Xhemazije Rizvani
Ditën pasi bie në dashuri nuk je më në tokë, i sheh njerëzit nga lart, diçka të mban pezull në hapësirë, në ajër, në kozmos.
Kush ka rënë në dashuri për herë të parë e merr me mend se çfarë „ausente“ është ajo. Ka që kanë rënë për së dyti, për së treti , ç’rëndësi ka? Nga e para kanë filluar. Krejt këndojnë, shkruajnë dhe flasin per atë të parën, që e kemi idealizuar edhe ne (mos gënjehemi), e kemi menduar të butë, të këndshme, përvojë e re që ta zbulon një vetvete të re. Ditën pasi bie në dashuri nuk je më në tokë, i sheh njerëzit nga lart, diçka të mban pezull në hapësirë, në ajër, në kozmos. Të ngre në qiell dhe nuk mendon për asgjë. Nuk mund të punosh, nuk mund të lexosh, nuk të shkohet askund, fillon i urren të gjithë njerëzit e panevojshëm rreth vetes që ta duash „atë“ më shumë. Beketi te “Dashuria e parë” thoshte “Nuk mbaja mend ditën kur vdiq babai dhe data të rëndësishme si kjo, por mbaja mend ditën, orën, minutën kur ajo u largua”. Pastaj e gjeti zgjidhjen, e kërkoi dhe e mori pranë vetes duke arsyetuar “vetëm kur atë e kisha afër, mund të mendoja për gjithçka tjetër. Një lloj lehtësimi për ata që, siç i quan Dostojevski, bien në dashuri si një “mëzat“, se edhe burrat gjeni të parën dashuri si ne e kanë pasur. Mund të thuhet se krejt dashuritë e para ngjajnë për nga ndjesia, por nuk e di a ngjajnë dashuritë për pushtetin, sidomos ajo e atyre që obsesionohen pas Grujës. Politikanët tanë sillen me pushtetin si me dashnoren e parë. I rrijnë besnikë, i binden, nuk ia ngrenë zërin. Sa bëjnë ta ndërrojnë pak tonin, menjëherë hasin në ashpërsi dhe bëjnë sikur s’ka ndodhur gjë. E takojnë ditën tjetër me lutjen që mos jetë turrivarur. E “ajo”, si ajo bushtra inteligjente që e ka kuptuar se “terren i pushtuar” është qëmoti, synon terrene të tjera. Pra, fillon flirti, koketimi me rivalë të tjerë. “Dashnori” që e ndjen veten të rrezikuar karshi dashnores së parë, tromakset, tronditet, kjo s’mund t’i ndodhë atij, se pa të s’mund të jetë ai që është , aty ku është dhe, si pasojë, dihet, i hidhet në sulm rivalit në vend se ta lërë dashnoren e keqe që nuk e do, që e shfrytëzon, që ia punon prapashpine, që e nxjerr leshko para të tjerëve. Dashnori është i zjarrtë dhe shpesh natën vonë i tregon se gjithçka kishte bërë për të pa menduar (se ku ka tru me gjithë atë dehje), vetëm ta mbajë afër vetes. Të tjerët e xhelozojnë. Ai e ka humbur racion, e udhëheq sentimenti. S’ka kush përreth që t‘i thotë se gabon, se do të kalojë edhe kjo, se duket haptazi se është e njëanshme. Se veç jep e asgjë nuk merr. Po ku te beson ai?! Hec e thuaji dhe ke për të parë sa njeri dashakeq që je, që mezi pret radhën t’ia zësh “dashnoren”. Se për këtë të vjen më keq ty, që s’je në vendin e tij që ta përjetosh krejt atë luks , hmmmmm. Si mund të rrojë pa të? As mos ia thuaj! Do të jetë një asgjë, një askush. Ia ka pirë sorra mendtë. Provoni t’ia çelni sytë dhe do t’ju thotë si një idealist “merri sytë e mi dhe shihe”. Sa shumë e kishte ëndërruar atë, shumica nga ju e dini . Nuk kishte fjetur natën, frymshëm e kishte dëshiruar ditën, e kishte menduar shpesh veten me të, të pandashëm, duke i bërë premtimin “derisa vdekja të na ndajë, le të dalë ku të dale”. Atij nuk i intereson integriteti që i cënohet, liria që i mohohet , e rëndësishme është kur të shfaqet në publik të jetë me të, ndihet më i fortë kur atë “me nder me thanë” e ka afër, pavarësisht që bie erë shumë. Të dy kundërmojnë. U zgjata pak. Të shkojmë te fundi i kësaj lumëmadhes dashni. Eh, përvoja e bën të veten, e dini dhe këtë. Një ditë romanca përmbyset. “Dashnorja“ e le për interesat e veta, jo se ka gjetur më mirë, por se s’ka çfarë merr më prej atij që e ka boshatisur. Tashmë thotë se nuk i pëlqen se nuk kishte kërkesa, nuk e dinte kush ishte, kishte mungesë vetbesimi, personaliteti, e fyu si krejt ata që ku gjejnë shesh, bëjnë përshesh. Mori krejt çfarë deshi prej tij, e shpërdoroi me një fjalë dhe në fund për ta denigruar më shumë i tha “nuk jemi të nivelit të njëjtë, ti ke ardhur nga mali, unë kam rrënjë në qytet. A do Gruja një të tillë afër vetes? Gruja është me përvojë. E ka të lehtë të bëjë me “dashnorin“ ç’t’i teket. I arrin të gjitha qëllimet pa fare mund. Dashnori i qe përgjëruar: “Vetëm mos më lër, ç’të duash do të bëj për ty”. Gruja moti e kishte nuhatur rëndësinë që ia kishte ofruar, kishte kuptuar që zëvendësim s’kishte. Dinte si t’i “zhvirgjëronte dashnorët”, i zhvaste dhe i hidhte si letra tualeti të papërdorshme, pa përdorur ndonjë teke. Pas shumë vitesh dashnori pa sesi Gruja koketonte me gjithë ata dashnorë të rinj përreth njëherësh dhe iu kujtua dashuria e parë. Zakonisht kur na kujtohet dashuria e pare, qeshim me krejt ato gjëra të pamendta, e harrojmë të qeshim me atë që e provuam. Qeshte dhe Beketi, Dostojevski. Krejt gjenitë kanë qeshur. Vetem se dashnorit tonë, çuditërisht i erdhi të qante, të ulëriste, të ndërronte lëkurën, t’i shkulte flokët, të hapej toka e ta përpinte, ç’nuk i erdhi . I erdhi plasje, sepse kishte rënë në dashuri me njeriun e gabuar dhe zakonisht pas dashurisë së parë me njeriun e gabuar shumica e mendojnë vetëvrasjen, këtë më së miri e dinë adoleshentët. Ish-dashnori vendosi në fund të bëhej poet dhe kopjoi do vargje prej një tjetri “ke vdekur prej kohësh, i vdekuri nuk vetëvritet”. Ish-dashnori ngushëllim të vetëm e ka faktin që nuk ishte i vetëm. Ata janë shumë.