Vjollcë Berisha
Kjo s’mund të jetë e vërtetë, të paktën s’mund të jetë një e vërtetë e përgjithshme që e përfshin të tërën, të paktën jo për kombin tim, i cili jo shumë larg nga kjo kohë, ka pritur para dyerve të librarive njësoj si në radhën e qumështit, ka përlarë gjithë tirazhin e shtëpisë botuese vetëm për disa orë të ditës, i ka groposur librat si gjënë e çmuar në dhé, për ta shpëtuar nga djegia, konfiskimi, ka rrezikuar t’i huazojë librat e ndaluar e t’i përcjellë fshehtas dorë më dorë si gjënë e rrezikshme, ta lexojë në grup që ai të bëjë më shumë rrugë, të kalojë në duart e më shumë njerëzve që e presin…
Kanë kaluar disa vjet qëkur nuk punoj më në librari, qëkur i kam “shpëtuar” asaj ndjenje gërryese të qëndrimit përpara një rafti plot libra me trishtimin e beftë se jeta s’të del për t’i lexuar të gjithë, trishtim ky që të vjen shpesh, pothuajse përditë, me të njëjtën fuqi shtypëse dhe ti e gjen veten duke ëndërruar si kalama për ndonjë mundësi teknologjike për thithjen e të gjitha fletëve me një frymë.
Unë nuk bëj pjesë tek ata njerëz që mund t’i lexojnë “librat” në kompjuterët e tyre, për të cilët libri përherë i ka faqet e bardha (me të bardhën e njëjtë, të pandryshueshme) dhe përherë rrezaton të njëjtën dritë ekrani. Jam ende nga ata “anakronikë” që krijojnë një kimi me librin si objekt, me ngjyrën e letrës, trashësinë e peshën e saj, llojin e shkronjave, hapësirën mes rreshtash, ngjyrat e kopertinës, shuma e të cilave është faza hyrëse e kënaqësisë që do të pasojë. Kjo mbase e bën të dallueshëm përshtypjen e një leximi nga një tjetër kur bëhet fjalë për botime të ndryshme, që dallojnë vetëm teknikisht, nga jashtë. Kjo bën të mundur që shijimit t’i shtohet edhe shqisa e prekjes, e bën të mundur që dashuria të depërtojë prej gishtave.
Nuk bëj pjesë tek ata njerëz që e shohin të zezë të ardhmen e librit, që thonë se ka më shumë shkrimtarë se lexues, që mendojnë se libri po katandiset pothuajse në një stoli shtëpie a lokali pa u shfletuar kurrë. Kjo s’mund të jetë e vërtetë, të paktën s’mund të jetë një e vërtetë e përgjithshme që e përfshin të tërën, të paktën jo për kombin tim, i cili jo shumë larg nga kjo kohë, ka pritur para dyerve të librarive njësoj si në radhën e qumështit, ka përlarë gjithë tirazhin e shtëpisë botuese vetëm për disa orë të ditës, i ka groposur librat si gjënë e çmuar në dhḕ për ta shpëtuar nga djegia, konfiskimi, ka rrezikuar t’i huazojë librat e ndaluar e t’i përcjellë fshehtas dorë më dorë si gjënë e rrezikshme, ta lexojë në grup që ai të bëjë më shumë rrugë, të kalojë në duart e më shumë njerëzve që e presin… Kjo është pak a shumë lidhshmëria jonë historike me librin, pa përmendur udhën todriane të shkronjave, pa përmendur burgjet, hetimet, lotët pas konfiskimit, pa përmendur nënat që i kanë asgjësuar diku prapa shtëpie librat e djalit, nga frika se ai po bie në burg, se ata “po ia hanë kryet”…
Unë nuk bëj pjesë tek ata njerëz që thonë se nuk ka lexues, unë them që mungojnë rekomandimet e drejta. Mungojnë rekomandimet e drejta për lexime shtesë në shkolla, mungon lista e drejtë e lektyrave që përputhet me botëkuptimin e shkollarit të ditëve të sotme, shkollarit për të cilin edhe shiriti i filmit është i tejkaluar. Rekomandime këto që mund ta tërhiqnin në botën e leximit, mund t’ia hapnin dyert përgjithmonë, shumë më lehtë se me temat klishe të hartimeve “Libri – shoku më i mirë”. I mirë, po, por dikush duhet t’ua prezentojë, t’i njohë me atë shok, t’i bëjë ta duan, mbase dhe të mos munden pa të. Natyrisht që me rekomandim nuk nënkuptoj vetëm atë që duhet bërë në shkolla (ajo është e para), por këtu kam parasysh aktivitetin e përgjithshëm të institucioneve, bibliotekave, shtëpive botuese, mediave, kritikëve të librit, të cilët e kanë detyrën e rëndë e fisnike të prezantimit dhe afrimit të librit me lexuesit.
Sot kur shkruhet e botohet kaq shumë, ky rekomandim është më i nevojshëm se kurrë, jo vetëm për lexuesit e rinj, por edhe për lexuesin e profesionalizuar për ta fokusuar vëmendjen kur gjendet përpara grumbullit të madh e të përditshëm të botimeve, jo rrallë, edhe pa kritere.
Sot, në Ditën Botërore të Librit, më rri mbi krye mirënjohja gjigante ndaj librave të fëmijërisë, përrallave të gjyshes, vjershave të Agim Devës, Rifat Kukajt, Vehbi Kikajt dhe një batalioni të tërë poetësh që s’i kam parë me sy, por që i kam njohur e dashur shumë; ndaj fabulave të Ezopit, përrallave të La Fontenit që më mësuan të ëndërroj. Kjo mirënjohje nyjëton në mua një urim që mund të tingëllojë skematik, por që ka brenda dëshirën që bota të bëhet më e butë duke lexuar.
Uroj ta duam edhe më shumë Librin, të reflektojmë më tepër dhe të bindemi se çdo libër i ri i lexuar, më tepër se edhe një titull në listën që kemi, është një bulevard më shumë në botën tonë të brendshme, është një qetim i përhershëm i përbindshave që i rrisim përbreda, ne, njerëzit e vdekshëm.