Xhemazije Rizvani
Në një ditë të bukur qershori, në një përpjekje për intervistë me poetin, siç e quajnë tashmë, shqiptaro- meksikan Xhevdet Bajrën, doli një bashkëbisedë krejt spontane që s’është intervistë dhe as poezi.
Mbresa leximi:
Poezinë e Bajrajt e kam lexuar si gjimnazist dhe nëpërmjet saj kam kuptuar jo vetëm vuajtje njerëzore, po edhe histori politike dhe vizion për një botë më të mirë. Më ka rastisur që të lexoj autorë të tjerë paralelisht me Bajrajn dhe kur kthehesha te poezia e tij, më dukej që sapo e kisha ndezur një Marlboro pasi e kisha fikur paraprakisht një Bozhur.
Uran Krasniqi, gazetar
Xhevdet Bajraj, një poet i cili në të gjitha poezitë e tij shpreh një melankoli që e mbulon tërë qenien e vet si brenda, ashtu dhe jashtë saj. Ai na bën edhe ne të flasim me poezinë e tij që jo rrallë ka dhembje, mall, dashuri për atdheun që e ka larg.
Albulena Zylbeari, profesoreshë e gjuhës shqipe
Poezi që prekin një dimension tjetër të tragjedisë dhe shembjes njerëzore. Herë ajo shfaqet si një komedi e zezë që qesh me dhembjen, siç qesh egoja e pamëshirshme jona dhe në fund, pasi e kupton, të rrëqeth të tërin.
Kushtrim Zendeli, lexues i pasionuar librash, stomatolog i diplomuar
Xhevdet Bajraj: U iki intervistave. Përtoj ta braktis Rahovecin dhe pse e ndjej veten si në moçal.
Me shkrim më duket se bëj art, ndërsa kur flas, më duket sikur jam i çmendur. Më komod e ndjej veten buzë artit se buzë çmendurisë. Nganjëherë s’di pse më duken e njëjta gjë.
Xhemazije Rizvani: Ju poetët jeni pak të çuditshëm…
Xhevdet Bajraj: Pak jo, por shumë të çuditshëm, shyqyr që jemi aq pak hahaha…
Xhemazije Rizvani: Prej nga buron “çudia” te poetët?
Xhevdet Bajraj: Nga ndjenjat.
Xhemazije Rizvani: Cila? Ne “të tjerët” s’jemi krejt pa ndjenja.
Xhevdet Bajraj: Perceptimi, guximi për ta parë botën në mënyrë të veçantë, si dikur në fëmijërinë e njerëzimit.
Xhemazije Rizvani: Mos keni ndonjë ndjenjë tepër ju poetet. Si duken gjërat prej atij këndi?
Xhevdet Bajraj: Mbase dhe e kemi. Na dhemb jeta edhe kur nuk duhet.
Xhemazije Rizvani: Kjo është vërtet e çuditshme. E keni përjashtuar lumturinë?
Xhevdet Bajraj: Jo. Jemi gjithmonë në kërkim të saj. Përderisa e kërkojmë, jemi të lumtur, apo përpiqemi të jemi. Ku ta di?! S´di ç´të them për botën në përgjithësi. Njerëzimi nuk i meriton poetët (piktorët dhe kompozitorët), edhe pse të gjitha këto njeriu i bart me vete si peshqesh që nga origjina. E meritojnë veç një përqindje shumë e vogël e njerëzve.
Xhemazije Rizvani: Cilët?
Xhevdet Bajraj: O, Këtu fut sa të duash, por le të jenë ata që vuajnë dhe ata që dashurojnë. Se s’di pse e kam ndjenjën sikur jemi duke e bërë intervistën hahaha…
Xhemazije Rizvani: Pse nuk e keni ndjenjën se po bëjmë një poezi për shembull? Ç‘ka me tepër se kjo bashkëbisedë poezia? A është e zorshme ta shkruash?
Xhevdet Bajraj: Kjo është e bukura e të shkruarit dhe jo kamera. Edhe pse s´ia kam frikën kamerës.
Poezia ka shumë më tepër se kjo bashkëbisedë. Është e tërë jeta, jo veç e individit, por e të gjithë llojit njerëzor.
Xhemazije Rizvani: Ju jeni profesor i poezisë. A mund te ma mësoni poezinë? Dua ta shkruaj me çdo kusht?
Xhevdet Bajraj: Normal që mundet.
Xhemazije Rizvani: A është kusht ta duash aq sa unë e dua poezinë?
Xhevdet Bajraj: Po, është. Bile është njëri nga kushtet kryesore, ndërsa një tjetër është vetëdija se jemi të vdekshëm. Kur e di këtë, ke një mundësi ta shkruash jetën tënde për ata që do të vijnë.
