Kushtrim Bekteshi

 

Ngjarjet e fundit në Turqi, përveç se shkaktuan debate e komente të pafundme, shumica pa sens logjik, nxorën në pah edhe tendencat e ‘intelektualëve mercenarë’ të instaluar në shoqërinë tonë, detyra primare e të cilëve ka qenë dhe është, që sa herë që t’iu jepet rasti, të krijojnë ndasi e të shkaktojnë konflikte ndërshqiptare.

Tezat e sajuara për ekzistimin e fobisë ndaj islamit te shoqëria shqiptare, e së fundmi edhe fobisë ndaj kombit turk, nuk janë gjë tjetër pos manipulime të radhës që këta mercenarë e kanë për detyrë ta servojnë për debat dhe ta aktualizojnë ditë për ditë nëpër mediat e shkruara dhe elektronike. Gjithsesi, nuk mund t’u mohohet suksesi që kanë arritur në jetësimin e kësaj agjende, dhe fajin për këtë e kemi të gjithë ne që kemi lejuar të kapemi në kurthin e këtij debati të imponuar, që nuk po arrijmë dot ta çrrënjosim e ta shuajmë.  Ishim shumë më mirë pa këto debate që vetëm ndasi krijojnë e kurrfarë dobie nuk sjellin. Ishim shumë më të përqëndruar në prioritetet tona si shoqëri, si komb dhe sigurisht shumë më të relaksuar, më paqësorë dhe më të drejtorientuar në përcaktimin fetar, cilido qoftë ai. E tani, kemi lejuar që të katandisemi si mos më keq.

Besoj të gjithë i kemi ndjekur komentet, statuset, opinionet, debatet agresive për religjionin që po zhvillohen tash e sa kohë dhe që janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Por, sa nga komentuesit, opinion-bërësit, gazetarët e status-shkruesit nëpër rrjetet sociale ndalen pak për ta analizuar zanafillën e debatit religjioz te ne?! Kush po e imponon këtë debat dhe kush po përfiton nga ky debat? A e kujton ndonjëri prej jush, se a kanë ekzistuar këto debate ndërmjet shqiptarëve jo me larg se para çlirimit të Kosovës? Unë me sa e kujtoj: NUK KANË EKZISTUAR FARE! Përkundrazi, për religjionet as që është debatuar, sepse në shoqërinë shqiptare gjithmonë çështja e besimit është trajtuar si e drejtë e pakontestueshme. Përveç kësaj, çfarë është edhe më e rëndësishme, përkatësia kombëtare asnjëherë nuk është ngatërruar me religjionin nga vetë fakti se kombi dhe religjioni përfaqësojnë dy çështje të ndryshme: e para është kolektive dhe e dyta është individuale, dhe duke qenë të tilla, nuk varen e as nuk rrezikohen nga njëra-tjetra. Ashtu është edhe sot dhe kështu do të mbetet çdoherë, pavarësisht asaj që çdo ditë e më shumë ‘intelektualët mercenarë’ po ngacmojnë ndjenjat e njerëzve dhe po përpiqen me ngulm që t’i bindin disa shqiptarë të konfesionit islam se qarqe të ndryshme islamofobe duan t’ua cenojnë lirinë e besimit, se duan t’i zhdukin nga faqja e dheut, e prandaj shqiptari mysliman i devotshëm duhet t’ia dëshmojë besimin Zotit duke përqafuar ekstremizmin e fanatizmin fetar që ta mbrojë fenë dhe nderin e familjes.

