Shqiponjat “pushtojnë” Francën për herë të parë  

 

Bujar Sinani 

 

Pas përcaktimit të grupeve për ekipet pjesëmarrëse në banketin francez, ku Shqipëria do të përballet me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë, pritjet dhe shpresat për kalimin e fazës së grupeve janë të mëdha, ndërsa lojtarëve dhe ekipit të trajnerëve të udhëhequr nga Xhani de Biazi, ju ngelet që këtë vit të mbarë për ne, ta përmbyllin edhe me një rezultat tjetër historik, kësaj here në arenën sportive

Federata Shqiptare e Futbollit është krijuar më 6 qershor të vitit 1930, ndërsa është anëtarësuar në FIFA në vitin 1932.  Në vitin 1934, Shqipëria u ftua të marrë pjesë në Kupën e Botës, por për shkak të problemeve ekzistuese asokohe, ajo e refuzoi ftesën.

Pas Luftës së Dytë Botërore, futbolli përfitoi nga sistemi komunist duke qenë se u fut nëpër shkolla, nëpër ndërmarrje, ndërsa u përhap edhe nëpër qytete e fshatra. Shteti e mbështeste ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e futbollit, ndërsa rezultatet nuk vonuan shumë. Ekipi kombëtar debutoi me ndeshjen e luajtur gjashtëmbëdhjetë vjet pas themelimit të FSHF-së, duke e “shkelur” ekipin e Malit të Zi me rezultat 5:0.  Në po të njëjtin vit, ekipi kombëtar merr edhe një trofe shumë të rëndësishëm – Kupën ballkanike.

Duke i marrë parasysh mjetet modeste të cilat i ka pasur në dispozicion ekipi kombëtar shqiptar, rezultatet e arritura në ndeshje të caktuara, e kanë nxjerrë në pah karakterin luftarak dhe garues të lojtarëve të saj. Në vitin 1965, shqiponjat nxorën një barazim në fushën e vet kundër Irlandës së Veriut, duke i dhënë kështu fund shpresave të irlandezo-veriorëve për kualifikim në Kampionatin Botëror. Dy vite më pas, Gjermania Federale, do ta pësojë të njëjtin fat në ndeshjen e luajtur në Tiranë dhe do t’i mbyllë kështu dyert për kualifikim në Evropianin e vitit 1968.

Rënia e regjimit komunist pati ndikim edhe mbi futbollin dhe sportin shqiptar në përgjithësi, pasi që individët më të mirë dhe më të shkathët u larguan drejt vendeve perëndimore. Si pasojë e këtyre ngjarjeve dhe ikjes së sportistëve dhe futbollistëve, ekipi kombëtar në njërën anë u dobësua, por nga ana tjetër solli trajnerë dhe seleksionues të huaj, të cilët ndihmuan në ngritjen e cilësisë së ekipit dhe arritjes së rezultateve pozitive në garat ndërkombëtare.

Gjatë ndeshjeve eliminatore për Euro 2004, Shqipëria fiton kundër Rusisë dhe Gjeorgjisë, ndërsa barazon me Irlandën dhe me Zvicrën, duke ngelur e pamposhtur në “kalanë” e vet.  Gjatë fazës eliminatore për Kupën Botërore të  2006-ës, kombëtarja shqiptare mundi në Tiranë kampionin evropian, Greqinë me rezultatin 2 :1, ndërsa luajti një ndeshje pa gola kundër Portugalisë në terren të saj.

Cilësia e ekipit kombëtar do të jetë në rritje të vazhdueshme, ndërsa rezultatet nuk do të mungojnë.

Më 7 shtator 2014, kombëtarja shqiptare e nis shkrimin e historisë, kur në fazën eliminatore për Euro 2016, mund Portugalinë me rezultatin 1:0 në fushë të saj, duke i ngjallur shpresat për kualifikim në fazën finale të turneut evropian, i cili do të mbahet në vendin e gjelave. Sa për parantezë, më 13 qershor të vitit 2015, Shqipëria e mundi Francën me golin e Ergys Ka në një ndeshje miqësore të luajtur në “Elbasan Arena”.

Pas tetë ndeshjeve të luajtura në fazën eliminatore për Euro 2016, nga të cilat katër fitore, dy barazime dhe dy disfata, ëndrra shqiptare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane të futbollit u bë realitet, pas fitores në ndeshjen e fundit të zhvilluar kundër Armenisë.

Disa ditë më vonë, kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana, i cili llogaritet edhe më francezi prej shqiptarëve, pasi që pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në klubet si “Olimpik Marsej” dhe “PSZH”, ndërsa luan me Nant-in, në Twitter pati shkruar : “Shkojmë në Francë për t’i treguar vlerat tona dhe për ta kaluar fazën e grupeve”.

Futbolli është një sport shumë i përhapur në Shqipëri. Në raste të caktuara  kombëtarja shqiptare ka dëshmuar se mund të jetë në nivelin e ekipeve, që konsiderohen si shumë më cilësore. Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria arriti të kualifikohet në Kampionatin Evropian, i cili këtë verë do të mbahet në Francë.

 


Katër librat që duhet t’i lexojë çdo politikan përpara se të bjerë prej pushteti

Xhemazije Rizvani

Kush lexon, keq s’mendon, thotë një urti. Njeri jo i mirë është njeriu pa libra, e që nuk lexon. Mund të jetë i tillë lideri yt që del në TV dhe nuk skuqet kur gënjen, kur bën punë të pahijshme, kur të mohon, kur ta vështirëson jetën, kur të takon rrugës e flet me ty thuajse s’ka ndodhur asgjë, pa pasur frikë nga zhgënjimi yt me të. Ta jep dorën duke u shitur i sigurt se të përfaqëson si duhet.  

Më poshtë janë katër libra për katër vite mandat. Një vit, një libër s’është pak, sepse politikani ka punë, ka krejt fatin e popullit në dorë, shumë probleme e pak kohë. Por kjo nuk e arsyeton, nuk e shpëton dot nga libri. Prandaj ajo shprehja e njohur amerikane për vajzat dhe librat mund të vlejë dhe për politikanët: në qoftë se lideri yt nuk lexon, mos e voto. Mos e voto se ai është i paditur. Dhe, i padituri është i rrezikshëm. Atë duhet ta keni frikë. Është një njeri që s’e  përmend as edhe një libër, as ka cituar një herë të vetme një thënie të bukur, të paktën. Po t’i kërkoni prej tij dhjetë librat që i ka lexuar, pritni mos të jenë lektyrat e shkollës fillore. Kërkoni një listë leximesh prej tyre. Kur t’i bëjnë publike listat do ta kemi më të lehtë, sepse është e thjeshtë: më trego ç’libra lexon, të të them se cili je!

Lista e librave më poshtë kanë edhe arsyet përse duhet t’i lexojnë politikanët.

  1. Trilogjia “ Orestia” , Eskili

Çdo politikan duhet të jetë i drejtë. Kur themi i drejtë nuk e kemi fjalën për mirësinë. Hygoi thotë: “Lehtë të jesh i mirë, vështirë është të jesh i drejtë“. Fjala është për drejtësinë ligjore, së cilës i detyrohet çdo i besuar nga populli. Mos të largohemi nga Eskili, i cili ndryshe është quajtur Poeti i së drejtës . Trilogjia e tij ngjizet nga dhuna dhe hakmarrja e Agamemnonit dhe përfundon me paqe orestiane, falë Eumenideve që e bëjnë gjyqin duke vënë në peshoren e drejtësisë konfliktin. Tek Eumenidet, drejtësia vendoset gjithmonë në fund të konfliktit. Konflikti është ajo e ligë të cilën e drejta përpiqet të eliminojë. Me një fjalë konflikti mbetet problemi dhe drejtësia, zgjidhja e tij.

