Albulenë Halili
1. Thelbi i konfliktit etnik dhe krizës në Maqedoni
Pavarësimi i Maqedonisë nga ish Jugosllavia në mënyrë paqësore, u duk se ishte një rrëfim i suksesshëm, ndryshe nga shtetet e tjera të ish Jugosllavisë, të cilat pavarësinë e tyre e fituan përmes luftës. Madje nga ish kryetari i saj, Gligorov, ajo u cilësua si “oazë e paqes” në Ballkan. Megjithatë, siç edhe thuhet në njërin nga raportet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Maqedonia është një rrëfim relativisht i suksesshëm në një rajon të frikësuar nga çështjet e pazgjidhura territoriale e të shtetësisë. [1]
Se udhëheqësit e Maqedonisë, që në zanafillë po mbillnin farën e një konflikti etnik, kjo dukej që me sjelljen e aktit të parë politik – Deklarata për pavarësinë e Maqedonisë. [2] Që në nenin 1 të kësaj deklarate shihej qartë synimi për krijimin e një shteti njënacional që nuk respektonte përbërjen e popullsisë që jetonte në Maqedoni. [3] Ky formulim [4] në mënyrë shumë të qartë përcakton karakterin e shtetit të ri si shtet nacional maqedonas, duke përjashtuar mundësinë e themelimit të një shteti multietnik, ku të përfshiheshin shqiptarët dhe popujt tjerë që jetonin në Maqedoni. [5] Mbajtja e një referendumi i cili do ta legjitimonte krijimin e një shteti njënacional në një shoqëri multinacionale, do të jetë edhe një faktor i cili do të rrisë pakënaqësinë e popullit shqiptar në Maqedoni dhe do ta thellojë edhe më shumë konfliktin ndëretnik. Referendumi u mbajt megjithëse shqiptarët e bojkotuan atë. Në të njëjtën mënyrë, pa pjesëmarrjen e shqiptarëve, kushtetuta u miratua me gjithë formulimet që shqiptarët i trajtonin si qytetarë të rendit të dytë e jo si popull shtetformues. [6] Parimet kushtetuese të Maqedonisë së pavarur ishin trashëguar nga kushtetuta jugosllave e vitit 1974, e cila vendosi një sistem tre nivelesh për republikat e saj: kombet, kombësitë dhe kombësitë e tjera dhe grupet etnike, të cilët do ta quanin veten jugosllavë. [7] Kushtetuta e Maqedonisë e vitit 1991 krijonte kështu në mënyrë të ngjashme një sistem identifikimi dy nivelesh të përbërë nga populli kryesor dhe minoritetet. Vetë preambula e kësaj kushtetute dëshmonte tendencat për krijimin e formës së shtetit-komb në vend të shtetit qytetar, ku të gjithë etnikumet do të ndjeheshin të barabartë. [8] Shteti mbështetet kështu mbi popullin kryesor, i cili sipas këtij parimi karakteristik, do të ketë legjitimitet superior mbi atë të minoritetetve. [9] Gjithnjë duke pasur parasysh faktin se shqiptarët përbëjnë një të tretën e numrit të popullsisë në këtë shtet dhe ata janë banorë autoktonë në këto troje, inkuadrimi i këtij sistemi nivelizues, ku shqiptarët barazoheshin me minoritetet e tjera, do të rrisë mllefin e tyre. Ndërkaq edhe vetë Maqedonia do të kategorizohet si shtet me nacionalizëm kushtetues, ndonëse de facto me cilësi të një shoqërie tipike multietnike.
Identitetet e ndryshme etnike nuk janë artificialisht të krijuara andaj nuk duhet që të injorohen. Gjuha, shkrimi, religjioni, kultura, simbolet janë shumë të rëndësishme për njerëzit sepse flasin për identitetin e tyre. [10] Shqiptarëve në Maqedoni për një kohë të gjatë iu mohua përdorimi i gjuhës nëpër institucione, e drejta e arsimit të lartë në gjuhën e tyre amtare, përdorimi i flamurit kombëtar, madje shpesh u përdor dhunë për pengimin e ushtrimit të këtyre të drejtave jetike. Një tjetër hendikep i demokracisë maqedonase gjatë periudhës dhjetëvjeçare pas pavarësimit të saj, siç shprehet Kerim [11], është radikalizmi i gjendjes, përfshirë edhe përdorimi i forcës për zgjidhjen e disa kundërshtimeve ndëretnike (përdorimi i flamurit shqiptar, Universiteti i Tetovës etj.) [12]. Këto çështje të cilat thellonin dhe ndiznin konfliktin ndëretnik, nuk u menaxhuan në mënyrën dhe kohën e duhur nga udhëheqësit në krye të institucioneve të Maqedonisë, duke gjeneruar kështu një krizë e cila shpërtheu në formë të konfliktit të armatosur midis shqiptarëve të organizuar në forcë ushtarake (UÇK) dhe forcave ushtarako-policore maqedonase.
