Vlerësime për qëndrimin e Bullgarisë në lidhje me debatet historike dhe gjuhësore me Maqedoninë e Veriut

Dr. Anton Pançev

 

Marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Republikës të Maqedonisë së Veriut janë komplekse dhe gërshetohen në shumë dimensione. Mosmarrëveshjet kryesore janë të lidhura me vlerësimin e shumë ngjarjeve dhe personaliteteve historike, me krijimin e “gjuhës maqedonase” dhe në përgjithësi me karakterin etnik të një pjese të madhe të popullsisë nga territoret e Maqedonisë së Veriut të sotme. Ky tekst është me karakter publicistik dhe nuk ka citime shkencore, por çdo fakt dhe proces i prezantuar në të është vërtetuar me shumë burime dhe prova origjinale.

Çështja e gjuhës

Nga pikëpamja formale “njohja” e “gjuhës maqedonase” nga Sofja zyrtare paraqet një çështje relativisht të lehtë (edhe pse insistimi i Shkupit për “njohjen e gjuhës së tyre” është mjaft e çuditshme, sepse në të drejtën ndërkombëtare ky parim nuk ekziston dhe këto veprime tregojnë qartë politizimin e skajshëm të kësaj teme). Dikush mund të thotë se krijimi i një gjuhe të re mund të bëhet pa probleme nga çdo formë dialektore ose nga çdo e folme e ndonjë gjuhe. Një gjuhëtar i shkathët mund ta realizojë këtë “detyrë” për disa javë. Në këtë lidhje, ka mjaft argumente të pastra gjuhësore, të cilat mund të provojnë se “gjuha maqedonase” po, ekziston. Midis bullgarishtes dhe gjuhës zyrtare të Republikës të Maqedonisë së Veriut në dekadat e fundit mund të vërehen dallime të ndryshme në fonetikë, në leksik etj., kryesisht për shkak të “serbizimit” të qëllimshëm të normës letrare maqedonase nën presionin e Serbisë. Por prapëseprapë, pse pala bullgare nuk pranon një situatë deri diku objektive në këtë rast? Përgjigja duhet kërkuar në dy drejtime. Së pari, në kontekstin shkencor të krijimit të “gjuhës maqedonase”, dhe, së dyti, në kontekstin e thellë historik dhe të identitetit. Krijimi i “gjuhës maqedonase” ka filluar zyrtarisht në fund të vitit 1944 dhe ka vazhduar në vitet pasuese me mjetet dhe veglat politike të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të shtetit jugosllav (serb). Kështu “gjuha maqedonase” u krijua në mënyrë tepër artificiale, me qëllimin kryesor të largohej sa është e mundshme nga bullgarishtja. Por, ky fakt nuk është gjëja më e rëndësishme. Së dyti, duke kërkuar nga Bullgaria “njohjen zyrtare të gjuhës maqedonase”, përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut thjesht pretendojnë ta “përvetësojnë” kulturën, shkrimin dhe në fund të fundit historinë bullgare nga Mesjeta deri shekullin e XX. Si e bëjnë? Ata thonë se “gjuha maqedonase” paska ekzistuar që nga Mesjeta dhe letërsia bullgare, shkruar nga Shën Kliment Ohridski dhe qindra shkrimtarë pas tij, i takonte “letërsisë dhe kulturës maqedonase”! Por të gjithë autorët prej kësaj zone, që kanë shkruar në ndonjë dialekt të bullgarishtes, nga Mesjeta, nga Rilindja, nga gjysma e parë e shek. XX, madje një pjesë edhe nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, kanë deklaruar shumë qartë (shihet edhe në titujt e librave të tyre) që janë bullgarë dhe punojnë për kauzën kombëtare bullgare. Bullgaria dhe populli bullgar nuk mund të lejojnë që me njohjen e “gjuhës maqedonase” në këto rrethana dhe prapavija politike, të shkatërrohet historia dhe kultura bullgare.

Çështja e historisë

Me Traktatin e miqësisë nga viti 2017 u krijua Komisioni i përzier për çështjet e historisë dhe të arsimit që ka për detyrë kryesore përafrimin e teksteve shkollore. Pala bullgare insiston që puna e këtij komisioni të bazohet mbi interpretimin shkencor të ngjarjeve historike duke u mbështetur mbi burimet autentike dhe mbi provat objektive. Ky komision i përbashkët nuk kishte përparime reale dhe nga vjeshta e vitit të kaluar nuk funksionon, sepse përfaqësuesit maqedonas u tërhoqën për një afat të papërcaktuar. Bullgaria dëshiron zbatimin e shpejtë të rezultateve të punës së Komisionit në librat mësimorë, si edhe vazhdimin e punës së tij në përgjithësi. Ky komision dhe çdo strukturë tjetër duhet të ngrihen punën e tyre mbi parimet e mirëfillta shkencore. Çdo qëndrim duhet të argumentohet me burime objektive. Prandaj, kur bisedohet për fugura dhe procese historike, shkencëtarët bullgarë përdorin burime dhe fakte autentike që t’i vërtetojnë tezat e tyre, derisa, për fat të keq, përfaqësuesit e Maqedonisë së Veirut janë tepër larg standardeve shkencore dhe paraqitin teza ideologjike dhe krejtësisht të pabazuara dhe të paargumentuara. Ky komision, i cili e shqyrton faktikisht historinë e të gjithave komunitete etnike në Maqedoninë e Veriut, patjetër duhet të përforcohet edhe me ekspertë shqiptarë në rradhë të parë, sepse do të ishte shumë ngatërruese, nëse nuk është mbrojtur me dinjitet edhe historia shekullore e shqiptarëve në këto troje.

Mund të flitet shumë për mosmarrëveshjet në lidhje me historinë dhe me identitetin e personaliteteve shumë të përfolura historike, por më me rëndësi është të sqarojmë pse u bë ky ndryshim kaq thelbësor dhe dramatik në identitetin e këtyre njerëzve? Propaganda serbe ka qenë e pranishme në këto vise që nga fundi i shek. XІX, por pas pushtimit të tyre në fund të vitit 1912, makineria represive serbe e ka filluar punën e saj në mënyrë shumë aktive dhe brutale. Serbia kishte për qëllim përvetësimin e një territori relativisht të madh me një popullsi krejtësisht joserbe (me përjashtim të vetëm disa mijëra njerëzve të joshur nga propaganda serbe). Për serbizimin e Maqedonisë Beogradi ka ushturar terror dhe gjenocid kundër shqiptarëve në përgjithësi (“si element i huaj që nuk mund të serbizohet”, siç pohojnë me cinizëm vetë qeveritarët serbë) dhe kundër bullgarëve, por me një dalim – të likuidoheshin kryesisht pishtarët bullgarë (mësues, priftërinë, intelektualë, revolucionarë etj.) derisa bullgarët e tjerë të serbizoheshin. Edhe pse janë vrarë mbi 11 000 bullgarë nga këto zona (edhe dhjetëra mijëra shqiptarë) vetëm në vitin 1913, dhe terrori serb ka vazhduar me shkallë të madhe edhe në periudhën 1918-1941, plani serb është dështuar për shkak të qëndresës së popullatës bullgare dhe të asaj shqiptare. Ndërkohë, për shkak të terrorit serb, janë shfaqur ide për shpëtimin e bullgarëve në Maqedoni përmes krijimit të një kombi të ri, por vetëm me përmasa politike duke e ruajtur vazhdimësinë etnike bullgare. Lufta e Dytë Botërore, vendosja e trupave dhe e administratës bullgare në një pjesë të madhe të kësaj zone (ndonëse shumica dërrmuese e oficerëve dhe nëpunësve kanë qenë me origjinë nga Maqedonia), faktikisht si aleat i Gjermanisë naciste, së bashku me disa gabime të qeveritarëve bullgarë (por duhet të kihet parasysh se lufta civile ndërmjet qeverisjes bullgare dhe majtistëve ka qenë shumë më e ashpër dhe më e përgjakshme në territorin e Bullgarisë së sotme) u kanë dhënë përparësi të madhe jugosllavëve (serbëve) në rregullimin e çështjes maqedonase në favor të Beogradit. Duke i përdorur rrethanat e krijuara brenda dhe jashtë Jugosllavisë, si edhe nënshtrimin e Bullgarisë nga pushteti i ri komunist, që ndodhej edhe nën presionin e rëndë të Bashkimit Sovjetik, komunistët (faktikisht prapë shovinistët) serbë e kanë jetësuar teorinë e tyre për “kombin maqedonas” duke krijuar edhe “atributet” e tij – “gjuhë”, “identitet”, “histori”, “heronj” etj. Dhjetëra mijëra bullgarë janë vrarë, qindra mijëra të tjerë ishin të burgosur në kampet famëkeqe jugosllave dhe në këtë vend, tani “republikë” brenda Jugosllavisë komuniste, çdo shenjë e identitetit bullgar është përndjekur dhe fshirë pa mëshirë. Ushtria, policia, shërbimet sekrete, kolonistët serbë, administrata, sistemi edukativ, arsimor, kulturor etj. ishin vënë në shërbim të plotë për arritjen e aspiratave të shovinizmit serb. Pra, nevoja e mbijetesës fizike dhe kontrolli i rreptë i përditshëm në çdo fushë të jetës publike dhe private kanë sjellë deri krijimin e kombit maqedonas në realitetin politik të Ballkanit. Jemi të sigurt se lexuesit shqiptarë nga hapësirat e ish-Jugosllavisë sumë më mirë mund ta kuptojnë dhe ta përshkruajnë këtë proces asimilues dhe terroizues. Jo rastësisht, në Bullgaria kërkon gjithashtu të reabilitohen viktimat e shumta nga gjenocidi serb kundër popullsisë bullgare në periudhat 1913-1915, 1918-1941 dhe sidomos pas vitit 1944, kur në Jugosllavinë e Titos janë vrarë mbi 23 000 bullgarë dhe mbi 120 000 të tjerë janë burgosur, janë torturuar dhe përndjekur që të hiqnin dorë nga etninë e tyre bullgare. Gjatë bisedimeve të Serbisë për anëtarësimin në BE edhe Beogradit janë vënë kushte të tilla, të lidhura me hapjen e arkivave dhe të dosjeve serbe nga shek. XX. Edhe shqiptarët kanë vuajtur nga elaboratet shoviniste serbe dhe nga gjenocidi serb dhe besojmë se tema e gjenocidit serb në shek. XX mund të gjejë një kuptim të gjerë edhe te shkencëtarët dhe intelektualët shqiptarë.

Çështja kishtare

E kemi edhe çështjen fetare në marrëdhëniet bullgaro-maqedonase, sepse edhe ajo i prek  marrëdhëniet dypalëshe. Kisha ortodokse e Maqedonisë së Veriut kërkon njohje zyrtare nga kishat e tjera ortodokse, pra të shkëputet nga Kisha Serbe (që në parim është në përputhje me interesat bullgare) duke u bazuar mbi traditën kishtare e Arkipeshkisë së Ohrit. Ky institucion kishtar është krijuar në periudhën 1019-1020 nga perandori bizantin Vasilij ІІ pas pushtimit të Mbretërisë bullgare në krye me “Arkipeshkopin e të tërë Bullgarisë” (Αρχιεπίσκοπος της πάσης Βουλγαριας) dhe është mbyllur në vitin 1767 nga sulltani nën presionin e Patriarkanës së Stambollit. Duhet të përmendet se edhe lufta kishtare e popullit bullgar kundër përpjekjeve asimiluese të grekëve ka filluar nga komuniteti bullgar në Shkup në vitin 1827 dhe ka marrë hov të madh në këto vise në vitet 60-ta të shek. XІX. Këto fakte tregojnë në mënyrë të qartë sa të pabazuara janë pohimet në Shkup që Ekzarhia bullgare i paska bullgarizuar “maqedonasit” pas krijimit të saj! Në këtë lidhje mund të përmendet edhe fakti se katolikët (uniatët – Goce Delçevi i ka takuar këtij komuniteti fetar p.sh.), protestantët, si edhe deri diku myslimanët bullgarë (një pjesë prej tyre kishte pasur orientime proturke), kanë pasur ndërgjegje të palëkundshme etnike bullgare. Pra, nuk mund të flitet fare për ndonjë lloj “propagande” bullgare kundrejt “maqedonasve” në këtë periudhë me mjetet e fesë. Pastaj e kemi trashëgimin e Ekzarhisë bullgare, krijuar në vitin 1870 dhe shkatërruar në këto troje në mënyrë barbare nga serbët dhe grekët në vitin 1913. Në këto kushte, Patriarkana bullgare nuk mund thjesht “ta njohë” pavarësinë e Kishës maqedonase pa e mbrojtur historinë e vet dhe të tërë historinë bullgare.