Sipas Eskilit krimi lind krimin. Drejtësia edhe në kohën politeiste nuk ka qenë diçka që varej nga hyjnitë, por ishte njerëzore. Ajo, kuptohet,  sjell paqen në mes njerëzve dhe  ç’është më e rëndësishmja sjell dhe paqe me veten.

Prandaj, politikanë, nuk ndihmojnë lutjet!

Për të qëndruar në pushtet më gjatë, ndihmon korrektësia (ose idiotët) . Lexoni, që ta mësoni drejtësinë! Ajo mund të vonojë, por gjithqysh një ditë vjen.

* Dikush do të pyesë sigurisht, pse jo Prometheun që është vepër monumentale e Eskilit?! Arsyeja është e thjeshtë, sepse një politikan kurrë nuk flijohet për popullin e tij. Prometheu do të bëjë që politikani të heqë dorë menjëherë nga leximi)

  1. Libri i Dostojevskit “Krim dhe ndëshkim”

Politikani nuk duhet t’i kalojë kufijtë njerëzorë. Po t’i kalojë, do t’i bartë pasojat. Ky libër na ballafaqon me ndjenjën e pendesës dhe ringjalljes shpirtërore të Raskolnikovit për të cilën shkrimtari ishte frymëzuar nga një rilindje në lëkurë gjatë internimit të tij në Omsk të Siberisë . Libri paraqet etapat e ngjalljes së një shpirti të vdekur. Raskolnikovi duke vrarë plakën Aliona Ivanovën, vrau në të vërtetë veten e tij. Ai u detyrua që të shkëputet dhe të veçohet nga njerëzit. Vetë emri Raskolnikov vjen nga fjala ruse “raskol”, që do të thotë përçarje, ndarje më dysh, skizëm. Për heroin e Dostojevskit, përçarja ose ndarja më dysh e tij,  ishte e brendshme, ishte një lloj shkëputjeje e dëbimi, ishte një largim e tëhuajsim nga rrethi, miqtë, familjaret, gjë që është një nga dënimet më të ashpra që mund t’i përjetojë njeriu. “Ai që është ‘i rrahur’ në mendje e shpirt, do të jetë gjithnjë i fuqishëm”, thotë Dostoja për “politikanin tonë “. A ka shpresa për këso ringjalljeje? Rrugën për te fitorja “ata” e dinë, po këshilla e plakut thotë: “Rrugës shkurt mos i bjer!“ Sido që të vrasësh, nëse vret, ke vrarë veten, dhe çdo krim ka ndëshkim.

  1. “Udhëtimet e Guliverit”, Johnatan Suift

Politikani duhet ta ketë përvojën e shumë vendeve e njerëzve. Në kohën kur u botua libri, e lexuan të gjithë nga më i madhi deri te më i vogli, nga kryeministri deri te shërbëtori. Duket si një libër për fëmijë, po ngjarjet shtrohen thuktë rreth moralit e politikës. Në udhëtimin për Liliput, Suifti thumbon oborrin dhe politikën e Anglisë. Flimnapi, ka rolin e kryeministrit. Blefusku, vendi nga ku Guliveri arratiset, është Franca. Lord Bolinbruku e shihte Evropën ashtu siç i shihte Guliveri Liliputët, si qenie të paskrupullta, komike, të paarsyeshme. Është libri më i dashur për fëmijë, i përfshirë si lektyrë shkollore, mirëpo në sfond është një kritikë e ashpër kundrejt një politike. Ky libër politikanin tonë do ta mësojë si integrohet njeriu në vende të panjohura, me njerëz të ndryshëm. Do ta bëjë atë të shikojë përtej hundës.

  1. “Ferma e kafshëve ” nga Xhorxh Oruell

Politikani duhet ta gjejë veten në Fermën e Oruellit – “Ferma e Kafshëve” është alegoria më e famshme politike e shekullit të XX-të. Është një tregim për një grup kafshësh që revoltohen kundër padronit të tyre të keq. Ky është një personazh, tiraninë e te cilit e kishin zgjedhur vetë lloji i tyre. Kemi të bëjmë me një dramë të përsëritur në të gjitha skenat politike. “Nëse do ta njohësh mirë një njeri, jepi pushtet”. Tjetërsimi është i pashmangshëm. Njësoj si korruptimi. Dhe, kjo është arsyeja përse ata shumë shpejt zhyten në humnerën që e gërryejnë nën këmbë, derisa  e arrijnë majën e synuar të malit.

Në libër thuhet : “Të gjitha veprimet e Njeriut janë të këqija. Dhe, mbi të gjitha, asnjë kafshë nuk duhet të tiranizojë kafshë të tjera. Të dobët apo të fortë, të mençur apo të thjeshtë, ne të gjithë jemi vëllezër. Asnjë kafshë nuk duhet të vrasë kurrë një kafshë tjetër. Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat”. Sidomos politikani ynë duhet ta analizojë mirë fjalinë e fundit, e cila sikur të jetë shkruar për shoqërinë, politikën dhe aktorët politikë aktualë ndër ne.

*Një sqarim i nevojshëm për shkrimin: Këta janë katër libra që duhet t’i lexojë secili, ndërsa detyrimisht secili që synon  të bëhet politikan. Ai që s’do të bëhet, le të lexojë „njeri“ në vend të fjalës „politikan“.


Rikthimi në gjeopolitikë

Fatmir Arifi

 

