Përzgjodhi, shqipëroi nga frëngjishtja dhe përgatiti për botim: Bujar Sinani
Autore: Kaliopi Naska
D’Estournelles mbetet një mik i madh i Shqipërisë, i cili përdori njohuritë e tij diplomatike dhe prestigjin ndërkombëtar për të mbrojtur një kauzë të drejtë në një kohë të vështirë. Përpjekjet e tij u njohën si nga shqiptarët, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një zë të fuqishëm për drejtësinë dhe paqen në Ballkan. Kontributi i tij ndihmoi në sigurimin e stabilitetit dhe të ardhmes së shtetit shqiptar si pjesë e familjes ndërkombëtare.
Ndër shumë francezë të mëdhenj, miq të Shqipërisë dhe mbrojtës të zjarrtë të idesë kombëtare shqiptare, qoftë në fjalimet e tyre apo përmes veprimeve të tyre, mund të përmendim shkrimtarin e shekullit të XVI, Jacques Lavardin, dhe veprën e tij “Historia e Gjergj Kastriotit”, si dhe një seri personalitetesh të tjera si Buissières, Degrand, La Roche, Gibert, Boucart, Pouqueville, Bellaire, Lamartine, Bue, Rey, Godard. Këtyre emrave u shtohet edhe ai i senatorit Paul d’Estournelles de Constant.
Emri i tij është I lidhur ngushtë me një epokë historike të kombit shqiptar, atë të periudhës midis dy luftërave botërore, plot trazira, kërcënime dhe vështirësi për ndërtimin e një Shqipërie “të lënë në mëshirë të fatit, të lirë dhe të pavarur”. Ai e ndoqi nga afër zhvillimin e ngjarjeve në këtë vend të vogël të Ballkanit, historia e të cilit kishte tërhequr vëmendjen e personaliteteve perëndimore, midis të cilëve disa francezë që ishin miq të tij të afërt, si Justin Godard. Ata ngritën zërin për të dëshmuar se Shqipëria e vitit 1913 nuk ishte e plotë, se territoret e lëna jashtë kufijve të saj ishin thjesht shqiptare dhe se Shqipëria mund të jepte dëshmitë e nevojshme për europianitetin e saj.
Janë të rrallë personalitetet e përmasave të Paul d’Estournelles që kanë ndihmuar Shqipërinë dhe, për më tepër, e kanë mbrojtur atë në arenën ndërkombëtare. Paul Henri Benjamin Balluet d’Estournelles de Constant de Rebecque ishte një diplomat dhe politikan me prestigj ndërkombëtar, i shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe. I zgjedhur senator i departamentit Sarthe në vitin 1904, ai e mbajti këtë post për njëzet vjet, deri në vdekjen e tij më 15 maj 1924.
Ai ia kushtoi gjithë jetën dhe veprën e tij paqes botërore, si përfaqësues i delegacionit francez në Kongresin e Parë dhe të Dytë të Hagës, ku u vendos për herë të parë një sistem arbitrazhi ndërkombëtar, si dhe si anëtar i Gjykatës së Lartë të Hagës. Në Senat, ai drejtoi një grup parlamentar të përbërë nga anëtarë të pavarur të partive politike, të cilët punonin për përparimin e arbitrazhit ndërkombëtar. Pjesëmarrja e tij në projekte politike afatgjata lidhur me problemet europiane ishte padyshim në frymën e një bashkëpunimi europian. Në detyrën e tij si kryetar i qendrës europiane të ekipit Carnegie për Paqe Ndërkombëtare, ai ishte një njohës i shkëlqyer i Ballkanit. Ai u dërgua për herë të parë në mision diplomatik në këtë rajon në vitin 1876, dhe më pas në Mal të Zi për gjashtë vjet.
Duke iu referuar vizitës së tij të parë në Shkodër në vitin 1879, në cilësinë e sekretarit të Komisionit për Vendosjen e Kufijve të Shqipërisë së Veriut, ai vuri në dukje se “çështja shqiptare ishte më e vështirë” në atë kohë kur vendi nuk gëzonte asnjë mbështetje ndërkombëtare. Situata padyshim ishte ndryshe në vitin 1920, pasi ekzistonte një shtet i konsoliduar, një qeveri dhe një përfaqësues që merrte pjesë në konferenca dhe kongrese, si dhe një sërë mbështetësish dhe simpatizuesish të Shqipërisë.