Shembulli i shqiptarëve në ish Jugosllavi

Siç shihet nga ekspozimi i deritanishëm, lexuesit shqiptarë lehtë mund ta kuptojnë problemet dhe qëndrimet bullgare në lidhje me kontestin me politikanët dhe opinonistët në Maqedoninë e Veriut, që mbrojnë tezat, të cilat nuk janë të mbështetura me burime dhe me fakte të vërtetuara. Mund të bëhet edhe një krahasim midis gjendjes së bullgarëve dhe të shqiptarëve nën Mbretërinë serbe dhe Jugosllavinë, sepse pikërisht këta dy popuj kanë qenë në shënjestrën shekullore të hegjemonizmit serb dhe viktima të projekteve dhe të politikave shoviniste serbe. Shqiptarët që janë ndodhur nën pushtetin serb kanë përjetuar disa valë të mëdha të gjenocidit, të masakrave, të dëbimeve, si edhe terrorin, presionin dhe nënçmimin e përditshëm. Gjithashtu, kanë qenë të vazhdueshme edhe përpjekjet e shtetit serb për ndarjen dhe për shkëputjen e shqiptarëve në Jugosllavi nga Shqipëria dhe nga vëllezërit e tyre atje, jo vetëm me ndalimin e kontakteve midis tyre, por edhe me projekte për tjetërsimin dhe çarjen e kulturës dhe të identitetit shqiptar. Dihen mirë orvatjet serbe për imponimin e etnonimeve të ndryshme për shqiptarët në Jugosllavi dhe për ta në Shqipëri, ambiciet shoviniste serbe për largimin e shqiptarëve në Jugosllavi nga proceset kulturore dhe arsimore në Shqipëri. Ka pasur edhe elaborate për krijimin e “standardit kosovar” mbi bazën e dialektit gegë. Në një situatë analogjike me këtë të bullgarëve në Maqedoni shqiptarët e Kosovës do të prezantoheshin nga pushtuesit serbë për “kosovarë” që paskan luftuar për “kombin kosovar” dhe Hasan Prishtina dhe heronj të tjerë paskan vdekur në luftë me “shovinistët shqiptarë”! Me siguri disa ide të tilla absurde kanë qenë të diskutuara në qarqet “akademike” serbe!

Çfarë kërkon Bullgaria në fushën e debatit historik?

Zyrtarët dhe shkencëtarët bullgarë gjithsesi nuk dëshirojnë që t’ua imponojnë me forcë qëndrimet e tyre përfaqësuesve maqedonas në lidhje me çështjet e lartëpërmendura, si edhe në lidhje me çështje të tjera. Ata kërkojnë debate të ndershme, por edhe rezultate reale në afate të shkurtra. Debatet, vlerësimet dhe rezultatet prej tyre duhet të bazohen mbi realitetin objektiv etnik, kulturor, gjuhësor, fetar në këto troje nga epoka e Mesjetës së Hershme deri fundin e shek. XX. Ky realitet mund të ketë trajtime të ndryshme në disa aspekte, sidomos në shek. XX, dhe historiografia bullgare nuk është “perfekte” (asnjë historiografi në botë nuk mund të ketë pretendime në ndriçimin “perfekt” të së kaluarës), por trajtimi dhe përfundimet gjithmonë duhet të mbështeten mbi fakte, argumente dhe burime të kohës të shqyrtuara në mënyrë krahasimtare.

A mund të ekzistojë Bullgaria si hapësirë historike, kulturore dhe deri diku edhe politike me përmasat dhe me vlerat e plota pa Shën Kliment Ohridskin, pa Samuilin, pa vëllezërit Milladinovi, pa Goce Delçevin, pa mijërat dhe mijërat veprimtarë kulturorë, fetarë, politikë, revolucionarë, që kanë luftuar dhe shumë prej tyre kanë vdekur në mbrojtje të etninë e tyre bullgare?! Thuhet se së paku 1/3 e popullsisë bashkëkohore të Bullgarisë (vlen edhe për autorin e këtyre rreshtave) e ka prejardhjen nga refugjatë prej këtyre viseve. Prandaj, respekti duhet të jetë i ndërsjellë – ne respektojmë njerëzit me ndërgjegje maqedonase dhe pranojmë shtetin, kombin e tyre politik, ndjenjat e këtyre personave, por nuk mund të pranojmë falsifikimet dhe degradimet e historisë. Edhe ata duhet të respektojnë bullgarët (të gjallët dhe të vdekurit) dhe historinë e tyre. Nëse ka mosmarrëveshje, le të zgjidhen përmes debatit shkencor – me fakte, me burime autentike dhe me interpretimin e tyre të drejtë, jo me përralla dhe gënjeshtra të hapura. Por në lidhje me identitetin e këtyre qytetarëve të Maqedonisë së Veirut duhet te kemi parasysh së paku dy gjëra. Së pari, ndryshimet e shpeshta dhe pozicionet e paqëndrueshme të “ideologëve dhe të baballarëve të kombit maqedonas” për prejardhjen etnike, historike, kulturore të “maqedonasve”. Në kohën e ish Jugosllavisë përfaqësuesit zyrtarë jugosllavë kanë kërkuar nga Sofja ta njohë identitetin e “maqedonasve të Titos”, pastaj, deri para 4-5 vitesh, kërkonin njohjen e “identitetit antik”, tani ende nuk dihet çfarë saktë kërkojnë këta “baballarë”! Së dyti, pikërisht për shkak të këtyre lëkundjeve ideo-kulturore shumica e njerëzve në Maqedoninë e Veriut janë të ngatërruar dhe ende nuk dihen mirë perceptimet e tyre rreth këtyre proceseve dhe në çfarë shkalle produktet e ndryshme ideologjike kanë ndikuar mbi orientimet e tyre. Personalitetet në Maqedoninë e Veriut – politikanë, historianë, gazetarë, intelektualë etj., që merren me krijimin e politikës shtetërore, kulturore, arsimore etj., duhet të marrin përsipër një qasje serioze dhe përgjegjësi për ta ndryshuar drejtimin e gabuar të ndërtimit të shtetit dhe të kombit mbi falsifikime dhe shtrëngime. Vetëm me një qasje të çiltër mund të krijohen ideologji të qëndrueshme dhe marrëdhënie të sinqerta mbi baza të forta me shtetet e tjera, por edhe ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike brenda shtetit. Nga ana tjetër, degradimi i fakteve dhe i proceseve përmes gjoja “analizave kritike” dhe “konstrukteve sociale”, jo vetëm se i acarojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera të rajonit, por janë tepër fyese edhe për gjyshërit dhe stërgjyshërit e maqedonasve të sotëm, të cilët prezantohen në versionin e historianëve maqedonas, si qenie të ngatërruara pa ndërgjegje të qartë dhe të kulluar etnike, që kundërshtohet nga faktet dhe ky nocion është pjesë nga elaboratet shoviniste serbe.

Pasojat politike

Qeveritarët bullgarë kanë bërë gabime trashanike dhe strategjike në lidhje me Çështjen maqedonase dhe me fatin e bullgarëve në këto troje. Mjafton të përmendet “aleanca” me Serbinë dhe me Greqinë në vitin 1912 që ka sjellë pasoja tepër tragjike, si edhe krimet e regjimit komunist kundër veprimtarëve atdhetarë bullgarë, madje edhe kundër popullatës bullgare në Bullgarinë e sotme jugperëndimore. Sa i përket periudhës pas krijimit të shtetit të Maqedonisë, është plotësisht e vërtetë se Bullgaria ka pasur një qasje të mirë dhe ka treguar vazhdimisht dëshirën e saj për marrëdhënie të mira me Maqedoninë e Veriut. Ky pohim mund të provohet me shumë ngjarje dhe procese nga këto 30 vite, kur Bullgaria e ka përkrahur shtetin e Maqedonisë (së Veriut) në skenën ndërkombëtare. Bullgaria e ka mbështetur anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe integrimin në BE. Mirëpo, kur u pa se anëtarësimi në NATO nuk çoi deri përparime të dukshme në qëndrimet e shkencëtarëve dhe liderëve nga Maqedonia e Veriut sa u përket çështjeve të diskutueshme, Kuvendi i Bullgarisë pranoi dhe votoi unanimisht një Deklaratë për integrimin e Republikës të Maqedonisë së Veriut në BE më 10 tetor 2019. Faktori politik bullgar është unifikuar plotësisht sa i përket Maqedonisë së Veriut (ndoshta për herë të parë në historinë më të re bullgare) dhe ka një pozicion të saktë dhe të prerë. Bullgaria nuk mund të lejojë Maqedonia e Veirut të hyjë në BE me këto qëndrime antibullgare, sepse ato rrezikojnë në thelb tërësinë dhe bazën e historisë, të kulturës, të gjuhës, të kishës, të identitetit bullgar. Historia dhe proceset kulturore dhe etnike në trojet e Maqedonisë së Veriut nuk kanë qenë dhe nuk janë vetëm një pjesë mekanike në ekzistimin e Bullgarisë dhe të popullit bullgar, por kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesa më e rëndësishme në historinë dhe ideologjinë bullgare. Pra, Bullgaria tashmë nuk mund të lëshojë pe më, sepse çdo hezitim në këtë drejtim do të dëmtonte rëndë vetë historinë dhe kulturën e kombit bullgar. Madje edhe marrëdhëniet politike, kulturore, ideologjike, historike të Bullgarisë me shtete të tjera si Greqia, Serbia, Rusia etj. nga epoka e Mesjeta andej do të bëheshin të pakuptimta po të pranonte/të pajtohej Bullgaria me tezat e plotësisht të pabazuara të Shkupit. Këtu duhet të tregohet edhe për një gabim tjetër strategjik të Sofjes zyrtare nga vitet e fundit dhe ai është përqendrimi bullgar mbi Shkupin, derisa nuk trajtohet në mënyrën e duhur fajtori kryesor i kontestit bullgaro-maqedonas – Serbia, dhe qarqet e saj politike dhe akademike, që në të vërtetë duhet të pendohen, të dënojnë dhe të heqin dorë përgjithmonë nga projektet dhe përpjekjet e tyre shoviniste.

Duke u bazuar mbi këto të dhëna dhe procese shihet qartë pse Bullgaria do t’i përdorë të gjitha veglat e saj që të mos lejojë historia dhe perspektiva bullgare të degradohen dhe të shuhen. Shekulli XX ishte tragjik për popujt e Ballkanit – dhunë masive, shpërngulje, presione, burgosje e shumë fatkeqësi të tjera. Komunitetet etnike të Maqedonisë së Veriut kanë vujatur shumë dhe meritojnë një të ardhme më të ndritur. Dëshirojmë të jemi së bashku edhe në BE, edhe në çdo nismë tjetër që ka për qëllim prosperitetin e përbashkët. Republika e Maqedonisë së Veirut duhet të ngrihet si shtet funksional, ku të gjithat komunitetet etnike kanë të drejta të barabarta. Ne, bullgarët, nuk mohojmë identitetin e të gjithë njerëzve në këtë shtet, por nuk do të lejojmë të mohohet edhe identiteti i bullgarëve kudo në botë. Si përfundim, mund të përsëritet, se çdo mosmarrëveshje në lidhje me këto çështje historike dhe kulturore duhet të zgjidhet përmes dialogut të sinqertë, bazuar mbi faktet dhe argumentet shkencore.