Çdo gjë që ndodh në botën e sotme, nga komuniteti i ekspertëve po përkufizohet si një krizë e sistemit politik ndërkombëtar. Natyrisht, ndryshimet janë të konsiderueshme në nivel global që nga rënia e ekonomisë, shtrirja e terrorizmit, krijimi i shteteve të reja dhe jostabile e deri te dështimi i një sërë shtetesh e kështu me radhë. Këto ndryshime kanë prekur dhe sjellë impakt të konsiderueshëm si kriza botërore e në mënyrë të veçantë: si kriza politike ndërkombëtare, kriza të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, kriza diplomatike, pse jo shpeshherë të interpretuara edhe si kriza të civilizimeve.
Por, gjithë kjo dinamikë globale nuk është si pasojë e krizës së sistemit ndërkombëtar. Nëse i referohemi nocionit “sistem”, atëherë si quhet sistemi ndërkombëtar në të cilin jemi aktualisht?
Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare njeh katër sisteme ndërkombëtare: sistemin e Vestfalisë, Koncertin e Evropës, Sistemin e Versajës dhe atë të bipolaritetit të Luftës së Ftohtë. Pas shpërbërjes së këtij të fundit, bota është në anarki totale dhe praktikisht pa sistem ndërkombëtar. Prandaj edhe turbulencat e sotme në politikën globale, nuk janë si pasojë e krizës së sistemit, por si pasojë e mungesës së sistemit ndërkombëtar.
Është krejtësisht e natyrshme që ndokush nga komuniteti i ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare ta keqinterpretojë nocionin “sistem”, meqenëse shpeshherë ata i janë referuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara si sistem ndërkombëtar. Mirëpo, e vërteta logjike është se OKB është dizajnuar, jo si sistem ndërkombëtar, por si mekanizëm i sistemit ndërkombëtar, përkundër asaj se edhe si e tillë asnjëherë nuk kanë qenë një ilustrim i përsosur në rolin e saj.
Në qoftë se epoka, në të cilën po jetojmë aktualisht, në histori ka ndonjë funksion përcaktues, ai funksion me siguri është konfuzioni i përhapur në lidhje me atë se si ta përkufizojmë politikën bashkëkohore globale dhe prirjet e saj në të ardhmen.
Arsyeja është thjesht pa asnjë lloj dilemë. Ne, sot jetojmë në një botë krejtësisht të paparë dhe pa rregulla. Në këtë botë të paparë është vështirë që të thirremi në ndonjë gjë. Përderisa ne nuk e dimë se çfarë është ajo gjë, atëherë si ta quajmë ndryshe? Duke e shtruar analizën nga ky këndvështrim, këtë gjendje do ta quanim rikthim në gjepolitikë.
Gjeopolitika si vizion ishte dominant në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX dhe ishte e formuluar mbi një sërë besimesh nga elitat akademike dhe politike të fuqive të mëdha të asaj periudhe kohore.
Prapa këtij koncepti qëndronte logjika e dominimit gjeografik, e që në fakt barte në vete kundërshtime në mes të fuqive të mëdha. Çdo fuqi e madhe aspironte për kontrollin mbi territore të caktuara gjeografike, të cilat për një arsye apo një tjetër kishin rëndësi të veçantë.
Duhet ta theksojmë se gjepolitika, si vizion dhe si strategji, nuk mund të vihet në zbatim në çdo rajon. Gjepolitika synon rajonet e caktuara që për nga burimet natyrore janë të pasura dhe për nga shtrirja gjeografike janë të rëndësishme, por gjithsesi njëkohësisht të brishta në sistemin e qeverisjes. Në vendet me zhvillim të lartë ekonomik, vizioni gjepolitik nuk mund të jetë i zbatueshëm. Prandaj edhe logjika e dominimit gjeografik kur kombinohet me ideologji të caktuar, sjell në pah gjopolitikën.
Trekëndëshi i paqëndrueshmërisë globale
Aktualisht, në sferën globale kemi tri rajone, që për nga rëndësia bartin këtë përbërje: Azia Qendrore, Lindja e Mesme dhe Ballkani, të cilat përbëjnë trekëndëshin e paqëndrueshmërisë globale.
Azia Qendrore, ku bën pjesë edhe Kaukazi, është bërë një nga rajonet më të paqëndrueshme në sistemin ndërkombëtar. Strukturat politike shtetërore janë shumë të brishta, duke përfshirë këtu një seri konfliktesh të ngrira si rrjedhojë e shpërbërjes së BRSS-së. Përveç tjerash, ky rajon ndodhet në një zonë ku takohet civilizimi i krishterë me atë islam, të cilët kanë qenë historikisht burim i rivaliteteve dhe i fërkimeve në mes të komuniteteve dhe shteteve të ndryshme. Karakteristikë tjetër e Kaukazit është diversiteti etnik, gjuhësor dhe kulturor. Si i tillë, ky rajon është shndërruar në një nga rajonë6et më komplekse në botë për sa i përket çështjeve etnike. Gjithashtu, ky rajon përballet edhe me interesat gjeo-ekonomike të lidhura me burimet e hidrokarbureve. Baseni i Kaspikut po shton rivalitetet mes fuqive të ndryshme, të cilat po konkurojnë për t’i dominuar burimet e pasura të naftës dhe gazit natyror;
Lindja e Mesme është zona me krizën e së cilës shumë breza njerëzish janë lindur dhe janë formuar, duke dëgjuar e parë në mediume për të. Kriza në Lindjen e Mesme është një nga më të mëdhatë dhe më komplekset në historinë moderne të njerëzimit. Duhet ta theksojmë se asnjë krizë nuk lind me dimensione të mëdha, po qe se nuk ka një të kaluar historike me një sërë shkaqesh brenda saj. Në rast se këtij rajoni ia bëjmë një analizë nga perspektiva gjeo-kulturore, Lindja e Mesme, që nga shpikja e shkrimit e deri më sot ka përbërë udhëkryqin më të rëndësishëm në përhapjen e qytetërimeve të zhvilluara, dhe aktualisht është zona ku takohet Lindja dhe Perëndimi. Në rast se e analizojmë nga perspektiva gjepolitike, zona është e ndikuar nga ekuilibrat rajonalë, por në papërpurthshmëri me gjeografinë fizike, e cila është e mbështetur në teza historike de fakto dhe në përkufizime politike de jure, me ç’rast ka prodhuar kontradikta të thella në mes shteteve të Lindjes së Mesme. Në rast se e bëjmë një analizë nga perspektiva dhe dimenisioni gjeostrategjik, pozita e Lindjes së Mesme është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi që ndodhet aty ku takohen tri kontinente: Evropa, Azia dhe Afrika.
Dhe së fundmi, në rast se e analizojmë nga dimensioni gjeo-ekonomik, zona është pikëkryqëzimi i rrugëve të komunikacionit ujor, por në të njejtën kohë dhe zona më e pasur me lëndë të hidrokarbureve.
Për sa i përket Ballkanit si njëri nga brinjët e këtij trekëndëshi të paqëndrueshmërisë globale, ai është i shtrirë në linjat e tri ish perandorive të dikurshme dhe laget nga ujërat e Detit të Zi dhe të Mesdheut. Ballkani historikisht ka qenë rajon i përplasjeve gjeopolitike si për nga rivalitetet e brendshme, ashtu dhe për nga influencat e jashtme. Gjatë epokës së Luftës së Ftohtë, Ballkani ishte si një lloj zone tamponi në marrëdhëniet midis dy blloqeve. Dy aleancat ushtarake, NATO dhe Pakti i Varshavës, duke ruajtur ekuilibrin në hapësirën evropiane, siguruan një stabilitet të përkohshëm në Ballkanin Perëndimor. Ishte e kuptueshmë se në rast të ndërhyrjes së njërës palë në njërën nga sferat e ndikimit, parimi i ekuilibrit strategjik nuk do të lejonte qëndrimin menjanë të palës tjetër.
Kështu që, në kontekst të asaj që u tha më lartë, dinamikat globale që po ndodhin sot në politikën botërore mund të shpjegohen vetëm nga prizmi gjeopolitik, me synimin për të dominuar hapësirën gjeografike para se të formësohej një rend i ri botëror.
Në këtë kuadër duhet shikuar edhe aneksimi i pa precedent nga Federata Ruse në Gjeorgji, Ukrainë dhe së fundi ndërhyrja e saj në Siri. Federata Ruse, përmes Gjeorgjisë, Ukrainës dhe së fundmi ndërhyrja në Siri, po synon të ri-konfigurojë peisazhin global përpara se të ulet në tavolinën e Rendit të Ri Botëror. Duhet theksuar se këto rajone janë ndër rajonet më vitale të planetit Tokë. Gjeorgjia bën pjesë në hapësirën e përqëndrimit të fuqisë tokësore nga njëra anë dhe nga ana tjetër është vija kalimtare ku intesifikohen konkurencat e fuqive tokësore dhe detare.
Sa i përket aneksimit të Krimesë, Federata Ruse synon ta rikthejë ndikimin në Evropën Lindore dhe ta dominojë tërësisht Detin e Zi. Nuk duhet të harrojmë se në periudha të ndryshme historike, Ukraina ka luajtur një rol të rëndësishëm në ekuilibrin në mes të Perandorisë Osmane – ruse dhe asaj polake. Për më tepër, Ukraina ishte faktori kryesor që i ka nxjerrë rusët nga gjendja e një popullate të panjohur të Detit të Veriut duke i bërë në fillim si shtet kontinental e më vonë edhe si fuqi botërore, duke u mundësuar që përmes Ukrainës të marrin pjesë si në Evropën Lindore e në Detin e Zi.
Objektivi i Rusisë në Ballkan është që përmes aleancave tradicionale sllavo-ortodokse të pengojë sa të mundet e aty ku ka mundësi, zgjerimin e infrastrukturës euro-aëtlantike dhe ndërkohë ta ruajë mjaftueshëm pozicionin e saj në zbatimin e projekteve strategjike të infrasturkutës energjetike. Është fakt i kryer tani më që Rusia ka pasur sukses në blerjen e aseteve si rafineri nafte në Bullgari e Rumani dhe një rrjet të gjerë të shpërndarjes së energjisë në Ballkan. Rusia po negocion për më shumë blerje në Rumani, Bullgari, Serbi, Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ajo po zgjeron rrugët e transportit të energjisë nëpër Ballkan, Baltik dhe në Evropën Lindore. Kjo tregon se energjetika ka pushuar së qeni çështje ekonomike dhe ajo po bëhet kaq e rëndësishme strategjikisht, sa që nuk mund të kufizohet të jetë kompetencë vetëm e ministrave të ekonomisë. Ajo është shndërruar në pjesë të tërësisë së strategjisë së sigurisë kombëtare të një shteti dhe në prioritet të interesit kombëtar.
Me ndërhyrjen në Siri, Federata Ruse po implementon politikat e zbritjes në detëra të ngrohtë me synim udhëkryqin botëror të trafikut detar siç është Mesdheu. Pra, ky është një projekt ambicioz i Federatës Ruse, i cili është bërë dominant në të menduarit e strategjisë së politikës së jashtme me synim për ta ri-kthyer Rusinë në një perandori të dikurshme. Kjo ambicje duhet të jetë një alarm për të zgjuar diplomacinë perëndimore, e cila prej kohësh e ka sygjestionuar veten se me shembjen komunizmit kemi arritur në fund të historisë dhe tani e tutje paqja qiellore do të dominojë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Sjelljet e Federatës Ruse janë një mesazh i qartë për reflektim politik, diplomatik dhe strategjik, të qeverive dhe të shteteve në të gjitha rajonet evropiane, peëfshirë edhe Ballkanin përderisa marrëdhëniet e saj po i zhvillon në përputhje me logjikën e një lufte të re të ftohtë e cila shumë lehtë mund të kthehet në një luftë të nxehtë. Rivalitetet gjeopolitike dhe gjeostartegjike bartin në vete kundërthënie të mëdha që historikisht kanë qenë kombinim shpërthyes në mes fuqive të mëdha. Andaj dhe është mëse e domosdoshme që SHBA-të të rishqyrtojnë politikën e saj të jashtme dhe marrëdhëiet me disa nga fuqitë e saj aleate. Aksi i mundshëm i konfrontimit SHBA-Rusi padyshim që do të jetë Azia Qëndrore dhe Jugore, Lindja e Mesme dhe Ballkani. Në këtë kuadër, hapësira shqiptare nuk mund të jetë e paprekur dhe e përjashtuar.


