Intervistë me Albulena Halili-n

 

  • Referendumi nuk kaloi me sukses për shkak të pjesëmarrjes së ulët. Votuesit shqiptarë ishin më aktivë, por edhe ata nuk e arritën nivelin e pritur. Pse, sipas Jush, referendumi dështoi?

Halili: Rëndom krijimi i shteteve-kombe moderne si forma më të përhapura të organizimit shtetëror është rezultat i një procesi historik e sociologjik që ndodh si nevojë e një grupi njerëzish për vetë-identifikim kolektiv, që kanë një të kaluar, gjuhë dhe identitet kombëtar e kulturor të përbashkët, që ndajnë vlera të përbashkëta e që kanë shprehur vullnetin e përbashkët për të jetuar së bashku. “Një komb është një shpirt, një parim shpirtëror”, shkruante Ernest Renan në ligjëratën me titull “Qu’est-ce qu’une nation?” të mbajtur në vitin 1882, “momentet e lavdishme të përbashkëta në të kaluarën dhe vullnetin e përbashkët në të tashmen”. Me gjithë synimet për ekzistencën e një kombi maqedonas, krijimi i një shteti si Maqedonia nuk përfaqëson asgjë të tillë. Maqedonia u krijua si shtet nga Tito, për shkak të nevojës gjeopolitike të kohës për të ekzistuar, u shkëput nga ish-Jugosllavia aq lehtësisht, pa vullnetin e shqiptarëve për të jetuar së bashku në një shtet me maqedonasit dhe është po kjo raison d’être që e mban Maqedoninë akoma gjallë si shtet.

Në drejtësi, ekziston një parim që njihet si e keqja e domosdoshme. Qëndrimi i Maqedonisë jashtë NATO-s rrezikon edhe vetë Konceptin strategjik të NATO-s për stabilizimin dhe sigurinë e Ballkanit. Një Maqedoni jashtë strukturave euro-atlantike, nga njëra anë do të jetë një burim mosmarrëveshjesh mes shteteve të Ballkanit dhe nga ana tjetër një tokë e pëlleshme për shtrirjen e ndikimeve ruse, kineze e turke.

Kështu, NATO është e interesuar që Maqedonia të jetë pjesë e saj, por kjo nuk është e vërtetë për Maqedoninë. Pengesë në mos anëtarësimin e Maqedonisë në NATO nuk ka qenë vetëm çështja bilaterale me Greqinë për emrin. Mes maqedonasve gjithnjë ka qenë i pranishëm dhe akoma është një refuzim i tyre sidomos për NATO-n. Dhe këtu nuk përjashtoj politikisht asnjë bllok politik maqedonas. Protesta të mëdha kundër NATO-s u organizuan në shumë qytete të Maqedonisë gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë në vitin 1999. Madje ajo që habit është se protestat e mbajtura në Shkup kundër NATO-s, në gjashtëdhjetë vjetorin e themelimit të saj, janë organizuar pikërisht nga disa prej tyre të cilët dje protestonin kundër regjimit të VMRO-së, ndërkaq sot ndodhen janë pjesë e ekzekutivit e në krye të fushatës për hyrje në NATO.

Nuk ka ekzistuar nevoja që shqiptarët të binden për perspektivën e tyre euro-atlantike. Ata gjithmonë e kanë dashur këtë. Madje, shqiptarët janë të vetmit ndër popujt ballkanikë, të cilët pa marrë parasysh në cilin shtet jetojnë, pa vullnetin e tyre, kanë qenë të palëkundur në aspiratën për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Interesi euro-atlantik i shqiptarëve vjen natyrshëm edhe për shkak të pranisë së Shqipërisë në NATO dhe pranisë së NATO-s në Kosovë. Rreshtimi gjeopolitik i pavullnetshëm i shqiptarëve në Maqedoni me aleanca apo fuqi të tjera në kundërshtim me Aleancën Veri-Atlantike, për shqiptarët ka qenë dhe mbetet gjithmonë i papranueshëm dhe shkak vendimtar për kërkim të alternativave të tjera në vend të status-quo-së.

 

  • Kuvendi i Republikës së Maqedonisë javën e kaluar votoi me 2/3 e votave hapjen e procesit për ndryshimet kushtetuese në bazë të Marrëveshjes së Prespës. Pas dështimit të referendumit shumë njerëz qenë skeptikë lidhur me këtë votim. Çka ndodhi sipas jush?

