Intervistë me Albulenë Halili-n, ekskluzivisht për obshtestvo.net.

Realizoi në shqip: Anton Pançev

 

  1. E nderuar znj. Halili, nuk mund të mos fillojmë me një pyetje të mërzitshme për të gjithë ne. Si po zhvillohet lufta me virusin në Maqedoninë e Veriut dhe a po zvogëlohen masat kufizuese?

Në kohën kur e gjithë bota filloi të hapet dhe të lirojë masat kufizuese, norma e vdekshmërisë nga Covid 19 në Maqedoninë e Veriut është më e larta në rajon, dhe numrat e rasteve të reja po rriten frikshëm. Presidenti i shtetit, ka vazhduar për herë të katërt gjendjen e jashtëzakonshme. Për dallim nga fqinjët, kufijtë e shtetit vazhdojnë të jenë të mbyllur. Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur për shkak të pandemisë është mbivendosur mbi jashtëzakonshmërinë e jetës sonë. Shtetet e Ballkanit Perëndimor me demokraci të brishta dhe histori famëkeqe të diskriminimit e kufizimit arbitrar të lirive e dhunimit të të drejtave njerëzore, janë pamjaftueshëm të përgatitura për fatkeqësi të kësaj natyre. Vetë koncepti i gjendjes së jashtëzakonshme që parashihet në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut ku qeveria sjell dekrete me fuqi ligjore, trajtohet si gjendje e shpallur në rast lufte, për dallim nga koncepti perëndimor i emergjencës shëndetësore apo gjendjes së krizës. Po ashtu qeveria ka shfrytëzuar gjendjen e jashtëzakonshme për ushtrimin e pushtetit të pakufizuar në shumë sfera të jetës, duke marrë kështu tipare të një regjimi autoritar. Qeveria aktuale është teknike dhe parlamenti është shpërbërë që në shkurt të këtij viti. Datë përfundimtare për zgjedhjet parlamentare, akoma nuk ka.

Pandemia ka shpërfaqur edhe më shumë mendësinë diskriminuese shtetërore ndaj shqiptarëve. I gjithë komunikimi zyrtar, materiali informativ dhe njoftimet nëpër rrjetet sociale janë bërë kryesisht në gjuhën maqedonase. Pushteti po përpiqet që dështimin e vet në menaxhimin e krizës t’ia veshë qytetarit, e sidomos atij shqiptar. Është e vërtetë që ekziston një mosbesim i qytetarit shqiptar te shteti, por për një raport të këtillë, janë gjithmonë të nevojshëm dy palë. Në të njëjtën kohë shteti ka përdorur festat fetare myslimane për të stigmatizuar shqiptarët si mosrespektues të ligjit. Mediat kanë përdorur eufemizmin “mysliman” për “shqiptar”. Për fat të keq edhe reagimi i shqiptarëve ka ndjekur natyrën e akuzës, duke qenë një reagim fetar në vend se kombëtar.

Shëndeti publik bën pjesë në sigurinë kombëtare dhe si i tillë është përgjegjësi parësore e shteteve. Është e vërtetë se në rastin e pandemive, duhet të ekzistojë një infrastrukturë më e gjerë publike që përbëhet nga palët e interesuara që marrin pjesë në të gjitha aspektet e planifikimit, por kjo nuk nënkupton se në këtë infrastrukturë vitale duhet të ketë rol thelbësor qytetari i thjeshtë. Pa dashur ta amnistoj secilin prej nesh, përgjegjësia për shëndetin publik nuk lihet kurrë dhe kurrsesi në ndërgjegjen dhe vetëdijen e popullatës.

 

  1. Republika e Maqedonisë së Veriut mori ftesë për fillimin e negociatave me BE. Cilat janë pengesat kryesore në këtë rrugëtim të gjatë?

