Albulenë Halili

 

Në analizën dhe rekomandimet e fundit zyrtare të NATO-s nën emrin NATO 2030: United for a New Era (NATO 2030: Të bashkuar për një epokë të re), thuhet se NATO duhet të vazhdojë qasjen me dy drejtime: të parandalimit dhe dialogut me Rusinë.

“Aleanca duhet t’u përgjigjet kërcënimeve dhe veprimeve armiqësore ruse në një mënyrë politike të bashkuar, të vendosur dhe koherente, pa u rikthyer në “punët e zakonshme” që ndalojnë ndryshimet në sjelljen agresive të Rusisë dhe rikthimin e saj në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, NATO duhet mbetet e hapur për të diskutuar bashkëjetesën paqësore dhe për të reaguar pozitivisht ndaj ndryshimeve konstruktive në sjelljen dhe qëndrimin e Rusisë. NATO duhet të evoluojë përmbajtjen e strategjisë së saj të dyfishtë për të siguruar efektivitetin e saj të vazhdueshëm duke rritur kostot për agresionin rus dhe të zhvillojë një përgjigje më gjithpërfshirëse ndaj formave hibride të agresionit rus, duke mbështetur në të njëjtën kohë shtrirjen e shtuar politike për të negociuar kontrollin e armëve dhe masat e zvogëlimit të rrezikut.”

Dekadat e kaluara aleatët transatlantikë ia kishin lejuar vetes mendimin se Rusia mund të jetë një partner, madje se mund  të shndërrohet një ditë edhe në aleatin e tyre. Shumë gjeste të Rusisë e kishin zbehur këtë mendim naiv, por momenti kyç që ka shkërmoqur këtë ide përfundimisht ka qenë agresioni ushtarak në Ukrainë në vitin 2014. Rusia sot nga aleanca atlantike shihet si një rival. Megjithatë, “Kjo nuk është një Luftë e Ftohtë e re”, shkruan Bremer. “Rusisë i mungojnë aleatët ndërkombëtarë të Bashkimit Sovjetik, thirrja ideologjike dhe muskuli ushtarak.”

Koncepti rus mbi botën është tërësisht darvinian dhe hobsian, ndaj dhe politika e tyre e mbrojtjes dhe sigurisë në kohë paqeje nuk bën dallim nga koha e luftës. Që nga koha e fillimit të Luftës së Ftohtë, Stalini mendonte që ishte krejtësisht jashtë logjike që politika e jashtme ruse të mbështetej në vullnetin e mirë kolektiv ose në të drejtën ndërkombëtare. Zhvillimi i marrëdhënieve midis NATO-s e Rusisë filloi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur Rusia u bë pjesë e forumit të dialogut të quajtur, Këshilli i Bashkëpunimit Veri-Atlantik në vitin 1991, i cili u trashëgua në vitin 1997 nga Këshilli i Partneritetit Euro-Atlantik. Përmes Programit të Partneritetit për Paqe, Rusia ka qenë një partner i Perëndimit në misionet e menaxhimit të konflikteve në Ballkan në vitet ‘90, ndërkaq në vitin 1997 janë vënë marrëdhëniet bilaterale midis tyre përmes Aktit Themelues NATO-Rusi. Nevoja për konsultim dhe bashkëpunim praktik në sferat e interesit të përbashkët bëri që në vitin 2002, NATO e Rusia të krijojnë Këshillin NATO-Rusi, moment i cili shënon pikun e marrëdhënieve e bashkëpunimit midis dy subjekteve tradicionalisht kundërshtare.

Pas sulmit të 11 shtatorit, përpara botës dhe SHBA-ve si fuqia udhëheqëse e saj, shfaqej një kërcënim i ri, atipik, vështirë për t’u luftuar vetëm, siç ishte terrorizmi. Andaj jo vetëm që SHBA kishte zbarkuar dhe angazhohej aktivisht me të tëra resurset politike-ushtarake në Lindjen e Mesme, por edhe të gjithë aktorët botërorë që e perceptonin terrorizmin si kërcënim të sigurisë globale, i konsideronte bashkëpunëtorë të mundshëm. Përveç se me aleatët e vetë brenda strukturës së sigurisë së Paktit të Atlantikut të Veriut, këtë qasje e mbante edhe me kundërshtaren e saj tradicionale, Rusinë, duke pranuar interesat dhe ndikimin e saj në këtë rajon të turbullt. Pa dyshim se Rusia mbetet e pranishme në rajonin e Lindjes së Mesme, por gatishmëria e saj për të intervenuar politikisht e ushtarakisht gjatë Luftës së Sirisë, ka eroduar besimin e Perëndimit se Rusia është një partner i besueshëm në luftën kundër terrorizmit.

