Shemsedin Ibrahimi

 

“Ajo që më intereson është mëngjesi i nesërm: që do të thotë suksesi i revolucionit, rebelimit, revoltës, ndryshimit social apo sido që ta quajmë atë, është se si njerëzit e zakonshëm do ta ndiejnë ndryshimin në mëngjesin e nesërm, kur gjërat të jenë kthyer në normalitet”

– Slavoj Zhizhek

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, që u mbajtën më 11 dhjetor 2016, ishin si rezultat i marrëveshjes politike të arritur ndërmjet katër partive më të mëdha politike në Maqedoni (BDI-së, PDSH-së, OBRM-PDUKM-së dhe LSDM-së). Për shumëçka këto zgjedhje ishin më ndryshe se zgjedhjet tjera, por më e rëndësishme ishte se nga partia opozitare maqedonase LSDM, konsideroheshin si vendimtare për rrëzimin e “regjimit” të Gruevskit. Edhe përkundër shumë mospajtimeve lidhur me datën dhe listat zgjedhore, u vendos që zgjedhjet të mbahen më 11 dhjetor dhe se partitë zotohen se do ta pranojnë rezultatin dhe fituesin e zgjedhjeve. Aktorët politikë shqiptarë edhe kësaj radhe nuk arritën të konsolidohen e të veprojnë me një zë edhe pse në tryezën e bisedimeve ishin të përfaqësuar në mënyrë të barabartë.

Largpamësia e veprimeve politike, nuk ishte karakteristikë e subjekteve politike shqiptare, që u dëshmua edhe në periudhën pas-zgjedhore, ku edhe përkundër marrëveshjeve ndërpartiake, marrëveshjeve me partitë maqedonase nuk u realizuan, ose thënë ndryshe asnjë nga kërkesat shqiptare nuk u vendos në agjendën e qeverisë pa mos u prekur, interpretuar ndryshe, ose nuk u zbatuan fare.

Zgjedhjet e 11 dhjetorit fituese e nxorën partinë maqedonase OBRM-PDUKM, e cila u përpoq ta krijojë qeverinë me partinë fituese në bllokun shqiptar, me BDI-në, por nuk pati sukses. Kjo qeveri nuk u jetësua kurrë, edhe pse pati përpjekje dhe takime për t’u krijuar dhe për ta përgatitur Maqedoninë për sfidat e radhës, që ishin anëtarësimi në NATO, zgjidhja e kontestit të emrit dhe mbyllja e çështjeve të hapura shqiptaro – maqedonase. Parimi i bashkëqeverisjes ndërmjet partisë që ka fituar shumicën e votave te shqiptarët me partinë që ka fituar shumicën e votave te maqedonasit, u prish për shkak të presionit nga opinioni publik dhe subjekte të tjera joqeveritare, të cilët së bashku me mediumet dhe rrjetet sociale, partitë e reja shqiptare dhe individë në cilësinë e opinionbërësve, që në fillim e paracaktuan LSDM-në si parti reformatore, e cila me çdo kusht duhet të krijojë qeveri reformatore.

Një vit nga rizgjedhjet parlamentare, nuk mund të thuhet se janë kryer reforma, që do ta cilësonin këtë qeveri si qeveri reformatore. Sa u përket kërkesave shqiptare, duket qartë se ato janë heshtur  dhe amortizuar nga shumica parlamentare, por që ironia të jetë edhe më e madhe edhe nga partitë opozitare shqiptare. Kërkesat bazike të shqiptarëve që lidhen me përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve në kuptimin struktural dhe cilësor në të gjitha pushtetet dhe strukturat e shtetit, me përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe, me çështjet buxhetore, kulturën, infrastrukturën, etj. janë relativizuar dhe gjithçka që është në rend dite lidhet me integrimin e Maqedonisë në NATO dhe me bisedimet për emrin e këtij shteti. Këtë e vërtetoi edhe komisionari Han, i cili tha se çështjet e mësipërme nuk janë në agjendën e kërkesave të BE-së për Maqedoninë.

Se përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve janë “qetësuar”, dëshmon edhe retorika e fundit politike që po mbizotëron në koalicionin qeveritar, por edhe te partitë shqiptare opozitare. Heqja dorë nga kërkesat themelore dhe zgjidhja parciale e kërkesave shqiptare, i kanë bërë aktorët politikë  shqiptarë dhe së këtejmi edhe shqiptarët në Maqedoni – të parëndësishëm, pasi ata përdoren vetëm si makineri votuese dhe si numër për krijimin e qeverisë, por jo si fuqi vendimmarrëse.

Dëshira për pushtet, interesat e ngushta partiake, bajraktarizmi, klientelizmi dhe shumë “izma” të tjerë kanë krijuar truall të përshtatshëm për jetësimin e agjendave të huaja, të cilët i përdorin mekanizmat propagandistikë për të krijuar bindje se këtu nuk ka vend për kërkesa etnike, por funksionimi i këtij shteti do të mundësohet vetëm nëse sheshohen kërkesat etnike të shqiptarëve dhe shndërrohen në kërkesa qytetare. Kjo, pastaj krijon ndjenjën e përkatësisë ndaj shtetit, por pa mos prekur thelbin e shtetit unitar maqedonas. Shqiptarët do të vazhdojnë të mbeten ata që mbushin buxhetin, ata që kontribuojnë në mbajtjen e këtij shteti, në të gjitha aspektet, por vetëm kaq, pa mos u bërë aktorë kyç dhe pa mos qenë në pozitë të sovranit të këtij vendi, që de fakto, në terren i plotëson të gjitha kushtet të jetë i tillë.

Në këtë përvjetor të parë, do të kujtojmë sakrificën, mundin dhe kontributin që shqiptarët dhanë për ndryshimin e kursit të orientimit gjeostrategjik dhe të vlerave me të cilat identifikohet ky shtet, që ne e quajmë tonin pa mos pasur as edhe një arsye për ta quajtur të tillë, si dhe mashtrimin e madh që na u bë me premtime se do të ketë sundim të ligjit, se ekonomia do të prosperojë, se shqiptarët nuk do të preken më, se do të kemi të drejta të barabarta, se… vargu i premtimeve boshe vazhdon… por në fillim ta heqim regjimin. Regjimi u hoq, “reformat” kanë nisur, por shqiptarët kanë mbetur në vend dhe pa perspektivë të qartë se ku konkretisht duan të shkojnë dhe se cili do të jetë pozicioni i tyre në këtë vend. Kjo çështje duhet të jetë prioritet numër një për partitë politike shqiptare në Maqedoni, për intelektualët, për shoqërinë civile, për artistët, pra për të gjithë spektrin politik dhe intelektual shqiptar në Maqedoni.

Hapja e perspektivave dhe kanalizimi i çështjes shqiptare atje ku e ka vendin, si pjesë e pazgjidhur e çështjes shqiptare në Ballkan dhe ngritja e pozitës së shqiptarëve si komb sovran në Maqedoni, do të sheshonte shumë pakënaqësi të krijuara nga aktorët politikë shqiptarë dhe do të krijonte parakushte që rinia dhe e tërë shoqëria shqiptare të krijojë perspektiva të reja dhe klimë tjetër më të qëndrueshme në këtë vend.