Protesta, Kosova dhe shqiptarët

Shemsedin Ibrahimi

Dhuna që përshkallëzoi në protestën e opozitës në Kosovë është dënuar nga të gjithë, por askush nuk i ka identifikuar (në tërësi) ata që kanë shkaktuar dhunë dhe shkakun që ka sjellë deri në këtë përshkallëzim të gjendjes së sigurisë.

Protesta e opozitës në Prishtinë, ka përshkallëzuar me dhunë, një orë pas nisjes, pasi udhëheqësit e opozitës kërkuan largimin e qeverisë. Ky ka qenë subjekti kryesor i të gjitha kumteve, duke përshkruar atë që ndodhi në protestën e fundit në njërin nga kryeqytetet shqiptare, Prishtinën.

Të gjitha lajmet kanë qenë të përqendruara në numrin e protestuesve dhe shumë pak në motivin,  deklaratat, apo analizën e asaj që po ndodhë.

Mediat elektronike, duke përfshirë edhe rrjetet sociale kanë qenë të mbushura me komente përkrahëse dhe kundërshtuese ndaj protestës dhe protestuesve.

Ambasadori amerikan Greg Delawie, duke bërë një koment në Twitter, shkruan:”Dhuna politike e kërcënon demokracinë dhe gjithçka që Kosova ka arritur që nga pavarësia e saj”.

Në të njëjtën vijë ka qenë edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Conell, i cili ka deklaruar se “Dhuna gjithmonë shkakton më shumë probleme se zgjidh. Shpresoj se liderët politikë, do të dënojnë dhunën dhe do të mundohen t’i zgjidhin problemet me dialog”.

Kundër dhunës dhe shkatërrimit të pronës publike ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, përkatësisht zyra e saj në Prishtinë.

Kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar ngjashëm, duke bërë thirrje që opozita të distancohet nga  dhuna dhe vandalizmi i protestuesve.

Ana tjetër e protestave ishte simbolika e saj. Numër i madh protestuesish, parulla kundër qeverisë dhe flamujt kombëtarë shqiptarë. Një fakt tjetër i parë nga të gjithë ishte edhe pjesëmarrja e disa protestuesve nga Tirana, që disa mediume kumtuan për përdorim dhune ndaj tyre nga ana e policisë.

Gazetaria dhe mediat në përgjithësi kanë një mision edhe pse ai nuk shprehet drejtpërdrejt. Ajo që duhej të bëhet nga mediat do të ishte përfshirja e më shumë informatave nga të gjitha viset shqiptare, e në veçanti nga Shqipëria dhe Maqedonia. Ajo që ndodhë në Kosovë ka ndikim edhe në Shqipëri edhe në Maqedoni. Politika e ekuidistancës, si duket ka bërë që shqiptarët të veprojnë ndaras në shumë çështje të rëndësisë gjithëkombëtare.

Një deklaratë nga zyrtarët e Tiranës dhe faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni, do të ishte një ndihmesë për të kuptuar atë që ndodhë në Kosovë dhe anasjelltas në Shqipëri, apo Maqedoni, Luginë dhe viset tjera shqiptare.

Ekuidistanca është e arsyeshme në politikën ndaj fqinjëve, por jo edhe ndaj vetë kombit. Nuk mund të ketë politikë të tillë brenda një kombi. Kjo e shkatërron atë, ose së paku e ç’orienton nga rruga natyrale e zhvillimit të tij.

“Është shumë lehtë të shkatërrosh Shqipërinë dhe Kosovën, mjafton të sajosh një vrasje të një lideri të tyre dhe të akuzosh palën kundërshtare ata janë të gatshëm të luftojnë deri në shfarosje”, deklaroi ish shefi i sigurimit kombëtar serb.

Kjo deklaratë sikur ishte maja e një mozaiku të krijuar nga vetë shërbimet e shteteve fqinje, të cilët mendojnë se me nxitje të politikës vëllavrasëse dhe përhapjes së defetizmit, do t’i gjunjëzojnë shqiptarët edhe atë në momentin më të favorshëm të tyre në skenën ndërkombëtare dhe kombëtare.

Kokat e kombit, duhet të flasin, të thonë mendimin e tyre pa u frikësuar se kjo do t’ua ulë rejtingun, ose do të keqkuptohen. Gjendja është serioze dhe koha kërkon mendje të pastra, të kulluara të mendimit dhe veprimit politik shqiptar, pa ekudistancë, pa hatërmbetje dhe pa përçarje.


Fenomeni i vlerës së fryrë

Kushtrim Bekteshi

 

Kur donin ta thumbonin ose ta përqeshnin dikë që i ishte ‘rritur mendja’, i thoshin: je fryrë si buka e furraxhisë. “Syrin ta ngop, por jo dhe barkun” – shpesh më sillet nëpër mend kjo thënie kur mendoj për fenomenin e një gjëje tjetër të fryrë në shoqërinë tonë – vlerën.

