PanAlbanica

 

Shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar modern, më 28 nëntor të vitit 1912, i rivendosi shqiptarët pas plot pesë shekujsh, në hartën e gjeostrategjisë së kohës, i renditi ata me kombet tjera bashkëkohore dhe njëkohësisht e betonoi pozitën e tyre, atje ku ata përkasin, në qytetërimin perëndimor. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe! Ishte diçka e natyrshme, diçka që gjatë tërë kohës kërkohej dhe u parapri nga shumë ngjarje të tjera historike, që kulmuan me Kongresin e Manastirit, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe në fund me shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit kombëtar.

© Luran Osmani

“Të mbante të ankoruar vendin e vet pas trupit të kontinentit mëmë, kjo ka qenë aspirata kryesore, misioni kryesor i kulturës shqiptare, (…)atë që unë e quajta më parë thelbi i Evropës.”, u tha francezëve Ismail Kadare, gjatë pranimit në Akademinë Franceze.

Ka pasur gjithnjë mendime ndryshe dhe shqiptarët po gjithnjë janë treguar mirëkuptues, ndofta edhe më tepër se sa do të duhej. Ndaj dhe ngjarjet që erdhën pas pavarësisë dëshmojnë se ky orientim tolerant i diplomacisë sonë i ka bërë dëm shumë të madh qenies sonë kolektive.

Sot, bëhen 108 vite nga shpallja e shtetit shqiptar të tërësishëm, ose 107 vite nga shteti shqiptar me kufijtë e tanishëm që ka Shqipëria, Shqipëria londineze, gjysmakja… Mungesa e harmonizimit të qëllimeve tona, mosmarrja me seriozitet e çështjes sonë dhe mosorientimi i potencialit kombëtar në një drejtim të vetëm, rezultoi me copëtimin tonë. Tani jetojmë bashkë, por të ndarë. Jemi një, por jemi gjashtë.

Shpallja e pavarësisë kombëtare vetëm e konfirmoi përkatësinë qytetëruese perëndimore të shqiptarëve, por nuk e zgjidhi çështjen shqiptare. Çështja shqiptare në Ballkan është një çështje e pazgjidhur. Madje toleranca e padija jonë diplomatike, siç duket, po na kushton dhe po humbasim edhe terrenin e fituar më parë.

A ka shpresë? Gjithsesi që po! Në kohën tonë kemi hapësirë veprimi jo vetëm individual, por edhe kolektiv. Shqiptarët po dëshmohen gjithandej nëpër botë. Po e tregojnë dhe e shpërfaqin gjenin qytetërues në të gjitha sferat. Ajo që na mungon është krijimi i një vetëdijeje kolektive, që do të rizgjojë dëshirën dhe vrullin tonë të fjetur për të folur me një gjuhë, për të qenë tok dhe me një fjalë që nga skajet më të largëta të atdheut e deri në qendrat tona elitare.

Nëse shqiptarët e rikthejnë namin, e vendosin rendin dhe flasin njëjtë nuk do ta humbasin as Evropën po as veten e tyre. You need to understand pertaining to pokies online. Një komb i gjallë mund të ketë shumë shtete, por ka vetëm një atdhe. E nëse ky atdhe nuk është bërë një shtet-komb, atëherë gjatë historisë, shtetet e atilla, orientohen nga atdheu i vetëm i atij kombi. Të këtillë jemi edhe në shqiptarët, të paqetë, sepse është kjo dialektika që na shtyn drejt një atdheu dhe një shteti të vetëm.

Në këtë kohë, ne duhet të mendojmë dhe të sillemi si një komb, pa marrë parasysh shtetet ku jetojmë. Të frymojmë pa kufij në kokat tona. Territoret etnike kompakte, ku shqiptarët jetojnë historikisht, duhet të krijojnë në kokat tona hapësirën shqiptare në Ballkan. Kufijtë e vendosur fizikisht nga të tjerët, duhet të bëhen të padukshëm në mendjet tona.

Shqiptarët në Ballkan, përmes institucioneve zyrtare, por edhe përmes të gjitha formave dhe mënyrave të tjera të mundshme, duhet të përforcojnë bashkëpunimin dhe ndërveprimin në të gjitha sferat, duke filluar nga: infrastruktura, ekonomia, e sidomos arsimi e shkenca, pa përjashtuar asnjë sferë tjetër. Në këtë ndërveprim duhet gjithsesi të përfshihet diaspora shqiptare, si aseti ynë më i çmuar, ndërkaq Piemonti ynë duhet të jetë Tirana zyrtare.

Shqiptarët janë një ndër popujt më të lashtë të Ballkanit dhe kontinentit tonë, Evropës, me shumë histori, të lavdishme, por edhe të trishtë, me shumë potencial e me vlera të pashoqe, si dhe një popull vital, me popullsinë ndër më të rejat në kontinent.

Diskursin religjioz, bashkë me fjalorin dhe sintaksën e huaj duhet ta çrrënjosim nga jeta jonë publike, institucionet shtetërore e ato arsimore. Në vend të tyre duhet të kultivojmë shekullarizmin, laicizmin dhe vlerat perëndimore.

Duhet të punojmë së bashku, për ndërtimin e një kujtese kolektive të përbashkët, të cilën do t’ua lëmë pas brezave që vijnë. Të pajisemi sa më shumë, me dije dhe shkathtësi bashkëkohore të cilat na ndihmojnë që të krijojmë mendësi institucionale, e cila individualisht nuk na ka munguar, por kolektivisht e për shkak të rrethanave historike, po.

Dhe krejt fund, kultivimi i identitetit tonë kombëtar individual duhet të ecë krahpërkrah me kultivimin e identitetit kombëtar kolektiv.

Ja pra, të këtillë e duam atdheun. Të këtillë i duam shqiptarët. Të këtillë e duam Shqipërinë.

E paçim përjetë Shqipërinë!

Të lirë e të mosvarur!

Gëzuar!