Në një fjalim të mbajtur më 30 prill 1920, para asamblesë së Unionit të të Drejtave të Njeriut, mbajtur në sallën e Shoqatës së Gjeografëve dhe drejtuar prej tij dhe Prof. Émile Kahn, d’Estournelles de Constant deklaroi se në Shkodër kishte takuar një popullsi të hapur, mikpritëse dhe natyrisht të ndershme. “Atje kam bërë një udhëtim pasurues duke filluar nga brigjet e Adriatikut deri në Vardar, Shkup dhe hekurudhën e Selanikut.”
Të dyja fjalimet e mbajtura para kësaj shoqate u botuan në librin Shqipëria dhe paqja e Europës (1920). Këto vizita i kishin mundësuar atij të kishte një ide të qartë për territoret shqiptare, për popullsinë e tyre dhe për cilësitë e banorëve. Në vitin 1912, ai kishte mundësinë të njihej mirë me gadishullin Ballkanik gjatë një misioni në të cilin kishte vizituar Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë, por jo Shqipërinë, e cila ndodhej ende nën pushtimin osman. Njohja e gjuhëve orientale i kishte lehtësuar njohuritë mbi historinë e Shqipërisë gjatë pushtimit osman, peripecitë e saj, rezistencën heroike deri në shpalljen e pavarësisë dhe më pas ndjekjen e konsolidimit dhe njohjes së shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
D’Estournelles mbrojti çështjen shqiptare veçanërisht në fund të Luftës së Parë Botërore, kur Fuqitë e Mëdha Aleate fitimtare dhe shtetet fqinje të Shqipërisë u përpoqën të rishikonin vendimet e vitit 1913, qoftë për të vendosur në Shqipëri një formë varësie juridike ndërkombëtare (mandat ose protektorat), qoftë për të vazhduar copëtimin e kufijve të saj. Një situatë e tillë do të kishte sjellë zhdukjen e plotë të Shqipërisë nga harta politike e Ballkanit.
Kjo ndërhyrje reflektonte qartë mendimin dhe simpatitë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët. Duke analizuar vështirësitë politike të vendit, ai deklaronte se:
“Shqipëria na bën të mendojmë për një vend të braktisur nga qytetërimi, por të privilegjuar nga natyra. […] Të huajt e urrejnë sepse duan ta pushtojnë.”
D’Estournelles de Constant shprehte qartë interesat e Fuqive të Mëdha lidhur me territoret shqiptare të pushtuara:
“Ajo zë në veri territoret mes Austrisë dhe Serbisë; në lindje, është fqinje me bullgarët; në perëndim me italianët; në jug me grekët. Të gjithë ata duan ta përpijnë duke përfituar nga fakti që shqiptarët janë të ndarë në tri besime fetare.”
Por ai theksonte:
“Megjithatë, shqiptarët janë mbi të gjitha patriotë, ata duan të gjithë pavarësinë e tyre, ashtu si çdo komb tjetër. Ata e duan atdheun e tyre më shumë se çdo fe, ata janë sakrifikuar për atdheun e tyre, ata kanë dëbuar të huajt.”
Ai vlerësonte cilësitë e shqiptarëve, krenarë për historinë, traditat dhe gjuhën e tyre, duke i konsideruar këto si elemente që dëshmojnë ekzistencën e tyre si një popull. Ai kundërshtonte politikën e pushtimit të territoreve shqiptare duke thënë:
“Ata duan ta zhdukin këtë popull, por gabojnë. Nuk do t’ia dalin, sepse shqiptarët janë një popull që ka mbijetuar gjatë historisë.”
Duke analizuar sjelljen e fuqive ndaj Shqipërisë, d’Estournelles nuk i linte në heshtje marrëdhëniet franko-shqiptare, gjë që ishte krejtësisht e natyrshme. Si parlamentar francez, politikan dhe diplomat, ai kishte një njohje të thellë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe interesave politike të Fuqive të Mëdha në Ballkan. Ai kishte kontakte me miq që vlerësonin shqiptarët dhe njihte gjithashtu shumë udhëtarë francezë që kishin udhëtuar nëpër Shqipëri nga veriu në jug. Ai shprehej me këto fjalë:
“Shqiptarët e duan shumë Francën, ata e duan aq sa atdheun e tyre. Fuqitë e Mëdha e kanë lënë Shqipërinë në fatin e saj, osmanët nuk kanë bërë asgjë për të ardhmen e saj, por francezët, përkundrazi, nuk kanë treguar kurrë dinakëri ndaj shqiptarëve; ata gjithmonë i kanë respektuar dhe dashur popujt, përfshirë shqiptarët.”