2. Marrëveshja e Ohrit: fryma politike dhe filozofia e saj
Marrëveshja e Ohrit është një dokument i cili vendosi parimet bazë të një shteti qytetar. Përkundër pretendimeve të konstitucionalistëve maqedonas se intervenimet në preambulën e kushtetutës janë bërë në shpirtin e konstitucionalizmit evropian dhe shkëputjes radikale nga koncepti tradicional i shtetit komb, “ndryshimet në Kushtetutë ishin më shumë në nivel të terminologjisë se sa parimeve.” [13] Në preambulë, në vend që të thuhet “nacionaliteti shqiptar”, tani thuhet “pjesë e popullit shqiptar”. Gjithkund tjetër nacionaliteteve u referohet me term neutral “komunitetet” [14] ose “qytetarë në njësitë administrative ku së paku 20% e tyre flasin gjuhë tjetër nga ajo maqedonase” [15]. Sistemi dy nivelesh “populli maqedonas” dhe “pjesët e popujve”, si dhe vënia në një vijë e shqiptarëve me komunitetet tjera jo maqedonase, akoma mbajnë recidiva të kushtetutës jugosllave të 1974.
Ky dokument përbëhet nga parimet themelore të cilat përfshijnë: tërësisht dhe pa kusht hidhet poshtë përdorimi i dhunës për realizimin e qëllimeve politike. Vetëm zgjidhjet paqësore politike mund ta garantojnë stabilitetin dhe ardhmërinë demokratike të Maqedonisë; sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pashkelshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike; karakteri shumetnik i shoqërisë së Maqedonisë duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike; një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën natyrore të zhvillimit dhe krijimit të vet, duhet vazhdimisht të sigurojë Kushtetutën e tij që tërësisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe të zhvillohen vazhdimisht; zhvillimi i pushtetit vendor është me rëndësi thelbësore për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike dhe për përparimin e respektimit të identitetit të bashkësive. Përveç parimeve bazë kjo marrëveshje përfshin: përfaqësimin e qeverisjes së decentralizuar, parimin e jodiskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë, procedurat e veçanta parlamentare që përfshijnë “shumicën e Badinterit”, arsimi dhe përdorimi i gjuhëve, shprehja e identitetit, pjesën e implementimit dhe shtojcat me amendamentet kushtetuese, ndryshimet ligjore dhe masat e krijimit të besimit.
Në shoqëritë pluraliste, të ndara në linja të ashpra etnike, religjioze e kulturore siç është Maqedonia, duhet inkuadruar demokracia konsocionale e cila bazohet në ndarjen e pushtetit. Kjo lloj demokracie është e vetmja alternativë për dizajnuesit e kushtetutave. [16] Kjo demokraci eviton përjashtimin dhe diskriminimin në çfarëdolloj baze. Marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese zyrtarizuan një gjë të tillë, duke inkuadruar parimet e lartpërmendura, por edhe një dekadë pas nënshkrimit të saj, Maqedonia akoma nuk funksionon si një shoqëri multietnike e multikulturore, ku pjesëtarët e të gjitha etniteteve të ndjehen të barabartë dhe të përfaqësuar drejt nëpër institucione.