Halili: Vetë rezultati negativ i referendumit, i cili përfaqëson shprehjen e vullnetit të popullit për një çështje, çonte logjikisht në një pritje të tillë. Megjithatë deputetët janë përfaqësuesit e po atij populli. Ndaj gjithnjë e më shumë u shtua retorika për një krizë të re politike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Duhet të kemi parasysh edhe një gjë tjetër kur bëhet fjalë për Maqedoninë. Proceset thelbësore në Maqedoni tradicionalisht janë karakterizuar nga parimi i legalitetit, por kurrë nga ai i legjitimitetit. Ky është një nga problemet ontologjike të Maqedonisë. Vetë ekzistenca e Maqedonisë është një koncept realpolitik ku qëllimi arsyeton mjetet. Mjedisi rajonal gjeopolitik vetëm sa i ndihmon këtij koncepti. Në prizmin e këtij koncepti u pa edhe oferta e kryeministrit Zaev për faljen e akteve terroriste të 27 prillit brenda Kuvendit të Maqedonisë, ofertë kjo e cila vetëm sa do ta shtojë jolegjitimitetin e këtij procesi dhe mosbesimin e qytetarëve në sundimin e shtetit ligjor dhe drejtësinë e barazinë e tyre para ligjit. Andaj i konsideroj si mjaft të qëlluara deklaratat e fundit të njerëzve me peshë në hapësirën shqiptare, se një veprim i tillë do të hapë rrugën për kërkesa legjitime për amnisti për shqiptarët e dënuar në të gjitha proceset e montuara kundër tyre që nga pavarësimi i këtij shteti.

 

  • Çka mendoni lidhur me mbështetjen e ndryshimeve të Kushtetutës nga deputetët e partive shqiptare? Dhe si mendoni, a mund t’i zgjerojnë të drejtat e tyre kushtetuese shqiptarët e Maqedonisë tani që po hapet mundësia për ndryshim të kushtetutës?

Halili: Dilemat lidhur me mbështetjen për hyrjen e Maqedonisë në NATO kanë ekzistuar për maqedonasit, respektivisht në masë të madhe për opozitën maqedonase, madje pa përjashtuar këtu as përfaqësues të pozitës dhe qarqe të tjera të elitës maqedonase, e jo për shqiptarët. Përkundrazi, në rrugëtimin e tyre drejt NATO-s shqiptarët ndihen të mbetur peng të problemeve të këtij shteti dhe një pjese të popullit të saj. Andaj edhe kur zhvillohej fushata qeveritare për referendumin, kam deklaruar se çdo pjesëmarrje e aktorëve shqiptarë, qofshin ata politikë (pozitë a opozitë), akademikë, intelektualë a të tjerë, në këtë fushatë, është krejtësisht e panevojshme, madje hipokrite.

Votimi afirmativ në kuvend u bë lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në Prespë mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, pra për propozimin që Kushtetuta e Maqedonisë të pësojë ndryshime në katër nene: Shtesë në emrin aktual të Republikës së Maqedonisë me atë – Republika e Maqedonisë Veriore, ndryshime në preambulën e Kushtetutës, garanci për kufijtë e territorialë të Maqedonisë dhe kujdes për qytetarët maqedonas në diasporë dhe më gjerë.

Vetë Marrëveshja e Prespës injoron në tërësi elementin shqiptar në këtë shtet. I gjithë procesi është njëetnik, përshkohet nga një mospajtim mes vetë maqedonasve për të ardhmen gjeopolitike të shtetit, debatet për prejardhjen e tyre, identitetin, vlerat e tyre, arritjet historike, gjuhën e vetme zyrtare, krenarinë maqedonase e kështu me radhë. Kjo i bën shqiptarët të jenë një patericë e përkohshme drejt realizimit të kauzës së tyre, e cila do flaket tej sapo të përmbushet ky qëllim.