Gjatë kohës kur Kosova ishte nën okupimin serb dhe thuajse gjithë shqiptarët e Kosovës ishin larguar nga puna e mezi mbijetonin, gjëja që më së shumti e kujtoj gjatë qëndrimeve të mia atje është era e bukës së blerë. Çdo ditë familjarët e mi në Kosovë blinin nga dy qese përplot me bukë të sapopjekur, thuajse po shtronin sofrën për pesëdhjetë mysafirë të ftuar. Por, e vërteta ishte se gjithë ato bukë bliheshin për nevojat e një porcioni ditor për shtatë-tetë persona. Atë bukë  aq shumë e fryenin furraxhinjtë, aq sa po ta shtypje të mblidhej e tëra në grusht. Aq ishte vlera e vërtetë e asaj buke – sa një grusht, por receta enigmatike që përdornin mjeshtrit furraxhinj e bënte të dukej sikur të kishte dhjetëfishin e sasisë së vërtetë dhe me atë vlerë edhe e shisnin. Familjarët e mi shpesh bënin ironi me këtë fenomen të kohës duke thënë “kjo bukë syrin ta ngop, por jo dhe barkun”. Kur donin ta thumbonin ose ta përqeshnin dikë që i ishte ‘rritur mendja’, i thoshin: je fryrë si buka e furraxhisë. “Syrin ta ngop, por jo dhe barkun” – shpesh më sillet nëpër mend kjo thënie kur mendoj për fenomenin e një gjëje tjetër të fryrë në shoqërinë tonë – vlerën. Vlera të fryra që shfaqen si kërpudhat pas shiut dhe promovohen me ngulm si të tilla, qoftë në politikë, gazetari, kulturë apo art. E pastaj fryhen e fryhen nëpër media, portale, kuluare, rrjete sociale, biseda kafenesh e besa edhe biseda akademike, sa thua ti ke të bësh me individë që kanë dhunti gjenialitetin. Mjafton t’ua heqesh fasadën, gjithë bujën që ua krijojnë mjeshtrit e propagandës, dhe si puna e bukës së fryrë, sheh se vlera e vërtetë e tyre është aq e vogël sa nuk vlen as të matet në kandar.

Po ku i ka rrënjët fenomeni i vlerës së fryrë që vjen gjithmonë i imponuar në mesin tonë!? “Furraxhinjtë” e këtij fenomeni gjithmonë janë të punësuar në furrat e pushteteve që për qëllim kanë kahëzimin e mendimit dhe shijes së masës aty ku ata duan. Ta kujtojmë pak sistemin monist të ish-Jugosllavisë. Në raport me shqiptarët pushteti në mënyrë sistematike, me direktiva të qarta ka investuar në krijimin e vlerave të fryra ndër shqiptarë, me qëllim që këta individë me idetë dhe qëndrimet e tyre mëpastaj ta ç’orientojnë masën nga aspiratat për të qenë  të barabartë me kombet tjera që e përbënin federatën Jugosllave. Me një fjalë, nëpërmes këtyre vlerave të fryra, pushteti është përpjekur që t’ua lajë trurin me akull shqiptarëve dhe t’ua krijojë iluzuonin se jetojnë në një sistem që as me parajsën s’ka të krahasuar.  Pushteti, me aparaturën e tij propagandistike impononte këto vlera të fryra që në librat shkollorë për filloristë, duke ua servuar fëmijëve heronjtë e kamufluar dhe autorët mediokër shqiptarë si modele të arritjeve më të mëdha të historisë dhe kulturës tonë. E njëjta metodologji aplikohej edhe në teatër ku aktorë të patalentuar promovoheshin si talentë të jashtëzakonshëm dhe “talentin” e tyre e kishin për detyrë ta shpërfaqnin kryesisht nëpër manifestime kombëtare, duke çjerrë zërin gjatë leximit të poezive patriotike dhe duke parakaluar si palaço rrugicave, të maskuar me petkun e heronjve kombëtarë (imazhe të cilat kemi pasur rastin t’i shohim edhe në kohën e sotme). Sistemi monist, në anën tjetër, me të njejtën aparaturë propagandistike shfrytëzonte metoda çnjerëzore për t’i mbajtur nën hije dhe për t’i heshtur gjithë ata individë që përfaqësonin vlera të mirëfillta në fushën e profesionit ku ata vepronin, por që nuk i përshtateshin qëllimeve të pushtetit. Sigurisht, asgjë nuk arriti t’i heshtë në vendosmërinë e tyrë për t’i shërbyer kauzës kombëtare, edhe përkundër masave të tmerrshme represive që i ushtronte pushteti ndaj tyre. Fatmirësisht ai sistem dështoi në përpjekjen për zhbërjen e indit tonë kombëtar, gjë që e tregon realiteti historik i kohës së sotme. Por, edhe përkundër shpërbërjes së atij sistemi monist, jo se nuk mbetën fosile që ende edhe sot përpiqen të klonojnë e indoktrinojnë ndër të rinjtë idetë e një kohe të shkuar duke i përshtatur me rrethanat e sotme – por gjithmonë me të njejtin qëllim të sistemit të shkuar monist.  Dallimi është vetëm tek metodologjia e propagandimit, mënyra e plasimit të ideve dhe servimit të “vlerave”. Derisa në sistemin monist propagandimi bëhej në mënyrë direkte nëpërmes kanaleve shtetërore televizive dhe gazetave (që në atë kohë ishin të pakta në numër dhe i nënshtroheshin një cenzure të rreptë), prapseprapë qëllimet e kësaj propagande ishin më lehtë të identifikueshme dhe jorastësisht shumica dërrmuese e shqiptarëve të asaj kohe shumë shpejt dhe pa hamendje u rreshtuan në anën e intelegjencës që luftonte për kauzën kombëtare. Ndërsa sot, kur cenzura totale dhe masat represive duken çështje të një kohe të shkuar, propagandimi vjen i mbështjellë me letër të bukur zbukuruese dhe plasohet me elegancë nëpërmes mediave të shumta elektronike dhe të shkruara, sidomos nëpërmes “port-haleve” elektronike dhe rrjeteve sociale, duke krijuar kështu një mjegullinë për syrin e rëndomtë në identifikimin e informaconit të vërtetë nga dezinformacioni, gënjeshtrës nga e vërteta, vlerës nga antivlera. Prandaj sot, si kurrë më parë, na duhet prezenca e mendimit të thellë analitik dhe kritik, debateve përmbajtësore nëpër mediat elektronike dhe të shkruara, qoftë për politikën, historinë, gazetarinë, kulturën apo artin, me qëllim që mos t’i lihet shteg servimit të vlerave të fryra që për qëllim kanë kontaminin e ambientit tonë politik e kulturor. Në të kundërtën, në këtë kakafoni debatesh të çorientuara e inatçore që po mbizotrojnë në mesin tonë, në gjithë këtë lëmsh idesh, orientimesh dhe vizionesh për të ardhmen, në gjithë këtë arrogancë konfrontimesh në politikë, në gjithë këtë formë pa përmbajtje që kryesisht po mbizotëron në kulturë dhe art, rrezikojmë që “vlera e fryrë” të bëhet lehtë e pranueshme dhe si e tillë të arrijë ta kahëzojë mendimin dhe shijen e masës së gjerë. “Vlerave të fryra” që proklamojnë idetë neokomuniste ku shqiptarët duhet t’i rikthehen mandolinës e t’i bien çiftelisë, apo atyre që proklamojnë idetë neotomane ku shqiptarët duhet të rishkruajnë historinë dhe të zhyten në ujërat e turbullta të debateve ekstreme religjioze, u duhet dhënë një përgjigje e vendosur kolektive e mbarëkombëtare që ato ide përfundimisht duhet të flaken me rrënjë e farë nga realiteti ynë. Kjo përgjigje duhet të jetë e prerë, pa pardon dhe pa rezerva.