Xhemazije Rizvani: Po? E nëse është dashuri e njëanshme: unë e dua, ajo (poezia) nuk më do?
Xhevdet Bajraj: Poezia i do të gjithë, përveç atyre që shtirren poetë.
Xhemazije Rizvani: Cilët poetë i do më shumë dhe i ke lexuar? Ta shoh mos qëndron suksesi te gjërat që lexoni?
Xhevdet Bajraj: Nuk qëndron puna tek autorët, por te poezitë e veçanta. Kjo do të ishte njëra anë e medaljes, kurse ana tjetër është tek autorët që nuk e kanë asnjë perlë, por vepra e tyre shndërrohet në perlë.
Xhemazije Rizvani: E si behen, pra, të veçanta? Si kjo? Mbase tani dukem tamam si ata studentët tuaj të bezdisshëm që presin në radhë për t‘u bërë poetë.
Xhevdet Bajraj: Ka poezi apo vargje që ta ndryshojnë jo veç poezinë, por edhe jetën. Nganjëherë këto të dyja më duken një. Jo gjithmonë autorët më të mirë, apo poezitë më të mira, sipas kritikëve, të ndryshojnë jetën.
Xhemazije Rizvani: Si ta ndryshojnë jetën njëherë?
Xhevdet Bajraj: Dërgoma poezinë tënde më të mirë (sipas teje).
Xhemazije Rizvani: Nuk e kam shkruar ende.
Xhevdet Bajraj: Padiktueshëm ta ndryshon. A e ke lexuar I huaji të Kamysë? Zgjohesh një mëngjes dhe e ndjen që nuk je i njëjti person, që lisin që e ke para dyerve të shtëpisë të duket sikur e sheh për herë të parë…
Xhemazije Rizvani: E kam lexuar jo vetëm pse kemi lindur në ditën dhe muajin e njëjtë me Kamynë, më 7 nëntor.
Xhevdet Bajraj: Sa mirë! Ndërsa unë me Markezin.
Xhemazije Rizvani: Nëse do të kërkoja ca këshilla për ata që duan të bëhen poetë?
Xhevdet Bajraj: Duhet t’i lexojnë poetët. Veç poeti i lexon poetët edhe Zoti, nëse ekziston. Është shumë e lehtë të shkruhet poezia, veç është i rëndë kërkimi brenda vetes.
Xhemazije Rizvani: Atëherë i bie se edhe Hitleri ka qenë poet. Ai e ka dashur poezinë, bile dhe ka shkruar disa sosh.
Xhevdet Bajraj: Jo, por e ka pasur guximin e poetit, apo ka dashur të identifikohet me ta. Poezia është si jeta, e konsumove apo jo, një është. Është një lloj hakmarrjeje ndaj vdekjes.
Xhemazije Rizvani: Kanë filluar shumë ta shkruajnë poezinë. Aq sa më duket se secili do që të vdesë si poet.
Xhevdet Bajraj: Ka shumë pak poetë. Do që kanë vdekur mbahen mend për 4-5, apo 2-3 poezi, do për një libër, për fat të keq. Jo bre, tingëllon keq, por po e them ndryshe. Te jeta janë do roje të dritës, por dritën e kanë pas shpine, kurrë nuk e shohin. Apo, një lloj i poetëve do të ishte ky që gjithmonë e shohin errësirën, madje e kafshojnë errësirën dhe për ndryshim nga bletët, prodhojnë dritë. E ka pas thënë këtë dikush moti…
Xhemazije Rizvani: Ju cili jeni?
Xhevdet Bajraj: Për fat të keq, ky që e përshkrova. Albatrosi dhe “Himni i bukurisë” të Bodlerit ma kanë ndryshuar jetën, por Bodleri s´është poeti im i prefeeruar. Pastaj, Neruda dhe “20 këngë dashurie dhe një këngë pikëllimi”, por, po ashtu, s´është poeti im i preferuar.
Xhemazije Rizvani: Pse nuk janë?
Xhevdet Bajraj: Sepse duhen lexuar ne moshë të caktuar si shumë poetë apo prozatorë.
Xhemazije Rizvani: Në cilën moshë lexoheshka “Albatrosi” , “Himni i bukurisë”?
Xhevdet Bajraj: Bodleri duhet të lexohet prej moshës 17 deri më 22-vjeçare, apo 25, maksimumi 27.
Varet nga inteligjenca dhe përkushtimi. Sidoqoftë, ai është njëri nga ata që e ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë poezinë evropiane. Ka figura tek ai që edhe një plak e le pa frymë, por nuk është aty esenca.
Xhemazije Rizvani: Cilat poezi lexohen pas moshes 30-vjeçare?
