Shemsedin Ibrahimi

Shemsedin Ibrahimi

Idetë neoliberale të shpalosura nga partitë maqedonase me orientim të majtë kanë krijuar një klimë të tillë, ku të flasësh për kërkesat reale dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoni të cilësojnë si nacionalist, ose me ide të tejkaluara. 

Dëshira për të mposhtur me çdo kusht rivalin politik ka krijuar një mjedis të paqartë në politikën e shqiptarëve në Maqedoni, duke i larguar partitë politike nga problemet reale që kanë shqiptarët.

Krijohen kauza të huaja që në shikim të parë, duket se janë për të mirën e përgjithshme të “qytetarëve”, por në fakt janë kauza që i shërbejnë vetëm idesë së mbajtjes së status quo-së lidhur me pozitën e shqiptarëve dhe përdorimin e tyre si hipoteka dhe argatë që i kryejnë punët e pista.

Që ky mjedis të mjegullohet edhe më shumë, disa individë, analistë, udhëheqës emisionesh dhe udhëheqës organizatash, po përpiqen t’u thonë shqiptarëve të Maqedonisë se e keqja më e madhe e tyre është qeveria Gruevski. Sipas tyre, tani është e rëndësishme që Gruevski të “bjerë” e pastaj do të “flasim” për çështjen tuaj dhe përgatituni për të ardhmen, që është Zaevi.

Bëjnë thirrje për të protestuar për mbrojtjen e Kushtetutës së Maqedonisë, për atë kushtetutë, të cilën ne me vite e kemi konsideruar si burim të të gjitha padrejtësive, që u janë bërë shqiptarëve dhe kauza të ngjashme.

Realiteti bëhet edhe më i paqartë, kur ndjek edhe mediumet shqiptare në Maqedoni, të cilat debatin e përgjithshëm e kanë kthyer në një debat bardh e zi, ku dominon dyshja Gruevski-Zaev, kurse politikanët shqiptarë cilësohen si persona të padenjë për t’u matur në agorën e mendimeve të kësaj dysheje të fryrë nga popullariteti virtual. Në përgjithësi dominojnë temat me kërkesat e opozitës maqedonase dhe prokurores speciale.
Në kushte të këtilla, në Maqedoni, mediumet shqiptare ngrisin  tema debatesh, që nuk çojnë askund përveç se e përforcojnë popullaritetin e politikanëve maqedonas, të cilët, me dallime në nuancë kanë të njëjtin qëndrim sa u përket veprimeve të tyre pushtetare ndaj shqiptarëve.
Përdoret terminologji ngatërrestare politike, për të krijuar bindje se vërtet këtu ka veprim opozitar ose veprim politik të pozitës shqiptare, si “opozita e bashkuar shqiptare”, “partneri shqiptar në pushtet”, “me ardhjen tonë në pushtet”, e ngjashëm.
E gjithë kjo do të ishte në rregull në qoftë se do të kishte një përkufizim tjetër të shtetit, ku shqiptarët do të kishin pushtet të vërtetë  dhe fuqi vendimmarrëse.

Maqedonia me kushtetutë është e përkufizuar  si shtet i maqedonasve dhe pastaj i të gjithë të tjerëve. Ky përkufizim vetvetiu krijon varshmëri institucionale nga maqedonasit si popull shtet-formues  dhe në kushte të tilla shqiptarët gjithmonë janë ata që kërkojnë dhe kontestojnë. Maqedonasit janë zotëruesit e shtetit dhe ata që japin e marrin, ata të cilët e kanë përvetësuar dokumentin e pronësisë së shtetit.

Debati politik zhvillohet vetëm në një drejtim, duke anashkaluar debatin e vërtetë, sa i përket kërkesave të shqiptarëve, të cilët historikisht kanë qenë të qëndrueshëm dhe këmbëngulës në atë që e kërkojnë për pozitën e tyre në këtë shtet.