Vjollcë Berisha
Megjithëse kohëve të fundit nuk po boton poezi, megjithëse tërë famën ia ka sjellë romani, Kadareja në thelb është poet. Qeliza e prozës së tij mbetet poezia.
(Në 80-vjetorin e lindjes)
Ismail Kadareja është njëri nga shkrimtarët më të fuqishëm të gjallë në botë. Në një shikim të pavëmendshëm mund të duket kundërthënës fakti që në epiqendër të këtij shkrimi vihet poezia, ndërkohë që romani është ai që e ka bërë të pranohet në hierarkinë e letrave shqiptare si shkrimtari më i rëndësishëm, më i përkthyer dhe më i lexuar. Po ashtu, pikërisht romani është ai që ia ka përcaktuar përmasat në sistemin letrar evropian në përgjithësi, duke ndihmuar shumë si kontekst e premisë mendimi për ta parë këtë vepër si përmasë ndërkombëtare në letërsinë kombëtare.
I njohur në radhë të parë për prozën, Ismail Kadare ka shkruar e botuar disa përmbledhje me vjersha e poema. Madje, deri në botimin e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur më 1963, njohjen më të madhe në Shqipërinë e kohës e ka pasur si poet. Edhe udhëtimin e ngutshëm më taksi nga vendlindja për në kryeqytet, këtë udhëtim që u bë pjesë e thashethemnajës gjirokastrite, e bëri mu për shkak të librit të tij të parë poetik. Pavarësisht nga ky fakt dhe ndonëse shumë shkrimtarë e nisin krijimtarinë e tyre duke shkruar vjersha për të theksuar më pas pjekurinë artistike, Kadareja fillimet e tij në letërsi i ka pasur në prozë. Ai e shkroi një roman qëkur ishte në gjimnaz. Madje nga veprat e fundit eseistike e autobiografike del që kishte pasur gati edhe disa romane të tjera, të cilëve ua kishte përgatitur edhe kopertinat e afishet reklamuese. Disa prej tyre, si Qyteti pa reklama e Mjegullat e Tiranës tanimë janë pjesë e opusit të botuar. Sidoqoftë, hera e parë që e bëri gjimnazistin Kadare ta ndjejë kënaqësinë e të parit të emrit të vet mbi një kopertinë libri qe pikërisht vëllimi me poezi Frymëzime djaloshare (1954). Vëllimet e tjera poetike që botoi qenë: Ëndërrime (1957), Shekulli im (1961), Përse mendohen këto male (1964), si dhe përmbledhje të zgjedhura poetike. Me gjithë suksesin dhe njohjen e parë që ia dhuroi autorit, poezia mbeti gjithmonë nën hijen e prozës së tij të fuqishme, kah e cila janë kthyer të gjitha shikimet. Atë, herë-herë, duket sikur e ka lënë edhe vetë shkrimtari, duke deklaruar se s’do të skruajë më poezi dhe duke iu kthyer prapë kohë pas kohe me ndonjë krijim të ri, siç ishte, bie fjala, poezia Krishtlindjet në Nju Jork (1997), që u botua pas një heshtjeje të gjatë poetike, apo të poemës Tirana në dimër (2005), që u botua tetë vjet pas shpalljes së Krishtlindjeve… nga ana e autorit si poezia e fundit e tij.
Këtë “dorëheqje” të shkrimtarit nga poezia, ai vetë dhe kritika e kanë sqaruar si një averzion që më shumë do t’i jetë imponuar nga rrethanat, nga koha e totalitarizmit, kur poezia ishte krenaria e gjithë kampit socialist… Në çdo vëllim do t’i këndohej partisë, socializmit, kongreseve, gjë që nuk ndodhte me zhanret e tjera letrare. Këtë taksë e paguante vetëm poezia. Romani, duke iu nënshtruar rregullave ngulfatëse të realizmit socialist, dilte nga radha e veprave të përjetshme, sakrifikonte vlerat artistike, por nuk qe i shtrënguar t’i thurte lavde Partisë, komunizmit, klasës punëtore, mjafton të mos dilte nga skema zyrtare e krijimit.
Averzioni mund të kishte lindur edhe thellë në ndërgjegjen e Kadaresë në kohën kur ishte student në Moskë dhe kur poezitë e tij botoheshin dhe lexoheshin me ëndje (natyrisht duke ia vënë në ballë atë shenjën që e bartnin të gjithë librat poetikë) , ndërkohë që romani i tij i parë dergjej i fshehur, pa e pasur as edhe një lexues, mu për shkak të këtij sistemi dhe të atyre njerëzve që lejonin botimin e poezive.