Xhevdet Bajraj: Eh, nuk janë të gjithë poetët për të gjithë ata që vijnë. Nëse je lule kaktusi, ti do ta duash shkretëtirën, nëse je lule mëngjesi, ti do ta duash veç dritën e mëngjesit, nese je…. Për këtë arsye desha t´i lexoj 5 poezi tuat.
Xhemazije Rizvani: Ju premtoj që do t’ua dërgoj sapo t’i shkruaj.
Xhevdet Bajraj: Përndryshe i përshtatem çdo studenti, apo përpiqem të bëjë këtë. Shkruan prozë atëherë?
Xhemazije Rizvani: Unë jam pakëz student i komplikuar, nuk i bëj detyrat e shtëpisë. E kisha fjalën për ato 5 poezitë.
Xhevdet Bajraj: Atëherë s´do të mësosh asgjë nga intervista.
Xhemazije Rizvani: Pse? Kjo bashkëbisedë poezi është?
Xhevdet Bajraj: Edhe kjo është poezi. Kjo bashkëbisedë është sepse jam i mërzitur, Vjollca shkoi në Prishtinë, i thashë që do t´i bashkangjitem nesër, bën shumë vapë dhe sepse më keni pritur shumë bukur në Tetovë.
Xhemazije Rizvani: Paskeni arsye që jeni i mërzitur, edhe pse s’dukeni njeri i lumtur, këtë e thotë dhe Vjollca (bashkëshortja)?
Xhevdet Bajraj: Cili njeri normal mund të duket i lumtur kur e di që edhe 50 vjet do të shndërrohet në një grusht dhé, ndersa nuk do t´i kujtohet asgjë nga kjo botë. Madje as se ka pasur dhembje dhëmbi, as se i është dridhur ndonjëherë zemra nga frika a dashuria.
Xhemazije Rizvani: Vërtet e tmerrshme. Po ka dhe gjëra për të cilat mund të jesh i lumtur që harrohen, mbulohen, si të thuash!?
Xhevdet Bajraj: Natyrisht, por ato nuk e bëjnë një njeri të lirë. Njeriu i zakonshëm është i humbur, si të them. Jemi ai apo ajo në çfarë na ka shndërruar botëkuptimi aktual për jetën në rrethin në të cilin jetojmë. Jemi ajo çka kanë dëshiruar prindërit tanë, farefisi, rruga, shkolla, religjioni . Të jesh artist do të thotë të rebelohesh ndaj të gjitha këtyre që i përmenda dhe të mbetesh njeri. Ç´është jeta në fund të fundit?! Mund të përgjigjemi në këtë pyetje me citate dhe kjo nuk do të na bëjë që ta kuptojmë. Oktavio Paz në një poezi thotë: kur dy veta shikohen në sy, lind një botë. Njeriu sot as nuk ka kohë ta vështrojë, e aq më pak të mendojë për botën. Lexoje një poezi të Kavafisit, Itaka quhet apo Fundi i botës nga Çesllav Milloshi, janë dy nga poezitë që i përdori në fillim të çdo semestri. Mbase e di që Kavafisi ishte grek që veç një vit apo më pak ka jetuar në Greqi, edhe atë para se të vdiste, d.m.th. si plak.
Xhemazije Rizvani: Secili në mendje ka një Itakë ku do të mbërrijë.
Xhevdet Bajraj: E ka greku tjetër, Nikos Kazanzaqis një roman në vargje kur Odiseu kthehet në Itakë dhe mërzitet aty, kështu fillon libri. Spanjisht është La última tentación de Cristo.
Xhemazije Rivani: Shqip është Krishti kryqëzohet përsëri. Është pak cinik Nikosi aty.
Xhevdet Bajraj: Por, e ka logjikën e vet, se në roman e kryqëzojnë një aktor nga teatri që e formojnë refugjatët, d.m.th. e kryqëzojnë politikanët lokalë të një vendi të vogël. Cinik po, por i mrekullueshëm. Nuk e paskam ditur që e kemi të përkthyer në shqip.
Xhemazije Rizvani: Si nuk e paskeni ditur? Ju s’jetoni shqip më?
Xhevdet Bajraj: Jetoj njerëzishëm. Domethënë kafshërisht.
Xhemazije Rizvani: Ashtu rrojmë të gjithë, përderisa tanimë askush nuk kryqëzohet.
Xhevdet Bajraj: Jo të gjithë. Shumica jetojnë si personazhe në teatrin e kukullave, ose janë perzonazhe të një libri që s´e hap kush, ndërsa nuk e marrin guximin të rebelohen, qoftë edhe të ikin nga libri. Shkrimtari i mirë i ndjek ata. Tani më duhet të iki. Ishte bisedë e mirë, më shpëtove ditën…
Xhemazije Rizvani: Falemnderit shumë, profesor!