 


Reflektime mbi çmitizimin

Nurie Emrullai

Nurie Emrullai

 

Kur diçka ka të bëjë me popullin apo me politikën, më vjen gjithmonë ndërmend thënia e famshme në "Shakanë" e Kunderës: "Optimizmi është opiumi i popullit." Kjo frazë ka diçka të "rrezikshme" brenda vetes, që të hedh menjëherë diku tjetër. Por, përkundër asaj që kjo shprehje mund të interpretohet në variacione të ndryshme, qëllimi i përdorimit të saj është për diçka krejtësisht tjetër. Për t'jua bërë të qartë se shkrimi që do të lexoni nuk ka të bëjë aspak me optimizëm, e që mund të lërë përshtypjen sikur është edhe i mbufatur.

Tej mase reflektuese vepra të cilën jam duke e lexuar, Mosmarrëveshja nga Ismail Kadare. E shtyrë nga situata nëpër të cilën kalojmë, dhe kjo nuk është një gjendje e përkohshme, le të themi mujore, por është prej çastit kur mësova se ne shqiptarët në Maqedoninë së Veriut rrethohemi me atdheun tonë me kufij imagjinarë. Apo më mirë, qysh prej se isha filloriste. Duke kaluar vitet, duke u rritur kufijtë... Andaj, gjykoj se fjalët këtu s'do të jenë të tepërta, por të pamjaftueshme.

Ne sikur shtyhemi për të pësuar një amnezi historike, e cila domosdo që do të përcillet me amnezinë gjuhësore, ndërkaq goditja më e madhe e një populli është gjuha.

Kadare në një paragraf të tij hedh pyetjen se në çfarë gjuhe Skënderbeu ua tha frazën e famshme: "Lirinë s'jua solla unë, atë e gjeta midis jush." Ai thotë se këtë gjë nuk e thekson asnjë kronikë e kronistëve që shkruan për të. Prandaj, mbetet diçka për t’u hamendësuar.

Por, duke mësuar se Skënderbeu kishte një përgatitje intelektuale dhe njihte shumë gjuhë e shumë dialekte, atëherë lind një dyshim se ai duhet të ketë pasur një kujtesë të freskët edhe për gjuhën, siç e kishte për vendin e tij e për malet e Arbrit. Look at any luck is usually a chop game pokies online.

Atëherë, duke e lidhur fjalën liri, në mos të gjitha fjalët, me popullin ilir, ai duhet ta ketë thënë në shqip. Fjala liri nuk ka më shumë kuptim në asnjë gjuhë të botës se sa në shqipen tonë.

Skënderbeu nuk ishte vetëm një prijës, një kryezot apo një gjeneral, ai ishte një qenie politike, i cili u bë shpëtimtari jo vetëm i Shqipërisë, por i gjithë Evropës. Ai doli përballë një dinastie aq të fuqishme dhe ia doli mbanë.

E sot? Sot duke ditur dhe njohur rrënjët tona, si bëhet që gjithë bëmat e tij bien në vesh të shurdhët. Që sikur kemi turpin që të flasim për këto tema, sepse u paska kaluar koha, se duhet parë të ardhmen...

Por, si mund të vrapojë një njeri nëse në fillim nuk mësohet se si të ecë.

Përpjekja për të çmitizuar vlerën që kemi si popull, gjithsesi se nuk na vjen nga vetja, por nga lejimi që i bëhet "tjetrit", të na mësojë se kush jemi.

Nuk kemi pasqyrë më të qartë për ta parë veten se sa figurat e ndritura të kombit.

Nëse fjala e ndritur sot është bërë mjaft e dëgjuar dhe ka filluar të shndërrohet në klishe, zëvendësojnë me fjalën Shpëtimtarë të popullit.

Diçka që më bëri të reflektoj është kur Kadare thotë se "të tjerët" na kanë bërë të mendojmë se nuk duhet të krenohemi aq shumë me Skënderbeun apo me Nënën Terezë, që nuk duhet përmendur aq fort nëpër manifestime e ndodhi tonat, sepse shquhet si shenjë e "kombëtarizimit të sëmurë".

Megjithatë, ne s'duhet të mendojmë se është e tepërt të flasësh për Skënderbeun. Në fakt do të thoja se duhet përsëritur misioni i Rilindësve tanë. Sa më shpesh duhet ta përsërisim në vete e me veten: Kush ishim dhe kush duam të jemi?

Duke pasur si model njerëz të cilët janë shndërruar në kulte, të cilët ishin misionarë dhe ndërruan historinë e popullit tonë dhe të krejt botës, vjen natyrshëm konstatimi: epo ne shqiptarët vlejmë! Po, ne shqiptarët kemi zemër të madhe dhe kemi shpirt të ndritur.

Nëpër venat tona qarkullon gjak i pastër për të cilin duhet të jemi të kthjellët, që ta ruajmë e t'i dalim zot.

Unë jam një prej atyre albanologëve të rinj, që mendoj se kemi të drejtën për të njohur dhe dashur atë çka është e jona më fort se çdo gjë tjetër.

Kthjelltësinë duhet ta ruajmë, ndërkaq historinë, ta mbrojmë, në rrethanat e realitetit.

Vërtet po flasim për një periudhë të largët kohore, por nuk është e largët në mendësinë tonë. Shenjat për të dashur që ne të harrojmë i gjejmë tek-tuk, pa hyrë në thellësi.

"Për çmitizuesit, mania për t'u krenuar me një personazh planetar, ishte shenjë e kombëtarizimit të sëmurë për çdo popull, e aq më tepër për shqiptarët..."

Nëse aq shumë ne kemi ndërhyrje nga të tjerët për të harruar, si kemi krijuar bindjen se problemi është midis nesh.

Nëse ne duam veten, dhe ruajmë të pastër historinë tonë, brezat që vijnë më pas, do ta kenë më lehtë për të hequr kufijtë imagjinarë që na janë ngulur në kujtesën tonë kolektive.

S'jemi të largët, jemi një trung, jemi rrënjë të përdredhura në thellësinë e tokës aty ku pastër rrjedhin emrat: Ilir, Teutë, Agron, Skënderbe, Gonxhe, Bardhyl, Barlet, Buzuk, Matrëngë, Kanun...

Ne kemi një histori kaq të bollshme, që bën që t’u humbasë vlera dhe të bien poshtë të gjitha thirrjet për përçarje a zhbërje.

Asgjë nuk është më e vlefshme se një popull me ideal, me mendje të kthjellët, e që kthen kokën pas, për të mos harruar kurrë të shkuarën e tij.

 

 

 

* Prapavija është punuar nga Luran Osmani.


Adem Kastrati,

Prindi femër

Valdeta Dulahi

 

 

Prindi femër

T’kanë thënë se vdekja ka hijen e tokës.

Krenare për t’marrë atë që i takon,

atë që në fillim ishte e saj:

mish, asht, kurumti.*

 

S’t’kanë thënë se ajo ka fytyrën e trishtë

të nënës, kur lindi sojin e saj?

Sytë e nënës kur e mëshironin se s’lindi djalë?

 

“Do të bëhesh nanë e do të bëhesh zanë.”*

E ti duhet ta kesh dëgjuar këtë pa ta pre kërthizën.

Sinonim i vdekjes së gjallë.

Nanë e zanë.

Zanë e nanë.

 

E ke pa vdekjen në fytyrën e saj

teksa ulet e s’di kah t’ia nisë,

gishtat kërcet,

qetë – qetë me të thënë se nderi ka çmimin e një njolle çarçafi.

E ke pa vdekjen në shpinën e nënës që ngrihet mburojë.

Ka qenë aty n’zemrën e plasur t’saj,

që s’bënte zë.

 

Vdekjen e ke pa n’lotët e saj atë ditë nuse,

kur t’shihte se të ka dhuruar vdekje.

E ke pa vdekjen n’krahët e nënës

që zapton male për fëmijën e saj.

 

T’kanë thënë se vdekja ka hijen e tokës.

Po s’t’kanë thënë se ajo ka fytyrën e nënës,

fytyra e gjallë e vdekjes.

 

*kurumti : fjalë që përdoret për organet vitale.

* Do të bëhesh nanë e do të bëhesh zanë: është urim që përdoret në malësinë e Sharrit për nënat e reja.

 

 

Mal dhimbjesh 

Shkallëve të çardakut t’vjetër

kërcëllima trazon shtëpinë.

Hapa më të plakur se vetë ajo

ardhur për të shkundur jetën

aty ku e kishin ngarkuar.

 

Lëshonte këmbët ngadalë mbi dërrasë.

N’maje t’gishtave ngrihej

për qysheraftin ishte e vogël prapë.

Prapë ishte nalt peri ku varnin mishin për t’u tharë.

Mangalli n’mes votrës e hije burrash përreth,

tutej ende nga vetullat e vranta t’tyre:

“fjala matet para se të thuhet.”

N’shtëpinë e zjarrit erëmimi i kumbullave të ziera

endej si fantazmë.

Veç çaraniku i rrinte tamam.

 

Rëndë, rëndë i peshonin hapat.

Dhe era e mollëve të rëna trezonte më shumë kujtime,

e hija e plepit si shtatore qëndrese

i bëhej mal dhimbjesh,

që zemrën ia zaptonte.

 

 

Tundim

Në botën e shpirtrave

njeriu u bë qenie e pangopur,

mori hise me tepër seç i takonte.

Pastaj, zotat krijuan botë paralele

ku njeriu do të shihte veten,

do të adhuronte zotat.

Kështu ai do të ëndërronte përjetësinë,

do të ishte i vdekshëm

dhe zotat do ta ndanin parajsën mes vete.

 

Valdeta Dulahi është poete e re nga Tetova. Studioi për Gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tetovës, ndërkaq është pedagoge e Gjuhës dhe letërsisë në Shkollën e Mesme të Tekstilit në Tetovë. E lindur në Malësinë e Tetovës, poezitë e saj përshkohen nga motivet dhe tradita jonë e lashtë.


Gjys' buke dhe një libër

Vjollcë Berisha

 

"Dërgomëni libra, libra, shumë libra, që shpirti të mos më vdesë!”, thotë lutja për ndihmë e shkrimtarit të shquar Fjodor Dostojevski drejtuar familjes së vet në kohën kur ndodhej i syrgjynosur në Siberi. I veçuar bote, i mbyllur mes katër muresh e i rrethuar prej hapësirash të ngrira pa fund e anë, mardhte nga e ftohta e nuk kërkonte zjarr, kishte etje dhe nuk kërkonte ujë, kërkonte libra, domethënë horizonte, domethënë shkallë për t’u ngjitur në majën e shpirtit njerëzor. Sepse agonia fizike, biologjike, natyrore, e një trupi nga uria, nga etja a nga mardhja, zgjat pak, shumë pak, ndërsa agonia e shpirtit të pakënaqur zgjat për tërë jetën. Kështu e lexon poeti Frederiko Garsia Lorka letrën përgjëruese të shkrimtarit rus për libra, i cili nga ana e tij gjithashtu lë një mendim proverbial mbi rëndësinë e leximit në fjalën që mban gjatë përurimit të bibliotekës në fshatin e tij, ku thotë: “Jo vetëm me bukë jeton njeriu. Unë po të kisha uri dhe të isha i mbetur në rrugë, nuk do të kërkoja një bukë, por do të kërkoja gjys’ buke dhe një libër”.

Po i radhis këto mendime vezulluese të emrave që kanë bërë historinë e letërsisë jo nga dëshira për t’ju informuar, ngaqë janë gjëra që mund t’i kishit lexuar qëkur, por nga dëshira për t’u strehuar tek ata, për t’u fshehur pas tyre në kohën kur duket sikur na kanë zënë përfundi ca shigjeta plot helm, veshur me tis të sheqertë humori, që i drejtohen atij që ka kulturën e lartë e fisnike për të ndërtuar bibliotekë personale a familjare, e, edhe më keq, drejt atij që lexon.

