Ramize Ferati

 

“Njerëzit e mirë nuk e dinë, sa kohë dhe mund kërkon të mësosh leximin. Mua më janë dashur tetëdhjetë vjet për këtë dhe as tani nuk mund të pandeh se e kam arritur atë qëllim.” J. W. Von Goethe

 

Në gazetat botërore prestigjioze, në vazhdimësi kemi hasur në artikuj që paraqesin zellin e filozofëve të urtë, a njerëzve të suksesshëm, të cilët nuk reshtin së lexuari. Pareshtur, do të thotë së paku një libër në javë, pa përfshirë leximin e përditshëm, pa ndonjë synim madhor, si leximin e gazetave për t’u informuar, apo raporteve voluminoze për qëllime profesionale. Një qëllim të tillë ia kisha vënë vetes disa herë, por me përjashtim të leximit të librave për fëmijë dhe ata që kam lexuar gjatë kohës intensive të studimeve, nuk e kisha arritur kurrë.

Si asnjëherë më parë, në muajt e fundit, gjatë izolimit fizik social, për shkak të pandemisë, libri ka rifituar vëmendjen e lexuesit, pasi viteve të fundit leximi dukej se konsiderohej tashmë sikur të ishte si një aktivitet njerëzor i lashtësisë. Ky “përfundim” arsyetohej me argumentin se libri ishte bërë jo-atraktiv, se procesi i leximit është i ngadalshëm dhe se në kohën e revolucionit teknologjik më i vlefshëm është zhvillimi i shkathtësive praktike, të cilat shpaguhen financiarisht shumëfish më shumë se sa perspektiva që të jep një punë që ka për parakusht leximin.

Fakt është që pëlqyeshmëria e librit prej vitesh është zëvendësuar në masë të madhe nga interneti dhe ndërveprimi virtual në rrjetet sociale. Ndaj, për të sfiduar ndjenjën e fajësisë, por edhe për të eksperimentuar, e shfrytëzova këtë mundësi unike të shfaqur rishtas. Që kur Prishtina hyri në izolim të detyrueshëm dhe shumica e  angazhimeve profesionale u zhvendosën në “zyra të improvizuara” në shtëpi, pata lexuar nëntë libra. Një ndodhi kontradiktore kjo që do të duhej të ishte normale, por është e jashtëzakonshme. Normale, sepse pati efektin e pritur të vërtetimit dhe e jashtëzakonshme, para së gjithash, sepse ka një parakusht: zgjatjen e izolimit deri në fund të vitit – mendim ky që më shtyri të analizoj tri aspekte të këtij procesi që aty për aty m’u shfaqën si çaste iluminimi.

 

  1. Bota e librave është e pafund dhe koha e kufizuar (Sa lexojmë?)

Për çdo njeri që ka një angazhim profesional me orar të plotë, pa marrë parasysh nëse ai nënkupton një aktivitet fizik, apo mendor, leximi i një libri në javë, sado qëllim modest dhe sa shumë normal të duket, jo rrallë herë del të jetë i pamundur. Një përllogaritje e thjeshtë të sjell tek përfundimi se brenda ditëve të punës njeriut nuk i mbetet kohë për t’ia kushtuar librit me seriozitet, ndërsa në fundjavë duhet zgjedhur në mes prioriteteve të shumta. Leximi i një libri në javë është mision edhe më vështirë i realizueshëm për një grua të cilën pas orarit të punës së paguar e presin angazhime të tjera, të cilat shoqëria jonë padrejtësisht parapëlqen t’i interpretojë si angazhime familjare. 52 libra në vit lexohen vetëm nëse punëdhënësi të paguan për të lexuar; vetëm në qoftë se nuk duhet të punosh për të jetuar; vetëm në qoftë se i redukton tej mase, apo edhe më mirë, i eliminon të gjitha kontaktet e kota njerëzore, ato të cilat nuk kanë asnjë dobi e nuk të sjellin asnjë kënaqësi, por të cilat në shoqërinë si kjo e jona janë etabluar si obligime. Pa marrë parasysh mënyrat, ritmin, apo shpejtësinë e leximit, leximi merr kohë dhe ndonëse nuk nevojitet përqendrim maksimal, të pa-anashkalueshme janë kushtet e leximit. 52 e më shumë libra lexon vetëm në qoftë se ke hapësirë, pra rrethana dhe kushte personale. Ndërsa një gruaje që synon të arrijë këtë, i nevojitet një ditë e zgjatur për disa orë, dhe nëse ajo mëton edhe të shkruajë, pa asnjë dyshim edhe “Një dhomë më vete”. Ndryshe nuk ka se si bëhet.

 

  1. Leximi pa qëllim është vuajtje (Pse lexojmë?)

Nëse do të pyesnim njerëzit përse lexojnë, do të merrnim përgjigje të panumërta dhe krejtësisht të ndryshme. Jo vetëm, por sidomos në pamundësi për të udhëtuar fizikisht, ne lexojmë për të udhëtuar në kohë. Në imagjinatën tonë mund të ndodhemi për një 24-orësh në Kanë, për disa javë në Shën Petersburg për një moment në Nju Jork, ndoshta disa ditë nëpër Kopenhagë, a për një vit në Berlin, pra jo vetëm në pesë shtete, por edhe në pesë periudha të ndryshme kohore dhe në peizazhe të llojllojshme kulturore. Ndaj dhe s’ do mend se një nga arsyet më të shpeshta që ne paraqesim, është ajo që ne lexojmë për kënaqësi.