Ai besonte se kjo nuk do të mjaftonte për shqiptarët, porse duhej që qeveria franceze të angazhohej më shumë. Sipas tij, Franca duhej të bënte më shumë, sepse “Shqipëria do të ishte sot si Zvicra, një vend i lirë dhe i pasur; nëse do të kishte përfituar ndihmë, ajo do të kishte përparuar me hapa të mëdhenj.” Në vend që ta paralizonte, Franca mund të ndihmonte në zhvillimin e saj. Kjo ide u zhvillua në fjalimin e tij më 20 korrik 1920, ku ai bëri thirrje që qeveria franceze të mbronte popujt e vegjël, sepse, sipas tij, “kjo është në interes të njerëzimit dhe të qeverisë sonë; kemi provuar që Shqipëria nuk ka tentuar të zgjerohet në dëm të fqinjëve të saj; përkundrazi, janë ata që kanë vepruar në këtë mënyrë.”
Mbështetja e d’Estournelles ishte e sinqertë, e vendosur dhe e guximshme, duke buruar nga karakteri i drejtë i çështjes shqiptare. Lufta e tij për paqen në Ballkan dhe kundër politikës së padrejtë të Fuqive të Mëdha, siç u manifestua gjatë përcaktimit të kufijve të Shqipërisë, si dhe konstatimet për padrejtësitë që kishte bërë gjatë rinisë së tij, e shtynë atë të shprehej:
“Jam borxhli ndaj Shqipërisë dhe do t’ia kthej këtë borxh të rinisë sime. Gjithmonë kam besuar se detyra ime është të shërbej drejtësinë dhe të luftoj shtypjen. Shqiptarët ishin të shtypur dhe për këtë arsye duhej bërë gjithçka. Vetëm të dobëtit dhe të paturpshmit mund ta braktisin atë.”
Para Lidhjes së Kombeve, ai deklaroi se ky popull duhej ndihmuar, duke marrë shembull admirimin e tij të thellë për Shqipërinë. Ai propozoi masa për zhvillimin e saj, duke inkurajuar ndërtimin e hekurudhave, ngritjen e një rrjeti komunikimesh telegrafike dhe telefonike, hapjen e shkollave, muzeve, teatrove, kinemave, laboratorëve, etj. Shqipëria, sipas tij, do të shndërrohej në një vend të gjallë dhe njerëzor, të ngjashëm me banorët e saj. Fjalimi i tij ishte i denjë për një njeri të ndriçuar të paqes.
Ai mbështeti Shqipërinë dhe u përpoq të krijonte kontakte me institucionet në Gjenevë, të cilat ai i konsideronte si një domosdoshmëri në momentet e vështira që po kalonte vendi. Kjo ndodhi në kohën kur Konferenca e Ambasadorëve në Paris kishte rikonfirmuar vendimet ndërkombëtare për krijimin e shtetit shqiptar. Falë përvojës së tij si diplomat, d’Estournelles e dinte shumë mirë se zëri i Shqipërisë nuk mund të dëgjohej me kujdesin e duhur veçse në kuadrin dhe atmosferën e Asamblesë së Gjenevës. Kërkesa e Shqipërisë ishte të pranohej mes kombeve të qytetëruara. Ajo do të përballej natyrshëm me armiqtë e saj, por do të gjente edhe miq të drejtësisë, ata miq të vërtetë që e kishin mbështetur me solemnitetin e duhur të përfaqësuesve të paqes dhe drejtësisë.
Konsiderata e tij për Shqipërinë ishte e palëkundur:
“Shqiptarët janë një popull që ka mbijetuar gjatë shekujve. Ata meritojnë të jetojnë si një shtet i lirë dhe i pavarur.”
Në periudhën midis shtatorit dhe dhjetorit të vitit 1920, pak para pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, d’Estournelles zhvilloi një aktivitet diplomatik dhe politik intensiv në shërbim të çështjes shqiptare. Ai loboi për njohjen e qeverisë së saj pas Luftës së Parë Botërore dhe mbrojtjen e kufijve të saj të përcaktuar në vitet 1913-1914. Ai ishte i bindur se Shqipëria i plotësonte të gjitha kushtet për t’u konsideruar si shtet de jure dhe de facto.
Pas përfundimit të luftës së Vlorës (qershor-korrik 1920), ndërhyrja ushtarake jugosllave – kërcënimi kryesor për sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë – përbënte sfidën më të madhe për qeverinë shqiptare. Qeveria jugosllave nuk kishte pranuar të tërhiqte forcat e saj nga territoret shqiptare të pushtuara, pavarësisht deklaratave të saj të mëparshme. D’Estournelles protestoi kundër këtyre veprimeve dhe i bëri thirrje qeverisë serbe të tërhiqte forcat e saj për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Me mbështetjen e tij të palëkundur, ai vazhdimisht nënvizonte se Shqipëria nuk ishte një “territor i braktisur” dhe se populli shqiptar kishte të drejtën të jetonte në liri dhe prosperitet.