Të gjitha këto deklarata e fakte të kamufluara që na servojnë këta mercenarë janë gjepura, po ja që shumë njerëz po bien pre e kësaj propagande konflikt-nxitëse. Prandaj, secili nga ne, para se te bëhet pjesë e këtyre debateve, duhet ta pyesë veten kujt i shkon për shtati ky debat religjioz ndërshqipar? Përgjigjen e gjeni tek pyetja: kush janë kundërshtarët e përbetuar të mirëqenies së shqiptarëve në Ballkan, e në historinë tonë më të re – kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës dhe të drejtave kolektive të shqiptarëve të trojeve? Duke e gjetur këtë përgjigje (që besoj se secili e di), do ta kuptoni lehtë edhe kush janë nxitësit, sponsoruesit dhe mbështetësit e ‘intelektualëve mercenarë’ që na mbijnë si bar i keq në çdo sistem e epokë. Ndryshojnë kapelat e ngjyrat si kameleonë dhe duan të na fusin vazhdimisht në vorbullat e debateve të turbullta, me të vetmin qëllim, krijimin e konflikteve dhe ndasive ndërshqiptare dhe devijimin e shqiptarëve nga orientimi i tyre i natyrshëm pro-europian. Të jesh pro-europian nuk do të thotë se do ta humbasësh të drejtën dhe lirinë e besimit, përkundrazi, është garanci dhe forcim i asaj të drejte dhe lirie. Të jesh kundër ekstremizmit fetar nuk do të thotë se ke fobi ndaj fesë, përkundrazi dëshmon se je kundër keqinterpretimeve dhe keqpërdorimit të fesë për qëllime të pista. Të jesh kundër ideologjisë neo-otomane ku islami shfrytëzohet për arritjen e qëllimeve politike (i ashtuquajturi islam politik), nuk do të thotë se je kundër kombit turk.

Tani, pas ngjarjeve të fundit në Turqi, sikur nuk na mjaftoi rënia në kurthin e debatit religjioz, por lejuam të katandisemi edhe në debate pro e kontra erdoganiste, në etiketime turkofile e turkofobe. Duke shfletuar portalet e faqet e gazetave të ndryshme, hasa në etiketime të tilla edhe në shkrim-komentet e Kim Mehmetit. Sapo lexova komentet e tij për ngjarjet e fundit në Turqi, sesi  më erdhi sikur dëgjova një tingull meteliku që hidhet në një xhep dhe bën ‘crrring’, tingull i ftohtë i një lire ari 24 karatëshe që i mbanin nuset dikur e që  besoj se edhe sot ende shiten nëpër dyqanet e Stambollit. E tani, pse na e nxori kokën Kimi Mehmeti në këtë debat pro e kontra erdoganist? Siç nuk e kujtoj të kenë ekzistuar debatet fetare te shqiptarët para çlirimit të Kosovës, ashtu edhe nuk e kujtoj që Kim Mehmeti para dhe pas shpërbërjes së federatës jugosllave të jetë shquar ndonjëherë për ndonjë veprimtari patriotike. Po me që ne shqiptarët harrojmë shpejt, përveç tij mund edhe dikush tjetër të bëj bé e rrufe se ai gjithmonë ka qenë patriot. Mund të gabohem, ndoshta edhe ka qenë pak patriot, anipse nuk iu dëgjua asnjëherë zëri i protestës në periudhat më të zymta për shqiptarët e Maqedonisë pas shkëputjes nga ish federata jugosllave, kur pushteti policor i Gligorovit dhe Cërvenkovskit diskriminonte, rrihte, burgoste e vriste shqiptarë për çdo ditë. Ndoshta po t’i kishte Kimi portalet që i kontrollon sot, do ta kishte ngritur zërin!!! Ndoshta!!! Po, nejse. Nëse nuk ka qenë fare patriot më parë, mund edhe t’i falet, meqë u bë patriot i madh pas konfliktit të 2001- shit në Maqedoni, atëherë kur gati sa nuk e bëri tatuazh emblemën e UÇK-së e sa nuk i çjerri kordat e zërit duke folur në superlativ për Ali Ahmeti-n. Po çfarë ndodhi pastaj me dashurinë që shprehte ndaj Abaz Xhukës?! Pse pas disa vitesh doli publikisht e i kërkoi gjithë shqiptarisë falje që i kishte thurrur lavde Ali Ahmeti-t, e ai e paska zhgënjyer thellë?! A e kishte zhgënjyer thellë Aliu sepse e kishte lënë duarthatë, apo e kishte zhgënjyer thellë sepse e kishte tradhtuar idealin kombëtar me aktin e këputjes se lidhjeve të pushtetit me LSDM-në e Cërvenkovski-t?! Cila është e vërteta, mbetet të shihet!