Po i kthehem përsëri bukës së fryrë nga kujtimet e fëmijërisë time. Familjarët e mi kursyen xhepin dhe ngopën barkun kur e kuptuan se duhej të fillonin vetë ta gatuanin bukën, e mos të lejojnë të mashtrohen nga furraxhinjtë e panjohur që iu shisnin bukën e fryrë që vetëm syrin ta ngopin, por jo dhe barkun.

 


Viti i ri serb dhe vetja ime kolektive

 

Albulena Halili

“Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim t`pelcitur. Bota në ty le të kallet!”

Ali Podrimja

Në një nga portalet serbe, i cili sipas të gjitha gjasave dukej të ishte nacionalist, në krye të tij shkruante: “7 године, 7 године, 10 месеци, 23 дана, 7 сати, 57 минута, и 29 секунди од како су нам отели Косово и Метохију”, që në përkthim do të thotë “7 vjet, 10 muaj, 23 ditë, 7 orë, 57 minuta dhe 29 sekonda që kur na e kanë marrë Kosovën dhe Metohinë”, dhe sekondat vazhdonin të ecnin… M’u qesh! Pastaj më erdhi keq për ta. Pastaj ndjeva krenari për veten time kolektive.

M’u qesh sepse ma kujtoi numërimin mbrapsht, zakonisht të vitit të ri. Për dallim nga ai, minutat e sekondat këtu s’po iknin. Ato po vinin për të mos shkuar më kurrë. Kjo ishte një klepsidër funebre për ta, ndërkaq një klepsidër triumfi drejtësise për ne. Për fatin më të keq të një populli, që moti ishte kthyer në mallkim për ta, ata akoma besonin në rrenën e tyre të madhe. “Rrena është institucioni ynë, është arsyeja e mbijetesës sonë”, kishte thënë njëri nga intelektualët e ideologët e tyre – Qosiq.

Numërimi i tyre për humbjen e diçkaje që s’ishte e tyrja, vetvetiu më bëri të mendoj për mos-numërimin tonë për rikthimin e diçkaje që na përkiste neve.  E kjo më dhimbte!

Rikthimi i Kosovës është ndërmarrja më gjigante e kombit shqiptar që mund të tejkalohet vetëm nga lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare që çoi në pavarësimin e Shqipërisë në vitin 1912. Është  lëvizja dhe njëkohësisht sakrifica më e madhe e një kombi për lirinë që i takon. Është vetëndriçimi i një kombi të vetëdijshëm për veten e vet. Është Rilindja jonë e dytë!

Rikthimi ndodhi. Klepsidra serbe e përkthyer në atë shqiptare do të thotë 7 vjet, 10 muaj, 23 ditë, 7 orë, 57 minuta dhe 29 sekonda që kur Kosova është e pavarur dhe është shteti i dytë shqiptar. Por, a është Kosova e pavarur? Dhe a është shteti ynë? S’di pse më erdhi ndërmend Hobsi me Leviatanin e tij të famshëm dhe zajednica serbe brenda Kosovës.

 

Leviatani dhe Zajednica

Në kohën kur u krijua rendi botëror, që pranohet të jetë krijuar pas Paqes së Vestfalisë në vitin 1648, njëri ndër mendimtarët më të njohur të këtij modeli, Tomas Hobs, shkroi veprën e tij të njohur “Leviatani”.

Vizioni i Hobsit mbi botën qe vendimtar për kohën, ndërkaq që krahasonte shtetet sovrane me garën mes gladiatorëve. Ai thoshte se shteti apo sovrani ofron siguri në këmbim të lirive individuale nga të cilat të cilat qytetarët kanë hequr dorë, me synimin e mbrojtjes së tyre nga shteti. Kjo është arsyeja pse shteti duhet të jetë sovran. Të qenët sovran nënkupton se shteti nuk i nënshtrohet asnjë rregulli që mund t’i imponohet kundër vullnetit të tij.

Meqenëse bota akoma është e farkëtuar sipas sistemit vestfalian, atij ku subjekte kryesore në marrëdhëniet ndërkombëtare janë shtetet, sovraniteti vazhdon të jetë njëri ndër parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare, përderisa akoma s’kemi një rend të ri që do ta relativizonte apo edhe suprimonte këtë parim.

 

Pavarësia dhe sovraniteti hibrid i Kosovës

Pavarësia dhe sovraniteti shpesh, dhe do të duhej, të nënkuptonin binomin e pandashëm në rrethana normale dhe te shtetet normale, por kjo gjë s’ndodh në Kosovë. Kosova de facto nuk është as e pavarur, as sovrane.

Sovraniteti në radhë të parë nënkupton të drejtën e Kosovës për kontrollin e vijës së saj kufitare dhe tërë territorit, nënkupton ta ketë të mbyllur derën e shtëpisë në pjesën veriore të saj.

Së dyti, nënkupton kontrollin e resurseve natyrore dhe të kapaciteteve ekonomike, trashëgimisë së saj kulturore, nënkupton të drejtën e Kosovës për ushtri, nënkupton mospasjen brenda saj të strukturave paralele të Serbisë dhe integritetin e saj territorial.

Dhe së fundmi, sovraniteti nënkupton të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, që nënkupton edhe të drejtën për t’u bashkuar me Shqipërinë. Kjo, përveç që është e natyrshme, në të njëjtën kohë, siç e thotë madje Zhizhek: “çon në një konstelacion gjeostraegjik pak më logjik në Ballkan”.

Përpjekjet për territorializimin e interesave etnike serbe në Kosovë përmes krijimit të bashkësisë së komunave serbe në Kosovë janë veprimi më jologjik dhe jokonstruktiv që është realizuar nën tutelën e BE-së. Këto përpekje pashmangshëm çojnë te procesi i bosnjëzimit të Kosovës, përjetësimit të shtetit paralel serb brenda saj dhe në fund deri te realizimi i doktrinave nacionaliste institucionale serbe për Serbinë e madhe në Ballkan.

 

Vetja ime kolektive

Kadare përshkruan opsesionin që ka Serbia me Kosovën me fjalët: “Trualli ku është bërë një betejë, qoftë edhe fatale për një popull, nuk mund të përcaktojë, qoftë edhe pjesërisht “djepin” e tij”. Megjithëse është një conditio sine qua non që Serbia ta pranojë faktin që Kosovën e ka humbur dhe të njohë Kosovën si shtet të pavarur, akoma më e rëndësishme se kaq është që ajo ta respektojë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe të mos angazhohet për ta bërë të pamundur funksionimin normal të këtij shteti fqinj. Kjo do ta çlironte dhe shëronte atë vetë, por edhe paqen e brishtë ballkanike. Procesi i çmitizimit dhe dekonstruktimit të historisë në Ballkan nuk duhet të nisë me shqiptarët. Përkundrazi ky proces duhet të nisë me serbët. Ata kanë më shumë punë se kaq, dhe e kanë me veten e tyre.

Vetja ime kolektive duhet të përmendet e ta kuptojë rolin dhe rëndësinë që ia ka dhënë kjo epokë. Ajo duhet ta kuptojë që koha po ecën për të, ndaj duhet të punojë fort e pa kthyer kokën prapa në projektin dhe vizionin e saj. Ndërkaq fqinjët tanë duhet të mësohen një herë e mirë me praninë tonë të pashmangshme e të njëmendët në këtë gadishull problematik.

 


Jokohezioni shoqëror dhe shtetet multietnike

Gurakuç Kuçi

 

Shoqëritë jokohezive pësojnë kolaps ashtu siç pësoi Jugosllavia.

Më 25 janar ishte ditëlindja e largpamësit Arbën Xhaferi. Njeriut pikëpamjet e të cilit, teksa lexoja tek intervistat e bëra me Rudina Xhungën, e cila i ka mbledhur në një libër, nuk mund të mos i rilexoja deri sa nuk i kuptova dhe i mësova përmendësh.

