnë ta romantizojnë ekzistencën shqiptare brenda kufijve. Edhe gjuha është zhvilluar në paralele. Arkaikja e “rondë” gege, si masë për matje të dallimeve, dhe elasticiteti fonetik i shqipes toske që ka mbisunduar gjuhën standarde, kanë marrë kahe tjera zhvillimi. Këto dallime kulturore, identitare dhe ideologjike ndiehen edhe në aktivitetet politike të ndrëmjetshme shqiptare, si dhe në ato që kanë të bëjnë me politikat rajonale. Një rast konkret ku ky fenomen më shfaqet bindshëm është bllokimi i rrugëtimit drejt BE-së nga Bullgaria, i cili si dëm kolateral bllokon edhe Shqipërinë, e me këtë përfshin edhe shqiptarët dhe pozicionimin gjithëshqiptar në kontestin bilateral të popujve vëllezër bullgar dhe maqedonas.

 

Pse duhet e gjithë kjo të brengosë shqiptarët?

Rajoni është ngushtë i lidhur dhe zhvillimet politike ndikojnë çdo vend. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, lufta e shqiptarëve aty nuk është ndarja territoriale. Kjo zgjidhje e ofruar në vitin 2001 nga Gjeorgjievski ishte zgjidhje e përsosur për palën slalve (atëkohë identiteti i tyre ishte ende më fluid dhe në zhvillim), e cila po të ndodhte, sot do të kishin edhe Shkupin e pastruar nga shqiptarët. Zgjidhja e vetme për shqiptarët është shteti inkluziv i bashkëndërtuar nga shqiptarët dhe maqedonasit (e sotëm), si dhe etnitë tjera, shtet federativ, apo në rastin tjetër shtet qytetar, por me barazi gjuhësore dhe etnike, e jo siç tentohet me ofertën e tanishme, shtet qytetar me ekskluzivitet sllavofon. Mirëpo për të arritur te ky model i civilizuar, është e domosdoshme të çrrënjoset miti i etnisë që sot thirret maqedonas dhe lidhja ekskluzive e tyre me shtetin që tani më është de-personalizuar dhe thirret Maqedoni e Veriut.

Ndryshimi i emrit ishte një fat aksidental për shqiptarët dhe hap i duhur drejt rrënimit të ekskluzivitetit të kësaj etnie me shtetin. Sot emri tregon edhe realitetin gjeografik (në fakt Maqedonia historike nuk ka ekzistuar në këtë pozicionim të sotëm gjeografik) dhe është shumë më jo-personal. Delegjitimimi i narrativës historike jugosllav për kombësinë maqedone do të jetë një shtytje tjetër drejt arritjes së qëllimit për shtet të depersonalizuar qytetar. Pa dashur të mohoj të drejtën për të kultivuar identitetin etink (bashkë me të drejtën për vetëvendosje), edhe pse në kuptimin tim ky identitet është i fryrë dhe politik me gjenezë në interesat jugosllave, ne nuk kemi interes që të legjitimojmë dhe forcojmë atë si narrativë dhe për këtë të shpërblehemi me vazhdimin e trajtimit si popull dytësor, ani se përbëjmë etninë më autoktone në shtet dhe se kemi luajtur lojalisht në betejën me popullin e tyre vëlla bullgar.

 

Interpelancë për Xhaferin për përdorimin e gjuhës shqipe dhe rezolutë për Gjuhën dhe identitetin maqedonas