Shqiptarët është dashur që në këtë kauzë të unifikohen e të pozicionohen me një qëndrim unik kombëtar, pa dallim të pjesëmarrjes së tyre në pushtet dhe kurrsesi të mos bëhen pjesë e debateve ndërmaqedonase. Përfaqësuesit politikë shqiptarë në Maqedoni është dashur të ulen në Tryezën e Përbashkët, e cila është paraparë në Deklaratën e Përbashkët të Partive Politike Shqiptare në Maqedoni, e ta shprehin fuqimisht dhe publikisht këtë vullnet tonin. Ata është dashur ta thonë në mënyrë të prerë se shqiptarët janë popull me orientim pro-perëndimor, por se mbështetja e tyre për hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe BE nuk mund të jetë një çek i bardhë i nënshkruar.

Statusi i popullit shtetformues dhe barazia e plotë kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoni janë premisa të domosdoshme jo vetëm për aspiratën që Maqedonia ka për t’u bërë pjesë e familjes së shteteve ku mbizotërojnë këto vlera perëndimore, por edhe për vetë ekzistencën dhe jetëgjatësinë e saj si shtet.

 

  • Në muajt e fundit flitet shumë rreth mundësisë për ndryshimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Do të humbin apo do të përfitojnë shqiptarët nga realizimi eventual i kësaj ideje?

Halili: Gabimi më i madh i udhëheqësve të Kosovës që nga pavarësimi i saj, është se pranoi të hynte në dialog me Serbinë në një raport krejtësisht të pabarabartë. Kosova e konsideron Serbinë shtet, ndërkaq Serbia-Kosovën, provincë jugore të saj. Të mos flasim për domosdoshmërinë e kërkimfaljes nga Serbia për gjenocidin e kryer në Kosovë, për pagesën e dëmeve materiale të luftës dhe kompensimin moral e material të viktimave, si parakushte për vendosje të një dialogu të mundshëm mes tyre. Pra, që nga ai moment, jo vetëm shqiptarët por edhe Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut është dashur të jenë vigjilentë se përmes këtij procesi Serbia synon të sigurojë rrugën e saj për në BE, duke e kthyer shtetësinë e Kosovës në pikën zero. Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë është vetëm uvertura që e bën të mundur kthimin e Serbisë në Kosovë dhe shndërrimin e Kosovës në një Bosnjë të dytë.

Togfjalëshat e përdorur së fundmi si: “ndryshimi i kufijve”, “korrigjimi i kufijve”, “shkëmbimi i territoreve”, “kompromis i dhimbshëm” apo edhe ai i përdorur nga Charles Kupchan në New York Times “spastrimi etnik paqësor”, të gjitha janë eufemizma që shfaqin ambiciet dhe projektet tradicionale hegjemoniste serbe në Ballkan. Andaj, një ide e tillë jo vetëm që është tërësisht antishqiptare, por edhe e rrezikshme jo vetëm për shqiptarët por edhe për popujt e tjerë dhe stabilitetin e brishtë të gadishullit, dhe si e tillë duhet kundërshtuar pa asnjë hezitim.

 

  • Si e vlerësoni politikën e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit? Cilat janë sfidat më të mëdha në procesin e integrimeve evropiane para vendeve të rajonit?

Halili: Vonesat e BE-së për ballafaqimin me sfidat ballkanike kanë qenë shumë të dukshme gjatë dekadave të fundit. Pa NATO-n dhe SHBA-të, Bashkimi Evropian është dëshmuar se është një aktor i dobët në eliminimin e reminishenteve të shekullit XIX dhe XX dhe në zgjidhjen e konflikteve në gadishull. BE për shkak të krizës së saj të brendshme ka çaluar mjaft në unifikimin e koncepteve politike ndaj Ballkanit. Kjo është e dukshme sidomos në rastin e njohjes së Kosovës.

Procesi i integrimit të vendeve ballkanike në BE, padrejtësisht është parë si proces vetëm njëdrejtimësh, kur në të vërtetë ai përfaqëson një proces të dyanshëm. Për më tepër, BE nuk është treguar e gatshme të reformojë mekanizmin e saj të anëtarësimit të shteteve të reja, në rastet kur pengesë për anëtarësim bëhen kontestet bilaterale të së kaluarës siç është rasti me vendet e Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i BE-së është i domosdoshëm, jo vetëm për Ballkanin por edhe për vetë perspektivën e saj. Kjo do të mënjanonte lënien e hapësirave të lira për dominim të fuqive të tjera joevropiane, të cilat nuk u shërbejnë aspiratave të popujve të cilët historikisht dhe gjeografikisht janë evropianë.

Realizoi: Anton Pançev

Botuar në: epicenter.bg