Vjollcë Berisha

 

Nuk thoshte asnjë fjalë
se gjuha kishte mëkatet e veta të shumëfishta.
Netëve dëgjoja fëshfërimën që lëshonin lëkurat e ngjitura
dhe lutjet e tij për mua.

Edhe sot, tek shkruaj
e vetmuar në kthinën time,
ndjej si rrëshqas në po atë borë
që e shkelëm të dy asaj stine,
si vrapoj prapë në flladin e lagjes së evgjitëve
ku më shpinte mbrëmjeve e ne merrnim thua
në mbetjet e haresë që patën ata,
në mbetjen e endacakërisë që vinte nga
të vdekurit e tyre të largët…

Edhe sot e mërmëris të njëjtën vjershë,
e ritregoj të njëjtin rrëfim të Bulgakovit,
u vë po ata emra frutash kafeneve,
po ato karikatura vajzave që i xhelozoj për vdekje…

(Dëgjoj tek lutet ai heshtazi për mua…)

Prapë më bien ndërmend ëndrrat që i kisha lidhur tok
si letra të vjetra
dhe s’më tremb asnjë ferr.