Në dhjetor të vitit 1920, pas një fushate diplomatike dhe përpjekjesh intensive nga qeveria shqiptare dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor 1920. Ky pranim ishte një moment historik, pasi konfirmoi njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar dhe të qeverisë së tij si një shtet i pavarur dhe sovran.
D’Estournelles ishte një nga të parët që përgëzoi delegacionin shqiptar për këtë arritje dhe dërgoi një mesazh mbështetjeje:
“Jam shumë i lumtur për këtë sukses. Shqipëria sapo ka lindur. Tani duhet të jetojë dhe të shndërrohet në një model qeverisjeje dhe administrimi.”
Pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, d’Estournelles de Constant vazhdoi të mbronte interesat e saj, duke u përqendruar kryesisht në garantimin e kufijve të saj dhe duke sensibilizuar fuqitë e Antantës për çështjen shqiptare. Ai gjithashtu përfitoi nga ndikimi i tij në shtypin francez për të mbështetur Shqipërinë. Një letër e tij e botuar në gazetën Le Matin, me titull “Mbrojtja e Shqipërisë”, lavdëronte politikën e drejtë dhe të matur të mikut të tij Justin Godard për të mbrojtur Shqipërinë. Në këtë letër, ai theksonte rëndësinë e shpalljes së qartë se Shqipëria nuk ishte më një “mall i destinuar për t’u negociuar në altarin e politikës” dhe shtonte:
“Lidhja e Kombeve nuk ka të drejtë të përmbushë dëshirat e atyre që duan ta shohin Shqipërinë të braktisur, sepse nëse ata e braktisin popullin shqiptar, ata do të tradhtojnë misionin e tyre.”
D’Estournelles bëri thirrje që Lidhja e Kombeve të mbetej e kujdesshme dhe të mos tregonte arbitraritet në vendimet e saj. Ai përkujtoi gjithashtu se Franca nuk duhej të lejonte shkeljen e të drejtave të Shqipërisë.
Ai iu drejtua edhe Presidentit të Këshillit, Aristide Briand, duke kërkuar që “lidhja e thellë e Shqipërisë me Francën dhe paqen të mos mbetet më gjatë e paralizuar dhe të mos konsiderohet si një dobësi, por si një forcë.” Ai theksoi se Franca nuk duhet të jetë një nga shtetet e fundit që njeh pavarësinë e një populli që e shihte atë si një nga aleatët e saj më të përkushtuar.
Më 8 qershor 1921, d’Estournelles mori një përgjigje nga qeveria franceze, e cila pohonte:
“Kam nderin t’ju informoj se pavarësia e shtetit shqiptar, e krijuar në vitin 1913 në Konferencën e Londrës dhe e pranuar së fundmi në Lidhjen e Kombeve, nuk vihet në dyshim nga qeveria franceze.”
Në një letër të dërguar më 18 maj 1921 drejtuar Iliaz Vrionit, ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, d’Estournelles shprehu mirënjohjen për mikpritjen e popullit shqiptar ndaj Justin Godard dhe premtoi se do të vazhdonte të mbronte Shqipërinë në të ardhmen:
“Unë do të përpiqem që Shqipëria të arrijë më shumë nga sa shpreson: pavarësinë, paqen, zhvillimin dhe unitetin, të cilat ajo i meriton pas vuajtjeve të saj të gjata dhe pas rezistencës së saj të palodhur ndër shekuj.”
Ai punoi deri në fund të jetës së tij për të promovuar imazhin e Shqipërisë si një shtet modern dhe për të siguruar njohjen e saj nga Fuqitë e Mëdha. Si një njeri i ndriçuar, ai nuk pushoi së mbrojturi këtë vend, pavarësinë e tij dhe të drejtën e tij për ekzistencë. Ai përdori aftësitë e tij diplomatike për të zgjidhur çështjet e ndërlikuara kufitare dhe për të kundërshtuar pretendimet e padrejta ndaj territorit shqiptar.
Në shenjë respekti për veprën e tij të jashtëzakonshme, Parlamenti shqiptar i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes së tij pas vdekjes, më 15 maj 1924, duke e cilësuar atë si një “mbrojtës të drejtësisë shqiptare.” Në vitin 1925, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë nisi një nismë për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e një statuje në Paris, dedikuar kujtimit të tij si një kampion të paqes dhe drejtësisë.
Artikulli origjinal në frëngjisht ndodhet në lidhjen këtu.