Albulena Halili
Më 19 prill u bënë tre vite nga negocimi i Marrëveshjes së Brukselit, e cila kishte për qëllim integrimin e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës e pati ratifikuar këtë marrëveshje me gjithë rezistencën e madhe të opozitës, duke e integruar në legjislacionin vendor me statusin e marrëveshjes ndërkombëtare. Përkundrazi, Serbia as nuk e ka konsideruar marrëveshjen si ndërkombëtare, aq më pak e ka ratifikuar atë si ligj. Në qarqet nacionaliste serbe, kjo marrëveshje është konsideruar si marrëveshje tradhtare që ka pranuar shtetësinë e Kosovës.
Në të njëjtën datë të këtij viti, në Bruksel vazhduan bisedimet e ashtuquajtura teknike për gjërat jetike të Republikës së Kosovës.
Akoma pa gdhirë mirë, Marko Gjuriq, drejtori i Zyrës për Kosovën, nga Brukseli uroi: mirëmëngjesi! Me një buzëqeshje dhe kënaqësi që s’e mbante dot, para mediave ai foli për arritjet serbe në bisedat maratonike që kishin zgjatur më shumë se tetëmbëdhjetë orë. Suksesi ishte arritur në katër sferat kontestuese. E para, pas kësaj marrëveshje serbët do të mund të shkonin në Kosovë me letërnjoftimet e lëshuara nga Republika e Serbisë, kamionët që bartin materie të rrezikshme do të mund të hyjnë pa ndalesë në Kosovë, zgjedhjet e Serbisë do të mbahen edhe në Kosovë dhe e fundit, nuk do të ketë më ndalesa për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë. Gjatë gjithë deklaratës së tij, Kosovës i referohej me emërtimin “krahina jonë jugore” ose “Kosova dhe Metohia”.
Rroftë autonomia e Kosovës dhe Metohisë!
Gjithë kjo po ndodh para syve dhe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Këto porosi që vërtetojnë praninë e Serbisë në Kosovë apo Kosovën brenda Serbisë, mu siç shkruan në kushtetutën e saj, nuk po vijnë nga Beogradi, por nga Brukseli.
Në anën tjetër, në hapësirën mediatike në Kosovë, vendin kryesor kishte zënë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, i cili do të bëhej me kushte, sikur edhe gjithçka tjetër. Flitej për Shtabin e Milionerëve, për koalicionin e ri opozitar të cilit i hiqeshin e ndërroheshin shkronjat sa hap e mbyll sytë, shkruhej për deklaratën e presidentit të ri i cili thoshte se “dialogu dhe normalizimi mes shteteve dhe popujve nuk ka alternativë”. Për cilat shtete e kishte fjalën? Gjuriq kishte transmetuar krejt diçka tjetër në mëngjes. Ai thoshte se asgjë s’mund ta pengojë lëvizjen e lirë të njerëzve e mallrave, qoftë edhe atyre të rrezikshme në territorin serb. Po, po, territor serb e quante Kosovën, madje “krahina jonë rrugore”.
Tek të nesërmen u zgjuan nga ëndrrat e bukura që kishin parë në Bruksel negociatorët shqiptarë të Kosovës dhe folën me popullin e vet. Tahiri deklaroi se “shumica e serbëve janë pajisur me letërnjoftime të Kosovës dhe përmes dialogut të Brukselit kemi arritur dhe po arrijmë integrimin e komunitetit serb sidomos nga pjesa veriore e vendit tonë duke shuar strukturat paralele ashtu siç është rasti me shuarjen e policisë paralele serbe, pastaj të ashtuquajturën mbrojtja civile, strukturat paralele të drejtësisë.”
Cila palë po sheh ëndrra? Gjykoni vetë.
A janë krizat aktuale ballkanike shembëlltyrë e gjendjes në të cilën gjendet vetë BE?!
Presim e shohim.