Pengesat e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së, edhe pas firmosjes së Marrëveshjes së Prespës, mbeten shumë. Bashkimi Evropian e ka bërë gjithmonë me dije se anëtarësimi në BE nuk është një proces thjesht politik, porse edhe teknik. Harmonizimi i legjislacionit të vendit me Acquis Communautaire (NPAA) mund edhe të ketë shkuar mbarë e mirë, por implementimi i tyre është shumë larg. Në raportin e fundit, i cili u shpall në mars të këtij viti, Komisioni Evropian thekson nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill 2020, të cilat për shkak të pandemisë Covid-19, janë shtyrë për një afat të pacaktuar. Ky fakt e zgjat jetën e qeverisë teknike ku përfshihen edhe anëtarë nga partia maqedonase opozitare. Sferat ku Maqedonia e Veriut duhet të tregojë rezultate të qëndrueshme përfshijnë: reformën gjyqësore, hetimet dhe ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar duke përfshirë dhe ata në nivelet më të larta, dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Implementimi i kësaj të fundit, edhe pse theksohet në secilin dokument të Komisionit Evropian, si parakusht për anëtarësim në BE, kujtoj që është e tejkaluar. Marrëveshja e Ohrit përfaqëson një dokument të nënshkruar pas përfundimit të një konflikti, para pothuajse dy dekadave dhe krejtësisht në një tjetër mjedis politik e gjeopolitik, të cilës aq më tepër i ka skaduar afati i implementimit. Kjo marrëveshje është burimi i të gjitha marrëzive që rrjedhin nga koncepti non sens i popullit 20%. Në të drejtën ndërkombëtare është e njohur klauzola rebus sic standibus e cila bën që një marrëveshje të jetë e pazbatueshme për shkak të ndryshimeve fundamentale të rrethanave. Pra, meqë rrethanat kanë ndërruar dhe proceset politike kanë evoluuar, janë krijuar kushtet për një marrëveshje të re kushtetuese mes popujve më të mëdhenj që jetojnë në këtë shtet. Kjo marrëveshje duhet të bëhet pas realizimit të një procesi mjaft të rëndësishëm, të cilin e kam cilësuar se është Nyja Gordiane e këtij shteti, siç është procesi i regjistrimit, i cili për herë të fundit është kryer në vitin 2002. Për shkak të natyrës së këtij shteti, numri i banorëve të etnive që jetojnë në Maqedoninë e Veriut determinon gjithçka, duke nisur nga kushtetuta ku përcaktohet se kujt i përket sovraniteti, të drejtat kolektive, përfaqësimi në institucione, ndarja territoriale, listat zgjedhore, përdorimi i gjuhës shqipe, shpërndarja buxhetore e kështu me radhë. Pra, kemi të bëjmë me një realitet krejtësisht të ri, i cili duhet të përligjet dhe të sanksionohet edhe juridikisht. Kjo sa i përket pengesave të brendshme.

Pengesat e jashtme për Maqedoninë e Veriut duket sikur s’reshtin kurrë. Marrëveshja me Greqinë për emrin, u kundërshtua fuqishëm nga opozita maqedonase por edhe nga një shumicë e madhe e popullit maqedonas. Këtë e dëshmoi edhe rezultati i referendumit. Kjo marrëveshje, është si të thuash një bombë e kurdisur për këtë shtet. E para, për shkak të mungesës së kohezionit mes vetë maqedonasve lidhur me këtë çështje, dhe e dyta lidhur me mohimin e elementit shqiptar në këtë marrëveshje. Arsyeja e vetme për moskundërshtimin e kësaj marrëveshje nga ana e shqiptarëve, ka qenë që të mos pengohet procesi i anëtarësimit në NATO, një qëllim strategjik i kamotshëm, për të mos thënë i gjithhershëm shqiptar. Pengesat e tjera që janë paralajmëruar nga fqinji tjetër, Bullgaria, tani kanë të bëjnë me një tjetër çështje të identitetit të Maqedonisë së Veriut.

 

  1. U formuan taborët kryesorë te partitë shqiptare para zgjedhjeve parlamentare. A ka gjasa BDI ta humbë pozitën e parë për shkak të koalicionit ASH – AA?

ASH-AA është që në fillim një koalicion i panatyrshëm. Arsyeja e parë është për shkak se Aleanca për Shqiptarët është një subjekt opozitar, ndërkaq Alternativa është pjesë e pushtetit. Arsyeja e dytë ka të bëjë me botëkuptimet e kundërta të këtyre dy subjekteve lidhur me çështjet e identitetit, aleancave strategjike dhe ideologjive nga të cilat udhëhiqen. Së fundmi, motivi i këtij koalicioni kam frikë se është vetëm çuarja në opozitë e BDI-së, pa shpallur ndonjë plan konkret për qeverisje. Aleanca për Shqiptarët si subjekt që u krijua për të reformuar Partinë Demokratike Shqiptare, duhet në çdo veprim t’i qëndrojë besnike filozofisë së Arbën Xhaferit.