Po kalojmë nëpër ditë kur më shumë se kurdoherë kemi mundësi të shohim një copëz nga shtëpitë e njëri-tjetrit përmes paraqitjeve publike, përmes postimeve të fotografive në rrjete sociale, përmes intervistave e pjesëmarrjes në jetën kulturore, e cila mëton të zhvillohet edhe në këto kushte me mundësinë që na e jep interneti e që, ku e ku, bëhet më interesante për shkak të përfshirjes edhe të emrave të mëdhenj që jemi mësuar t’i shikojmë vetëm në skena gjigante. Kjo mundësi, dashur pa dashur, na e krijon një ide për shijen e tyre, për dhomat dhe, më kryesorja, për bibliotekat e tyre. Kemi parë kaq shumë prezantime të njerëzve të shquar përpara bibliotekave të tyre të pasura. Pse po habitemi!? Ata që paraqiten për të dhënë një mendim domeos të jenë edhe njerëz të fjalës, njerëz që e mëkojnë botën e vet me gjërat që lexojnë, njerëz që s’do mend do të kenë një pasuri të jashtëzakonshme, një thesar që s’bëzan e që quhet bibliotekë. Po a s’është kjo pamja më e shpeshtë që e kemi parë në tërë botën e civilizuar, madje edhe në kohën kur profesorët tanë, politikanët e njerëzit e medies parapëlqenin të intervistoheshin përpara monitorëve të kompjuterëve të tyre në zyra a në shtëpi kur u jepej rasti?!

Përse e tërë kjo duhet të jetë qesharake?! Përse duhet të lëmë përshtypjen se na vjen ndot nga pamjet me libra në prapavijë? Fundja, ai është këndi më dinjitoz i shtëpisë që s’cënon as privatësinë e ngjyrës së orendive, të mbulesave e enëve. Ka mondanitetin e vet të përhershëm dhe neutralitetin kundrejt syrit kureshtar. E më kryesorja, ajo është mbështetja vetë. Një paraqitje me bibliotekën time përmbrapa më jep siguri, më mban fort. Ai është muri më i sigurt mbështetës. Përse të mos përfitojmë nga kjo?!

Kam parë këto ditë shumë njerëz, shkrimtarë e intelektualë që i respektoj, të cilët kishin kërkuar ndonjë kënd shtëpie me ndonjë pamje "jomburracake" mbi orenditë e sallonit, por ndonjë mur ku gjendet ndonjë pikturë që ia vlen për ta bërë paraqitjen nga shtëpia. Kryesorja të mos jenë te librat, se ata të librave po përqeshen këto ditë (!). Në një kompleks të tillë po futesha edhe vetë për pak. E zura veten duke kërkuar vendin “modest” për paraqitjen time dhe e kuptova se si pavetëdijshëm te të gjithë ndikojnë opinionet e pamenduara mirë, për të mos thënë dashakeqe, të atyre që tentojnë të kërcënojnë praktikën e mirë të krijimit të bibliotekave, po qoftë edhe mburrjen me to.
Ajo zënie e vetes me presh në duar, duke u ikur rafteve me miqtë e përhershëm që fshehin aty pafundësisht mund e dashuri, rafteve ku banojnë ngushtë, shpesh njëri mbi tjetrin, arkitektët e botës sime, personazhet që i kam njohur e dashur njërin pas tjetrit, e që i kam ftuar t’i njohin edhe motrat e mia, miqtë e të afërmit, më ndrydhi keqazi dhe më bëri të reflektoj mbi shëmtinë e këtij kompleksi të injektuar nga njerëz që mezi e shkruajnë gjuhën amtare ose nga disa të tjerë që pavetëdijshëm marrin anën e tyre.

Ajo bibliotekë që e kemi mjet pune. Ato kopertina me ngjyra, madhësi e erë të ndryshme janë almiset e punës sonë të përditshme. Pse u dashka të na vijë turp prej tyre. “Ky është sindrom. Kështu i kompleksonin e i struknin mënjanë nxënësit që mësonin e lexonin në klasë”, thotë mikja ime Xh. Dhe kush ia dilte ta bënte këtë? Ata që moti kishin ndërruar rrugën e dijes.

Dëshira për të folur për këtë çështje s’ka të bëjë me shtysën për të bërë avokatin e atyre që janë kritikuar për snobizëm, por për të krijuar një digë sado të vogël në komunitetin e njerëzve që e duan librin, me idenë që të mos u vijë keq t’i shfaqin librat e tyre. Ata libra që u është dashur një jetë për t’i grumbulluar, po ndoshta edhe më shumë se një jetë, atë të gjyshit e të babait. Ata libra që janë argëtimi e streha e tyre e parë, që janë mjeti kryesor i punës së tyre, fuqia e tyre e fshehtë, kënaqësia e tyre e përhershme…
Vetëm ata që i kanë mbledhur librat një nga një, që i kanë radhitur, i kanë lexuar me ëndje mund ta ndjejnë magjinë e këtij thesari. Vetëm ata mund t’i dinë horizontet e asaj bote të veçantë. Mund t’i njohin kënaqësitë e rendjes pas një libri, frikën nëse do ta kthejë atë miku që po e merr për ta lexuar, torturën që e shkakton rafti i gjithë atyre që presin radhën për t’u lexuar… e shumë kënaqsi të tjera që i njeh lexuesi i vërtetë e pronari i bibliotekës.

Se një bibliotekë nuk është një grumbullim librash të grupuar e të klasifikuar, por është një zë kundër injorancës, një dritë e përhershme kundër errësirës.

E ç’nuk ka një lexues në raftet e tij prej terjaqiu! Janë aty tërë ata libra që i ka përpirë në netët pa gjumë. Janë rojtarët e përhershëm të ditëve të tij më të lumtura, si dhe të atyre më të mugëtave. Janë grumbujt e mëdha të librave që presin të këndohen. Është frika që e bën të dridhet se jeta s‘ka për të dalë që t’i thithë të gjitha. Janë grumbujt e librave që janë blerë duke e ditur që s’kanë për t’u lexuar kurrë. “Thjesht, duhet të jenë të mitë. S’mund t’i lë”, mendon tek i blen. Pastaj janë fjalorët, enciklopeditë, studimet, krestomacitë… që i kërkon kur i duhen, që i dalin në ndihmë gjithmonë; drejt të cilëve shkon rregullisht, prapë e prapë, me po atë zell që i shkon teatrit dhe gjithnjë mahnitet nga një gjë e re… Pa janë tërë ata libra që ka pasur shtysën e çmendur t’i rilexojë e që mendon se do ta bëjë përsëri kur ta marrë malli. Janë poezitë, vëllimet me poezi që i hyjnë në shtrat pa leje dhe e bëjnë të këndojë tërë natën. Ato krijime të vogla, të thella që ia kanë mësuar të gjitha kodet e lumturisë dhe i vijnë pa pra; ato krijime që i ka mësuar përmendësh dhe prapë i shfleton e i shfleton pa u lodhur. Janë edhe ata librat me dedikimet si plagë nga njerëz që i deshi e që ishin të rrallët që ia mësuan botën, që e kuptuan se dhurata më e çmuar për të ishte një libër dhe koha që u harxhua për ta zgjedhur atë. Sa e sa personazhe, përralla, heronj të vegjëlisë, burra e gra të çmendura e popullojnë atë bibliotekë dhe jetojnë në paqe përkrah njëri-jetrit me vite e me breza.

E pranoj se ka nga ata që nuk kanë lexuar mjaftueshëm, por kanë një copëz biblioteke prapa shpine në paraqitjet e tyre. Nuk mendoj se janë për t’u tallur edhe ata. Gjithkush që ka pasur ca rafte me libra që i ka bërë vetë e di mirë se biblioteka është ajo “ngrehinë” që s’bëhet për një natë dhe s’bëhet nëse nuk ke një dashuri për librin. Edhe te tipi më i keq i pronarit të një biblioteke unë shoh diçka fisnike kundrejt atyre që e përqeshin: vlerësimin që ka për librin. Ai fundja e di se armatura e personalitetit është mu ai grumbull librash dhe mëton ta prezantojë.
Unë për vete, teksa shoh këto ditë libra, rafte e biblioteka të ndryshme familjare, kam atë shtysën e çmendur që mund ta kenë të gjithë ata që u marrin erë librave e që e konsiderojnë të humbur orën që kanë ndenjur larg leximit, për t’i parë nga afër ato biblioteka, për t’i prekur ata libra, për të folur për botimet e tyre të ndryshme, kopertinat, letrën, përkthyesin… me pronarët e tyre.
Nëse je me tërë këtë pasion, përse të kesh turp prej tyre dhe përse të lejosh të ta prishin magjinë?!

Libër natyrisht, kudo: në paraqitjen publike, në vetminë e thellë, sot, nesër, përherë…


52 libra në vit. Një dëshirë reale, apo iluzion?

Ramize Ferati

 

“Njerëzit e mirë nuk e dinë, sa kohë dhe mund kërkon të mësosh leximin. Mua më janë dashur tetëdhjetë vjet për këtë dhe as tani nuk mund të pandeh se e kam arritur atë qëllim.” J. W. Von Goethe

 

Në gazetat botërore prestigjioze, në vazhdimësi kemi hasur në artikuj që paraqesin zellin e filozofëve të urtë, a njerëzve të suksesshëm, të cilët nuk reshtin së lexuari. Pareshtur, do të thotë së paku një libër në javë, pa përfshirë leximin e përditshëm, pa ndonjë synim madhor, si leximin e gazetave për t’u informuar, apo raporteve voluminoze për qëllime profesionale. Një qëllim të tillë ia kisha vënë vetes disa herë, por me përjashtim të leximit të librave për fëmijë dhe ata që kam lexuar gjatë kohës intensive të studimeve, nuk e kisha arritur kurrë.

Si asnjëherë më parë, në muajt e fundit, gjatë izolimit fizik social, për shkak të pandemisë, libri ka rifituar vëmendjen e lexuesit, pasi viteve të fundit leximi dukej se konsiderohej tashmë sikur të ishte si një aktivitet njerëzor i lashtësisë. Ky “përfundim” arsyetohej me argumentin se libri ishte bërë jo-atraktiv, se procesi i leximit është i ngadalshëm dhe se në kohën e revolucionit teknologjik më i vlefshëm është zhvillimi i shkathtësive praktike, të cilat shpaguhen financiarisht shumëfish më shumë se sa perspektiva që të jep një punë që ka për parakusht leximin.

Fakt është që pëlqyeshmëria e librit prej vitesh është zëvendësuar në masë të madhe nga interneti dhe ndërveprimi virtual në rrjetet sociale. Ndaj, për të sfiduar ndjenjën e fajësisë, por edhe për të eksperimentuar, e shfrytëzova këtë mundësi unike të shfaqur rishtas. Që kur Prishtina hyri në izolim të detyrueshëm dhe shumica e  angazhimeve profesionale u zhvendosën në “zyra të improvizuara” në shtëpi, pata lexuar nëntë libra. Një ndodhi kontradiktore kjo që do të duhej të ishte normale, por është e jashtëzakonshme. Normale, sepse pati efektin e pritur të vërtetimit dhe e jashtëzakonshme, para së gjithash, sepse ka një parakusht: zgjatjen e izolimit deri në fund të vitit – mendim ky që më shtyri të analizoj tri aspekte të këtij procesi që aty për aty m’u shfaqën si çaste iluminimi.