Ta lëmë anash faktin që vetëm ne “të shkretet” brenda shtetit i marrim seriozisht aventurat identitare të bashkëqytetarëve tanë, por ajo që brengos është kembëngulësia e përfaqësuesve shqiptarë në shtet për të mbrojtur me kaq besnikëri këto pozita. Sinqerisht, më bën të ndiej xhelozi për mënyrën se me sa vendosmëri mbrohen këto pozita nga përfaqësuesit shqiptarë. Kjo ndodh për t’iu dëshmuar etnisë (së grumbulluar) shumicë, dhe për të konfirmuar besnikërinë ndaj shtetit. Gjithashtu, sa naivisht, politika e Tiranës, dhe në raste edhe ajo në Prishtinë (komentet e Vjosa Osmanit para 7 muajsh) po marrin kahen e njejtë të hapur anti-bullgare, ose të paktën japin këtë përshtypje. Për të dalë nga kjo aleancë e çuditshme e pashkruar, është mirë të rikujtohen interesat shqiptare brenda shtetit, e jo vetëm interesat gjeopolitike të përgjithshme shqiptare. Interpelanca e propozuar nga fashistët e djathtë opozitarë ndaj kryeparlamentarit shqiptar për përdorimin e shqipes në suaza shtetërore në paraqitjet ndërkombëtare, është një përkujtim i mirë për të gjithë ata që pa rezervë përkrahin aventurat e huaja, qofshin këta aktorë politikë të brendshëm apo të shteteve tona përreth. Në shtet inkluziv këto aventura nuk do t’i kategorizoja të huaja, por me këto veprime të fundit, fuqishëm mbeten të tilla. Për të qenë rikujtimi edhe më i zëshëm, ata paturpësisht në të njejtën kohë kërkojnë përkrahjen e partive shqiptare në parlament për rezolutën e konfirmimit të pozitave shtetërore në çështjen me Bullgarinë.

 

Çka fitojnë shqiptarët nga rishikimi historik i maqedonasve?

Në fakt, shqiptarët nuk do të humbin asgjë konkrete nga çfarëdolloj rezultati që del nga ky ballafaqim i familjes bullgaro-maqedone, përveç vonimin e procesit për bashkëngjitje drejt BE-së. Ajo që shqiptarët mund të fitojnë është faktorizimi brenda Maqedonisë së Veriut, e kjo do të ndodhë me rishikimin e historisë së shtetit (dominueshëm e projektuar nga politikat jugosllave) që në masë të madhe është fyese për bullgarët, por edhe (më shumë) për shqiptarët, dhe do të ndihmonte de-mitizimin e popullit që pretendon ekskluzivitetin në shtet, e me këtë do të jemi një hap më afër drejt qëllimit për shtet me karakter bilingual dhe multietnik. Në anën e politikës rajonale, shqiptarët nuk kanë arsye për të krijuar armiqësi me një faktor jo pak të rëndësishëm në Ballkan si Bullgaria, vetëm sa për t’u solidarizuar me popullin që fatkeqësisht në masë të madhe ende vazhdon sistematikisht të diskriminojë dhe kulturalisht të ushqejë urrejtje për shqiptarët. Përkundrazi, ajo që shqiptarët duhet të ofrojnë është zgjidhje për problemin vëllazëror të dy popujve me të kaluar të përbashkët (aq të përbashkët sa ‘kosovarët’ me ‘shqiptarët’), kështu duke u pozicionuar si element i besueshëm dhe stabiliteti në Ballkan, dhe në të njejtën kohë të ndihmojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në luftën për përfaqësim të plotë në shtet (përfshirë simbolikën shtetërore) dhe në zhbërjen e idesë për një tjetër shtet-komb ekskluziv sllav në Ballkan.

Për përfundim, ajo që mund të pritet është marrëveshje e mundshme pas mbarimit të zgjedhjeve lokale në tetor në Maqedoninë e Veriut, pasi Zaev të sigurojë rezultatet e pritura dhe kështu të jetë në pozitë më komode për ndonjë zgjidhje kompromisi. Shqiptarët dhe shteti, në ndërkohë, do të kenë edhe regjistrimin i cili është jetik për zhvillimet afatgjate dhe të përatyshme në shtet. Kjo fazë kërkon kujdes dhe lëvizje inteligjente, por, mbi të gjitha, që referenca e çfarëdo verprimi të jetë interesi shqiptar lokal dhe rajonal, e jo hutia e zemërgjerësisë së pakontrolluar, që shqiptarët posedojnë si veti, por që nuk vlen shumë në (gjeo)politkë. /altereffekt.

Shënim:
Titulli është i redaksisë.