Albulenë Halili

 

Fjala alcázar në spanjisht rrjedh nga fjala arabe القصر al-qaṣr që në shqip përkthehet ‘kala/kështjellë/pallat’. Alkazari, pra, është një lloj kështjelle islamike në Spanjë, e ndërtuar gjatë sundimit mysliman midis shekujve VIII dhe XV. Ato funksionuan si shtëpi dhe kryeqytete rajonale për figurat qeveritare në të gjithë kalifatin Umajad dhe më vonë për sundimtarët e krishterë pas Reconquista-s. Termi alcázar përdoret gjithashtu për shumë kështjella mesjetare të ndërtuara nga të krishterët mbi fortifikime të hershme romake, visigotike ose islame dhe përdoret shpesh si sinonim për kështjellën. 

 

Çka përfaqëson Maqedonia pa mbiemër?

Maqedonia pa mbiemër është Maqedonia që refuzon orientimin euro-atlantik të vendit, është Maqedonia konservatore, Maqedonia nacionaliste, Maqedonia për të cilën shqiptarët janë vetëm dekori dhe keqja e domosdoshme për ekzistencën e saj. Kjo Maqedoni me sytë kah Rusia dhe trupin kah Serbia, udhëhiqet tani nga partia e djathtë maqedonase OBRM-PDUKM, e cila në vitin 2018 kundërshtoi ashpër Marrëveshjen e Prespës për ndërrimin e emrit, rrjedhimisht dhe anëtarësimin e saj në NATO. Me gjithë kundërshtimin dhe refuzimin e saj, Marrëveshja e Prespës u nënshkrua dhe ky shtet, i cili tashmë quhet Maqedoni e Veriut është anëtare fuqiplotë e organizatës më të rëndësishme ushtarake-politike në glob. Ky fakt përbën fatin më të madh për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët padrejtësisht dhe pa vullnetin e tyre ndiheshin si të marrë peng brenda këtij shteti në orientimet e tij të paqarta gjeopolitike.

Prijësi i partisë fituese maqedonase dhe i qeverisë së sapoformuar, Kristian Mickoski gjatë betimit si kryeministër, javën e shkuar, deklaroi se ai ishte i detyruar të respektonte këtë referencë kushtetuese, ndërsa e quajti atë të turpshme për popullin e këtij vendi. Premtimet e tij parazgjedhore për rikthimin e emrit dhe krenarisë maqedonase, siç duket, do të futen për një kohë në sirtar.

Vetëm dy ditë pas marrjes së detyrës, ndërmarrja e parë e kësaj qeverie e që u promovua me shumë bujë nga vetë kyreministri Mickoski, qe lajmi për ndërtimin e parkut të erës në zonën e komunave të Karbincit, Shtipit dhe Radovishit në Maqedoninë Lindore, të përbërë nga 55 turbina të erës, të cilat do të jenë në gjendje të prodhojnë 1 teravat energji elektrike. Përndryshe, kryeministri Mickoski, gjatë viteve 2015-2017 ka qenë këshilltar për energjetikë dhe drejtor gjeneral i Shoqërisë Aksionare Elektranat e Maqedonisë, prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në vend. Parashihet që ky park ere të prodhojë energji elektrike që do të plotësojë nevojat e rreth 100,000 familjeve. Punimet e ndërtimit pritet të fillojnë në fillim të vitit 2026, ndërsa investimi nga Alcazar Energy Partners me vlerë mbi 500 milionë dollarë, e që thuhet të jetë investimi më i madh në sektorin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE) në rajon, parashikohet të hapë 630 vende pune. Ky projekt do të luajë një rol thelbësor në avancimin e Platformës së Investimeve të Tranzicionit të Drejtë të Maqedonisë së Veriut, të shpallur në COP28 dhe do të japë një kontribut thelbësor në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë në vend. Për shkak të lidhjeve të rrjetit të Maqedonisë së Veriut me Greqinë, Bullgarinë, Serbinë dhe Kosovën, projekti do të ndihmojë në reduktimin e mungesës së energjisë dhe pritet që të mbështesë tranzicionin drejt energjisë së ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore. 

Agresioni rus në Ukrainë e ka përshpejtuar realizimin e agjendës së tranzicionit të gjelbër në hapësirën evropiane, sidomos në sferën e energjisë. Tranzicioni i energjisë nënkupton lëvizjen e sektorit global të energjisë larg nga lëndët djegëse fosile si qymyri, gazi natyror dhe nafta drejt burimeve të ripërrëritshme të energjisë si energjia e erës dhe diellit. Ajo që përbën sfidë tejet të madhe për vendet në zhvillim si Maqedonia e Veriut është realizimi i tranzicionit të drejtë. Kjo meqenëse fokusin e tranzicionit të drejtë e përbëjnë interesat e atyre që janë më të prekur nga tranzicioni me karbon të ulët, e që përfshin punëtorët, komunitetet e lëndueshme, furnizuesit e mallrave dhe shërbimeve, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) dhe konsumatorët. Kjo qasje mbron fuqimisht përfshirjen e këtyre palëve të interesuara në formësimin e tranzicionit net-zero në mënyrë që askush të mos ‘mbetet pas’. Duke pasur parasysh këto premisa, në Maqedoninë e Veriut të polarizuar në baza etnike, religjioze, ideologjike, politike, e sociale, synimi për pavarësinë energjetike do të jetë një rrugëtim i vështirë e me plot sfida. 