Por, a ishte ky një averzion i mirëfilltë që rezultonte me ikje të përhershme nga vargu? S’do mend që jo. Nuk duhet ndonjë sy i mprehtë për të vënë re rrugën vajtje-ardhje që bën Kadareja nga poezia në prozë. Për shembull, një numër i madh i poezive kanë qenë bërthama të romaneve të tij të mëvonshme. Por, ka ndodhur edhe e kundërta. Bie fjala, ndalimi i veprës Përbindëshi, polli poezinë Laokoonti.
Kjo vajtje-ardhje e përhershme e Kadaresë nga poezia në prozë (si ai që sapo ka lënë një vend dhe kthehet për t’u çmallur), si dhe poetika e prozës së tij, s’flet veçse për një varësi të këtij shkrimtari nga poezia; s’ndërton veçse imazhin e një poeti që vazhdon të thotë edhe sot e gjithë ditën: stacioni im i fundit – poezi.
Megjithëse kohëve të fundit nuk po boton poezi, megjithëse tërë famën ia ka sjellë romani, Kadareja në thelb është poet. Qeliza e prozës së tij mbetet poezia.
Ky vështrim i shpejtë synon të shtojë ca mendime në studimet që i janë bërë poezisë së Kadaresë, e veçanërisht vëllimit poetik që vjen ndryshe në letrat shqipe, vëllimit Shekulli im, me të cilin Kadareja vjen më i formuar si poet dhe vjen për ta ndryshuar për së mbari mënyrën e vjershërimit që jepte shpirt në Shqipërinë e viteve ’50.
Një arsye tjetër e madhe për t’u marrë me poezinë është edhe natyra e veçantë e saj, e cila sa hap e mbyll sytë mund të të shkasë nga duart, me ç’gjë bëhet më sfiduese dhe e ysht çdo studiues drejt saj.
Sado që tek flitet për Kadarenë, ndërmend të bie romani, grotesku, diktatura, narratorë nga më të ndryshmit, kapituj, qindra fletë librash, prapë se prapë një sy i vëmendshëm, fare lehtë, do ta vërente prezencën e Poetit në atë “arkitekturë” të vështirë romani; do të vinte re se si poezia, ashtu pa bujë, gati naive, qëndron pranë prozës madhështore të tij, mu si ai krijuesi që ka bërë punën e vet dhe është tërhequr t’i shikojë të tjerët tek zihen për autorësinë.
Kur flitet për anën estetike të poezive të tij për historianët e letërsisë numërimi fillon nga vepra e tretë poetike, përkatësisht nga vepra Shekulli im (1961), e cila vepër bëri një kthesë të beftë jo vetëm në krijimtarinë e Kadaresë, por edhe në gjithë poezinë tonë bashkëkohore. Poezia shqiptare e kohës, veç “folklorizmit të realizmit socialist”, “kishte edhe një përbërës të folkut fshataresk”, atë të një poezie të quajtur “me frymë popullore”. Në vitet ’60 Kadareja vjen me një poezi të revoltës ndaj këtij “klorofili” poetik, me një poezi qytetare, me një vjershërim me fytyrë të re si nga aspekti tematik, ashtu edhe nga aspekti i leksikut poetik e i figurave inovative, të pakonsumuara dhe tërësisht urbane. Nëse historia e poezisë, sipas poetit dhe studiuesit Valeri Brjusov, është historia e përsosjes së mjeteve të saj, mund të themi lirshëm që Kadareja, bashkë me poetët novatorë të brezit të vet, përkatësisht vargjet e tyre, paraqet paradigmë brenda kësaj historie.
Vepra “Shekulli im” u botua në kohën kur për herë të parë në letërsinë shqipe po debatohej për probleme esenciale të letërsisë dhe pikërisht kjo përmbledhje ishte njëra nga objektet mbi të cilat debatohej. Ishte ai debati i famshëm midis traditës dhe novatorizmit në letërsinë shqipe, ku diskutohej për probleme esenciale të letërsisë, estetikës. Libri kritikohej për dekadencë, për një poezi të përçudnuar, pa rimë e metër, e sidomos kritikohej për figura të reja, “të çuditshme”, të cilat nuk i njihte poezia tradicionale që po shkruhej atëbotë në Shqipërinë shtetërore.