 

  1. Bota e librave është e pafund dhe koha e kufizuar (Sa lexojmë?)

Për çdo njeri që ka një angazhim profesional me orar të plotë, pa marrë parasysh nëse ai nënkupton një aktivitet fizik, apo mendor, leximi i një libri në javë, sado qëllim modest dhe sa shumë normal të duket, jo rrallë herë del të jetë i pamundur. Një përllogaritje e thjeshtë të sjell tek përfundimi se brenda ditëve të punës njeriut nuk i mbetet kohë për t’ia kushtuar librit me seriozitet, ndërsa në fundjavë duhet zgjedhur në mes prioriteteve të shumta. Leximi i një libri në javë është mision edhe më vështirë i realizueshëm për një grua të cilën pas orarit të punës së paguar e presin angazhime të tjera, të cilat shoqëria jonë padrejtësisht parapëlqen t’i interpretojë si angazhime familjare. 52 libra në vit lexohen vetëm nëse punëdhënësi të paguan për të lexuar; vetëm në qoftë se nuk duhet të punosh për të jetuar; vetëm në qoftë se i redukton tej mase, apo edhe më mirë, i eliminon të gjitha kontaktet e kota njerëzore, ato të cilat nuk kanë asnjë dobi e nuk të sjellin asnjë kënaqësi, por të cilat në shoqërinë si kjo e jona janë etabluar si obligime. Pa marrë parasysh mënyrat, ritmin, apo shpejtësinë e leximit, leximi merr kohë dhe ndonëse nuk nevojitet përqendrim maksimal, të pa-anashkalueshme janë kushtet e leximit. 52 e më shumë libra lexon vetëm në qoftë se ke hapësirë, pra rrethana dhe kushte personale. Ndërsa një gruaje që synon të arrijë këtë, i nevojitet një ditë e zgjatur për disa orë, dhe nëse ajo mëton edhe të shkruajë, pa asnjë dyshim edhe “Një dhomë më vete”. Ndryshe nuk ka se si bëhet.

 

  1. Leximi pa qëllim është vuajtje (Pse lexojmë?)

Nëse do të pyesnim njerëzit përse lexojnë, do të merrnim përgjigje të panumërta dhe krejtësisht të ndryshme. Jo vetëm, por sidomos në pamundësi për të udhëtuar fizikisht, ne lexojmë për të udhëtuar në kohë. Në imagjinatën tonë mund të ndodhemi për një 24-orësh në Kanë, për disa javë në Shën Petersburg për një moment në Nju Jork, ndoshta disa ditë nëpër Kopenhagë, a për një vit në Berlin, pra jo vetëm në pesë shtete, por edhe në pesë periudha të ndryshme kohore dhe në peizazhe të llojllojshme kulturore. Ndaj dhe s’ do mend se një nga arsyet më të shpeshta që ne paraqesim, është ajo që ne lexojmë për kënaqësi.

Por leximi i vëmendshëm, ai për të kuptuar, rrallëherë përkufizohet vetëm si kënaqësi. Shumë më shumë se kaq, leximi “heq kufijtë në kokat tona”. Ai në vetvete është sfidë, e cila nuk të lë të qetë, e aq më pak të pandehësh se di dhe ke mbaruar së mësuari. Dhe është kureshtja ajo që njeriun nuk e lë të ndalojë së kërkuari më shumë, kur të ketë arritur cakun e vendosur. Sa më shumë që zbulon, aq më shumë pikëpyetje shfaqen, shumica e përgjigjeve të të cilave sërish gjenden në libra të tjerë.

Ne lexojmë për t’u formuar dhe formimi do të thotë ndryshim. Në parathënien e romanit, “Man’s search for meaning”, të autorit Viktor E. Frankl, njëri nga shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë, amerikanë, Harold S. Kushner thekson se nëse në një libër gjendet qoftë edhe një paragraf, apo një ide që është aq e fuqishme, sa për të ndryshuar jetën e një njeriu, atëherë vetëm kjo e arsyeton leximin e rileximin dhe ai libër ia vlen të zërë një vend në raft. Ndërsa leximi vetëm për të mbytur kohën është vuajtje dhe vuajtja përmban diçka paradoksale: sa më shumë që zgjat, aq më shumë forcohet.

 

  1. Ti je çfarë lexon (Çka lexojmë?)

Librat ndikojnë në mendimet, qëndrimet dhe vlerat e lexuesit, kjo është e ditur, ndaj dhe duhet përzgjedhje. Një mendje kritike di të mos i marrë për fakte të gjitha informacionet e reja që gjen në cilindo libër. Njeriu që mendon në mënyrë të tillë është në gjendje vetë të krahasojë, analizojë, gjykojë, vlerësojë dhe të formojë vetë mendimet e tij. Goethe nuk ka theksuar kot, se “leximin” duhet “mësuar”. Mirëpo kujdes duhet treguar sidomos kur fëmijëve iu ofrojmë përmbajtje leximi, sepse përveç që ka libra të ndaluar, ka madje edhe të tillë që vijnë me “udhëzime”. Mund të duket e habitshme, por sigurisht me vetëdije, shtëpia botuese amerikane Wilder Publications veprat e mendimtarit dhe filozofit gjerman, Imanuel Kant i botoi me një shënim, si udhëzim për prindërit që në hyrje: “Ky libër është produkt i kohës së tij dhe nuk reflekton të njëjtat vlera, të cilat do të reflektonte, nëse do të ishte shkruar sot. Prindërit duhet që me fëmijët e tyre të diskutojnë rreth mënyrës se si kanë ndryshuar qëndrimet rreth racës, gjinisë, seksualitetit, etnicitetit dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore, para se t’u lejojnë atyre ta lexojnë këtë vepër klasike.”

Diskutime rreth përmbajtjes së një libri janë zhvilluar që në epokën e Galileut, e mbase edhe më herët dhe në vazhdën e tyre, gjithashtu është përmendur ndikimi i gjinive letrare. Grupe të caktuara edhe të intelektualëve në periudha të ndryshme kohore besonin se leximi i një gjinie të caktuar letrare, është më shumë, apo më pak i rëndësishëm dhe se njerëzit mund të kategorizohen sipas llojit të librave që lexojnë. Një mendim ky i diskutueshëm, por megjithatë i praktikuar. Në Gjermaninë e shek. XVII p.sh. fisnikët dhe shërbyesit e oborrit mbretëror, shumë nga cilët edhe vetë qenë shkrimtarë e mendimtarë, ishin të besimit se grave që në atë kohë nuk kishin të drejtë arsimimi, sikurse burrat, megjithatë duhej t’u lejohej të lexojnë beletristikë, para së gjithash poezi. Qëllim parësor i këtij mendimi ishte që ato t’u lexojnë dhe t’i zbavitin burrat, kur ata të kthehen në shtëpi, mbase, sepse ata ishin të bindur se romanet e poezitë nuk janë “të rrezikshme”.

Për fat, a fatkeqësi, sot ka pajtim të gjerë mbi atë se ai që e ka lexuar “Iliadën”, “1001 net”, “Poemën e mjerimit” a “Hija e tokës”, e njeh fuqinë vepruese që del nga letërsia e bukur dhe ndikimin që ajo ka për zhvillimin intelektual, kulturor e qytetar, nëse lexuesi ka arritur t’i zbërthejë mesazhet që ajo përcjell. Pavarësisht zhanrit, një libër të cilit ia vlen t’ia kushtojmë kohën tonë të çmuar, duhet të të mbajë në ethe, të të nxisë të konfrontohesh me frikën mbi paditurinë, të të shtyjë të veprosh, të të japë krahë, të të lumturojë, dhe nuk duhet asnjëherë të të lërë të ndalosh së kërkuari arsyen e ekzistencës njerëzore. E nëse nuk janë 52 në vit, 26 libra të zgjedhur sigurisht që nuk do të shuajnë etjen, por mjaftojnë të mbajnë ndezur dëshirën për të gërmuar më thellë dhe na orientojnë të gjejmë rrugën drejt njohjes së vetvetes.

 

 

 

 


Kohë për një strategji gjithëpërfshirëse për veprim politik kolektiv

Intervistë me Albulenë Halili-n, ekskluzivisht për obshtestvo.net.

Realizoi në shqip: Anton Pançev

 

  1. E nderuar znj. Halili, nuk mund të mos fillojmë me një pyetje të mërzitshme për të gjithë ne. Si po zhvillohet lufta me virusin në Maqedoninë e Veriut dhe a po zvogëlohen masat kufizuese?

Në kohën kur e gjithë bota filloi të hapet dhe të lirojë masat kufizuese, norma e vdekshmërisë nga Covid 19 në Maqedoninë e Veriut është më e larta në rajon, dhe numrat e rasteve të reja po rriten frikshëm. Presidenti i shtetit, ka vazhduar për herë të katërt gjendjen e jashtëzakonshme. Për dallim nga fqinjët, kufijtë e shtetit vazhdojnë të jenë të mbyllur. Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur për shkak të pandemisë është mbivendosur mbi jashtëzakonshmërinë e jetës sonë. Shtetet e Ballkanit Perëndimor me demokraci të brishta dhe histori famëkeqe të diskriminimit e kufizimit arbitrar të lirive e dhunimit të të drejtave njerëzore, janë pamjaftueshëm të përgatitura për fatkeqësi të kësaj natyre. Vetë koncepti i gjendjes së jashtëzakonshme që parashihet në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut ku qeveria sjell dekrete me fuqi ligjore, trajtohet si gjendje e shpallur në rast lufte, për dallim nga koncepti perëndimor i emergjencës shëndetësore apo gjendjes së krizës. Po ashtu qeveria ka shfrytëzuar gjendjen e jashtëzakonshme për ushtrimin e pushtetit të pakufizuar në shumë sfera të jetës, duke marrë kështu tipare të një regjimi autoritar. Qeveria aktuale është teknike dhe parlamenti është shpërbërë që në shkurt të këtij viti. Datë përfundimtare për zgjedhjet parlamentare, akoma nuk ka.

Pandemia ka shpërfaqur edhe më shumë mendësinë diskriminuese shtetërore ndaj shqiptarëve. I gjithë komunikimi zyrtar, materiali informativ dhe njoftimet nëpër rrjetet sociale janë bërë kryesisht në gjuhën maqedonase. Pushteti po përpiqet që dështimin e vet në menaxhimin e krizës t’ia veshë qytetarit, e sidomos atij shqiptar. Është e vërtetë që ekziston një mosbesim i qytetarit shqiptar te shteti, por për një raport të këtillë, janë gjithmonë të nevojshëm dy palë. Në të njëjtën kohë shteti ka përdorur festat fetare myslimane për të stigmatizuar shqiptarët si mosrespektues të ligjit. Mediat kanë përdorur eufemizmin “mysliman” për “shqiptar”. Për fat të keq edhe reagimi i shqiptarëve ka ndjekur natyrën e akuzës, duke qenë një reagim fetar në vend se kombëtar.

Shëndeti publik bën pjesë në sigurinë kombëtare dhe si i tillë është përgjegjësi parësore e shteteve. Është e vërtetë se në rastin e pandemive, duhet të ekzistojë një infrastrukturë më e gjerë publike që përbëhet nga palët e interesuara që marrin pjesë në të gjitha aspektet e planifikimit, por kjo nuk nënkupton se në këtë infrastrukturë vitale duhet të ketë rol thelbësor qytetari i thjeshtë. Pa dashur ta amnistoj secilin prej nesh, përgjegjësia për shëndetin publik nuk lihet kurrë dhe kurrsesi në ndërgjegjen dhe vetëdijen e popullatës.

 

  1. Republika e Maqedonisë së Veriut mori ftesë për fillimin e negociatave me BE. Cilat janë pengesat kryesore në këtë rrugëtim të gjatë?