Por leximi i vëmendshëm, ai për të kuptuar, rrallëherë përkufizohet vetëm si kënaqësi. Shumë më shumë se kaq, leximi “heq kufijtë në kokat tona”. Ai në vetvete është sfidë, e cila nuk të lë të qetë, e aq më pak të pandehësh se di dhe ke mbaruar së mësuari. Dhe është kureshtja ajo që njeriun nuk e lë të ndalojë së kërkuari më shumë, kur të ketë arritur cakun e vendosur. Sa më shumë që zbulon, aq më shumë pikëpyetje shfaqen, shumica e përgjigjeve të të cilave sërish gjenden në libra të tjerë.

Ne lexojmë për t’u formuar dhe formimi do të thotë ndryshim. Në parathënien e romanit, “Man’s search for meaning”, të autorit Viktor E. Frankl, njëri nga shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë, amerikanë, Harold S. Kushner thekson se nëse në një libër gjendet qoftë edhe një paragraf, apo një ide që është aq e fuqishme, sa për të ndryshuar jetën e një njeriu, atëherë vetëm kjo e arsyeton leximin e rileximin dhe ai libër ia vlen të zërë një vend në raft. Ndërsa leximi vetëm për të mbytur kohën është vuajtje dhe vuajtja përmban diçka paradoksale: sa më shumë që zgjat, aq më shumë forcohet.

 

  1. Ti je çfarë lexon (Çka lexojmë?)

Librat ndikojnë në mendimet, qëndrimet dhe vlerat e lexuesit, kjo është e ditur, ndaj dhe duhet përzgjedhje. Një mendje kritike di të mos i marrë për fakte të gjitha informacionet e reja që gjen në cilindo libër. Njeriu që mendon në mënyrë të tillë është në gjendje vetë të krahasojë, analizojë, gjykojë, vlerësojë dhe të formojë vetë mendimet e tij. Goethe nuk ka theksuar kot, se “leximin” duhet “mësuar”. Mirëpo kujdes duhet treguar sidomos kur fëmijëve iu ofrojmë përmbajtje leximi, sepse përveç që ka libra të ndaluar, ka madje edhe të tillë që vijnë me “udhëzime”. Mund të duket e habitshme, por sigurisht me vetëdije, shtëpia botuese amerikane Wilder Publications veprat e mendimtarit dhe filozofit gjerman, Imanuel Kant i botoi me një shënim, si udhëzim për prindërit që në hyrje: “Ky libër është produkt i kohës së tij dhe nuk reflekton të njëjtat vlera, të cilat do të reflektonte, nëse do të ishte shkruar sot. Prindërit duhet që me fëmijët e tyre të diskutojnë rreth mënyrës se si kanë ndryshuar qëndrimet rreth racës, gjinisë, seksualitetit, etnicitetit dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore, para se t’u lejojnë atyre ta lexojnë këtë vepër klasike.”

Diskutime rreth përmbajtjes së një libri janë zhvilluar që në epokën e Galileut, e mbase edhe më herët dhe në vazhdën e tyre, gjithashtu është përmendur ndikimi i gjinive letrare. Grupe të caktuara edhe të intelektualëve në periudha të ndryshme kohore besonin se leximi i një gjinie të caktuar letrare, është më shumë, apo më pak i rëndësishëm dhe se njerëzit mund të kategorizohen sipas llojit të librave që lexojnë. Një mendim ky i diskutueshëm, por megjithatë i praktikuar. Në Gjermaninë e shek. XVII p.sh. fisnikët dhe shërbyesit e oborrit mbretëror, shumë nga cilët edhe vetë qenë shkrimtarë e mendimtarë, ishin të besimit se grave që në atë kohë nuk kishin të drejtë arsimimi, sikurse burrat, megjithatë duhej t’u lejohej të lexojnë beletristikë, para së gjithash poezi. Qëllim parësor i këtij mendimi ishte që ato t’u lexojnë dhe t’i zbavitin burrat, kur ata të kthehen në shtëpi, mbase, sepse ata ishin të bindur se romanet e poezitë nuk janë “të rrezikshme”.

Për fat, a fatkeqësi, sot ka pajtim të gjerë mbi atë se ai që e ka lexuar “Iliadën”, “1001 net”, “Poemën e mjerimit” a “Hija e tokës”, e njeh fuqinë vepruese që del nga letërsia e bukur dhe ndikimin që ajo ka për zhvillimin intelektual, kulturor e qytetar, nëse lexuesi ka arritur t’i zbërthejë mesazhet që ajo përcjell. Pavarësisht zhanrit, një libër të cilit ia vlen t’ia kushtojmë kohën tonë të çmuar, duhet të të mbajë në ethe, të të nxisë të konfrontohesh me frikën mbi paditurinë, të të shtyjë të veprosh, të të japë krahë, të të lumturojë, dhe nuk duhet asnjëherë të të lërë të ndalosh së kërkuari arsyen e ekzistencës njerëzore. E nëse nuk janë 52 në vit, 26 libra të zgjedhur sigurisht që nuk do të shuajnë etjen, por mjaftojnë të mbajnë ndezur dëshirën për të gërmuar më thellë dhe na orientojnë të gjejmë rrugën drejt njohjes së vetvetes.