Në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë

 

Historiografia dhe institucionet që merren me studimin e trashëgimisë kulturore, shumë pak ose aspak nuk flasin për monumentet kulturore arkeologjike të trashëgimisë ilire, edhe pse ato janë të pranishme gati në çdo pjesë të këtij vendi.

Sot është Dita Botërore e Trashëgimisë, një ditë reflektimi për njohjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie.

Aktualisht, në Hartën Arkeologjike të Maqedonisë janë shënuar vetëm disa lokalitete, ku nuk realizohet asnjë aktivitet, madje disa edhe janë lënë në mëshirën e kohës, të pa shënuara duke u shndërruar kështu në gërmadha të parëndësishme.

Ekzistojnë disa lokalitete për të cilat ka të dhëna se ku mund të gjenden, por ato duhet të verifikohen dhe për të njëjtat të realizohen gërmime arkeologjike.

Kur e lexon Hartën Arkeologjike të Maqedonisë, të krijohet përshtypja se qytetërimi antik ka filluar në kohën e neolitit ose ndonjë periudhë tjetër historike, kurse periudha ilire nuk përmendet fare. Të gjitha lokalitetet përmendet se i takojnë periudhës së hershme ose të vonshme antike, por aspak nuk thuhet se janë nga koha ilire.

Arkeologët kroatë, kohëve të fundit kanë bërë zbulime të rëndësishme në fushën e ilirologjisë, në Bosnjë dhe Hercegovinë po ashtu, kurse në Kosovë edhe pse vonë kanë filluar aktivitetet,  janë bërë zbulime të rëndësishme.

Ajo që gjerësisht njihet si Dita Botërore e Trashëgimisë, në të vërtetë quhet  Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve dhe është vendosur në vitin 1982 nga Këshilli Ndërkombëtar për Monumentet dhe Lokalitetet. Kjo organizatë është themeluar mbi parimet e Kartës së Venedikut, që zyrtarisht njihet si Karta Ndërkombëtare për Konservimin dhe Restaurimin e Monumenteve dhe Lokaliteteve.

 

Lista e disa lokaliteteve arkeologjike të trashëgimisë ilire:

  • Kalaja e Nicës, Orashë, Tetovë
  • Kalaja e Tetovës
  • Qyteti Oeneum, mendohet që gjendet nën themelet e ndërtesës së Komunës së Tetovës
  • Trebenishtë, lokalitet ilir, është gjetur helmeta dhe maska ilire
  • Menada ilire, artefakt i trashëgimisë ilire-Tetovë
  • Kalaja e Shkupit, themelet e qytetit ilir Skupi
  • Via Egnatia, rruga kryesore që lidhte Perandorinë Romake
  • Heraklea Lyncestis, qyteti i lashtë ilir i fisit Lynkestët
  • Kalaja e Leshkës,Leshkë
  • Kalaja e Kërçovës, Uskana

 

Shemsedin Ibrahimi

Pas përfundimit të Fakulteti të Gazetarisë në Tiranë, Shemsedin Ibrahimi profesionin e gazetarisë e ka ushtruar në disa media lokale dhe nacionale. Si korrespodent nga Tetova, ka punuar edhe në disa gazeta të njohura ditore, si “Koha Ditore”, “Lajm Maqedoni” dhe më pas edhe si korrespodent kryesor nga Tetova i Televizionit të Maqedonisë - programi në gjuhën shqipe. Aktualisht punon në Zyrën për marrëdhënie me publikun në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Shkrimet e tij të fundit në PanAlbanica kryesisht trajtojnë tema të aktualitetit politik në hapësirën shqiptare në Ballkan.