Që Kim Mehmeti ka qenë “druzhe Kim”, e pastaj koha ia imponoi të quhet “zotëri Kim”, për këtë ai s’ka faj, ndryshimi i sistemeve ia imponoi. Por që Kimi do të na bëhet edhe “efendi Kim”, kush do ta kishte parashikuar?! Kush, pashë perendinë, do ta besonte që Kimi na paska qenë mysliman i devotshëm dhe mbrojtës i të gjithë myslimanëve shqiptarë nga islamofobët botërorë e shqiptarë. Si ka arritur për aq shumë vite ky martir i heshtur ta mbajë e ta ruajë përbrenda me kaq fanatizëm këtë dashuri për Zotin dhe islamin dhe ta shfaqë mu tani në kohën dhe momentin e duhur historik, kur islami nuk na paska qenë kurrë më i rrezikuar nga islamofobët shqiptarë, që shkojnë aq larg sa marrin guximin edhe të komentojnë e të kritikojnë veprimet e Erdoganit. “Kanë sharë baba sulltanin, HEEEJ” – sikur dëgjoj  klithjet e Kim Efendi Mehmetit drejtuar militantëve fanatikë, e mëpastaj lëshon alarmin “përgatisni turrën e drurëve e t’i djegim heretikët e kombit”. Duke analizuar devotshmërinë e tij ndaj Zotit, ndoshta erdha në një konkluzion të saktë: me siguri këtë dashuri për Zotin e ka ruajtur në heshtje me dekada, njëlloj siç e ka ruajtur në heshtje me dekada edhe patriotizmin që e ka shfaqur pikërisht në kohën kur kombi ka pasur më së shumti nevojë për të. Vërtet të ngazëllehesh nga martirizimi i këtij shpirti të vuajtur ndër dekada për komb e për fé. Pirolla të qoftë o Kim Efendi Mehmeti! Po të thellë e të fortë i paske pasur ata xhepa durimtarë, që në karrierën tënde prej “intelektuali të pavarur” u torturuan me dinarë e denarë, euro e dollarë, e tani edhe me lirat e Turqisë! Çudi si po të durojnë ende e nuk po të shqyhen ato xhepa!

Për ju  që nuk i keni lexuar shkrim- komentet e Kim Mehmetit, ja një shkëputje citatesh: “Disa qendra me ndikim të madh opinionbërës në “Shqipëritë” tona, e veçanërisht në Kosovë, mbetën në duart e antifetarëve, të cilët vazhdojnë që – njësoj si në socializëm, kur çdo gjë e kontrollonin qarqet antishqiptare ideologjike sllave – patriotizmin shqiptar ta ndërtojnë mbi parimet antifetare, e kryesisht mbi ato antiislame! ”, dhe në një shkrim tjetër: “…të jesh i vetëdijshëm se po ua hoqe antiturqizmin dhe antiislamizmin, ata nuk do mundë ta sigurojnë as bukën e gojës, e le më të bëjnë karrierë politike, apo të shkruajnë analiza politike dhe të dalin në debate televizive!” E unë tani po pyes: çka do të mbetet nga Kim Mehmeti po ia hoqe mercenarizmin? Kur hajni akuzon për hajni, tradhtari për tradhti, komunisti për komunizëm, e mercenari për mercenarizëm, s’ka ku të shkojë më keq. Pirolla të qoftë o Kim Efendi Mehmeti!

Kim Efendi Mehmeti nuk po ndalet në ofenzivën e tij “patriotike”, po i fryen me të madhe zjarrit të debatit religjioz, po e etiketon si islamofob e turkofob çdo shqiptar që nuk pranon ta përziejë e ta shkrijë traditën shqiptare me ndonjë traditë të huaj, po luan me të madhe me ndjenjat e sinqerta të atyre që vërtet besojnë në Zot e fatkeqësisht bien në grackën e manipulimit të tij. Me shkrimet e tij po i jep kurajo rritjes së ekstremizmit fetar dhe po e favorizon me të madhe instalimin e islamit politik në shoqërinë shqiptare. E deri ku dëshiron të arrijë me këtë ofenzivë jeniçere kundër fortifikatave të kombit të vet, këtë do ta tregojë koha. Por që është duke i fryrë me të madhe zjarrit, po i fryen e s’po ndalet asnjë ditë. Por, thotë urtësia popullore: “kush i fryen zjarrit, digjet vetë në të”!