Në njërën nga intervistat e tij,  Xhaferi kishte thënë kështu:“Ne nuk ndikuam që të shpërbëhet Jugosllavia, as Austro-Hungaria, as Perandoria Osmane. Këto shtete u shpërbënë për shkak të tendencës historike që i dromcon këto shtete heterogjene pasi ato nuk janë ekonomikisht funksionale dhe nga aspekti shoqëror janë jokohezive. Shoqëritë jokohezive pësojnë kolaps ashtu siç pësoi Jugosllavia. Shoqëritë multietnike mund të funksionojnë nëse krijohet shteti multietnik, pra krijohen mekanizma që kontrollojnë mënyrën sesi funksionon diversiteti brenda atij shteti.”

Evropa në përgjithësi, por edhe Ballkani në veçanti, asnjëherë nuk kanë pasur një kohezion shoqëror, politik apo kulturor e madje as bashkëpunues, andaj edhe pikërisht në kontinentin e Evropës sot gjejmë lindjen e nacionalizmit dhe lindjen e balancës së fuqisë.

Mirëpo, nacionalizmi dhe balanca e fuqisë nuk ishin gjëra edhe gjithaq të këqija, pasi ato krijuan unitetin, afruan popujt, secili popull krijoi identitetin, ekzistencën dhe mbijetesën e vet. Madje Xhaferi për nacionalizmin fliste me nota gjithmonë pozitive duke e quajtur atë “diga që lëviz popujt, që i çon ata përpara”.

Ndërkaq, balanca e fuqisë arriti të krijojë një rend, të cilin duhej ta respektojë secili  sepse kishte dinjitetin e mbijetesës dhe vetëmbrojtjes me aleatët e vet.Nëse kërcënohej aleanca apo rendi sigurisht që pasonte lufta. Kërcënimi i këtij rendi e sidomos i rendeve jokohezive, tregoi që aleancat joparimore nuk mbijetojnë, andaj pasuan luftërat e njëpasnjëshme.

Edhe perandoritë, të cilat duke u fryrë dhe duke mos pasur kohezion shoqëror, përveç që viheshin në pah shumë kërkesa, ato e  prishnin edhe centralizimin e shtetit, pasi krijonin aq shumë shpërndarje të pushtetit saqë secili bëhej shtet brenda shtetit, e kështu paaftësia e kontrollimit të tyre, prishte kohezionin shoqëror dhe frynte perandoritë nga dekonspirimi i pushtetit deri në shpërbërje e luftëra të reja.

Jugosllavia, poashtu u shpërbë për shkak të interesave të mëdha dhe diversitetit të papajtueshëm mes vendeve dhe popujve, e kjo papajtueshmëri e arriti kulmin kur Serbia  kërkoi që të prishë një jokohezion për të krijuar një jokohezion tjetër me forcë.

Shqiptarët asnjëherë nuk e kanë gjetur veten në këto zgjidhje të problemeve për e mbrojtjen e interesave të tyre njëtrajtshëm dhe si pasojë çdo herë kanë qenë viktimë e projekteve të të tjerëve. Shqiptarët kurrë nuk kanë pasur një projekt madje as për të mbrojtur aspiratat e tyre, dhe  doktrinë që do na bënte aleat me Perëndimin në bazë të parimeve të përbashkëta.

Si pasojë e mungesës së kësaj doktrine, sot shqiptarët po detyrohen të jetojnë dhe pranojnë projekte të multietnicitetit, projekte këto që janë treguar joefektive edhe në perandoritë e shtetet më diktatoriale.

Të njëjtat projekte në demokracitë e zhvilluara dhe moderne shfaqen nën petkun e multikulturalizmit, por së fundmi po duket qartë dështimi për jetësimin e tyre. Edhe vetë kancelarja Merkel rishtas pati deklaruar se multikulturalizmi ka vdekur.

Krijimi i mekanizmave për funksionimin e multietnicitetit duhet të ketë disa baza.

Funksionimi i një shteti multietnik mund të jetësohet  vetëm në vendet, të cilat kanë një traditë shtet-ndërtimi dhe mbi të gjitha nuk kanë një të kaluar të përgjakshme, e cila i bën armiq mes veti.

Shteti multietnik mund të funksionojë vetëm në vendet me stabilitet politik dhe kohezion shoqëror dhe jo në Ballkan, pasi shtetet multietnike në Ballkan janë të ndërtuara mbi shumë padrejtësi historike dhe si të tilla i bënë jofunksionale dhe jo unike pasi çdo herë theksohen  padrejtësitë.

Shteti multietnik nuk mund të funksionojë në Ballkan përderisa armiqësitë në mes popujve janë gjithmonë në kërkim të diçkaje që i bën ngadhënjyes dhe etnikë, duke i larguar nga multietniciteti.

Nuk mund të funksionojë një shtet multietnik kur vetë etnitë e atij shteti nuk kanë një kohezion të brendshëm.

Paqja ka arritur kulmin e vetë vetëm kur secili komb ka arritur qëllimin e vet kombëtar brenda kufijve të tij dhe është larguar nga synimet ekspansioniste përtej kufijve kombëtarë apo etnikë.

Shtetet multietnike në Ballkan do të jenë madje edhe për një kohë jofunksionale, pasi janë të ndërtuara mbi baza të forcës, mos-konsensusit mes popujve dhe nëpërmjet pazareve politike që i ka mbajtur jashtë interesat e popujve pa përjashtim.

Duke mos funksionuar politikisht, sigurisht që vendet e tilla nuk mund të funksionojnë as ekonomikisht, pasi politika dhe institucionalizimi politik i qëndrueshëm, liberal-demokratik, ashtu siç pohojnë Daron Acemoglu dhe James Robinson në librin e tyre “Përse kombet dështojnë”,  i lë popujt e Ballkanit në varfëri si pasojë edhe të politikave të imponuara nga jashtë, të cilat janë jofunksionale dhe i lënë këto vende të pazhvilluara ekonomikisht.

Pra, duke mos qenë të pjekur politikisht dhe institucionalisht, duhet së pari që të ndiqet rruga e stabilitetit të vendeve perëndimore, pra, kalimi nga uniteti etnik dhe stabiliteti etnik, pastaj institucionalizimi etnik e deri tek bashkëpunimi fqinjësor.

Vetëm arritja e një paqeje konsensuale dhe  drejtësia e mirë-drejtuar nga Perëndimi në bashkëpunim të thellë dhe të hollë me elitën politike të Ballkanit dhe pa imponime mund ta stabilizoj këtë rajon. Përndryshe me imponime të projekteve të tyre që nuk i shkojnë aspak për shtati Ballkanit nuk mund të arrihet askund, pasi duke vazhduar kështu asnjëherë nuk do të shuhen etjet e shteteve fqinje për t’i realizuar projektet e tyre për tokat shqiptare e sidomos projektet e Serbisë.

Por, pranimi i gabimit dhe vazhdimi i rrugëtimit drejt krijimit dhe realizimit të interesave me negociata të drejta dhe jo të imponuara me restrikcione nga bashkësia ndërkombëtare do të ishin opsionet  fitimtare.

Bashkësisë ndërkombëtare, nëse do t’i interesoj  vetëm paqja dhe jo drejtësia ashtu siç pohonte dikur edhe vetë Lordi Grey, nuk do të arrihet që asnjëherë të krijohet paqja, dhe si i tillë Ballkani  gjithmonë do të mbetet një vatër e krizave.

Mjetet multietnike për funksionimin e shteteve etnike,  do të vazhdojnë të mungojnë dhe ato po vazhdojnë t’i bëjnë vendet e Ballkanit jofunksionale, përderisa kërkohet që brenda shteteve multietnike të krijohen instrumente politike etnike.

