Valdeta Dulahi

 

 

Prindi femër

T’kanë thënë se vdekja ka hijen e tokës.

Krenare për t’marrë atë që i takon,

atë që në fillim ishte e saj:

mish, asht, kurumti.*

 

S’t’kanë thënë se ajo ka fytyrën e trishtë

të nënës, kur lindi sojin e saj?

Sytë e nënës kur e mëshironin se s’lindi djalë?

 

“Do të bëhesh nanë e do të bëhesh zanë.”*

E ti duhet ta kesh dëgjuar këtë pa ta pre kërthizën.

Sinonim i vdekjes së gjallë.

Nanë e zanë.

Zanë e nanë.

 

E ke pa vdekjen në fytyrën e saj

teksa ulet e s’di kah t’ia nisë,

gishtat kërcet,

qetë – qetë me të thënë se nderi ka çmimin e një njolle çarçafi.

E ke pa vdekjen në shpinën e nënës që ngrihet mburojë.

Ka qenë aty n’zemrën e plasur t’saj,

që s’bënte zë.

 

Vdekjen e ke pa n’lotët e saj atë ditë nuse,

kur t’shihte se të ka dhuruar vdekje.

E ke pa vdekjen n’krahët e nënës

që zapton male për fëmijën e saj.

 

T’kanë thënë se vdekja ka hijen e tokës.

Po s’t’kanë thënë se ajo ka fytyrën e nënës,

fytyra e gjallë e vdekjes.

 

*kurumti : fjalë që përdoret për organet vitale.

* Do të bëhesh nanë e do të bëhesh zanë: është urim që përdoret në malësinë e Sharrit për nënat e reja.

 

 

Mal dhimbjesh 

Shkallëve të çardakut t’vjetër

kërcëllima trazon shtëpinë.

Hapa më të plakur se vetë ajo

ardhur për të shkundur jetën

aty ku e kishin ngarkuar.

 

Lëshonte këmbët ngadalë mbi dërrasë.

N’maje t’gishtave ngrihej

për qysheraftin ishte e vogël prapë.

Prapë ishte nalt peri ku varnin mishin për t’u tharë.

Mangalli n’mes votrës e hije burrash përreth,

tutej ende nga vetullat e vranta t’tyre:

“fjala matet para se të thuhet.”

N’shtëpinë e zjarrit erëmimi i kumbullave të ziera

endej si fantazmë.

Veç çaraniku i rrinte tamam.

 

Rëndë, rëndë i peshonin hapat.

Dhe era e mollëve të rëna trezonte më shumë kujtime,

e hija e plepit si shtatore qëndrese

i bëhej mal dhimbjesh,

që zemrën ia zaptonte.

 

 

Tundim

Në botën e shpirtrave

njeriu u bë qenie e pangopur,

mori hise me tepër seç i takonte.

Pastaj, zotat krijuan botë paralele

ku njeriu do të shihte veten,

do të adhuronte zotat.

Kështu ai do të ëndërronte përjetësinë,

do të ishte i vdekshëm

dhe zotat do ta ndanin parajsën mes vete.

 

Valdeta Dulahi është poete e re nga Tetova. Studioi për Gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tetovës, ndërkaq është pedagoge e Gjuhës dhe letërsisë në Shkollën e Mesme të Tekstilit në Tetovë. E lindur në Malësinë e Tetovës, poezitë e saj përshkohen nga motivet dhe tradita jonë e lashtë.