Invazioni rus mbi Gjeorgjinë në vitin 2008 bëri që momenti unipolar që kishte pasuar rendin bipolar të Luftës së Ftohtë, të sfidohet seriozisht duke bërë që të marrë fund miti i krijuar, se kërcënimi i luftës do të zhduket nga mjedisi strategjik pas-sovjetik. Politika e jashtme tradicionale ruse ishte ringjallur sërish në formën e doktrinës Medvedev. Kjo doktrinë përbëhej nga pesë parime themelore, edhe atë: “Rusia njeh përparësinë e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, “Bota duhet të jetë multi-polare”, “Rusia nuk dëshiron konfrontim me ndonjë vend tjetër”, “Mbrojtja e jetës dhe dinjitetit të qytetarëve tanë, kudo që të jenë, është një përparësi e padiskutueshme për vendin tonë”, dhe “Siç është rasti i vendeve të tjera, ka rajone në të cilat Rusia ka interesa të privilegjuar”.

Në vitin 2014, aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë ka bërë që themelet e fuqisë ushtarake njëpolare të SHBA-së dhe Perëndimit të vihen në seriozisht në pikëpyetje. Këmbëngulësia ruse për t’u vendosur në vendin që sipas saj i takon në rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë, përbën sfidën më të madhe për stabilitetin e Evropës dhe për strukturat aktuale të sigurisë perëndimore. NATO po përballet me një mjedis të sigurisë krejtësisht të ndryshëm, të imponuar nga Rusia. Kriza në Ukrainë ka shpalosur edhe një herë ambiciet tradicionale të Rusisë për influencë në Evropë.

Sipas presidentit Putin, shembja e Bashkimit Sovjetik shënoi jo vetëm shpërbërjen e një sistemi politik, por tëhuajësimin e një qytetërimi. Andaj, duke marrë parasysh procesin e zgjerimit të NATO-s dhe bashkëpunimin e Perëndimit me shtetet ish-sovjetike, ai e konsideron Rusinë si qytetërim nën kërcënim. Duke u nisur nga këto premisa, Rusia ka krijuar lëvizjen politike Euroazianizmin, sipas së cilës qytetërimi rus nuk përket në Evropë ose në Azi por në konceptin gjeopolitik të Euroazisë. Koncepti gjeopolitik i Euroazisë, si një nga projektet më ambicioze të politikës së jashtme ruse i materializuar si Unioni euro-aziatik në janar të vitit 2015 nga Putini, është ideuar nga ideologu i ekspansionizmit rus me qëndrime të së djathtës ekstreme, apo eminenca gri – Alexandër Dugin. Doktrina Putin përshkohet para së gjithash nga qëllimet dhe dëshira e tij për të imponuar dhe mbajtur një sferë ruse të influencës përtej kufijve të saj. Sfera e influencës kthehet kësisoji sërish si diskurs qendror në politikën e saj tradicionale të gjeopolitikës së përhershme. Botëkuptimi rus mbi sigurinë është koherent me pozitën e saj gjeostrategjike, si shteti me sipërfaqen më të madhe tokësore në botë, i rrethuar me kufij tokësorë në të katër anët e saj. Tendencat për krijimin e një tampon zone e cila e ndan atë nga kufiri i menjëhershëm i NATO-s është si rezultat i krahasimit që ajo bën me pozitën gjeostrategjike të SHBA-së, e cila në mënyrë natyrore e ka këtë privilegj, e ndodhur midis dy oqeaneve. Përderisa doktrina e re ushtarake ruse e konsideron zgjerimin e NATO-s si kërcënimin kryesor të sigurisë së saj, kjo ka bërë që Rusia, shtetet e saj fqinje, apo republikat ish-sovjetike, të vijojë t’i shohë si oborri i shtëpisë së saj. Këndvështrimi rus mbi shtetet e oborrit të vet janë pika vitale e sigurisë së saj, aty ku koncepti mbi sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit bie ndesh me nevojën ruse për siguri. Pikërisht këtu qëndron dallimi midis dy botëkuptimeve, atij perëndimor e atij rus mbi sigurinë. Studiuesi britanik Keir Giles, shpjegon:

“Ekziston një konflikt i drejtpërdrejtë midis nocioneve tona që shtetet në periferi të Rusisë duhet të jenë sovrane, të pavarura dhe të afta të vendosin vetë të ardhmen, dhe nocionit rus, sipas të cilit për të siguruar sigurinë e vet, ajo duhet ta kontrollojë dhe zotërojë një thellësi të konsiderueshme përtej kufijve të saj, që do ta mbrojë nga përafrimet me të. Kjo është një zgjedhje binare.”

