Blerina Demiri

 

Përse na tërheqin më shumë lajmet e rreme/negative dhe si ndikon kjo në shëndetin mental te të rinjtë dhe jo vetëm?

 

Nuk do shumë mend për ta kuptuar se bota po zhvillohet me një shpejtësi të jashtëzakonshme, nisur nga informacionet që marrim sa hapim sytë; qoftë në rrjetet sociale qoftë në televizor qoftë edhe në marketin përballë ku blejmë bukën e mëngjesit ose te kafeneja e lagjes, sepse shpejtësia e përhapjes së lajmit është gjithmonë një hap para nesh. 

Ne vazhdimisht shohim, lexojmë, dëgjojmë dhe besoj mendimi i përbashkët i secilit nga ne ka një përfundim të njëjtë: bota po shndërrohet në një fatkeqësi dhe kaos të pandreqshëm edhe pse shumë aspekte të jetës janë përmirësuar rrënjësisht rreth viteve të fundit.

Me pak fjalë ekspozimi drejt pesimizmit sensacional dhe të vazhdueshëm është kthyer në normë përditshmërie. Dhe kjo nuk është diçka që duhet kaluar pa vëmendje, sepse nga i gjithë ky sensacion preket shëndeti mendor i gjithsecilit nga ne.

Por sado të vetëdijshëm të jemi për këtë, sërish truri ynë disi është i prirur t’iu japë më shumë rëndësi lajmeve të rreme, gjegjësisht atyre negative. 

Besoj secili nga ne, ajo që kujton nga lajmet e fundit janë: aksidenti tragjik në Bullgari, sulmi tragjik në Deçan të Kosovës, djegia e spitalit modular në Tetovë etj. Të gjitha këto ngjarje kanë të përbashkët “tragjiken” dhe ne kemi memorizuar çdo detaj rreth tyre, të rremë apo të vërtetë. Pra, jo vetëm që lajmet negative mbushin nevojën e informimit, por edhe bëhen pjesë e mendimeve tona. Nga ana tjetër fakti që në një mënyrë apo një tjetër mediat arrijnë të keqpërdorin lajmet negative për përfitimet e tyre nuk duhet t’ua ul rëndësinë si të tilla kur janë të vërteta.  Bota zhvillohet me një shpejtësi paralele si në anën pozitive edhe në anën negative dhe ne jemi kaq pak të informuar, por edhe të interesuar për të dëgjuar lajme të mira brenda ditës. 

Nga shumë psikoanalistë thuhet se kjo dëshirë e madhe për të dëgjuar lajme negative vjen nga:

  1. Prirja negative – e cila ekziston në trurin e njeriut që nga lindja e njerëzimit dhe në kohërat e hershme është konsideruar si benefit sepse duke pritur gjithmonë diçka e keqe të ndodh njerëzit kanë qenë disi të gatshëm për t’i përballuar kërcënimet. Por, në botën moderne kjo prirje është kthyer në një preferencë njerëzore dhe media punon aq aktivisht për ta plotësuar duke e dyfishuar dozën e negativitetit.
  2. Prirja e mbivlerësimit – problemi tjetër është se ne pasi jemi të prirur për të parë gjithmonë anën negative, e mbivlerësojmë rëndësinë e një lajmi të tillë. Në momentin që ne dëgjojmë për një vrasje, një vjedhje ose një aksident ne i mbajmë mend këto ngjarje dhe secilën e ndërlidhim me atë parapraken duke arritur në një përfundim se kjo është gjendja e përgjithshme e vendit ku jetojmë. 
  3. Prirja e konfirmimit –  në momentin kur  ne krijojmë besime të tilla me ose pa vetëdije do të jemi gjithmonë në kërkim të lajmeve që do jenë në favor, gjegjësisht përforcojnë besimet e formuara sepse nuk duam të krijojmë konflikte idesh – pra nëse ne besojmë që në qytetin tonë ka shumë vjedhje, truri ynë automatikisht do të lexojë lajme që bien dakord me të.

Dhe fatkeqësiht e gjithë kjo mbështetet fortë nga fakti që te ne si popull në veçanti por edhe te gjithë njerëzimi në përgjithësi mungon dukshëm mendimi kritik dhe të qenit skeptik. 

Kjo pastaj rezulton në krijimin e ideve të gabuara për jetën duke prekur seriozisht zhvillimin e të rinjve (si më të ekpsozuarit) por jo vetëm. Duhet theksuar fakti që jo vetëm lajmi i shkruar, gjegjësisht media ka ndikim të atillë, por edhe jeta virtuale që shfaqet në rrjete sociale duke krijuar një model të një jete luksoze me ç’rast ata që nuk e kanë (shumica) fillojnë të urrejnë jetët e tyre. 

Kjo padyshim që ka të bëjë me natyrën njerëzore dhe principet që Frojdi i ka quajtur si principi i kënaqësisë (Id) dhe principi i realitetit (Ego).

Duke përdorur parimin e Frojdit për kënaqësinë (që tregon përmbushjen e dëshirave tona në mënyrë të menjëhershme të nxitura nga Idi që lind bashkë me njeriun) mund të themi se ndoshta historitë e sajuara, jeta e Instagramit thjesht na argëtojnë më shumë. Stimulimi i lajmeve të rreme plotëson një dëshirë për të lehtësuar barrën e realiteteve tona të jetuara, pa patur nevojë ne të ndërmarrim ndonjë veprim të arsyeshëm. Është si një lloj katarsisi që ne përjetojmë nga lajmet negative sepse sikur çlirojmë energji duke u mishëruar me atë që thuhet ose shkruhet.  Ndërkaq principi i realiteti krijohet gjatë rritjes dhe zhvillimit të njeriut, me qëllim që kërkesat e Idit të plotësohen mbi suaza të arsyeshmërisë. 

Përderisa ne selektimin dhe pranimin e informacionit e bëjmë mbi bazat e principit të kënaqësisë dhe nuk arsyetojmë të paktën veten tonë se pse duhet besuar ky lajm apo një tjetër, atëherë dëshpërimi mbi besime të gabuara duhet të na gjejë të përgatitur, në rast të kundërt ne do përballemi me ankth, stres, depresion që edhe pse tingëllojnë si ndjenja të zakonshme kohëve të fundit, duhen marrë seriozisht sepse bëhet fjalë për shëndetin mendor. 

Në raste të tilla ajo cfarë ne bëjmë është vazhdojmë të lexojmë dhe kërkojmë zgjidhje për këto probleme pikërisht aty ku na krijohen, duke humbur fillin në deshifrimin e informacionit nga vërshimi i madhi përmbajtjeve me të cilat përballemi. 

Në këtë mënyrë dezinformimi dhe keqinformimi i përkeqësojnë problemet e shëndetit mendor që kemi dhe i rrisin simptomat duke e bërë më të vështirë shërimin ose përballjen me të. Madje çojnë edhe në probleme të reja të shëndetit mendor që vijnë si rezultat i paaftësisë për t’i përballuar të dyja.

 

 

* Blerina Demiri është studente pasuniversitare në programin Komunikim ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore. Ky artikull u prezentua në debatin me studentë që u organizua nga Ekipi kërkimor për Shkrim-lexim mediatik dhe dezinformim që funksionon në kuadër të Institutit “Maks van der Shtul” në UEJL.