Pengesat e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së, edhe pas firmosjes së Marrëveshjes së Prespës, mbeten shumë. Bashkimi Evropian e ka bërë gjithmonë me dije se anëtarësimi në BE nuk është një proces thjesht politik, porse edhe teknik. Harmonizimi i legjislacionit të vendit me Acquis Communautaire (NPAA) mund edhe të ketë shkuar mbarë e mirë, por implementimi i tyre është shumë larg. Në raportin e fundit, i cili u shpall në mars të këtij viti, Komisioni Evropian thekson nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill 2020, të cilat për shkak të pandemisë Covid-19, janë shtyrë për një afat të pacaktuar. Ky fakt e zgjat jetën e qeverisë teknike ku përfshihen edhe anëtarë nga partia maqedonase opozitare. Sferat ku Maqedonia e Veriut duhet të tregojë rezultate të qëndrueshme përfshijnë: reformën gjyqësore, hetimet dhe ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar duke përfshirë dhe ata në nivelet më të larta, dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Implementimi i kësaj të fundit, edhe pse theksohet në secilin dokument të Komisionit Evropian, si parakusht për anëtarësim në BE, kujtoj që është e tejkaluar. Marrëveshja e Ohrit përfaqëson një dokument të nënshkruar pas përfundimit të një konflikti, para pothuajse dy dekadave dhe krejtësisht në një tjetër mjedis politik e gjeopolitik, të cilës aq më tepër i ka skaduar afati i implementimit. Kjo marrëveshje është burimi i të gjitha marrëzive që rrjedhin nga koncepti non sens i popullit 20%. Në të drejtën ndërkombëtare është e njohur klauzola rebus sic standibus e cila bën që një marrëveshje të jetë e pazbatueshme për shkak të ndryshimeve fundamentale të rrethanave. Pra, meqë rrethanat kanë ndërruar dhe proceset politike kanë evoluuar, janë krijuar kushtet për një marrëveshje të re kushtetuese mes popujve më të mëdhenj që jetojnë në këtë shtet. Kjo marrëveshje duhet të bëhet pas realizimit të një procesi mjaft të rëndësishëm, të cilin e kam cilësuar se është Nyja Gordiane e këtij shteti, siç është procesi i regjistrimit, i cili për herë të fundit është kryer në vitin 2002. Për shkak të natyrës së këtij shteti, numri i banorëve të etnive që jetojnë në Maqedoninë e Veriut determinon gjithçka, duke nisur nga kushtetuta ku përcaktohet se kujt i përket sovraniteti, të drejtat kolektive, përfaqësimi në institucione, ndarja territoriale, listat zgjedhore, përdorimi i gjuhës shqipe, shpërndarja buxhetore e kështu me radhë. Pra, kemi të bëjmë me një realitet krejtësisht të ri, i cili duhet të përligjet dhe të sanksionohet edhe juridikisht. Kjo sa i përket pengesave të brendshme.

Pengesat e jashtme për Maqedoninë e Veriut duket sikur s’reshtin kurrë. Marrëveshja me Greqinë për emrin, u kundërshtua fuqishëm nga opozita maqedonase por edhe nga një shumicë e madhe e popullit maqedonas. Këtë e dëshmoi edhe rezultati i referendumit. Kjo marrëveshje, është si të thuash një bombë e kurdisur për këtë shtet. E para, për shkak të mungesës së kohezionit mes vetë maqedonasve lidhur me këtë çështje, dhe e dyta lidhur me mohimin e elementit shqiptar në këtë marrëveshje. Arsyeja e vetme për moskundërshtimin e kësaj marrëveshje nga ana e shqiptarëve, ka qenë që të mos pengohet procesi i anëtarësimit në NATO, një qëllim strategjik i kamotshëm, për të mos thënë i gjithhershëm shqiptar. Pengesat e tjera që janë paralajmëruar nga fqinji tjetër, Bullgaria, tani kanë të bëjnë me një tjetër çështje të identitetit të Maqedonisë së Veriut.

 

  1. U formuan taborët kryesorë te partitë shqiptare para zgjedhjeve parlamentare. A ka gjasa BDI ta humbë pozitën e parë për shkak të koalicionit ASH - AA?

ASH-AA është që në fillim një koalicion i panatyrshëm. Arsyeja e parë është për shkak se Aleanca për Shqiptarët është një subjekt opozitar, ndërkaq Alternativa është pjesë e pushtetit. Arsyeja e dytë ka të bëjë me botëkuptimet e kundërta të këtyre dy subjekteve lidhur me çështjet e identitetit, aleancave strategjike dhe ideologjive nga të cilat udhëhiqen. Së fundmi, motivi i këtij koalicioni kam frikë se është vetëm çuarja në opozitë e BDI-së, pa shpallur ndonjë plan konkret për qeverisje. Aleanca për Shqiptarët si subjekt që u krijua për të reformuar Partinë Demokratike Shqiptare, duhet në çdo veprim t’i qëndrojë besnike filozofisë së Arbën Xhaferit.

Nuk besoj se BDI ka përballë një koalicion të denjë për ta sfiduar. Nuk do të doja të ishte kështu. Besoj se nuk do të donte as vetë kreu i BDI-së, i cili para do kohe publikisht ka bërë thirrje që të gjithë subjektet të bashkohen për të mposhtur BDI-në. Kjo bëhet edhe më e vështirë sidomos pas shpalljes së qëllimit dhe motos së re nga partia shqiptare në pushtet se ka ardhur koha për një kryeministër shqiptar. Që në fillim duket se do të jetë një moto elektrizuese, për të mos thënë aspak e pamundur, në fushatën e zgjedhjeve parlamentare, që do ta eklipsojë tërë debatin mbi veprimtarinë e deritanishme të këtij subjekti. Partitë shqiptare duhet të jenë konsekuente se kanë përgjegjësi kolektive dhe se duhet në baza të rregullta periodike të përfshihen në procesin e llogaridhënies karshi popullit shqiptar. Diskursi politik në Maqedoninë e Veriut dhe fushatat parazgjedhore qoftë ajo e kaluara e zgjedhjeve presidenciale, apo kjo për zgjedhjet parlamentare, më shumë se për pozita, duhet të fokusohet në plane konkrete për fuqizimin e çështjes shqiptare në këtë shtet. Pra, pushtetizimi i individit shqiptar duhet të ecë në përpjesëtim të drejtë me pushtetizimin e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Në subjektet politike shqiptare në Ballkan, vërehet një fenomen mjaft i dëmshëm - përkthimi i kundërshtarëve politikë në armiq. Ky fenomen ndodh në Kosovë, siç ndodh edhe këtu. Parimet e demokracisë e bëjnë të shëndoshë diversitetin e mendimeve dhe orientimeve ideologjike, por sa u përket temave të caktuara që lidhen ekskluzivisht me interesin kombëtar, subjektet politike duhet gjithsesi të kenë unitet dhe një farë lloj konsensusi.

Pra, sfidë kryesore e subjekteve shqiptare në këtë shtet, në vend të zënkave duhet të jetë një strategji gjithëpërfshirëse për veprimin tonë politik kolektiv lidhur me sulmet ndaj shqiptarëve, të cilat duket se e kanë rizgjuar ndjenjën e vërtetë të maqedonasve për shtetin etnocentrik të tyre, dhe se përkundër metanarrativave me shoqëri dhe jetë për të gjithë, shtyllat kryesore të shtetit mbeten të pandryshuara.

 

  1. A mund të kemi prapë shumë vota shqiptare për LSDM-në, sidomos pas koalicionit me Lëvizjen “Besa”?

Vota shqiptare për LSDM-në në vitin 2016 ka përfaqësuar në rastin më të keq një moment dobësie të trupit votues shqiptar, ndërkaq në rastin më të mirë një përllogaritje e fuqisë, i cili te LSDM, apo më mirë ta quajmë me eufemizmin që ata ishin vetëemërtuar – koalicioni gjithëpopullor, ka parë rrugëdaljen më të shpejtë e më të sigurt nga regjimi i Gruevskit. Ky regjim kishte bërë që shteti të rrëshqiste në autoritarizëm dhe të minojë proceset euro-atlantike, duke i hapur rrugë ndikimit të fuqishëm rus, jo vetëm në vend por edhe në rajon. Në këtë proces shqiptarët kanë qenë faktori kryesor në arritjen e rezultatit përfundimtar. Rënia e Gruevskit, i rrënoi planet e Federatës ruse në Maqedoninë e Veriut dhe i hapi rrugë shtetit për anëtarësimin si anëtarja e 30-të e organizatës më të fuqishme politiko-ushtarake – NATO dhe shpejtimit të procesit të anëtarësimit në BE.

Koalicioni parazgjedhor i tanishëm i Lëvizjes Besa me LSDM-në do të jetë dëshpërues për të dyja palët. Nga njëra anë nuk do të sjellë numër të konsiderueshëm votash shqiptare për LSDM-në, ndërkaq nga ana tjetër do të shkaktojë erozion të besimit të votuesit shqiptar te Lëvizja Besa. LSDM akoma nuk ka pastruar ndërgjegjen e saj nga e kaluara dhe raporti i hidhur i shqiptarëve me të.

 

  1. Fitorja e Vetëvendosjes në Kosovë, edhe pse koalicioni qeveritar ra, ka sjellë shumë shpresa te shqiptarët në Ballkan për ndryshimin e dëshiruar. Si mendoni, a do të ketë ndikime edhe në Maqedoninë e Veriut?

Po, keni të drejtë. Togfjalëshi “Lëvizja Vetëvendosje” dhe fjala “shpresë” janë parë të shkruhen bashkë shumicën e herëve gjatë muajve të shkuar. Filozofia politike e Lëvizjes Vetëvendosje është mishërim i filozofisë së historisë së kombit tonë dhe si e tillë është e drejtë dhe e pakontestueshme. Veprimtaria e saj si subjekt opozitar është shquar për nga reagimi i pakompromis dhe konsistenca e pashoqe lidhur me çështjet thelbësore të interesit kombëtar . Mbështetja e popullit, sidomos rinisë, dhe jo vetëm asaj në Kosovë, është njëra nga asetet më të mëdha të këtij subjekti atipik politik të hapësirës sonë. Qeverisja 50-ditëshe e Vetëvendosjes, me gjithë pengesat e parashikuara e të pritura, mungesën e përvojës në qeverisje, u karakterizua nga po të njëjtat virtyte, të pazakonshme për politikëbërjen shqiptare në Ballkan. Ajo dëshmoi se kur në krye të shtetit vijnë njerëzit e duhur, edhe shqiptarët dinë të menaxhojnë me sukses një pandemi, të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin e niveleve më të larta shtetërore, të punojnë për shtetin e së drejtës, të përfaqësojnë denjësisht shtetin në takime e tryeza ndërkombëtare, të pozicionohen si të barabartë në raport me Serbinë, t’i vihen në shërbim të plotë sovranit të tij (popullit) dhe mbi të gjitha të dëshmojë se morali në politikë është i mundshëm. Shqiptarët kudo që jetojnë në Ballkan, e ndiejnë dhe e dëshirojnë këtë frymë të re në mënyrën e të bërit politikë. Skena politike shqiptare lëngon nga personazhe të vjetra, të përhershme, të shteruara si fizikisht, ashtu edhe për nga idetë dhe të menduarit e ri, dhe për më tepër të mësuar që me çështjet kolektive të sillen sikur të jenë çështje të tyre private.

Ndikime është e natyrshme që ka, si në Shqipëri ku veçse është krijuar qendra e Vetëvendosjes. Madje duhet gjithsesi të ketë. Ndonëse, gjykoj se mënyra e politikëbërjes së Lëvizjes Vetëvendosje nuk duhet të importohet si e tillë, pra të kopjohet e të keqpërdoret për qëllime politike, porse të merret si model se si ndërtohen kauzat e si luftohet politikisht për to, duke krijuar rrjete në fushëveprimet e përbashkëta përtejshtetërore, pra mbarëkombëtare.

 

  1. A kanë partitë shqiptare qëndrime të qarta rreth kontestit bullgaro-maqedonas?

Partitë shqiptare kanë lavdëruar Marrëveshjen për fqinjësi të mirë midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të nënshkruar në vitin 2017, duke e cilësuar atë si një arritje të madhe në rrugën euro-atlantike, por edhe si kontribut për stabilitet dhe siguri në rajon. Paralajmërimet e fundit që vijnë nga Sofja thuhet se kanë të bëjnë me mungesën e seriozitetit të palës maqedonase lidhur me zbatimin e obligimeve të marra në bazë të kësaj marrëveshjeje.

Lidhur me këtë paralajmërim, për shqiptarët, është shqetësuese deklarata e presidentit të Maqedonisë së Veriut, bërë së fundmi, ku thotë se vendi nuk ka nevojë për BE-në nëse çmimi i anëtarësimit në Union është "të pranosh që ne nuk jemi maqedonas" dhe të themi se "gjuha që flasim nuk është maqedonase". Cila do të mbetej atëherë alternativa e shtetit? Po alternativa e shqiptarëve në këtë shtet? Siç do të thoshin kinezët: kohë interesante na presin.

Populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pas anëtarësimit në NATO, interes parësor strategjik ka integrimin në Bashkimin Evropian. Ky prioritet, e bën atë një aktor konstruktiv por jo indiferent, që e përshpejton këtë proces dhe sheh drejt së ardhmes, duke respektuar çdo marrëveshje e cila do të jetë e pranueshme nga të dy palët e prekura.

Faleminderit!

 

 


Askush s’e merr më përdore lexuesin pyjeve të letërsisë

Vjollcë Berisha

 

Gjithmonë jam ndjerë ngushtë kur më është dashur të jap një mendim lidhur me krijimtarinë e shkrimtarëve të rinj, jo për shkak të mungesës së entuziazmit se ata po shtohen, por për shkak të frikës reale të dozimit të fjalëve nxitëse e dëshirore. Kur them nxitëse, kam parasysh ato mendime që mund t’i japin hov e vetësiguri akëcilit shkrimtar, duke ia përkëdhelur sedrën e duke e frymëzuar edhe më që ta shohë veten në radhën e shkrimtarëve të shquar. Ndërkaq fjalët a fjalitë dëshirore kanë të bëjnë me ato gjëra që do të dëshiroja t’i shihja ndryshe e më mirë te shkrimtari që ma ka paraqitur me zell dorëshkrimin. Kjo baraspeshë mes këtyre të dyjave është ai dozimi që ia kam frikën dhe e ndiej si barrë tek shkruaj një tekst për një autor të ri, edhe në rastet kur më pëlqen shkrimi, po edhe në rastet kur mendoj se ka tepri të disa gjërave në dëm të mendimit, të ndjenjës, apo, ç‘është më e rëndësishmja, të estetikës.

Dozimi është kaq brejtës dhe bart kaq shumë përgjegjësi sa mund të ta shpjerë në theqafje gjumin për disa net rresht.

Kurrë s‘i kam kuptuar as ata kritikë që e fryejnë si tullumbace mjeshtërinë e një autori, e as ata që i bien shkurt e me negativitet, duke ia prerë flatrat që në fillim, apo, siç do të thoshte poeti Esad Mekuli, si ato mrazet e pranverës, duke ua mbytë filizat mu në farë.

Dozimi i këtyre dyjave ka të bëjë me baraspeshën dhe përgjegjësinë e fjalës. Një lëvdatë e tepërt, një mëtim për ta vendosur poetin e ri në maje të larta me “teleportim”, është më shpesh një dëm, është mundësia për t’ia mbushur mendjen se ka një talent të rrallë, duke ia ndërprerë rrugën e kërkimit, e madje, edhe më skandalozja, edhe atë të leximit, aq sa e shndërron poetin në një kërkues botuesi a shtypshkronje dhe e vë në gjurmim të një njeriu tjetër që do ta fryejë atë flluskën e sapunit që e duan fort fëmijët, që e quajnë bubble, që bëhet me ngjyra të rreme nga përthyerjet e dritës, e që fluturon larg, ku zhduket përfare, duke ia lënë fëmijës iluzionin gjysmë të besueshëm se u ngjit në qiell, ku syri i tij s’e gjen më…

Po edhe heqja e një vije të rreptë a e një iksi barbar mbi krijimtarinë e tij është diçka e vrazhdë, e pamenduar mirë, diçka që s’e lejon t’i rriten flatrat, diçka që ia ndalon fluturimet e nesërme, diçka që u ngrit bostblloqe të tmerrshme muzave që e deshën, diçka që ia rrokullis vetbesimin tatëpjetës së ëndrrës.

Pra, të dyja janë të rrezikshme dhe të dyja e zhdukin një krijues, andaj dozimi është i domosdoshëm në rastin e krijuesve ende të paafirmuar. Kjo ndjenjë përgjegjësie më ndalon të shkruaj për librat e rinj të botuar apo për ata që presin në dorëshkrim, edhe sot kur e ndiej, si asnjëherë më parë, mungesën e një kritike të mirëfilltë letrare. Mungesën e një kritike që në mënyrë korrekte, të drejtpërdrejtë, do të fliste për librat që duhen lexuar, do të trasonte rrugë të sigurta për krijuesit e rinj dhe jo vetëm për ata; një kritikë që do ta orientonte mendimin e lexuesit joprefesionist, do t’i hapte horizontin një lexuesi të profesionalizuar për të bërë një studim për një vepër të caktuar, do t’i nxirrte nga anonimati disa yjësi letrare që janë humbur në grumbullin me zhurmues të atyre që kanë botuar një deng librash sa për t’i marrë në qafë drurët që e bënë letrën…

Kaq shumë gjëra do të ndryshonte kultivimi i një kritike të mirëfilltë letrare, i një kritike me baraspeshë, i një kritike të bërë jo nga mjeshtër çollakë, por nga ata të zanatit, nga ata që dozimin e njohin dhe e përfillin këmbëngulshëm, nga ata që s’i ze gjumi natës për një fjalë të thënë… A s’duket pak e shëmtuar të kesh frikë të shkruash e të japësh mendim për një vepër kur e di mirë se ç’hon të madh le në artet bashkëkohore (në të gjitha pa përjashtim) mosekzistimi i kritikës?! Sigurisht që po. Por ajo ndjenja e frikës nga dozimi i saktë mbase ma jep një arsye…

Në grumbullin e librave që shtohen përditë, në mundësinë tepër të madhe të secilit për të botuar gjithçka që zhgaravit, shpesh humb emri i një krijuesi të talentuar vërtet, për shkak të mungesës së reklamës, për shkak të natyrës së tij të tërhequr (siç janë rëndom poetët), për shkak të vërshimit të titujve të botuar pa asnjë kriter, të cilët jo se e rrezikojnë letërsinë, por rrezikojnë dukjen e atij të vërtetit, pasi kur na bie në dorë një libër i shkruar nga një autor që s’e njohim, e para gjë që na vete ndërmend është: Duhet të jetë njëri nga ata. E ata janë shumë, janë aq shumë sa kanë bllokuar vitrinat e librarive, stendat e panaireve, rrjetet sociale e gjithçka që u del përpara. Ky fakt e bën shumë të ngutshëm kultivimin e një kritike letrare që do t’i shquante disa emra në një qoshe gazete a në një faqe serioze letrare interneti, apo në ndonjë diskutim konstruktiv në televizion. Ekziston një produksion i jashtëzakonshëm “letrar”në kohën e fundit, pa asnjë shoshë, pa asnjë mendim serioz i thënë për të dhe kjo po na shpie në rrugë pa krye e jo vetëm në letërsi, por në të gjitha artet. Kaq shumë koncerte të muzikës klasike, kaq shumë ekspozita personale e kolektive, kaq shumë shfaqje teatrore kalojnë pa u thënë asnjë fjalë për to e duke ua lënë vlerësimin vetëm sasisë së duarve që e apllaudojnë. E kështu, me efektin e fluturës, rrënojmë diku një vjershë të bukur, e vëmë një ngjitës në gojën e një poeti që ka ardhur në jetë për të shkruar, e dënojmë një roman me burg në magazinat e librarive, apo, edhe më keq, në kompjuterin e shkrimtarit, ia vëmë çelësin dy-tri redaksive të revistave kulturore, po besa, edhe të disa shtëpive të vogla entuziaste botuese. Heshtja dalëngadalë mundëson që oferta të jetë egjri dhe pastaj vjen mendimi ngulmues se alqionët-poetë nuk duken më kund për t’i mbajtur në shpinë prindërit e tyre në hapësira të reja fluturimi.

Moskultivimi i kritikës së mirëfilltë mundëson që të përkrahen financiarisht edhe nga institucionet e kulturës vepra të paverifikuara, gjë që e mundëson jetëzgjatjen e disa pseudoautorëve, të disa shtëpive botuese fantazma, apo të atyre që aktivizohen vetëm një herë në vit me nga dy libra të financuara nga Ministria (këtu te ne, për shembull), të disa koncerteve e trupave teatrore të dobëta, të disa revistave letrare që janë llumi i produksionit letrar, hartuar pa asnjë shije e kriter (vetëm për ta arritur normën e tirazhit që duhet të dorëzohet në Bibliotekë) e shumë dukuri të ngjashme që e bjerrin artin, në vend që ta stimulojnë atë. Në rastin e një kritike të vërtetë asnjëra nga këto dukuri nuk do të shfaqej kështu paturpësisht në çdo fushë arti për ta zvetënuar e për t’ia humbur pak nga pak publikun, atë publik që mezi mbahet në këmbë midis betejës me internetin dhe informacionet e pafiltruara që i marrim përmes tij. Me këtë do të mundësohej mbështetja e artit të vërtetë, e letërsisë së mirëfilltë që mëton drejt vendit të saj në vlerat kanonike, si dhe krijimi i një mendimi serioz mbi artin në përgjithësi e mbi letërsinë në veçanti, gjë që do ta ushqente shëndetshëm më vonë krijimin e një historie të plotë letrare, që kaherë paraqet një nyje kruciale për studiuesit e letërsisë sonë.

Përveç frikërave të paraqitura në krye të këtij shkrimi lidhur me dozimin e lëvdatave dhe vërejtjeve, kritikut serioz letrar i dalin edhe do stërkëmbëza të tjera që e pengojnë ta hedhë tutje drojën e shkrimit të drejtpërdrejtë për secilën vepër. E para, me gjasë, është rënia e besimit se ende tekstet e tilla janë kërshërindjellëse dhe se mund të ndryshojnë ndonjë gjë dhe e dyta shpesh ka të bëjë me një provincializëm të lehtë, sidomos në vendet ku hatri është kandari matës i shumë vlerësimeve, në mjediset e vogla letrare ku njihen të gjithë dhe ku çdo mendim i shprehur drejtpërdrejt rrezikon të duket tendencioz, i njëanshëm, mosdurim  personal, ballafaqim grupesh me kritere jashtëletrare vlerësimi e të ngjashme. Në mjedise të këtilla zhvillimi i mendimit kritik jo rrallë bëhet peng i hatërmbetjeve provinciale në dëm të së mirës së përgjithshme të artit.

Një tjetër element pengues i kritikës është edhe mundësia që i jepet gjithkujt të publikojë krijime letrare në rrjete sociale e bashkë me to edhe komente superlative, ku shkëlqejnë fjalët: e jashtëzakonshme, perlë, mrekullia vetë, kryevepër…, që shqiptohen me bollëk e që kontribojnë edhe më në bjerrjen estetike dhe të vështrimit të mirëfilltë letrar. Të gjitha sa i përmendëm, po edhe mjaft faktorë të tjerë, e krijojnë këtë shkretëtirë të mendimit kritik kaq të munguar në ditët e sotme, që jo vetëm s’arrin ta ndjekë fluksin marramendës të botimeve të librave, por edhe ngurron të shfaqet haptazi. Kritiku, apo lexuesi i profesionalizuar, i zënë ngushtë midis produksionit marramendës në njërën anë dhe reklamës me kritere jashtëletrare (por mjaft të fuqishme) në anën tjetër, zgjedh të heshtë e ta ndërtojë listën vetjake me veprat që, sipas shijes së tij, i bëjnë nder letërsisë kombëtare a botërore. Ai pothuajse ka pushuar fare dhe s’duket gjëkundi për t’ia nisur prapë nga e para: t’i afrohet ngadalë veprës, me lapsin e gdhendur për të shënuar ndonjë rresht e varg që i lë përshtypje të veçantë a një tepri poetike që i shkon në dëm estetikës së librit, sa për ta mbajtur në baraspeshë reale dozimin e nxitjes dhe dëshirës ndaj një shkrimtari të njohur apo ndaj atij të riut që rishtazi po depërton në pyllin joshës të shkrimtarisë me fanarin e dorës dhe përjetimet e veta, si mjete të vetme që do t’i hyjnë në punë midis bukurisë së pyllit dhe kërcënimit të egërsirave.


Rro zog pa krahë

Nurie Emrullai

 

Rro zog pa krahë

Hijet e ngopura mbetën larg trupave,
Si mjegulla të zeza mbushur me shi,
U zbrazën mbi rrugën që njeh
zërin e përvuajtur të psalmit të tyre.
Fillon dhe mbaron me Amin!