Nga ana tjetër, eksperti rus i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe punëve të jashtme, Fjodor Lukianov, shpjegon se “ajo që e ka alarmuar Rusinë nuk është vetëm zgjerimi i NATO-s, por edhe transformimi i saj”. Ndryshimi i mjedisit të sigurisë globale implikon edhe ndryshimin e paradigmës të të bërit luftë. Në rastin e NATO-s, procesi i transformimit të organizatës është në funksion të ndërrimit të kësaj paradigme dhe përshtatjen e saj me këtë mjedis të ri. Por, organizatat perëndimore si NATO e Bashkimi Evropian, mbështeten në sisteme të rregullave, për dallim të fuqive pretendente për dominim global, si Rusia e Kina, botëkuptimi i të cilave për rendin ndërkombëtar është diametralisht i kundërt me atë perëndimor.

Rusia, për dallim nga NATO shquhet për të bërit luftë në mënyrë jokonvencionale ose multidimensionale, apo ajo që nga Perëndimi emërtohet si lufta hibride. Por, mënyra ruse e të bërit luftë nuk përkon me konceptin perëndimor të luftës hibride, që përfshin një kombinim të luftës konvencionale dhe asaj bërthamore. Lufta e Brezit të Ri, si mënyrë ruse e të bërit luftë në shekullin XXI, vjen nga doktrina ushtarake ruse dhe Shefi i Gjeneralshtabit Valeri Gerasimov dhe është një amalgamë e fuqisë së fortë dhe asaj të butë, që përfshin veprime asimetrike të të gjitha domeneve. Lajtomotiv i kësaj lufte mbetet lufta informative, e cila sipas të menduarit rus, për dallim nga koncepti perëndimor, nuk kufizohet vetëm gjatë kohës sa zgjat lufta, por është një luftë e përhershme, për të mos thënë një modus vivendi e saj për të mbijetuar në mjedisin aktual të sigurisë globale sipas perceptimit të saj.

Kriza aktuale në Ukrainë, ka risjellë në ligjërimin e marrëdhënieve ndërkombëtare çështjet e diskutuara gjatë Luftës së Ftohtë. Anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO përfaqëson për Rusinë vijën e kuqe dhe një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë së saj. Rikthimi i perandorisë sovjetike në Evropën Qendrore e Lindore mbetet për Rusinë një ëndërr, por parandalimi i zgjerimit të NATO-s në lindje dhe krijimi i një rendi të ri të sigurisë evropiane mbeten qëllime të saj, të cilat ajo do të përpiqet t’i arrijë me të gjitha mjetet e në mënyrë makiaveliste.

Rusia paraqet sfidë serioze edhe për rendin perëndimor në Ballkan, për të cilin aleatët transatlantikë, sidomos Shtetet e Bashkuara, kanë bërë investime thelbësore. Që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, kur zë fill politika e jashtme ruse më e re, Ballkani është pjesë e pandashme e interesave kombëtare ruse, madje përbën thelbin e politikës evropiane të Rusisë. Ballkani paraqet sferën tradicionale të interesit për Rusinë. Arsyeja kryesore për këtë është e natyrës gjeopolitike, meqenëse edhe vetë politika e jashtme ruse është e bazuar kryesisht në gjeopolitikë.

Ndër arsyet e tjera radhiten prejardhja sllave dhe feja ortodokse e shumicës së popujve ballkanikë, politikë e cila daton që nga shekulli XIX dhe së fundmi arsyet ekonomike, të lidhura ngushtë me çështjet e infrastrukturës, kryesisht ujore pa përjashtuar ato tokësore. Kështu, influenca ruse është rritur dukshëm në dekadën e fundit me prezencën e saj në rajon në sektorët ekonomikë, politikë, energjetikë, ushtarakë dhe të tjerë. Ndër gjërat më të rëndësishme për prezencën dhe pretendimet ruse në Ballkan duhet pasur parasysh: aspektet energjetike, marrëdhëniet bilaterale të Rusisë me vendet e Ballkanit, influenca kulturore historikisht e pranishme te popujt sllavo-jugorë e ortodoksë dhe roli i Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

Rritja aktuale e interesimit të Rusisë për Ballkanin, për studiues të shumtë ka të bëjë me përfundimin e momentit uni-polar amerikan dhe nevojën e krijimit të një rendi ndërkombëtar pas-unipolar. Por, pa mëdyshje që prania ruse në Ballkan është një antipod i Perëndimit në përgjithësi. Pas përplasjeve në Ukrainë rreziku për përplasjen e radhës në Ballkan, qe një rrezik i denjë për t’u konsideruar seriozisht. Këtë e pati deklaruar që në vitin 2015, Sekretari i Shtetit i SHBA, John Kerry, se në sajë të lidhjeve historike me Rusinë, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova ishin “në vijën e zjarrit”, ashtu si shtetet Baltike, Gjeorgjia, Moldavia dhe Transnistria. Ndonëse, pas kësaj deklarate paralajmëruese, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u bënë dy anëtaret më të reja të NATO-s, prania ruse në Ballkan përbën akoma një nga sfidat më të mëdha për rendin perëndimor në gadishullin e vjetër evropian, dhe jo vetëm.