Nuk besoj se BDI ka përballë një koalicion të denjë për ta sfiduar. Nuk do të doja të ishte kështu. Besoj se nuk do të donte as vetë kreu i BDI-së, i cili para do kohe publikisht ka bërë thirrje që të gjithë subjektet të bashkohen për të mposhtur BDI-në. Kjo bëhet edhe më e vështirë sidomos pas shpalljes së qëllimit dhe motos së re nga partia shqiptare në pushtet se ka ardhur koha për një kryeministër shqiptar. Që në fillim duket se do të jetë një moto elektrizuese, për të mos thënë aspak e pamundur, në fushatën e zgjedhjeve parlamentare, që do ta eklipsojë tërë debatin mbi veprimtarinë e deritanishme të këtij subjekti. Partitë shqiptare duhet të jenë konsekuente se kanë përgjegjësi kolektive dhe se duhet në baza të rregullta periodike të përfshihen në procesin e llogaridhënies karshi popullit shqiptar. Diskursi politik në Maqedoninë e Veriut dhe fushatat parazgjedhore qoftë ajo e kaluara e zgjedhjeve presidenciale, apo kjo për zgjedhjet parlamentare, më shumë se për pozita, duhet të fokusohet në plane konkrete për fuqizimin e çështjes shqiptare në këtë shtet. Pra, pushtetizimi i individit shqiptar duhet të ecë në përpjesëtim të drejtë me pushtetizimin e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Në subjektet politike shqiptare në Ballkan, vërehet një fenomen mjaft i dëmshëm – përkthimi i kundërshtarëve politikë në armiq. Ky fenomen ndodh në Kosovë, siç ndodh edhe këtu. Parimet e demokracisë e bëjnë të shëndoshë diversitetin e mendimeve dhe orientimeve ideologjike, por sa u përket temave të caktuara që lidhen ekskluzivisht me interesin kombëtar, subjektet politike duhet gjithsesi të kenë unitet dhe një farë lloj konsensusi.

Pra, sfidë kryesore e subjekteve shqiptare në këtë shtet, në vend të zënkave duhet të jetë një strategji gjithëpërfshirëse për veprimin tonë politik kolektiv lidhur me sulmet ndaj shqiptarëve, të cilat duket se e kanë rizgjuar ndjenjën e vërtetë të maqedonasve për shtetin etnocentrik të tyre, dhe se përkundër metanarrativave me shoqëri dhe jetë për të gjithë, shtyllat kryesore të shtetit mbeten të pandryshuara.

 

  1. A mund të kemi prapë shumë vota shqiptare për LSDM-në, sidomos pas koalicionit me Lëvizjen “Besa”?

Vota shqiptare për LSDM-në në vitin 2016 ka përfaqësuar në rastin më të keq një moment dobësie të trupit votues shqiptar, ndërkaq në rastin më të mirë një përllogaritje e fuqisë, i cili te LSDM, apo më mirë ta quajmë me eufemizmin që ata ishin vetëemërtuar – koalicioni gjithëpopullor, ka parë rrugëdaljen më të shpejtë e më të sigurt nga regjimi i Gruevskit. Ky regjim kishte bërë që shteti të rrëshqiste në autoritarizëm dhe të minojë proceset euro-atlantike, duke i hapur rrugë ndikimit të fuqishëm rus, jo vetëm në vend por edhe në rajon. Në këtë proces shqiptarët kanë qenë faktori kryesor në arritjen e rezultatit përfundimtar. Rënia e Gruevskit, i rrënoi planet e Federatës ruse në Maqedoninë e Veriut dhe i hapi rrugë shtetit për anëtarësimin si anëtarja e 30-të e organizatës më të fuqishme politiko-ushtarake – NATO dhe shpejtimit të procesit të anëtarësimit në BE.

Koalicioni parazgjedhor i tanishëm i Lëvizjes Besa me LSDM-në do të jetë dëshpërues për të dyja palët. Nga njëra anë nuk do të sjellë numër të konsiderueshëm votash shqiptare për LSDM-në, ndërkaq nga ana tjetër do të shkaktojë erozion të besimit të votuesit shqiptar te Lëvizja Besa. LSDM akoma nuk ka pastruar ndërgjegjen e saj nga e kaluara dhe raporti i hidhur i shqiptarëve me të.

