Zeqir Gërvalla

Lokes Nazë, nënës së Adem Demaçit dhe të gjitha nënave që patën të njëjtin fat
Frynte veriu
Acar. Furtunë…
Një nënë n’dyer t’burgut
Mbështjellë me gunë;
Priste ajo Nënë e dashur
Me një bohçe n’dorë,
Priste ajo Loke
Me nga pesë-gjashtë orë…
– Prit, Halloke, prit,
– Prit edhe pak!
E zemra e Nënës
Pikonte gjak.
Sa derë që hapej
Ajo Shqiponjë mali:
Sytë i bënte katër –
Mos po i vinte djali.
Kështu priste ajo Nënë
Nga burgu në burg:
Ag e mëngjes –
Drekë e muzg;
Prej zyre në zyrë,
Prej dere në derë:
Priste ajo Loke
Dimër e verë…
– Djali yt, Hallo,
Ka hyrë n’punë të k’qija…
Ç’i duhet atij
Bashkimi, Shqipnia?!
Rrudhte krahët Nëna.
– Unë nuk kuptoj!
Vetëm djalin tim
Dua ta shikoj.
E kam rritur e shkolluar
Me djersë e thonj,
Që t’i çeli sytë –
N’terr të mos jetojë…
I kërcënoheshin Lokes
Me grushta e fjalë,
Po zemra e Nënës –
Më shumë merrte valë:
– Edhe shtatë a tetë t’i kisha…
(I çilej Lokes goja)
Të gjithë rrugës së tij –
Prapë do t’i dërgoja.
I hynin djalit n’qeli
Ia bënin me gisht:
“T’ka ardhur Nëna për vizitë,
Të flasësh serbisht!”
Qeshej djaloshi, qeshej,
– Po si të pranoj!
Mua Nëna në djep
Vetëm shqip më mësoi.
Tërboheshin bishat,
Nënëloken e linin të presë!
Derisa një ditë Ajo
Lodhet… e vdes…
Por Nëna edhe e vdekur
Djalin e kërkon,
E ai, zinxhirët burgjeve
Ende i rrapëllon!
Bota po çuditej:
– Prej nga kjo fuqi!
O, kurrë nuk thyhej
Ai që gjakon LIRI.

(Pozharevc, burg, 1966)

***

LOKJA S’ISHTE VETËM JOTJA*

Më fal Bacë,
Të lutëm, më fal
Që shpesh herë po t’i nguci plagët
Me kujtimet e Lokes
(Por ti e di
Këtë vetëm prej mallit e kam.)
E di, Bacë
Që po t’i shprushi dhembjet e pashëruara
Po ti duhet ta dish:
Se Lokja s’ishte vetëm jotja
(Ajo ishte
Edhe imja
Edhe e Fazliut
Edhe e Hilmiut
Edhe e të gjithë neve…)
Edhe unë jam krenar, Bacë
Me Loken tënde
Loke ideale kemi pasur!
Ajo na ushqeu
e na rriti
Me bukë e dashuri!
Ajo n’rrugën e dritës na jepte fuqi…
Bacë, ti s’di a e di, a s’e di
N’këtë zemër të zhuritur se ç’kam:
Me vdekjen e Lokes
Dyfish jetim – jam.

(Pozharec, burg, 15 Mars 1968)
___
* Shënim nga Zeqir Gërvalla, në vetën e parë, në origjinal dhe i paredaktuar:
Këtë poezi e kam shkruar në burgun e Pozharevcit; pasi kemi dalur nga izolimi ( një vjeçarë, që na kishte dënuar Beogradi, për shkak të grevës pesëditëshe të urisë që e bërëm në burgun e Nishit ). E, që sa isha në izolim, Loken e dashur Nazë, e kisha parë në ëndërr… ashtu: sikur kur shkonim për vizita ne shokët e Bacës Adem (Demaçit), po ashtu… m’u paraqit edhe në ëndërr: duke hyrë në derën e oborrit të saj, asaj stazës-rrugicës së ngushtë e bukur të gjatë rreth-e-rreth me lule shumëngjyshe që i kultivonte dhe iu bënte hyzmet duke i ujitur e pastrura çdo mëngjes e mbrëmje Lokja Nazë; e në atçast ëndrre e takova me atë karrocën e dorës të mbushur plot lule të frskëta…- O mirëse t’pruni Zoti, djelëm… – më tha dhe u purqafuam si djalë e nënë; – Qe… nënës… merri do lule… Dhe, unë… duke zgjatur dorën, ashtu i gëzuar e i përmalluar… më doli gjumi…(!)… Dhe, kur këtë ëndërr ia tregova Bacës Adem, kur u takuam pas daljes nga izolimi… Ai, ashtu, siç është gjithëherë i drejtpërdrejt më tha: “ Na lashtë Zoti shëndosh, mua dhe ty, se Nëna Nazë ka ndërruar jetë…! Sikur, që të dy… ngelëm të heshtur e shtëngur për disa çaste…(!!)… e, unë, mundohesha lotët e mi për t’i përbi’… Pra, duke i dhënë gajret nëri-tjetrit: më shumë me zemër e shpirt se me fjalë… Madje, kur Bacës, përafërsisht, kur i trgova se ku e kisha parë Loken në atë ëndërr… Ai, më tha: “Vëlla Zeqir! Qysh po ma përshkruan ti… ndoshta, mu atë atë natë… paska nërruar jetë…
…. Andaj, që të mos e zgjas më shumë, se ndoshta e teprova me këto kujtim-rrëfimet e mia…( pra, kështu më lindi edhe frymëzimi që ta shkruaj këtë poezi dhembje e malli…) në atë burg të zi… të armikut satano-serb-shpirtzi… edhe më i zi…O, s’ka sa fjalë më të zezë :se sa mendimet-qëllimet dhe veprimet e të tillëve, që pamje – duken si njerëz… e në realitet janë armiq të Njerëzimit, të Mirësisë Njerëzore…!!!