Sot, në kohën kur qytetaria po ngrihet dhe po bën pjesë në vendimmarrje çdo herë e më shumë dhe në të njëjtën kohë bashkësia ndërkombëtare tenton që projektet e veta t’i imponojë pa pëlqimin e popullit, ato do të vazhdojnë të zgjojnë zemërimin e publikut dhe kundërshtimin e tyre, meqenëse duke mos qenë pjesëmarrës në informacionet e drejtpërdrejta ata kanë të drejtë të dyshojnë në projektet e të tjerëve për ta.

Veprime të tilla nuk është e thënë që të mos mund të fillojnë edhe nga vetë vendet e Ballkanit në përgjithësi apo shqiptarët e sidomos klasa akademike dhe intelektuale shqiptare në veçanti.


Historiku i futbollit dhe topi në Tetovë


Bujar Sinani

 

Të dhënat flasin se topi i parë në Tetovë është sjellë diku në vitin 1916, kurse klubi i parë i futbollit shqiptar është themeluar në vitin 1941, me emrin “Skënderbeu.”

Futbolli është një lojë, e cila na preokupon gjatë tërë kohës. Nuk duhen bërë analiza të thella për të arritur tek përfundimi se ky sport na ka bërë për vete dhe kjo lojë sa na dëshpëron, aq edhe na ngazëllen dhe na lumturon.

Po, ku e ka zanafillën e vet futbolli? Cili është vendi ku kanë filluar të luajnë për herë të parë? Ku janë tetovarët në këtë mes? Kur dhe kush kanë qenë të parët, të cilët e kanë gjuajtur topin e futbollit në Tetovë?

Fillimisht supozohej se ishte Anglia vendi ku ka lindur futbolli. Megjithatë, hulumtimet e mëvonshme zbuluan fakte, të cilat hodhën dyshim mbi idenë se kanë qenë anglezët ata të cilët e kanë shpikur të parët futbollin. Sipas një versioni francez, fillet e futbollit e afrojnë këtë lojë me ragbin, fillet e të cilit janë gjetur në Francë. Ata të cilët u munduan t’i gjejnë gjurmët e futbollit, të cilat çonin prapa në shekullin e mesëm, vërtetuan se futbolli ka qenë një lojë me të cilën janë marrë edhe grekët e vjetër, edhe romakët e vjetër… madje edhe kinezët qysh para erës së re.

Pa marrë parasysh se disa provinca franceze janë munduar të dëshmojnë se futbolli së pari ka filluar të luhet tek ta, kjo e drejtë i takon Normandisë. Në fakt, loja të cilën e kanë luajtur normanët ka qenë shumë e ashpër. Nëpër fshatra, ata e kanë gjuajtur topin dhe kanë luajtur aq ashpër, saqë nuk kanë pasur kujdes për pasojat, të cilat shpeshherë kanë qenë dhëmbë, brinjë apo edhe gjymtyrë të thyera. Kjo, ka qenë arsyeja për të cilën është shpallur e ndaluar.

Megjithatë, janë anglezët ata të cilët I kanë shënimet dhe të dhënat më të vjetra për futbollin. Ai është bërë aq popullor, saqë është praktikuar rregullisht nëpër festa dhe organizime të ndryshme lokale. Me kalimin e kohës, futbolli është bërë më pak agresiv. Anglezët kanë qenë të parët, të cilët e kanë organizuar futbollin modern, ashtu siç e njohim ne sot.

Shoqata e parë futbollistike është formuar në Angli në vitin 1855. Ky ka qenë ekipi futbollistik “Sheffield”. Viteve në vijim, klube apo ekipe futbolli janë formuar edhe në shtete të tjera të Evropës. Njëzet vjet pas Anglisë, klube futbolli janë formuar në Holandë, pastaj në Danimarkë, në vitin 1822 në Zvicër, ndërsa tri vite më vonë në Gjermani, ndërsa në vitin 1890 në Çekosllovaki. Ekipi i parë futbollostik në Austri është formuar në vitin 1894. Duke e ndjekur këtë ritëm, futbolli arrin edhe në vendet e Ballkanit.
Të dhënat flasin se topi i parë në Tetovë është sjellë diku në vitin 1916. Që atëherë të rinjtë kanë filluar ta gjuajnë topin dhe viteve në vijim janë formuar edhe klube futbollistike, ndërsa si klub i parë i futbollit përmendet Luboteni, i cili e ka marrë emrin nga maja e Malit Sharr. Më vonë janë formuar edhe klube të tjera në nivel rajonal dhe lokal.
Asokohe, shqiptarët kanë pasur qasje të kufizuar në klubet ekzistuese, të cilët janë themeluar nga ana e maqedonasve. Fakti se kanë qenë të diskriminuar dhe se është dashur të përmbushin disa nevoja elementare jetësore, përpara se të merren me sport, nuk ua ka shuar dëshirën për të luajtur dhe për t’u ballafaquar në fushën e “blertë”. Për t’u përfaqësuar në mënyrë më të denjë dhe më masivisht, është dashur të presin deri në vitin 1941, përkatësisht sezonin 1941/42 kur është themeluar klubi futbollistik shqiptar “Skënderbeu”.

Ky klub futbollistik, i cili ishte emëruar sipas heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioiti Skënderbeu, kishte grumbulluar rreth vetes shumë të rinj futbolldashës, të cilët kishin pritur me vite për këtë moment. Megjithatë, si shumë iniciativa të asaj kohe, të cilat kishin pasur për qëllim zhvillimin e frymës sportive te shqiptarët, janë shuar si rezultat i represionit komunist të ushtruar asokohe. Si rrjedhojë, klubi futbollistik “Skënderbeu” i Tetovës, funksionoi vetëm tre vjet. Lojtarët e “Skënderbeut”, si: Fadil Fauzi Latifi, Sejfulla Sejfullai, Ali Sulejmani, Muarem Jusufi, Alil Baxho e shumë të tjerë duhej ta ndërprisnin aktivitetin e tyre ose të inkuadroheshin nëpër klubet ekzistuese joshqiptare.

Edhepse numri i futbollistëve dhe entuziastëve shqiptarë ka qenë i vogël, ndërsa numri i klubeve i kufizuar apo i papërfillshëm, lojtarët si: Qani Pagria, Nijazi Fanda, Birush Qypi, Xhelal Mahmudi-Zoti, Reshat Tajqexhiu, Xhemal Kazazi, Mustafa Gulak, Abdulla Adilçe, Fadil Latifi, Sejfulla Sejfullai, Ali Sulejmani, Alil Baxho, Nizamedin Jumniu, Hadi Kazazi, Ilmi Ballanca, Fadil Arsllani, Sheref Arsllani, Sulejman Ejupi-Takara, Jusuf Ejupi-Takara, Xhelal Qypi, Muarem Nafiaga-Kasapi, Halil Kartali, Sheref Roshi, Ibraim Shukriu-Javri, Husein- Zebec, Byran Gjakovica, Osman Tairi, Rezak Ibraimi, Ekrem Neziri, Fuat Murtezani, Mesut Sharko, Shaban Ramiz- Gugo, Idriz Idrizi, Imer Ibraimi dhe Harun Jakupi, të cilët kanë luajtur jo vetëm për klubin futbollistik “Skënderbeu”, por edhe për klubet tjera në Tetovë në vitet para, gjatë dhe pas luftës së dytë botërore, nuk duhet harruar sepse ata kanë qenë nismëtarët e lojës së futbollit, dhe të njëjtët duhet kujtuar me pietet sepse kanë dhënë një kontribut të veçantë për fillimet e kësaj loje magjike, e cila viteve dhe dekadave në vijim do të pushtojë zemrat e shumë e shumë gjeneratave adhuruesish