Parashikimet për lëkundjet në rreshtimet gjeopolitike e bëjnë edhe më të vështirë realizimin e kësaj agjende. Një artikull i vitit 2020 në NATO Review vinte në pah Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, si objektivat kryesore të dezinformimit rus, i cili shpesh demonizon SHBA-në dhe NATO-n, përshkruan BE-në si “të dobët dhe të ndarë”, promovon “fuqinë ushtarake ruse” dhe përforcon “perceptimet rreth kërcënimit, mitet dhe tensionet etnike”. Edhe pse tashmë Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, ajo një kohë të gjatë është cak i luftës hibride ruse në Ballkanin Perëndimor. Për gati një dekadë përpara se të anëtarësohej në NATO në vitin 2020, Maqedonia e Veriut kishte qenë cak i operacioneve të koordinuara propagandistike, diplomatike dhe shërbimeve inteligjente, me influencë të theksuar nga përpjekjet ruse për dezinformim. Fushatat aktuale të informacionit e portretizojnë vendin si një viktimë të Bullgarisë, Greqisë fqinje, dhe shqiptarëve që jetojnë në të, ndërsa akuzojnë qeverinë e kaluar për “shqiptarizimin e Maqedonisë” dhe kapitullim ndaj kërkesave të Athinës për ndryshim të emrit dhe Sofjes lidhur me çështjet e identitetit. Anëtarët maqedonas të qeverisë së sapozgjedhur, gjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë mbështetësit më besnikë dhe propaganduesit më të flaktë të këtyre rrëfimeve të dëmshme dhe antiperëndimore me rrënjët në Kremlin dhe përçuesin në Beograd. 

Në Forumin e 7-të Energjisë që u mbajt këtë muaj në Shkup, Ambasadorja amerikane Shkëlqesia e saj – Anxhela Ageler, theksoi se siguria energjetike dhe energjia e gjelbër janë dy prioritete kyçe, të cilat duhet t`i tejkalojnë politikat partiake. Ajo theksoi se: “Përfundimi i gazsjellësit Greqi – Maqedoni e Veriut do ta eleminojë varësinë nga Rusia, si dhe kërcënimet për disa ndërprerje të caktuara në furnizimin me gaz natyror. Maqedonia e Veriut në masë të madhe u rimëkëmb nga fqinjësia e paqëndrueshme energjetike në periudhën e kaluar, por vijnë edhe sfida të tjera. E ardhmja e sigurtë energjetike, sjell nevojën për inovacione të tjera energjetike duke llogaritur edhe përfundimin e gazsjellësit Greqi – Maqedoni e Veriut.” 

Një nga folësit kyç të Forumit qe edhe kryeministri i zgjedhur, Mickoski, i cili theksoi se efikasiteti energjetik do të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme, ndonëse sipas tij, “Përfundimi i gazsjellësit Greqi-Maqedoni e Veriut nuk do ta kompletojë tablonë në qoftë se nuk shtojmë interkonektorë të tjerë, të cilët do të lidhin gazsjellësin e Maqedonisë me atë të Serbisë, edhe atë deri në Evropën Qendrore dhe atë Qendrore-Lindore.”

 

Ç’e lidh alkazarin me Maqedoninë pa mbiemër?

Investuesi i parkut të erës në Maqedoni të Veriut, Alcazar Energy është një fond i pavarur i infrastrukturës së qëndrueshme me qendër në Luksemburg, me një ekip këshilluesish me seli në Dubai që fokusohet në projekte të energjisë së rinovueshme me shkallë shërbimesh në tregjet në zhvillim. 

Në gusht të vitit 2021, China Three Gorges South Asia Investment Ltd, kompani në pronësi shtetërore kineze në konsorcium me investitorë të tjerë kinezë , kishte blerë Alcazar Partners 1 (AEP-I) me bazë në Dubai, duke i lejuar vendit aziatik të fitojë një terren në tregjet e energjisë së rinovueshme në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Pas suksesit të mjetit të saj të parë të investimeve – Alcazar Energy Partners I (AEP-I), Alcazar Energy kohët e fundit mbylli mjetin e saj të dytë, Alcazar Energy Partners II SLP (AEP-II), i cili pritet të fillojë të operojë së shpejti në Maqedoni të Veriut, me 490 milionë dollarë duke tërhequr tetë investitorë të tjerë të nivelit të lartë si Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA (DFC). Këta partnerë i bashkohen një grupi të fortë investitorësh privatë dhe publikë nga Amerika e Veriut, Europa, Azia dhe Lindja e Mesme. Së bashku ata mbështesin strategjinë e AEP-II për të zhvilluar mbi 1.6 GW projekte të energjisë së pastër në tregje të zgjedhura në zhvillim, të cilat pasi të jenë funksionale do të zbusin mbi 3 milionë tonë emetime GHG në vit duke gjeneruar mundësi punësimi afatgjatë në vendet në të cilat ato veprojnë. 

Maqedonia e Veriut dhe Ballkani Perëndimor në përgjithësi, siç duket do të jenë terreni ku do të përvijohen mundësitë e një angazhimi konstruktiv të SHBA-ve me Kinën. Kisinxheri nuk rron më, por mësimet e tij siç duket po. Gjatë Luftës së Ftohtë ai krijoi politikën e jashtme amerikane të Diplomacisë Trekëndore përmes së cilës ai dëshironte një aleancë me Kinën për ta stabilizuar fuqinë e Bashkimit Sovjetik. Në librin “Vitet në Shtëpinë e Bardhë” Kisinxher argumentoi se politikat e ndërlidhura të afrimit me Kinën dhe detantës me Bashkimin Sovjetik avancuan interesat amerikane. Ai arsyetoi se ishte më mirë për Shtetet e Bashkuara “të ishin më afër Moskës ose Pekinit, sesa ata të ishin me njëri-tjetrin.”

Për ta realizuar këtë, kështjella e energjisë mund të jetë njëra nga mundësitë…