Bardhyl Mahmuti
Një numër i mediave elektronike në gjuhën shqipe, tre muaj më vonë, ia plasuan opinionit publik shqiptar propagandën ruse.
Me dekret të veçantë të Vlladimir Putinit, të datës 9 dhjetor 2013, u krijua “Rossia Segodina” (Rusia Sot), institucion zyrtar i propagandës ruse drejtuar opinionit publik ndërkombëtar. Një vit më vonë, në nëntor të vitit 2014, Rusia e zyrtarizoi shërbimin e vet informativ multi-media me emrin “Sputnik”.
Nuk do të përmend numrin e madh të shkrimeve që ky institucion i propagandës ruse shpërndau kundër pavarësisë së Kosovës në përgjithësi dhe UÇK-së në veçanti. Po ndalem vetëm në shkrimin që u publikua pas zgjedhjes së Hashim Thaçit, president i Kosovës. Më 1 prill 2016, Shërbimi informativ multi-media rusë “Sputnik” shpërndau shkrimin e titulluar “German Intel Had Mafia Dossier on Kosovan President Since 2005” (Dosje e vitit 2005 e Shërbimit Inteligjent Gjerman për kokën e mafies, Presidentin e Kosovës).
Kam bindjen e plotë se asnjë lexues i shkrimit tim nuk habitet që shërbimet informative ruse (qofshin ato shërbime multi-media apo të natyrave tjera), publikojnë shkrime të tilla. Ajo që është e habitshme lidhur me këtë shkrim qëndron në faktin se një numër i mediave elektronike në gjuhën shqipe, tre muaj më vonë, ia plasuan opinionit publik shqiptar propagandën ruse, por të kamufluar si «dosje e Shërbimit Federal Informativ Gjerman (BND), të publikuar nga Wikileaks».
Pa asnjë rezervë për prejardhjen e këtij shkrimi, një numër i mediave elektronike në gjuhën shqipe i shpërndanë akuzat tanimë të njohura kundër Hashim Thaçit dhe udhëheqësve tjerë të UÇK-së. Gjenezën e kësaj propagande e kam trajtuar hollësisht në librin tim «Mashtrimi i Madh». Po ndalem shkurtimisht vetëm në Dosjen “sekrete” të Shërbimit Sekret Gjerman. Kjo dosje nuk është as “dosje sekrete”, siç pretendohet (për arsye se është shpërndarë falas në internet: BND Kosovo Feb 2005 vs Vertraulich) e as “dosje e Shërbimit Sekret Gjerman”.
Kjo dosje nuk është asgjë tjetër pos parafrazim i «Librit të bardhë» të Shërbimit Sekret Serb, botimi i vitit 2003. Për dallim nga ata që fshehin burimin e vërtetë të informatave të tyre serbo-ruse, njerëzit që përgatitën dosjen në emër të Shërbimit Sekret Gjerman ruaj një shkallë të sinqeritetit.
Në Dosjen e Shërbimit Sekret të Gjermanisë (BND-së), në faqen 14, pika 2.2.1, thuhet qartë se burim informate për përpilimin e kësaj dosjeje ishte Shërbimi Sekret Serb (BIA).
Do të kishte qenë e ndershme që të gjithë ata gazetarë që fshihen prapa Wikileaks (apo amerikanëve), për të shpërndarë propagandën serbo-ruse të bëhen të sinqertë, së paku si përpiluesit e dosjes në fjalë dhe të tregojnë se dosja është faqosje në gjuhën gjermane e propagandës serbe.
Nuk ka turp më të madh se të shpërndash propagandën serbe të ambalazhuar me petkun gjerman për ta njollosur Nazar Mehmetin, si gjoja “udhëheqës i një grupi të organizuar kriminel që e financoi Thaçin dhe UÇK-në”. Nazar Mehmeti është një biznesmen i suksesshëm amerikan, me origjinë nga trojet etnike shqiptare në Maqedoni, i cili i ka ndihmuar luftërat çlirimtare si asnjë biznesmen tjetër! Lufta speciale që Shërbimi Sekret Serb ka bërë vazhdimisht kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, figurave të tjera të UÇK-së dhe atdhetarëve të mirëfilltë, nuk duhet të zë vend në hapësirën mediatike në gjuhën shqipe.