Flasim përhanshëm me Vjollcë Berishën

Nga: Xhemazije Rizvani

 

Vijon në PanAlbanica cikli i intervistave “Flasim përhanshëm me…” të realizuara nga Xhemazije Rizvani.

Këtë radhë ajo flet përhanshëm me poeten, pedagogen e botuesen, Vjollcë Berisha.

 

Ç’të bën të krahasueshme me Ofelinë?

Ofelia ime s’është shekspiriane, as vajza e refuzuar që dashuron. Ajo është Ofelia e bardhë, “fjetur” në lumë me vjollca të këputura, nën shelgun vajtues, luledele e tëra… Është Ofelia që ia ka mbathur nga një tablo e Remboit, pa asnjë gjurmë krenarie, humbjeje a fitorje me ndonjë burrë. Veç bardhësi. Është vajza që fillon ku mbaron personazhja e Shekspirit.

 

Pse cikërrimat janë kriminele?

Pasi veprojnë shpejt, ende pa u ardhur radha gjërave të mëdha ia dalin të të japin “knock down”-in emocional. Bie fjala, ende pa e marrë shijen e keqe të një ndarjeje, veprojnë një grumbull gjërash të vockla në dukje, por që në njërën dorë mbajnë briskun e mprehtë. Vepron, për shembull, shalli i harruar në varëse, taketukja në xhamin e kuzhinës, gështenja e tharë në çantën e shpinës, dy tinguj të këngës që e dëgjonit së bashku dhe një sërë kriminelësh të vegjël me dhëmbë kërcënues përjashta. Moria e cikërrimave është epërsia vetë ndaj gjërave të mëdha që na ndodhin në jetë e që rëndom kërkojnë një vend më të sigurt për të shkelur. Kundruall tyre cikërrimat rrëshqasin dhe vrasin e vrasin përditë.

 

Thua se gjysmat s’janë marrë seriozisht, pse?

Sepse përballë u rri e tëra dhe ua bën të dukshme mangësitë.

 

Cilët poetë të duket se i ke gëlltitur më shpesh? Pse?

Mua më shpesh më duket se kam gëlltitur një narrator që flet me fjali të gjata, me fjali të ndërmjetme, pa pushim, sidomos mëngjeseve teksa i jap makinës, teksa ngjitem shkallëve të fakultetit, teksa bëj rezymenë e ditës së shkuar… Po ka dhe poetë që i kam shtypur në thellësi dhe, si më problematikë që janë, nuk zgjedhin kohë për ta ngritur zërin. Mjafton një gotë verë dhe ja tek i ke njërin pas tjetrit, kapur për secilën fjalë që përmend.

Disa janë të hareshëm, vijnë vetëm në gëzime, si Agolli për shembull. Disa godasin kur bën dimër, kur “qerret rënkojnë si kor tragjedish antike”, kur ke nevojë ta lulëzosh edhe pragun e portës. Netëve kur bën qetësi ndodh të dëgjoj zërin e thellë të Benjamin Prados, Jehuda Amihait, J. Sabines… pastaj më zënë do drithma.

Kur ndiej vetmi, zgjohen zërat e poetëve të diktaturave të mëdha. Zërat e tyre kumbojnë thellë si në një teatër bosh…

Poeteshat i kam gëlltitur për një: që nga Safua, Ahmatova, Cvetajeva, Shimborska, Kasiani, e deri te Rita Petro e Lindita Ahmeti.

O, ç’poetë, o ç’shije!

 

Cili zë poeti e shkrimtari i ngjan tëndit?

Unë s’mendoj se rrotullohem në orbitën e poetit të vërtetë. Por, ka raste kur më bëhet sikur “Dashnorin” e Margaret Duras-it e kam shkruar vetë. Është një ritëm dhe një “autopsi” jete që më duket i njohur.

 

Cilat pritje i lodhin dashuritë?

Të gjitha pa përjashtim. Madje edhe ajo teksa e pret të dashurën të provojë fustanin në garderobën e një shtëpie mallrash.

Dashuritë e mëdha nguten të vijnë, të kthehen gjithnjë. S’ka ç’bën pritja në këtë mes.

 

Kë s’ta nxe vargu?