 

  1. Fitorja e Vetëvendosjes në Kosovë, edhe pse koalicioni qeveritar ra, ka sjellë shumë shpresa te shqiptarët në Ballkan për ndryshimin e dëshiruar. Si mendoni, a do të ketë ndikime edhe në Maqedoninë e Veriut?

Po, keni të drejtë. Togfjalëshi “Lëvizja Vetëvendosje” dhe fjala “shpresë” janë parë të shkruhen bashkë shumicën e herëve gjatë muajve të shkuar. Filozofia politike e Lëvizjes Vetëvendosje është mishërim i filozofisë së historisë së kombit tonë dhe si e tillë është e drejtë dhe e pakontestueshme. Veprimtaria e saj si subjekt opozitar është shquar për nga reagimi i pakompromis dhe konsistenca e pashoqe lidhur me çështjet thelbësore të interesit kombëtar . Mbështetja e popullit, sidomos rinisë, dhe jo vetëm asaj në Kosovë, është njëra nga asetet më të mëdha të këtij subjekti atipik politik të hapësirës sonë. Qeverisja 50-ditëshe e Vetëvendosjes, me gjithë pengesat e parashikuara e të pritura, mungesën e përvojës në qeverisje, u karakterizua nga po të njëjtat virtyte, të pazakonshme për politikëbërjen shqiptare në Ballkan. Ajo dëshmoi se kur në krye të shtetit vijnë njerëzit e duhur, edhe shqiptarët dinë të menaxhojnë me sukses një pandemi, të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin e niveleve më të larta shtetërore, të punojnë për shtetin e së drejtës, të përfaqësojnë denjësisht shtetin në takime e tryeza ndërkombëtare, të pozicionohen si të barabartë në raport me Serbinë, t’i vihen në shërbim të plotë sovranit të tij (popullit) dhe mbi të gjitha të dëshmojë se morali në politikë është i mundshëm. Shqiptarët kudo që jetojnë në Ballkan, e ndiejnë dhe e dëshirojnë këtë frymë të re në mënyrën e të bërit politikë. Skena politike shqiptare lëngon nga personazhe të vjetra, të përhershme, të shteruara si fizikisht, ashtu edhe për nga idetë dhe të menduarit e ri, dhe për më tepër të mësuar që me çështjet kolektive të sillen sikur të jenë çështje të tyre private.

Ndikime është e natyrshme që ka, si në Shqipëri ku veçse është krijuar qendra e Vetëvendosjes. Madje duhet gjithsesi të ketë. Ndonëse, gjykoj se mënyra e politikëbërjes së Lëvizjes Vetëvendosje nuk duhet të importohet si e tillë, pra të kopjohet e të keqpërdoret për qëllime politike, porse të merret si model se si ndërtohen kauzat e si luftohet politikisht për to, duke krijuar rrjete në fushëveprimet e përbashkëta përtejshtetërore, pra mbarëkombëtare.

 

  1. A kanë partitë shqiptare qëndrime të qarta rreth kontestit bullgaro-maqedonas?

Partitë shqiptare kanë lavdëruar Marrëveshjen për fqinjësi të mirë midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të nënshkruar në vitin 2017, duke e cilësuar atë si një arritje të madhe në rrugën euro-atlantike, por edhe si kontribut për stabilitet dhe siguri në rajon. Paralajmërimet e fundit që vijnë nga Sofja thuhet se kanë të bëjnë me mungesën e seriozitetit të palës maqedonase lidhur me zbatimin e obligimeve të marra në bazë të kësaj marrëveshjeje.

Lidhur me këtë paralajmërim, për shqiptarët, është shqetësuese deklarata e presidentit të Maqedonisë së Veriut, bërë së fundmi, ku thotë se vendi nuk ka nevojë për BE-në nëse çmimi i anëtarësimit në Union është “të pranosh që ne nuk jemi maqedonas” dhe të themi se “gjuha që flasim nuk është maqedonase”. Cila do të mbetej atëherë alternativa e shtetit? Po alternativa e shqiptarëve në këtë shtet? Siç do të thoshin kinezët: kohë interesante na presin.

Populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pas anëtarësimit në NATO, interes parësor strategjik ka integrimin në Bashkimin Evropian. Ky prioritet, e bën atë një aktor konstruktiv por jo indiferent, që e përshpejton këtë proces dhe sheh drejt së ardhmes, duke respektuar çdo marrëveshje e cila do të jetë e pranueshme nga të dy palët e prekura.

Faleminderit!