Arlind Farizi

 

Nan’ trup-rëndë ke qenë, por kurrë më e lehtë së sot.

Të mora në krahë më gjithë ato kabllo ngjitur gjoksit tënd, dilja si një Avatar nga dhoma në dhomë, për t’i ikur zjarrit dhe tymit të zi, erës së plastikës së djegur dhe erës së mishit të njerëzve që po digjeshin. Flaka kishte rrokur flokët e mia dhe shpinës bartja fllakë.

U afrova që dritarja. Të lutesha që kjo të ishte vetëm një ëndërr. Gjithë spitali po digjej. Flaka na rroku të dyve. Mora pakëz ujë, dhe doja t’ia “fturiti” buzët e thara të nënës. E ajo m’tha: “Ik biri im, jeto ti, së unë kam jetuar mjaft”.

Pashë ca duar policësh që më nxorën nga dritarja. Pjesa tjetër ishte komë…

Nëna u dogj, kjo do të thotë shumë.

Nëna nuk vdiq u dogj.

Kjo do të thotë shumë. Kjo orë e familjes s’ka për të ndaluar bashkë me dhimbjet e mia nan’. Vetëm erë e jodit, era e plastikës dhe era njeriu të djegur, jo vetëm e nënës sime, por e katërmbëdhjetë trupave të tjerë ka për të mbetur në hundët tona për mijëra vjet.

Tash, i rikthyer në vete, edhe pse nuk e mbaja mend varrimin tënd, e ndiej, hapa të zinj afrohen, e qarkojnë shtëpinë. Dhimbja, kjo fqinje jona e heshtur, me tonelata e rëndë, po shpërngulet, por askush s’do të banojë më në dhomën e saj. Errësira që andej do të na gërryejë sa të jemi gjallë. Di se shpinës më binin mijëra shkopinj të ujtë….

Nana nuk vdiq, nana u dogj, e kjo do të thotë shumë…

***

Fragment nga romani “Nana e djegur”, i cili trajton tragjedinë e zjarrit në spitalin modular të Tetovës.

Ky roman është propozuar për çmimin prestigjioz “Kadare”, i cili jepet nga Shtëpia Botuese ‘‘UET PRESS’’ në Tiranë që nga viti 2014.

Arlind Farizi u lind më 02.01.1984 në Tetovë. Ka botuar disa përmbledhje me poezi, tregime, ese dhe monografi studimore: “Romeo patjetër duhet të vdesë” – tregime, “Diçka si dashuri” – tregime, “Paturpësia e mendimit” – poezi, “Tjetri” – ese, “Universi i vendlindjes në lirikat e Murat Isakut” – monografi shkencore, “Tipologjia e personazheve në romanet e Ismail Kadaresë” – monografi studimore, “Jepi zë pikëllimës” – tregime, “Kur të shtrij butë në prozë” – tregime, “Dashuri në kohën e feibukut” – tregime, “Letërsia e Evropës Juglindore 1” – studim, “Letërsia dhe kultura e telefonizimit” – studim, “Praktikumi i gjuhës shqipe” – material krestomaci, “Dridhem mos po të harroj” – tregime. Ka fituar disa çmime për letërsi në nivel lokal dhe ndërkombëtar.

* Fotografia e krijuar me DALL·E.