Duart e thata rëndojnë prej byzylykësh,
T’hedhura "ngushëllim" nëpër kosha mbeturinash.
Tërbohen si qentë pas erës së gjakut,
Fiken pas dromcave  t’bukës-zënë myk.

Duart krejt dregëza qepen pas qiellit
Bashkë me sytë që ikin larg vetes
Dhe Zoti bëhet gati tri herë t’pyesë bashkë me to...
Përse ne? Përse? Përse?

Në gëzimet e tyre të lindjeve a morteve
Veç vdekja luan valle mbi sytë e tyre.
E një vijë hollake mbi buzët qumështore
Bredh në vend buzëqeshjesh, sforcuar prej lotësh.

Mospërfillëse duket rruga
Kur shkelin në hijet e njëri-tjetrit,
Hapat rënkojnë sikur pas tyre zvarritet
Një qerre ngarkuar me shpirtra të humbur.
E çudi! Këta kanë veç hijen pas tyre.

Dhe lutja për pak ditë më shumë,
Ushton nëpër rrugë si psalme profeti
kënduar në katedralet zbukuruar me ar...

Kjo rrugë i çon drejt shenjtërimit të tyre,
Dyert hapen dhe ata s’dinë në ç’gjuhë të luten,
S’dinë ferri ç’fytyrë ka,
S’dinë se n’parajsë ngopesh veç me ajër.
Ata veç kërkojnë një derë
dhe dorën që gatuan ditë të bardhë.

Po pas dyerve ata takojnë
Ca "priftërinj e hoxhallarë"
Që i dënojnë "bijtë e tyre"
për mëkatin e "t’qenit" gjallë.

E sytë zgjohen,
Mendja s’dëgjon asnjë fjalë,
Era e ëmbël e bukës prej brenda
shpërndahet në trup,
si era e nënës që kurrë nuk e panë.

Por mëkatat duhen larë në këtë botë,
deri te brezi i shtatë.

Dhe i kthehen prapë rrugës,
Janë hijet e tyre gjithnjë në luftë,
Dhe rrugën mbulojnë plot me këngë,

Dhe ata mbesin pa asnjë vend
S’kanë ku t’rrëfejnë mëkatet e uritura.
Nuk flasin më, veç pyeten bashkë me Zotin,
Në ç’gjuhë lutjet i prekin "njerëzorët"?

E vdekjen shohin si ecën pas,
lidhur duarsh me hijet e tyre.
Si një nënë tepër e kujdesshme
kapur duarsh me fëmijët e tyre.

Unë shpirtin,
shpirtin ku t’ua lë në këtë poezi?

 

 

era*

ne vijmë dhe ikim në botë.
në botën e njëri-tjetrit bëhemi pritje.

erë.

koha është historia,
mban kalendar për ne...
rrethon datat e shënuara..
ne jemi datat!

të lindjeve, morteve, rilindjeve, sikur...

erë.

mbi njeriun, etja çon kryet përpjetë
për veten, frymën e gjakun...

ne vijmë dhe ikim në këtë botë..
të lindur për të mos njohur asgjë
të lindur për të dyshuar në çdo gjë

ne vijmë dhe ikim nga bota e njëri-tjetrit
për t’ia zënë vendin dikujt
për t’ia lënë vendin dikujt tjetër.

në botë,
vendi ynë mbet BOSH.

historia rrethon datën e fundit.

"TË PANGOPUR" shkruhet në postscriptum

me...
erë

era* (ang. emër) - epokë

 

 

Dëshira t'marra

Un', pak gjana i du pi jetës.

 

Nâtën me u ba hânë...

Veç me ia ndritë rrugën hijes tânde.

 

E kur t'plasë mëngjesi,

Me qenë djell,

E me u kthye n'dritë.

Me ta ngrohë at' copë shpirt.

 

Prej dielli me u ba ajr.

 

Prej ajri

me u kthye n'erë.

Me u përzi nëpër flokun tand, nëpër mendjen tande...

 

Me u ba mjegull

E me u kthye n'shi.

Me ta lagë jo veç trupin po dhe shpirtin me ta la.

 

Me qenë borë,

E me e ngrohë tokën veç me bardhësinë time...

Me t'i zbutë ty kambët që t'janë vra nëpër jetë..

 

Me qënë hânë, djell e ajr.

E me u kthye n'trup.

Me u taku ndoshta pak të dy.

 

Ma vonë.

Natën.

N'errësirë.

Du.

Me u kthye n'flutur

E me vallzue përreth llambës,

Që na ndrit ma shumë se hâna

E n'groh ma shumë se djelli..

 

E me u djegë.

Me u djegë duke vallzue rreth saj...

Tu të pa.

Tu të pa ty ndë sy.

 

E shef?

Pak gjana du pi jetës.

 

Me qenë yll,

me u shue.

Me ra prej qielli

Me t'u plotësu ty nji dëshirë...

 

 

Jam Nurie Emrullai. Lindur në '92, Kërçovë.

Jetoj në një fshat shumë të vogël që quhet Garanë e i takon qytetit të Kërçovës.

E dija që do studioj gjuhën që kur isha 11 vjeç, dhe si rrjedhojë studimet i vazhdova në Universitetin e Tetovës, dega: Gjuhë dhe letërsi shqipe.

Me shkrime jam marrë gjithnjë, fillimisht lexoja (e vetmja botë që më pëlqente dhe më dukej interesante). Përherë kur bëhej pyetja se: "Ç'dëshiron të bëhesh kur të rritesh?"; Gjithnjë përgjigjia ime ishte: "Dua të bëhem poete."; edhe pse nuk ia kisha idenë se çfarë është dhe ç'rrugë është, druaj që nuk do ta di asnjëherë.

Po si nuk më tregoi asnjeri që poetët lindin?!

Shkrimet e mia, kryesisht poezi, edhe pse s'guxoj t'i quaj të tilla, kanë të bëjnë me fenomene shoqërore, kohore, psikike që kanë por dhe s'kanë një përcaktim të thuktë. Kanë të bëjnë me ligje që i ka vendosur njeriu dhe që unë nuk i duroj dot.


Ilindeni i katërt?

PanAlbanica

 

Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt këto ditë në Sofje, si duket do të mbahet mend për përhapjen e lajmit të arritjes së një marrëveshjeje parimore për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Por, në të vërtetë Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, u shpreh se “një nga opsionet është një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Ne vazhdojmë me konsultimet në shtëpi, për të parë nëse institucionet … nëse zbatimi i kësaj lloj zgjidhjeje është praktikisht i mundshëm. Nëse kjo është e mundur, ndoshta do të kemi një zgjidhje”. Kryeministri i Greqisë, Aleksandër Cipras, pohoi se kanë gjetur shumë pika të përbashkëta, por jo se është arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me kontestin e emrit të Maqedonisë.

Në opinionin shqiptar dhe atë maqedonas në Maqedoni, deri më tani kanë qarkulluar shumë emra të mundshëm, si propozime të dala nga takimet mes ekipeve të negocimit të Maqedonisë dhe Greqisë. Burime të panjohura thonë se Republika e Maqedonisë së Ilindenit është kompromisi i arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë, që si duket është i pranueshëm për palën maqedonase pa dallim të ideologjisë politike. Megjithëse akoma i pakonfirmuar dhe me shumë gjasa që të jetë vetëm një spin, lidhur me këtë propozim, si edhe deri më tani nuk ka ende asnjë reagim nga pala shqiptare në Maqedoni, por as nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Të vetmit që kanë shprehur mendimin e tyre për propozimin e ri për emrin e Maqedonisë, janë bullgarët. Ministrja e jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva në një intervistë dhënë për Radio Evropa e Lirë, ka deklaruar se ky propozim është i pranueshëm për Bullgarinë. Sipas saj, ky emër tregon se të dyja shtetet tona kanë një të kaluar të përbashkët. A do të jetë i pranueshëm për shqiptarët ky emër, mbetet të shihet në ditët në vijim.

Deri më tani, në spektrin politik shqiptar, vetëm nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, ka deklaruar në një emision televiziv maqedonas se “Ilindeni na bashkon”. Madje duke iu referuar Kryengritjes së Ilindenit, ajo ka thënë se “bëhet fjalë për një moment kur ne si popuj absolutisht kemi pasur një ideal dhe synim të përbashkët për më shumë dinjitet”. Megjithatë kjo deklaratë, duhet të merret me shumë rezervë, meqenëse akoma nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar nga partia që ajo përfaqëson.

Por çka në të vërtetë është Ilindeni dhe sa realisht i përfaqëson ai shqiptarët?

Ilindeni është një ditë e rëndësishme për maqedonasit meqenëse përmban komponentën nacionale maqedonase dhe atë fetare sllavo-ortodokse. Njëkohësisht mund të konsiderohet se Ilindeni është festa kryesore në shtetin monoetnik të Maqedonisë ku jetojnë më shumë 30% shqiptarë. Por cila është domethënia e kësaj feste?

Në vitin 1903, më 2 gusht është organizuar Kryengritja e Ilindenit, një kryengritje e organizuar nga Organizata Revolucionare Maqedonase (e njohur si paraardhëse e partisë së djathtë maqedonase OBRM-PDUKM ose në maqedonisht – VMRO-DPMNE-së) kundër Perandorisë Osmane. Kjo organizatë, qëllimet dhe përfaqësuesit e saj janë objekt kontesti dhe pretendimesh për përvetësim nga të dy popujt, maqedonas e bullgarë. Pas fitores së kësaj lufte, u krijua Republika e Krushevës, ku thuhet se në mënyrë të barabartë janë përfaqësuar maqedonasit, shqiptarët dhe vllehët. Pra kjo kryengritje përdoret për të dëshmuar se në Maqedoni solidarizimi dhe bashkëpunimi mes etnive ka ekzistuar gjithmonë. Por, kjo është festë edhe për të majtën maqedonase. Më 2 gusht 1944 në manastirin “Prohor Pçinski”, i cili sot ndodhet në Serbi, është mbajtur kuvendi i parë i KAÇKM-it (Kuvendi Antifashist Nacional për Çlirim të Maqedonisë) ku është vërtetuar Maqedonia si njësi federale e barabartë me republikat tjera në Jugosllavi . Maqedonasit e quajnë Ilindeni i dytë. Ilindeni për maqedonasit është edhe festë fetare. Ilinden në shqip do të thotë dita e Ilisë. Shën Ilija (Sveti Ilija) sipas besimit sllavo-ortodoks është profet që lidhet me kultin e e rrufesë.

Në opinionin maqedonas, pavarësia e Maqedonisë nga Jugosllavia, akt i cili u bë me bojkotimin e referendumit nga ana shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, njihet si Ilindeni i tretë dhe kanë paralajmëruar se një zgjidhje e kontestit të emrit sipas propozimit të ri do të përfaqësonte Ilindenin e katërt për Maqedoninë.


Drizë

Vjollcë Berisha

 

Nuk thoshte asnjë fjalë
se gjuha kishte mëkatet e veta të shumëfishta.
Netëve dëgjoja fëshfërimën që lëshonin lëkurat e ngjitura
dhe lutjet e tij për mua.

Edhe sot, tek shkruaj
e vetmuar në kthinën time,
ndjej si rrëshqas në po atë borë
që e shkelëm të dy asaj stine,
si vrapoj prapë në flladin e lagjes së evgjitëve
ku më shpinte mbrëmjeve e ne merrnim thua
në mbetjet e haresë që patën ata,
në mbetjen e endacakërisë që vinte nga
të vdekurit e tyre të largët…

Edhe sot e mërmëris të njëjtën vjershë,
e ritregoj të njëjtin rrëfim të Bulgakovit,
u vë po ata emra frutash kafeneve,
po ato karikatura vajzave që i xhelozoj për vdekje…

(Dëgjoj tek lutet ai heshtazi për mua…)

Prapë më bien ndërmend ëndrrat që i kisha lidhur tok
si letra të vjetra
dhe s’më tremb asnjë ferr.