Gurakuç Kuçi

 

Gjatë luftërave ballkanike të viteve 1912-13, Serbia pushtoi një pjesë të trojeve shqiptare me synimin që të siguronte dalje në Detin Adriatik, veçanërisht në portin e Durrësit. Kjo u pa si një kërcënim për perandorinë e atëhershme të Austro-Hungarisë. Me përfundimin e Luftës së Dytë Ballkanike, Serbia mbeti aleati më i denjë i Rusisë në Ballkan dhe praktikisht, porti i Durrësit shihej si port i Rusisë.

Kjo, sigurisht se nuk u lejua nga fuqitë e shekullit të kaluar, të cilat ndërhynë për të krijuar Shqipërinë Londineze, me ç’rast gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë Shqipërisë. Ishte e domosdoshme që Serbia të ndalej, sepse kishte një marrëveshje sekrete më Greqinë, që kufijtë e tyre të takohen në Shkumbin. Pavarësisht shumë konferencave ndërkombëtare, paqja në Ballkan, mbeti e brishtë përfundimisht sepse të gjitha strategjitë e fuqive të mëdha të kohës pasqyronin raportin e forcave dhe jo të drejtën historike të popujve.

Përkundër kësaj hapësire shumë të gjatë kohore, zona ballkanike nuk po arrin ta krijojë diferencën nga e kaluara e saj e largët. E gjithë kjo, nga një pjesë e komunitetit akademik po konsiderohet si “rikthimi në gjeopolitikë” që përshkruhet kështu:“Në mungesë të sistemit ndërkombëtar, shtetet e fuqishme kanë tendencë ti rikthehen vizioneve gjeopolitike para se të ulen në tavolinën për formësimin e sistemit ndërkombëtar, ku të gjithë do të mundohen të influencojnë sa më shumë hapësira.” Këtu nuk mbetet jashtë as Ballkani.

Rusia më nuk është ajo e pas rënies së Bllokut Sovjetik. Strategjia e saj për t’u rikthyer fuqishëm në skenën ndërkombëtare po shoqërohet me destabilitet në shumë zona. Për më tej, Rusia historikisht ka qenë pjesë e sistemit ndërkombëtar. Rëndësia e saj as nuk mund të neglizhohet, por as nuk është e thënë që të tolerohen ambiciet e saj gjeopolitike.

Preokupimi i SHBA-ve, i ndarë mes luftës kundër terrorizmit global dhe krizës në Lindjen e Mesme, e kanë zvogëluar rolin e saj në menaxhimin e disa fushave në Ballkan, duke prodhuar një vakum strategjik. Bashkimi Evropian po synon që ta plotësojë këtë vakum strategjik, por në mungesë të kapaciteteve të saj nuk po arrin të luajë një rol dominues në rivalitetet gjeopolitike kundrejt Rusisë. Kështu, ajo veç sa po e komplikon situatën, duke i trajtuar kundërshtarët historikë si partnerë thelbësorë, ndërsa partnerët historikë si pengues të paqes. Në kuadër të kësaj strategjie, Bashkimi Evropian, për ta tërhequr Serbinë në orbitën e vet, si aleatin më të rëndësishëm të Rusisë, po e dëmton jashtë mase Kosovën në procesin e paqes në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Nëse i referohemi një deklarate të dikurshme të Lordit Grey, i cili thoshte: “se nëse unë të paktën për një vit e kam siguruar paqen në Ballkan, nuk më intereson për drejtësi”, atëherë kemi të bëjmë me një strategji të vjetër e të bërit politikë, jo në kuadër të konventave ndërkombëtare, por  bërja e paqes mbi bazën e raportit të forcave. Kur e bëjmë analizën e mungesës së forcave të BE-së, atëherë vijmë në konstatimin se rikthimi i SHBA-ve në plotësimin e vakumit strategjik në Ballkan është mëse e domosdoshme për të krijuar një paqe të qëndrueshme. Në kuadër të këtij vakumi strategjik, Serbia po përdor një strategji të rafinuar duke e mbajtur një këmbë në Moskë dhe tjetrën në Bruksel. Me këmbën e Moskës, Serbia po përfiton  aksione politike, me këmbën e Brukselit, po i zbaton ato.  Kjo politikë e rafinuar shumë shpejt ka për ta futur BE-në në një qorrsokak, ku duke synuar që ta heqë ndikimin rus mbi Serbinë, kësaj të fundit po i jep koncesione në dëm të Republikës së Kosovës.

Ne jemi të vetëdijshëm që Serbia nuk mund të ri-kthehet ushtarakisht në Kosovë, por presioni i Bashkimit Evropian kundrejt Kosovës për krijimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, institucion me kompetenca ekzekutive, i cili do ta mbajë të paralizuar zhvillimin e Kosovës; themelimi i Gjykatës Speciale, me pretekstin e hetimeve të krimeve të luftës, që kinse i paskan bërë shqiptarët, e cila u themelua për t’i ekuilibruar krimet serbe dhe shumë gjëra të tjera, kryesisht janë koncesione të qëllimshme nga Bashkimi Evropian me synimet për ta tërhequr Serbinë nga orbita ruse.

Nga ana tjetër, vetë BE-ja: nuk ka përdorur asnjë lloj presioni për mos deklarimin e  qindra varrezave masive të të ekzekutuarve shqiptarë në luftën e Kosovës, nuk i kërkohet as ndëshkimi dhe llogaria për mijëra gra të dhunuara në Kosovë, nuk i bëhet presion as edhe për një kërkim-falje për pesë tragjeditë ballkanike, që i shkaktoi, e lëre më të kuptojë se strategjia e Bashkimit Evropian në Ballkan, do ta fusë përsëri Ballkanin në një krizë pothuajse të njëjtë me atë të vitit 1912-1913.