3. Marrëveshja e Ohrit: përfundim i konfliktit, por jo zgjidhje e konfliktit etnik
Marrëveshja Kornizë e Ohrit i dha fund konfliktit të armatosur dhe de jure: inkuadroi ndryshime në sistemin kushtetues të Maqedonisë, ndarjen e pushtetit, krijoi një bazë për ndryshimin e pozitës juridike-politike të shqiptarëve, por nuk e zgjidhi konfliktin ndëretnik dhe akoma s’mund të flitet për krijimin e një shoqërie të mirëfilltë qytetare. Tensioni etnik akoma mbetet prezent, shqiptarët akoma nuk janë të përfaqësuar drejt nëpër institucionet shtetërore me rëndësi (sidomos Enti statistikor, presidenca, strukturat e sigurimit, etj.), diskriminimi vazhdon në të gjitha sferat dhe shqiptarët vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë. Integrimi i shqiptarëve në jetën politike mbetet i gjymtë. [17]
Dhjetë vjet pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, koncepti mbi shoqërinë multietnike dhe shtetin qytetar mbetet pothuajse në letër, akoma i parealizuar. Përderisa për shqiptarët, Marrëveshja e Ohrit akoma perceptohet si sigurim i të drejtave të tyre jetike, për maqedonasit ajo nuk është veç se një rrugë për integrimet euro-atlantike. Vetë procesi i këtyre integrimeve, për të cilin shqiptarët kanë një qasje mjaft afirmative, do të jetë i pamundur pa implementimin e drejtë dhe të plotë të këtij dokumenti. “Stabiliteti i brendshëm politik në Maqedoni, përkatësisht funksionimi demokratik i institucioneve të saj shtetërore dhe vazhdimi i ndërtimit të Maqedonisë si shtet multietnik konform frymës së Marrëveshjes së Ohrit, mbetet një nga faktorët që do ta percaktojë të ardhmen e integrimit të saj në BE.” [18] Ndonëse, pengesë për procesin integrues nuk paraqesin vetëm faktorët e brendshëm politikë. Maqedonia përballet edhe me krizën e identitetit të saj dhe konfliktet e pazgjidhura me fqinjët. “Mospërcaktimi i qartë dhe konkret i koncepteve politike të Maqedonisë po reflekton një pasiguri edhe në marrëdhëniet me fqinjët e tjerë. Kontesti i Maqedonisë me Greqinë lidhur me emrin, ka nxjerrë në pah një zinxhir çështjesh të tjera të cilat janë të lidhura me identitetin dhe gjuhën.” [19] Fqinji lindor Bullgaria kishte pranuar emrin e shtetit si të tillë, por kurrë gjuhën maqedonase dhe kombin maqedonas. Për të mos mbaruar me kaq, fqinji veri-lindor – Serbia, refuzon ta pranojë kishën autoqefale maqedonase duke pretenduar se kisha e vetme autoqefale është ajo ortodokse serbe. [20] Edhe raportet me Kosovën vazhdojnë të mbeten të brishta. Për shkak të këtyre konflikteve me fqinjët, me të drejtë Reka konstaton se viteve të fundit “në Maqedoni pati ngecje në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe përgjithësisht hedhjen në plan të dytë të marrëdhënieve ndëretnike. [21]
Mosjetësimi i Marrëveshjes së Ohrit edhe pas kësaj periudhe një dekadëshe, ka bërë që nga shumë politikanë e intelektualë ajo të cilësohet si një dokument që tashmë ka humbur kuptimin dhe rëndësinë e saj. Ky dokument i nënshkruar nën monitorimin dhe presionin e faktorëve ndërkombëtarë përbën një nga dokumentet mjaft të rëndësishme jo vetëm për Maqedoninë por edhe gjithë Ballkanin. Implementimi i plotë dhe i drejtë i kësaj marrëveshjeje nënkupton edhe ekzistencën e Maqedonisë si shtet unitar, njëkohësisht siguron stabilitetin dhe status quo – në në Ballkan.
[1] International Crisis Group Report, “Macedonia’s name: breaking the deadlock”, Europe Briefing nr. 52, Prishtina/Brussels, 12 January 2009, f. 1
[2] “Deklaratë për sovranitetin e Republikës së Maqedonisë”, Flaka e vëllazërimit, Shkup: 27 janar 1991.
[3] Sipas CIA, The World factbook, https://www.cia.gov/library/publications/the-world-factbook/geos/mk.html dhe të dhënave nga regjistrimi i fundit në Maqedoni (2002) përbërja etnike e Maqedonisë është si vijon: maqedonas 64.2%, shqiptar 25.2%, turq 3.9%, romë 2.7%, serbë 1.8%, të tjerë 2.2%. Megjithatë numri i popullatës shqiptare përfaqëson 1/3 e popullsisë që jeton në Maqedoni. Rahim Veliu: “Geographical span and the Albanian population movement in Macedonia” Tetovë, 2002, f.40
[4] Neni 1 i Deklaratës ku thuhej se ideja e krijimit të Maqedonisë së pavarur shprehte të drejtën e popullit maqedonas për vetëpërcaktim. “Deklaratë për sovranitetin e Republikës së Maqedonisë”, op. cit.