Në këtë vepër Kadareja, me shpërthimet e veta krijuese, theu konvencën dhe u radhit në radhën e shkrimtarëve novatorë, duke e vënë përballë grupin tjetër të shkrimtarëve tradicionalistë. Këta të fundit u përpoqën të jepnin argumente të vlefshme për t’i dalë zot mënyrës tradicionale të vjershërimit dhe jo vetëm kaq, ata i fajësuan rëndë “të rinjtë” (në grupin e të cilëve bënin pjesë edhe Dritëro Agolli e Fatos Arapi), i quajtën antikombëtarë, dekadentë, kozmopolitë etj., cilësime këto mjaft të rrezikshme për një vepër artistike dhe për autorin e saj në Shqipërinë diktatoriale, komuniste, në të cilën tanimë ishin formësuar konditat e krijimit letrar sipas modelit sovjetik (madje paksa më rigoroz se ai sovjetik) dhe në të cilën realizmi socialist ishte metodë zyrtare e krijimit artistik.
Po edhe “të rinjtë”, duke përfituar nga ca rrethana zbutëse politike-shoqërore të diktaturës, i vunë përpara “të vjetrit”, i tallën dhe i fyen pa mëshirë.
Përkundër të gjithë shkrimtarëve të brezit të tij, Kadareja është i vetmi që ka lindur në qytet dhe krijimtaria e tij letrare mbështillet tërësisht nga një vetëdije qytetare. Qyteti si qytetërim, si kulturë, ka vendin e tij mbizotërues në veprën kadareane. Tema e qytetit, ardhur në trajtat më origjinale, përveç faktit të të qenit pasardhës i një familjeje të vjetër gjirokastrite, që lë shenjë në tematikën e veprës së tij, në formimin e vetëdijes qytetare të shprehur me vargje, vjen e nxitur edhe nga përvoja e re jetësore që do t’i shfaqet parasysh djaloshit të sapodiplomuar të letërsisë, i cili do ta fitojë të drejtën për një studim pasuniversitar në Institutin “Gorki”. Me këtë të drejtë studimi ai do të fitojë edhe rastin e njohjes me një botë tjetër të madhe, me një qytetërim tjetër, përkatësisht të njohjes me shijen e lirisë, gjë që nuk kaloi pa lënë shenjë në kujtesën, karakterin, formimin dhe krijimtarinë e shkrimtarit të madh të së nesërmes.
Nëse impulsi qytetar gjenetik kishte hapur me kohë tek ai shtegun për tema me vetëdije qytetare, përvoja moskovite hapi shtigje të reja, jo vetëm në shkallë tematike, por edhe mundësinë e krijimit të një poezie me fytyrë krejtësisht të re edhe për nga leksiku poetik dhe figurat e shprehjes poetike. Ndonëse në pamje të parë ky leksik i ri dukej i ftohtë dhe jo i zakonshëm për kohën, madje edhe apoetk, ai në të vërtetë qe një freski për tërë vjershërimin e viteve ’50, për uniformizmin dhe konvencionalizmin që mbizotëronte atëbotë në poetikën shqiptare. Ndonëse fjalët e tipit: konservë, metropol, sputnik, agjensi, projektim, retinat e telivizorëve, grushte shtetesh, ultimatum, diplomat, ashensor, semafor, trotuar, tramvaj, metro, reklamë, aeroplan etj. , apo figurat-krahasime të tipit, malësori me këmbët si kompas; vërtitem rrugëve si cigarishte në dhëmbët e mërzisë e të ngjashme – u cilësuan dekadente dhe të papranueshme për kohën, sot pikërisht ato tërheqin vëmendjen e lexuesit dhe bëjnë historinë e poezisë sonë bashkëkohore si vëzhgim i procesit të përsosjes së figurave të saj.
Shekulli i Ismail Kadaresë, mbase i paralajmëruar në vitin 1961 me vëllimin “Shekulli im” nuk është vetëm shekulli i dy iksave të mëdhenj që solli aq shumë ndryshime në botë, ai para së gjithash është shekulli i artit kadarean, në të cilin art u dëshmua si i pari, me format e reja që solli, si sintezë e njohurive sistematike mbi letërsinë, mitologjinë, traditën e pasur të këngës popullore shqiptare, të modeleve të veçanta të krijimit etj. Në radhën e poetëve, shkollën e të cilëve e ndoqi Kadareja, krahas poetëve tanë (siç ishte bie fjala Migjeni), duhet përmendur edhe poetët Bertol Breht, Uold Uitman, Janis Ricos, dy Polet e letërsisë: Pol Valeri dhe Pol Eljar, si dhe poeti rus Vladimir Majakovski, të cilët qenë modele ligjërimi për poezinë kadareane për gjysmë shekulli me radhë.