Edvinën. Vajtje-ardhjet e saj nga një llasticë e vogël te një grua e superformuar.

 

Një plagë e palidhur kurrë… të asocon në?

Shqipërinë që jeton në zemrat e shqiptarëve që janë jashtë shtetit shqiptar.

 

Çfarë do të bëjmë me sëmundjet e zemrës?

Hahaha, sa gjëra të bukura më sjell ndërmend kjo pyetje! Çfarë do të bëjmë? Asgjë. Do t’i lëmë të na e marrin frymën. Fundja, si do të themi që jetuam?!

 

Çka s’është poezi?

Gjithçka mund të jetë pak poezi nëse dimë nga ta shohim, përveç krekosjes së mjerë të të paditurve të “kollarisur”, që zhurmojnë si enë boshe rrokullisur shkallëve e që mjerisht kanë edhe ndikim në shoqëri, madje në të gjitha fushat.

 

Çfarë s’fle në Prishtinë?

Për fat të keq vetëm unë.

 

Cilat ëndrra s’ngrejnë krye në Tetovë?

Nuk njoh ëndrra frikacake. Guximi është magma e ëndrrës. Një ditë domosdo gjen truallin e përshtatshëm për të shpërthyer.

A është truall i përshtatshëm Tetova? Sigurisht që për do ëndrra jo. Por, s’po i përmend këtu, pasi me t’i përmendur i vë në indeksin e gjërave të pamundura. I destinoj për fikje. E s’dua ta marr këtë barrë në supe. S’dua që “si mrazet e pranverës, t’i mbys filizat mu në farë, siç do të thoshte Poeti.

 

Si duket një shtëpi utopike?

Me njerëzit që do brenda. Me fytyrat diellore të tyre, me pastën e dhëmbëve që harxhohet shpejt, me dritën që rri ndezur natën vonë, me tonet e larta të zërit në zënka pa zemërime, me radion që rri ndezur tërë ditën në dritaren e kuzhinës, me rrezet e lumturisë që vetëm zemrat që duhen arrijnë t’i prodhojnë.

 

Për çka s’të del koha?

Për t’i lexuar të gjithë librat. E ky është ai pengu i madh që ka për të ardhur me ne deri në ditën e fundit të ditëve.

 

Ka shumë shi në poezitë e tua, shumë vjeshtë. A është vjeshta veç stinë?

Vjeshta nuk është veç stinë. Në të vërtetë është stinë e ajërt që thithet si frymë dhe t’i zverdh a t’i bleron horizontet e shpirtit si t’i vijë për së mbari. Në ngjyrat e vjeshtës dhe në stolitë e saj të shinjta fshihen muzat e këngës e të dashurisë. Vjeshta është lirike përherë. Mirë e ka poeti kur thotë se ajo është pranverë e shpirtit.

 

Si duket një njeri me botë në xhep strukur në banakun e kafenesë “Shend e verë”?

E shpërqëndruar. Me invazion mendimesh që shpesh e bllokojnë sistemin e veprimit. Me shumë njerëz, e me po aq vetmi. Shpesh me vëmendje më të madhe në tringëllëmin e gotave që lahen a cakërrohen, sesa në muzikën që vjen nga altoparlantët e vegjël. Me dëshirat kokëforte e me zemrën plot gjurmë gishtash nga takimet me miq.

 

Çfarë u bën fjalëve që kurrë nuk i thua?

I vë te ai fondi rezervë që i ngjet kazermave, me tërë atë grumbullim armësh e ushtarësh për armikun e luftën që mund edhe të mos vijë kurrë.

 

Në çfarë është e pamëshirshme Vjollca?

Në paftyrësi, dyftyrësi… në mërinë me ata që (zh)gënjejnë.

 

Ç’do të bëje po të ishe në krye të shtetit për 24 orë?

Do ta përmbysja me kokë poshtë, në mënyrë që gjërat të bien në vendin e tyre.

 

Kush je ti?

Po ajo ëndrrimtare e vjetër, po ajo vrapuese pas balonës me ëndrra dhe po ajo kujdestare kryeneçe e fëmijës që ka brenda, asaj fëmije që skuqet kur e lëvdojnë, qan kur e lëndojnë dhe pandalë lexon vjersha.