[5] Zeqirja Rexhepi, “Zhvillimet politiko-shoqërore te shqiptarët në Maqedoni 1990-2001”, Tetovë: 2005, p. 32
[6] Sipas Sërgjan Kerim-it ndër pesë hendikepet e demokracisë maqedonase dhe arsyet pse Maqedonia në vitin 2001 ra në darën e krizës të parin vë “miratimi i kushtetutes pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të etnikumit të dytë më të madh të shtetit”. Srgjan Kerim, “Urat e së ardhmes”, Tiranë: Ideart, 2006, pp.164-165
[7] Mr. Wm. Hamilton, “Commentary No. 16: Yugoslavia: Nations, Nationalities and Other Nationalities”, December 1991, http://www.csis-scrs.gc.ca/pblctns/cmmntr/cm16-eng.asp
[8] Në preambulë thuhet se “… Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas në të cilin sigurohen të drejtat e barabarta qytetare dhe për bashkëjetesë të përhershme të popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllehët, romët dhe nacionalitetet tetet e tjera të cilët jetojnë në Republikën e Maqedonisë”, Sluzben Vesnik na RM, nr.52, 22 noemvri, 1991, p. 13. Në Joseph Marko, “The Referendum for Decentralization in Macedonia in 2004: A Litmus Test for Macedonia‘s Interethnic Relations, European Yearbooks of Minority Issues Vol 4, 2004/2005, f. 9 thuhet “Politikanët sllavo-maqedonas shmangën negociatat komplekse, pakte dhe marrëveshje konsensuale në këtë periudhë ”.
[9] Natacha Andonovski, “Les Albanais de Macédoine: perspectives et limites d’une double identité” në Christophe Chiclet et Bernard Lory (ed.) ”La République de Macédoine”, Paris, 1998, f.66
[10] Mirjana Maleska, Lidija Hristova, “Spodeluvanje na vlasta vo multikulturnite opstini vo Republika Makedonija”, Godisnik na institutot za socioloski i politiko-pravni istrazuvanja, Univerzitet “Sv. Kiril i Metodij” – Skopje, Godina XXXI, br. 1, Skopje, 2006, f. 100
[11] Kerim, op. cit., ff. 164-165
[12] Në vitin 1994, përpjekjeve të intelektualve shqiptarë për krijimin e universiteti në gjuhën shqipe, qeveria e Maqedonisë iu kundërvu brutalisht duke rrënuar objektet ku do të mbaheshin ligjëratat e para dhe duke shkaktuar një viktimë dhe qytetarë të plagosur. Në vitin 1997, njësitë e armatosura policore maqedonase ndërhynë në Tetovë e Gostivar për të ndaluar vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar para ndërtesave të komunave të këtyre dy qyteteve. Në këto ngjarje u vranë tre shqiptarë, u plagosën 100, u burgosën kryetarët e komunave dhe kryesuesit e këshillave komunalë. Për më tepër shih Rexhepi, op.cit., ff.108-129
[13] Biljana Belamaric, “Attempting to Resolve an Ethnic Conflict: The Language of the 2001 Macedonian Constitution”, Southeast European Politics, Vol. IV, No. 1, May 2003 pp. 25-40
[14] Neni 48 i Kushtetutës 2001. Ustav na Republika Makedonija, 2001
[15] Neni 7. Ustav na Republika Makedonija, 2001, op. cit.
[16] Arend Lipjhart, ”Constitutional designs for divided societies”, Journal of Democracy, 15(2), 2004, ff. 96- 114
[17] Për më shumë shih International Crisis Group Report, op. cit., ff.3-5
[18] Blerim Reka, “Gjeopolitika dhe teknika e zgjerimit”, Bruksel: 2010, f. 333
[19] Albulena Halili, “Viti i brishtë”, Express, Prishtinë, 27 dhjetor 2008, f.25.
[20] Albulena Halili and Fatmir Arifi, “The Unresolved Issues that Cross the Way to Euro-Atlantic Integrations: The Case of the Western Balkans”, The Western Balkans Policy Review, Volume 1, Issue 1, Jan/Jun 2010, Kosovo Public Policy Center, pp. 87-104
[21] Reka, op. cit., f. 334
* Ky artikull është shkruar në vitin 2011 në kuadër të shënimit të dhjetë vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në Universitetin e Evropës Juglindore.